ATV

Author: K.B.

  • Deputetja e LDK-së kërkon në Komisionin për Ekonomi kontratat e energjisë për pesë vitet e fundit

    Deputetja e LDK-së kërkon në Komisionin për Ekonomi kontratat e energjisë për pesë vitet e fundit

    Deputetja e LDK-së kërkon në Komisionin për Ekonomi kontratat e energjisë për pesë vitet e fundit

    Anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Janina Ymeri ka kërkuar kontratat e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike për pesë vitet e fundit gjatë mbledhjes së këtij komisioni, raporton Ekonomia Online.

    Ndërkaq, Valon Ramdani nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se të bëhet kërkesa për 26 vitet e fundit dhe që të hidhet si propozim për rend dite.

    “Unë jam jo vetëm për këto data që tha deputetja Imeri, por për krejt datat, çfarëdo që ka nevojë. Kërkesë nëse kemi edhe ne për data më herët e tash, por mendoj që kjo duhet me u diskutu edhe duhet me u kërku në njërën prej mbledhjeve që do t’i mbajmë në vazhdim. Nëse ka nevojë, le të jetë edhe pikë e rendit të ditës; të diskutohet njëherë e tani të kërkohen edhe datat, jo vetëm datat që i kërkoi deputetja Ymeri, po edhe datat që na interesojnë ndoshta edhe më herët”, tha Ramadani.

    Por një sqarim erdhi nga Ymeri duke thënë se kërkesa e saj nuk ka të bëjë me çështje politike.

    “Sa për mua, prej vitit 2000 nuk prish punë. 2000–2026 edhe krejt shihet, pavarësisht partisë. Edhe jam në dakord me deputetët e opozitës; nuk është çështje politike, si po e bëjnë disa prej partive, por sa është duke u dëmtuar buxheti, sidomos buxheti i qytetarëve. Unë e propozoj, kryetar, që javën tjetër të jetë në rend të ditës, edhe ju i mendoni vitet që keni me kërku këto kontrata që i bini. Po nëse ju pajtoheni që sot të mos kalojmë te kjo pikë e Komisionit, as javën tjetër në rend dite, edhe më këshillohet që të shkruaj veçmas, unë si deputete jam në rregull, edhe pse jam zëvendëskryetare, jam në rregull, tentoj si deputete”, u shpreh ajo.

  • ​5 milionë euro ndahen për gratë ndërmarrëse dhe zonat rurale në Kosovë

    ​5 milionë euro ndahen për gratë ndërmarrëse dhe zonat rurale në Kosovë

    Agjencia Franceze për Zhvillim e përfaqësuar nga Proparco ka nënshkruar marrëveshje financimi me Agjencionin për Financim në Kosovë në vlerë prej 5 milionë eurosh, e cila synon fuqizimin e grave dhe komunitetit rural.

    Nga shuma 5 milionë euro, 3 milionë prej tyre janë ndarë për gratë ndërmarrëse, ndërsa, 2 milionë të tjera për zonat rurale.

    Ambasadori i Francës në Kosovës, Olivier Guerot vlerëson se me këto kredi do të fuqizohen gratë dhe sipërmarrësit në zonat rurale.

    Guerot theksoi se sa më shumë gratë janë të përfshira në biznes, aq me fortë bëhet Kosova.

    “Për ne, kjo është shumë e rëndësishme, sepse kjo kredi do të ndihmojë gratë dhe sipërmarrësit në zonat rurale. Mbështetja e grave, e sidomos grave sipërmarrëse, është shumë e rëndësishme. Kosova është një vend i grave të forta. I takoj çdo ditë në institucione, në politikë si në shumicë ashtu edhe në opozitë si dhe në biznes. Sa më shumë gra të ketë në këtë vend, aq më e fortë është Kosova. Nëse të gjitha gratë kanë qasje në biznes, politikë apo në jetën publike në përgjithësi, Kosova do të jetë dyfish më e fortë…01:20 Kosova është një vend me qytete të bukura, por edhe me një peizazh të jashtëzakonshëm. Ne po përpiqemi ta promovojmë këtë peizazh në mënyra të ndryshme. Kemi mbështetur një skemë nga Ministria e Bujqësisë për blerjen e lopëve. Po ashtu, po mbështesim aktivitete në fushën e biodiversitetit”, tha ai.

