ATV

Author: K.B.

  • Osmani edhe tri javë presidente, pëfundon mandatin 5 vjeçar

    Osmani edhe tri javë presidente, pëfundon mandatin 5 vjeçar

    Më 4 prill, me 71 vota për, Kuvendi e zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

    5 vjet pas, Osmanit në këtë detyrë i kanë mbetur edhe 24 ditë.

    Deri në përmbyllje të mandatit, ajo do ta ushtrojë pozitën e kreut të shtetit me kompetenca të plota. Por, si do t’i kalojë Osmani tri javët e mbetura në Presidencë si kryetare shteti?

    “Këto tri javë janë më tepër të nevojshme për ta përmbyllë mandatin, për të përgatitur dorëzimin e detyrës, për të proceduar ndoshta me njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë, kjo puna e prezantimit të Kosovës në Bordin e Paqes mbetët të shihet se si do të funksionalizohet”, tha Besa Luzha- njohëse politike

    Në presidencë nuk i kthyen përgjigje RTK-së në pyetjet e dërguara.

    Tashmë, Osmani po pret emrat e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së, nga subjektet politike. Afati i fundit për dorëzimin e emrave është 15 marsi, ndërsa Osmani, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të ketë 5 ditë kohë për emërimin e tyre.

    “Ju ka kërkua partive të rekomandojnë përfaqësuesit për KQZ sepse është diçka që është e domosdoshme sepse nëse shkojmë në zgjedhje, KQZ-ja duhet të funksionalizohet”, tha Luzha.

    Osmani, është gruaja e dytë, pas Atifete Jahjagës, e zgjedhur presidente në historinë e shtetit të Kosovës. Në zgjedhjet e atëhershme të 14 shkurtit, ajo ishte personi më i votuar, me mbi 300 mijë vota.

  • Koci: Kushtetuesja s’do të presë deri më 31 mars, do të anulohet dekreti i Osmanit

    Koci: Kushtetuesja s’do të presë deri më 31 mars, do të anulohet dekreti i Osmanit

    Sipas politologut Melazim Koci, Gjykata Kushtetuese shumë më shpejt se që ka paralajmëruar do të dalë me vendimin mbi dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, e ai është i bindur se vendimi do të jetë me anulim të atij dekreti. Gjykata më 9 mars pati vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, masë që vlen deri më 31 mars.

    Ai ka thënë se katër nenet e Kushtetutës e thonë qartë se kur mund të shpërndahet Kuvendi, dhe siç ka thënë ai, në rastin aktual nuk parasheh në asnjë pikë shpërndarje të Kuvendit.

    “Besoj shumë që Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim para 31 marsit, këtë e mbështes në faktin se rasti nuk është i ndërlikuar. Pavarësisht qëndrimeve politike, rasti është shumë i qartë, kemi të bëjmë me shkelje të rëndë kushtetuese, por që lehtë deshifrohet”, ka thënë ai në Interaktiv.

    Koci ka shtuar se minimumi që mund ta bënte presidentja Vjosa Osmani para vendimit, ishte konsultimi me partitë politike.

    “Minimumi nëse presidentja është thirrur në këtë nen (86), është dashur të ftojë partitë politike, të konsultohet dhe pastaj ta marrë vendimin. Ne jemi demokraci parlamentare dhe nuk është presidentja dhe kryeministri mbi Kuvendin, ata i përgjigjen Kuvendit. Prandaj jam i bindur se ky rast do përfundojë shpejt me anulim të dekretit të presidentes Osmani”, ka theksuar ai.

    Sipas masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që është në fuqi deri më 31 mars, presidentja Vjosa Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet, por edhe Kuvendi mbetet pa aktivitet.

    Presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi Kuvendi në ditën e fundit të afatit kushtetues dështoi të zgjedhë presidentin.

    Mandati i Osmanit si presidente përfundon më 4 prill.

    Ndërkohë, vendimi i Kushtetueses mund t’ia kthejë funksionalitetin Kuvendit për së paku 60 ditë ose ta dërgojë vendin në zgjedhje.

  • Temperatura pranverore edhe sot

    Temperatura pranverore edhe sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe relativisht i ngrohtë pranveror. Do të ketë vranësira të pakta lokale, por pa ndonjë ndikim në atmosferë.

