ATV

Author: K.B.

  • Dy të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë mbrohen në heshtje, i treti do të deklarohet në seancën e radhës

    Dy të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë mbrohen në heshtje, i treti do të deklarohet në seancën e radhës

    Dy prej të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq – kanë vendosur të mbrohen në heshtje. Përderisa Dushan Maksimoviq pritet të deklarohet në seancën e radhës.

    Kjo ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore, ku trupi gjykues i përbërë nga kryetari Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donika Shala Abdyli, ka marrë vendime lidhur me administrimin e provave në rastin e njohur si “Banjska”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në këtë proces, Prokuroria përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, ndërsa të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. I dëmtuar në këtë rast është edhe Çlirim Shaqiri, i përfaqësuar nga avokati Naim Rudari.

    Gjatë seancës, përfaqësuesi i të dëmtuarve paraqiti prova materiale, përfshirë raporte mjekësore dhe fotografi të lëndimeve të Alban Rashitit dhe Çlirim Shaqirit, i cili ishte i vetmi në seancë nga të dëmtuarit. Sipas tij, Rashiti vazhdon të jetë në trajtim mjekësor dhe i paaftë për punë si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit, ku humbi jetën edhe heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Ai kundërshtoi edhe një provë të paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, konkretisht një diplomë që pretendohet se dëshmon profesionin e tij si teknik mjekësor. Sipas tij, provat e Prokurorisë tregojnë se Spasojeviq është arrestuar i uniformuar dhe i armatosur, duke theksuar se “nuk ishte person që shëronte plagë, por ai që i shkaktonte ato”.

    Gjykata vendosi të pranojë provat e paraqitura nga Prokuroria Speciale dhe mbrojtja në seancën paraprake. Sa i përket kundërshtimeve për ligjshmërinë e ekzaminimit të telefonave, gjykata vlerësoi se ato janë të ligjshme, duke u bazuar në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit.

    Po ashtu, u aprovua propozimi i mbrojtjes për pranimin si provë të deklaratës së një dëshmitari, i cili nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë për arsye shëndetësore. Prokuroria u obligua që brenda pesë ditëve ta dorëzojë këtë deklaratë.

    Gjykata trajtoi edhe ankesat e mbrojtjes për mungesë të shkresave të lëndës. Edhe pse vlerësoi se mbrojtja është pajisur me materialet sipas ligjit, ajo u obligua që deri më 30 mars të specifikojë provat që pretendon se mungojnë. Pas kësaj, Prokuroria do të ketë afat prej tre ditësh për të dhënë qëndrimin e saj.

    Në fund të seancës, me propozim të avokates Jovana Filipoviq, gjykata mori aktvendim për ndërprerjen e seancës së sotme. Sipas këtij vendimi, mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq do të paraqitet në një datë tjetër, për shkak se mbrojtja ka kërkuar kohë shtesë për konsultime më të zgjeruara me të akuzuarin.

    Paraprakisht, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq deklaruan se do të mbrohen në heshtje. Ndërkaq, Dushan Maksimoviq u pajtua me propozimin e mbrojtjes që deklarimin ta japë në një seancë të ardhshme, pasi të njihet me të gjitha shkresat dhe provat, përfshirë videoincizimet.

    Gjykata gjithashtu bëri të ditur se do të ndërmarrë veprime për t’i mundësuar mbrojtjes shqyrtimin e provave materiale në Qendrën e Paraburgimit.

    Një ditë më parë, në seancën për rastin e “Banjskës”, janë administruar provat materiale.

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

    Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

    Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

    Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • Fituesi i Çmimit Nobel në shtëpinë e Epstein i rrethuar me gra, publikohen pamje

    Fituesi i Çmimit Nobel në shtëpinë e Epstein i rrethuar me gra, publikohen pamje

    Një fotografi ka dalë në internet ku shihet shkencëtari amerikan, fitues i Çmimit Nobel, James Watson, në rezidencën e financierit Jeffrey Epstein në New York, së bashku me tre gra.

    Imazhi duket se është bërë në sallën e madhe të rezidencës, me shumë mundësi në fund të viteve 2010.

    Watson, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 97 vjeç, shihet në fotografi me tre gra, njëra prej të cilave mban një kopje të njërit prej punimeve shkencore të Watson.

    Shkencëtari, së bashku me britanikun Francis Crick, fituan Çmimin Nobel në vitin 1962 për zbulimin e spirales së dyfishtë të ADN-së.

    Artikulli vëren se Watson thuhet se ishte midis rrethit të të njohurve të Epstein.

    Megjithatë, nuk konfirmon se ai ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm.

