ATV

Author: K.B.

  • Vrasja e Triumf Rizës, shtyhet gjykimi ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut

    Vrasja e Triumf Rizës, shtyhet gjykimi ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut

    Në mungesë të prokurores speciale, Arbresha Shala, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Ilir dhe Rrahim Abdullahu akuzohen se, në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën, vranë ish-policin Triumf Riza.

    “Nuk prezanton prokurorja speciale, Arbresha Shala, e cila ka qenë e njoftuar për seancën e sotme përmes emailit. Ka njoftuar se, përkundër përpjekjeve të shumta për të gjetur zëvendësim për seancën e sotme, ka kërkuar shtyrje të seancës pasi që gjendet jashtë shtetit dhe nuk ka mundur të gjejë zëvendësim”, tha gjykatësi i rastit, Avni Syla.

    Lidhur me mungesën në këtë seancë, gjykatësi Syla tha se prokurorja Shala ka njoftuar përmes emailit kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

    Ndryshe, mbrojtja kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Avni Syla me arsyetimin se gjykatësi e kishte axhë pronarin e lokalit ku ndodhi shpërthimi. Por, më 1 tetor 2025, këtë propozim të mbrojtjes, Gjykata Themelore e ka refuzuar.

    Ndryshe, kjo lëndë gjykohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, por me avancimin e tij lënda i kishte kaluar për gjykim te gjykatësi Avni Syla.

    Në seancën e 21 shkurtit 2025, kryetari i trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës së Rrahim Abdullahut me atë të Ilir Abdullahut, me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës. Në atë seancë, i akuzuari Rrahim u deklarua i pafajshëm.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

    Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

    Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

    Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

    Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

    Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

    Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

    Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

    Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

  • Komisioni për Integrime Europiane miraton marrëveshjen me BE-në

    Komisioni për Integrime Europiane miraton marrëveshjen me BE-në

    Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati,e ka prezantuar para deputetëve të këtij Komisioni ku tha se nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet që Kosova të përfitojë gjithsej 882.16 milionë euro.

    “Kam kënaqësinë që sot të prezantoj para jush, parimisht Komisionit për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njërin nga dy instrumentet, pra marrëveshjen që realisht kjo është marrëveshja për agjendën e reformave, pra pjesës së reformave. Sepse njëri instrument është ky që miratohet sot, domethënë paketa e reformave, ndërkaq instrumenti tjetër është ai i financimit, pra pjesa e kredisë, i cili do të miratohet pas kësaj edhe në Komisionin për Buxhet dhe është marrëveshje veç e veç që duhet të ratifikohet. Pra, kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes:.

    “E mira e kësaj është, siç e tha edhe Kryetarja, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standartit të Bashkimit Evropian. Si vlerë financiare, Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, pra është rreth 10% e bruto produktit vendor vlera financiare e pakos mbështetëse të Planit të Rritjes, por kjo normalisht përmban siç e thashë edhe këtë marrëveshjen e reformave. Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.

    Murati në fjalën e tij tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht ishte miratuar në tetor të vitit 2024.

    “Qëllimi i marrëveshjes kornizë, pra teksti i së cilës është standard për të gjitha shtetet përfituese, është që të krijohet baza e përgjithshme kontraktuale që mundëson që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje. Kurse qëllimi i marrëveshjes për kredinë, është që të rregullojë kushtet të ndërlidhura specifikisht për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, por kjo është pra një marrëveshje e veçantë. Si qeveri, pra gjatë mandatit të kaluar ne i kemi dhënë rëndësi dhe prioritet këtij instrumenti, ashtu që të respektoheshin të gjitha afatet e vendosura nga ana e Komisionit Evropian. Rrjedhimisht pra Kosova ka qenë ndër shtetet e para, në mos të parët pra që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht e kemi miratuar pra qysh në tetor të vitit 2024. Megjithatë, përkundër tendencës për të përshpejtuar, ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar që procesi të vonohet paksa, duke marrë parasysh që ishte edhe një instrument i krijuar për herë të parë edhe nga vetë Bashkimi Evropian”.

    Murati tha se pjesërisht ka pasur vonesa në finalizimin e agjendës së reformave nga disa shtete tjera përfituese, pjesërisht ka pasur edhe punë paralele që është zhvilluar nga vetë Komisioni Europian”.

