ATV

Author: K.B.

  • “Ne po përgatitemi për sulmin e tyre”, Vuçiq vazhdon propagandat për aleancën Kosovë–Shqipëri–Kroaci

    “Ne po përgatitemi për sulmin e tyre”, Vuçiq vazhdon propagandat për aleancën Kosovë–Shqipëri–Kroaci

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon të shpreh “shqetësimin” për formimin e një aleance ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke e paraqitur veten si viktimë të një situate që sipas tij është drejtuar direkt kundër vendit të tij.

    “Unë jam president i një vendi numerikisht të vogël. Nuk jam Donald Trump, Vladimir Putin, presidentë të mëdhenj që zgjidhin gjithçka me lehtësi. Nuk ka gjëra të lehta për mua. Sigurisht që kam frikë. Jam një president që dëshiron që trashëgimia e tij të jetë paqja. Nga askund, shfaqet një aleancë ushtarake. Sigurisht që kam frikë, për jetën e çdo qytetari të vendit tonë, kjo është përgjegjësia ime”, tha Vuçiq në një intervistë të fundit.

    Ai akuzoi Kroacinë dhe Shqipërinë se qëllimisht po krijojnë një aleancë për të minuar Serbinë, duke theksuar se “kjo aleancë ushtarake është e drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë, nuk ka arsye tjetër”.

    “Ne po përgatitemi për sulmin e tyre . Ata po presin momentin që do të ndodhë në të ardhmen kur të shpërthejë një konflikt më i madh midis evropianëve dhe rusëve dhe një konflikt edhe më i madh në Lindjen e Mesme. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për të mbrojtur vendin tonë. Ne nuk mund të sulmojmë vendet e NATO-s, dhe Shqipëria dhe Kroacia janë midis tyre. Këto janë qëllimet e tyre, ata po presin një moment të favorshëm kur të ketë kaos të përgjithshëm në botë”.

    Duke komentuar deklaratën e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq për armët hipersonike të Serbisë, Vuçiq tha se marrëdhëniet me NATO-n janë “korrekte dhe të mira” dhe se vendi i tij nuk do të anëtarësohet në Aleancë, duke ruajtur neutralitetin.

    Analistët e shohin këtë qëndrim si një strategji për të shfaqur Vuçiq si viktimë të një situate rajonale, duke e pozicionuar veten si mbrojtës i paqes dhe stabilitetit në rajon përballë një aleance që ai e percepton si kërcënim.

    NATO për paktin e mbrojtjes të Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal

    Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, më herët ka deklaruar se Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal, kur u pyet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes të dy shteteve të aleancës me Kosovën.

    “Shqipëria dhe Kroacia nuk janë vetëm aleate të besueshme dhe të çmuara brenda aleancës. Ato janë edhe kontribuuese për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ato kanë prani në KFOR, por në përgjithësi janë të përqendruara në mbështetjen e kësaj agjende në rajon”, tha Shekerinska për agjencinë serbe të lajmeve, Beta.

    Pas këtyre deklaratave, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anusheviq, tha se bashkëpunimi me Kosovën dhe Shqipërinë nuk përbën kërcënim për askënd.

    “Në këtë deklaratë absolutisht nuk ka asgjë të diskutueshme dhe, natyrisht, nuk i rrezikojmë askënd me të. Bashkëpunimi ynë është qartësisht i orientuar drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, si dhe për thellimin e partneritetit dhe aleancës mes tre shteteve mike”, shkroi ai në X.

    Edhe më herët, nënshkruesit e deklaratës kanë deklaruar se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, deklaroi në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

    Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.

    Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

    Në bazë të kësaj deklarate, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara.

  • Prokuroria sllovene ngrit aktakuzë ndaj kreut të Kishës Ortodokse Serbe

    Prokuroria sllovene ngrit aktakuzë ndaj kreut të Kishës Ortodokse Serbe

    Prokuroria shtetërore në Lubjanë, Slloveni ka ngritur më 12 janar aktakuzë kundër kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, për akuza të keqtrajtim në vendin e punës ndaj një prifti.

    Sipas dokumentit zyrtar të Prokurorisë së Qarkut të Lubjanës, akuzat janë paraqitur në Gjykatën Komunale të Lubjanës kundër dy palëve: Pravoslavit Porfirije Periq, i cili atëbotë ishte mitropolit i Mitropolisë Zagreb‑Lubjanë të Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Serbe – Njësisë së Kishës në Lubjanë si person juridik.

