ATV

Author: K.B.

  • Hidhet shorti i Kupës së Kosovës, këto janë përballjet

    Hidhet shorti i Kupës së Kosovës, këto janë përballjet

    Kupa e Kosovës hyn në fazën vendimtare, me katër përballje interesante që premtojnë rivalitet, emocione dhe luftë për gjysmëfinale.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka zyrtarizuar çiftet e çerekfinaleve të Kupës së Kosovës, duke sjellë përballje të forta mes skuadrave të Superligës dhe atyre që kërkojnë befasi në këtë fazë të garës.

    Vëmendja kryesore pritet të jetë në Suharekë, ku Ballkani përballet me Gjilani. Një duel mes dy emrave të mëdhenj të futbollit kosovar, që premton intensitet, cilësi dhe emocione deri në vërshëllimën e fundit.

    Në Podujevë, Llapi pret Malishevën. Vendasit synojnë të shfrytëzojnë përvojën dhe terrenin e tyre, ndërsa mysafirët vijnë me ambicie të qarta për të vazhduar rrugëtimin në Kupë.

    Në Klinë, Dukagjini do të përballet me Feronikelin ‘74 në një duel ku të dy ekipet synojnë historinë. Një ndeshje e hapur, ku detajet pritet të bëjnë diferencën dhe ku kualifikimi mbetet i paparashikueshëm.

    Një tjetër përballje interesante zhvillohet mes Ferizajt dhe Vushtrrisë, ku përballen dy skuadra me objektiva të ndryshme, por me të njëjtin synim: kalimin në gjysmëfinale.

    Me këto çifte, Kupa e Kosovës konfirmon edhe një herë se është gara e befasive. Çdo ndeshje është finale më vete, ndërsa katër skuadrat fituese do të sigurojnë një vend në gjysmëfinale dhe një hap më afër trofeut.

    Çiftet çerekfinale të Kupës së Kosovës

    Dukagjini – Feronikeli 74

    Llapi – Malisheva

    Ferizaj – Vushtrria

    Ballkani – Gjilani

  • Viktimat e Epstein do paguhen 35 milionë dollarë si pjesë e marrëveshjes

    Viktimat e Epstein do paguhen 35 milionë dollarë si pjesë e marrëveshjes

    Organi që menaxhon pasurinë e autorit të dënuar të krimit seksual, Jeffrey Epstein, ka rënë dakord të paguajë 35 milionë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive që akuzon gjithashtu dy nga ish-këshilltarët e tij për ndihmë në trafikimin e grave të reja dhe vajzave adoleshente për shfrytëzim seksual.

    Padia e vitit 2024 u ngrit kundër ish-avokatit personal Darren Indike dhe ish-kontabilistit Richard Kahn, të cilët prokurorët pretendojnë se e ndihmuan Epsteinin të fshihte abuzimin e tij përmes një rrjeti kompleks korporatash dhe llogarish bankare, raportoi Reuters.

    Firma ligjore “Boys Schiller Flexner” përfaqëson viktimat.

    Duke pranuar marrëveshjen e pranimit të fajësisë, Indika dhe Khan nuk e pranojnë fajin, tha avokati i tyre, Daniel H. Weiner.

    Epstein vdiq në një burg të Nju Jorkut në gusht 2019 dhe vdekja u cilësua si vetëvrasje.

    Organi që menaxhon pasurinë e Epsteinit më parë pagoi 121 milionë dollarë përmes një fondi për dëmshpërblimin e viktimave dhe 49 milionë dollarë shtesë në marrëveshje të tjera, shkruan Euronews.al.

    Zgjidhja pritet të ofrojë lehtësim shtesë për viktimat që ende nuk kanë marrë kompensim dhe mbyll një tjetër mosmarrëveshje ligjore që përfshin pasurinë e financierit kontrovers.

  • Rexhepi njofton: Arrestohet personi i dyshuar për vrasjen e aktivistit boshnjak më 2010

    Rexhepi njofton: Arrestohet personi i dyshuar për vrasjen e aktivistit boshnjak më 2010

    Deputetja boshnjake nga Partia e Re Demokratike, Emilia Rexhepi, ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e aktivistit boshnjak Shefko Salkoviq, e cila ndodhi në vitin 2010 në Leposaviq.

