ATV

Author: K.B.

  • Mot i vranët dhe intervale me diell

    Mot i vranët dhe intervale me diell

    Reshjet e borës pritet të vazhdojnë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë, kryesisht përreth viseve kodrinoro-malore.

    Ditën vransirat fillojnë të shpërndahen, që hapin qiellin për më shumë intervale me diell megjithëse mbetet mot i ftohtë.

    Temperaturat minimale zbresin në -1C e 1C, derisa maksimalet shkojnë deri në 5C dhe 8C. Frynë erë e ftohtë veriore e veriperëndimore, mesatare dhe mesatarisht e fuqishme 7-12m/s, me hove deri në 15m/s.

    Ditën e enjtë vransirat shtohen, megjithëse nuk mungojnë intervale me diell. Minimalet në mëngjes zbresin në -2C, derisa gjatë ditës maksimalet shënojnë rriten deri në 10C e 11C. Frynë erë juglindore, mesatare 4-10m/s, me hove deri në 15m/s, me kalimin në ditën e premtë.

    Të premtën sërish reshjet e shiut përfshinë vendin. Më vonë gjatë mbrëmjes shndërrohen në reshje dëbore, që pushojnë mëngjesin e ditës së shtunë.

    Temperaturat maksimale zbresin në 2C, e ato minimale në -3C. Vransirat shpërndahen, e priten intervale me diell. Vransirat mbulojnë vendin sërish ditën e diel, lokalisht të shoqëruara me riga shiu, njofton Mendimi për Motin.

  • Labi në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Liri për të burgosurit

    Labi në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Liri për të burgosurit

    Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë, një ditë që simbolizon sakrificën, guximin dhe unitetin e popullit shqiptar në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë.

    Figurat publike kanë shprehur përmes rrjeteve sociale dashurinë dhe respektin për vendin dhe historinë e tij.

    Këngëtari Labinot Rexha është një nga ta që ka ndarë mesazhin e veçantë për këtë përvjetor, duke kujtuar jo vetëm rëndësinë e datës historike, por edhe unitetin dhe krenarinë që e bashkon gjithë kombin.

    Në postimin e tij, Rexha shpreh urimet për vendin, për familjet shqiptare dhe për të gjithë ata që e duan Kosovën.

    Postimi i plotë i Labinot Rexhës:

    “Urime Pavarësia e Kosovës

    17 Shkurti – dita e krenarisë kombëtare.

    Sot kujtojmë sakrificën, unitetin dhe rrugën tonë drejt shtetit të lirë

    Urime Pavarësia e Kosovës

    Zoti e bekoftë vendin tonë, familjet tona dhe gjithë shqiptarët kudo që janë.

    Liri për të burgosurit”.

  • Vasfije Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi mbrojtën popullin tonë, duhet të lirohen

    Vasfije Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi mbrojtën popullin tonë, duhet të lirohen

    Aktivistja Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka marrë fjalën në protestën “Drejtësi, jo politikë” që po mbahet aktualisht në Prishtinë.

    Duke thënë se “Kjo liri nuk erdhi vetvetiu”, Krasniqi tha se ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen.

    “Faleminderit që i shërbyet atdheut kur më së shumti kishte nevojë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi duhet të lirohen, ata e mbrojtën popullin e vet”.

    Qindra njerëz mbushen sheshin e kryeqytetit duke kërkuar drejtësi derisa gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkon drejt fundit.

  • Tasholli: Sot ish-krerëve të UÇK-së ua dërgojmë mesazhin se nuk janë vetëm – Pas jush qëndron një komb i tërë

    Tasholli: Sot ish-krerëve të UÇK-së ua dërgojmë mesazhin se nuk janë vetëm – Pas jush qëndron një komb i tërë

    Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër” tha se “pavarësisht proceseve gjyqësore, një gjë mbetet e qartë: lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare, dhe kjo nuk mund të zhbëhet kurrë”.

    Duke folur në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, ai tha se “qytetarët duan drejtësi dhe jo politikë”.

    Tashohilli tha se në përvjetorin e 18-të të pavarësisë, ish-krerëve të UÇK-së po u dërgohet mesazhi se nuk janë vetëm.