    Artikulli në fotografi identifikohet si studimi shkencor i Watson i vitit 2013 me titull “Oxidants, antioxidants and the current incurability of metastatic cancer”.

  • LDK të indinjuar me refuzimin e 21 amendamenteve

    LDK të indinjuar me refuzimin e 21 amendamenteve

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me refuzimin e 21 amendamenteve të cilat grupi parlamentar i tyre i propozoi në buxhetin e Kosovës.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku në konferencën për media bashkë me deputetin Fadil Hadërgjonaj dhe Besian Mustafën prezantuan projektet që u refuzuan.Lushaku i ka cilësuar tejet të rëndësishme projektet, të cilat u refuzuan.

    “Në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kemi dalë këtu për të shprehur indinjatën tonë për refuzimin e 21 amendamenteve që kemi propozuar si grup parlamentar. Projekte të rëndësishme, tepër të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, edhe kanë qenë projekte të cilat ne i kemi sjellë në Kuvend të bindur që pushteti do të ketë mirëkuptimin e vet edhe do ta kuptojë rëndësinë e këtyre projekteve. Më lejoni këtu që t’i përmend këto projekte, disa prej tyre, dhe të reflektojmë bashkë mbi rëndësinë e tyre. Pushteti ka refuzuar që t’i rritet buxheti Universitetit të Prishtinës. E ka refuzuar mësimin tërëditor si njërën nga projektet më të duhura për shkollat dhe për nxënësit, për familjet e Kosovës. E ka refuzuar unazën e kryeqytetit. E ka refuzuar ndërtimin e spitalit të kryeqytetit, një nga projektet më të rëndësishme që do të shkarkonte qendrën universitare të shëndetësisë. Ka refuzuar një varg projektesh që janë në interes të këtyre komunave, ujësjellës në Lipjan, ka refuzuar projekte të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin e ujësjellësve edhe në komuna të tjera si Skenderaj ose Istogu. Ka refuzuar një projekt tepër të rëndësishëm që do t’i modernizonte shkollat e Kosovës, në fakt digjitalizimin e shkollave dhe hyrjen e inteligjencës artificiale. Shumë shkolla kanë kushte dhe do të mund të fillonin një projekt të tillë. Ka refuzuar digjitalizimin e të dhënave për kulturë dhe turizëm, një projekt tepër i rëndësishëm që do të ndërtonte një hartë vizuale rreth kapaciteteve tona kulturore në Kosovë”, tha Lushaku.

    Ajo po ashtu tha se janë refuzuar edhe projekte që kanë të bëjnë me KEK-un dhe ndërtimin e një shkolle në Kaçanik si dhe sallën koncertale të Kosovës.

    “Ka refuzuar gjithashtu projekte që kanë të bëjnë me KEK-un. Ka refuzuar ndërtimin e një shkolle në Kaçanik. Ka refuzuar gjithashtu sallën koncertale të Kosovës, një nga projektet më të rëndësishme kulturore, keni parasysh që sot koncertet në nivelin qendror bëhen në salla të edukatës fizike. Me këtë rast dëshirojmë që t’ju drejtohemi qytetarëve me keqardhje për mosmirëkuptimin nga pushteti për t’i futur në buxhet këto projekte. Dhe dëshiroj të them që një projekt si mësimi tërëditor që ua përmirëson jetën direkt qytetarëve, e përmirëson cilësinë e arsimit, implementimin e kurrikulave që sot shpeshherë nuk arrijnë që të realizohen brenda klasave tona, është vërtet mëkat që të mos jetë pjesë e këtij buxheti. Ndërkohë që ua kujtoj që edhe kryeministri edhe partia në pushtet e kanë pasur mësimin tërëditor njërën ndër kauzat kryesore edhe në nivel komunal edhe në nivel qendror. Është tepër e rëndësishme me u bë e ditur që kur e premton një diçka, duhet me qenë të gatshëm edhe në momente vendimtare me e fut në buxhet. Ne do të insistojmë edhe sot në seancë që këto projekte të futen në buxhet, por sipas të gjitha gjasave nuk do të kemi mbështetje, por rrjedhimisht nuk do të paraqesim përkrahjen tonë për buxhetin e tërsishëm nëse projektet tona, amendamentet tona nuk do të jenë aty“, tha ajo.

  • Pajisjet në shtëpinë tuaj që fshehurazi ngadalësojnë Wi-Fi-n

    Pajisjet në shtëpinë tuaj që fshehurazi ngadalësojnë Wi-Fi-n

    Hulumtimet e reja tregojnë se më shumë britanikë se kurrë po vuajnë nga efektet e “pajisjeve fantazmë”.

