ATV

Author: K.B.

  • Dyshimet për manipulim me vota, ndalohen për 48 orë shtatë kryesues në Klinë

    Dyshimet për manipulim me vota, ndalohen për 48 orë shtatë kryesues në Klinë

    Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se shtatë kryesues në Klinë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për manipulim me vota, shkruan Reporteri.net.

    Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se, pas autorizimeve të dhëna për Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës lidhur me procesin hetimor për numërimin e votave në komunën e Klinës, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve komisionerë dhe kryesues të vendvotimeve. Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë shtatë (7) kryesues të vendvotimeve në këtë komunë. Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës të pandehurve në procedurë penale në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.

  • Avokati Roberts: Rexhep Selimi është tërësisht i pafajshëm

    Avokati Roberts: Rexhep Selimi është tërësisht i pafajshëm

    Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka deklaruar para trupit gjykues se Rexhep Selimi është i pafajshëm – tërësisht.

    Në deklaratën e tij përmbyllëse, Roberts tha se ZPS-ja ka paraqitur prova jo-koherente dhe jo-relevante, në rastin e Selimit.

    “Në të gjitha këto aspekte, Prokuroria ka dështuar ta bëjë këtë gjë, në mënyrën më të qartë”, deklaroi Roberts.

    Ai tha se do të kërkojnë që të marrin përgjigje në dosjen e fundit dhe të hedhin dritë në disa parashtrime të bëra.

    Roberts shtoi se synojnë të jenë të hapur dhe transparent në qëndrimin e tyre sa i përket dëshmimit të pafajësisë së Selimit.

    Paraprakisht, në Gjykatë u dëgjua fjala përmbyllëse e mbrojtjes së Kadri Veselit, teksa pasi të përfundojë fjalën avokati i Selimit, do të dëgjohet mbrojtja e Krasniqit.

    Më herët, zëdhënësi i Gjykatës Speciale deklaroi se sapo të përfundojnë deklaratat përmbyllëse, procesi do të mbyllet. Kolegjit do t’i nevojiten tre deri në pesë muaj të marrin vendimin përfundimtar për rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

  • Arrihet marrëveshja mes Trafikut Urban dhe sindikatës, shmanget ndërprerja e transportit në Prishtinë

    Arrihet marrëveshja mes Trafikut Urban dhe sindikatës, shmanget ndërprerja e transportit në Prishtinë

    Trafiku Urban ka njoftuar se pas dialogut me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatën është arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës dhe ofrimin normal të shërbimit të transportit publik në Komunën e Prishtinës.

    Sipas njoftimit, kërkesat e punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e pagave do të mbeten në shqyrtim, ndërsa diskutimet e detajuara për mundësitë e realizimit të tyre do të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

    Menaxhmenti ka theksuar se ndërmarrja mbetet e hapur për dialog të vazhdueshëm me sindikatën dhe se kërkesat do të trajtohen me prioritet sapo të përmirësohet gjendja financiare e kompanisë.

  • Kuvendi i Shqipërisë e miraton deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK: Lufta e tyre ishte e drejtë

    Kuvendi i Shqipërisë e miraton deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK: Lufta e tyre ishte e drejtë

    Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 92 vota pro deklaratën për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK.

    “Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

    Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

    Kujton bashkësinë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit. Shpreh solidaritet të plotë me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

    Shpreh angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së të mos cenohet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë”, thuhet në deklaratën e përbashkët mes palëve politike në Kuvend.

  • Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, propozimi i komisioneve parlamentare në rend dite

    Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, propozimi i komisioneve parlamentare në rend dite

    Kryesia e re e Kuvendit është mbledhur sot për herë të parë, nën udhëheqjen e Kryeparlamentares Albulena Haxhiut.

    Mbledhja tashmë ka nisur.

    Sipas njoftimit, në rend dite është vetëm një pikë “Propozimi për formimin e komisioneve parlamentare”.

    Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen e parë të qeverisë bëri të ditur se tani hap i radhës është votimi i buxhetit për vitin 2026 dhe ai i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

    Ai gjithashtu se pas tyre, do të jetë i gatshëm që të merret edhe me çështjen e Presidentit, dhe se do të nis kontaktet me partitë politike

  • Konjufca hyn në zyre të MPJ’së si Kryediplomat, pritet nga Gërvalla

    Konjufca hyn në zyre të MPJ’së si Kryediplomat, pritet nga Gërvalla

    Kryediplomati i ri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkuar sot në zyret e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Përveç Ministër i Punëve të Jashtme, Konjufca është edhe Zëvendëskryeministri i Parë.

    Ai është pritur nga ish-Ministrja Donika Gërvalla, e cila e ka uruar për detyrën.

    Gërvalla ka thënë se Konjufca do të forcojë edhe më tej diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Glauk, të uroj suksese të mëdha në detyrën e re si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me bindjen se kontributi yt do të forcojë dhe më tej diplomacinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke promovuar interesat e vendit tonë, duke avancuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe duke punuar për një të ardhme më të fortë dhe më të sigurt për qytetarët tanë”, ka shkruar Gërvalla.