    Rexhepi ka theksuar se arrestimi i të dyshuarit, Jugosllav Petroviq, 16 vjet pas krimit, është një sinjal i rëndësishëm që shteti i Kosovës nuk i harron viktimat e strukturave kriminale.

    “Pas 16 vjetësh nga krimi, arrestohet një person (Jugosllav Petroviq), i dyshuar për vrasjen e Shefko Salkoviqit dhe plagosjen e kolegut të tij. Ky hap paraqet një sinjal të rëndësishëm dhe pozitiv se shteti i Kosovës, përkundër pengesave të shumta politike dhe të sigurisë, nuk i harron viktimat e strukturave kriminale dhe se ka vullnet institucional për të hedhur dritë edhe në rastet më të vështira”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.

    Deputetja ka theksuar rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e institucioneve për të zbardhur rastet e vështira, edhe pas shumë viteve nga kryerja e veprës penale.

    Ky zhvillim shihet si një sinjal i qartë për mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe përparimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

  • Refuzohen gjashtë amandamentet e propozuara nga Musliu-Shoshi, reagon deputetja e PDK-së

    Refuzohen gjashtë amandamentet e propozuara nga Musliu-Shoshi, reagon deputetja e PDK-së

    Kuvendi i Kosvës sot po mban seancën plenare, ku në rend dite është shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

    Në lidhje me këtë ka reaguar deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi, pasi që gjashtë amandamentet e propozuara nga ajo, nuk janë marrë parasysh.

    Musliu-Shoshi ka thënë se ka dorëzuar gjashtë amandamente konkrete, që prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve, funksionimin e institucioneve dhe dinjitetin e shtetit.

    Ndërkaq ka pohuar se asnjë propozim i amandamenteve nga opozita nuk ka hasur në mbështetje të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

    “Në kuadër të shqyrtimit të Buxhetit 2026, kam dorëzuar 6 (gjashtë) amendamente konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, funksionimin e institucioneve dhe dinjitetin e shtetit. ASNJË nga këto propozime por edhe asnjë propozim i amandamenteve nga opozita nuk kanë hasur në mbështetje të Komisionit për Buxhet dhe Financa, sidoqoftë, angazhimi im mbetet i qartë: më shumë drejtësi sociale, më shumë investime të mençura dhe më shumë dinjitet për qytetarët tanë”, ka thënë Musliu-Shoshi.

    Postimi i plotë i Musliu-Shoshi:

    Në kuadër të shqyrtimit të Buxhetit 2026, kam dorëzuar 6 (gjashtë) amendamente konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, funksionimin e institucioneve dhe dinjitetin e shtetit.

    ASNJË nga këto propozime por edhe asnjë propozim i amandamenteve nga opozita nuk kanë hasur në mbështetje të Komisionit për Buxhet dhe Financa, sidoqoftë, angazhimi im mbetet i qartë: më shumë drejtësi sociale, më shumë investime të mençura dhe më shumë dinjitet për qytetarët tanë.

    Radio Televizioni i Kosovës (RTK)

    Falja e kredisë: 2,540,000 € (me interes 4%)

    Paga e 13-të për punonjësit: 600,000 €

    Festivali i Këngës në RTK: 400,000 €

    Transmetimi i ndeshjeve të Kombëtares: 200,000 €

    Implikimet nga rritja e pagës minimale: 100,000 €

    Investime kapitale:

    Teknologji studio: 850,000 €

    Teknologji mobile: 200,000 €

    Transmetim & lidhje: 100,000 €

    Investime energjetike: 200,000 €

    Renovime & inventarizim: 50,000 €

    Blerje automjetesh: 200,000 €

    OB Van (regji mobile profesionale): pjesë e investimit të përgjithshëm prej rreth 4.5 milion €

    RTK ka buxhet aktual prej 8,960,000 €, i pamjaftueshëm për obligimet dhe zhvillimin teknologjik.

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM)

    Gjenerator: 75,000 €

    Tri vetura: 110,000 €

    Rritje e stafit civil: 27 punëtorë të rinj

    Me përgjegjësi të shtuara dhe ligj të ri, KPM duhet të ketë kapacitete reale për mbikëqyrje profesionale.

