ATV

Author: K.B.

  • Ylli i ‘Adolescence’ Owen Cooper 16 vjeç thyen rekordin e Kate Winslet në Actor Awards

    Ylli i ‘Adolescence’ Owen Cooper 16 vjeç thyen rekordin e Kate Winslet në Actor Awards

    Ylli i serialit Adolescent, Owen Cooper, bëri histori duke fituar çmimin për Performancën më të Mirë të një Aktori Mashkull në një Film Televiziv ose Mini-Serial në Actor Awards, të cilat më parë njiheshin si Çmimet SAG.

    Cooper, 16 vjeç, u bë fituesi më i ri individual në historinë e ceremonisë, duke thyer rekordin e mbajtur nga Kate Winslet, e cila fitoi në moshën 20-vjeçare për rolin e Marianne Dashwood në Sense and Sensibility.

    Owen mori çmimin për rolin e tij në Adolescence, ku luan një nxënës 13-vjeçar që vret një shoqe klase, duke mundur edhe Stephen Graham, babain e personazhit të tij në miniserial, shkruan DailyMail.

    Për shkak të angazhimeve, Cooper nuk mundi të ishte personalisht në Los Angeles, dhe çmimin e mori në emër të tij prezantuesi Damson Idris.

    Ai është gjithashtu aktori më i ri mashkull që ka fituar një Primetime Emmy për një rol mbështetës në një serial të kufizuar, duke e xhiruar Adolescence në moshën 14-vjeçare.

    Pas ceremonisë, Cooper tha se çmimi ka shumë rëndësi për të dhe për familjen e tij.

  • Gjenerali i IRGC-së emërohet ministër i Përkohshëm i Mbrojtjes në Iran

    Gjenerali i IRGC-së emërohet ministër i Përkohshëm i Mbrojtjes në Iran

    Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, emëroi gjeneralin e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Majid Ebnolreza, ministër të përkohshëm të Mbrojtjes.

    Më herët, ai shërbente si zëvendësministër kryesor i Aziz Nasirzadehut, i cili u vra në një sulm izraelit, më 28 shkurt.

    “Me urdhër të presidentit Pezeshkian, gjenerali i brigadës, Seyyed Majid Ebnolreza, është emëruar ministër i përkohshëm i Mbrojtjes”, shkroi Mohammad Mehdi Tabatabaei, nga zyra për komunikim e Pezeshkianit, në rrjetet sociale.

  • Fillojnë punë 25 minatorë të rinj në Trepçë

    Fillojnë punë 25 minatorë të rinj në Trepçë

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë të ditur se 25 minatorë të rinj kanë filluar punën në këtë ndërmarrje, një lajm që është përshëndetur nga të gjithë ata që janë të angazhuar në këtë sektor.

    Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se ky është një lajm i mirë dhe i rëndësishëm për të gjithë.

    “Këta djem të rinj nuk kanë hyrë vetëm në një vend pune. Ata kanë hyrë në një profesion të vështirë, me përgjegjësi dhe sakrificë. Pas secilit prej tyre qëndron një familje, një shpresë për më shumë siguri dhe një e ardhme më e qëndrueshme. Si Sindikatë e mirëpresim këtë hap. Punësimi i tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e ndërmarrjes dhe në rritjen e stabilitetit. Sa më shumë punëtorë të ketë, aq më e fortë bëhet Trepça. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë çdo minatori, duke kërkuar kushte më të mira, mbrojtje sociale dhe trajtim me dinjitet. Sepse Trepça mbahet gjallë nga njerëzit e saj, nga puna e tyre e ndershme dhe nga sakrifica që bëjnë çdo ditë në nëntokë”, thuhet në postim.

  • ​Komisioni për Legjislacion hap konkursin për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor

    ​Komisioni për Legjislacion hap konkursin për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka miratuar disa pika të rendit të ditës, përfshirë hapjen e konkursit për tre anëtarë të Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe caktimin e një anëtari në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politik.

    Në këtë mbledhje, me propozim të deputetit nga Lëvizja Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, në rend dite është futur edhe pika për shpalljen e konkursit për plotësimin e vendeve vakante në Këshillin Gjyqësor.