    “E sot nga kjo ditë e pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë: për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët. Ju nuk jeni vetëm. Pas jush qëndron një komb i tërë, pas jush qëndron historia, sakrifica jonë, liria jonë”, tha ai.

  • Lyrical Son emocionon me këngën “Ushtria Çlirimtare” në Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Lyrical Son emocionon me këngën “Ushtria Çlirimtare” në Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Artisti i njohur shqiptar, Lyrical Son, është ngjitur në skenën e Marshit “Drejtësi, jo politikë” për të interpretuar një këngë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    “Ushtria Çlirimtare” është kënga të cilën ai e performoi, duke ngjallur emocione tek të gjithë të pranishmit.

    “Kur liria cenohet, ne duhet me kthy me zor. Liri”, tha ai.

    Ndërkohë, ka nisur në Prishtinë Marshi me moton “Drejtësi, jo politikë”, i cili po zhvillohet në mbrojtje të katërshes së UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Ky marsh është organizuar nga plaftorma “Liria ka emër”.

    Aktiviteti u organizua në 18 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

  • Koreja e Veriut u jep strehë familjeve të ushtarëve të vrarë në luftën e Ukrainës

    Koreja e Veriut u jep strehë familjeve të ushtarëve të vrarë në luftën e Ukrainës

    Koreja e Veriut ka thënë se ka përfunduar së ndërtuari një distrikt të ri strehimi në Penjan për familjet e ushtarëve koreanë të vrarë gjatë luftimeve krahas forcave ruse në Ukrainë, përpjekja më e re nga udhëheqësi Kim Jong-un për t’i nderuar të vdekurit e luftës.

    Në fotografitë e publikuara nga mediat shtetërore shihet Kimi duke ecur nëpër një rrugë të re dhe duke i vizituar shtëpitë e disa prej familjeve bashkë me vajzën e tij, e cila besohet se quhet Kim Ju-ae, përderisa u zotua se do t’i shpaguante “martirët e rinj” të cilët “sakrifikuan gjithçka për mëmëdhenë e tyre”, shkruan gazeta “The Guardian”.

    Kimi tha se distrikti i ri i banimit në zonën Hawasong të kryeqytetit i simbolizon “shpirtin dhe sakrificën” e ushtarëve të vdekur, duke shtuar se qëllimi i shtëpive të reja është që familjet “të jenë krenare me bijtë dhe bashkëshortët e tyre dhe të jetojnë të lumtura”.

    Muajve të fundit, Koreja e Veriut e ka intensifikuar propagandën për t’i vlerësuar sa më lart ushtarët e dërguar për të luftuar në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë zbulimin e një kompleksi të ri përkujtimor në Penjan me skulptura ushtarësh. Analistët e shohin këtë si përpjekje për ta forcuar unitetin e brendshëm dhe për ta penguar pakënaqësinë e mundshme të popullit.

    Kimi ka dërguar mijëra ushtarë e sasi të madhe të pajisjeve ushtarake, përfshirë artilerinë dhe raketat, muajve të fundit për ta mbështetur luftën e presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës.

    Javën e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut u zotua për t’i “mbështetur pa kushte” të gjitha politikat dhe vendimet e presidentit rus.

  • Qeveria e Pakistanit uron 18-vjetorin e pavarësisë: Përparim e prosperitet të vazhdueshëm

    Qeveria e Pakistanit uron 18-vjetorin e pavarësisë: Përparim e prosperitet të vazhdueshëm

    Qeveria e Republikës Islamike e Pakistanit ka uruar Kosovën për Ditën e Pavarësisë.

    Në një postim në X, Ministria e Jashtme e këtij vendi uroi për “përparim e prosperitet”.

    “Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Qeveria dhe populli i Pakistanit i shprehin urime të ngrohta Qeverisë dhe popullit të Kosovës për Ditën e Pavarësisë. I urojmë Kosovës përparim dhe prosperitet të vazhdueshëm.

  • “Liri për çlirimtarët” – Qytetarët mbushin sheshin “Skënderbeu”, kërkojnë drejtësi

    “Liri për çlirimtarët” – Qytetarët mbushin sheshin “Skënderbeu”, kërkojnë drejtësi

    Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë nisur të mblidhen qytetarë nga të gjitha anët e vendit, si dhe nga diaspora, për t’iu bashkuar marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë”.

