ATV

Author: K.B.

  • Mozzik për protestën në Prishtinë: Ky popull frymon UÇK, sot nuk ka mungesa

    Mozzik për protestën në Prishtinë: Ky popull frymon UÇK, sot nuk ka mungesa

    Këngëtari Mozzik ka bërë një thirrje të fuqishme për ndjekësit e tij në lidhje me protestën e paralajmëruar për ora 14:00 në Prishtinë.

    Ai ka publikuar një fotografi me Kadri Veselin, duke shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët që aktualisht ndodhen në Hagë.

    Mozzik gjithashtu i bën thirrje publikut të kujtojë historinë e sakrificës së popullit shqiptar dhe të nderojë ata që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, duke përmendur rëndësinë e vazhdimit të qëndrimit dhe solidaritetit për vendin.

    Artisti ferizajas shton se kjo nuk është vetëm një protestë, por një mesazh për të gjithë ata që mund të harrojnë historinë dhe sakrificën e kombit shqiptar, duke inkurajuar pjesëmarrjen në Marsh.

    Postimi i plotë i reperit (pa ndërhyrje):

    “Nuk kam krenari ma të madhe që m’ka falë Zoti i Madh Shqiptar.

    Nuk kam krenari ma të madhe që kombi jem dhe ushtria e vatanit tem — Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) — e ka mbrojtë konakun e vet me gjak e me plumba.

    Nuk kish pas krenari ma të madhe se mu rreshtu n’at rrugëtim ku nuk e din a ki me u kthy n’shpi si kufomë a si trup i gjallë… e ndoshta as trupi mos me t’u gjetë kurrë.

    E mbi të gjitha, për çlirimin e vendit.

    Ky vend është i mbjellun me gjak, me shumë njerëz të vrarë, me shumë gra, nana e vajza të dhunuara.

    Ky vend është foleja jonë — këtu jemi e këtu vazhdojmë me qëndru.

    Sot e merr përgjigjen kushdo që anon kah dëshirat e armikut — nga Serbia, nga Rusia, apo çdo shqipfolës tjetër që harron kah e ka gjakun.

    Ky popull frymon UÇK!

    Sot nuk ka mungesa.

    Ora 14:00, Sheshi Skënderbeu — Prishtinë”.

  • Dita e Pavarësisë, Abdixhiku: Në themel të shtetit qëndron filozofia politike e Ibrahim Rugovës

    Dita e Pavarësisë, Abdixhiku: Në themel të shtetit qëndron filozofia politike e Ibrahim Rugovës

    Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se sot është ditë reflektimi për rrugëtimin shekullor të Kosovës drejt lirisë, identitetit dhe dinjitetit, shkruan Reporteri.net.

    Ai tha se pavarësia është rezultat i një përpjekjeje kolektive dhe kulmi i një procesi të gjatë për mbijetesë.

    Sipas tij, 17 shkurti 2008 përfaqëson jo vetëm aktin e shpalljes, por edhe vitet e rezistencës, durimit dhe sakrificës së popullit.

    “Ka ditë kur historia na fton të flasim, e ka ditë kur na kërkon të dëgjojmë, e si kjo e sotmja që na kërkon të kujtojm. 18 vjet më parë Kosova u bë shtet, por shumë më herë Kosova kishte vendosur të ishte e lirë dhe të bëhej shtet. Ne duhet të ja kujtojmë vetes se pavarësia jonë është kulmi i procesi të gjatë shekullor për mbijetesë, identitet dhe dinjitet. Rezultat i një përpjekeje kolektive”.

    Abdixhiku theksoi rolin e Ibrahim Rugova dhe lëvizjes paqësore të viteve ’90 në orientimin demokratik dhe ndërkombëtar të Kosovës.

    “Në këtë ditë ne nuk e kujtojmë vetëm aktin e 17 shkurtit të 2008 por gjithë rrugën që na solli deri aty. Kujtojmë vitete e reuzistencës, durimit e sakrificës. Kujtojmë një popull që vendosi të mos zhdukej dhe të mos dorëzohej kur gjithçka dukej e pamundur. Në themel të kësaj rruge qëndron filozofia politike e Atit themeltar të Republikës. presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe gjithë lëvizjes paqësore të viteve 90”, tha Abdixhiku në Kuvend.

    Ai vlerësoi se filozofia politike e Rugovës e konceptoi shtetin si projekt demokratik dhe moral, me orientim euroatlantik të përhershëm.

    “Rugova i dha Kosovës një orientim historik, epokal, e ktheu çështjen ndërkombëtare nga një realitet i dhunëshëm në një projekt politik me legjitimitet moral. E konceptoi shtetin si projekt demokratik. Lëvizja paqësore nuk ishte zgjedhje e lehtë, por e guximshme”.

