ATV

Author: K.B.

  • Kurti përmend ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Historia do ta bëjë gjykimin e drejtë

    Kurti përmend ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë: Historia do ta bëjë gjykimin e drejtë

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje solemne në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së vendit.

    Kurti në fjalimin e tij ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

    “Sot, në këtë ditë feste, Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë. Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës”, tha Kurti ndër të tjera në fjalën e tij.

    Po sot, në 18 vjetorin e pavarësisë, në Prishtinë sot do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” që ka për qëllim të shprehë qëndrimin kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe do të jetë një tubim paqësor dhe gjithëpërfshirës, me kërkesën për drejtësi të paanshme.

    Ky marsh mbahet në kohën kur në Hagë po vazhdon procesi i deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së. Dje u mbajt dita e gjashtë e deklaratave përmbyllëse, ndërsa procesi do të vazhdojë nesër.

    Mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që ata të shpallen fajtorë.

    Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues.

  • Krerët e shtetit: Sot kujtojmë ata që sakrifikuan gjithçka që ne ta gëzojmë shtetin

    Krerët e shtetit: Sot kujtojmë ata që sakrifikuan gjithçka që ne ta gëzojmë shtetin

    Krerët e vendit kanë filluar aktivitetet shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Pas ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, ata thanë se sot përpos festës, përkujtohen ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar qytetarët në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

    Pas ngritjes solemne të flamurit të vendit, Osmani tha se sot qytetarët bashkohen për të festuar dhe për të përkujtuar të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën.

    “I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran e të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin”, tha e para e vendit.

    “Rrnoftë Republika e Kosovës”, përfundoi Osmani fjalimin.

    Kryeministri Albin Kurti tha se sot festohet, por njëkohësisht edhe nderohet rezistenca paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat, siç tha ai, kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Kosova po rritet, po rritet numri i viteve të Pavarësisë, po rritet numri i njohjeve të shtetësisë, po rritet ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve, po rritet fuqia e shtetit. Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Republikës së Kosovës, por lindi e pjekur, meqenëse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata të panumërta, ka kontribuuar, është sakrifikuar që ne të jemi të lirë dhe të pavarur, të kemi shtet demokratik dhe sovran. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gëzuar Pavarësia, dhe kremtofshin të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti.

    Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se sot kujtohen dhe nderohen të gjithë ata që dhanë jetën për lirimin e Kosovës.

    “Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Mbase një Republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar që liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për Pavarësinë që sot ne e gëzojmë. Sot nderojmë po ashtu figurat e larta, që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, tha Haxhiu.

  • Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit

    Kjo është domethënia e dizajnit të NEWBORN-it për këtë vit

    Autori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka njoftuar se ka përfunduar ngjyrosja e obeliskut për këtë vit, duke zbuluar edhe simbolikën që përcjell instalacioni në edicionin e radhës.

    Përmes një postimi, Ismaili ka bërë të ditur se tema e sivjetme përfaqësohet nga fjalët: “Nationhood / Shtetësi, Endurance / Qëndresë, Work / Punë, Bravery / Trimëri, Obligation / Obligim, Resilience / Rimëkëmbje, New Beginnings / Fillime të reja”.

    Sipas tij, koncepti i këtij viti i kushtohet Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt lirisë e shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare, si dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi si aleatin kyç në mbështetjen e kësaj lirie.

    “Kushtuar Kosovës, rrugëtimit të saj drejt lirisë dhe shtetndërtimit përmes luftës çlirimtare dhe vlerave të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati kyç në mbështetjen e kësaj lirie”, ka shkruar Ismaili.

    Në fund të mesazhit, ai ka theksuar edhe simbolikën numerike “KOSOVA 18” dhe “USA 250”, që lidhet me përvjetorët përkatës.

    Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vjet qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ringjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.

    Çdo paraqitje e re e monumentit NEWBORN ka një mesazh artistik dhe social, duke shërbyer si platformë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.

    Monumenti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga shpallja e tij si pjesë e përvjetorit të pavarësisë dhe vazhdon të jetë një nga atraksionet më të vizituara dhe më të diskutueshme kulturore të kryeqytetit kosovar.

    NEWBORN-i ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të “Luanit të Artë” në Kanë.

  • Kjo është deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shpallur para 18 vjetësh

    Kjo është deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shpallur para 18 vjetësh

    Më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u bë shtet i pavarur. Sot bëhen 18 vjet që vendi ynë feston shtetësinë.

    Me rastin e shënimit të këtij përvjetori ju sjellim deklaratën e plotë të Pavarësisë së Kosovës

    Delarata ishte lexuar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

    Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

    ë mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

    Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

    Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

    Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

    Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

    Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

    Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

    Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

    Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

    Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

    Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

    Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

    Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

    Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

    Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
    Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
    Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
    Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
    Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
    Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.
    Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.
    Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
    Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
    Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
    Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
    Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

  • Deputetët mblidhen në seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Deputetët mblidhen në seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Kuvendi i Kosovës njofton se sot në orën 10:30 do të mbahet seancë solemne.

