ATV

Author: K.B.

  • Gjendet vetura e vjedhur në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Gjendet vetura e vjedhur në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka lokalizuar dhe sekuestruar një veturë të raportuar si të vjedhur në Prishtinë, ndërsa një person i dyshuar lidhur me rastin është arrestuar.

    Sipas njoftimit, rasti i vjedhjes është raportuar gjatë ditës së sotme, pas çka njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative për identifikimin e mjetit dhe të personit të dyshuar.

    Njësitet nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit kanë arritur të ndalojnë veturën e raportuar si të vjedhur dhe të arrestojnë një person të dyshuar.

    Në koordinim me prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si vjedhje, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

  • Prattipati uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Partneriteti SHBA-Kosovë i fortë dhe i qëndrueshëm

    Prattipati uron 18-vjetorin e Pavarësisë: Partneriteti SHBA-Kosovë i fortë dhe i qëndrueshëm

    E ngarkuara me punë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë.

    “Këtë vit, ndërsa Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë dhe Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e tyre, ne qëndrojmë së bashku teksa Kosova vazhdon të ndërtojë një të ardhme të sigurt dhe të begatë”, tha ajo përmes një mesazhi të publikuar në Instagram.

    Sipas saj, partneriteti i SHBA-së me Kosovën filloi edhe para pavarësisë, në vitin 1996, kur Shtetet e Bashkuara hapën zyrën e tyre të parë në Prishtinë.

    “Që atëherë, ne kemi qëndruar pranë Kosovës, duke mbështetur rrugëtimin e saj demokratik, i cili hedh themelet për të ardhmen. Ne presim me padurim zgjerimin e bashkëpunimit tonë në tregti, investime dhe forcimin e lidhjeve të sigurisë, në dobi të të dy vendeve tona. Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj paqes ndërkombëtare dhe vazhdojmë të inkurajojmë një të ardhme shumetnike dhe demokratike për të gjithë qytetarët e saj”, tha ajo.

  • Prokurori kërkon që Nika të shpallet fajtor për vrasjen e shtetases argjentinase

    Prokurori kërkon që Nika të shpallet fajtor për vrasjen e shtetases argjentinase

    Gjyqi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, partneres së tij, Maria Clara Urdangaray, po shkon drejt përfundimit.

    Në seancën e sotme, prokurori i çështjes, Armend Hamiti, paraqiti fjalën përfundimtare, duke kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurit sipas aktakuzës.

    “Ngjarja e saj nuk është thjesht një dosje, por një histori dhune, kontrolli dhe tragjedie personale. Ne e dimë fatkeqësisht se drejtësia nuk mund ta rikthejë jetën e saj, por mund të tregojë se jeta e saj kishte vlerë dhe se dhuna nuk mund të tolerohet. Përgjegjësia, i nderuar trup gjykues, ka emër, Endrit Nika. Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, në bazë të deklarimit të vetë të akuzuarit, në bazë të ekspertizave dhe duke vlerësuar me kujdes rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese, nëse gjykata vlerëson se ekzistojnë të tilla, Prokuroria kërkon që i akuzuari Endrit Nika të shpallet fajtor sipas aktakuzës për shkaktimin e vdekjes së Maria Clara Urdangaray dhe ndaj tij të shqiptohet dënimi i paraparë me ligj”, tha ai.

  • Prokuroria: Veseli ishte më aktiv në muajt e parë, jepte udhëzime nga larg

    Prokuroria: Veseli ishte më aktiv në muajt e parë, jepte udhëzime nga larg

    Prokuroria iu përgjigj menjëherë mbrojtjes së Veselit, duke argumentuar se dëshmitarët kanë provuar se ai jepte udhëzime nga largësia.

    “Ajo çfarë nuk kupton mbrojtja është se në muajt e parë Veseli ishte më aktiv, sepse nga dëshmitë që kemi marrë e kemi parë të gjithë se ai ka udhëzime gjatë kohës sa nuk ishte në Kosovë”, tha prokurori Metthew Holing.