    “Rugova i mësoi Kosovës se durimi nuk është dorëzim, por forcë e përmbajtur se paqja nuk është mungesë guximi por strategji e mençurislë, dhe se orientimi euroatlantik është identitt politik i përhersëm i popullit të Kosovës. Ai e pa shtetin si kornizë morale ku qytetari ndjehet i mbrojtur”, tha Abdixhiku.

  • Ministri holandez i Mbrojtjes: Aeroplanët amerikanë F-35 mund të hakohen

    Ministri holandez i Mbrojtjes: Aeroplanët amerikanë F-35 mund të hakohen

    “Truri kompjuterik” i F-35, duke përfshirë komponentët e tij të bazuar në cloud, mund të hakohet për të pranuar përditësime të softuerëve të palëve të treta, njësoj si “hakimi” i një celulari, sipas ministrit holandez të Mbrojtjes.

    Deklarata vjen ndërsa operatorët e huaj të avionëve vazhdojnë të jenë nën presion për atë që mund të ndodhë nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin ndonjëherë mbështetjen.

    Administrata e presidentit Donald Trump ka ndjekur një numër politikash që kanë rezultuar në tendosje të reja diplomatike me disa aleatë të hershëm, veçanërisht në Evropë.

    “Nëse, pavarësisht gjithçkaje, ende doni të përmirësoni, do të them diçka që nuk duhet ta them kurrë, por do ta them gjithsesi: mund ta hakoni një F-35 njësoj si një iPhone”, tha Gijs Tuinman gjatë një episodi të podkastit “Boekestijn en de Wijk” të BNR Nieuwsradio të postuar në internet dje.

    Tuinman, i cili është ministër i Mbrojtjes që nga viti 2024, nuk duket se ka ofruar ndonjë detaj të mëtejshëm rreth asaj që mund të përfshijë procesi i hakimit.

    Çfarë dobësish kibernetike, nëse ka, mund të tregojë kjo është gjithashtu e paqartë. Është e mundur që ai të ketë folur më shumë në mënyrë nocionale ose figurative rreth veprimeve që mund të ndërmerren në të ardhmen, nëse është e nevojshme.

    TWZ ka kontaktuar Zyrën e Programit të Përbashkët F-35 dhe prodhuesin Lockheed Martin për përgjigje ndaj vërejtjeve të Tuinman.

    Programi F-35 vendos kufizime unike në aftësinë e operatorëve për të bërë ndryshime në softuerin e avionit, si dhe në sistemet e lidhura në tokë.

    Pothuajse të gjitha F-35 në shërbim sot shohin përditësime të softuerit që vijnë përmes një rrjeti të bazuar në cloud, versioni origjinal i të cilit njihet si Sistemi Autonom i Informacionit Logistik (ALIS).

    Problemet e vazhdueshme me ALIS kanë çuar në zhvillimin e një Rrjeti të Integruar të të Dhënave Operacionale (ODIN) pasues, kalimi në të cilin është ende në vazhdim.

    Rrjeti ALIS/ODIN është projektuar për të trajtuar shumë më tepër sesa vetëm përditësime të softuerit dhe të dhëna logjistike. Është gjithashtu porta e përdorur për të ngarkuar paketa të të dhënave të misionit që përmbajnë informacione planifikimi shumë të ndjeshme, duke përfshirë detaje rreth mbrojtjes ajrore të armikut dhe inteligjencë të tjera, në F-35 para misioneve dhe për të shkarkuar inteligjencën dhe të dhëna të tjera pas një sulmi.

    Deri më sot, Izraeli është i vetmi vend i njohur që ka negociuar me sukses një marrëveshje që i jep të drejtën të instalojë softuer të zhvilluar në vend në F-35I-të e tij, si dhe të operojë avionët e tij jashtë rrjetit ALIS/ODIN.

    Izraelitët gjithashtu kanë aftësinë të kryejnë mirëmbajtje tërësisht të pavarur në nivel depoje, diçka për të cilën do të kthehemi më vonë.

  • Vjosa Osmani “kuvendon” me Rifat Jasharin në seancën solemne për 17 Shkurt

    Vjosa Osmani “kuvendon” me Rifat Jasharin në seancën solemne për 17 Shkurt

    Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar një fotografi me Rifat Jasharin nga seanca solemne për kremtimin e 18-vjetorit të pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

    Osmani në fjalën e saj në këtë seancë tha se “UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj” dhe “shtylla më e fortë” e shtetit që “nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për rishkrim apo deformim të historisë”.

  • Ambasadori britanik uron Pavarësinë e Kosovës, përmend edhe Thaçin

    Ambasadori britanik uron Pavarësinë e Kosovës, përmend edhe Thaçin

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka uruar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

    Përmes një video të shpërndarë në faqen e tij zyrtare, Hargreaves tha se Britania e Madhe është krenare që ka një partnere si Kosovën, transmeton Klankosova.tv.

