ATV

Author: K.B.

  • Në QKUK konfirmohet shtatzëni pas procedurës IVF

    Në QKUK konfirmohet shtatzëni pas procedurës IVF

    Në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF), ka shkruar në FB ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Tutje, ai thotë se ky është “një lajm që jep shpresë për shumë gra që presin të bëhen nëna, e që tashmë këtë procedurë mund ta realizojnë në QKUK, ku dy procedurat e para ofrohen pa pagesë”.

    “Falënderojmë ekipin profesional të Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm, ka shkruar ai në fund të postimit.

    Ky është rasti i parë i ndodhur në QKUK.

  • Shokuese: 150 mijë kërkime në një ditë se si të vriten gratë pa lënë gjurmë

    Shokuese: 150 mijë kërkime në një ditë se si të vriten gratë pa lënë gjurmë

    Një raport shqetësues është publikuar lidhur me fenomenin e femicidit nëpër botë.

    Sipas të dhënave, raportohet se çdo ditë bëhen rreth 150 mijë kërkime në “Google” nga burra që kërkojnë mënyra se si të vrasin gratë pa lënë gjurmë.

    Sipas Besa Mahmutit, femicidi nuk është problem kultural, por problem global.

    “Është bërë një hulumtim që tregon se në çdo 10 minuta në botë, vritet nga një grua. Nëse ndalim dhe mendojmë, kjo është me të vërtetë frikësuese”, u shpreh Mahmuti.

  • 12 kongresistë “të shqetësuar thellë” i shkruajnë Rubios kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

    12 kongresistë “të shqetësuar thellë” i shkruajnë Rubios kundër tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova

    Një grup prej dymbëdhjetë ligjvënësish amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, duke shprehur shqetësim për raportimet mbi një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga misioni i NATO-s në Kosovë.

    Letra, e datës 11 mars, paralajmëron se një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane në KFOR mund të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Ligjvënësit i kërkojnë Departamentit të Shtetit të ruajë nivelin aktual të forcave amerikane në këtë mision paqeruajtës./nacionale/

    “Ne ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me raportimet se administrata Trump mund të reduktojë forcat amerikane nga misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë”, thuhet në letër.

    Sipas tyre, situata politike në rajon mbetet e brishtë dhe ndikimi i aktorëve të jashtëm po rritet.

    “ Në një kohë të brishtësisë politike dhe rritjes së ndikimit malinj në Ballkanin Perëndimor, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin më të gjerë”, shkruajnë ata.

    Ligjvënësit theksojnë se kontributi amerikan është thelbësor për efektin parandalues të këtij misioni.

    Aktualisht, SHBA kontribuon me rreth 500 trupa në një KFOR totale prej rreth 5,000 ushtarësh.

    “Një prani e vogël me një ndikim të jashtëzakonshëm”, thekson letra.

    Sipas kongresmenëve, kontributi amerikan konsiderohet “shtylla kurrizore e efektit parandalues të KFOR-it”.

    Ata argumentojnë se sinjali strategjik i SHBA-së ndaj aleatëve dhe aktorëve rajonalë është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

    Letra vë në dukje se tensionet mes komuniteteve serbe në veri të Kosovës dhe institucioneve qendrore vazhdojnë të jenë të larta.

    “Në mungesë të përparimit domethënës në dialogun Beograd–Prishtinë, një reduktim i trupave heq një levë të rëndësishme për të nxitur rikthimin në negociata”, shkruajnë ligjvënësit.

    Ata paralajmërojnë gjithashtu se një reduktim i pranisë amerikane mund të inkurajojë aktorë që e shohin një tërheqje perëndimore si mundësi për të nxitur destabilizim.

    Ligjvënësit paralajmërojnë se çdo dobësim i KFOR-it mund të ketë pasoja për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

    KFOR shërben si forcë rezervë për misionin e Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR Althea.

    Në letër përmendet edhe lideri i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

    Ligjvënësit theksojnë se Dodik ka vazhduar retorikën separatiste dhe bllokimin institucional.

    Ata vënë në dukje se kjo retorikë është intensifikuar edhe pas vendimit të administratës Trump për të hequr sanksionet ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve.

    “Edhe perceptimi i një tërheqjeje amerikane nga KFOR mund të inkurajojë agjenda nacionaliste në Kosovë dhe Serbi, si dhe ambiciet separatiste në Republika Srpska”, thuhet në letër.