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Financim në Kosovë (AFK), Xhevdet Spahija theksoi se bashkëpunimi prej 5 milionë eurosh me Proparco do të shkojë kryesisht për kreditimin e grave ndërmarrëse dhe grave në bujqësi.

    Ai theksoi se AFK, që nga viti 1999, ka shpërndarë rreth 500 milionë euro përmes afro 165 mijë kredive.

    “Ky bashkëpunim me Proparco i cili është prej 5 milionë euro do të shfrytëzohet më tepër për kreditim të femrave ndërmarrëse si dhe femrave në bujqësi. Deri më tani AFK ka shpërndarë diku afër 500 milionë euro me diku 165 mijë kredi është një institucion mikrofinanciar mjaftë i suksesshëm i cili vepron nga viti 1999”, tha ai.

    Drejtori Regjional për Euroazi në Proparco, Steve Gardon u shpreh se partneriteti synon ta bëjë zhvillimin ekonomik në Kosovë më gjithëpërfshirës.

    Ai theksoi se fokusi do të jetë në mbështetjen e grave sipërmarrëse dhe në financimin e bizneseve në zonat rurale, ku mungesa e qasjes në financa është më e theksuar.

    “Ky partneritet do të jetë për dy gjëra. Së pari, te mbështetja e grave sipërmarrëse. Kjo është një nga shtyllat kryesore të strategjisë globale të Proparco-s dhe të Francës për të mbështetur gratë në biznes, për të vënë në dispozicion financim që të rrisin mundësitë e tyre dhe të kontribuojnë gjithnjë e më shumë në ekosistemin ekonomik. Së dyti, mbështetja e sipërmarrjes në zonat më rurale, ku hendeku i financimit është më kritik dhe ku mbështetja e njerëzve të AFK-së, për shembull, është më së shumti e nevojshme”, ka deklaruar ai.

  • Zvicra bllokon më shumë se 880 milionë dollarë të Maduros

    Zvicra bllokon më shumë se 880 milionë dollarë të Maduros

    Zvicra njoftoi me 5 janar se do të bllokojë “çdo pasuri” të ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro, pas arrestimit dhe akuzave për trafik droge nga Shtetet e Bashkuara. Masa u mor si një “parandalim” për të shmangur largimin e mundshëm të fondeve jashtë vendit dhe ka përfshirë gjithashtu 36 qytetarë të tjerë venezuelianë.

    Siç shkruan Business Recorder, bëhet fjalë për më shumë se 880 milion dollarë që janë bllokuar në Zvicër.

    Megjithatë, ekspertët ligjorë sugjerojnë se pas sanksioneve të mëparshme zvicerane, të pakta janë bankat lokale që mund të mbajnë fonde të tilla.

    Masat zvicerane ndaj Venezuelës

    Që nga viti 2018, Zvicra ka ndjekur sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Venezuelës, duke përfshirë ndalimin e furnizimit me pajisje ushtarake, pajisje për represion ose survejim, si dhe vendosjen e bllokimeve të pasurive dhe ndalesave për udhëtim.

    Sipas ligjit zviceran, fondet e individëve të quajtur “politically exposed persons” ose të afërmve të tyre mund të bllokohen, konfiskohen dhe rikthehen tek pronarët legjitimë në rast rreziku të transferimit jashtë vendit.

    Eksperti Mark Pieth thekson se mbajtja e fondeve të Maduro-s ka qenë e ndaluar për vite me radhë, dhe njoftimet e fundit nuk përbëjnë një veprim të ri mbi sanksionet ekzistuese.

    Pse Zvicra po vepron tani?

    Vendimi i fundit lidhet me faktin se Maduro tani është arrestuar dhe akuzuar nga SHBA-të. Autoritetet zvicerane po sigurohen që të jenë të gatshme për çdo kërkesë të ardhshme nga prokurorët ose qeveritë e huaja për ndihmë ligjore.

