ATV

Author: K.B.

  • Rikthehet kalimi me kontrolle në Morinë

    Rikthehet kalimi me kontrolle në Morinë

    Nga dita e sotme deri më 30 prill do të jetë në fuqi kalimi me kontrolle në pikën kufitare të Morinit. Kështu përfundon periudha që nisi më 1 nëntor të vitit të kaluar dhe zgjati deri më 28 shkurt, gjatë së cilës u aplikua procedura e përshpejtuar e kalimit.

    Menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për rikthimin e kontrolleve, janë krijuar radhë të gjata automjetesh.

    Megjithatë, sipas udhëtarëve, kjo situatë është e mirëkuptuar dhe ata shprehen të ndërgjegjshëm për zbatimin e rregullave.

    Marrëveshja e nënshkruar mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, parashikon që kalimi me kontrolle të vijojë deri më 30 prill.

    Ndërsa nga 1 maji deri më 30 shtator do të rikthehet procedura e përshpejtuar, me qëllim lehtësimin e fluksit dhe shmangien e radhëve të gjata gjatë sezonit veror.

  • Kthehet në rigjykim rasti i Aksiqit, i dënuar me 15 vjet burgim për masakrën e Reçakut

    Kthehet në rigjykim rasti i Aksiqit, i dënuar me 15 vjet burgim për masakrën e Reçakut

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Çedomir Aksiqit i dënuar në mungesë për krime lufte, për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut më 1999, ku janë vrarë 45 civilë shqiptarë.

    Departamenti Special i Apelit ka njoftuar se e ka pranuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Aksiq, dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe vendosje.

    Apeli ka konstatuar se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe thuhet se procesi gjyqësor është zhvilluar pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij.

    “Kolegji i kësaj gjykate ka gjetur se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPP-së, pasi që gjykimi është mbajtur në mungesë të të akuzuarit pa u përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara në nenin 303 paragrafët 7 dhe 8 të KPP-së, ngase, sipas vlerësimit të kolegjit, gjykimi në mungesë-shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar pa u përmbushur kushtet ligjore, përkatësisht pa u ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarit për shqyrtimin gjyqësor dhe për sigurimin e pranisë së tij”, thuhet ne njoftim.

    Sipas Apelit, Themelorja nuk e ka zbatuar drejtë nenin 303 të kodit të Procedurës Penale.

    Kolegji ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk ka zbatuar drejt nenin 303 paragrafi 8 të KPP-së, kur ka mbajtur gjykimin në mungesë të të akuzuarit duke konstatuar se janë përmbushur kushtet për zhvillimin e tij, pasi nga shkresat e lëndës, përveç mungesës së provave që do të dëshmonin publikimin e ftesës për seancë dhe të aktakuzës, rezulton se gjykata e shkallës së parë kishte anashkaluar tërësisht një nga kushtet kumulative ligjore të përcaktuara me këtë dispozitë, përkatësisht zhvillimin e një fushate informative të plotë, e cila paraqet parakusht të domosdoshëm për konstatimin e përmbushjes së standardit ligjor për mbajtjen e gjykimit në mungesë të të akuzuarit.

    Në paragrafin 8 të nenit 303 thuhet se “Përpjekjet e arsyeshme në kuptimin e paragrafëve 6 dhe 7 të këtij neni përfshijnë procedurat sipas neneve 172 dhe 173 të këtij Kodi dhe një fushatë informative të plotë, duke e thirrur të akuzuarin të dorëzohet në juridiksionin e gjykatës. Po ashtu, ftesa së bashku me aktakuzën publikohen në ueb faqen e Prokurorit të Shtetit, gjykatës që zhvillon procedurën dhe në gazetën zyrtare, duke i bërë thirrje të të akuzuarit të dorëzohet. Njoftimet e tilla i bëjnë thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit që t’ia komunikojë atë informacion policisë”.

    Aksiq në dhjetori të vitit 2024 u pat dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte. Ky ishte aktgjykimi i parë i Themelores në Prishtinë për krime lufte në mungesë të të akuzuarit, sipas të cilit ai është dënuar edhe për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut.

  • MPJD: Mbi 960 kosovarë ndodhen në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

    MPJD: Mbi 960 kosovarë ndodhen në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se, përmes misioneve diplomatike, është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Kosovës që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.

    Sipas të dhënave më të fundit, në:

    Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës;

    Arabinë Saudite 331 qytetarë;

    Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot;

    Katar 75 qytetarë;

    Kuvajt rreth 60 qytetarë;

    Bahrein 4 qytetarë;

    Oman 2 qytetarë.

    “Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mire shëndetësore.

    Ministria është duke punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuimin e qytetarëve tanë, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht, janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.

    Megjithatë, institucionet vendore të të gjitha shteteve të rajonit, rekomandojnë dhe udhëzojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime, deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se secili udhëtim i ndërmarrë në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme që mund të lindin nga zhvillimet e paparashikueshme të situatës.