    Të pranishmit mbajnë flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Republikës së Kosovës dhe flamuj kombëtarë, ndërsa në orën 14:00 pritet të nisë zyrtarisht marshimi.

    Pjesëmarrësit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Në shesh është vendosur edhe një mbishkrim i madh me moton “Drejtësi, jo politikë”, i shoqëruar me fotografitë e katër të akuzuarve, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

  • Flamuri i Kosovës mbi Himalaje, një ëndërr e përmbushur e Uta Ibrahimit

    Flamuri i Kosovës mbi Himalaje, një ëndërr e përmbushur e Uta Ibrahimit

    Në një botë ku kufijtë fizikë dhe mendorë duken gjithnjë e më të pamëshirshëm, rrallëherë shfaqen histori që i tejkalojnë ata me qetësi, dinjitet dhe kuptim të thellë njerëzor. Historia e Uta Ibrahimit nuk është vetëm një rrëfim për alpinizëm ekstrem apo për ngjitjen e majave mbi 8,000 metra. Ajo është një histori identiteti, përkatësie dhe sakrifice, e shkruar hap pas hapi mes akullit, rrezikut dhe vetmisë, por e mbajtur gjallë nga dashuria për Kosovën dhe njerëzit e saj. Për tetë vite me radhë, Uta Ibrahimi ka sfiduar jo vetëm malet më të rrezikshme të planetit, por edhe kufijtë e trupit, mendjes dhe shpirtit.

    Çdo ekspeditë ka qenë një përballje me frikën, humbjen, lodhjen dhe pasigurinë, por edhe një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndrueshmërisë njerëzore. Në çdo majë ku ka qëndruar, flamuri i Kosovës dhe ai kombëtar, ka qenë i pranishëm jo si simbol formal, por si barrë emocionale dhe përgjegjësi morale për të përfaqësuar një vend të vogël me histori të dhimbshme, por me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore.

    Kjo intervistë nuk është një listë suksesesh apo rekordesh sportive. Është një rrëfim i sinqertë për dhimbjen e humbjes, për sakrificat personale që nuk shihen, për paragjykimet, për vetminë dhe për momentet kur kthimi në shtëpi ka qenë më i rëndësishëm se arritja e majës. Uta flet hapur për babain e saj, për traumën e Shishapangmës, për vitet e jetuara në pasiguri dhe për çmimin personal që ka paguar për të jetuar besnikërisht ndaj vetes.

    Në të njëjtën kohë, kjo është një histori shprese. Një dëshmi se nga një vend i vogël si Kosova mund të dalin histori që prekin botën. Se gratë mund të jenë të forta pa humbur ndjeshmërinë. Dhe se ëndrrat e mëdha, edhe kur duken të pamundura, mund të realizohen kur puna, dashuria dhe guximi ecin së bashku.

    Në këtë intervistë për Albinfo.ch, Uta Ibrahimi rrëfen gjithçka, pa filtra, pa zbukurime dhe pa kompromis, duke ndarë me lexuesin jo vetëm majat që ka ngjitur, por edhe peshën që ka mbajtur në zemër gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

    Çfarë përfaqëson Kosova për ju në këtë rrugëtim?

    UTA IBRAHIMI: Për mua, Kosova ka qenë dhe mbetet motivi kryesor pas çdo ngjitjeje që kam bërë. Çdo hap drejt majave më të larta të botës e kam marrë duke e pasur Kosovën me vete – në zemër, në mendje dhe në flamur. Pavarësia e Kosovës është një nga momentet më të bukura dhe më të paharrueshme të jetës sime. Ende e kam shumë të freskët kujtimin e asaj dite dhe gëzimin e madh në Sheshin Nënë Tereza, ku u ndje një energji e rrallë bashkimi, shprese dhe krenarie.

    Çfarë ndjeni në momentet kur arrini majën?