    Akuzat lidhen me pretendimet e priftit Zhelko Lubarda, i cili deklaron se ka qenë subjekt i keqtrajtimit të vazhdueshëm dhe presionit psikologjik, shkruan nova.rs.

    Ai thotë se u sulmua sistematikisht në punë për shkak se refuzoi të jepte dëshmi të rreme për të fshehur supozime për abuzime financiare në arkat e kishës.

    Lubarda pretendon që presioni dhe trajtimi i tij ka qenë i tillë saqë i ka shkaktuar probleme të rënda shëndetësore dhe ka rezultuar në humbjen e të ardhurave dhe shtëpisë së tij.

    Dokumenti i prokurorisë i referohet nenit 196 dhe 197 të Kodit Penal të Republikës së Sllovenisë, që konsiderojnë keqtrajtim në vendin e punës si vepër penale.

    Aktualisht, çështja është në fazën kur gjykata do të verifikojë ligjshmërinë e aktit akuzues dhe, më pas, do të caktojë datën e fillimit të procesit gjyqësor.

  • Gjesti del sot para gjykatës

    Gjesti del sot para gjykatës

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca e parë dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti.

    Ai u ndalua të mërkurën nën dyshimin për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “kanosje” dhe “dëmtim i pasurisë”.

    Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur në gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

    Seanca dëgjimore pritet të mbahet sot duke filluar nga ora 09:30.

  • Kosova me inflacionin më të lartë në Ballkan – çmimet rriten më shpejt se në tërë rajonin

    Kosova me inflacionin më të lartë në Ballkan – çmimet rriten më shpejt se në tërë rajonin

    Kosova ka shënuar normën më të lartë të inflacionit në rajonin e Ballkanit për muajin shkurt 2026, sipas të dhënave të publikuara nga platforma analitike ekonomike Kos Data.

    Sipas këtyre të dhënave, inflacioni në Kosovë ka arritur në 6%, duke e vendosur vendin në krye të listës së shteteve të rajonit për rritjen e çmimeve.

    Pas Kosovës renditen disa vende të tjera të rajonit me norma dukshëm më të ulëta të inflacionit:

    Kroacia – 3.8%

    Bosnja dhe Hercegovina – 3.6%

    Bullgaria – 3.3%

    Mali i Zi – 2.9%

    Maqedonia e Veriut – 2.9%

    Sllovenia – 2.9%

    Greqia – 2.7%

    Shqipëria – 2.5%

    Serbia – 2.4%

    Shifrat tregojnë se Kosova ka pothuajse dyfishin e inflacionit krahasuar me disa vende të rajonit, duke reflektuar një presion më të madh në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

    Inflacioni ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve, pasi rritja e çmimeve prek veçanërisht produktet bazë, energjinë dhe shërbimet.

    Ndërkohë, ekspertët ekonomikë vazhdojnë të theksojnë se kontrolli i inflacionit dhe stabiliteti i çmimeve mbeten një nga sfidat kryesore për ekonominë e vendit.

  • Spahiu: Kurti u tregua koprrac, duhej t’ia ofronte postin e presidentit PDK-së ose LDK-së

    Spahiu: Kurti u tregua koprrac, duhej t’ia ofronte postin e presidentit PDK-së ose LDK-së

    Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka thënë se kryeministri Albin Kurti u tregua ‘koprrac’ gjatë bisedimeve me PDK-në e LDK-në për çështjen e presidentit.

    Ai ka thënë se Kurti do të duhej t’i ofronte njërit nga liderët e këtyre partive postin e presidentit.

    Spahiu ka vlerësuar se në këtë rast më i përshtatshmi për Kurtin do të ishte Lumir Abdixhiku president.

    “Kurti u tregua shumë koprrac në bisedime me partneret, duke mos lëshuar pe. Ka pasur mundësinë që t’u thotë dy liderëve të partive opozitare dhe të zgjedh njërin prej tyre, tu thotë bjermi nënshkrimet dhe ti je president dhe me zgjedh cili i konvenon më shumë. Mendoj se Lumiri i kish leverdisë më shumë për shkak të fuqisë politike më të vogël”, ka thënë Spahiu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

    Ai ka vlerësuar se Abdixhiku do ta pranonte këtë ofertë dhe do të ishte i pranueshëm për amerikanët.