    “Në vijimësi të disa vakancave institucionale si pasojë e mungesës së konsituimit të mirëfilltë atëherë institucional në zgjedhjet e vitit 2025, kemi një kërkesë e cila është deponuar në maj të vitit 2025, për shpalljen e konkursit për plotësimin e një vendi vakant si pasojë e dorëheqjes së një kandidati të mëhershëm që ka ushtruar funksionin në Këshillin Gjyqësor. Kërkoj që të futet pika e rendit të ditës, shpallja e konkursit për një anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës…Por, nëse janë tri vakancë atëherë mund të shkojmë të trijat me shpall”, ka thënë Qorrolli.

    Komisioni miratoi hapjen e konkursit për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, një nga komuniteti shqiptar dhe dy nga radhët e komunitetit serb.

    Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe Planin e Punës për sesionin pranveror (mars-korrik), i cili përfshin monitorimin e zbatimit të ligjeve, raporton KP.

    Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri propozoi tri shtesa në planin e punës, përfshirë vlerësimin e punës së Gjykata Komerciale dhe Gjykata Administrative, të themeluara në mandatin e kaluar.

    Ai tha se është e nevojshme të vlerësohet efikasiteti i këtyre gjykatave dhe nëse ka pasur rezultat themelimi i tyre.

    “Unë kam për të shtuar tre pika. E para, Blerta, unë, Artani dhe Adnani kemi qenë në komisionin për legjislacion në mandatin e kaluar, në atë kohë janë themeluar dyat, edhe gjykata komerciale dhe administrative. Kërkoj që si pikë e rendit të ditës në planin e punës tonë të bëhet një vlerësim i punës tyre, për shkak se në atë kohë si logjikë kur kemi diskutuar në komision, logjika për Gjykatën Komerciale ka qenë sa më shumë më mujt me e centralizua sistemin që me mundur me trajtua në atë kohë lëndë të cilat kanë qenë diskutabile në mes gjykatave dhe sektorit privat. Pastaj tek Gjykata Administrative është lidh shumë me punën civile, dhe në atë kohë kemi pas mbështetje edhe prej një programi të Ambasadës Amerikane. Mirëpo nuk dimë se si kanë shkuar punët deri tash. Duhet me pa cili ka qenë efikasiteti, a ja ka vlejtur që kemi themeluar”, ka thënë Tahiri.

    Sipas tij, duhet të vazhdohet edhe praktika e organizimit të një punëtorie të përbashkët me Komisionin për Legjislacion në Parlamentin e Shqipërisë, me qëllim shkëmbimin e përvojave në reformat në drejtësi.

    Ndërsa ka theksuar edhe ligjin për deputet.

    “Çështja e dytë, ne në fillim të vitit, zakonisht me komisionin përkatës në Shqipëri kemi pas një punëtori, një tryezë ku e kemi diskutuar përvojën e tyre, ata janë pak përpara neve në reformat në drejtësi. Ka diçka që ndërlidhet ngushtë edh me planin e punë së qeverisë, dhe propozoj që të vazhdojmë, zakonisht në pranverë ne shkojmë në Tiranë, më pas në pjesën e tretë apo katërt të vitit ata vinë tek ne. Pra, një punëtori të përbashkët me komisionin për legjislacion në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Dhe pika e tretë, ka të bëjë me vet ligjin për deputet, mendoj se ne duhet me marr përsipër këtë çështje”, ka shtuar Tahiri.

    Lidhur me këtë çështje, deputeti Adnan Rrustemi tha se do të ishte më e përshtatshme që monitorimi të bëhet në sesionin vjeshtor, duke e cilësuar si veprim të parakohshëm shqyrtimin në këtë fazë.

    “Bindja ime është që kish qenë më mirë në sesionin vjeshtor të monitorojmë. Jam plotësisht dakord, por pak veprim i parakohshëm”, ka thënë Rrustemi.

    Kryetari i komisionit, Përparim Gruda, theksoi se Gjykata Administrative ende nuk është funksionalizuar plotësisht, duke propozuar që në këtë sesion të monitorohet Gjykata Komerciale, ndërsa në sesionin vjeshtor të përfshihet Gjykata Administrative.

    Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit u pajtuan që kjo pikë të shtyhet për një mbledhje tjetër.