    Nëse Wi-Fi juaj po duket i ngadaltë sot, problemi mund të mos jetë te ofruesi i internetit ose te pajisja që po përpiqeni të përdorni për lidhje.

    Pa e kuptuar, mund të keni teknologji në shtëpi që fshehurazi po ngadalësojnë shpejtësinë e internetit tuaj, një problem që mund të bëhet më i dukshëm gjatë pushimeve të shkollës këtë javë.

    Kështu paralajmërojnë ekspertët e kompanisë për krahasimin dhe ndryshimin e shërbimeve, Uswitch, duke këshilluar familjet gjatë pushimeve për çfarë duhet të kenë kujdes nëse Wi-Fi-ja bëhet e ngadaltë kur fëmijët janë gjithë ditën në shtëpi.

    Uswitch fajëson teknologjinë e zgjuar që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, duke përmendur pajisje si televizorë smart, zile video, altoparlantë inteligjentë dhe robot-pastrues si shkaqe të mundshme.

    “Pajisjet dhe sensorët e papërdorur komunikojnë vazhdimisht me ruterin tuaj në sfond, gjë që mund të bllokojë lidhjen dhe të shkaktojë ngecje të bezdisshme kur shikoni një film ose luani një lojë,” tha Max Beckett, ekspert për broadband në Uswitch.

    “Gjatë pushimeve të shkollës, kërkesa në shtëpitë britanike rritet ndjeshëm, prandaj është e rëndësishme të kuptoni se problemet me Wi-Fi-n nuk shkaktohen vetëm nga shumë njerëz online. Disa pajisje marrin bandwidth edhe kur nuk i keni përdorur për ditë të tëra.”

    Këto të ashtuquajtura “pajisje fantazmë” qëndrojnë të lidhura me internetin edhe kur nuk i përdorni. Për shembull, një zile video mund të ngarkojë vazhdimisht pamje në cloud, duke përdorur shumë bandwidth të Wi-Fi-së tuaj.

    Nëse jetoni në një zonë pa fibër optike, ose keni një lidhje bazë me shpejtësi të kufizuar, mund të vini re këtë shumë më tepër kur të gjithë familjarët përdorin telefonat, tabletët dhe laptopët njëkohësisht.

    Të dhënat e reja nga Uswitch tregojnë se një familje mesatare ka 16 pajisje të lidhura, ndërsa një në dhjetë ka më shumë se 30. Gjithashtu, 50% e britanikëve kanë qenë të pakënaqur me performancën e Wi-Fi-së gjatë tre muajve të fundit.

    38% e të anketuarve nuk e dinin se pajisje si televizorët smart, zile video dhe altoparlantët inteligjentë mund të ngadalësojnë Wi-Fi-n në shtëpi edhe kur nuk përdoren.

    “Pajisjet smart po bëhen pjesë e jetës tonë të përditshme, por është e lehtë të harrosh tabletët e vjetër, altoparlantët inteligjentë ose prizat smart që ende janë të lidhura me rrjetin tuaj,” tha Beckett.

    “Merrni një moment këtë javë për një pastrim digjital të shpejtë. Nëse ka një pajisje që nuk përdorni më, ose një pajisje të vjetër që ende është e ndezur, shkëputeni nga Wi-Fi ose fikeni plotësisht.

    Një lidhje me fibër optike është mënyra më e sigurt për të shmangur ngecjet, por hapa të thjeshtë si menaxhimi i pajisjeve të lidhura dhe kufizimi i numrit të njerëzve që shikojnë video në cilësi të lartë njëkohësisht mund të bëjnë një ndryshim të madh.”

  • Policia lokalizon 14-vjeçarjen nga Rahoveci, u shpall e zhdukur nga nëntori 2025

    Policia lokalizon 14-vjeçarjen nga Rahoveci, u shpall e zhdukur nga nëntori 2025

    Është lokalizuar 14-vjeçarja, Alisiana Bekim Shala, nga komuna e Rahovecit, e cila ishte shpallur e zhdukur që nga muaji nëntor 2025.

    Policia ka bërë të ditur se pas publikimit më 18 shkurt të kërkesës për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat, “personi i raportuar si i zhdukur është lokalizuar”

    “Policia e Kosovës shpreh falënderim të sinqertë për të gjithë qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke ritheksuar rëndësinë e raportimit me kohë dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e rendit. Mbetemi të përkushtuar në garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Kosova i zgjat sanksionet ndaj Rusisë e Bjellorusisë për luftën në Ukrainë

    Kosova i zgjat sanksionet ndaj Rusisë e Bjellorusisë për luftën në Ukrainë

    Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e re, të 19-të, të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë me synim kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë.