    Temperaturat pritet të lëvizin nga 0 deri në 18 gradë Celsius.

    Nga e premtja pritet të kemi mot me diell, por në disa zona edhe me zhvillime të vranësirave sidomos në pjesë të Shqipërisë dhe Malit të Zi ku mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë kryesisht orëve të pasdites. Në Kosovë më pak zhvillime, por mund të ndodhin rrebeshe të izoluara dita ditës.

  • Vdekja e 3-vjeçares, reagojnë anesteziologët: Mos gjykoni para se të përfundojnë hetime

    Vdekja e 3-vjeçares, reagojnë anesteziologët: Mos gjykoni para se të përfundojnë hetime

    Shoqata e Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës, ka reaguar pas vdekjes tragjike të një fëmije 3-vjeçar, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe duke kërkuar trajtim më të kujdesshëm të rastit në opinionin publik.

    Në reagimin e saj, shoqata thekson se dhimbja e familjes duhet të trajtohet me respekt dhe dinjitet, ndërsa kërkon që rasti të mos shndërrohet në temë sensacionaliste në media apo në rrjete sociale.

    Në të njëjtën kohë, shoqata ka shprehur shqetësim për akuzat publike të drejtpërdrejta ndaj anesteziologut, të bëra ende pa përfunduar hetimet institucionale dhe profesionale.

    Sipas tyre, gjykimet e parakohshme rrezikojnë të krijojnë perceptime të gabuara në opinion dhe të dëmtojnë besimin në sistemin shëndetësor.

    Shoqata rikujton se anesteziologjia është një specialitet që funksionon mbi standarde të rrepta ndërkombëtare për sigurinë e pacientit dhe përfshin monitorim të vazhdueshëm të funksioneve jetësore gjatë procedurave mjekësore.

    Megjithatë, theksohet se anestezioni i përgjithshëm, veçanërisht tek fëmijët e vegjël, mund të shoqërohet me komplikime të rralla dhe të paparashikueshme, të lidhura me gjendjen shëndetësore të pacientit, reagimin individual të organizmit apo faktorë të tjerë klinikë dhe gjenetikë.

    Për këtë arsye, shoqata kërkon që rasti të trajtohet me profesionalizëm dhe të analizohet në mënyrë të pavarur nga autoritetet kompetente për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet.

  • “Turp” – Ish-shefja e komunikimit në MPJD kritikon Gërvallën për largimin e fotografive dhe flamurit të UÇK-së

    “Turp” – Ish-shefja e komunikimit në MPJD kritikon Gërvallën për largimin e fotografive dhe flamurit të UÇK-së

    Ish-shefja e komunikimit në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë mandatit të ministres Meliza Haradinaj, Alkena Dervishaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie ku shihen në mbeturina fotografi të ish-ministrave të këtij institucioni.

    Përmes një reagimi publik, Dervishaj ka rikujtuar se një nga vendimet e para të ministres Meliza Haradinaj, kur mori detyrën, ishte vendosja e fotografive të ish-ministrave në korridorin e katit të katërt të ministrisë, si shenjë respekti për vazhdimësinë institucionale. Sipas saj, edhe pse shumica e ish-ministrave nuk i përkisnin partisë politike të Haradinajt, kjo nuk kishte rëndësi, pasi në institucion përfaqësohet shteti dhe jo partia.

    “Kur hyn në institucion nuk përfaqëson më parti, përfaqëson institucionin dhe respekton të gjithë ata që kanë qenë para teje, pa dallim,” ka shkruar ajo.

    Dervishaj theksoi se me disa prej këtyre ish-ministrave kanë pasur përplasje të forta mendimesh ndër vite, por sipas saj respekti institucional nuk ka munguar. Ajo po ashtu ka përmendur edhe një vendim tjetër të asaj kohe, kur për nder të Epopesë së UÇK-së, misioneve diplomatike të Kosovës u ishte dërguar flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u vendosur krahas flamurit shtetëror.

    Sipas Dervishajt, me ardhjen në krye të MPJD-së, ish-ministrja Donika Gërvalla Schwarz ka urdhëruar largimin e fotografive të ish-ministrave si dhe heqjen e flamurit të UÇK-së nga misionet diplomatike. Ajo shtoi se kjo qasje, sipas saj, po vazhdon edhe nga pasardhësi i saj në këtë post.

