ATV

Author: K.B.

  • Çmimet e naftës dhe gazit natyror rriten sërish për shkak të shqetësimeve mbi furnizimin, bursat bien

    Çmimet e naftës dhe gazit natyror rriten sërish për shkak të shqetësimeve mbi furnizimin, bursat bien

    Çmimet e naftës dhe gazit natyror vazhduan tw rriten të martën, ndërsa shtohen shqetësimet se konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, një rajon kyç prodhues karburantesh, mund të kërcënojë furnizimet globale.

    Kontraktet e ardhshme të Brent, indeksi global i naftës, u rritën me 6% në 82 dollarë për fuçi, sipas të dhënave të FactSet, pas një rritjeje një ditë më parë kur ato u vendosën në nivelin më të lartë që nga qershori 2025. WTI, indeksi amerikan, u rrit me 6% në 75.6 dollarë të martën.

    Ndërkohë, kontratat e ardhshme të gazit natyror europian u rritën me 34% në rreth 59 euro për megavat orë, të shtyra më lart nga vendimi i prodhuesit më të madh të gazit të Katarit për të ndaluar prodhimin pasi Irani shënjestroi infrastrukturën energjetike në shtetin e Gjirit.

    Lëvizjet e çmimeve pasqyrojnë shqetësimet se konflikti SHBA-Izrael me Iranin, që tani hyn në ditën e katërt, mund të frenojë eksportet e naftës dhe gazit natyror nga Lindja e Mesme. Ngushtica e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm transporti që anashkalon Iranin, është mbyllur në mënyrë efektive, duke lënë pak mundësi të tjera për transportimin e mallrave jetësore në tregjet globale.

    Ankthi në rritje u përhap në tregjet e aksioneve në mbarë botën. Indeksi Kospi i Koresë së Jugut kryesoi humbjet në Azi të martën, duke rënë më shumë se 7% në mbyllje. Indekset e aksioneve në Japoni dhe Hong Kong gjithashtu përfunduan më poshtë.

    Në Europë, FTSE 100 i Londrës ra me 2.7% në tregtinë e mëngjesit. Dax i Gjermanisë ra me 3.4% dhe indeksi CAC i Francës ra me 2.8%. Kontratat e ardhshme amerikane gjithashtu treguan për një hapje ndjeshëm më të ulët.

  • Rritet në 787 numri i të vdekurve në Iran nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit

    Rritet në 787 numri i të vdekurve në Iran nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit

    Numri i të vdekurve nga sulmet e vazhdueshme SHBA-Izrael ndaj Iranit është rritur në 787, tha Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane, transmeton Anadolu.

    Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar në rrënojat e ndërtesave të bombarduara, tha organizata në një deklaratë me shkrim të cituar nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve Tasnim.

    Nuk u dha asnjë informacion në lidhje me numrin e të plagosurve.

    SHBA-ja dhe Izraeli vazhduan sulmin në shkallë të gjerë ndaj Iranit që nga e shtuna, duke vrarë disa udhëheqës të lartë iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

    Në përgjigje, Teherani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin si dhe vendet e Gjirit, të cilat janë shtëpi të aseteve amerikane.

  • Trump do të marrë pjesë për herë të parë në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

    Trump do të marrë pjesë për herë të parë në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të hënën se do të marrë pjesë për herë të parë si president në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

    Në një postim në rrjetet sociale, Trump e lidh pranimin e ftesës me 250-vjetorin e themelimit të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se do të punojë për ta bërë këtë “darkën më të madhe, më të nxehtë dhe më spektakolare ndonjëherë”.

    Trump e bojkotoi këtë aktivitet për herë të parë në vitin 2017 dhe nuk mori pjesë gjatë mandateve të tij të mëparshme. Para tij, çdo president amerikan kishte marrë pjesë të paktën një herë në këtë traditë që organizohet që nga viti 1921.

    Trump kishte qenë i pranishëm si i ftuar në vitin 2011, kur presidenti i atëhershëm Barack Obama dhe moderatori Seth Meyers e ironizuan publikisht lidhur me ambiciet e tij presidenciale.

    Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë nuk do të ketë një komedian që të bëjë humor politik me presidentin. Shoqata ka ftuar mentalistin Oz Pearlman për të argëtuar të pranishmit.

    “Jemi të lumtur që presidenti e ka pranuar ftesën tonë dhe mezi presim ta mirëpresim”, deklaroi presidentja e shoqatës, Weijia Jiang.