    UTA IBRAHIMI: Në ato momente, më vijnë në mendje të gjithë njerëzit e Kosovës – si një i vetëm. Është sikur i mbaj të gjithë me vete, në një thes simbolik, lart në majë. Më shfaqen para syve sytë e bukur dhe të ndritshëm të fëmijëve që i takoj nëpër shkolla gjatë vizitave të mia. Energjia e tyre, ëndrrat e tyre dhe besimi i pastër që kanë në jetë janë aty me mua, në çdo frymëmarrje. Në atë çast, nuk jam vetëm – jam e mbushur me gjithë forcën, shpresën dhe dritën e tyre.

    Albinfo.ch: Sa i rëndësishëm ka qenë identiteti juaj shqiptar në rrugëtimin tuaj?

    UTA IBRAHIMI: Identiteti im si shqiptare ka qenë një shtyllë shumë e rëndësishme në gjithë rrugëtimin tim profesional dhe jetësor. Të vish nga një vend i vogël, me një histori të dhimbshme, por me njerëz jashtëzakonisht të fortë, të mëson që qëndrueshmëria, durimi dhe këmbëngulja nuk janë zgjedhje – janë mënyrë jetese. Si shqiptare, jam rritur me ndjenjën se duhet të punoj dyfish për t’u dëshmuar, por edhe me krenarinë për të përfaqësuar një popull që nuk është dorëzuar kurrë. Ky identitet më ka dhënë forcë të besoj në veten time edhe kur kushtet kanë qenë të pabarabarta, kur dyshimet kanë qenë të mëdha dhe rruga shumë e vështirë. Në çdo majë ku kam qëndruar, identiteti im shqiptar nuk ka qenë thjesht një përkatësi kombëtare, por një burim force, përgjegjësie dhe frymëzimi – për të treguar se edhe prej një vendi të vogël mund të dalin histori të mëdha.

    Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij projekti?

    UTA IBRAHIMI: Kam pasur shumë momente jashtëzakonisht të vështira gjatë ngjitjeve në majat më të larta të botës. Ky ka qenë një projekt që ka zgjatur 8 vite – vite me punë të pandërprerë për sigurimin e fondeve, me stërvitje të vazhdueshme dhe me përballje të pafundme me ngjitje shumë të rënda, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Edhe pse jam një person që përpiqet gjithmonë ta mbajë motivin lart dhe të gjejë diçka pozitive edhe në momentet më të errëta, ka pasur çaste kur lodhja, frika dhe dyshimi kanë qenë reale. Pikërisht në ato momente, forca kryesore për të vazhduar kanë qenë njerëzit e mi – familja, shoqëria, mbështetja e tyre e pakushtëzuar – por edhe fëmijët dhe i gjithë populli i Kosovës, që i kam ndjerë gjithmonë pranë me besim dhe përkrahje. Mendimi se nuk jam vetëm aty lart, se çdo hap përpara përfaqëson shpresë, frymëzim dhe një mesazh për të tjerët, më ka dhënë forcë të vazhdoj edhe atëherë kur trupi donte të ndalej.

    Cila ka qenë maja më sfiduese për ju?

    UTA IBRAHIMI: Pa asnjë dyshim, maja më sfiduese për mua, emocionalisht, ka qenë Dhaulagiri. Është një majë e mbushur me emocione të thella dhe sa herë e kujtoj, më rrjedhin lotët. Dhaulagirin e kam ngjitur në tentimin e tretë. Në tentimin e parë, gjatë kohës që isha në ekspeditë, ndërroi jetë babai im – bibi im, heroi im. Në atë moment, pa asnjë dyshim, e ndërpreva ekspeditën dhe u ktheva në shtëpi. Asnjë majë nuk kishte më rëndësi. Tentimi i dytë dështoi për shkak të kushteve të rënda – mali nuk na la të kalonim. Ishte një tjetër provë durimi dhe pranimi. Në tentimin e tretë, gjithçka mori një kuptim tjetër. E ngjita majën më 17–18 maj, pikërisht në ditëlindjen e bibit tim. Në summit ishim vetëm katër persona. Ngjitja ishte pothuajse e pamundur, por gjatë gjithë rrugës e ndjeja babain pranë meje. Sikur më udhëhiqte hap pas hapi, sikur më mbante dorën deri në fund të majës. Kjo majë më ka rritur dyfish – si njeri dhe si grua. Më ka ndryshuar thellë, më ka forcuar, por njëkohësisht më ka zbutur. Dhaulagiri nuk ishte vetëm një ngjitje; ishte një proces shërimi, një dialog i heshtur mes meje dhe dhimbjes, dhe një dëshmi se dashuria dhe lidhja shpirtërore nuk ndalen as në lartësitë më ekstreme.

