ATV

Author: K.B.

  • LDK ultimatum Qeverisë, nuk e votojnë buxhetin nëse nuk shtohen amendamentet e tyre

    LDK ultimatum Qeverisë, nuk e votojnë buxhetin nëse nuk shtohen amendamentet e tyre

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se nuk e votojnë buxhetin, nëse nuk shtohen 21 amandamentet.

    Ajo kërkoi që amandamentet e propozuara të hidhen në votim, sepse përndryshe nuk e votojnë shqyrtimin e dytë.

    “Ne si grup parlamentar i kemi paraqitur 21 amandamente dhe nuk kanë kaluar përmes komisionit ëpr buxhet, andaj iu bëjmë thirrje t’i vëni amandamentet tona në votim, sepse besojmë që adresojnë probleme reale të qytetarëve. Përndryshe, buxhetin nuk e votojmë.” – tha Lushaku – Sadriu.

  • Nagavci: VV mbështet buxhetin 2026 dhe amendamentet për Prishtinën e Shtimen

    Nagavci: VV mbështet buxhetin 2026 dhe amendamentet për Prishtinën e Shtimen

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci, deklaroi në seancën plenare ku po shqyrtohet Projektligji për Buxhetin 2026 se subjekti që ajo përfaqëson e mbështet këtë projektligj në lexim të dytë, sipas propozimit të Qeverisë.

    Ajo tha se grupi parlamentar mbështet edhe amendamentet e dakorduara me Ministria e Financave, të cilat, sipas saj, adresojnë çështje që lidhen me buxhetin e Prishtinës dhe Shtimes.

    “Grupi parlamentar i LVV mbështet projektligjin për buxhetin 2026 për lexim të dytë sipas propozimit të Qeverisë. Mbështesim edhe amendamentet në dakordim me Ministrinë e Financave, të cilat adresojnë buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe Shtimes”, tha Nagavci.

  • PDK: 32 amendamentet tona u refuzuan nga VV-ja, nuk do ta mbështesim buxhetin e vitit 2026

    PDK: 32 amendamentet tona u refuzuan nga VV-ja, nuk do ta mbështesim buxhetin e vitit 2026

    Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se janë refuzuar të 32 amandamentet, të cilat Grupi Parlamentar i PDK-së i propozoi për buxhetin e Kosovës.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu tha se amandamentet e propozuara nuk e kanë marrë mbështetjen e VV-së, dhe për rrjedhojë tha se buxheti për vitin 2026 nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së.

    “PDK me 32 amendamente e saj, të cilat i ka propozuar duke bërë përpjekje të bëjë këtë buxhet sa më të plotë, gjithëpërfshirës nuk ka gjetë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Janë amendamente që kanë të bëjnë me paga më të mira, siguri më të madhe, investime konkrete në shëndetësi, arsim, bujqësi, infrastrukturore. Kemi propozuar edhe amendamente që kanë të bëjnë me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat në sektorin publik.

    Kemi pasur edhe amendament që kërkon rritjen e fondeve për mbështetjen në mbrojtje juridike në proceset gjyqësore në Hagë që lloftarët tanë në Hagë të sigurohen që të kenë një mbrojtje dinjitoze. Ne nuk kemi arritur që për to të marrim mbështetjen e partisë së udhëheqë me vendin dhe si i tillë, ky buxhet do të jetë i mangët, buxhet që nuk përfaqëson barazinë dhe ka probleme, përmbajtjesore, strukturore dhe si i tillë nuk do ta ketë mbështetjen e PDK-së”, tha Deliu.

  • Zlatan Elek jep dorëheqje nga pozita e deputetit të Kosovës

    Zlatan Elek jep dorëheqje nga pozita e deputetit të Kosovës

    Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

    Kështu u bë e ditur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    Ai është zëvendësuar nga Branislav Nikoliq, ku ky i fundit bëri sot betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës.

  • Nis seanca për buxhetin 2026

    Nis seanca për buxhetin 2026

    Seanca plenare për buxhetin 2026 ka nisur punimet në Kuvendin e Kosovës.

    Të zgjedhurit e popullit sot e kanë në duart e tyre ta votojnë ose jo shqyrtimin e dytë të këtij projektligji.