    “Ndërsa shohim përpara, ne mbetemi të përkushtuar për të punuar krah për krah për një Evropë të fortë, të sigurt dhe të begatë”, tha ai.

    Pos tjerash ai përmendi edhe deklaratën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi të shpalljes së pavarësisë.

  • “Ein Wunder”- Rrëfimi prekës i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në trup pas 27 vjetësh

    “Ein Wunder”- Rrëfimi prekës i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në trup pas 27 vjetësh

    I mbijetuari i masakrës mbi familjen Berisha në Suharekë në 1999, Gramoz Berisha ka treguar sot se i është gjetur një plumb në trup, 27 vjet pas përfundimit të luftës.

    Berisha në një postim në Facebook shkruan se ishte i plagosur në luftë nga forcat serbe në krahun e majtë, por së fundi ka kuptuar që një plumb e ka edhe në krahun e djathtë.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë.

    Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë.

    Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim.

    27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma

    Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat.

    Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre.

    Para tre muajsh ndjeva një dhimbje të tmerrshme në krahun tim të djathtë.

    I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje:

    — A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje?

    — Jo.

    — A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri?

    — Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë.

    U mblodhën shumë mjekë. “ein Wunder”, përsëritnin.

    Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 viteve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital.

    Kjo ishte mrekullia që ata e quanin “ein Wunder”.

    Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Gëzuar 17 shkurtin.

  • Ganimete Abazi humb nipin në moshë të re: Sa e vështirë të të them lamtumirë

    Ganimete Abazi humb nipin në moshë të re: Sa e vështirë të të them lamtumirë

    Këngëtarja Ganimete Abazi, e njohur për publikun si Ganja, ka ndarë një lajm të dhimbshëm me ndjekësit e saj në rrjete sociale.

    Ajo ka humbur nipin e saj në një moshë të re, një ngjarje që e ka tronditur thellë dhe ka lënë një boshllëk të madh në familjen e saj.

    Përmes një mesazhi prekës në Instagram, Ganja ka shprehur dhimbjen e saj, duke theksuar sa e padrejtë është jeta dhe sa mund të godasë në vendet ku dhemb më shumë.

    Në fjalët e saj ndjehet lidhja e ngushtë dhe dashuria e pakushtëzuar për nipin e saj.

    Postimi i plotë i Ganimetes (pa ndërhyrje):

    “Jeta po dijka shpeshherë të jetë e padrejtë dhe të godasë aty ku dhemb më së shumti.

    Pusho në paqe, nipi jem, shpirti jem, sepse ne do të jetojmë me dhimbjen për ty, me kujtimet dhe dashurinë që na dhe

    Ahhh bre sa e vështirë me ta thënë lamtumirë, Loriku ynë”.

  • Rama: Ata që sakrifikuan dhe mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron Kosova

    Rama: Ata që sakrifikuan dhe mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron Kosova

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, tha se populli përulet me respekt të thellë para të gjithë atyre që kontribuuan në themelimin dhe konsolidimin e shtetit.

    Po ashtu, ai shtoi se ata që sakrifikuan, që vepruan me guxim dhe që mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron sot Republika e Kosovës.

    “Në këtë ditë të shënuar për historinë tonë, përulemi me respekt të thellë para të gjithë atyre që kontribuan në themelimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Ata që sakrifikuan, që vepruan me guxim dhe që mbajtën gjallë idealin e lirisë, janë gurët themelorë mbi të cilët qëndron sot Republika jonë”, ka shkruar ai.

  • 17 Shkurti 2008: Ngjarjet dhe faktet kryesore të shpalljes së Pavarësisë

    17 Shkurti 2008: Ngjarjet dhe faktet kryesore të shpalljes së Pavarësisë

    Kosova sot feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e cila është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe është njohur nga 121 shtete.

    Kosova e shpalli pavarësinë duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor, shkruan Demokracia.com.

    Këto janë 10 faktet që lidhen më 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë të Kosovës:

    1) Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

    2) Kryeministri Hashim Thaçi është lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

    3) Dizajnuesi i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi

    4) Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi

    5) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

    6) Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

    6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

    7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë!

    8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

    9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

  • Marshi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, në Gjakovë autobusët bëhen gati për t’u nisur drejt Prishtinës

    Marshi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, në Gjakovë autobusët bëhen gati për t’u nisur drejt Prishtinës

    Në qytetin e Gjakovës tashmë kanë nisur përgatitjet e qytetarëve për të marrë pjesë në marshin që do të mbahet në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Një numër i madh autobusësh shihen duke pritur të nisen për kryeqytet për marshin që do të nis në orën 14:00.