    Ndërkaq, në pikën për caktimin e një anëtari në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Burgosurve, të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë, Qorrolli, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi deputeten Arjeta Rexhepi.

    Propozimi u miratua unanimisht nga anëtarët e komisionit.

  • Shikoni momentin e sulmit në aeroportin e Dubait, në një sekondë u bë kaos i plotë

    Shikoni momentin e sulmit në aeroportin e Dubait, në një sekondë u bë kaos i plotë

    Kamerat e mbikëqyrjes në Aeroportin e Dubait kanë filmuar momentin kur aeroporti u godit gjatë një sulmi iranian të shtunën në mbrëmje.

    Ndërsa pasagjerët po prisnin në radhë në sportele, ata dëgjuan një shpërthim të fuqishëm dhe panë një shkëndijë nga jashtë aeroportit. Pas kësaj, të gjithë filluan të vraponin në panik, duke thyer barrierat që ndanin sportelet.

    Të dielën, i njëjti aeroport, një nga më të ngarkuarit në botë, u evakuua pasi një sallë pësoi “dëme të vogla”.

    Teherani ka synuar qendrat e udhëtimit në vendet aleate të SHBA-së me një seri sulmesh.

    Gjatë fundjavës, u konfirmua se katër punonjës të aeroportit u plagosën në sulm. Kompanitë ajrore anuluan fluturimet dhe korridori ajror mbi Lindjen e Mesme u mbyll.

  • Më 5 mars mbahet seancë solemne për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Më 5 mars mbahet seancë solemne për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë tha se në mbledhje u dakorduan që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Së pari u dakorduam që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra kjo seancë do të mbahet me datën 5, në orën 10:00, dhe përveç krerëve të shtetit do të flasin edhe përfaqësues nga grupet parlamentare. Diskutuam edhe për propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndonëse anëtarët e Kryesisë kërkuan më shumë informacione që të plotësojnë dosjen e deritanishme, prandaj këtë çështje do ta trajtojmë në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit”, tha ajo.

    Ajo tha se diskutuan edhe për Projektligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje.

    “Trajtuam edhe disa kërkesa që ndërlidhen për Projektligjin për Parandalimin e Dhunës në Familje, që është një nismë qytetare. U dakorduam që t’i takojmë nismëtarët që të flasim për këtë çështje dhe për qëllimin e kësaj nisme. Gjithashtu edhe disa kërkesa të natyrës administrative i trajtuam si Kryesi e Kuvendit”, tha ajo.

  • Haxhiu: Seanca për zgjedhjen e presidentit, nuk mund të thirret pa kandidatë me 30 nënshkrime

    Haxhiu: Seanca për zgjedhjen e presidentit, nuk mund të thirret pa kandidatë me 30 nënshkrime

    Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka thënë se nuk mund ta thërrasin seancën për zgjedhjen e presidentit/es, pa pasur kandidatë të cilët i kanë 30 nënshkrime.

    “Më lejoni që t’i adresohem disa çështjeve për këtë temë që vlerësoj që janë të rëndësishme edhe për shkak të kërkesave të shumta drejtuar në kabinetin tim në raport me të njëjtën. Pra, Kryesia e Kuvendit nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë të cilët i kanë 30 nënshkrime. Pra kërkohet që të jenë dy kandidatë, por lejohet që të jenë edhe tre apo katër kandidatë sepse siç e dini Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka 120 deputetë dhe secili kandidat duhet të ketë nga 30 nënshkrime, por një deputet nuk mund të japë nënshkrimin për dy kandidatë. Pra vetëm për një kandidat. Zgjedhja e presidentit pra është një moment i rëndësishëm, prandaj si Kryetar i Kuvendit konsideroj që procesi i zgjedhjes së tij apo saj duhet të reflektojë përgjegjësi, maturi dhe mbi të gjitha frymë bashkëpunimi”, tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Haxhiu ka thënë se duhet diskutime të sinqerta dhe jo barrikada sikurse në të kaluarën.