    Kjo për nder të shënimit 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    “Shënimi i 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Republika e Kosovës sot feston 18-vjetorin e Pavarësisë

    Republika e Kosovës sot feston 18-vjetorin e Pavarësisë

    Sot, Republika e Kosovës shënon 18-vjetorin e pavarësisë së saj. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, duke e bërë atë shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Me rastin e këtij përvjetori, institucionet e vendit kanë përgatitur aktivitete të ndryshme festive.

    Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 minuta, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

    Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

    Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

    Programi i manifestimeve shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

    Agjenda:

    7:00 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës (Oborri i Qeverise)

    7:20 – Mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Ndërtesa e Qeverisë)

    7:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve (Sheshi “Ibrahim Rugova”)

    7:35 – Homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë (Oborri i Presidencës)

    8:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova (Varrezat në Velani)

    8:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi (Varrezat në Velani)

    9:00 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz (Prekaz)

    10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Kuvendi i Kosovës)

    11:25 – Nderime te Monumenti Heroinat (Rr. Luan Haradinaj)

    11:30 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës (Rr. Luan Haradinaj)

    17:30 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës

    20:00 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe – Pallati i Rinisë)

  • Parashikimi i motit për të martën

    Parashikimi i motit për të martën

    Të martën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të ketë reshje shiu, lokalisht në formë rrebeshi. Dita do të vijojë kryesisht e vranët, me reshje lokale shiu herë pas here. Po ashtu, pritet depërtimi i frontit të ftohtë, fillimisht nga zonat veriore, e më pas, gjatë pasdites, deri në zonat jugore, me ç’rast reshjet e shiut pritet të shndërrohen në shqotë dhe borë.

    Era do të fryjë fillimisht nga juglindja, ndërsa gjatë depërtimit të frontit do të zhvendoset nga veriu. Në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20–60 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten nga 3 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale nga 5 deri në 10°C. Gjatë depërtimit të frontit pritet rënie e shpejtë e temperaturave. /MeteoKosova/

  • Edhe Begaj në Kosovë, Policia thotë se sot dhe nesër në disa rrugë do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi

    Edhe Begaj në Kosovë, Policia thotë se sot dhe nesër në disa rrugë do të ndërpritet përkohësisht qarkullimi

    Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

    Ai, ashtu si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jenë sot në Prishtinë.

    Begaj pritet që të qëndrojë edhe nesër, ndërkohë që Policia ka njoftuar se si do ta rregullojë çështjen e trafikur kur eskorta e delegacionit shqiptar të kalojë këndej.

    “Me datë 16 dhe 17 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Policia tregoi se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, ardhjes më datë 16 shkurt në orët e pasdites në pikën kufitare Vërmicë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës deri në kthim më datë 17 shkurt në orët e mbrëmjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.

  • Edi Rama arrin në qeveri, pritet me ceremoni shtetëtore nga Kurti

    Edi Rama arrin në qeveri, pritet me ceremoni shtetëtore nga Kurti

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Prishtinë në prag të 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Rama është pritur në qeveri me ceremoni shtetërore nga Kryeministri Kurti.

    Fillimisht me të arritur në Prishtinë, Rama pati një takim me Presidenten Vjosa Osmani.

    Kjo e fundit bëri të ditur se me të kishin biseduar angazhimin në Bordin e Paqes.

    Osmani dhe Rama theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, duke vlerësuar rolin konstruktiv të të dy shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë dialogun dhe bashkëpunimin.

  • Jahjaga për gjykimin në Hagë: Udhëheqësit e Kosovës do ta ngadhënjejnë edhe këtë sfidë

    Jahjaga për gjykimin në Hagë: Udhëheqësit e Kosovës do ta ngadhënjejnë edhe këtë sfidë

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se ish-krerët e UÇK-së po përballen me sfidën e tyre të fundit, sipas së cilës, ata do të ia dalin me sukses.

    Përmes një postimi në Facebook, Jahjaga tha se Kosova do ta ngadhënjejë këtë sfidë ndaj çdo përpjekjeje për ta njollosur si vend, ata si individë, si dhe luftën e drejtë e heroike.

    “Republika e Kosovës është bërë shtet falë kontributit të paepur të qytetarëve të saj, si dhe në besëlidhje me miqtë tanë perëndimorë. Detyrim i kësaj besëlidhjeje është mbrojtja dhe ruajtja e luftës sonë të pastër, si dhe e të drejtës sonë për të qenë shtet. Udhëheqësit e Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në Hagë, kanë kaluar sfida edhe më të vështira. Ndryshe nga të tjerët në rajon, ata, duke besuar në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës për lirinë e vendit, asnjëherë nuk iu shmangën përballjes me drejtësinë ndërkombëtare”.

    “Kjo është sfida e fundit nga e cila jam e bindur se do të ngadhënjejmë ndaj çdo përpjekjeje për të na njollosur si vend, ata si individë, si dhe luftën tonë të drejtë e heroike”, ka shkruar ajo.