  • Maqedonci nderon me mirënjohje pesë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti ashkali

    Maqedonci nderon me mirënjohje pesë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti ashkali

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në nderim të Ditës së Ashkalinjve ka ndarë mirënjohje për pesë pjesëtarë të këtij komuniteti që shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    “Me rastin e Ditës së Ashkalinjve, pata kënaqësinë dhe nderin të ndaj mirënjohje për pjesëtarët e dalluar të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti ashkali, të cilët shërbejnë me përkushtim, profesionalizëm dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj atdheut. Kontributi i tyre është dëshmi e vlerave të barazisë, përfshirjes dhe bashkëjetesës, duke forcuar edhe më tej misionin dhe unitetin e FSK-së”, ka shkruar ai.

    Sipas tyre, kjo mirënjohje tregon respektin institucional që gëzojnë ushtarakët në FSK, dhe kontributin e ashkalinjve në ushtrinë e Kosovës.

  • Rama në Prishtinë: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, atëherë të arrestohen edhe Clinton e Blair

    Rama në Prishtinë: Nëse dënohen krerët e UÇK-së, atëherë të arrestohen edhe Clinton e Blair

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, e cilësoi si “lajm të zymtë” kërkesën e prokurorisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burg të katër ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

    Komentet Rama i bëri gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga Prof. Dr. Ahmet Shala, akademik dhe ish-ambasador i Kosovës.

    “Lajmi i zymtë nga tribunali në Hagë mbi kërkesën absurde të prokurorëve për të dënuar me nga 45 vjet katër udhëheqësit e UÇK-së. E pata të vështirë të shkruaja një fjalë, sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur”, tha Rama.

    Ai bëri krahasime me të dënuarit për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare, duke përmendur figura si Radovan Karagjiq dhe Ratko Mladiq, Stanislav Galiq, Milan Lukiq të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.

    “Sot të dënuar nga ajo gjykatë janë Radovan Karagjiq që u dënua me burg të përjetshëm për një epokë të tërë terrori dhe spastrimi, Ratko Mlladiq po ashtu me burg të përjetshëm si fytyra e makinerisë së shfarosjes… Tani sipas kërkesës së prokurorisë së tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë, në anën tjetër të barrikadës”, u shpreh ai.

    Rama theksoi se, sipas tij, aktiviteti i krerëve të UÇK-së nuk ka asnjë lidhje me terror ndaj popullsisë civile apo me spastrime etnike.

    “Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre e as i UÇK-së me terrorin mbi popullsinë civile, spastrimin etnik, varret masive të njerëzve të pafajshëm apo me përdhunime e vrasje. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se, nëse kërkesa e prokurorisë do të konsiderohej e drejtë, atëherë përgjegjësia do të duhej të shtrihej edhe më gjerë, duke përmendur udhëheqësit perëndimorë që mbështetën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    “Në qoftë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të varrosen për së gjalli për luftën dhe për çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair dhe kryeministrat e tjerë të vendeve që i dhanë dritën jeshile bombardimeve të NATO-s”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se vetë udhëheqësit e akuzuar kishin votuar në Kuvendin e Kosovës krijimin e kësaj gjykate.

    “Faktikisht ata vetë me dorën e tyre e votuan në parlamentin e Kosovës një gjykatë e cila në letër është një gjykatë e Kosovës, nuk është një gjykatë për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën”, tha ai.

    Rama përmendi edhe raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke e quajtur atë “raporti famkeq” dhe duke pretenduar se procesi aktual është vazhdimësi e një plani të hershëm politik.

    “Sot jemi në kushtet kur ka marrë formë thuajse përfundimtare një plan shumë afatgjatë, jetësimi i të cilit ka nisur me raportin famkeq të Dick Martyt, që mos gjetë kurr prehje aty ku është, u shpreh ai.

    Kryeministri shqiptar ngriti pikëpyetje edhe për rolin e drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e saj nga shtetet demokratike.

    “Drejtësia ndërkombëtare e financuar nga shtetet demokratike, që për turpin e tyre vazhdojnë të ndjekin këtë katastrofë për Evropën dhe botën demokratike, bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen, por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka më shumë për këtë, sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Evropën dhe Perëndimin demokratik”, deklaroi Rama.

  • Kaplohet nga zjarri bodrumi i objektit të ish-Rilindjes

    Kaplohet nga zjarri bodrumi i objektit të ish-Rilindjes

    Një zjarr ka kapluar podrumin e ish-objektit të Rilindjes, derisa në vendin e ngjarjes janë edhe zjarrfikësit.

    Në një prononcim për Telegrafin, drejtori i Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka thënë se ekipet janë duke tentuar ta shuajnë zjarrin.