    Ndryshe, të enjten në Klan Kosova, nënkryetarja e Kuvendit Vlora Çitaku, tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë buxhetin e këtij viti.

  • Nora Arapi-Krasniqi emërohet zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit

    Nora Arapi-Krasniqi emërohet zëvendësministre e Kulturës dhe Turizmit

    Kryeministri Albin Kurti ka emëruar Nora Arapi-Krasniqin në pozitën e zëvendësministres së parë të Kulturës dhe Turizmit.

    “Nora Arapi Krasniqi është arkitekte dhe specialiste e konservimit të trashëgimisë kulturore me mbi 15 vjet përvojë profesionale në ruajtjen dhe rijetësimin e monumenteve kulturore, me fokus në integrimin e konservimit në zhvillim të qëndrueshëm urban dhe inovacionin kulturor. Gjatë mandatit të kaluar, znj. Arapi Krasniqi ka shërbyer si Këshilltare e Lartë e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me rol kyç në hartimin e politikave kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm dhe menaxhim të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

    ZKM shtoi se Kurti e uroi atë për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të saj.

  • Këshillat që duhet t’i keni parasysh në iftar pas agjërimit gjatë ditës

    Këshillat që duhet t’i keni parasysh në iftar pas agjërimit gjatë ditës

    Ramazani është një muaj i shenjtë gjatë të cilit njerëzit agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, dhe një ditë e gjatë pa ushqim apo ujë mund t’ju bëjë natyrshëm shumë të uritur në iftar.

    Megjithatë, kjo uri e madhe shpesh mund të çojë në tepricë në ushqim, gjë që mund të mos jetë e mirë për shëndetin.

    “Të ngrënit shumë dhe me shpejtësi mund të çojë lehtësisht në probleme me tretjen si fryrje, aciditet, diarre, gazra apo urth. Shumë njerëz zgjedhin ushqime jo të shëndetshme që mund t’i bëjnë të ndihen të plogësht. Është thelbësore të bëhen zgjedhje të shëndetshme dhe të hahet me vetëdije për të qëndruar të shëndetshëm dhe energjikë gjatë Ramazanit”, ka pohuar eksperti Dr.Meghraj Ingle.

    Këshilla për të ngrënë me kujdes gjatë Ramazanit

    Filloni me hurma dhe ujë:

    Kur të prishni agjërimin, filloni ngadalë me hurma ose ujë. Hurmat ndihmojnë në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe i japin trupit energjinë e nevojshme pa e mbingarkuar sistemin tretës. Pirja e ujit pas një periudhe të gjatë agjërimi ndihmon në hidratim dhe përgatit stomakun për ushqimin.

    Hani ngadalë dhe përtypeni mirë ushqimin:

    Sigurohuni që të hani ngadalë dhe të përtypni mirë. Të ngrënit me shpejtësi mund të çojë në ngrënie së tepërmi, sepse trurit i duhet kohë për të kuptuar ndjesinë e ngopjes. Përtypja e mirë ndihmon tretjen dhe lejon trupin të përthithë lëndët ushqyese të nevojshme. Merrni kafshata të vogla në vend të atyre të mëdha.

    Shmangni ushqimet e skuqura dhe të rënda:

    Pas agjërimit është e rëndësishme të bëni zgjedhje të kujdesshme. Ushqimet e skuqura mund të duken joshëse, por ato mund të shkaktojnë aciditet, gazra dhe fryrje. Vaktet e rënda e mbingarkojnë sistemin tretës dhe ju bëjnë të ndiheni të lodhur. Zgjidhni ushqime të lehta dhe të shëndetshme në vend të atyre të përpunuara apo “fast food”.

    Kontrolloni sasinë e porcioneve:

    Çelësi për të shmangur teprimin është të hani në sasi të kontrolluara. Në vend të vakteve të rënda, zgjidhni vakte më të lehta dhe me porcione të vogla. Agjërimi i gjatë mund t’ju bëjë të dëshironi të hani më shumë seç duhet, por ngrënia me masë ndihmon në shmangien e problemeve me tretjen.