    Rekomandime për qytetarët tanë:

    Të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale.

    Të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftim të radhës.

    Të qëndrojnë në kontakt të rregullt me përfaqësitë tona diplomatike.

    Për çdo nevojë urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe: +971 547092109

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael: +972 586 340450

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite: +966 537508835

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Katar: +974 5055 9453

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojë të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri”.

  • Abdixhiku: Nëse VV dhe PDK vendosin të ketë garë për presidentin, atëherë shkojmë në zgjedhje

    Abdixhiku: Nëse VV dhe PDK vendosin të ketë garë për presidentin, atëherë shkojmë në zgjedhje

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, për çështjen e presidentit.

    Abdixhiku tha se nëse LVV dhe PDK vendosin të ketë garë për këtë pozitë, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

    Sipas tij, veç nëse arrihet një marrëveshje dhe ka konsensus, atëherë mund të zgjedhet i pari i shtetit.

    “Nëse VV dhe PDK vendos të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, se nuk e di si do t’i bëjnë 81 vota. Konsensusi bën president. LDK ika qenë e angazhuar të gjejë emër konsensual. Nuk ka emër, nuk ka proces konsultativ tutje. Do të presim tutje të shohim vendimin e Kurtit. “

  • Kryhet takimi me Kurtin, Abdixhiku: S’ka konsensus brenda partive politike për Presidentin, s’na u prezantua ndonjë kandidat

    Kryhet takimi me Kurtin, Abdixhiku: S’ka konsensus brenda partive politike për Presidentin, s’na u prezantua ndonjë kandidat

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se “duket se është i pamundur” konsensusi politik për Presidentin.

    Pas takimit të sotëm me kryeministrin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë këtë çështje.

    “Të them të drejtën, e shoh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare”, tha ai, duke treguar se është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Abdixhiku tha se “nuk ka ndonjë kandidat specifik në këtë fazë që na është prezantuar”.

    Ai tha se do ta njoftojë grupin parlamentar të LDK-së për takimet.

    “Nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë as s’mund të caktojë emër për kandidat në këtë fazë e besa as s’mund t1% nominojë dikë, sepse siç e dini, duhen 30 nënshkrime”, tha ai.

  • Afati për presidentin, Abdixhiku arrin në Kuvend për takim me Kurtin

    Afati për presidentin, Abdixhiku arrin në Kuvend për takim me Kurtin

    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka arritur në Kuvendin e Kosovës për takim me kryeministrin Albin Kurti.

    Temë kryesore e këtij takimi do të jetë zgjedhja e Presidentit.

    Ky është takimi i dytë mes tyre për këtë çështje, pasi dy liderët u takuan edhe javën e kaluar.

    Bazuar në afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, data e fundit është 4 marsi. Në të kundërtën, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

  • “200 shqiptarë jetojnë në Katar”, ambasadori Kaleci: S’ka të plagosur

    “200 shqiptarë jetojnë në Katar”, ambasadori Kaleci: S’ka të plagosur

    I ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Katar, ambasadori Ermal Kaleci, në një lidhje live për Euronews Albania, tha se gjatë sulmeve të fundit që Irani ka kryer ndaj Katarit ka 16 shtetas të plagosur, por mes tyre nuk ka asnjë shqiptar.

    Gjithashtu, ambasadori theksoi se në Katar jetojnë rreth 200 shqiptarë, të cilëve u bëri thirrje të ndjekin çdo njoftim të publikuar nga ambasada dhe të mos dalin nga shtëpitë e tyre, përveç rasteve urgjjente.

    “Sot është dita e tretë e sulmeve të Iranit kundër Katarit. Edhe sot u zgjuam me sirena alarmi, por aktualisht situata është e qetë dhe u themi të gjithë shtetasve që janë në Katar të ruajnë qetësinë.

    Në Katar janë rreth 200 shtetas shqiptarë. Ne kemi të dhënat e tyre dhe dimë edhe se ku punojnë. Në këtë situatë kemi edhe dy familje që kanë mbetur si turistë dhe aktualisht nuk ka mundur të kthehet në vendin e origjinës. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta.

    Nesër në orën 09:00 presim një informacion zyrtar nëse do të hapet hapësira ajrore.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, janë rreth 8 mijë shtetas që kanë mbetur në Aeroportin e Katarit. Ata janë marrë nga linjat ajrore dhe janë akomoduar nëpër hotele.

    Nga raportimet që kemi marrë, rezultojnë 16 shtetas të plagosur, por vlen të theksohet se nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar.

    U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të zbatojnë udhëzimet dhe të ndjekin faqen tonë zyrtare në Facebook, ku kemi publikuar çdo informacion që duhet të ndjekin shtetasit”, u shpreh ambasadori.

