ATV

Author: K.B.

  • 5000 euro për të fshirë lajmet, arrestohet administratori i portalit në Tiranë

    5000 euro për të fshirë lajmet, arrestohet administratori i portalit në Tiranë

    Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”.

    Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç.

    Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.

    Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.

  • Kurti udhëton për në Gjermani, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

    Kurti udhëton për në Gjermani, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih – Munich Security Conference 2026 (MSC).

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media, ku ndër të tjera thuhet e krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih – Munich Security Conference 2026 (MSC). Krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka anuluar pjesëmarrjen e saj për shkak të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme në vend.

    Këshilltari për Media i Presidencës, Bekim Kupina, ka theksuar se Presidentja është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve për ftesën.

    “Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, ajo ka vendosur të mos marrë pjesë këtë vit”, ka thënë Kupina.

    Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe vendet e rajonit.

  • Sot seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Auron Thaqi, dëshmojnë punonjësit e lokaleve ku ndodhi tragjedia

    Sot seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Auron Thaqi, dëshmojnë punonjësit e lokaleve ku ndodhi tragjedia

    Sot, duke filluar nga ora 13:10, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, mbahet seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Auron Thaqi, i cili humbi jetën një vit më parë si pasojë e një therjeje me thikë.

    Seanca do të vazhdojnë me dëshminë e punonjësve të lokaleve përreth, ku edhe ndodhi rasti tragjik, shkruan IndeksOnline.

    Auroni u plagos rëndë në Prizren dhe ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Dyshohet se pas sulmit ai është hedhur nga një veturë në lëvizje.

    Për këtë rast, janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim dy persona: Enes Ay dhe Hajrullah Brcani.

    Enes Ay po hetohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, e cila ka rezultuar me vdekjen e Auron Thaqit. Ndërsa Hajrullah Brcani po mbahet për veprat penale: “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

    Ngjarja kishte tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave të rënda dhe dyshimeve për përfshirjen e personave që njiheshin nga afër me viktimën. Një vit pas tragjedisë, familja e Auronit vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërsa rasti do të shqyrtohet nesër në gjykatë.

  • Mbi 2000 gjoba trafiku e 50 aksidente trafiku brenda 24-orëve

    Mbi 2000 gjoba trafiku e 50 aksidente trafiku brenda 24-orëve

    Gjatë 24-orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 50 aksidente trafiku ku prej tyre 17 me të lëndur dhe 33 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se në këtë interval kohor janë shqiptuar 2389 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    44 persona janë arrestuar, 26 janë dërguar në mbatje dhe 3 në vuatje dënimi.

  • Haradinaj: Haga nuk mund t’i dënojë 27 shtetet e NATO-s që ndihmuan Kosovën

    Haradinaj: Haga nuk mund t’i dënojë 27 shtetet e NATO-s që ndihmuan Kosovën

    Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, deklaroi se trupi gjykues në Hagë nuk mund t’i shpallë fajtorë ish-krerët e UÇK-së, pavarësisht që ZPS ka parashikuar dënime deri në 45 vjet për secilin.

    Ai në Klan Kosova shtoi se nuk beson se gjykata do të guxojë të dënojë 27 shtetet e NATO-s që ndihmuan Kosovën në rrugën drejt lirisë.

    “Unë e kam shpresën dhe bindjen se trupi gjykues nuk guxon të shpallë fajtorë ndihmën humanitare që e kanë bërë 27 shtete të NATO-s, një luftë që ka pushtuar, që ka shkuar deri në gjenocid në Ballkan, që ka ndalu një kasap që i ka bërë pesë lufta, dhe që i ka dhënë një shteti të drejtën për liri, përfundimisht siç është Kosova”, tha Haradinaj.

  • Bllokohet përkohësisht rruga Fushë Kosovë – Mitrovicë, shkak punimet hekurudhore

    Bllokohet përkohësisht rruga Fushë Kosovë – Mitrovicë, shkak punimet hekurudhore

    Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se qarkullimi në drejtim të fshatit Frashër do të ndërpritet në tre ditët e ardhshme.