    Në praktikë, pavarësisht se Maduro rezulton me pasuri në Zvicër, kjo nuk do të thotë se fondet janë të paligjshme.

    Ligji nuk detyron Zvicrën të ndjekë sanksionet e SHBA-ve ose të Bashkimit Europian, por bankat zvicerane janë të kujdesshme për të shmangur rrezikun e sanksioneve sekondare ose veprimeve nga autoriteti i tregut financiar FINMA.

    Çfarë ndodh me paratë nëse janë të paligjshme?

    Nëse zbulohet se ndonjë fond i Maduro-s është i lidhur me korrupsion ose aktivitete kriminale, Zvicra mund të negociojë me një shtet tjetër për marrëveshje rikthimi. Paratë duhet të shkojnë për përfitimin e popullsisë dhe nuk duhet të kthehen në kanale korrupsioni.

    Zvicra ka përvojë me këtë qasje që nga vitet 1980, duke filluar me pasuritë e diktatorit filipinas Ferdinand Marcos, më pas me Jean-Claude Duvalier të Haitit apo Mobutu Sese, duke vendosur bllokime dhe konfiskime të përkohshme për pasuri të lidhura me regjime autokratike të rrëzuara.

    Eksperti Pieth thekson se shumica e këtyre pasurive do të mbeten të bllokuara derisa të ketë një qeveri të stabilizuar në Venezuelë, dhe nuk ka bazë ligjore të qartë për t’i transferuar ato në SHBA.

  • Ambasadori francez: Zgjedhja e presidentit, përgjegjësi e partive politike në Kosovë

    Ambasadori francez: Zgjedhja e presidentit, përgjegjësi e partive politike në Kosovë

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka deklaruar se është çështje e partive politike të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit.

    Ai ka thënë për KosovaPress, se i sheh si hap pozitivë takime e fundit që janë zhvilluar në mes të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lidhur me zgjedhjen e presidentit.

    Siç u shpreh ambasadori, Guerot edhe Kushtetuta e Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën.

    “Mendoj se është shumë mirë që partitë politike po flasin me njëra-tjetrën. Është e tyre që të gjejnë një zgjidhje. Kuadri institucional i Kushtetutës së Kosovës e bën të nevojshme që partitë politike të bisedojnë me njëra-tjetrën. Sigurisht, nuk dua të komentoj për këto diskutime tani sepse është çështje e tyre që të gjejnë mënyrën e duhur për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh ambasadori francez.

    Ambasadori francez beson se subjektet politike dhe institucionet në Kosovë qetësisht do të punojnë për zgjedhjen e shefit të shtetit.

    “Jam i bindur se partitë politike dhe institucionet do të punojnë qetësisht për zgjedhjen e një presidenti. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe presidenten aktuale. Presim me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, institucione që kemi mbështetur që nga viti 1999 dhe 2008, dhe është kënaqësi të shohim që tani institucionet janë të vendosura fort”, ka deklaruar ai.

    I pyetur për një emër konsensual për president, ambasadori francez, Olivier Guerot deklaroi se nuk dëshiron t’i komentojë politikën e brendshme, por shprehet i lumtur që institucionet po funksionojnë.

    “Si diplomat i huaj, nuk dua të komentoj për politikën e brendshme. Kemi punuar shumë që Kosova të bëhet një shtet sovran dhe jemi të lumtur të shohim që institucionet po funksionojnë qetësisht me njëra-tjetrën”, theksoi ai.

    Deri më 4 mars 2026 presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

    Ndërsa, kryeministri i Kosovës ka zhvilluar takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku temë diskutimi ishte çështja e presidentit.

  • Pse ka pasqyra në ashensorë?

    Pse ka pasqyra në ashensorë?

    Shumë prej nesh shikojnë veten ose bëjnë foto kur futemi në ashensor. Ne i përdorim pasqyrat brenda ashensorëve. Epo, a e keni pyetur ndonjëherë veten apo njerëzit përreth nesh, pse ka pasqyra?

    Zakonisht, prania e një pasqyre përdoret për të rregulluar flokët, grimin ose jakën e një palltoje, veçanërisht nëse dikush është larguar nga shtëpia me nxitim. Por kjo nuk është aspak arsyeja kryesore për instalimin e pasqyrave në ashensorë.

