ATV

Author: K.B.

  • Orav dhe Kurti bien dakord për rifillim të reformave që çojnë para rrugën evropiane të Kosovës

    Orav dhe Kurti bien dakord për rifillim të reformave që çojnë para rrugën evropiane të Kosovës

    Mëngjesin e së hënës, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas njoftimit zyrtar, në këtë takim Orav uroi Kurtin për rizgjedhjen e tij të tretë si kryeministër, transmeton klankosova.tv.

    Tutje, në njoftim theksohet se ata ranë dakord të rifillojnë punën për reformat për të çuar përpara rrugën evropiane të Kosovës.

    “Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, uroi sot kryeministrin Albin Kurti për rizgjedhjen e tij të tretë. Ata ranë dakord të rifillojnë punën për reformat për të çuar përpara rrugën evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

  • Rama sot në Kosovë, Policia njofton për bllokime të përkohshme të rrugëve

    Rama sot në Kosovë, Policia njofton për bllokime të përkohshme të rrugëve

    Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vend.

    Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës, nga pika kufitare në Aeroport dhe përgjatë itinerarit të paraparë sipas agjendës zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore. Në disa raste, trafiku do të riorientohet në rrugë alternative.

    Policia ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik gjatë zhvillimit të kësaj vizite zyrtare.

  • Vëllezërit e Hashim Thaçit bashkë me qytetarë në Hagë, ndjekin nga afër gjykimin

    Vëllezërit e Hashim Thaçit bashkë me qytetarë në Hagë, ndjekin nga afër gjykimin

    Dy vëllezërit e Hashim Thaçi, Gani Thaçi dhe Idriz Thaçi, bashkë me disa qytetarë, kanë udhëtuar sot drejt Hagë për ta ndjekur nga afër procesin gjyqësor që po zhvillohet atje.

    Ata janë parë pranë objektit të gjykatës, ku po mbahet seanca e radhës.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot vazhdon seanca e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka sot edhe një orë e gjysmë kohë për të përfunduar deklaratën e saj përmbyllëse, të cilën e ka nisur të premten.

    Aiden Ellis, i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, ka thënë të premten se, sipas provave, nuk është vërtetuar që klienti i tij të ketë pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat.

    Sipas mbrojtjes, në dosjen e Prokurorisë thuhet se Krasniqi ka pasur përgjegjësi parësore për komunikatat dhe se ishte hartues e redaktor i tyre.

    “Nuk është vërtetuar asnjëherë që z. Krasniqi e ka pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat. Unë do të përfundoj duke thënë se paragrafi 554 i dosjes së Prokurorisë është një shembull i qartë i mënyrave se si ka dështuar Prokuroria”, tha Ellis.

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se Jakup Krasniqi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.

    Ajo theksoi në fjalën e saj se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë prej 1.926 ditësh.

    “Parashtrojmë se ekziston vetëm një opsion: që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit, do t’i bëjmë thirrje gjykatës së nderuar që ta shpallë të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejojë këtë zotëri 75-vjeçar të kthehet pranë familjes së tij dhe t’i kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen”, tha ajo.

    Avokatja Alagendra deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar mbështetet në spekulime dhe pretendime të pambështetura në akuzat ndaj Krasniqit. Sipas saj, nuk ka asnjë dëshmitar që pretendon se Krasniqi ka keqtrajtuar ndokënd.

    Mbrojtja e Krasniqit e akuzoi Prokurorinë se ka përzgjedhur dokumente dhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve sipas interesave të saj, duke shtuar se ka injoruar pjesët e dëshmive që nuk i përshtaten ZPS-së.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi më 9 shkurt 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, kur kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik prej 45 vjetësh burgim për secilin nga katër të akuzuarit.

    Po më 10 shkurt u dha fjala për mbrojtjen, ndërsa më 11 shkurt 2026 fjalën përfundimtare e dha mbrojtja e Hashim Thaçit dhe filloi ajo e Kadri Veselit, e cila vazhdoi edhe më 12 shkurt. Pas përfundimit të saj, filloi mbrojtja e Rexhep Selimit.