    “Vazhdimësia institucionale është këputur në vitin 2021 dhe përdhosja e çdo vlere të këtij shteti është shndërruar në normë,” ka deklaruar Dervishaj. Duke iu referuar fotografisë së publikuar së fundmi, ajo ka thënë se pamja e fotografive të ish-ministrave në mbeturina është “fytyra e vërtetë e kësaj kaste politike pesëvjeçare”. “Shkatërro dhe sundo. Turp,” ka përfunduar reagimi i saj.

  • Nagavci: VV ishte e bindur që Glauk Konjufca ka më shumë vota në Kuvend sesa Vjosa Osmani

    Nagavci: VV ishte e bindur që Glauk Konjufca ka më shumë vota në Kuvend sesa Vjosa Osmani

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se kanë qenë të bindur se Glauk Konjufca ka mbështetje më të madhe në Kuvend sesa Vjosa Osmani.

    “Sikurse e kemi bërë të ditur, ne kemi qenë të bindur që Glauk Konjufca do të ketë më shumë mbështetje sesa Vjosa Osmani. Kjo për shkak të diskutimeve në grupin tonë dhe partnerët tanë që jemi në koalicion, ne e kemi ditur që Glauk Konjufca do t’i merr 66 vota”, ka thënë ajo në T7.

    Nagavci, u pyet se pse kur VV nuk ka qëndruar në sallë për zgjedhjen e asnjë presidenti, ata tani mendojnë që opozita duhet të qëndrojë.

    “ LVV i ka pas gjithmonë qëndrimet e veta publike, sikurse e dini për emra specifik konkret kemi pas qëndime si subjekt politik..Është e ditur pse LVV ka kundërshtuar në atë kohë, ndërkohë në situatën që jemi nuk kemi dëgju asnjë arsye as nga PDK e as nga LDK”, tha ajo.

    Ajo është pyetur se nga i doli 60 ditëshi Lëvizjes Vetëvendosje, duke u pyetur edhe për deklaratën e Hekuran Muratit që nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 4 mars vendi shkon në zgjedhje.

    “Kah doli 60 ditëshi, është shprehimisht e cekur në kushtetutë, neni 82 pika parë që flet për shpërndarjen e Kuvendit. Unë besoj që Murati e ka thënë këtë për finalizimin dhe konstituimin sa më parë të Kuvendit të Kosovës, vitin e fundit e kemi humbur 1 vit për mos gatitshmërinë e deputetëe të opozitës për të votuar”, ka thënë Nagavci.

  • Abdixhiku zbulon bisedën me Kurtin për presidentin: A duam marrëveshje apo zgjedhje?

    Abdixhiku zbulon bisedën me Kurtin për presidentin: A duam marrëveshje apo zgjedhje?

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar detaje nga diskutimi që kishte me kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

    Abdixhiku tha se gjatë takimit e kishte pyetur Kurtin nëse synimi është arritja e një marrëveshjeje apo shkuarja në zgjedhje.

    “A i kemi këto takime sa për sy e faqe? Që bëhemi se po takohemi dhe në fund përfundojmë në zgjedhje dhe këtë punë e marrim vesh për pak ditë, apo do të shkojmë drejt zgjedhjes së presidentit?”, deklaroi Abdixhiku në Klan Kosova.

    Sipas tij, ekzistojnë tri alternativa për procesin e zgjedhjes së presidentit. E para, tha ai, është imponimi i një kandidature, gjë që sipas Abdixhikut do të çonte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

    “Në qoftë se imponon kandidaturë, atëherë shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nënshtrim, nuk nënshtrohet askush”, theksoi ai.

    Abdixhiku shtoi se Kurti i ka thënë se nuk ka qëllim për imponim të kandidatit. Në këtë rast, sipas tij, mbeten edhe dy mundësi të tjera: gjetja e një kandidati konsensual pa përkatësi partiake, ose arritja e një marrëveshjeje klasike politike mes partive.

    “Mu tha që jemi për këto të dyja. Preferojmë konsensusin e gjerë”, u shpreh Abdixhiku.