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC)

    Buxheti aktual 2026: 666,453 €

    Kërkesë shtesë: 272,769.82 €

    Paga & mëditje për 18 zyrtarë: 172,769.82 €

    Mallra & shërbime (pajisje për 11 anëtarë të rinj + shpenzime): 100,000 €

    Buxheti total i kërkuar: 885,150.81 €

    Ky institucion ka trajtuar mbi 2,332 ankesa, me vetëm 7 bashkëpunëtorë profesionalë, kjo është arsyeja pse rritja e kapaciteteve është e domosdoshme.

    Për familjet e dëshmorëve , ndërtimi i objekteve banesore në Skenderaj

    Kam kërkuar 2 milionë euro shtesë për vazhdimin e ndërtimit të objekteve banesore. Ky nuk është vetëm projekt ndërtimor por është obligim moral dhe institucional ndaj sakrificës për liri.

    Qendra e Kujdesit Paliativ (Hospis) – 5 milionë euro

    Kosova ende nuk ka një qendër të tillë. Kam propozuar ndërtimin e saj për të garantuar kujdes dinjitoz, profesional dhe njerëzor për pacientët me sëmundje të pashërueshme.

    Qendra për fëmijët me autizëm, sindrom Down dhe nevoja të veçanta – 700 mijë euro

    Një investim i domosdoshëm për përfshirje, mbështetje profesionale dhe lehtësim real për familjet.

    Këto amendamente nuk janë shifra në letër. Janë kërkesa që burojnë nga takimet me ju, nga shqetësimet dhe nevojat reale në terren.

  • Emily Ratajkowski konfirmon romancën me ish-partnerin e Dua Lipës

    Emily Ratajkowski konfirmon romancën me ish-partnerin e Dua Lipës

    Modelja e njohur amerikane, Emily Ratajkowski ka konfirmuar zyrtarisht lidhjen e saj të re me regjisorin francez Romain Gavras, përmes një postimi në Instagram më 19 shkurt.

    Ajo publikoi një seri fotosh ku shfaqet pranë partnerit të saj të ri, duke e bërë publike romancën.

    Në njërën prej tyre, çifti shihet duke u puthur, ndërsa në imazhe të tjera ata pozojnë së bashku në ambientet e një restoranti dhe në rrugët me borë të New York City.

    Emily dhe Romain u panë për herë të parë bashkë në nëntor të vitit të kaluar në New York, ku u fotografuan duke shkëmbyer puthje.

    Romain Gavras ka qenë më herët në një lidhje me këngëtaren me origjinë shqiptare Dua Lipa.

    Ish-çifti u shfaq disa herë bashkë në evente të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe tapetin e kuq të Cannes Film Festival në vitin 2023, si dhe gjatë Paris Fashion Week. Lidhja e tyre zgjati rreth një vit.

    Nga ana tjetër, Emily Ratajkowski ka qenë më parë e martuar me producentin e filmave Sebastian Bear-McClard, me të cilin ka një djalë katërvjeçar. Pas divorcit, ajo është përfolur për lidhje me këngëtarin Harry Styles dhe komedianin Pete Davidson.

    Regjisori Gavras njihet për filmat Athena dhe Sacrifice, si dhe për bashkëpunime në videoklipe muzikore me artistë ndërkombëtarë si Jay-Z dhe M.I.A.. Ai ka drejtuar gjithashtu fushata për marka të njohura si Dior dhe Louis Vuitton.


  • Hamza për minatorët: Sakrifica e tyre ishte frymëzim drejt lirisë dhe pavarësisë

    Hamza për minatorët: Sakrifica e tyre ishte frymëzim drejt lirisë dhe pavarësisë

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, 37-vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës, e kujtoi si moment të rëndësishëm të qëndresës kombëtare.

    Sakrifica e tyre, Hamza tha se ishte frymëzim në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

    “Duke ngritur zërin për dinjitet dhe për të drejtat e popullit tonë, minatorët u bënë simbol i guximit dhe solidaritetit. Sakrifica e tyre ishte frymëzim në rrugën tonë drejt rezistencës, lirisë dhe pavarësisë.”

    Sot, detyra jonë është ta ruajmë, ta forcojmë dhe ta zhvillojmë shtetin e Kosovës, duke garantuar drejtësi, barazi dhe mundësi për çdo qytetar, pa dallim.