    “Pra, për rregulloren e nevojshme për themelimin e këtij instrumenti të ri, dhe kësisoj pra ka pasur disa ngecje apo vonesa të cilat pastaj neve na zunë në një proces pa Kuvend funksional dhe kësisoj pra është shtyrë apo është vonuar deri më tani edhe ratifikimi i këtij instrumenti”, tha ai./EO/

  • “Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, thotë Gërvalla pasi merr postin e ministres së Drejtësisë

    “Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, thotë Gërvalla pasi merr postin e ministres së Drejtësisë

    Donika Gërvalla e ka pranuar detyrën e ministres së Drejtësisë duke e vlerësuar rolin e kësaj ministrie në raport me ligjin dhe drejtësinë.

    “Gjatë ditës së djeshme, nga ish-U.D. i Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, pranova detyrën e Ministres së Drejtësisë, e vetëdijshme për rolin vendimtar që ky dikaster, si strukturë kyçe e shtetit, luan në konsolidimin e tij dhe përkushtimin e palëkundur për të krijuar institucione të forta, ligj të zbatueshëm dhe drejtësi të barabartë për të gjithë”, shkroi Gërvalla në Facebook.

    “Drejtësia është gurthemeli i Republikës sonë. Reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim”.

    Ajo tha se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin dhe se ky parim udhëheq kauzën për një Kosovë të drejtë.

    “Kjo është beteja jonë për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve”.

    “Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin! Ky është parimi që udhëheq kauzën tonë dhe garancia se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë edhe më e fortë, edhe më e drejtë dhe edhe më krenare për secilin qytetar të Kosovës. Na priftë e mbara!”

  • Mblidhen dy komisione të Kuvendit, shqyrtojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Mblidhen dy komisione të Kuvendit, shqyrtojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare

    Dy komisione të Kuvendit të Kosovës, ai për buxhet, punë dhe transfere si dhe Komisioni për integrimet evropiane do të mblidhen sot për herë të parë pas formimit.

    Komisioni për Buxhet punë dhe transevere ka në rend dite shqyrtimi në parim të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 si dhe projektligjet për katër marrëveshje ndërkombëtare.

    Në mbledhjen e thirrur për në orën 12 ky komision do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim, atë për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.

    Ndërsa Komisioni për Integrime Evropiane, do të mblidhet në orën 11:30 dhe do ta shqyrtojë Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje”.

  • Ambasadori britanik feston më herët 17 Shkurtin, mbledh shtetasit britanikë e britaniko-kosovarët

    Ambasadori britanik feston më herët 17 Shkurtin, mbledh shtetasit britanikë e britaniko-kosovarët

    Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, mbrëmë në një pritje në Prishtinë mblodhi shtetas britanikë e ata që kanë nënshtetësi të dyfishtë Kosovë-Mbretëri e Bashkuar për të festuar 17 Shkurtin pak më herët.

    “Ishte një mundësi e mrekullueshme për të festuar lidhjet e thella dhe të qëndrueshme Mbretëri e Bashkuar-Kosovë, si dhe për të vlerësuar qytetarët, kontributet e të cilëve forcojnë të dy vendet tona”, tha ambasadori.

    “Ndërsa Kosova përgatitet të shënojë javën e ardhshme 18-vjetorin e pavarësisë, ne ishim të lumtur ta festonim më herët me miq dhe partnerë që mishërojnë frymën e miqësisë sonë të kahershme. Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar përkrah Kosovës që para pavarësisë dhe ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një Kosovë të qëndrueshme, demokratike dhe të begatë”, shtoi Hargreaves.

    Ai falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan në “një mbrëmjeje të paharrueshme bisede, lidhjeje dhe krenarie të përbashkët për gjithçka që kemi arritur së bashku”.

    “Shpresojmë të organizojmë më shumë ngjarje në të ardhmen, duke bashkuar komunitetin britanik në Kosovë”.

    Për britanikët që s’ishin pjesë e kësaj feste, ambasadori la një porosi.

    “Nëse jeni britanik në Kosovë dhe këtë herë nuk ju kemi përfshirë në listë, ju lutemi na njoftoni”.

    Ndër mysafirët e Hargreaves ishte edhe i pari i Prishtinë, Përparim Rama.

  • Shenja që tregojnë se kompjuteri juaj mund të jetë duke u spiunuar

    Shenja që tregojnë se kompjuteri juaj mund të jetë duke u spiunuar

    Nëse kompjuteri juaj, qoftë Windows apo Mac, fillon të sillet në mënyrë të pazakontë, kjo mund të mos jetë thjesht një defekt teknik.

    Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet e papritura në funksionim mund të sinjalizojnë praninë e një programi të dëmshëm apo edhe një tentativë për spiunim.

    Një nga shenjat më të zakonshme është ngadalësimi i papritur i pajisjes apo bllokimet e shpeshta. Kur programet hapen me vështirësi ose sistemi punon jashtë normales, mund të jetë duke u konsumuar nga një malware që përdor burimet e kompjuterit tuaj në sfond.Një tjetër sinjal alarmi është shfaqja e dritareve apo reklamave të panjohura.