    Kufizoni ushqimet me shumë sheqer dhe ëmbëlsirat:

    Konsumimi i tepërt i sheqerit mund të rrisë nivelin e sheqerit në gjak, i cili më pas pasohet nga rënie e energjisë dhe lodhje e madhe. Në vend të ëmbëlsirave të përpunuara, zgjidhni alternativa më të shëndetshme si fruta, hurma apo kos.

  • Kusari-Lila: Projektligji për çmimet tavan i domosdoshëm, do të adresojmë edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese

    Kusari-Lila: Projektligji për çmimet tavan i domosdoshëm, do të adresojmë edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari –Lila bëri të ditur se sot nënshkroi inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).

    Kusari-Lila theksoi se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.

    Lexoni të plotë postimin:

    Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).

    Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.

    Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me:

    – rritje të papritura të çmimeve

    – mungesë të produkteve themelore

    – çrregullime në furnizim

    Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik.

    Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide.

    Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik.

  • Kurti në 37-vjetorin e grevës së minatorëve: Akti rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë

    Kurti në 37-vjetorin e grevës së minatorëve: Akti rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar grevën e minatorëve të Trepçës, para 37 vitesh, si kontribut i dhënë ndër gjenerata për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

    Megjithëse kërkesat e minatorëve nuk ishin realizuar, Kurti shkroi se greva e minatorëve në Stantërg, ishte akti i parë i gjerë rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë të udhëhequr nga Serbia e Millosheviqit, periudhë kjo që kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.

    “Të shqetësuar për fatin politik të shqiptarëve në Jugosllavi dhe për cënimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome dhe element konstituiv në kuadër të asaj federate, minatorët ishin në grevë nga 20 deri më 28 shkurt, duke këmbëngulur në 10 kërkesa të tyre që shkonin deri tek ajo që çështja e shqiptarëve në Jugosllavi të shqyrtohej edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Kjo nuk ishte hera e parë që komuniteti i minatorëve organizohej me kërkesa politike, meqë tre muaj më parë, më 17 nëntor 1988, minatorët e Trepçës marshuan në këmbë nga Stantërgu deri në Prishtinë, me thirrje për t’u përfillur politikisht klasa punëtore. Kurse qysh më 28 shtator 1983, minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari, e kishin shkruar në muret e menzës së punëtorëve parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”.”

    Prandaj, ai shtoi se të gjithë brezat do të kujtohet çdo ditë, sepse e kaluara dhe historia, janë themeli i shtëpisë politike: Republikës së Kosovës, raporton Klankosova.tv

    “Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve, teksa përdori të deleguar dhe manovrime mashtruese të ndryshme për t’i dhënë fund grevës. Më 1 mars 1989, minatorët grevistë dolën nga zgafella e tetë dhe e nëntë, miniera u mbyll, kurse 15 minatorë u arrestuan dhe u dënuan me nga 14 muaj burgim. Tre javë më pas, më 23 mars 1989, Serbia ia suprimoi autonominë Kosovës, duke i hapur rrugë instalimit të apart’heidit në Kosovë. Megjithëse kërkesat e minatorëve nuk ishin realizuar, greva e minatorëve në Stantërg, ishte akti i parë i gjerë rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë të udhëhequr nga Serbia e Millosheviqit, periudhë kjo që kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.”

  • Shënohet 37-vjetori i grevës së minatorëve të “Trepçës”

    Shënohet 37-vjetori i grevës së minatorëve të “Trepçës”

    Sot shënohet 37-vjetori i grevës së minatorëve të “Trepçës” të vitit 1989, një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës politike dhe shoqërore të shqiptarëve në Kosovë, e cila do të përkujtohet në mensën e minatorëve në Stan Tërg, në Mitrovicë, duke filluar nga ora 11:00.

    Greva e minatorëve të “Trepçës”, e nisur më 20 shkurt 1989, u organizua si reagim ndaj shfuqizimit të autonomisë kushtetuese të Kosovës nga regjimi i atëhershëm i Serbisë dhe u shndërrua në simbol të qëndresës qytetare, sakrificës dhe unitetit kombëtar.

    Me ngujimin e tyre në thellësitë e minierës, minatorët tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar, duke i dhënë zë kundërshtimit ndaj politikave shtypëse dhe duke frymëzuar protesta masive në mbarë Kosovën.