  • Deputeti Behrami: PDK në pesë vitet e fundit ka rekomanduar mbi 350 amandamente, asnjë nuk ka kaluar

    Deputeti Behrami: PDK në pesë vitet e fundit ka rekomanduar mbi 350 amandamente, asnjë nuk ka kaluar

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami ka numëruar se përgjatë pesë viteve të fundit, kjo parti ka rekomanduar mbi 350 amandamente dhe se asnjë nga to nuk ka kaluar. E për këtë ai kërkon që të përfundojë logjika e dominimit dhe diktatit.

    “PDK në pesë vitet e fundit ka rekomanduar mbi 350 amandamente. Asnjë nuk ka kaluar! Logjika e dominimit dhe diktatit duhet të përfundojë”, ka shkruar Behrami.

  • Pas syzeve inteligjente, Meta përgatit një orë dore me asistent IA

    Pas syzeve inteligjente, Meta përgatit një orë dore me asistent IA

    Meta Platforms, pronare e Facebook dhe Instagram, planifikon të lançojë orën e saj të parë inteligjente në vitin 2026.

    Pajisja, e cila po zhvillohet si pjesë e programit “Malibu 2”, do të integrojë asistentin e inteligjencës artificiale Meta AI dhe do të ofrojë funksione monitorimi të shëndetit të përdoruesit.

    Ideja nuk është e re. Meta e konsideroi lançimin e një telefoni inteligjent pesë vjet më parë, por e anuloi këtë përpjekje në vitin 2022 për shkak të shkurtimeve në Reality Labs, laboratorin e zhvillimit të metaverse të kompanisë.

    Zhvillimi shënon një ndryshim nga kompanitë e teknologjisë drejt pajisjeve të inteligjencës artificiale që vishen, shumë prej të cilave janë projektuar posaçërisht për aplikime shëndetësore dhe fitnesi.

    E gjitha filloi me syzet inteligjente me inteligjencë artificiale të zhvilluara nga Meta në bashkëpunim me Ray-Ban , një kompani optike që i përket grupit EssilorLuxottica. Shitjet janë rritur këtë vit në gati 6 milionë njësi, sipas të dhënave nga kompania Smart Analytics Global.

    Meta po zhvillon tani katër modele të tjera të syzeve me IA, duke vënë në dukje se kompania po planifikon me kujdes kohën në mënyrë që publikimi i modeleve të shumta të mos përkojë në të njëjtën periudhë.

    Në dhjetor, punonjësit e Reality Labs u informuan se lançimi i syzeve të realitetit të përzier Phoenix do shtyhej për në vitin 2027.

    Muajin e kaluar, Meta njoftoi se po pezullonte lançimin e syzeve të saj Display në tregjet e reja për shkak të kërkesës së lartë në SHBA.

  • ‘Nostradamusi i Ri’ ndan pesë parashikime të frikshme për vitin 2026

    ‘Nostradamusi i Ri’ ndan pesë parashikime të frikshme për vitin 2026

    Craig Hamilton-Parker, i njohur dhe i cilësuar nga disa si “Nostradamusi i ri”, ka lëshuar një sërë parashikimesh tronditëse për vitin 2026.

    Parker, parashikimet e të cilit përfshinin vdekjen e Mbretëreshës Elizabetë dhe pandeminë Covid-19, ka tërhequr një numër ndjekësish globalë për shkak të vizioneve të tij të detajuara të trazirave politike, mjedisore dhe sociale.

    Ai pretendon se mund të shohë në të ardhmen.

    Tani Parker ka ndarë atë që e sheh si një vit të trazuar përpara, me kriza që variojnë nga politika te fatkeqësitë natyrore dhe aleancat globale në ndryshim.

    Më poshtë janë pesë parashikimet e tij.

    Një mandat i tretë për Donald Trumpin

    Një shikues në kanalin e Parkerit në YouTube e pyeti së fundmi atë rreth mundësisë që Donald Trump të kërkojë një mandat të tretë apo edhe të katërt.

    Parker, i cili e parashikoi këtë për herë të parë gjatë mandatit të dytë të Trumpit, paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund të përkojnë me kriza globale që mund t’i bëjnë të pamundura proceset standarde kushtetuese.

