ATV

Author: K.B.

  • Filharmonia e Kosovës shënon 18 vjetorin e Pavarësisë me koncert festiv

    Filharmonia e Kosovës shënon 18 vjetorin e Pavarësisë me koncert festiv

    Filharmonia e Kosovës sonte do të prezantojë koncertin solemn të Korit dhe Orkestrës, i organizuar në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    Koncerti do të drejtohet nga dirigjentin Baki Jashari, me pjesëmarrjen e solistëve Betim Krasniqi (trombon) dhe Vendim Kapaj (fyell) – “Mjeshtër i Madh”.

    Programi përfshin uverturën nga opera Nabucco, veprën madhështore “Gloria” të John Rutter, si dhe tri vepra premierë nga Aleksandër Vezulli, Aulon Naçi dhe “Numquam Iterum – Lamenti i Nënës” nga Valton Beqiri, e komisionuar nga Filharmonia e Kosovës.

    Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim në ora 20:00.

  • Rama me kabinetin e tij bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

    Rama me kabinetin e tij bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama bashkë me kabinetin e tij në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

  • Prangoset një person në Drenas për sulm ndaj një polici

    Prangoset një person në Drenas për sulm ndaj një polici

    Është arrestuar një person në Drenas, pasi që i njëjti dyshohet ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Policia njofton në raportin 24-orësh se si pasojë e sulmit që ndodhi të hënën, zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Sot është ditë pushimi në Gjykatën Speciale

    Sot është ditë pushimi në Gjykatën Speciale

    Kosova sot feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sot është ditë pushimi në Gjykatën Speciale në Hagë. Megjithatë, ka pasur raste kur në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë mbajtur seanca edhe në ditë festash.

    Kështu kishte ndodhur më 28 Nëntor, përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, ku ishte caktuar një konferencë përgatitore ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi.

    Për këtë kishte reaguar Thaçi para trupit gjykues, duke thënë se një gjë e tillë duhet të evitohej.

    Nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vijohet me deklaratat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

    Katërshja e UÇK-së do të kenë mundësinë që të flasin nga 20 minuta per tërë këtë proces gjyqësor.

    Dje ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit ka përfunduar parashtrimin e deklaratës përmbyllëse, ku më pas trupi gjykues ka vijuar me pyetjet për Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe ekipet mbrojtëse.

    Më pas, kanë pasuar kundërpërgjigjet e prokurorëve.

    Deklaratat përmbyllëse të palëve kanë nisur më 9 shkurt, ku kryeprokurorja Kimberly Ëest ka kërkuar nga 45 vjet burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ekipet mbrojtëse kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm per të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata kanë thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e Prokurorisë Speciale për krime lufte.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

    Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Alarm para Kupës së Botës: Stadiumi nikoqir i ndeshjes hapëse është larg përfundimit

    Alarm para Kupës së Botës: Stadiumi nikoqir i ndeshjes hapëse është larg përfundimit

    Ekzistojnë shqetësime se stadiumi i planifikuar për të pritur ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 mund të mos jetë gati në kohë.

    Më 11 qershor 2026 do të nisë Botërori 2026, me turneun që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Ndeshja hapëse e turneut, mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është planifikuar të zhvillohet në ‘Estadio Azteca’ në Meksikë.

    Megjithatë, javët e fundit janë shtuar pasiguritë se stadiumi mund të mos përfundojë në kohë për të pritur ndeshjen hapëse të Botërorit.

    Situata mund të ndikojë edhe te kombëtarja e Anglisë, pasi ekziston mundësia që skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel të përballet me Meksikën në stadiumin Azteca në fazën e 1/8-s së finales, nëse “Tre Luanët” fitojnë grupin e tyre.

    Së fundmi, YouTuberi Armand Alejandre vizitoi stadiumin Azteca për të dhënë një përditësim mbi rinovimet e planifikuara.

    Alejandre tregoi pamjet aktuale të zonave përreth stadiumit. Siç shihet në video, punimet e ndërtimit vazhdojnë në pjesën e jashtme të objektit.

    Në video u shfaq edhe pjesa e brendshme e stadiumit, duke u dhënë tifozëve një pasqyrë mbi progresin e punimeve që po realizohen në prag të Kupës së Botës.

  • Kryetari i Obiliqit i dhuron veturën zyrtare OVL-UÇK-së

    Kryetari i Obiliqit i dhuron veturën zyrtare OVL-UÇK-së

    Kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi në Ditën e Pavarësisë, i ka dhuruar veturën e tij zyrtare, degës së OVL –UÇK-së në këtë komunë.