    Ekziston një arsye psikologjike për vendosjen e pasqyrës në ashensor.

    Ashensori është një hapësirë ​​e ngushtë, një metër katror i gjerë ose pak më shumë. Njerëzit që vuajnë nga ankthi ose klaustrofobia mund të kenë frikë të jenë në një hapësirë ​​kaq të kufizuar, edhe për vetëm disa sekonda.

    Prania e një pasqyre krijon iluzionin e një hapësire më të madhe se sa është në të vërtetë dhe redukton ndjenjën e parehatisë. Efekti do të jetë edhe më i madh nëse të gjitha muret e ashensorit janë reflektuese. Pasqyra, përveçse jep iluzionin se ka më shumë hapësirë ​​se sa është në të vërtetë, u jep njerëzve në ashensor një ndjenjë sigurie.

    Ndodh shpesh që të hyni në ashensor me persona të panjohur dhe kjo mund të jetë shkak për ankth dhe shqetësim. Me praninë e një ose më shumë pasqyrave, është e mundur të “kontrolloni” se çfarë bëjnë njerëzit e tjerë në ashensor dhe të mbroni veten nga kontakti fizik i padëshiruar, vjedhja e xhepave dhe grabitja.

  • Polonia refuzon 43 milionë euro nga BE për mbrojtjen: Nuk i duam

    Polonia refuzon 43 milionë euro nga BE për mbrojtjen: Nuk i duam

    Bashkimi Europian i ka vënë në dispozicion Polonisë 43,7 miliardë euro kredi me kushte të favorshme në kuadër të programit të mbrojtjes “Security Action for Europe” (SAFE), që synon forcimin ushtarak përballë kërcënimit rus.

    Por opozita konservatore e vendit ka dalë kundër programit, me pretendimin se kjo është në fakt sipas saj, një përpjekje për “bashkimin e Europës nën udhëheqjen gjermane” dhe kërcënim për sovranitetin e vendit. Kreu i partisë Ligji dhe Drejtësia (PiS), Jaroslaw Kaczynski, insistoi që presidenti Karol Nawrocki të vendosë veto, ndërsa figura të tjera të djathta e quajnë SAFE një formë “shantazhi politik” përmes mekanizmit të kushtëzimit të BE-së.

    Polonia është përfituesja më e madhe e fondit prej 150 miliardë eurosh dhe Komisioni Europian ka miratuar tashmë financimin për 139 projekte polake. Qeveria pro-europiane e kryeministrit Donald Tusk e konsideron programin një sukses të madh, duke theksuar kushtet e favorshme të kredive (rreth 3% interes, shlyerje për 45 vjet, me nisje pas 10 vjetësh) dhe faktin që deri në 80% e fondeve do të përfundojnë te kompanitë polake.

    Sipas saj, një veto do të dëmtonte rëndë modernizimin e ushtrisë. Përpos akuzave të forta politike, debati është përshkallëzuar edhe me protesta në Varshavë, teksa presidenti Naërocki, i cili u emerua nga PiS, është në dilemën që të zgjedhë mes besnikërisë politike dhe rolit të tij si komandant suprem i forcave të armatosura, të cilat e mbështesin programin.

  • Ekzekutimi i El Menchos, Saviano: Karteli i tij gjeneron 50 mld dollarë në vit, shtet brenda shtetit

    Ekzekutimi i El Menchos, Saviano: Karteli i tij gjeneron 50 mld dollarë në vit, shtet brenda shtetit

    Gazetari italian Roberto Saviano ka paralajmëruar për fuqizimin e kartelit meksikan Jalisco Nueva Generación (CJNG), duke e cilësuar atë si një “shtet brenda shtetit” falë prodhimit masiv të fentanylit, korrupsionit dhe përdorimit sistematik të dhunës.