    Që prej rikthimit të Trump në presidencë në vitin 2025, aleatët e tij kanë zgjeruar ndikimin në industrinë mediatike. David Ellison bleu Paramount Global, kompania mëmë e CBS News.

    Javën e kaluar, Paramount realizoi me sukses një ofertë për blerjen e Warner Bros. Discovery, që operon rrjetin televiziv CNN.

  • Sistemi prokurorial shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-Kryeprokurorit të Shtetit Hilmi Zhitia

    Sistemi prokurorial shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-Kryeprokurorit të Shtetit Hilmi Zhitia

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Agron Qalaj ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së ish-Kryeprokurorit të Shtetit Hilmi Zhitia.

    Në telegram ngushëllimin thuhet ish kryeprokurori Zhitia ishte një figurë e vlerësuar në sistemin e drejtësisë, ku si Kryeprokuror i Shtetit ka kontribuuar në avancimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë.

    ‘’ Në këto momente të rënda, në emrin tim dhe në emër të institucionit të Prokurorit të Shtetit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për Ju si familje, miqtë, dashamirët, si dhe për të gjithë ata që patën rastin ta njohin dhe të punojnë me z. Zhitija’’, thuhet mes tjerash në postim.

    Postimi:

    Telegram ngushëllimi nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Agron Qalaj me rastin e vdekjes së ish-Kryeprokurorit të Shtetit z. Hilmi Zhitia

    E nderuara familja Zhitija,

    Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, z. Hilmi Zhitija.

    Ai ishte një figurë e vlerësuar në sistemin e drejtësisë, ku si Kryeprokuror i Shtetit ka kontribuuar në avancimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë.

    Gjatë kohës sa shërbeu si Kryeprokuror i Shtetit, ai do të kujtohet për udhëheqje të përgjegjshme, vendimmarrje të guximshme dhe angazhim në mbrojtje të ligjshmërisë. Kontributi i tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga të gjithë ata që patën rastin të punojnë me të.

    Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh, jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për të gjithë bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij.

    Në këto momente të rënda, në emrin tim dhe në emër të institucionit të Prokurorit të Shtetit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për Ju si familje, miqtë, dashamirët, si dhe për të gjithë ata që patën rastin ta njohin dhe të punojnë me z. Zhitija.

  • Mefail Bajqinovci “i lutet” PDK-së: Lene anash inatin, ofroni kontruktivitet

    Mefail Bajqinovci “i lutet” PDK-së: Lene anash inatin, ofroni kontruktivitet

    Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se PDK duhet të lë anash inatin politik dhe të ofrojë konstruktivitet për çështjen e presidentit.

    Sipas Bajqinovcit, vendit s’duhet të shkojë përsëri në zgjedhje.

    “PDK-ja do duhej të linte anash inatin politik dhe të ofrojë konstruktivitet. Vendi nuk ka nevoje të shkojë përsëri në zgjedhje”, ka shkruar Bajqinofci.

    Kurti është takuar dy herë më kreun e PDK-së, Bedri Hamza, megjithatë takimet s’kanë prodhuar rezultat.

    Për të gjetur një zgjidhje, Kurti është takuar edhe sot me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por pa rezultat.

  • “Nemesis” shfaqet sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    “Nemesis” shfaqet sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    Shfaqja “Nemesis” me regji nga Florent Mehmeti do të ketë premierën sonte nga ora 20:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Pallati i Rinisë.

    Kjo shfaqje produksion nga Teatri ODA, e shkruar nga Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti, trajton artistikisht rrugëtimet dhe fatet e pushtetit dhe forcës si parakushte por edhe katalizatorë të degradimeve të personalitetit.

    “Nemesis” ndërthur referencat historike të njerëzimit, duke i mbështetur ato me referenca shkencore të neurokimisë, të ngurtësimit e sforcimit të sjelljes dhe mendjes njerëzore, por edhe me ndryshimet funksionale në trurin e njeriut.

    Reprizat e shfaqjes jepen më 4 dhe 7 mars 2026.

  • Komisioni për Arsim miraton Projektligjin për Qasje në Arsimin e Lartë në Ballkanin Perëndimor

    Komisioni për Arsim miraton Projektligjin për Qasje në Arsimin e Lartë në Ballkanin Perëndimor

    Në prani edhe të ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor.

    Deputetja dhe anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci përmendi dobitë e projektligjit.

