ATV

Author: K.B.

  • Seanca në Hagë mbyllet për sot, vazhdon nesër në orën 09:00

    Seanca në Hagë mbyllet për sot, vazhdon nesër në orën 09:00

    Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Gjatë gjithë ditës, mbrojtja e ish-presidentit ka kundërshtuar pretendimet e ZPS-së, duke kërkuar që i njëjti të shpallet i pafajshëm pasi nuk ka prova kundër tij.

    Po ashtu, avokati Luka Mishetiq përmendi kërkesën e kryeprokurores Kimberly West për 45 vjet burgim për secilin nga të akuzuarit, duke thënë se ZPS me këtë, kërkoi burgim të përjetshëm.

    Në fund të seancës fjalën e mori edhe mbrojtja e Kadri Veselit, avokati i të cilit tha se ZPS-ja nuk ka prova që dëshmojnë se ish-kryetari i Kuvendit ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale.

    Seanca vazhdon nesër me fillim të orës 09:00.

  • U propozua nga Kurti vitin e kaluar, aktori Fatmir Spahiu thotë se s’do të jetë Ministër i Kulturës

    U propozua nga Kurti vitin e kaluar, aktori Fatmir Spahiu thotë se s’do të jetë Ministër i Kulturës

    Fatmir Spahiu ka thënë se nuk do të jetë minsitër i Kulturës.

    Emri i tij ishte përmendur nga Albin Kurti, gjatë prezantimit të kabinetit vitin e kaluar, i cili nuk u votua.

    Teksa pritet të votohet Qeveria, ai ka thënë se nuk do të jetë minsitër.

    “Te nderuar miq, Pergjigje per te gjithe ju qe me keni shkruajtur keto dite, e sidomos sot. Une nuk do te jem Minister i Kultures! Ju falemnderit per interesimin! Gjitha te mirat! Ju don Bufi”, ka thënë Spahiu.

  • Me 118 vota pro formohet komisioni për verifikim të mandateve, deputetëve u jepen 15 minuta pauzë

    Me 118 vota pro formohet komisioni për verifikim të mandateve, deputetëve u jepen 15 minuta pauzë

    Është formuar Komisioni i përkohshëm për verifikim të mandatëve.

    Secili grup parlamentar e ka nga një përfaqësues.

    Komisioni do të përbëhet nga

    Adnan Rrustemi (VV)

    Përparim Gruda (PDK)

    Armend Zemaj (LDK)

    Albana Bytyqi (AAK).

    Si dhe përfaqësuesit e komuniteve joshumicë.

    Për këtë komision votuan 118 deputetë.

  • “Na lini të qetë!” – Dua Lipa dhe i fejuari i saj përballen me paparacët në Paris

    “Na lini të qetë!” – Dua Lipa dhe i fejuari i saj përballen me paparacët në Paris

    Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, dhe i fejuari i saj, aktori Callum Turner, nuk kanë kaluar një mbrëmje të qetë.

    Sipas raportimit të Paris Match, çifti është “sulmuar” dhe rrethuar nga paparacë, të cilët i kanë ndjekur nga shumë afër. Në videot e publikuara, shihet se situata i ka shqetësuar dukshëm të dy.

    Dua dhe Callum u kanë kërkuar paparacëve parizienë t’i linin të qetë, teksa po përndiqeshin vetëm pak metra larg banesës së tyre.

    Të shqetësuar se adresa e tyre mund të bëhej publike, këngëtarja dhe aktori janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke mbuluar fytyrat për të shmangur.

  • Frangu zviceran thyen rekorde të reja ndaj euros dhe dollarit

    Frangu zviceran thyen rekorde të reja ndaj euros dhe dollarit

    Rekord i ri në tregjet valutore, frangu zviceran forcohet ndjeshëm

    Frangu zviceran vijon forcimin e tij historik në tregjet valutore, duke shënuar nivele rekord si ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit amerikan, transmeton albinfo.ch.

    Pas arritjes së niveleve të reja në fund të janarit, kjo javë ka nisur me një tjetër dobësim të dollarit dhe me një rritje të mëtejshme të frangut. Të hënën, dollari amerikan u tregtua në nivelin 0.7659 franga, një nga vlerat më të ulëta historike.

    Ndërkohë, edhe euro ka pësuar rënie të ndjeshme kundrejt frangut zviceran. Kursi euro-frang u vendos në 0.9130, duke prekur madje një rekord të ri historik gjatë pasdites, kur zbriti në nivelin 0.9127.

    Forcimi i vazhdueshëm i frangut konfirmon rolin e tij si një nga monedhat më të sigurta në kohë pasigurie ekonomike globale.

  • Investim 5 milionësh, 43 ndërtesa publike në Prizren do të renovojë BE-ja

    Investim 5 milionësh, 43 ndërtesa publike në Prizren do të renovojë BE-ja

    Një total prej 43 ndërtesash publike në Prizren, përfshirë 25 qendra shëndetësore dhe 18 shkolla do të renovohen përmes Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë të financuar nga Bashkimi Europian, nën kornizën WBIF – Western Balkans Investment Framework, ka bërë të ditur sot Zyra e BE-së në Kosovë.