    Nëse në ekran shfaqen aplikacione që nuk i keni instaluar vetë, mos i klikoni dhe kontrolloni menjëherë shtesat e shfletuesit. Po ashtu, nëse antivirusi çaktivizohet pa arsye dhe nuk mund ta ndizni sërish mbrojtjen në kohë reale, provoni ta nisni kompjuterin në “Safe Mode” dhe të kryeni një skanim të plotë.Ndryshimi i papritur i faqes kryesore të shfletuesit apo i motorit të kërkimit është një tjetër tregues se dikush mund të ketë ndërhyrë në sistem.

    Rivendosni cilësimet dhe hiqni çdo shtesë të panjohur. Nëse drita e kamerës ndizet edhe kur nuk jeni në një video-telefonatë, kontrolloni menjëherë aplikacionet që kanë qasje në kamerë dhe fshini ato të panevojshme.Edhe njoftimet për ndryshim fjalëkalimesh që nuk i keni kërkuar vetë janë shenjë rreziku. Në këtë rast, ndryshoni menjëherë fjalëkalimet dhe aktivizoni verifikimin me dy hapa.

    Për më tepër, kontrolloni “Task Manager” në Windows ose “Activity Monitor” në Mac për të identifikuar procese të dyshimta që konsumojnë shumë burime.Ekspertët këshillojnë që, nëse vëreni disa nga këto shenja njëkohësisht, të veproni menjëherë: kryeni një skanim të plotë me një antivirus të besueshëm, hiqni aplikacionet e panjohura dhe rivendosni cilësimet e sistemit. Në epokën digjitale, vigjilenca është mbrojtja juaj më e mirë.

  • Cilat janë 9 komisionet parlamentare që do të udhëhiqen nga VV-ja?

    Cilat janë 9 komisionet parlamentare që do të udhëhiqen nga VV-ja?

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmjen e së enjtes përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e dhjetë, me 100 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.

    Në mesin e tyre, 9 komisione do të drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje, ku në emër të këtij subjekti politik përbërjen e tyre e prezantoi, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.

    Sa i përket Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ajo bëri të ditur se kryetar është propozuar deputeti Enver Haliti, ndërsa anëtarë Fatos Geci, Ilir Kërçeli dhe Valon Hoti.

    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të udhëhiqet nga Arbreshë Kryeziu, ndërsa anëtarë janë propozuar Shqipe Selimi, Vigan Qorrolli, Abdullah Klinaku dhe Fjolla Ujkani.

    Në Komisionin për Arsim, kryetare është propozuar Arjeta Fejza, ndërsa anëtarë Fahrush Rexhepi, Mitaher Askuka, Arbërie Nagavci dhe Shqipe Jusufi.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, ndërsa anëtarë janë propozuar Driton Hyseni, Ejup Ahmeti dhe Taulant Kelmendi.

    Për Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, kryetar është propozuar Arsim Ademi, ndërsa anëtarë Alban Bajrami, Salih Zyba, Artan Abrashi dhe Drita Pajaziti.

    Në Komisionin për Shëndetësi, kryetar është propozuar Haxhi Avdyli, ndërsa anëtarë Naim Bardiqi, Fitim Haziri, Labinotë Demi-Murtezi dhe Sylejman Meholli.

    Për Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje, kryetar është propozuar Mefail Bajqinovci, ndërsa anëtarë Enver Dugolli, Ilir Qeriqi, Rufki Suma dhe Shqipe Selimi.

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Familje, Vlera të Luftës Çlirimtare dhe Peticione do të udhëhiqet nga Fatmire Kollçaku, ndërsa anëtarë janë propozuar Afërdita Hajrizi, Salih Zyba, Mytaher Askuka dhe Edona Llalloshi.

    Në Komisionin për Mirëqenie Sociale, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, kryetar është propozuar Adnan Rrustemi, ndërsa anëtarë Mytaher Askuka, Sylejman Meholli, Mimoza Shala dhe Jeton Raka.

    Nagavci theksoi se këto janë propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje për përfaqësim në komisione, duke shtuar se në rastet kur nuk është përmendur pozita, emri i parë i listuar nënkupton funksionin e nënkryetarit.

    “Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentarja Haxhiu, teksa mbylli punimet e kësaj seance.

  • Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëron Evropën për një epokë të re në gjeopolitikë para fjalimit në Mynih

    Sekretari amerikan i Shtetit paralajmëron Evropën për një epokë të re në gjeopolitikë para fjalimit në Mynih

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur për një moment përcaktues dhe një “epokë të re” ndërsa udhëton në Evropë për një fjalim të rëndësishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

    Rubio do të udhëheqë delegacionin amerikan në ngjarjen e parë globale të madhe që nga koha kur Presidenti Donald Trump shpalosi pretendimet për të marrë Grenlandën.

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka insistuar se Evropa duhet të përgatitet për pavarësi nga SHBA-ja, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se lidhjet transatlantike janë po aq të ngushta dhe të rëndësishme sa gjithmonë.

    Lufta në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe një marrëveshje e mundshme bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së janë gjithashtu në agjendë ndërsa konferenca e sigurisë fillon.

    “Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë,” u tha Rubio gazetarëve, kur u pyet nëse mesazhi i tij për evropianët do të ishte më pajtues sesa një vit më parë.

    “Ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë, dhe kjo do të kërkojë që të gjithë ne të rishikojmë se çfarë duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë.”

    Në konferencën e vitit të kaluar, Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance sulmoi Evropën, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, për politikat mbi lirinë e shprehjes dhe emigracionin. Fjalimi i tij shkaktoi një vit tensioni të paparë transatlantik.

    Rreth 50 udhëheqës botërorë pritet të marrin pjesë në konferencë, e cila do të diskutojë mbrojtjen evropiane dhe të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike në një kohë kur angazhimet e SHBA-ve ndaj NATO-s janë vënë në dyshim.

    Tensionet janë intensifikuar në muajt e fundit ndërsa Trump ka thënë vazhdimisht se Grenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke deklaruar pa prova se ajo ishte “mbushur me anije ruse dhe kineze kudo.”

    Kryeministrja daneze Mette Frederiksen u tha gazetarëve të premten se planifikonte të takohej me Rubion për të diskutuar kërcënimet e SHBA-së për të marrë territorin gjysmë-autonom danez nga aleati i saj në NATO.

    Kërcënimet amerikane janë parë nga shumë liderë evropianë si një moment kyç që ka dëmtuar besimin me aleatin më të madh.

    Para konferencës, tetë ish-ambasadorë amerikanë në NATO dhe tetë ish-komandantë supremë amerikanë në Evropë kanë lëshuar një letër të hapur duke bërë thirrje për mbajtjen e mbështetjes së Washingtonit për aleancën perëndimore të mbrojtjes.

  • Blendi Fevziu del me një sqarim për sherrin që i ndodhi në studio mes Buzhalës e Rexhajt

    Blendi Fevziu del me një sqarim për sherrin që i ndodhi në studio mes Buzhalës e Rexhajt

    Autori i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, ka dalë me një video sqaruese për incidentin e ndodhur të enjten mbrëma në studion e emisionit të tij mes gazetarit Berat Buzhala dhe publicistit Albatros Rexhaj.

    Fevziu ka thënë se mes tyre s’ka pasur kontakt fizik dhe sipas tij është e rëndësishme që në një pauzë përgjatë emisionit, të dy janë pajtuar dhe i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit.

    “S’ka pasur asnjë përplasje fizike në mes të dy protagonistëve. Por s’pati asnjë kontakt fizik. Të dy bashkë ata, gjatë pushimit u pajtuan me njëri-tjetrin dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit”, ka thënë Fevziu.

  • E Premte, data 13 – Pse e sotmja konsiderohet si dita më ters e vitit?

    E Premte, data 13 – Pse e sotmja konsiderohet si dita më ters e vitit?

    Për ata që nuk e besojnë, është vetëm një numër. Është më e keqja që mund të ndodhë për ata që kanë frikë nga besëtytnitë, veçanërisht në vendet anglo-saksone. Sot është e premtja e 13-të. Nuk është shkenca ajo që fiton në këto raste, përkundrazi është rastësia Këshilla e vetme është të mos e besojnë dhe për ata që e besojnë të mos vuajnë shumë. Për pak orë do të përfundojë.

    Numrat

    Arti i numrave është i larmishëm. A mendon vërtet dikush se Cristiano Ronaldo do të luante futboll më të keq nëse nuk do të kishte veshur fanellën e tij me numrin 7? Askush. Ashtu si askush nuk duhet të besojë në numrat me fat dhe pa fat që ndryshojnë në varësi të vendit ku ndodheni. Në Lindje shumë kanë frikë nga numri 4 dhe në Spanjën shumë katolike nuk janë të frikshme të premtet, por të martat.
    Frika e pamotivuar e numrit 13 quhet triscaidecaphobia, frika e së premtes, 13, është parascevedecatriaphobia, dhe frika e numrit 4 është tetrafobia Edhe njerëzit supersticiozë në mbarë botën e dinë se ky rast është i pashmangshëm. Gjithmonë do të ketë të premten 13 ose 17. Të paktën një në vit, le të themi matematikë dhe kalendar.