    “Për të përsëritur atë që thashë në atë kohë, ndjeva se do të kishte një konflikt të madh global, ndoshta duke përfshirë Tajvanin”, shpjegoi Parker.

    “Duke e parë tani, mund të jetë çdo konflikt global. E di që shumë njerëz e kanë kritikuar këtë, duke thënë se nuk mund të kesh një mandat të tretë sepse është shkruar në Kushtetutë – por kush e di? Gjërat kanë ndryshuar kaq shumë në botë”, shtoi ai.

    Ai përmendi zhvillimet e fundit ndërkombëtare për të ilustruar se si skenarët e pamundur janë bërë realitet.

    “Kush do ta kishte imagjinuar mundësinë e pushtimit të Grenlandës, ose rrëmbimit të udhëheqësit të një vendi, siç ka ndodhur në Venezuelë? Bota po ndryshon me shpejtësi”, vazhdoi “Nostradamusi i ri”.

    Parker parashikon se fuqitë e emergjencës mund të aktivizohen në vitin 2026, duke i lejuar potencialisht Trumpit të qëndrojë në detyrë nëse situata globale konsiderohet shumë e rrezikshme për zgjedhje standarde.

    “Do të ndodhë diçka që përmbys rregullat ekzistuese dhe ajo periudhë do të jetë një kohë konflikti të madh”, tha ai.

    Re gazi mbi Japoni

    Parker paralajmëroi gjithashtu për një re gazi potencialisht katastrofike mbi Japoninë në vitin 2026, një parashikim që ai e regjistroi për herë të parë në librin e tij të vitit 2015 “Mesazhe nga Universi”.

    “Leximet e mia më sugjeruan që ta paralajmëroja botën për një vend që po mbulohej plotësisht nga një re gazi”, shpjegoi ai.

    “Kohët e fundit, kanë dalë informacione që konfirmojnë Japoninë si vendndodhjen e mundshme, me një kohë të përafërt prej gushtit 2026. Madje kemi edhe një vendndodhje të përafërt në veri të vendit”, shtoi Parker.

    Ai thotë se po e ndan këtë për të inkurajuar njerëzit të luten dhe të mendojnë pozitivisht.

    Ai ngriti gjithashtu mundësinë që katastrofa të mund të përkeqësohej qëllimisht.

    “A mund të përdoret diçka si një bombë për të intensifikuar një re gazi ose aktivitet vullkanik? Kjo do të sugjeronte një formë të fshehtë sulmi”, sipas Parker.

    Duke e përkeqësuar rrezikun, ai paralajmëron për një sulm kibernetik.

    “Në vitin 2026, mund të ketë një ngjarje të madhe kibernetike që do të shkaktojë përçarje financiare, duke ndikuar në kriptovaluta, industri dhe madje edhe në tregun e Inteligjencës Artificiale. Ari mund të rritet dhe pastaj të bjerë. Duhet të jemi të kujdesshëm.”

    Irani

    Duke iu referuar Lindjes së Mesme, Parker foli për parashikimet e tij të kahershme në lidhje me Iranin.

    Ai kishte parashikuar më parë një sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane, i cili tashmë ka ndodhur. Tani, ai parashikon një sulm të dytë.

    “Unë besoj se kjo do të ndodhë në mars të vitit 2026”, tha ai.

    “Do të shohim sulme shumë të synuara – jo vetëm ndaj udhëheqjes, por edhe ndaj objekteve të mbetura bërthamore, sepse ato nuk mund të lihen të paprekura. Edhe nëse vendi kalon në demokraci, pyetja do të mbetet nëse Irani mund të jetë ende një fuqi bërthamore. Revolucionet nuk çojnë gjithmonë në rezultatet që njerëzit shpresojnë; ndonjëherë regjimet më të këqija marrin kontrollin. Nuk po them se kjo do të ndodhë këtu, por është një rrezik”, ka parashikuar Parker.

    Gjithashtu, ai përshkroi një fushatë të shpejtë dhe të përqendruar, duke përfshirë sulme të mundshme në Jemen.

    “Do të përshkallëzohet shpejt, pastaj do të ndalet. Një goditje e papritur. Nuk ndiej trupa në terren – përkundrazi, sulme ajrore dhe veprime të shpejta”, tha ai.