  • Gjendet në Dresden të Gjermanisë një bombë 250 kg nga Lufta e Dytë Botërore, evakuohen rreth 18 mijë banorë

    Gjendet në Dresden të Gjermanisë një bombë 250 kg nga Lufta e Dytë Botërore, evakuohen rreth 18 mijë banorë

    Rreth 18.000 banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në qendër të Dresden pas gjetjes së një bombe nga Lufta e Dytë Botërore në bregun e lumit Elbe River, në operacionin më të madh të evakuimit që është kryer ndonjëherë në këtë qytet të Gjermanisë Lindore.

    Piroteknikët neutralizuan një bombë britanike 250 kilogramëshe, e cila u gjet gjatë punimeve në një urë, një pjesë e së cilës kishte rrëzuar në vitin 2024.

    Operacioni nisi rreth orës 09:00 me pjesëmarrjen e mbi 400 policëve, helikopterëve dhe dronëve. Qëllimi ishte të sigurohej që shtëpitë, dyqanet, shkollat, shtëpitë e pleqve dhe zyrat në një rreze prej një kilometri të ishin evakuuar, ka transmetuar Panorama.

    Mes ndërtesave të prekura ishin edhe monumente historike të Dresdesë, si pallati Zwinger Palace dhe Kisha e Shën Mërisë (Frauenkirche). Policia njoftoi se bomba e neutralizuar do të transportohet në një qendër të specializuar për t’u shkatërruar në mënyrë të sigurt.

    Në janar dhe gusht të vitit 2025, në Dresden u gjetën dhe u neutralizuan edhe bomba të tjera nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Qyteti ishte bombarduar rëndë nga Aleatët më 13-14 shkurt 1945.

  • Ambasada Britanike i dhuron Policisë së Kosovës 2 automjete dhe 16 dronë me vlerë 153 mijë euro

    Ambasada Britanike i dhuron Policisë së Kosovës 2 automjete dhe 16 dronë me vlerë 153 mijë euro

    Në kuadër të partneritetit dhe të bashkëpunimit, Ambasada Britanike në Kosovë dhuron donacion për Policinë e Kosovës, 2 automjete dhe 16 dronë me pajisje përcjellëse vlera totale e të cilit arrin 153.000,00€, njofton policia.

    Sipas PK-së, ky donacion do të ndihmoj njësitet policore në raste të ndryshme, si në identifikimin, gjurmimin, monitorimin dhe përcaktimin e vendndodhjes së automjeteve dhe personave të dyshimtë.

    Drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare Fehmi Xhata dhe përfaqësuesja nga ambasada britaneze në Kosovë Emma Huntley në kuadër të partneritetit dhe bashkëpunimit, nënshkruan marrëveshje mbi pranim-dorëzimin e një donacioni të rëndësishëm për Policinë e Kosovës, vijon njoftimi.

    “Pajisjet e specializuara do të luajnë rol shumë të rëndësishëm, do të ndihmojnë dhe profesionalizojnë edhe më tepër punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësiteve kufitare të cilat kujdesen për parandalim të krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm”, tha policia.

  • OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

    OVL e UÇK reagon ndaj deklaratave të Speciales për respektimin e të drejtave të të akuzuarve

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK) ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila përmes faqes së saj zyrtare në “X” deklaroi se gjyqtarët sigurojnë respektimin e të drejtave të të akuzuarve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Në reagimin e saj, OVL e UÇK e konsideron deklaratën e gjykatës si një përpjekje për të “hedhur hi syve popullit të Kosovës”. Organizata thekson se qytetarët kanë parë gjatë gjithë këtyre viteve shkeljet e të drejtave themelore të të akuzuarve dhe nuk besojnë në respektimin real të Kushtetutës gjatë procesit.

    “Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse gjykimi është në fazën përmbyllëse, pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?” thuhet në reagim.

    OVL e UÇK thekson se mbajtja e të akuzuarve në paraburgim të pafund është e paarsyeshme, duke kërkuar një përgjigje të qartë dhe jo deklarata formale.

    Organizata thekson se kërkon drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, siç aplikohen në çdo sistem gjyqësor demokratik.

    Ky reagim vjen në një kohë kur Gjykata Speciale po afrohet drejt përfundimit të proceseve të saj, ndërsa tensionet dhe polemikat për të drejtat e të akuzuarve mbeten një çështje me rëndësi të madhe për opinionin publik në Kosovë.