ATV

Author: K.B.

  • “Thjesht nuk mund të bëjmë pa të”, Guardiola zbulon lojtarin e pazëvendësueshëm të Man Cityt

    “Thjesht nuk mund të bëjmë pa të”, Guardiola zbulon lojtarin e pazëvendësueshëm të Man Cityt

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka zbuluar lojtarin e vetëm të pazëvendësueshëm në ekip, emër i cili mund të befasojë shumë kë.

    Manchester City mundi Fulhamin me rezultat 3-0 në shtëpi në ndeshjen e xhiros së 26-të të Ligës Premier, duke e mbajtur nën presion liderin, Arsenalin.

    Liderët janë tre pikë përpara dhe kanë një ndeshje më pak të zhvilluar ndaj Cityt. Antoine Semenyo, Nico O’Reilly dhe Erling Haaland shënuan golat në këtë fitore.

    Pas ndeshjes, Pep Guardiola e lavdëroi lojtarit që zëvendësoi në minutën e 60-të, duke e cilësuar si të pazëvendësueshëm.

    “Bernardo Silva është i pazëvendësueshëm. Kur ai nuk është në ekip, ne duhet të luajmë një sistem tjetër. Thjesht nuk mund të bëjmë pa të. Ai është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Guardiola.

    Mesfushori sulmues portugez luan në të majtë të mesfushës në një sistem 4-3-3 dhe është kapiteni i ekipit, duke qenë pikë referuese e të gjitha skemave të trajnerit.

    Nga 26 ndeshjet e ligës këtë sezon, Bernardo ka filluar 22 prej tyre, ndërsa në katër prej tyre ka hyrë nga stoli. Në Ligën e Kampionëve, ai ka filluar pesë nga tetë ndeshjet, duke hyrë nga stoli në njërën prej tyre.

    City e bleu atë nga Monaco në verën e vitit 2017 për 50 milionë euro. Ai luajti 442 ndeshje për Cityn, duke shënuar 74 gola dhe duke dhënë 78 asistime. Ai fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, një Ligë Kampionësh, dy Kupa FA dhe katër Kupa të Ligës.

  • 14-vjetori i tragjedisë së Restelicës

    14-vjetori i tragjedisë së Restelicës

    Sot bëhen 14 vjet nga tragjedia e Restelicës, fshat ky në komunën e Dragashit, ku si pasojë e rënies së ortekut të borës, kanë humbur jetën 10 banorë të këtij fshati, të gjithë të një familjeje.

    Nga kjo fatkeqësi natyrore u shkatërruan dhjetëra shtëpi, ndërsa fatkeqësisë i mbijetoi vetëm, në atë kohë, 7-vjeçarja, Amsera Reka, e cila tashmë jeton tek të afërmit e saj. Asaj i vdiqën babai, nëna, vëllai dhe gjyshërit.

  • Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

    Pagë mesatare mbi 1 mijë euro në sektorin publik e dyfishim të shtesave – zotimet e Kurtit për mandatin e ri

    Albin Kurti e ka marrë dje mandatin e ri si Kryeministër i Kosovës. Ai ka bërë disa zotime për mandatin e ardhshëm, sidomos për ngritjen e të ardhurave të familjeve.

    Ai ka deklaruar se gjatë mandatit të ri do të rris pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro, si dhe dyfishim të shtesave për fëmijë, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë paraqitjes së ekspozesë, Kurti tha se rritja do të vazhdojë në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike.

    “Kjo rritje do të vazhdojë edhe mandatin që vjen në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj”, ka deklaruar Kurti.

    Shtesat për fëmijë deklaroi se do të shkojnë në 90 euro, për çka tha se me këtë rritje Kosova do i lë prapa edhe disa vende të Bashkimit Evropian.

    Premtoi edhe rritje të shtesave për nënat lehona.