    Megjithatë, Parker sheh një transformim pozitiv.

    “Duke dërguar mendime pozitive që populli iranian më në fund të çlirohet nga tirania dhe që një Iran i ri mund të lindë – ekonomikisht dhe me liri dhe të drejta për gratë. Kjo e ardhme do të vijë, por ka sfida përpara.”

    Grenlanda

    Pyetjet rreth të ardhmes së Grenlandës, veçanërisht nëse ajo mund të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, i kanë shqetësuar gjithashtu ndjekësit e Parkerit.

    Ai beson se situata ka të bëjë kryesisht me burimet dhe jo me pushtimin ushtarak.

    “Reagimi im i parë ishte se kjo ka pak të bëjë me ushtrinë, edhe pse Grenlanda është strategjikisht e rëndësishme”, shpjegoi ai.

    “Në të vërtetë ka të bëjë me pasuri të paluajtshme – rezerva nafte dhe, më e rëndësishmja, metale të rralla të tokës. Zhvillimi dhe përpunimi i këtyre burimeve është i vështirë, gjë që i bën burimet e reja jashtëzakonisht të vlefshme”, shtoi Parker.

    Ai parashikon se interesat e SHBA-së në fund të fundit do të sigurojnë marrëveshje ekonomike në vend që të nisin një pushtim.

    “Kjo duket më shumë si presion dhe pozim që do të kulmojë në një marrëveshje të madhe ekonomike. Do të arrihet një marrëveshje, që potencialisht përfshin pagesa shumë të mëdha të lidhura me burimet e Grenlandës”, sipas Parker.

    Në përgjithësi, Parker beson se rezultati i Grenlandës do të përfshijë negociata dhe marrëveshje strategjike, me përfitimet ekonomike që në fund të fundit do të jenë më të mëdha se kundërshtimet politike.

    NATO, ndryshimet globale të fuqisë dhe Kina

    Së fundmi, Parker trajtoi pamjen më të gjerë të fuqisë globale.

    Ai beson se NATO po fillon të lëkundet dhe një organ i ri botëror mund të shfaqet rreth vitit 2030.

    “Asnjë vend i vetëm nuk dëshiron barrën e kontrollit të botës”, tha Parker.

    “OKB-ja ka qenë gjithmonë e pafuqishme, duke ndërhyrë me vonesë. Mendoj se do të dalë një organizatë e re, ndoshta nga ndryshimet në NATO, OKB dhe iniciativat e Trumpit, për të ruajtur paqen përmes menaxhimit të konflikteve. Kjo mund të lidhet me konflikte të mundshme që përfshijnë SHBA-në dhe Kinën”, tha ai.

    Pavarësisht këtyre parashikimeve të frikshme, Parker i nxiti ndjekësit e tij të ruanin optimizmin.

    “Ne duhet të përqendrohemi në mendime pozitive. Në fund të fundit, një botë më e qëndrueshme do të dalë pas këtyre kohërave të trazuara, por ne po dëshmojmë fazat e fundit të epokës së vështirë përpara se të vijë një më e mirë”, përfundoi ai.

  • Dështon rezoluta në Komision për krerët e UÇK-së, deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen

    Dështon rezoluta në Komision për krerët e UÇK-së, deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen

    Në Komisionin për politikë të jashtme në Kuvend dështoi miratimi i propozim rezolutës për respektimin e standardeve të procedurave penale kundër ish krerëve të UÇK-së.

    Deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen e komisionit duke pamundësuar miratimin e Rezolutës.

    Të pranishëm ishin vetëm deputetët e Frontit Evropian, Vlen, ASH dhe deputeti Rexhep Ismail nga e Majta. Sipas deputetëve shqiptarë, mos prezenca e deputetëve maqedonas është i qëllimshëm. Debati është prolonguar në një kohë të pacaktuar.

    Vlen të theksohet se anëtar shqiptar me të drejtë vote në këtë komision janë deputetët Merita Koxhaxhiku dhe Skender Rexhepi. Ilire Dauti është zv. anëtare që sot ishte si një nga propozuesit e rezolutës.

    Nuk ka deputet shqiptar anëtar të komisionit në fjalë qe nuk kanë marr pjesë, komisioni u bojkotua vetëm nga deputetët maqedonas.