  • Dënohen me nga 15 vjet burg në Zvicër tre shqiptarët që u përpoqën të merrnin gjysmë toni kokainë

    Dënohen me nga 15 vjet burg në Zvicër tre shqiptarët që u përpoqën të merrnin gjysmë toni kokainë

    Gjykata Penale e Basel-Landschaftit në Muttenz dënoi të enjten (sot) tre shqiptarë me nga 15 vjet burg dhe 15 vjet dëbim. Në pranverën e vitit 2022, ata u përpoqën të merrnin një kontejner me gjysmë ton kokainë të fshehur në thasë kafeje, transmeton albinfo.ch. Ata u dënuan për shkelje të rënda të Ligjit për Narkotikët.

    Sipas aktakuzës, ata bënë përgatitje për të poseduar dhe transportuar një sasi të madhe droge. Përpjekja e tyre për të gjetur kontejnerin nga Brazili në ambientet e kompanisë së transportit Swissterminal në Frenkendorf, Basel-Landschaft, dështoi pavarësisht disa përpjekjeve, shkruan sda.ch. Ngarkesa u zbulua më vonë në fabrikën Nespresso në Romont, Fribourg.

    Ata donin të vidhnin 500 kilogramë kokainë, me vlerë 60 milionë franga zvicerane, nga një kontejner mallrash detare dhe ta transportonin atë jashtë vendit.

    Të tre të pandehurit, të moshës 31, 34 dhe 32 vjeç, kanë vuajtur përkatësisht afërsisht dy dhe tre vjet në paraburgim dhe paraburgim parandalues. Prokuroria kishte kërkuar dënime me burg mbi 19 vjet për secilin prej tyre, ndërsa mbrojtja kishte argumentuar për lirim nga akuzat, përcjell albinfo.ch.

    Bazuar në rezultatet e hetimit, zyra supozon se, midis 28 prillit dhe 2 majit 2022, disa persona – me sa duket përfshirë tre të akuzuarit – po kërkonin një kontejner mallrash detare në ambientet e një terminali kontejnerësh në Basel-Landschaft. Përveç rreth 300 thasëve prej jute që përmbanin kafe të gjelbër, kontejneri ishte i ngarkuar edhe me rreth 20 thasë që përmbanin, përveç kafes së gjelbër, edhe një total prej rreth 500 kg kokainë.

    Zyra e prokurorit publik i akuzon të pandehurit për përpjekje për të rikuperuar kokainën, për ta transportuar atë dhe për ta transferuar jashtë vendit.

    Meqenëse ata nuk arritën ta gjenin në kohë kontejnerin në terminal dhe ta merrnin në zotërim drogën, ajo u transportua me tren te blerësi legjitim – një fabrikë Nespresso në Romont, FR. Punonjësit atje zbuluan një substancë të bardhë të panjohur ndërsa shkarkonin thasët me kokrra kafeje.

    Ngarkesa kishte ardhur nga Brazili, njoftoi atëherë policia kantonale e Fribourg-ut. “Thasët ishin të izoluar dhe droga nuk ra në kontakt me asnjë nga produktet e përdorura në prodhim”, deklaroi policia.

    Një sasi prej afërsisht 500 kg kokainë u gjet dhe u raportua tek autoritetet. Pastërtia e drogës ishte midis 97% dhe 100%, përcjell albinfo.ch. Zyra e prokurorit publik vlerëson se vlera e kokainës së sekuestruar, në treg, do të arrinte deri në 60 milionë franga zvicerane.

    Vendimi nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm./Albinfo.ch/

  • Lot dhe dhimbje, përcillen për në banesën e fundit 4 anëtarët e familjes Kola

    Lot dhe dhimbje, përcillen për në banesën e fundit 4 anëtarët e familjes Kola

    Në Peqin kanë mbërritur në orët e para të ditës së sotme 4 arkëmortet e familjes Kola.

    Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida dhe dy fëmijët, Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeçe, do të përcillen mesditën e sotme për në banesën e fundit në fshatin Gryksh i Madh të Peqinit, vendlindjen e tyre.

    Qindra njerëz të pranishëm në përcjelljen e fundit të familjes Kola. Familjarët më të afërt, nëna e Arti Kolës dhe vëllai i tij e familjarë të tjerë do të presin ngushëllimet për vdekjen tragjike të 4 personave nga e njëjta familje.

    Sipas hetimeve paraprake italiane, shkak i tragjedisë dyshohet të ketë qenë helmimi nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e vendosur së fundmi në banesë. Trupat iu nënshtruan analizave toksikologjike nga autoritetet italiane përpara se të lejohej transporti drejt Shqipërisë.

    Për të mbuluar shpenzimet e kthimit të familjes, vëllai i viktimës, Durim Kola, hapi një fushatë në platformën GoFundMe, e cila brenda pak ditësh siguroi mbi 75 mijë euro nga dhurues të shumtë

  • Greqia refuzon t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të propozuar nga Donald Trump

    Greqia refuzon t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të propozuar nga Donald Trump

    Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili do të mbajë seancën e parë më 19 shkurt në Uashington.

    “Nuk është në axhendën e kryeministrit”, tha zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis në një konferencë për shtyp të enjten.

    “Bordi” fillimisht u prezantua si një grup i vogël udhëheqësish që do të mbikëqyrnin posaçërisht armëpushimin në Gaza. Presidenti i SHBA-së më pas ftoi dhjetëra vende të merrnin pjesë dhe sugjeroi që organizata mund të fillonte të funksiononte si një organ më i gjerë për zgjidhjen e konflikteve.

  • Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi, kërkohet për tri vepra penale

    Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi, kërkohet për tri vepra penale

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi të kërkuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Legalizm i rremë”.

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

    – 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

    – 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë

    – E-mail adresa: [email protected]”