    Në një intervistë të fundit, Saviano foli për rolin dhe ndikimin e udhëheqësit të kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, duke e përshkruar atë si figurën që transformoi mënyrën e operimit të organizatës kriminale. Sipas tij, “El Mencho” e zhvendosi fokusin nga drogat tradicionale me bazë opiumi drejt opioideve sintetike, veçanërisht fentanylit, i cili prodhohet në laboratorë me përbërës kimikë që fillimisht vinin nga Kina e më pas edhe nga India.

    Saviano theksoi se, sipas të dhënave të Drug Enforcement Administration (DEA), karteli mund të gjenerojë deri në 50 miliardë dollarë në vit. Ai investoi në punësimin e kimistëve dhe në forcimin e strukturës së brendshme, duke e shndërruar CJNG-në në simbol të “gjeneratës së re” të trafikut të drogës.

    Sipas Savianos, fuqia financiare u ka mundësuar narkotrafikantëve të ndërtojnë një “anti-shtet” në territore të tëra të Meksikës, duke kontrolluar ekonominë lokale, sigurinë dhe madje edhe konsensusin shoqëror. “Me këto para mund të korruptosh këdo”, theksoi ai, duke shtuar se mesazhi i kartelit është i qartë: paqja ekziston vetëm nëse ata e lejojnë.

    Ai rikujtoi se pas arrestimit të rivalit të tij, Joaquín Guzmán, i njohur si “El Chapo”, balanca e forcave ndryshoi, por strategjia për prodhimin dhe shpërndarjen e fentanylit mbeti e njëjtë. Sipas Savianos, kartelët nuk synojnë pushtetin formal apo grusht shteti, por rinegocimin e vazhdueshëm të ekuilibrave me shtetin, duke e detyruar atë të negociojë nën presion dhune.

    Ai përmendi edhe rastin e arrestimit të Ovidio Guzmánit, djalit të El Chapo-s, ku dhuna e shpërthyer në terren detyroi autoritetet ta lirojnë përkohësisht për të shmangur përshkallëzimin, duke e cilësuar këtë si shembull të përdorimit të kryengritjes si mjet presioni.

    Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara, Saviano tha se presidenti amerikan Donald Trump ka ushtruar presion për të frenuar trafikun e fentanylit drejt SHBA-së, megjithëse roli i tij në operacionet konkrete mbetet i paqartë.

    Gazetari italian paralajmëroi se vetëm ndërhyrjet ushtarake nuk mjaftojnë për të shkatërruar sistemin ekonomik që mban gjallë kartelët. Sipas tij, ndërhyrja e jashtme nuk e rrëzon strukturën financiare dhe rrjetin e aleancave që i mundëson këtyre organizatave të mbijetojnë dhe të përshtaten.

    Në fund, Saviano ngriti shqetësimin edhe për sigurinë e turistëve në Meksikë, duke theksuar se “blokadat narco” përdoren për të përhapur terror dhe për të demonstruar forcën e kartelëve ndaj shtetit dhe popullatës.

  • Osmani apo dikush nga Jasharët, Nagavci: Secili mund të flasë për emra, por VV s’ka qëndrim zyrtar për dikë specifik

    Osmani apo dikush nga Jasharët, Nagavci: Secili mund të flasë për emra, por VV s’ka qëndrim zyrtar për dikë specifik

    Kur kanë mbetur tetë ditë nga afati për pozitën e të parit të shtetit, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se aktualisht nuk ka një qëndrim zyrtar për një emër specifik për president, përfshirë këtu zërat për Vjosa Osmanin apo dikë nga familja Jashari. Por ka theksuar atë që e tha dhe kryeministri Albin Kurti se procesi i zgjedhjes kërkon diskutime intensive dhe sigurimin e të paktën 80 votave në Kuvend para afatit kushtetues të 4 marsit.

    Ajo bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj nuk kanë dalë ende me një kandidat, duke shtuar se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen konsultimet me deputetët dhe grupet e tjera parlamentare, me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të garantuar stabilitet institucional.