    Ai ka thënë se këtë e ka bërë në shenjë nderimi dhe vlerësimi për ata që kontribuuan në lirinë.

    “Për nderë të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, OVL-së së UÇK-së në Obiliq sot i dhurova veturën zyrtare që më takon mua si Kryetar i Komunës.Me këtë gjest dua t’i nderoj dhe vlerësoj të gjithë ata që kontribuan për lirinë e atdheut tonë.Lavdia u takon dëshmorëve, ndërsa nderi dhe respekti i përjetshëm shokëve të tyre luftëtarë”, ka shkruar ai.

  • Ushtria ukrainase rimori një territor të madh në kohë rekord

    Ushtria ukrainase rimori një territor të madh në kohë rekord

    Ushtria ukrainase arriti të rimarrë rreth 200 kilometra katrorë territor javën e kaluar, që përfaqëson përparimin më të shpejtë të forcave të tyre që nga vera e vitit 2023.

    Sipas të dhënave të përpunuara nga agjencitë, duke cituar informacione nga Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), ushtria ukrainase çliroi saktësisht 201 kilometra katrorë territor të pushtuar javën e kaluar.

    Është interesante të theksohet se forcat ruse arritën të kapnin territor të ri vetëm të hënën, ndërsa pjesa tjetër e javës u shënua nga përparimi i ushtrisë ukrainase.

    Analistët ushtarakë besojnë se pas këtyre sukseseve të papritura të ushtrisë ukrainase qëndrojnë problemet teknike me të cilat përballet pala ruse. Në veçanti, agjencitë citojnë një analizë nga ISW sipas së cilës përparimi ukrainas ndoshta u ndihmua nga problemet që ushtria ruse ka me përdorimin e sistemit të internetit satelitor Starlink.

    Kompania amerikane SpaceX, e cila operon këtë sistem, njoftoi se ka futur masa për të parandaluar ushtrinë ruse të përdorë teknologjinë e saj. Forcat ruse më parë janë të njohura për përdorimin e terminaleve Starlink, ndër të tjera, për udhëzim preciz të dronëve.

    Ndërsa ky përparim është i rëndësishëm, të dhënat tregojnë një pamje më të gjerë të një konflikti të gjatë. Sipas AFP-së, para se të shpërthente lufta gati katër vjet më parë, Rusia kontrollonte shtatë përqind të territorit të Ukrainës.

    Aktualisht ajo zë 19.5 përqind të territorit, nga 18.6 përqind një vit më parë. Sipërfaqja totale e Ukrainës është më shumë se 603,000 kilometra katrorë.

  • Erion Veliaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Qofsh gjithmonë e lirë

    Erion Veliaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Qofsh gjithmonë e lirë

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosova, duke e cilësuar 17 Shkurtin si një datë me domethënie të veçantë për kombin shqiptar.

    Në mesazhin e tij, Veliaj thekson se 17 Shkurti është një kujtesë e fuqishme se liria nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, qëndresë dhe besim.

    “Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! 17 Shkurti nuk është thjesht një datë – është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet”, shprehet ai.

    Veliaj u ndal gjithashtu edhe te luftëtarët e UÇK-së që kontribuuan në çlirimin e vendit, ku shprehu shpresën që procesi gjyqësor ndaj tyre të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e tyre pranë familjeve.

    “E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë – drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës”, thekson Veliaj.

    “Gëzuar Kosovë, qofsh gjithmonë e lirë!”, uron Veliaj.

  • Ermal Fejzullahu publikon këngë për heroin Hakif Zejnullahu

    Ermal Fejzullahu publikon këngë për heroin Hakif Zejnullahu

    Një projekt muzikor ka ardhur nga këngëtari i njohur Ermal Fejzullahu.

    Artisti ka publikuar këngën më të re me titull “Lavdi për Hakifin”, një dedikim prekës për heroin e kombit Hakif Zejnullahu.

    Më poshtë mund të dëgjoni këngën e plotë.

  • FFK uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës!

    FFK uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës!

    Federata e Futbollit të Kosovës ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, FFK tha se sot kujtohet me nderim rrugëtimi drejt lirisë dhe shtetësisë.

    “Sot kujtojmë me nderim rrugëtimin drejt lirisë dhe shtetësisë dhe të gjithë ata që u flijuan dhe kontribuuan ndër dekada që ne sot të jetojmë në Kosovën e lirë e të pavarur. Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar FFK-ja.