    “Natyrisht është një marrëveshje shumë e rëndësishme që i shtohet listës së shumë marrëveshjeve të tjera. Me besimin dhe shpresën që sa më parë të ratifikohet edhe në Kuvend, për shkak se kjo është një lehtësi për të gjithë studentët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, që të regjistrohen në kushte të barabarta me shtetasit e vendeve ku do të bëjnë studimet. Siç besoj jeni në njohuri, ne edhe aktualisht kemi marrëveshje bilaterale me Shqipërinë, por jo vetëm, për kuotat e rezervuara dhe mundësitë e regjistrimit të studentëve. Sa i përket institucioneve të arsimit të lartë jopublik, do të thotë edhe aty nuk është e kufizuar, por është në diskrecion të institucioneve që të pranojnë studentë të vendeve të tjera. Dhe aktualisht që flasim, ne kemi studentë nga Kosova që vijojnë studimet në universitetet e ndryshme në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e të tjerë, dhe anasjelltas, studentë nga këto shtete që vijojnë studimet në institucionet jopublike të arsimit të lartë në kolegjet tona, pra nuk është e ndaluar”, tha Nagavci, raporton EO.

    Ndërsa anëtari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj tha se e mbështet këtë Projektligj.

    “Mbështetje plotë për këtë projektligj dhe shpresoj se do ta ratifikojmë në Kuvend sa më shpejt. Kam dy-tri çështje që dua t’i ngre, edhe ju në fjalën tuaj e thatë që vlen më shumë për institucionet e arsimit të lartë që janë institucione publike dhe private jo-publike në këtë rast. Edhe këto që vijnë prej procesit të Berlinit, sidomos janë institucionet të akredituara, për mendimin tim disa prej tyre, sidomos në fusha të caktuara që kanë të bëjnë me teknologjinë dhe që kanë të bëjnë me drejtimet të cilat janë më shumë të aplikuara sesa këto në përdorim të një ekonomie të llojit të tregut. Një ndryshim ndoshta mobiliteti edhe më i vërtetë, por nëse kështu ka qenë menduar kjo është më se e saktë dhe mos dashur të mbetemi pak problematike se nëse institucionet e arsimit të lartë kanë status publik dhe jo-publik, të dyja palët janë të akredituara me kushte dhe standarde të njëjta dhe në një vend demokratik këto institucione janë pjesë e frymës dhe vlerave të tregut, të duhej të ishin edhe jo-publike. Sa do të ishte mundësia për një vendim të tillë, a mund të zgjerohet? Dhe së dyti, që ndoshta e tejkalon natyrën e kësaj marrëveshje, a mund ne ta përdorim një projektligj të tillë, një marrëveshje të këtij niveli rajonal që të mund të kemi edhe studentë të cilët janë studentë të huaj jashtë Ballkanit Perëndimor? A mund të jetë kjo platformë që ne të mund të kemi një mobilitet akademik për studentë të cilët vijnë në një vend i cili është në një fazë të caktuar të integrimit në Bashkimin Evropian dhe mund të jenë pak më atraktiv sesa vetë vendet e BE-së”, tha Hoxhaj.

  • Nagavci: Takimet janë intensive për t’i shmangur zgjedhjet, jemi në një moment që duhet t’i kemi 80 vota në kuti

    Nagavci: Takimet janë intensive për t’i shmangur zgjedhjet, jemi në një moment që duhet t’i kemi 80 vota në kuti

    Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci është deklaruar sot për media pas takimit të kreut të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Nagavci në një deklaratë për media tha se shpreson se do të arrihet një konsensus dhe të gjithë deputetët do të kryejnë obligimin e tyre, do të rrinë në sallë dhe të shmangin edhe një palë zgjedhje të reja.

    “Takime janë shumë intensive gjatë këtyre ditëve, me të gjitha palët. Abdixhiku është kryetar i një partie që ka 15 deputetë në Kuvend andaj diskutimet janë të vazhdueshme me të gjitha palët që mund të kontribuojnë dhe të shmangen zgjedhjet”, tha ajo.

    Sipas Nagavcit, Kurti po bën gjithçka që është në kompetencë të tij që të ketë president/e në afat kushtetuese dhe të shmangen edhe në palë zgjedhje të cilat nuk janë në interes të askujt.

    “Ne jemi të interesuar që nënshkrimet tona të jenë në funksion të zgjedhjes së kandidatit ose kandidates që do të sigurojë pjesëmarrjen e më shumë se 80 deputetëve në Kuvend”, tha ajo.

    E pyetur nëse presidentja Osmani meriton edhe një mandat, Nagavci tha se “sistemi jonë kushtetuese është i tillë që nuk ka të bëjë me vlerësim të performancës, por me votat e deputetëve.