    Kryeministri Albin Kurti e prezantoi këtë pikë duke thënë se synojnë që të zbatojnë vendimet e Këshillit të BE-së dhe SHBA-së” për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë”.

    Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, e prezantoi dhe bëri me dije se për cilët sektorë vlejnë këto sanksione.

    “Në vijim të mbështetjes për kundërshtimin e agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, në përputhje me masat dhe sanksionet e BE-së dhe SHBA-së, partnerë strategjikë, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e pakos së 19-të të sanksioneve të BE-së, si dhe masave shtesë të BE-së ndaj Federatës Ruse”.

    Konjufca përmendi këtu sanksionet e fundit të BE-së ndaj Rusisë e Bjellorusisë.

    “Pakoja synon sektorin e energjisë, financave, kompleksin ushtarako-industrial, tregtinë dhe zinxhir të furnizimit në mallra ushtarake dhe me përdorim të dyfishtë. Shërbime strategjike, përfshirë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, si dhe masa lidhur me kontrollin e lëvizjes së diplomatëve rusë dhe përgjegjësinë për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve ukrainas”.

    Ai tha se veprime të harmonizuara përfshijnë edhe ndaj Bjellorusisë.

  • Kurti: Gjatë viteve 2026-2028, prioritet projektligjet për Byronë Shtetërore dhe Çmimet Tavan

    Kurti: Gjatë viteve 2026-2028, prioritet projektligjet për Byronë Shtetërore dhe Çmimet Tavan

    Qeveria Kurti 3, në mbledhjen e sotme ka miratuar shqyrtimin e projekt-rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Ministrive.

    Po ashtu, gjatë mbledhjes u miratua edhe shqyrtimi i projekt-programit të Projektligjeve për vitet 2026 – 2028.

    Kryeministri Albin Kurti, tha se në kuadër të agjendës legjislative, do të prioritetizohen projektligji për çmimet tavan si dhe ai i Byrosë Shtetërore.

    “Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritetizojmë për vitet 2026-2028, procedimin e projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë të Pajustifikuesheme dhe projektligjin për Çmimet Tavan, të cilat do t’ia përcjellim Kuvendit”, tha Kurti.

  • Të akuzuarit serb për sulmin terrorist në Banjska arrijnë në sallën e gjyqit

    Të akuzuarit serb për sulmin terrorist në Banjska arrijnë në sallën e gjyqit

    Tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë dërguar në sallën e gjyqit të gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet vazhdimi i seancës gjyqësore ndaj tyre.

    Në seancën gjyqësore të mbajtur një ditë më parë, Prokurori i rastit Naim Abazi, propozoi administrimin e disa provave, përfshirë dy raporte përmes ndihmës juridike ndërkombëtare nga SHBA me të dhëna elektronike nga Meta dhe Google.

    Ndërkohë Mbrojtja, përmes avokatëve Ljubomir Pantovic , Millosh Deleviq dhe Jovana Fillipoviq kundërshtuan ligjshmërinë dhe relevancën e provave, duke kërkuar edhe ndërprerje të shqyrtimit deri në pajisjen me të gjitha materialet e lëndës.

    Po ashtu dy të akuzuarit, Toliq dhe Maksimoviq, kërkuan respektivisht që fotografitë dhe video-incizimet të përdoren për të dëshmuar pafajësinë e tyre.

  • Themelohen dy ndërmarrje publike lokale, njëra në Fushë Kosovë e tjetra në Drenas

    Themelohen dy ndërmarrje publike lokale, njëra në Fushë Kosovë e tjetra në Drenas

    Qeveria e Kosovës ka themeluar dy ndërmarrje të reja publike lokale në mbledhjen e sotme.

    E para është në Komunën e Fushë Kosovës, “Fushë Kosova” Sh.A dhe tjetra në komunën e Drenasit, “EKO Drenasi” Sh.A, që do të ofrojë mirëmbajtjen e hapësirave dhe ndërtesave publike.

    Të dyja këto i prezantoi ministrja e Ekonmisë, Artane Rizvanolli.

  • Qeveria miraton projekt-programin e projektligjeve 2026-2028

    Qeveria miraton projekt-programin e projektligjeve 2026-2028

    Kabineti qeveritar në mbledhjen e dytë të saj, miratoi Projekt-programin e projektligjeve për vitet 2026 – 2028, për të cilat kryeministri Albin Kurti tha se këto dy ligje do t’i kenë prioritet.

    Në kuadër të kësaj ai tha do ta prioritizojnë Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe atë për çmimin tavan

    “Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojmë procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për çmimet tavan”, tha Kurti.