    “Po, aktualisht nuk kemi një emër konkret, për të cilin e dimë se ka mbështetje të plotë, për të vazhduar me votimin, gjegjësisht sigurimin e 80 votave të nevojshme për votimin e presidentit. Por natyrisht kryeministri Kurti do të vazhdojë diskutimet me të gjithë ata që mund të ndikojnë në këtë proces, në radhë të parë pra me kryetarët e partive, me deputetët, me grupet, në mënyrë që të sigurohemi që deri me datën 5, kur ne duhet të kemi të zgjedhur presidentin ose presidenten e vendit, të kemi së paku 80 deputetë të cilët do të qëndrojnë në sallë, e më e mira do të ishte që edhe të marrin pjesë në votim, e të përfundohet me votimin e kandidatit i cili do të ishte përfaqësues i të gjitha subjekteve që marrin pjesë në votim”, tha ajo.

    Ajo rikujtoi se, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021 kur ishte përmendur publikisht kandidatura për presidente, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk është paraqitur paraprakisht një emër për këtë post, duke theksuar se tani nevojitet diskutim dhe konsensus më i gjerë politik për ta përmbyllur procesin brenda afatit.

    “Tash përgjithësisht ju e dini që në zgjedhjet e vitit 2021, kur ne kemi garuar në atë kohë në aleancë domethënë bashkë me Partinë Guxo edhe me Alternativën, ne edhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore e kemi përmendur që kandidojmë, gjegjësisht kërkojmë besimin e qytetarëve për kryetarin tonë të Lëvizjes, zotin Albin Kurti për kryeministër, ndërkohë që për zonjën Osmani për presidente. E kemi përmendur disa herë edhe gjatë fushatës dhe ky nuk është rasti tani në zgjedhjet e fundit të vitit 2025. Në zgjedhje kemi garuar me kërkesën e votës për kryeministrin Kurti dhe për Lëvizjen Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj për qeverisje. Që nënkupton që për zgjedhjen e presidentit, presidentes, duhet të ketë diskutime që besoj që do të jenë shumë më intensive në këto ditë të mbetura, që ta përmbyllim suksesshëm edhe zgjedhjen e presidentit, presidentes deri me 4 mars, siç janë afatet kushtetuese. Dhe konsideroj që është obligim i të gjithë neve, deputetëve, që të gjejmë një konsensus sepse tashmë kemi pasur shumë zgjedhje. Në vitin e kaluar kishim katër palë zgjedhje. Institucionet për një kohë të gjatë kanë vepruar, kanë punuar si institucione me qeverisje në detyrë dhe është tejet e rëndësishme që stabiliteti i cili u rikthye edhe me votimin e qeverisë edhe me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, së fundmi edhe me ligjin për buxhetin, të vazhdojë me punë me mandat të plotë në interes dhe shërbim të qytetarëve. E kjo është e mundur vetëm pasi të votohet edhe presidenti, presidentja”, tha ajo.

    E pyetur për emra të përfolur në publik, përfshirë edhe nga familja Jashari, Nagavci tha se nuk ka qëndrim zyrtar për ndonjë kandidat specifik dhe se emri do të bëhet publik vetëm pasi të përmbyllen diskutimet me deputetët e grupeve tjera parlamentare.

    “Tani emra, secili mund të flasë për emra të ndryshëm. Nuk ka një qëndrim zyrtar as të Lëvizjes e as të partnerëve tanë për një emër specifik. Në momentin që do të kemi një emër, në momentin që do të arrijmë t’i përmbyllim suksesshëm diskutimet edhe me deputetët e grupeve të tjera parlamentare, sigurisht se këtë do ta bëjmë të ditur edhe për ju”, tha ajo.

    Sa i përket mosftesës së Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në raundin e parë të diskutimeve, ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i 80 votave të garantuara për të shmangur çdo befasi që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, duke shtuar se raportet e forcave në Kuvend kanë ndikuar në mënyrën e zhvillimit të konsultimeve.