    “Jemi në një moment që duhet t’i kemi 80 vota në kuti…”, tha ajo.

  • Kurti del nga takimi i tretë me Abdixhikun: Ende s’e kemi zgjidhjen

    Kurti del nga takimi i tretë me Abdixhikun: Ende s’e kemi zgjidhjen

    Ka përfunduar takimi i tretë në mes të kreut të LVV-së, Albin Kurti, me kreytarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, megjithatë ende s’ka lajm për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi ka dalë nga takimi ka thënë se në momentin që do të ketë ndonjë zhvillim të ri, do të njoftojnë.

    “Ende nuk e kemi zgjidhjen”, ka thënë Kurti.

    Kurti dhe Abdixhiku janë takuar edhe të hënën në Kuvendin e Kosovës.

  • Ngushtica e Hormuzit: Çfarë ndodh nëse Irani mbyll korridorin global të naftës?

    Ngushtica e Hormuzit: Çfarë ndodh nëse Irani mbyll korridorin global të naftës?

    Irani thotë se do t’ia “vë flakën” çdo anijeje që përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit, kanalin më të ngarkuar të transportit të naftës në botë.

    Zakonisht, rreth 20% e naftës dhe gazit global kalon nëpër korsinë e ngushtë të transportit detar në Gjirin Persik. Por gjenerali iranian Sardar Jabbari tha se Teherani tani “nuk do të lejojë asnjë pikë nafte të largohet nga rajoni”.

    Pasiguria dhe ndërprerja e tregtisë ndërkombëtare e shkaktuar nga reagimi i Iranit ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit tashmë ka rritur çmimet e naftës.

    Bllokimi i ngushticës mund të rrisë më tej koston e mallrave dhe shërbimeve në të gjithë botën dhe të godasë disa nga ekonomitë më të mëdha të botës, duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Japoninë, të cilat janë ndër importueset kryesore të naftës bruto që kalon nëpër këtë rrugë ujore.

    Çfarë është Ngushtica e Hormuzit – dhe ku ndodhet?

    Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë dhe pika më e rëndësishme e tranzitit të naftës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    I kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), korridori – i cili është vetëm rreth 50 km i gjerë në hyrje dhe dalje, dhe rreth 33 km i gjerë në pikën e tij më të ngushtë – lidh Gjirin me Detin Arabik.

    Ngushtica është mjaftueshëm e thellë për anijet cisternë më të mëdha të naftës bruto në botë dhe përdoret nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme – dhe klientët e tyre.

    Në vitin 2025, rreth 20 milionë fuçi naftë kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë, sipas vlerësimeve nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) – kjo është një vlerë prej gati 600 miliardë dollarësh (447 miliardë paund) tregti energjie në vit.

    Kjo naftë nuk vjen vetëm nga Irani, por edhe nga shtete të tjera të Gjirit si Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Cili do të ishte ndikimi i mbylljes së ngushticës?

    Rreth 3,000 anije lundrojnë nëpër ngushticë çdo muaj.

    Analistët kanë paralajmëruar se sa më gjatë të ketë kërcënime për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, aq më i lartë do të jetë çmimi i naftës – dhe transporti i saj.

    “Është de facto i mbyllur në atë mënyrë që askush nuk guxon të kalojë nëpër të,” tha për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së, Arne Lohmann Rasmussen, analist kryesor në Global Risk Management, një ofrues i njohurive për tregun e energjisë.

    “Mund të sulmohesh dhe nuk mund të marrësh sigurim ose është jashtëzakonisht e shtrenjtë, kështu që duhet të presësh derisa situata e sigurisë të jetë më e mirë… Nëse nafta dhe gazi që vijnë nga ngushtica ndërpriten, kjo ka pasoja të konsiderueshme për tregun,” shtoi ai.

    “Ndërsa nuk ka bllokadë fizike, kërcënimet nga iranianët, plus sulmet me dronë dhe raketa, nënkuptojnë se tankerët nuk po kalojnë nëpër ngushticë.”

    Çmimi global i naftës së papërpunuar Brent arriti shkurtimisht në 82 dollarë (61 £) për fuçi të hënën, pasi të paktën tre anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit në fundjavë.

    Kjo ka lënë rreth 150 tankerë të bllokuar, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

    Sipas të dhënave nga Grupi i Bursës së Londrës, kostoja e marrjes me qira të një supertankeri për të transportuar naftë nga Lindja e Mesme në Kinë është pothuajse dyfishuar nga çmimi i javës së kaluar në një rekord prej më shumë se 400,000 dollarësh (298,300 £).