    Kjo po ndodh në kuadër të projektit “Rehabilitimi i rrugës Hekurudhore Linja 10, Pjesa Jugore (Fushë Kosovë – Mitrovicë)”.

    “Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë njofton qytetarët se, në kuadër të realizimit të projektit ‘Rehabilitimi i rrugës hekurudhore Linja 10, Pjesa Jugore (Fushë Kosovë – Mitrovicë)’, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit.

    “Me këtë rast rruga që shpie në drejtim të fshatit Frashër (te hekurudha) do të jetë e bllokuar për qarkullim nga 13.02.2026, ora 08:00 deri më 15.02.2026, ora 24:00”.

    “Luten të gjithë qytetarët dhe shfrytëzuesit e kësaj rruge për mirëkuptim dhe që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugë alternative për qarkullim”.

  • Katër të lënduar nga një vetaksident në Dren të Zubin Potokut

    Katër të lënduar nga një vetaksident në Dren të Zubin Potokut

    Katër persona janë lënduar pas një vetaksdeti në fshatin Dren të Zubin Potokut.

    Sipas policisë në aksidentin e ndodhur të enjten ka qenë e përfshirë një veturë udhëtarësh.

    “Përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar vozitësja femër kosovare dhe tre pasagjerët (dy meshkuj dhe një femër kosovare) të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin 24-orësh të forcave të rendit.

  • Epstein instaloi kamera përgjimi në shtëpinë e tij në Florida, emailet zbulojnë vendin ku i kishte fshehur

    Epstein instaloi kamera përgjimi në shtëpinë e tij në Florida, emailet zbulojnë vendin ku i kishte fshehur

    Një korrespondencë me email nga viti 2014 është publikuar, e cila tregon se autori i dënuar i veprave penale seksuale, Jeffrey Epstein, i ka kërkuar një anëtari të stafit të instalojë kamera të fshehura video në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida. Asistenti u përgjigj se planifikonte t’i fshihte ato në kuti pecetash në shtëpi. Emailet janë pjesë e miliona dokumenteve që Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi muajin e kaluar, shkruan SkyNews.

    Kamera të fshehura në kutitë e pecetave

    Në një email të datës 5 shkurt 2014, Epstein i shkroi një bashkëpunëtori: “Le të marrim tri kamera të fshehura me detektim lëvizjeje, të cilat regjistrojnë, faleminderit.” Pesë orë më vonë, ai mori një përgjigje: “Jeffrey, unë bleva dy kamera detektimi lëvizjeje dje nga Spy Store në Fort Lauderdale, i karikova mbrëmë dhe sapo po mësoj si t’i përdor… Aktualisht po i instaloj në kuti me peceta Kleenex.”

    Ekipi i të dhënave dhe i forenzikës i Sky News po shqyrton më shumë se një mijë video të fragmentuara të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë. Shumë prej tyre duket se janë filmuar në zyrën e Epstein në shtëpinë e tij në Florida.

    Një video tregon një burrë që i ngjan Epsteinit duke folur me gratë në dhomë. Një tjetër tregon një grua të gjunjëzuar pranë tij. Sky News raporton se nuk mund të konfirmonte se kur janë bërë pamjet e kamerës së zyrës, përcjell në shqip gazeta online Reporteri.net.

    Sipas dokumenteve të policisë, viktimat kishin frikë se po filmoheshin fshehurazi. Këto email-e dhe imazhe, të cilat janë analizuar, sugjerojnë se kjo ka qenë vërtet e vërtetë. E gjitha kjo vjen pasi Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, u përplas vazhdimisht me kritikët gjatë një seance të gjatë dëgjimore të komisionit në fillim të kësaj jave.

    Të mërkurën, Bondi dha dëshminë e saj të parë nën betim që kur dosjet e Epstein u publikuan, dhe seanca dëgjimore në një moment u shndërrua në një grindje me demokratët. Viktimat e mbijetuara të Epstein më vonë e akuzuan atë për mungesë empatie dhe humanizmi, ndërsa kritikët argumentojnë se për shkak se jo të gjitha dokumentet janë publikuar dhe shumë prej tyre janë redaktuar shumë, disa njerëz të fuqishëm janë ende duke u mbrojtur.