    “Ky investim prej 5 milionë eurove, që kombinon një grant të BE-së me një hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), do të përmirësojë kushtet e kujdesit shëndetësor dhe të mësimdhënies, do të rrisë efiçiencën e energjisë, do të ulë ndotjen e ajrit dhe do të gjenerojë kursime afatgjata për buxhetet publike”.

    Hubert Perr, Shefi i seksonit të bashkëpunimit i BE-së në Kosovë, mori pjesë në nënshkrimin e kontratave për punët nga Komuna e Prizrenit.

    Në dhjetor 2025, kontrata të ngjashme të financuara nga BE-ja për 20 ndërtesa publike në Prishtinë u nënshkruan nën të njëjtin program.

    Me 3.7 miliardë euro të investuar që nga viti 1999, BE-ja tha se është partneri më i fuqishëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.

  • Zbatohet vendimi i Ramosajt, ekzekutohen 500 euro për pacientët me sëmundje malinje në Deçan

    Zbatohet vendimi i Ramosajt, ekzekutohen 500 euro për pacientët me sëmundje malinje në Deçan

    Janë ekzekutuar mjetet financiare nga Thesari i Shtetit për pacientët me sëmundje malinje, pas vendimit social të marrë më herët nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

    Sipas vendimit të komunës, personat që përballen me sëmundje malinje kanë të drejtë të përfitojnë 500 euro ndihmë financiare një herë në vit, e cila ka filluar të shpërndahet përmes sistemit të Thesarit të Republikës së Kosovës.

    Kjo pagesë synon të ofrojë mbështetje morale dhe financiare për pacientët dhe familjet e tyre gjatë trajtimeve dhe sfidave shëndetësore.

    Vendimi për përkrahje u mor në ditën e parë të punës së vitit të ri nga kryetari Ramosaj si pjesë e politikave sociale të komunës, që synojnë të mbështesin kategoritë në nevojë dhe të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët.

    Ndërkohë, krahas mbështetjes për pacientët me sëmundje malinje, komuna kishte vendosur edhe një ndihmë prej 300 eurosh për çdo nënë lehonë, vendim që gjithashtu do të ekzekutohet.

  • Parlamenti Evropian miraton një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Parlamenti Evropian miraton një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

    Parlamenti Evropian miratoi një propozim të Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, për të financuar shpenzimet ushtarake dhe buxhetore.

    Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan kredinë për Ukrainën për periudhën 2026-27 me 458 vota pro, me 140 ligjvënës që votuan kundër dhe 44 abstenime.

    Kredia për Ukrainën përbëhet nga 60 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro mbështetje buxhetore të financuara përmes huamarrjes së BE-së.

    Vota në Parlamentin Evropian ishte planifikuar më parë për një seancë të posaçme plenare të thirrur më 24 shkurt për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por u shty për më 11 shkurt.

    Më 19 dhjetor, samiti i Bashkimit Evropian miratoi një vendim për një kredi të përbashkët për t’i siguruar Ukrainës 90 miliardë euro, të cilat mbulojnë dy të tretat e nevojave të Ukrainës në periudhën 2026-27 si në sektorin buxhetor ashtu edhe në atë të mbrojtjes.

    Më 4 shkurt, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ranë dakord mbi mekanizmat për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh në vitet 2026-27, duke përfshirë edhe lejimin e vendeve të treta për të marrë pjesë.

  • Vengu: 2026 pret stërvitjen e parë trilaberale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Vengu: 2026 pret stërvitjen e parë trilaberale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

    Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjete sociale, njofton se Shqipëria, Kosova dhe Kroacia marrin një hap të rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes trilaterale mes tre shteteve.

    Në postim, Vengu shkruan se shefat e shtabeve të tre vendeve zhvilluar një takim, ku u theksua bashkëpunimi ushtarak, ndërveprueshmëria dhe gatishmëria operacionale.

    “Një tjetër hap i rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes trilaterale ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ku shefat e shtabeve të tre vendeve zhvilluan një takim të përbashkët.

    Më shumë bashkëpunim ushtarak

    Më shumë ndërveprueshmëri

    Më shumë gatishmëri operacionale

    Fokus në zhvillimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve hibride.

    Viti 2026 do të presë stërvitjen e parë trilaterale, në përputhje me Konceptin Strategjik të NATO dhe objektivat euroatlantike”, shkruan Vengu në rrjete sociale.

  • Biblioteka Kombëtare dhe ASHAK firmosin marrëveshje për shërbime bibliotekare

    Biblioteka Kombëtare dhe ASHAK firmosin marrëveshje për shërbime bibliotekare

    Biblioteka Kombëtare të Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe avancimin e shërbimeve bibliotekare.

    Marrëveshja parasheh bashkëpunim në kuadër të rrjetit bibliotekar dhe shfrytëzimin e platformës KOHA për katalogimin, inventarizimin dhe përpunimin bibliografik të fondit të ASHAK-ut, si dhe azhurnimin e bibliografive të akademikëve.

    Gjithashtu, ajo përfshin trajnimin e stafit përkatës, shkëmbimin e materialeve bibliotekare, përvojës profesionale dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, edukative dhe shkencore.

    Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes në burime shkencore dhe akademike, si dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve për komunitetin hulumtues dhe publikun e gjerë.