    Mbyllja e korridorit jetësor të transportit detar do të dëmtojë gjithashtu vendet e Gjirit, si Arabia Saudite, ekonomitë e të cilave mbështeten shumë në eksportet e energjisë.

    Irani, në krahasim, eksporton rreth 1.7 milion fuçi në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Irani eksportoi naftë me vlerë 67 miliardë dollarë (50 miliardë paund) në vitin financiar që përfundon në mars 2025 – të ardhurat e tij më të larta nga nafta në dekadën e fundit – sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Iranit.

    Një bllokadë e ngushticës do ta godasë rëndë edhe Azinë.

    Në vitin 2022, rreth 82% e naftës bruto dhe kondensateve (hidrokarbure të lëngshme me dendësi të ulët që zakonisht ndodhin me gazin natyror) që dalin nga Ngushtica e Hormuzit ishin të destinuara për vendet aziatike, sipas vlerësimeve të EIA-s.

    Vetëm Kina vlerësohet të blejë rreth 90% të naftës që Irani eksporton në tregun global.

    Meqenëse Kina e përdor atë naftë për të prodhuar produkte që më pas i eksporton në vende të tjera, çmimet më të larta të naftës mund të nënkuptojnë gjithashtu çmime më të larta për konsumatorët në të gjithë botën.

    Si mund ta mbyllë Irani ngushticën?

    Rregullat e Kombeve të Bashkuara u lejojnë vendeve të ushtrojnë kontroll mbi detet territoriale deri në 12 milje detare (13.8 milje) nga vija e tyre bregdetare.

    Në pikën e saj më të ngushtë, Ngushtica e Hormuzit dhe korridoret e saj të transportit detar shtrihen tërësisht brenda ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit.

    Nuk është e qartë se si saktësisht planifikon Irani ta mbyllë ngushticën, por sipas ekspertëve, një nga mënyrat më efektive për ta bërë këtë do të ishte vendosja e minave duke përdorur anije sulmi të shpejta dhe nëndetëse.

    Marina e rregullt e Iranit dhe marina e IRGC-së mund të nisin sulme ndaj anijeve luftarake dhe anijeve tregtare të huaja, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Megjithatë, anijet e mëdha ushtarake mund të bëhen objektiva të lehta për sulmet ajrore të SHBA-së, dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se një nga qëllimet e tij është të shkatërrojë marinën e Iranit.

    Anijet e shpejta të Iranit shpesh janë të armatosura me raketa kundër anijeve, dhe vendi gjithashtu operon një gamë anijesh sipërfaqësore, anijesh gjysmë-nëndetëse dhe nëndetëse.

    Rreth 20% e naftës dhe gazit global rrjedh përmes Ngushticës së Hormuzit
    SHBA-të kanë përdorur më parë fuqinë e tyre ushtarake për të rivendosur rrjedhën e trafikut detar përmes ngushticës.

    Në fund të viteve 1980, gjatë luftës tetëvjeçare Iran-Irak, sulmet ndaj objekteve të naftës u përshkallëzuan në një “luftë tankerësh” që pa të dy vendet të sulmonin anije neutrale për të ushtruar presion ekonomik.

    Tankerët kuvajtianë që transportonin naftë irakiane ishin veçanërisht të prekshëm. Përfundimisht, anijet luftarake amerikane filluan t’i shoqëronin ato përmes Gjirit në atë që u bë një nga operacionet më të mëdha të luftës sipërfaqësore detare që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas Institutit Detar të SHBA-së.

    A mund të kompensojnë rrugët alternative bllokadën?

    Kërcënimi i vazhdueshëm i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, me kalimin e viteve, i ka shtyrë vendet eksportuese të naftës në rajonin e Gjirit të zhvillojnë rrugë alternative eksporti.

    Arabia Saudite operon një tubacion 1,200 km të gjatë, i aftë të transportojë deri në 5 milionë fuçi naftë bruto në ditë, sipas EIA-s.

    Në të kaluarën, ajo ka ripërdorur përkohësisht një tubacion gazi natyror për të transportuar naftë bruto.

    Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lidhur fushat e tyre të naftës në brendësi të vendit me portin e Fujairah në Gjirin e Omanit nëpërmjet një tubacioni me një kapacitet ditor prej të paktën 1.5 milionë fuçish.

    Nafta mund të devijohet përgjatë infrastrukturës alternative për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, por Reuters raporton se kjo do të çonte në një rënie të furnizimit prej 8-10 milionë fuçish në ditë.