    “Jemi me ekipe të mobilizuara për ta fikur zjarrin. Bëhet fjalë për podrumin e ish-objektit të Rilindjes”, tha ai.

    “ Njëri nga podrumet ka marrë zjarr, kushtet e intervenimet janë shumë të vështira, pasi janë hapësira që nuk na lejojnë të afrohen”.

    “Ekipi i zjarrfikësve është duke intervenuar që ta shuaj zjarrin, pasi është shumë i hovshëm – por që fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëme materiale”

    “Shkaktarët e zjarrit ende nuk dihen, por që organet kompetente do të nisin hetimet se çfarë mund ta ketë shkaktuar”, përfundoi Shkodra.

  • Rama zbulon “sekretin shtetëror”: Osmani u kërcënua për dy vjet pasi refuzoi bastisjen e zyrës së Presidencës nga Gjykata Speciale

    Rama zbulon “sekretin shtetëror”: Osmani u kërcënua për dy vjet pasi refuzoi bastisjen e zyrës së Presidencës nga Gjykata Speciale

    Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka bërë deklarata të forta lidhur me Gjykatën Specilae.

    Duke folur rreth gjykimit të krerëve të UÇK-së, Rama tha se ish-presidenti Hashim Thaçi është marrë peng nga kjo gjykatë.

    Ai madje zbuloi siç u shpreh një sekret shtetërorë për Kosovën, por jo për të personalisht.

    Rama tha se presidentja Vjosa Osmani është kërcënuar për dy vite me radhë, për shkak që nuk kishte lejuar të bastisen zyrët e institucionit të presidencës.

    “Mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por për mua nuk është. Edhe Presidentja e Kosovës është kërcënuar dhe këtë gjë ju nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë. Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidencës se me demek do të kërkonin edhe aty prova të krimeve kundër njerëzimit”, deklaroi Rama.

    Ai shtoi se një veprim i tillë, sipas tij, do ta vendoste Kosovën në një pozitë të rëndë ndërkombëtare.

    “Gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën si një shtet ku deri në zyrën e Presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit. Kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe të Kosovës ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, u shpreh Rama.

  • Kurti e pret Ramën me ceremoni zyrtare, takimi nga ora 15:00

    Kurti e pret Ramën me ceremoni zyrtare, takimi nga ora 15:00

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do ta mirëpresë me ceremoni zyrtare Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë.

    Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ceremonia e pritjes do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në ora 15:00, pas së cilës dy kryeministrat pritet të zhvillojnë takim bilateral.

    Vizita e Ramës në Kosovë po zhvillohet një ditë para shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në agjendë janë paraparë edhe takime të tjera institucionale, si dhe aktivitete me studentë dhe të rinj në Prishtinë.

    Rama u prit fillimisht nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet aktuale në rajon.

  • Osmani: Në Hagë po gjykohen padrejtësisht edhe proceset tona jetike, liria, pavarësia

    Osmani: Në Hagë po gjykohen padrejtësisht edhe proceset tona jetike, liria, pavarësia

    Presidentja Vjosa Osmani tha se “UÇK-ja është ideali më i fuqishëm i ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj”,

    Ajo tha në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, se ai rikthen kujtesën kolektive dhe “e nge në nivel ndërkombëtar ndërgjegjen morale për lirinë, për drejtësinë dhe dinjitetin”.

    Duke folur për gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, që trajtohet në libër, Osmani tha se po bëhet gjykim i padrejtë edhe ndaj “vetë proceseve tona jetike, ndaj lirisë e pavarësisë sonë dhe përpjekjeve për çlirim të cilat u ndërmorën në shërbim të lirisë dhe mbijetesës së popullit tonë”.

    Osmani tha se lufta “nuk ishte akt i impulsit”, ndërsa tha se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi “narrativa të rrejshme”.

    “Drejtësia e fiton kuptimin e plotë vetëm atëherë kur është e paanshme dhe e ndërtuar mbi fakte të vërteta, por asnjëherë kur ajo ndërtohet mbi narrativa të rrejshme, të njëanshme dhe me synim për ta rishkruar historinë”, tha ajo.

    Ajo tha se në Hagë “po dëshirojnë ta deformojnë historinë tonë”.

    “Një histori e shkruar me gjak, asnjëherë, asnjëherë nuk mund të fshihet e as të shtrembërohet nga gënjeshtra të shkruara në letër”, tha ajo.