    Sipas, Spahiut, Kurti ka rrezikuar që të humbë mbështetjen nëse shkohet në zgjedhje dhe sipas tij, edhe nëse del partia e parë, do të duhej të bëjë marrëveshje që veç presidentit të ndajë edhe postet në qeveri.

    “Tash mundet edhe mos me i fitua zgjedhjet apo me dal partia e parë, por me rezultate më të dobëta dhe tash nëse nuk ka dashur me dhënë presidentin edhe gjysmën e Qeverisë. Ishte në pozitë që ta jepte vetëm presidentin”, ka thënë Spahiu.

  • Parashikimi i motit për të premten

    Parashikimi i motit për të premten

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe gjatë ditës me vranësira të pakta, kryesisht rreth viseve malore.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 5-23 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 0 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 19°C. /MeteoKosova

  • Kryediplomati shqiptar: Shqipëria e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë

    Kryediplomati shqiptar: Shqipëria e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim këtë të enjte, me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me të cilën ka diskutuar për situatën dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës.

    Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha theksoi se gjatë takimit u zhvillua një bisedë e hapur mbi problematikat dhe çështjet që prekin shqiptarët në këtë rajon.

    “Pata kënaqësinë të pres sot në takim Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani. Biseduam hapur për situatën, problematikat dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Shqipëria mbetet tërësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Institucionet shqiptare do të vijojnë të ndjekin me vëmendje situatën e shqiptarëve atje dhe mbeten të angazhuara në mënyrë të vazhdueshme, si në dialogun dypalësh ashtu edhe në forumet ndërkombëtare, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre legjitime, për të adresuar çështjet që i shqetësojnë dhe për të nxitur politika që garantojnë barazi, respekt dhe mundësi të drejta, si dhe që zëri i tyre të dëgjohet kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve. Respektimi i të drejtave të njeriut, i identitetit kombëtar, i gjuhës dhe i përfaqësimit të drejtë institucional është thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.“, shkruan ministri Hoxha.

    Ai shtoi se mbështetja për zhvillimin ekonomik, arsimor dhe kulturor të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet një prioritet i rëndësishëm.

    “Shqipëria do të vazhdojë të punojë ngushtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë dhe me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar barazi, dinjitet dhe perspektivë për të ardhmen e tyre.“, vazhdoi më tej ministri.

  • Sejdiu: Mohimi i Murat Jasharit për kandidaturën shembi “kullën prej letre” të Kurtit

    Sejdiu: Mohimi i Murat Jasharit për kandidaturën shembi “kullën prej letre” të Kurtit

    Emri i Murat Jashari ishte përfolur së fundmi në opinion si një nga kandidatët e mundshëm për postin e presidentit të Kosovës. Megjithatë, ai e ka mohuar publikisht se ka ambicie për të marrë pozitën e kreut të shtetit.

    Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar analisti politik Dardan Sejdiu, i cili tha se deklarimi i Jasharit ka rrëzuar një narrativë që, sipas tij, po ndërtohej nga kryeministri Albin Kurti.

    Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Sejdiu vlerësoi se familja Jashari tradicionalisht ka treguar maturi duke mos u përfshirë në diskutime politike, por këtë herë reagimi i Murat Jasharit erdhi për shkak të intensitetit të debatit publik.

    “ Familja Jashari e ka bërë këtë punë jashtëzakonisht mirë, me një maturi të madhe që asnjëherë nuk është hyrë në këto diskutime. Por kësaj radhe intensiteti i diskutimit ishte aq i madh, kriza që vinte aq e madhe dhe presioni publik aq i madh, sa që z. Jashari, në ambientet e Universiteti i Prishtinës, i pyetur nga një gazetar që insistoi për përgjigje, dha një deklarim që në një formë ose tjetër e shemb një ‘kullë prej letre’ që mundohet ta ndërtojë z. Kurti”, u shpreh Sejdiu.