  • E dhimbshme: Vdes pas operimit foshnja që u dërgua për shërim para disa ditësh

    E dhimbshme: Vdes pas operimit foshnja që u dërgua për shërim para disa ditësh

    Një lajm i trishtë ka tronditur sot Mitrovicën.

    Vajza e porsalindur Bora Azemi, ka vdekur disa ditë pasi u dërgua për shërim jashtë vendit.

    Kjo u bë e ditur nga Besmiri, babai i foshnjes.

    “Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që fillimisht u konsiderua e suksesshme, ajo u mbajt për 30 orë nën mbikëqyrje intensive me pjesën e zemrës të hapur. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe u shfaq gjakderdhje e brendshme, të cilën organizmi i saj nuk arriti ta përballojë. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, ajo u nda nga jeta, duke lënë pas dhimbje të madhe në zemrat tona. Ju falënderojmë për mbështetjen, lutjet dhe mirëkuptimin tuaj në këtë kohë të rëndë për familjen tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

  • 16 vite e gjysmë burg për të akuzuarin që sulmoi seksualisht të miturin

    16 vite e gjysmë burg për të akuzuarin që sulmoi seksualisht të miturin

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me 16 vjet e gjashtë muaj burgim Blerim Sinanin, i shpallur fajtor për sulm seksual ndaj të miturve.

    Vendimi u bë i ditur nga gjyqtari Shabi Idirizi, i cili njoftoi se i akuzuari është gjetur fajtor për dy vepra penale, përkatësisht për dy dispozita të aktakuzës që lidhen me veprën penale të sulmit seksual. Për secilën vepër, veçmas, Sinani është dënuar me nga 10 vjet burgim, ndërsa në bashkim dënimesh gjykata i ka shqiptuar dënimin unik prej 16 vjetësh e gjashtë muajsh.

    Gjykata nuk ka konstatuar asnjë rrethanë lehtësuese në favor të të akuzuarit. Si rrethana rënduese janë marrë parasysh recidivizmi për vepra të njëjta dhe për vepra të ndryshme penale.

    Sipas aktakuzës së 7 majit 2025, të ngritur nga Prokuroria e Ferizajt, Blerim Sinani akuzohet se gjatë viteve 2024 dhe 2025 kishte sulmuar seksualisht një të mitur 13-vjeçar. Në përshkrimin e rastit thuhet se ai kishte shkuar pranë shkollës ku vijonte mësimin i mituri, i kishte dhënë 1-2 euro dhe më pas i kishte thënë: “Hajde me mu shpejt”.

    Aktgjykimi mund të ankimohet brenda afatit ligjor./kallxo.com/

  • Dëshmitari pohon që Zyrapi e bëri të ditur vetë për publikun se do të intervistohej

    Dëshmitari pohon që Zyrapi e bëri të ditur vetë për publikun se do të intervistohej

    Pjesëtari i Prokurorisë i cili po dëshmon me masa mbrojtëse në gjykmin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë, pohoi se Bislim Zyrapi vetë ua kishte konfirmuar mediave në Kosovë që do të intervistohej nga Prokuroria.

    Pohimi i dëshmitarit, erdhi pasi avokatja Sophie Menegon e cila përfaqëson Hashim Thaçin, i prezantoi dokumente dhe artikuj nga mediat, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Veç kësaj, dëshmitari tregoi se cila ishte arsyeja pse Prokuroria nuk vendosi masa mbrojtëse për Zyrapin kur ai dëshmoi në korrik të 2024-ës.

    “Zyrapi po ashtu është një figurë e njohur dhe publike në Kosovë dhe ka dhënë dëshmi edhe përpara gjykatave ndërkombëtare edhe përpara se të vinte këtu”, tha ai.

    Dëshmitari tha se “nuk mund t’ju flas për këtë” kur u pyet se a ka dhënë dëshmi përpara gjykatave të Kosovës.

    Ai pohoi se Zyrapi ka dhënë komente për ngjarjet e ’98-ës dhe ’99-ës në mediat kosovare.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një artikull në të cilin Zyrapi pretendohet se ka thënë se nuk kishte urdhër për vrasjen e Gani Gecit por vetëm urdhër për arrestim. Ai mohoi se e ka parë ndonjëherë këtë artikull, duke thënë se nuk i kujtohet.

    Dëshmitari pohoi se Zyrapi ka bërë komente për çështje që ai ka pasur t’i diskutojë për ZPS-në.

    Rrjedhimisht, pasi nuk pati kundërshtime, dokumenti u pranua në prova materiale.

    Përveç kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument i 5 qershorit 2023 në të cilën tregohej se Zyrapi po dëshmonte për rastin “Kleçka”.

    Dëshmitari mohoi se ka dijeni për këtë artikull, por sipas asaj që thuhej në atë, u pajtua që Zyrapi ka dëshmuar edhe në gjykatat vendore lidhur me krime lufte.

    Dëshmitari pohoi se më 2019-ën, vetë Zyrapi e kishte konfirmuar për media se do të intervistohej nga ZPS-ja.