    Ndërsa fizikisht, majat më të vështira për mua kanë qenë K2 dhe Annapurna. Të dyja këto maja njihen botërisht si ndër më të vështirat dhe më të rrezikshmet në botë, për shkak të terrenit ekstrem, kushteve të paparashikueshme dhe rrezikut të vazhdueshëm. Çdo hap në këto male ka qenë një përballje e drejtpërdrejtë me kufijtë e trupit dhe mendjes. Për këtë arsye, jam përjetësisht mirënjohëse ndaj Nënës Natyrë që më lejoi t’i ngjis këto maja dhe, mbi të gjitha, të kthehem e plotë dhe e sigurt në shtëpi. Në fund, suksesi i vërtetë nuk është vetëm të arrish majën, por të kesh mundësinë të kthehesh dhe ta vazhdosh jetën me edhe më shumë respekt për forcën dhe madhështinë e maleve.

    Çfarë do të thotë për ju fakti që sot jeni frymëzim për shumë gra?

    UTA IBRAHIMI: Është një ndjenjë shumë e bukur dhe e veçantë për mua fakti që sot jam frymëzim për shumë vajza dhe gra shqiptare – dhe jo vetëm. Më gëzon thellë të di që rrugëtimi im vazhdon të frymëzojë jo domosdoshmërisht vetëm për të ngjitur maja të larta, por mbi të gjitha për të besuar tek vetja dhe tek forca e brendshme. Kur e nisa këtë rrugëtim drejt majave të botës, nuk e kisha mbështetjen e duhur nga shoqëria. Kishte shumë dyshime, paragjykime dhe mungesë besimi. Por pikërisht përmes punës së madhe, këmbënguljes dhe përkushtimit, arrita jo vetëm ta përfundoj projektin tim, por edhe të kthehem në një shembull që sot i motivon të tjerët. Me thënë të drejtën, është një ndjenjë që të mbush zemrën. Gjithmonë kam besuar se jemi në këtë jetë për të bërë diçka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Dhe sot, me bindje të plotë, mund të them se ia kam dalë ta jetoj këtë besim në praktikë.

    Cilat kanë qenë sakrificat personale më të mëdha?

    UTA IBRAHIMI: Kjo është një pyetje shumë e gjerë dhe, sinqerisht, do të mund të flisja pafund për të. Por ajo që më dhemb më shumë është fakti kur ka njerëz që, nga karriget e ngrohta dhe nga një jetë e rehatshme, komentojnë lehtë dhe thonë: “Po ani, de, për vete e ke bërë.” Këto fjalë shpesh i minimizojnë vite të tëra sakrifice që nuk shihen dhe nuk kuptohen. Sfidat e mia nuk kanë qenë vetëm ngjitjet në male. Ky ka qenë një rrugëtim që ka zgjatur 8 vite dhe që, në shumë forma, vazhdon ende. Ka qenë një jetë e kaluar larg njerëzve të dashur, larg një stabiliteti financiar dhe larg një stabiliteti familjar. Sot jam 42 vjeçare dhe pothuajse gjithë jetën e kam jetuar në lëvizje, në pasiguri, duke zgjedhur një rrugë që rrallë kush është i gatshëm ta marrë. Besoj që gratë e kuptojnë këtë më mirë se kushdo tjetër – sidomos kur shoqëria shpesh pret prej teje siguri, qetësi dhe role të përcaktuara, jo rrezik, sfidë dhe pasiguri të vazhdueshme. Sidoqoftë, pavarësisht gjithë këtyre sakrificave, zemra ime është e mbushur plot. Po, ka momente kur ndihem e vetmuar, dhe ato janë reale. Por në fund, e di që kjo rrugë më ka dhënë diçka shumë të çmuar: ndjenjën se kam jetuar me kuptim, me guxim dhe me besnikëri ndaj vetes sime.