    Të gjithë kërkuan që ish-krerët e UÇK-së të lirohen të pafajshëm, duke thënë se prokuroria nuk e ka argumentuar të kundërtën. /T7

  • Rezolutë nga 30 deputetë zviceranë dërgohet në Dhomat e Specializuara

    Rezolutë nga 30 deputetë zviceranë dërgohet në Dhomat e Specializuara

    Një rezolutë e mbështetur nga 30 deputetë zviceranë është adresuar sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur OVL-UÇK.

    Kjo iniciativë ka ardhur si rezultat i angazhimit të veprimtarit Sali Bislimi dhe është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Rezoluta është dorëzuar në Hagë në bashkëpunim me kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

    Bislimi ka theksuar se përmes rezolutës kërkohet një proces i drejtë dhe i paanshëm.
    “Është një thirrje edhe nga parlamentarët zviceranë, në emër të Organizatës Joqeveritare ‘Zëri Perëndimor i Kosovës’, që kemi kërkuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë”, ka theksuar Bislimi.

    Sipas tij, Gjykata nuk i ka përmbushur këto standarde dhe ai ka kritikuar kërkesën e Prokurorisë për dënime të rënda.
    “Në realitet, kjo Gjykatë asnjërën nga këto nuk i ka pasur. Jemi këtu edhe për të protestuar dhe është shumë e vështirë që një Prokurori e tillë të bëjë një skandal duke kërkuar 45 vite dënim. Kjo është edhe një ofendim për drejtësinë kombëtare, për vetë Hagën dhe për krejt këtë Gjykatë”, ka deklaruar ai.

    Sipas Bislimit, prania e qytetarëve në Hagë është për të mbrojtur historinë dhe luftën e UÇK-së.
    “Ne s’mund të jemi pa zë. Jemi këtu për ta dëshmuar veten, kulturën tonë, historinë dhe për ta mbrojtur atë, e cila nuk guxon për asnjë çmim të njolloset”, përfundoi ai.

    Ndërkaq, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se ky proces gjyqësor synon ta njollosë luftën e UÇK-së, por sipas tij kjo nuk do të ketë sukses.
    “Ky gjykim është i panevojshëm, me fabrikim dhe falsifikim dosjesh, me njerëz të paguar e të infiltruar, të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe tani kanë ardhur të dëshmojnë këtu duke u munduar ta njollosin luftën e UÇK-së. Besoj se s’do t’ia arrijnë qëllimit, sepse lufta ka qenë e shenjtë dhe e popullit. Ne kemi luftuar për ta çliruar vendin tonë një herë e përgjithmonë”, deklaroi Gucati para gazetarëve.

    Ndërkohë, në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

    Gjatë ditës së sotme pritet që mbrojtja e Krasniqit të paraqesë fjalën përfundimtare, duke përmbyllur fazën e deklaratave përfundimtare. Pas kësaj, çështja do të kalojë në shqyrtim nga trupi gjykues, i cili, sipas procedurave, ka afat deri në tre muaj për të marrë vendimin ose për të shtyrë shpalljen e aktgjykimit. /RTK

  • Trump dërgon urime për 18 vjetorin e pavarësisë: SHBA mbështetet fort sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

    Trump dërgon urime për 18 vjetorin e pavarësisë: SHBA mbështetet fort sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

    Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar letër urimi Presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit të Presidencës, në mesazhin e tij Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

    Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me qëllim avancimin e prosperitetit të përbashkët. Në letër theksohet se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për forcimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

    Presidenti Trump ka falënderuar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, iniciativë që synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

    Në përmbyllje të mesazhit, ai ka shprehur besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet dy shteteve.

    Urimi i plotë:

  • Rast i rrallë në Spitalin e Mitrovicës, mjekët heqin tumor rreth 4 kilogramë

    Rast i rrallë në Spitalin e Mitrovicës, mjekët heqin tumor rreth 4 kilogramë

    Një intervenim i ndërlikuar kirurgjik është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

    Pacientja me inicialet Sh.K., e lindur në vitin 1968 u pranua në repartin e Kirurgjisë me ankesa për dhimbje të forta, fryrje të barkut dhe pengesa serioze në tretje.