    “Shtesat për fëmijë janë sot 30-45 euro për fëmijë, ndërkaq mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë ato. Pra nga zero sa i gjetëm në 45, dhe mandatin e radhës nga 45 në 90 euro për familjet me tre e më shumë fëmijë… Edhe shtesat për nënat e reja lehohnat do t’i rrisim nga 500 euro në muaj për gjashtë muaj”, deklaroi Kurti.

    Përgjatë mandatit të kaluar, Kurti tha se si Qeveri kanë shtuar punësimin, me fokus rininë dhe gratë.

    Ai bëri me dije se do të krijohet platforma “Superpuna” edhe për gratë.

    “Kemi shtuar punësimin nga 350 mijë të punësuar në 430 mijë të punësuar, me fokus te rinia dhe gratë si dhe kemi arritur që të ardhurat e familjes të ngriten, duke rritur pagën minimale, pensionet, shtesat për fëmijë, por edhe pagat në sektorin publik, të cilat gjatë këtij mandati që po e përmbyllim tash kanë shënuar rritje mesatare prej 47%”, tha Kurti.

  • Policia identifikon një 18-vjeçar si të dyshuar për të shtënat në Kanada

    Policia identifikon një 18-vjeçar si të dyshuar për të shtënat në Kanada

    Një 18-vjeçar është emëruar si i dyshuari për të shtënat me armë që vranë tetë persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë në British Columbia të Kanadasë.

    Policia tha se Jesse Van Rootselaar u gjet i vdekur në vendngjarje nga një plagë me armë zjarri e shkaktuar vetë. Motivi i sulmit nuk dihet ende, shkruan BBC.

    Gjashtë persona u vranë dhe të paktën 25 të tjerë u plagosën në shkollën e mesme Tumbler Ridge. Dy të tjerë – nëna e të dyshuarit, 39 vjeç, dhe vëllai i njerkës, 11 vjeç – u gjetën të vdekur në një shtëpi aty pranë.

    Autoritetet thanë se Van Rootselaar lindi si mashkull biologjik, por u identifikua si grua.

  • Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin për krime lufte

    Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin për krime lufte

    Ish-Presidentit Hashim Thaçi i është vazhduar paraburgimi në rastin ku së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetin Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Vendimi për këtë masë ndaj Thaçit është marrë më 10 shkurt 2025 nga kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Për Thaçin, Smith III, në vendimin e tij ka konstatuar se ka rrezik që ai të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera që bien në juridiksionin e DhSK-së.

    Ndryshe, rasti në fjalë është në fazën përfundimtare përpara se të shpallet aktgjykimi.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

    Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila pritet ta vazhdojë edhe nesër më 12 shkurt.

  • PDK paralajmëron rezolutë për gjykimin në Hagë në seancën e parë të Kuvendit

    PDK paralajmëron rezolutë për gjykimin në Hagë në seancën e parë të Kuvendit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se legjislatura e re e Kuvendit nis në një moment vendimtar për vendin, duke theksuar se mbrojtja e së vërtetës, drejtësisë dhe shtetësisë në Hagë është obligim shtetëror dhe kombëtar, e jo çështje partie.

    Përmes një postimi në facebook pas konstituimit të Kuvendit, ai bëri të ditur se në seancën e parë të punës do të procedohet për votim një rezolutë e hartuar nga ekspertë të pavarur.

    Sipas tij, rezoluta kërkon një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe me standardet më të larta ndërkombëtare.

    Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike që ta mbështesin këtë iniciativë, duke theksuar se pret përkrahjen e të gjithë atyre që besojnë në drejtësi, dinjitet dhe shtet.

  • Osmani njofton: E kam caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë, i uroj suksese

    Osmani njofton: E kam caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë, i uroj suksese

    Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë, duke i uruar suksese në udhëheqjen e qeverisë së re.

    “Sot, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju priftë e mbara!”.

    Kuvendi i Kosovës pritet që sërish pas pak të mblidhet për seancën për formimin e qeverisë së re.

