ATV

Author: K.B.

  • Çfarë ndodh me frenat kur vetura funksionon për një kohë të gjatë?

    Çfarë ndodh me frenat kur vetura funksionon për një kohë të gjatë?

    Rotorët dhe tamburet e frenave janë të prodhuara nga aliazh çeliku, me pak trajtim kundër korrozionit.

    Pas vetëm disa orësh qëndrimi në një mjedis të lagësht (sidomos në muajt e dimrit kur frenat ekspozohen edhe ndaj kripës), në sipërfaqen e tyre do të fillojë të formohet një shtresë e hollë ndryshku.

    Natyrisht, sa më gjatë të qëndrojë vetura e parkuar, aq më keq bëhet situata, veçanërisht në vende parkimi me kullim të dobët që nuk janë të thata. Korrozioni do të përhapet dhe do të ulet edhe efikasiteti i frenave.

    Kur e përdorni veturën për herë të parë pas disa ditësh ose javësh, merrni pak kohë që disa herë ta shtypni dhe lironi lehtë pedalin e frenës para se të niseni.

    Pasi të filloni lëvizjen, bëni të njëjtën gjë – shtypni lehtë frenën, duke pasur kujdes të mos rrezikoni askënd në trafik, sidomos ata që lëvizin pas jush. Në këtë mënyrë do të hiqni ndryshkun sipërfaqësor nga frenat, pra do të parandaloni rënien e performancës së tyre kur t’ju nevojiten.

    Gjithashtu, dëgjoni zhurmën gjatë frenimit; nëse ka kërcitje ose fishkëllimë edhe pasi ta keni shtypur disa herë frenën, nuk do të ishte keq që një specialist t’i kontrollojë frenat.

    Rekomandohet që para një periudhe të gjatë qëndrimi, gjatë vozitjes në një sipërfaqe të thatë, gjithashtu të shtypni lehtë frenat për t’i pastruar nga papastërtitë.

  • Sindikata e shqetësuar për gjendjen financiare të RTK – Kërkojnë rritje të buxhetit dhe paralajmërojnë protesta

    Sindikata e shqetësuar për gjendjen financiare të RTK – Kërkojnë rritje të buxhetit dhe paralajmërojnë protesta

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka shprehur shqetësimin serioz për gjendjen financiare dhe institucionale në Radiotelevizioni i Kosovës dhe ka kërkuar veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

    Në komunikatën e sindikatës, është kërkuar ‘’harmonizim’’ i pagës minimale në RTK, duke qenë paga minimale në sektorin publik është rritur dhe deri në muajin korrik pritet të arrijë në 500 euro, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Njëkohësisht, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që në leximin e dytë të buxhetit të sigurojë rritje reale dhe të qëndrueshme të buxhetit për RTK-në. Rikujtojmë se RTK jo vetëm që nuk e merr financimin prej 0.7% sipas ligjit, por i janë hequr edhe 2.2 milionë euro, duke krijuar pasiguri serioze financiare dhe duke penguar zhvillimin e institucionit’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Po ashtu, në komunikatë është kërkuar gjithashtu aplikimi i pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së.

    Komunikatë:

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK)

    Sindikata e Punëtorëve e RTK-së shpreh shqetësimin serioz për gjendjen financiare dhe institucionale në Radiotelevizioni i Kosovës dhe kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

    Duke qenë se paga minimale në sektorin publik është rritur dhe deri në muajin korrik pritet të arrijë në 500 euro, kërkojmë harmonizim të menjëhershëm të pagës minimale edhe në RTK. Punëtorët e transmetuesit publik nuk mund të trajtohen ndryshe nga pjesa tjetër e sektorit publik. Çdo vonesë në këtë drejtim përbën padrejtësi dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit.

    Njëkohësisht, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që në leximin e dytë të buxhetit të sigurojë rritje reale dhe të qëndrueshme të buxhetit për RTK-në. Rikujtojmë se RTK jo vetëm që nuk e merr financimin prej 0.7% sipas ligjit, por i janë hequr edhe 2.2 milionë euro, duke krijuar pasiguri serioze financiare dhe duke penguar zhvillimin e institucionit.