    Ligjvënësit paralajmërojnë gjithashtu për ndikimin e Rusisë në rajon.

    Sipas tyre, Moska ka kërkuar vazhdimisht të shfrytëzojë ndarjet në Ballkan për të dobësuar mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

    Në këtë kontekst, ata citojnë edhe dëshminë e komandantit suprem të NATO-s për Evropën, Christopher Cavoli, i cili në vitin 2024 paralajmëroi se Rusia po nxit tensione ndëretnike në Bosnje.

    Ligjvënësit kërkojnë sqarime nga Departamenti i Shtetit për implikimet e mundshme të një reduktimi të trupave.

    Ata duan të dinë nëse kjo është pjesë e një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane.

    “Ne kërkojmë sqarime mbi vlerësimin e Departamentit për implikimet e sigurisë rajonale të këtij reduktimi”, thuhet në letër.

    Në përfundim, ata i bëjnë thirrje Departamentit të Shtetit të koordinohet ngushtë me Kongresin përpara çdo vendimi.

    “Ju kërkojmë të siguroheni që çdo ndryshim në praninë ushtarake amerikane në Kosovë të shqyrtohet përmes një procesi ndërinstitucional”, përfundon letra.

  • Fatmir Sheholli mbetet edhe 2 muaj në paraburgim si i dyshuar për spiunazh

    Fatmir Sheholli mbetet edhe 2 muaj në paraburgim si i dyshuar për spiunazh

    Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar masën e paraburgimit Fatmir Shehollit për edhe dy muaj, si i dyshuar për spiunazh.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

    Gashi tha se paraburgimi iu vazhdua Shehollit pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës.

    “Gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit të datës 09.03.2026 ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha Gashi.

    Kjo masë do të llogaritet deri me datë 08.05.2026.

    Sheholli ishte arrestuar në vitin 2025 nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.

  • “Me armë në studio pas mosmarrëveshjes rreth një borxhi”- Si ndodhi rasti ku Gjesti mbeti i arrestuar?

    “Me armë në studio pas mosmarrëveshjes rreth një borxhi”- Si ndodhi rasti ku Gjesti mbeti i arrestuar?

    Prokuroria Themelore në Prishtinë të enjten ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e paraburgimit për këngëtarin Besart Kelmendi i njohur si Gjesti.

    Këngëtari u ndalua një ditë më parë nën dyshimin për “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

    Për çka po dyshohet këngëtari?

    Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se e gjithë ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të studios “Onima”, e që shkak dyshohet të jetë mosmarrëveshja rreth një borxhi paraprak, ku këngëtari me armë në dorë ka shkuar në zyrat e studios dhe kërkoi të dëmtuarin E.Sh., duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”.

    Më tej, bëhet e ditur se meqenëse këngëtari nuk e gjeti në zyrat e studios të dëmtuarin, në shenjë revolte lidhur me mosmarrëveshjen për pagesat e borxhit, ia dëmton kompjuterët, tavolinat e xhamat e studios, duke shkaktuar dëm material tek i dëmtuari.

    Ndërkaq, sipas burimeve, kur policia kishin shkuar në zyrat e “Onimas”, këngëtarin e gjetën me armë në dorë, e cila iu sekuestrua. /BetimipërDrejtësi/

  • Rreth 3 miliardë euro investime kapitale për katër vjet, pyet Hoti: Cilat projekte u realizuan, ku shkuan ato para?

    Rreth 3 miliardë euro investime kapitale për katër vjet, pyet Hoti: Cilat projekte u realizuan, ku shkuan ato para?

    Deputeti i LDK-së, Avdulah Hoti ka thënë se gjatë viteve 2021-2025, janë shpenzuar rreth 3 miliardë euro për investime kapitale.

    Ai ka pyetur se cilat janë projektet e kryera, të cilat është e vështirë të identifikohen.

    “Nga analiza e buxhetit rezulton se gjatë viteve 2021-2025 janë shpenzuar afër 3 miliard euro në shpenzime kapitale nga buxheti i shtetit. Pasi të hiqen investimet e komunave, që janë relativisht në shuma të vogla, është vështirë të identifikohen projektet ku janë shpenzuar gjithë këto mjete. Rrugët kryesore rajonale janë ende të papërfunduara, sikurse edhe autostrada e Anamoravës, që nënkupton se ato ende nuk janë paguar”.