    Pas ekzaminimeve të detajuara imazherike dhe laboratorike, ekipi mjekësor e diagnostikoi pacienten me Tumor Permagna abdominis (tumor me përmasa shumë të mëdha në bark, rreth 4 kilogramë). Po ashtu, ajo kishte edhe Peritonitis serosa (inflamacion i membranës së barkut me grumbullim lëngu).

    Për shkak të rrezikut dhe përmasave të masës tumorale, u vendos për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjike. Gjatë operacionit, ekipi arriti të hiqte me sukses masën tumorale që peshonte rreth 4 kilogramë, duke i rikthyer pacientes funksionet vitale dhe duke eliminuar rrezikun për jetën.

  • Tyson Fury rikthehet në ring më 11 prill përballë “Përbindëshit”

    Tyson Fury rikthehet në ring më 11 prill përballë “Përbindëshit”

    Pas një periudhe larg ringut dhe shumë spekulimesh rreth të ardhmes së tij, Tyson Fury ka vendosur të rikthehet në boks.

    Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë do të zhvillojë ndeshjen e radhës më 11 prill, kur do të përballet me boksierin rus Arslanbek Makhmudov, një emër i njohur për fuqinë e jashtëzakonshme të goditjeve.

    Lajmi është konfirmuar nga mediat ndërkombëtare, duke i dhënë fund zërave për një pensionim të përhershëm të Furyt, përcjell “Gazeta Express”.

    “Gypsy King” rikthehet kështu në skenën e madhe të boksit me synimin për të rifituar vëmendjen dhe për të dëshmuar se ende ka çfarë të ofrojë në kategorinë më të fortë të sportit.

    Kundërshtari i tij, Arslanbek Makhmudov, vjen me reputacionin e një nokautuesi të rrezikshëm.

    Boksieri rus ka ndërtuar karrierën mbi forcën brutale dhe stilin agresiv, duke u konsideruar një test serioz për çdo rival.

    Për Furyn, kjo ndeshje nuk është thjesht rikthim, por një provë e menjëhershme në nivel të lartë.

    Përballja pritet të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe tashmë ka ngjallur interes të madh te tifozët e boksit, të cilët janë kuriozë të shohin se në çfarë gjendje do të paraqitet Fury pas pauzës dhe sa i gatshëm është ai për duele të mëdha në të ardhmen.

    Me këtë rikthim, Tyson Fury hap një kapitull të ri në karrierën e tij, ndërsa ndeshja kundër Makhmudov pritet të jetë një nga eventet më tërheqëse të vitit në boksin profesionist.

  • Befason Orban: BE po bëhet gati për luftë, kërcënimi i vërtetë është Brukseli, jo Rusia

    Befason Orban: BE po bëhet gati për luftë, kërcënimi i vërtetë është Brukseli, jo Rusia

    Kërcënimi i vërtetë me të cilin përballet Hungaria nuk është Rusia, por Bashkimi Europian, u tha Kryeministri Viktor Orban mbështetësve të shtunën, ndërsa partia e tij nacionaliste intensifikon fushatën e saj anti-europiane përpara zgjedhjeve kombëtare.

    Me vetëm tetë javë të mbetura deri në votimin e 12 prillit, Orban dhe partia e tij Fidesz përballen me sfidën e tyre më serioze që kur udhëheqësi populist i krahut të djathtë u rikthye në pushtet në vitin 2010.

    Shumica e sondazheve të pavarura tregojnë se Fidesz është pas partisë së qendrës së djathtë Tisza dhe udhëheqësit të saj, Peter Magyar. Në fjalimin e tij, Orban e krahasoi BE-në me regjimin shtypës sovjetik që sundoi Hungarinë për më shumë se 40 vjet në shekullin e kaluar dhe hodhi poshtë bindjen e shumë udhëheqësve evropianë se Vladimir Putin është një kërcënim për sigurinë e kontinentit.

    “Duhet të mësohemi me idenë se ata që e duan lirinë nuk duhet të kenë frikë nga Lindja, por nga Brukseli”, tha ai, duke iu referuar kryeqytetit de facto të BE-së në Belgjikë.