    Kërkojmë gjithashtu aplikimin e pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së. Nëse kjo e drejtë realizohet për kategori të tjera në sektorin publik dhe përjashtohet RTK-ja, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim të qartë dhe shkelje të të drejtave ligjore të punëtorëve.

    Sindikata kërkon sqarim publik nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nëse është dërguar raport financiar dhe kërkesë zyrtare për rritje të buxhetit. Transparenca është detyrim institucional dhe jo zgjedhje.

    Po ashtu, kërkojmë që çdo kontratë dhe çdo vendim i marrë gjatë periudhës së pasigurisë institucionale të shqyrtohet nga Komisioni për Media dhe Komisioni për Buxhet dhe Transfere, si dhe të sigurohet kontroll i rreptë ligjor deri në konsolidimin e plotë institucional.

    Nëse këto kërkesa nuk adresohen, Sindikata e Punëtorëve e RTK-së do të fillojë protesta në ditët në vijim dhe paralelisht do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore përmes organeve të drejtësisë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

    Kërkesat tona janë të bazuara në ligj dhe në parimin e barazisë. Nuk do të pranojmë asnjë zgjidhje që i anashkalon ato.

  • Zëri i katër liderëve të UÇK-së dëgjohet përfundimisht, seanca nis në 14:15

    Zëri i katër liderëve të UÇK-së dëgjohet përfundimisht, seanca nis në 14:15

    Në orën 14:15, brenda ‘mureve të ftohta’ të Gjykatës Speciale, ku ata kanë qëndruar në paraburgim për më shumë se pesë vjet, pritet të flasin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Do të jenë fjalët e tyre përfundimtare, momenti kur zëri i secilit do të dëgjohet pas viteve të pritjes dhe pas sfidave që kanë përballuar brenda këtyre ‘mureve të rrepta’.

    Ky është çasti i fundit për ta për të thënë fjalët e tyre dhe për të lënë gjurmën e tyre në këtë proces historik.

  • Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

    Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm

    Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se klienti i tij ishte epror i Bislim Zyrapit.

    Ai tha se vetë Zyrapi ka pranuar se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    “Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai, duke përmendur këtu Naim Malokun, Sokol Bashtën dhe Rrustem Mustafën.

    Sipas tij, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit, duke pretenduar se dëshmia e Zyrapit se Krasniqi ishte epror i tij është “i pabazuar”.

    Mbrojtja e Krasniqit tha se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.

    Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se Prokuroria po ndryshon qëndrimet kur mbështet përgjegjësinë e të akuzuarve në faktin që ishin pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

    Ai tha se vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia e tyre në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument.

    Sipas tij, për kontributin për NPK përgjegjësia individuale duhet “të identifikohet individualisht”, në të kundërtën, tha ai, i bie që i gjithë rasti është kundër Shtabit të Përgjithshëm e jo ndaj katër të akuzuarve.

    Seanca ka shkuar në pauzë dhe pas pushimit, ish-eprorët e UÇK-së do të deklarohen.

    Seanca pritet të nisë në 14:15.

  • Gucati nga Haga: Pres që këta burra të lirohen në muajin maj

    Gucati nga Haga: Pres që këta burra të lirohen në muajin maj

    Kreu i shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, po e përcjellë nga afër seancën e sotme në Hagë.

    Për IndeksOnline, Gucati u shpreh se pret që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpi.

    “Duke parë zhvillimet e sotme të mbrojtjes, që është shumë e fuqishme, unë pres që në muajin maj të lirohen dhe ta bëjmë një festë të madhe në dy qendrat shqiptare: në Tiranë dhe në Prishtinë.

    Shpresoj dhe besoj fuqishëm në pafajësinë e tyre, duke e parë sot mbrojtjen që të gjitha pikat e aktakuzës i hodhën poshtë, të prokurorëve të cilët punuan dhe përpunuan dokumentacione të rrejshme dhe të falsifikuara prej njerëzve që ishin pro Serbisë” deklaroi Gucati.