    A ka pasur momente dyshimi apo frike të thellë?

    UTA IBRAHIMI: Nuk kam pasur shumë momente ku kam dyshuar në veten time, sepse gjithmonë jam përpjekur të gjej diçka pozitive për të vazhduar përpara, edhe kur ka qenë shumë e vështirë. Por ka një moment që më ka tronditur thellë dhe që e mbaj ende me vete. Ai moment lidhet me Shishapangma, kur isha shumë afër vdekjes. Një ortek ra para syve të mi dhe, në atë tragjedi, humbëm katër shokë/shoqe nga ekipi ynë. Ishte një përjetim që më theu emocionalisht dhe psikologjikisht. Pas atij momenti, e pata jashtëzakonisht të vështirë të kthehesha sërish në ekspedita, e sidomos të mendoja rikthimin në të njëjtën majë. Kur u ktheva në shtëpi, trupi dhe mendja ime ishin plotësisht të shkatërruara. Kam kaluar shumë kohë në fizioterapi, duke u përpjekur të rikthehem jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Trauma ishte dhe mbetet reale – ende e mbaj me vete. Kapërcimi nuk ka ardhur shpejt dhe as lehtë. Ka ardhur përmes kohës, pranimit, punës së madhe me veten dhe respektit për frikën. Nuk e kam mohuar atë që më ndodhi; e kam pranuar si pjesë të rrugëtimit tim. Dhe ndoshta pikërisht kjo më ka ndihmuar të vazhdoj: të eci përpara jo duke harruar, por duke jetuar me atë që kam përjetuar.

    Çfarë mesazhi keni për të rinjtë shqiptarë?

    UTA IBRAHIMI: Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është i thjeshtë, por i vërtetë: me punë arrihet gjithçka. Punë e vazhdueshme, punë me përkushtim, dhe shpeshherë shumë më tepër punë sesa mendojmë se kemi forcë të japim. Por puna vetëm nuk mjafton. Duhet edhe shumë dashuri – dashuri për atë që ëndërroni, për veten tuaj, për rrugën që zgjidhni dhe për njerëzit përreth jush. Do të ketë pasiguri, dyshime dhe momente kur askush tjetër nuk do të besojë tek ju. Në ato çaste, besimi juaj tek vetja është ajo që bën dallimin. Mos prisni të jeni gati. Filloni. Punoni. Gaboni. Mësoni. Dhe vazhdoni. Sepse ëndrrat e mëdha kërkojnë guxim të madh, por shpërblimi i tyre është të jetosh një jetë me kuptim.

    Çfarë dëshironi që historia juaj t’i tregojë botës për Kosovën?

    UTA IBRAHIMI: Historia ime tashmë u ka treguar shumë vendeve të botës se kush është Kosova dhe kush janë shqiptarët. Në secilën ekspeditë – jo vetëm në majat mbi 8,000 metra – kam vendosur flamurin e Kosovës dhe të kombit shqiptar, si një simbol krenarie, përkatësie dhe identiteti. Jam ndër të paktat atlete nga Kosova që kam arritur të marr mbështetje nga brende të mëdha ndërkombëtare, dhe kjo ka qenë një mënyrë tjetër për ta vendosur Kosovën në hartën botërore të sportit dhe aventurës. Sot, shumë njerëz e dinë ku është Kosova. Shumë e dinë se çfarë populli jemi: punëtor, i qëndrueshëm, i guximshëm dhe me ëndrra të mëdha. Ajo që dua që historia ime t’i tregojë botës është se nga një vend i vogël mund të dalin njerëz me forcë të madhe, me vlera, me vizion dhe me aftësi për të qëndruar denjësisht krah për krah me më të mirët në botë.

  • Myftiu Tërnava viziton varrezat e familjes Jashari në Prekaz

    Myftiu Tërnava viziton varrezat e familjes Jashari në Prekaz

    Për nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe nga anëtarët e Kryesisë së BIK-ut, vizitoi varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

    Para varrezave të Jasharve, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, të kryesuar nga Myftiu, kënduan nga një Fatiha, duke lutur Zotin e Madhëruar që t’i ketë mëshiruar me mëshirën e Tij dhe t’i pranojë si dëshmorë.