    “Ngritja e frikës për Putinin është primitive dhe e papërgjegjshme. Brukseli, megjithatë, është një realitet i prekshëm dhe një burim rreziku i menjëhershëm. Kjo është e vërteta e hidhur dhe ne nuk do ta tolerojmë atë”, tha Orban.

    Orban ka qenë një kundërshtar i vendosur i ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Kievin që kur Rusia nisi pushtimin e saj gati katër vjet më parë, dhe mban lidhje të ngushta me Moskën, ndërsa ka miratuar një qëndrim agresiv ndaj partnerëve të Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët ai i përshkruan si luftënxitës.

    “Bashkimi Evropian ka vendosur të shkojë në luftë deri në vitin 2030. Nuk është se donte, mundte ose planifikonte ta bënte këtë, e ka vendosur. Zgjedhjet e prillit do të jenë zgjedhjet e fundit hungareze para luftës. Qeveria e ardhshme do të duhet të vendosë për çështjen e luftës dhe paqes. Brukseli ka vendosur që forcat ruse do të mposhten në tokën ukrainase. Kudo, përveç në Hungari dhe Sllovaki, përgatitjet për një luftë të mundshme janë duke u zhvilluar në mënyrë aktive. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është futur tashmë në nëntë vende, dhe në disa vende është zgjeruar edhe për gratë. Popullsisë po i dërgohen udhëzime se çfarë të bëjë në rast lufte, shpenzimet ushtarake janë rritur ndjeshëm. Janë nënshkruar marrëveshje që njësitë ushtarake do të dërgohen më vonë në Ukrainë, ato do të dërgohen drejt vdekjes së tyre”, theksoi ai.

    Në dhjetor, ai tha se “nuk është e qartë se kush sulmoi kë” kur dhjetëra mijëra forca ruse pushtuan kufirin ukrainas në shkurt të vitit 2022.

    Qeveria e Hungarisë ka qenë prej kohësh në kundërshtim me BE-në, e cila ka “ngrirë” miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të shqetësimeve se Orban ka çmontuar institucionet demokratike, ka minuar pavarësinë e gjyqësorit dhe ka lejuar përhapjen e korrupsionit.

    Në këmbim, Orbán po vepron gjithnjë e më shumë si një element reaksionar në vendimet e BE-së, duke kërcënuar sistematikisht të vërë veton ndaj politikave kryesore, siç është ofrimi i mbështetjes ekonomike për Ukrainën.

    Ndërsa zgjedhjet afrohen, ai e portretizon gjithnjë e më shumë partinë e Tiszës si një kukull të BE-së të krijuar për të rrëzuar qeverinë e tij dhe për t’i shërbyer interesave të huaja, akuza që Tisza i ka mohuar me forcë.

    Magyar, kreu i partisë, është zotuar të përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara të Hungarisë me aleatët e saj perëndimorë, të ringjallë ekonominë dhe ta kthejë vendin në një rrugë më demokratike.

    Përveç kësaj, të shtunën, Orbani akuzoi shumëkombëshet, si bankat dhe kompanitë e energjisë, se kanë përfituar nga lufta në Ukrainë dhe se kanë komplotuar me opozitën e tij për ta mposhtur atë në zgjedhje.

    “Është absolutisht e qartë se në Hungari industria e naftës, bota bankare dhe elita e Brukselit po përgatiten të formojnë një qeveri,” tha ai.

    “Ata kanë nevojë për dikë në Hungari që nuk do t’u thotë kurrë jo kërkesave të Brukselit”, shtoi Orban.

    Nëse partia e tij fiton shumicën e pestë radhazi në zgjedhje, Orbani është zotuar të vazhdojë qëllimin e tij për të çliruar Hungarinë nga entitetet që ai thotë se shkelin sovranitetin e vendit.

    Ai ia atribuoi Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili e mbështeti atë para zgjedhjeve, krijimin e një mjedisi ku “OJF-të e rreme dhe gazetarët, gjyqtarët dhe politikanët e blerë” mund të dëbohen.

    “Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara është rebeluar kundër rrjetit global të biznesit, gazetarisë dhe politikës së liberalëve, duke përmirësuar kështu shanset tona”, tha ai.