    “Dy projekte të mëdha, hekurudha për Durrës dhe tuneli Prizren-Tetovë, që pritej të shpenzonin pjesë të madhe të buxhetit për investime kapitale, as nuk kanë nisur. Atëherë ku janë shpenzuar gjithë këto mjete?”, ka shkruar Hoti në Facebook.

  • Maqedonci takon homologun belg, diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet ushtrive

    Maqedonci takon homologun belg, diskutohet thellimi i bashkëpunimit ndërmjet ushtrive

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me homologun e tij belg, Theo Francken, në margjinat e panairit BEDEX 2026, i cili po mbahet në Bruksel.

    Në njoftimin e MM-së së Kosovës, u tha se në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, “me fokus të veçantë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet ushtrive tona përmes trajnimeve të përbashkëta, si dhe mundësitë për shkëmbimin e oficerëve për shkollimin dhe avancimin profesional të tyre”.

    “Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe akreditimi i Atasheut të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në Belgjikë, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit tonë institucional dhe ushtarak”, u tha në njoftim.

    Kosova, sipas njoftimit, po ndërton partneritete të forta me aleatët dhe po avancon me vendosmëri drejt forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe integrimit euroatlantik.

    “Së bashku me aleatët tanë, për më shumë siguri, stabilitet dhe zhvillim”, tha njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

  • Ramush Haradinaj merr pjesë në varrimin e nipit të Agim Çekut

    Ramush Haradinaj merr pjesë në varrimin e nipit të Agim Çekut

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në varrimin e Yll Çekut, nipit të ish-gjeneralit të UÇK-së, Agim Çekut.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se sot ndjen me mikun e tij Agimin, për një humbje kaq të madhe.

    “Sot në Qyshk të Pejës i dhamë lamtumirën e fundit Yll Çekut. Një ndarje e rëndë nga jeta, që ka lënë dhimbje të madhe te familja dhe miqtë. Bashkëndjej me mikun tim Agimin për humbjen e nipit të tij, si dhe me prindin e Yllit, Arsimin, si dhe gjithë familjen Çeku, duke uruar ta gjejnë forcën për ta përballuar dhimbjen. Ylli u prehtë në paqe!”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, 31-vjaçari vdiq pas një aksidenti të rëndë trafiku që kishte ndodhur muaj më parë.

  • KQZ e pezulloi si parti, AKR thotë se kuvendin pritet ta mbajë në mes të prillit

    KQZ e pezulloi si parti, AKR thotë se kuvendin pritet ta mbajë në mes të prillit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR) për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve ligjore.

    U.d. i kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli, i tha Klankosova.tv se arsyeja e mosmbajtjes së zgjedhjeve të brendshme ka qenë rastisja me dy cikle zgjedhjesh në vitin e kaluar, ato lokale dhe ato qendrore.

    “Rastisen dy palë zgjedhje, ato lokale dhe qendrore, prandaj nuk mundëm me e mbajtë kuvendin zgjedhor brenda afatit katërvjeçar deri më 24 shkurt. Sipas ligjit për partitë politike, AKR-ja pezullohet dhe brenda 45 ditëve duhet të mbajë kuvendin. Pezullimi do të thotë që, nëse zgjedhjet do të mbaheshin ndërkohë, ne nuk mund të konkurrojmë si parti e vetme me listën tonë, ndërsa në listë me ndonjë parti tjetër mund të garojmë, siç kemi bërë në zgjedhjet e fundit”, tha ai në një përgjigje për Klankosova.tv

    I njëjti bëri të ditur se AKR planifikon që ka mesi i muajit prill të mbajë Kuvendin Zgjedhor.

    “Përndryshe, partia funksionon dhe planifikojmë që deri në mes të prillit të mbahet kuvendi zgjedhor”, tha Makolli.

  • Komiteti i Rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën

    Komiteti i Rajoneve i BE-së heq fusnotën për Kosovën

    Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar Asocacionin e Komunave të Kosovës, se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.

    Ky vendim, siç thuhet në njoftimin e tyre në Facebook, vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.

    Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.

    “Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian. Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale. Në opinion theksohet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, dhe për këtë arsye Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë”, thuhet në njoftim.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), thuhet se ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian.

    “Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komitetin e Rajoneve të BE-së, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në:

    promovimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës;informimin e partnerëve evropianë për ndikimin që masat e BE-së kanë pasur në komunat dhe qytetarët e Kosovës;forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane.
    Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.

    Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën.

    “Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian”.