    Bondi, e cila si kreu i Departamentit të Drejtësisë në fund të fundit mbikëqyr publikimin e dosjeve, mbrojti mënyrën se si u zhvillua procesi dhe tha se i vinte “thellësisht keq për gjithçka që ka kaluar çdo viktimë, veçanërisht ai përbindësh”.

    Megjithatë, ajo refuzoi të merrte përgjegjësi personale për dështimet fillestare për të mbrojtur identitetin e viktimave individuale në dokumentet e publikuara, duke thënë se stafi, nën presion, bëri më të mirën që mundi.

  • Netflix sjell filmin “Ad Astra” me Brad Pitt, një kryevepër “e nënvlerësuar”

    Netflix sjell filmin “Ad Astra” me Brad Pitt, një kryevepër “e nënvlerësuar”

    Netflix ka shtuar në platformën e saj filmin “Ad Astra”, një produksion i vitit 2019 i regjisorit James Gray, i cilësuar si i nënvlerësuar.

    Me Brad Pitt në rol kryesor dhe një muzikë thuajse perfekte, filmi fantastiko-shkencor ka fituar vlerësime të larta nga kritikët, duke marrë 83% në Tomatometer të Rotten Tomatoes.

    Sipas përmbledhjes së Rotten Tomatoes, filmi tregon historinë e Clifford McBride, i cili tridhjetë vjet më parë udhëhoqi një ekspeditë në hapësirë dhe u zhduk së bashku me ekuipazhin, shkruan DailyMail.

    Djali i tij, Roy McBride (Brad Pitt), një astronaut i patrembur, nis një mision në Neptun për të zbuluar të vërtetën rreth babait të tij dhe një rritjeje misterioze të energjisë që kërcënon stabilitetin e universit.

    Ad Astra përfshin gjithashtu yje si Tommy Lee Jones, Ruth Negga, Liv Tyler dhe Donald Sutherland. Publiku dhe kritikët kanë shprehur entuziazëm për filmin, duke e quajtur një kryevepër të shtypur, një reflektim mbi humbjen, mashkullorësinë dhe udhëtimin emocional të individit në hapësirë.

    Një kritik shkruan: “Ky është një film i shkëlqyer! Një histori që meriton të shihet disa herë për të kapur detajet e vogla. Psikologjikisht tërheqës dhe vizualisht magjepsës”.

    Performanca e Brad Pitt si Roy McBride dhe ajo e Tommy Lee Jones si babai i tij, H. Clifford McBride, janë veçanërisht të vlerësuara, ndërsa rol tjetër mbresëlënës ka Ruth Negga si Helen Lantos, Liv Tyler si Eve McBride, Donald Sutherland si Kolonel Thomas Pruitt dhe John Ortiz si Gjeneral Lejtnant Rivas.

    Tani, fansat mund ta rishikojnë këtë film të veçantë në Netflix dhe të përjetojnë sërish një nga aventurat më të spikatura hapësinore të viteve të fundit.

  • Rinovohet Palestra e Sportit “Bashkim Selishta”, investim 2.7 milionë euro nga MKRS dhe Komuna e Gjilanit

    Rinovohet Palestra e Sportit “Bashkim Selishta”, investim 2.7 milionë euro nga MKRS dhe Komuna e Gjilanit

    Në Gjilan po vazhdojnë punimet për rinovimin e plotë të Palestrës së Sportit “Bashkim Selishta”, projekt që pritet të krijojë kushte moderne dhe funksionale për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se investimi kap vlerën prej 2.7 milionë euro dhe po realizohet përmes bashkëfinancimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Gjilanit.

    “Ky projekt do të krijojë kushte moderne dhe funksionale për të rejat dhe të rinjtë e komunës tonë, duke u ofruar hapësira të përshtatshme për aktivitet sportiv, gara dhe zhvillimin e potencialit të tyre” ka deklaruar Hyseni.

    Ai ka theksuar se investimet në sport mbeten ndër prioritetet kryesore të komunës edhe gjatë këtij mandati, duke shtuar se infrastruktura sportive është e rëndësishme për zhvillimin e rinisë dhe promovimin e aktiviteteve rekreative dhe profesionale.