    “Ne gjithashtu mund të shkojmë shumë larg dhe të largojmë nga Hungaria ndikimet e huaja, së bashku me agjentët e tyre, që kufizojnë sovranitetin tonë”, u shpreh Orban.

    “Makina represive e Brukselit është ende duke vepruar në Hungari. Do ta pastrojmë atë pas prillit”, përfundoi kryeministri hungarez.

  • Si u riatdhesua Eva Dumani nga Siria, shqetësimi i turqve dhe drita jeshile nga presidenca e Erdoganit

    Si u riatdhesua Eva Dumani nga Siria, shqetësimi i turqve dhe drita jeshile nga presidenca e Erdoganit

    Eva dhe Endri Dumani vuajtën bashkë. U rritën bashkë në kampet e Sirisë ndërsa prej të shtunës motër e vëlla janë bashkë në Shqipëri në krahët e nënës së tyre.

    Ardhjen e Evës në Shqipëri Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e quajti si një operacion të shtrirë në kohë i realizuar me mbështetjen e partnerëve, shkruan Top Channel

    Burime në dijeni kthimit të saj në Shqipëri treguan për Top Channel, kompleksitetin e kësaj çështje si në aspektin diplomatik dhe atë të përfshirjes të aktorëve nga organet e inteligjencës shqiptare dhe turke.

    Eva Dumani pas 12 vite qëndrimi në Siri prej të cilave 6 në kampin Al Houl mundi të largohej nga ky kamp në Dhjetor 2024 kur forcat e opozitës siriane rrëzuan regjimin e Asadit. Mbrëmjen e 4 Shkurtit ajo u soll në qytetin Adana në kufi me Sirinë. Është pritur atje nga daja i saj Xhetan Ndregjoni, ndërsa autoritetet e sigurisë turke janë njoftuar nga partnerët shqiptarë, në dijeni të mbërritjes të saj.

    Të njëjtat burime kanë treguar se Eva Dumani dhe daja Xhetani për disa ditë janë mbajtur nën vëzhgim prej inteligjencës turke për tu siguruar se çfarë do të bënin gjatë qëndrimit në territorin e Turqisë. Siç edhe e pohoi një ditë më parë Xhetan Ndregjoni në intervistën për Top Channel, mbesa Eva është intervistuar me detaje nga agjencitë ligj-zbatuese turke.

    Ndërkohë Ambasada e Shqipërisë në Ankara në rrugë diplomatike punoi me autoritetet turke për procedurën e udhëtimit drejt Shqipërisë. Burime në dijeni kthimit të saj në Shqipëri pohuan se ishte një rast me sensibilitet të lartë deri në presidencën turke, të cilët kur kanë mësuar se gjithçka ishte OK në aspektin e sigurisë, kanë dhënë dritën jeshile të largimit të Eves nga Turqia.

    Shqipëria në 6 vitet e fundit ka realizuar 4 operacione riatdhesimi të grave dhe fëmijëve nga Siria. Ai më i fundit në Maj 2022 kur qeveria shqiptare e përfaqësuar nga anti-terrori shqiptar, nënshkruajti një marrëveshje me autoritetet lokale kurde duke mundësuar kthimin e 13 gra dhe fëmijë shqiptarë.

    Por edhe në këtë rast Eva Dumani bashkë me disa gra shqiptare të tjera nuk dëshiruan të ktheheshin. E rritur para kohe mes vuajtjeve në Siri, e mbetur jetime më të vëllain pasi iu vra babai Shkëlzeni e më pas po atje i vdiq gjyshja, adoleshentja shqiptare hartoi një listë tejet të rëndësishme me emrat e grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampin e ferrit Al Hol. Listë të cilën ia dërgoi dajës së saj e më pas iu vu në dispozicion policisë së shtetit për të pasur një panoramë edhe më të qartë të shtetasve shqiptarë në Siri.

    Top Channel ka mësuar se aktualisht në Siri vijojnë të jenë 22 gra dhe fëmijë si dhe 8 burra shqiptarë që mbahen në burg.