    Në Hagë sot po thuhen fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor, teksa pas pauzës pritet të flasin vet çlirimtarët: Hashim Thçai, Kadri veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

  • Miratohet në komision projektligji për buxhetin 2026, kërkohet rritje e pensioneve

    Miratohet në komision projektligji për buxhetin 2026, kërkohet rritje e pensioneve

    Projektligji për buxhetin 2026 është miratuar në komisionin parlamentar të Kuvendit.

    Me diskutime të shumta, me 6 vota “për”, 0 kundër dhe 1 abstenim kaloi projektligji për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës të vitit 2026 nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.

    Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami theksoi se shmangia e buxhetit në Kuvend ka shkaktuar kufizim.

    Ndërsa anëtarja e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Sala Jashari pati një kërkesë për formulimin e një amandamenti rreth pensioneve të kategorive të ndryshme, raporton EO.

  • ‘‘Targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe’’, çka deklaroi Konjufca para Speciales

    ‘‘Targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe’’, çka deklaroi Konjufca para Speciales

    Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca nga Haga, ku shkoi për ta ndjekur ditën e fundit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka deklaruar se lufta ishte e pastër dhe e drejtë.

    Ai ka thënë edhe se procesi ka zgjatur aq shumë saqë janë shkelur të drejtat elementare të njeriut.

    ‘’Këtyre njerëzve, tashmë ata e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë sepse procesi zgjati aq shumë saqë unë pretendoj dhe gjithë pretendojmë që u shkel e drejta elementare e njeriut, e cila mbrohet me konventën e kombeve të bashkuara edhe me atë evropiane’’, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka shtuar edhe se targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe.

    Unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë që lufta jonë, e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, luftë e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatore, që bën gjenocidin në Kosovës, që vranë fëmijë, gra e pleq’’, ka thënë ai.

  • Ftesa e Trump, Edi Rama niset drejt Washingtonit

    Ftesa e Trump, Edi Rama niset drejt Washingtonit

    Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes.

    Kryeministria në një njoftim në lidhje me aktivitetin bën me dije se:

    “Pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.

    Bordi i Paqes i iniciuar nga Presidenti i SHBA-ve Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrjes së një qasje të re të guximshme për zgjidhjen e Konfliktit Global”.

  • Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’u bërë presidente

    Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’u bërë presidente

    Vjosa Osmani ka deklaruar se pret mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit për t’ia vazhduar edhe një mandat si presidente.

    Ajo ka deklaruar se përveç të zgjedhurve të popullit pret që të njëjtën gjë do ta bëjën edhe liderët e partive politike.

    “Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia duan të mirën Kosovës, pa dallim. Kur po flas për deputetët po i përfshij edhe liderët e atyre deputetëve”, ka deklaruar ajo.

    Ndërkaq raportet me kryeministrin Albin Kurti ajo i ka cilësuar si të mira.

    “Kemi raport të mirë, institucional, bashkëpunojmë për çështje që janë në interes të Kosovës dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”, ka thënë presidentja.

  • Rama akuzon Qeverinë për përdorim politik të buxhetit ndaj qytetarëve të Prishtinës

    Rama akuzon Qeverinë për përdorim politik të buxhetit ndaj qytetarëve të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ashpër për mospërfshirjen e Buxhetit të Kryeqytetit në Buxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar këtë si një vendim politik dhe jo thjesht një vonesë administrative.

    “Buxheti i Kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e Kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin”, ka deklaruar Rama në postimin e tij në Facebook.

    Ai ka ngritur pyetje për motivet e Qeverisë, duke thënë: “Pse nuk po përfshihet në Buxhetin e vitit 2026? A është kjo hakmarrje politike? A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit? A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?”.

    Rama ka theksuar se Qeveria ka “obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e Kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve”.

    “Prishtina nuk është pronë e askujt. Është Kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake. Nëse Qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-tës, atëherë le ta thotë hapur: Po i ndëshkojmë qytetarët sepse nuk kanë votuar neve! Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje”, përfundon Rama.