    “Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës kërkon 80 vota në kuti për dy raunde. Pra, për raundin e tretë në të dytë ndërsa për raundin janë tri raunde: raundi i parë, i dytë dhe i tretë. Por në raundin e tretë mund t’i kemi vetëm 61 vota për. Pra, ne është e rëndësishme që t’i kalojmë dy raundet e para me nga 80 vota në kuti, ndërsa raundi i fundit apo raundi i tretë mjafton që t’i kemi 61 vota për. Kjo do të thotë se fryma e saj është qartësisht frymë konsensusi. Asnjë palë e vetme nuk mund ta bëjë. Prandaj duhen diskutime të sinqerta, me kërkesa të arsyeshme dhe jo barrikada të së kaluarës. Si Kryetar i Kuvendit, mirëpres diskutimet dhe takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike. Mbështes gjithashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv ndërmjet palëve politike, me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon”, tha ajo.

    Zvarritja e proceseve apo futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor, Haxhiu thotë se do të ishte një kosto e panevojshme politike, por po ashtu edhe institucionale.

    “Kemi shumë punë përpara. Qytetarët presin rezultate, reforma, por edhe stabilitet. Zvarritja e proceseve apo futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike, por po ashtu edhe institucionale. Pra, edhe njëherë që t’i kthehem çështjes: Ne jemi pyetur se pse Kryesia e Kuvendit nuk po procedon me thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit apo presidentes. Ne si Kryesi e Kuvendit nuk mund të veprojmë për sa kohë nuk kemi nominime, pra kandidatë të cilët i kanë nga 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në momentin kur ne do t’i kemi, do të mblidhem”, tha ajo. /EkonomiaOnline

  • Mbrojtja e Thaçit: Dëshmitarët e kanë bërë vetë publike ftesën për dëshmi

    Mbrojtja e Thaçit: Dëshmitarët e kanë bërë vetë publike ftesën për dëshmi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtja e Hashim Thaçit nisi të hënën të marrë në pyetje dëshmitarin e parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.

    Dëshmitari, i cili kishte nisur dëshminë më 27 shkurt si i ftuari i parë i Prokurorisë në këtë rast, u mor në pyetje nga avokatja e Thaçit, Sophie Menegon. Në gjykatore u bë e ditur se ai është pjesë e stafit të Prokurorisë.

    Seanca, që nisi në orën 9:30, herë pas here kaloi në pjesë të mbyllura për publikun.

    Gjatë seancës, Menegon u fokusua në procedurat që lidhen me dëshmitarët në rastin tjetër ndaj Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se disa prej tyre e kanë bërë vetë publike faktin se janë ftuar për të dëshmuar.

    Si shembull ajo përmendi Rrustem Mustafën, i njohur si Remi, për të cilin tha se kishte deklaruar vetë në media se ishte ftuar për të dëshmuar në Hagë, raporton REL.

    Dëshmitari i Prokurorisë tha se Remi nuk ishte vendosur nën masa mbrojtëse, pasi është figurë publike dhe ka folur më herët publikisht për këto çështje.

    Në seancën e 27 shkurtit, i pyetur për procedurat, ai kishte thënë se dëshmitarët zakonisht udhëtojnë për në Hagë 7–10 ditë para datës së dëshmisë, për t’u përgatitur duke analizuar deklaratat e mëhershme dhe materiale të tjera. Sipas tij, dëshmitarët kanë të drejtë të korrigjojnë ose ndryshojnë dëshminë e tyre.

    Sipas aktakuzës, për disa muaj gjatë vitit 2023, të akuzuarit kanë ndërhyrë në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në seancën paraprake, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

    Në deklaratën hyrëse, Prokuroria ka thënë se Thaçi ka udhëhequr tri grupe në përpjekje për të ndikuar dëshmitarë të caktuar në rastin e parë kundër tij.

    Ajo ka deklaruar se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime të realizuara në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku pretendohet se Thaçi udhëzon të akuzuarit që të ndikojnë që dëshmitarë të caktuar, përfshirë edhe të mbrojtur, të ndryshojnë dëshminë e tyre.

    Prokuroria ka thënë gjithashtu se te disa nga të akuzuarit janë gjetur materiale që dyshohet se u janë dhënë nga Thaçi.

    Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

    Në këtë rast, nga java e kaluar, janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse, gjatë të cilave mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që të katërtit të shpallen fajtorë.

    Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

  • U puthën në publik, dy gratë e arrestuara në Ugandë rrezikojnë burgim të përjetshëm

    U puthën në publik, dy gratë e arrestuara në Ugandë rrezikojnë burgim të përjetshëm

    Dy gra janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim prej një jave në Ugandë pasi dyshohet se u panë duke u puthur në publik, një akt i konsideruar si “aktivitet mes të njëjtës gjini” që mund të çojë në burgim të përjetshëm në këtë vend të Afrikës Lindore.

    Wendy Faith, një muzikante 22-vjeçare e njohur si Torrero Bae, dhe Alesi Diana Denise, 21 vjeçare, u ndaluan pasi policia bastisi dhomën e tyre me qira në qytetin Arua, në veriperëndim të Ugandës, javën e kaluar.

    Policia tha se kishte marrë informacione nga komuniteti se të dyja gratë ishin përfshirë në “akte të çuditshme dhe të pazakonta, të besuara si seksuale”, përveçse ishin parë duke u puthur në mes të ditës.

    Gjithashtu u pretendua se shumë gra mblidheshin shpesh në banesën e tyre, gjë që çoi në arrestimin e tyre nën akuzën e praktikimit të homoseksualitetit.

    The Guardian shkruan se që prej arrestimit, ato ndodhen në paraburgim dhe nuk dihet nëse apo kur do të ngrihen formalisht akuzat kundër tyre.

    Presidenti autokratik i Ugandës, Yoweri Museveni, nënshkroi në maj 2023 Ligjin Kundër Homoseksualitetit, një nga ligjet më të ashpra në botë kundër komunitetit LGBTQ+, që parashikon burgim të përjetshëm për marrëdhënie mes të njëjtës gjini dhe dënim me vdekje për “homoseksualitet të rënduar”.

    Organizatat e të drejtave të njeriut dhe aktivistët kanë denoncuar rritjen e rasteve të ngjashme, ku njerëzit arrestohen, ngacmohen dhe shantazhohen vetëm mbi bazën e identitetit apo marrëdhënieve të tyre.

    Frank Mugisha, drejtues i organizatës “Sexual Minorities Uganda”, tha se rasti i dy të rejave është i padrejtë dhe alarmues, duke shtuar se raste të tilla po shtohen me shpejtësi në gjithë vendin.

    Raporte të fundit tregojnë se qindra persona të komunitetit LGBTQ+ janë targetuar që prej hyrjes në fuqi të ligjit, duke u përballur me diskriminim, dhunë dhe pasiguri të thellë.

    Aktivistët u kanë bërë thirrje autoriteteve të ndalojnë menjëherë survejimin, ngacmimin dhe arrestimet e individëve të perceptuar si LGBTQ+, ndërsa i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mos qëndrojë indiferent ndaj situatës.

  • Tre avionë luftarakë amerikanë u rrëzuan aksidentalisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit

    Tre avionë luftarakë amerikanë u rrëzuan aksidentalisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit

    Tre avionë luftarakë amerikanë u rrëzuan “si pasojë e një incidenti të dukshëm zjarri mik”, ka njoftuar Komanda Qendrore e SHBA-së.

    Mbrojtja ajrore e Kuvajtit i rrëzoi aksidentalisht avionët luftarakë F-15 Strike Eagle.

    “Gjatë luftimeve aktive – që përfshinin sulme nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë – avionët luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-së u qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit”, thuhet në deklaratë. “Të gjashtë anëtarët e ekuipazhit u hodhën me katapultë në mënyrë të sigurt, janë rikuperuar në mënyrë të sigurt dhe janë në gjendje të qëndrueshme. Kuvajti e ka pranuar këtë incident dhe ne jemi mirënjohës për përpjekjet e forcave mbrojtëse kuvajtiane dhe mbështetjen e tyre në këtë operacion të vazhdueshëm”.

    Shkaku i incidentit është nën hetim, sipas CENTCOM-it. Avionët po fluturonin në mbështetje të operacionit ushtarak kundër Iranit, i quajtur “Epic Fury”.

    Ministri i Mbrojtjes i Kuvajtit tha në orët e para të mëngjesit të së hënës se “disa” avionë luftarakë amerikanë u rrëzuan.