  • E njëjta ëndërr, natë pas nate? Ja çfarë po ju paralajmëron mendja juaj

    E njëjta ëndërr, natë pas nate? Ja çfarë po ju paralajmëron mendja juaj

    Nëse ju ndodh që herë pas here të shihni të njëjtin ëndërr, duhet ta dini se ëndrrat e përsëritura zakonisht tregojnë për çështje të pazgjidhura emocionale apo psikologjike

    Me siguri ju ka ndodhur që i njëjti ëndërr t’ju rikthehet disa herë. Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Në emisionin “150 minuta”, këtë e ka shpjeguar Elizabeta Nenin, nga Qendra për Psikologji të Thellë dhe Analizë të Ëndrrave.

    “Janë pikërisht ato ëndrra të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë. Kur një ëndërr përsëritet, kjo do të thotë se problemi që ajo pasqyron ende nuk është zgjidhur. Në mënyrë të pavetëdijshme, mendja jonë e ka ‘kapur’ që ne kemi një vështirësi me të cilën nuk po arrijmë të përballemi, dhe për këtë arsye ajo prodhon ëndrra që na e rikujtojnë atë problem”, shpjegon Nenin.

    Ajo shton se nëse fillojmë të punojmë me vetëdije për zgjidhjen e problemit, ëndrra mund të vazhdojë të shfaqet, por me ndryshime të vogla, që tregojnë progres të brendshëm.

    Nëse ëndrra përsëritet vazhdimisht, në të njëjtën mënyrë dhe pa asnjë ndryshim, kjo do të thotë se ende nuk e kemi kuptuar plotësisht thelbin e problemit dhe nuk kemi nisur realisht të punojmë me të.

    Pse ndodhin ëndrrat e përsëritura?
    Sipas psikologjisë analitike (sidomos qasjes së Carl Gustav Jung), ëndrrat janë një mënyrë komunikimi e pavetëdijes me vetëdijen tonë. Kur një situatë emocionale, si frika, ndjenja e fajit, pasiguria apo konfliktet e pazgjidhura, shtypet ose shmanget gjatë ditës, ajo mund të rikthehet gjatë natës në formë simbolike.

    Ëndrrat më të zakonshme që përsëriten përfshijnë:

    rënien nga lartësia
    ndjekjen nga dikush
    vonesën në një provim apo takim të rëndësishëm
    humbjen e dhëmbëve
    humbjen e rrugës
    Këto zakonisht lidhen me ankthin, mungesën e kontrollit ose frikën nga dështimi.

    Kur duhet të shqetësohemi?
    Nëse ëndrrat e përsëritura:

    shkaktojnë ankth të fortë,
    ndikojnë në cilësinë e gjumit,
    lidhen me trauma të së kaluarës,
    atëherë mund të jetë e dobishme konsultimi me psikolog ose psikoterapist. Në disa raste, ëndrrat e përsëritura shfaqen edhe tek personat me stres kronik, çrregullime ankthi apo pas përjetimeve traumatike.

    Paraliza e gjumit dhe ëndrrat lucide
    Ekspertja ka folur gjithashtu edhe për:

    paralizën e gjumit – një gjendje kur personi zgjohet, por nuk mund të lëvizë për disa sekonda apo minuta, shpesh e shoqëruar me ndjesi frike apo halucinacione;
    ëndrrat lucide – ëndrra në të cilat jemi të vetëdijshëm se po ëndërrojmë dhe, në disa raste, mund të ndikojmë në rrjedhën e tyre.
    Paraliza e gjumit zakonisht lidhet me çrregullime të ritmit të gjumit, lodhje të tepruar ose stres, ndërsa ëndrrat lucide janë studiuar gjerësisht nga neuroshkenca moderne si një gjendje ndërmjet gjumit REM dhe vetëdijes.

    Mesazhi kryesor
    Ëndrrat e përsëritura nuk janë rastësi. Ato mund të jenë një sinjal i brendshëm që na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe të përballemi me diçka që po e shmangim. Në vend që t’i injorojmë, ndonjëherë mjafton t’i pyesim vetes:

    Çfarë ndjeva në këtë ëndërr?
    A më kujton kjo ndjesi ndonjë situatë reale në jetën time?
    Çfarë po shmang apo po shtyj?
    Shpesh, përgjigjja fillon pikërisht aty.