    Në seancën e parë të legjislaturës së re ka përfunduar konstituimi i Kuvendit me votimin e Albulena Haxhiut kryetare dhe pesë nënkryetarëve të tjerë, përfshirë edhe Sllavko Simiqin nga Lista Srpska.

  • LVV i çon letër Osmanit, e propozon Kurtin mandatar për formimin e qeverisë

    LVV i çon letër Osmanit, e propozon Kurtin mandatar për formimin e qeverisë

    Deputetja Arbërie Nagavci, njofton se në cilësinë si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, i ka dorëzuar presidentes Vjosa Osmani, propozimin për caktimin e Albin Kurti si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Krahas letrës së publikuar, Nagavci ka shkruar:

    Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të qeverisë së re.

    Screenshot
  • Tahiri: Kosova humbi një vit, pakoja me nënkryetarët kamuflim i LVV-së që e quajti Simiqin terrorist dhe sot e votoi

    Tahiri: Kosova humbi një vit, pakoja me nënkryetarët kamuflim i LVV-së që e quajti Simiqin terrorist dhe sot e votoi

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se “Kosova humbi një vit, Kosova humbi për në vit të gjitha benificionet që do të mund t’i kishte”, pas konstituimit të Kuvendit.

    Ai fillimisht tha se ka një pyetje për qytetarët.

    “Pyetja që sot ua shtroj secilit qytetar të Kosovës është pse nuk është konstituuar Kuvendi para një viti?”.

    Tahiri tha se AAK-ja “edhe atëherë edhe tash ka qenë pro konstituimit të Kuvendit” dhe “ka dhënë alternativa dhe propozime për të mos ardhur deri në këtë ditë, deri në këtë situatë kur Kosova humbi dhe kur qytetarët e Kosovës i morën rezultatet dhe u dëmtuan skajshmërisht”.

    Votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit, përfshirë atë nga Lista Serbe, ai tha se “padyshim që e zgjodhi një problem”.

    Duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje, Tahiri tha se ajo synoi votimin në pako për ta “kamufluar” votimin e Sllavko Simiqit.

    “Mirëpo po ashtu u pa se kjo pako ishte një lloj synimi i kamuflimit të votimit për nënkrytarët. Në një kohë, Sllavko Simiqi, respektivisht deputeti i Listës Serbe, nuk është pranuar. Ai u quajt terrorist kur ishte vetëm, ndërsa kur hyri në pako u votua”.

    Sonte pritet të ketë një seancë e Kuvendit ku do të zgjidhet qeveria e re. Tahiri tha se AAK-ja do të marrë pjesë dhe do të votojë kundër.

  • Osmani uron Haxhiun dhe nënkryetarët e zgjedhur: Kuvendi është themeli i demokracisë sonë

    Osmani uron Haxhiun dhe nënkryetarët e zgjedhur: Kuvendi është themeli i demokracisë sonë

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Albulena Haxhiun pas zgjedhjes së saj si Kryetare e Kuvendit të Kosovës, si dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

    Ajo beson se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.

    “Uroj znj. Albulena Haxhiu për zgjedhjen e saj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve tanë. Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve. Besoj fuqishëm se udhëheqja e re e Kuvendit do ta ushtrojë këtë mandat me përgjegjësi demokratike në respektim të Kushtetutës dhe me përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja ka theksuar nevojën për bashkëpunim institucional dhe uron që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme.

    “Në këtë moment të rëndësishëm institucional, ritheksoj nevojën bashkëpunim ndërinstitucional e konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave tona shtetërore e historike dhe avancimit të agjendës sonë euroatlantike.

    “Uroj që ky mandat të shquhet për vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë të lartë demokratike dhe angazhim të palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës sonë!
    Punë të mbarë dhe suksese në detyrën tuaj të lartë shtetërore!”, ka shkruar Osmani.