    Origjinat

    Ajo që e bën të pafat të premten e datës 13, veçanërisht në vendet anglo-saksone, ka origjinë të ndryshme dhe të largëta. Asnjë e provuar shkencërisht. I 13-ti në Darkën e Fundit është Juda tradhtari dhe në mitologjinë skandinave gjysmëperëndi i 13-të është Loki i keq, gjysmëvëllai i Thorit, i cili mbërrin i paftuar në banketin e perëndive.

    Jezusi vdiq të premten dhe është dita në të cilën u kryen varjet në Britaninë e Madhe. Të gjitha rastësi. Ka 13 muaj hënor në krahasim me 12 të Diellit. Madje ka nga ata që thonë se 12 ishte numri i njerëzve primitivë me gishta dhe dy këmbë. Nuk mund të arrish në 13 nëse nuk ul kokën dhe kjo është arsyeja pse ishte keq.

    Rastet e historisë

    Ato janë të gjitha rastësi, por, si në shumë data të tjera, ka ngjarje historike që të gjitha ndodhën të Premten më 13. Në këtë ditë, Mbreti Filip i Francës urdhëroi arrestimin e Kalorësve Templarë. Po ashtu, më 13 shtator 1940, nazistët bombarduan Pallatin Buckingham. Në një të premte, më 13 nëntor 1970, një ciklon shkatërroi Bangladeshin, dhe po ashtu, në një të premte, 13 tetor 1989, ndodhi një nga krizat më të mëdha financiare në histori.

    Vetëkuptohet se dhjetëra mijëra ngjarje të tjera historike kanë ndodhur në data të tjera: nga shpërthimi i luftërave botërore deri në dhjetëra sulme. Ekziston edhe një anekdotë që vërteton të kundërtën. Në vitin 1976, Daz Baxter nga Nju Jorku me sa duket ishte aq i frikësuar nga një e premte e 13-të sa vendosi të qëndronte në shtratin e tij. Zoti Baxter u vra kur dyshemeja e ndërtesës së tij u shemb.

    Avantazhet e të premtes së 13

    Nëse nuk e lini veten të bindeni nga mitet dhe bestytnitë, e premtja e datës 13 mund të sjellë avantazhe të panumërta. Gjërat e bëra në ditët kur askush nuk dëshiron të ekspozohet ndaj rreziqeve të fatit, aq më pak. Sa më e lartë të jetë oferta, aq më të ulëta janë çmimet. Kjo vlen si për udhëtimet ashtu edhe për dasmat. E premtja e datës 13 është e keqe për ekonominë sepse çon në më pak fitime për bizneset (një vlerësim thotë 900 milionë dollarë), por një avantazh për konsumatorin që nuk e lejon veten të frikësohet nga bestytnitë. Nëse ka nga ata që nuk dalin nga shtëpitë e tyre, trafiku zvogëlohet dhe me këtë rreziku i aksidenteve.

    Letërsia

    Është përmendur e Premtja e Pafat në Përrallat e Canterbury-t, por ajo është vendosur fort në letërsinë perëndimore që nga shekulli i 17-të. Dita dhe numri nuk shfaqen së bashku deri në shekullin e 20-të me romanin e vitit 1907 ‘E Premte e Trembëdhjetë’.

    Madje ka nga ata që mendojnë se ata që donin të shkatërronin bestytnitë ishin ata që bënë që fama e së premtes së 13-të të rritet. Një grup i Filadelfisë, Klubi i Premte e 13-të, përbëhej nga 13 burra që takoheshin midis viteve 1936 dhe 2000 çdo të premte më 13 në 13:13. Ata hanin drekë, shkonin poshtë shkallëve, hidhnin pak kripë dhe thyenin pasqyrat. Ata u ndalën në vitin 2000 sepse sipas kalendarit që kishin krijuar ata do të kishin vdekur të gjithë deri në atë datë.

    Edhe më i vjetër është Klubi i Skeptikëve të Nju Jorkut, i datës 13 janar 1882 nga kapiteni William Fowler. Quhej The Thirteen Club dhe tarifa e anëtarësimit ishte gjithashtu 13 cent në muaj ose dollarë për anëtarësim të përjetshëm. 1300 të regjistruar përfshirë Presidentin Theodore Roosevelt. Ka versione në Londër dhe Paris. Presidenti tjetër Roosevelt, Franklin Delano, nuk udhëtoi më 13 dhe i frikësohej ashtu si Napoleoni.