    Së fundmi, në skenën politike në Kosovë janë përmendur disa emra si kandidatë të mundshëm për president, ndërsa diskutimet janë intensifikuar për shkak të zhvillimeve politike dhe debatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

  • Edon Zhegrova bëhet baba për herë të parë, mirëpret në jetë djalin e quajtur Mars

    Edon Zhegrova bëhet baba për herë të parë, mirëpret në jetë djalin e quajtur Mars

    Futbollisti i njohur shqiptar, Edon Zhegrova, i cili aktualisht luan për gjigantin italian Juventus, është bërë baba për herë të parë.

    Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi përmes një publikimi në rrjetin social Twitter, ku kanë uruar futbollistin për ardhjen në jetë të fëmijës së tij të parë.

    “Urime Edon Zhegrovës për lindjen e fëmijës së tij të parë, Mars!”, thuhej në mesazhin e klubit.

    Sipas gjithçkaje që është bërë e ditur deri më tani, djali i porsalindur është pagëzuar me emrin Mars. Emri duket se lidhet simbolikisht me muajin mars, periudhë në të cilën ka ardhur në jetë, çka duket se ka frymëzuar futbollistin dhe partneren e tij për zgjedhjen e këtij emri.

    Ndërkohë, për partneren e futbollistit nuk janë bërë publike shumë detaje, pasi ajo vazhdon të mbetet larg vëmendjes së mediave dhe jetën e saj private e mban mjaft diskrete.

    Ky moment i rëndësishëm shënon një kapitull të ri në jetën personale të Edon Zhegrovës, i cili përveç suksesit në fushën e futbollit, tashmë po përjeton edhe gëzimin e të qenit prind për herë të parë.

  • Edhe 109 shtetas të Maqedonisë u evakuuan nga Lindja e Mesme

    Edhe 109 shtetas të Maqedonisë u evakuuan nga Lindja e Mesme

    Edhe 100 qytetarë të tjerë të vendit pritet të evakuohen së shpejti nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se interesi fillestar për evakuim ishte më i lartë por më pas vijuan refuzimet, prandaj u mbetet autoriteteve të bëjnë vlerësimet finale për organizimin e fluturimit të radhës. Mbrëmë, në Aeroportin e Prishtinës 151 pasagjerë arritën të sigurt.

    Mes tyre, 109 shtetas ishin të Maqedonisë së Veriut dhe 42 të shteteve tjera, siShqipëria, Kosova, Bosnja, Greqia dhe vende të tjera.

    “Do të shohim sa është interesimi ose nëse ekziston interes për t’u kthyer dhe në bazë të saj do të bëjmë organizimin e këtij fluturimi. Sigurisht që do të ketë nevojë të realizohet por vazhdojmë të jemi në kontakt me qytetarët tanë atje. Potencialisht ka një listë me 300 persona që janë lajmëruar për evakuim por shumë prej tyre kanë refuzuar evakuimin. Vlerësimi im është se në rast se do të organizohet edhe një fluturim do të jenë diku100 persona që do të evakuohen,” deklaroi Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme.

    Për të evakuuarit, ndjenja e pasigurisë ishte arsyeja kryesore për t’u larguar pavarësisht që gjatë ditës gjithçka dukej normale.

    “Ishim dëshmitar të shpërthimeve. Fatmirsisht në afërsinë tonë nuk kishte por dëgjoheshin,” tha Dragan Tomevski, i evakuar.

    “Bashëshorti banonte atje ndërsa unë isha për vizitë. Ndodhi çfarë ndodhi dhe nuk arritëm të kthehemi. Tashmë jemi të lumtur që u kthyem në shtëpi,” u shpreh Sllavica Tomevska, e evakuar.

    “Nuk kemi parë asgjë por mjafton ndjenja kur dëgjon zërin e sirenave dhe raketave, nuk është e këndshme. Gjatë ditës gjithçka ishte normale mirëpo ne nuk ishim të sigurt se si do të zhvillohen ngjarjet prandaj edhe vendosëm të kthehemi,” tha Lidija Knjazeva, e evakuar.

    Qytetarët që ateruan në Aeroportin e Prishtinës shin pjesë e grupit të tretë të të evakuarve nga zonat e krizës në Lindjen e Mesme. Pjesa më e madhe e pasagjerëve ishin nga Katari, Kuvajtit, Bahrejn si dhe Mbretëria e Arabisë Saudite./Alsat/