    “Tani ju e dini që neve na nevojiten së paku 80 vota, me garancinë që 80 deputetët të cilët janë të sigurt do të marrin pjesë në votim në raundin e parë, në raundin e dytë, në mënyrë që të kemi zgjedhjen e presidentit ose presidentes. Tashmë kryeministri Kurti ka zhvilluar diskutimet edhe me zotin Hamza, kryetarin e PDK-së, edhe me zotin Abdixhiku, kryetarin e LDK-së dhe do të vazhdojë diskutimet edhe me partitë e tjera. Arsyet pse është vendosur që të shkohet në këtë kahje bëjnë, në radhë të parë, me raportin e forcave të cilat janë të përfaqësuara në kuvend, në mënyrë që të mos kemi asnjë befasi e cila në çfarëdo rrethane do të çonte vendin në zgjedhje. Pra, si Lëvizje Vetëvendosje ne jemi të interesuar që të vazhdojmë punën bazuar në besimin që na kanë dhënë qytetarët, që të vazhdojmë me implementimin e programit qeverisës, i cili duhet të prezantohet edhe në kuvend e pastaj të vazhdohet me punë. Por natyrisht kjo me numrat që janë në kuvend aktualisht nuk varet qind për qind vetëm nga ana jonë dhe partnerëve tanë. Andaj ne jemi duke bërë gjithçka që është në dorën tonë që të vazhdojmë tutje me institucione stabile edhe me punë në shërbim të qytetarëve”, tha ajo.

    Të dielën dhe të hënën, Kurti u takua me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, për të diskutuar mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje.

    Kurti ka deklaruar se situata nuk është e lehtë, por se do të bëhen përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet e reja. Ai ka theksuar se as partia e tij dhe as dy partitë e tjera të mëdha nuk kanë kandidat zyrtar, duke shtuar se synimi duhet të jetë sigurimi jo vetëm i 80, por deri në 85 votave për të evituar dështimin e procesit në rast mungesash.

    Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është 4 marsi. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh./EO/

  • Ministrja e Jashtme e Shqipërisë nesër vjen në Kosovë, takon edhe Kurtin

    Ministrja e Jashtme e Shqipërisë nesër vjen në Kosovë, takon edhe Kurtin

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Siç merr vesh Agjencia e lajmeve Ekonomia Online, ajo do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

  • Si të shpëtoni nga xhamat e mjegullt të makinës?

    Si të shpëtoni nga xhamat e mjegullt të makinës?

    Për vozitësit dihet që problem mjaft të madh paraqesin mjegullat në xham para se ta ndezin veturën.

    Disa këshilla do t’ju ndihmojnë që të hiqni qafe ato dritare të mjegullta sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të mund të ktheheni në rrugë të sigurt.

    Ngrohësja ndizet dhe dritaret hapen

    Mos e ndizni butonin e riciklimit të ventilimit, përkundrazi mbajeni të fikur. Nëse e bëni atë, makina juaj nuk do të sjellë ajër të ri. Ndizni ngrohësen sepse ajri i ngrohtë bllokon më shumë lagështi sesa ajrin e ftohtë. Në ndërkohë, hapja e dritareve mund të ndihmojë në lirimin e lagështisë.

    Kondicioneri i ndezur

    Shumica e njerëzve e ndezin kondicionerin vetëm për t’u freskuar në ditët e ngrohta të verës. Por gjithashtu mund të jetë i dobishëm në dimër. AC është në fakt një mënyrë më efektive për të hequr qafe ajrin e lagësht sesa ndezja e ngrohëses. Sidoqoftë, është gjithmonë një ide e mirë të ndizni AC çdo herë në kohë, kjo do të ndihmojë në parandalimin e aromave dhe grumbullimit të baktereve.

    Mbani makinën tuaj të thatë

    Pasi të jeni në shtëpi, është një ide e mirë të hapni dritaret për pak ventilim. Kjo është, nëse keni një vend të thatë për të parkuar ose një garazh, natyrisht.

    Pastrues i lagështisë

    Ka produkte speciale dehumidifikuese, si ‘dehumidifiers’ ose jastëkë të veçantë. Ju mund t’i blini këto për të hequr qafe lagështinë në makinën tuaj. Dhe për pronarët e maceve, mbeturinat e koteleve në një çorape të vjetër mund të ndihmojnë gjithashtu.

    Shampo

    Fërkoni pak sapun ose shampo në pjesën e brendshme të xhamit për të parandaluar mjegullën. Padyshim që jo shumë, përndryshe nuk do të jeni në gjendje ta shihni rrugën siç duhet.