ATV

Author: K.B.

  • Zanfina Ismaili i del në mbrojtje Gjestit: Nga përvoja them se pronari i asaj kompanie ka qenë jo korrekt – Liri për Gjesti

    Zanfina Ismaili i del në mbrojtje Gjestit: Nga përvoja them se pronari i asaj kompanie ka qenë jo korrekt – Liri për Gjesti

    Këngëtarja e njohur shqiptare, e cila prej vitesh është tërhequr nga muzika, Zanfina Ismaili, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rastin e reperit Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi.

    Reagimi i saj vjen pas raportimeve se Gjesti dyshohet se ka shkuar i armatosur dhe ka kanosur stafin e kompanisë Onima, e cila menaxhon të drejtat e tij autoriale në disa platforma muzikore.

    Ismaili, e cila në të kaluarën ka qenë e njohur për hitet si “Partizani i Vogël” dhe “As i fundit, as i pari”, ka bërë një reagim të ashpër përmes një InstaStory, duke theksuar se nga përvoja e saj personale ka pasur një eksperiencë shumë negative me pronarin e Onima.

    Sipas saj, veprimi i nxituar i Gjestit mund të jetë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara ndër vite.

    “Këtë që e paska bërë Gjesti ndaj Onima, është veç një revoltë e njeriut që (jam e bindur) e kanë gënjyer gjatë dhe shumë. Frustrimi nuk vjen si rrufeja, jo! Ndërsa pronari i Onima ka qenë njeriu më jo profesional, më jo korrekt ndonjëherë. Po flas nga përvoja ime para shumë vitesh. S’paska ndryshuar aspak! Liri për Gjestin”, ka shkruar Zanfina në InstaStory.

    Ndërkohë, reperi Gjesti po përballet me akuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për tri vepra penale, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.

  • Maliqi: Vjosa Osmani e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin te Kurti, përçarja do të ketë efekt, nuk e lë pa shenjë VV-në

    Maliqi: Vjosa Osmani e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin te Kurti, përçarja do të ketë efekt, nuk e lë pa shenjë VV-në

    Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, vlerëson se përçarja mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të ketë ndikim në skenën politike dhe në rezultatin e Lëvizja Vetëvendosje.

    Maliqi theksoi se në vitet e fundit ka ekzistuar një “efekt Osmani” në rritjen e mbështetjes për Vetëvendosjen. Sipas tij, presidentja ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvendosjen e një pjese të elektoratit nga Lidhja Demokratike e Kosovës drejt Vetëvendosjes.

    Ai kujtoi se në zgjedhjet e vitit 2021, fryma e fitores ishte e përbashkët mes Kurtit dhe Osmanit, duke ndikuar që një pjesë e madhe e votuesve të LDK-së të kalonin në mbështetje të Vetëvendosjes.

    “Fryma që u prodhua në vitin 2021 dhe mitologjia e asaj fitoreje ishte e përbashkët. Ishte Osmani ajo që në njëfarë forme e shembi LDK-në dhe e çoi votuesin e saj te Vetëvendosja”, ka deklaruar Maliqi për REL.

    Sipas tij, përplasja aktuale mes dy figurave kryesore të politikës në vend pritet të ketë pasoja për Vetëvendosjen.

    “Një efekt do ta ketë, nuk e lë pa shenjë kjo Vetëvendosjen”, theksoi ai.

    Maliqi shtoi se Osmani ka pasur rol edhe në zhvillimet më të fundit politike, duke përmendur se ajo vetë e ka pranuar publikisht se kishte përdorur institucionin e Presidencës për të ndihmuar qeverisjen e Kurtit dhe fitoren në zgjedhjet e fundit.

    Sipas tij, zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në riformësimin e skenës politike në vend, ndërsa zgjedhjet e parakohshme gjatë këtij viti i konsideron të pashmangshme.

    “Dilema e vetme është se kur do të mbahen ato”, tha Maliqi.

  • Pas arrestimit të Gjestit – vjen reagimi i Xhenetës

    Pas arrestimit të Gjestit – vjen reagimi i Xhenetës

    Pas incidentit në zyrat e Onima, ku reperi Gjesti u shoqërua nga policia për shkak të një përplasjeje me stafin e kompanisë, ka reaguar edhe Xheneta Fetahu.

    Reperi, fitues i Big Brother VIP Albania, mbetet në paraburgim, ndërsa nesër në orën 09:30 do të mbahet seanca gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë ndaj tij.

    Përmes një postimi në rrjetin social Instagram, Xheneta ka kërkuar më shumë mirëkuptim nga publiku, duke theksuar se nuk po justifikon sjelljet e gabuara, por se presioni i gjatë dhe grumbullimi i padrejtësive mund të çojnë në reagime të papritura.

    “Është më e lehtë të flasësh nga jashtë, por shumë më e vështirë të kuptosh se çfarë e shtyn një person deri në atë pikë”, shkruan ajo, duke nënvizuar rëndësinë e reflektimit para gjykimit publik.

    Ngjarja ndodhi një ditë më parë pas një debati mes Gjestit dhe drejtuesve të kompanisë për çështje të kontratës, që eskaloi deri në dëmtimin e pajisjeve të zyrës. Xheneta përfundon mesazhin e saj me një thirrje për qetësim: “Ndonjëherë zgjidhja më e mençur është të qetësosh situatën para se të bëhet më keq.”

    Reagimi i saj ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve, duke rikujtuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe të mos nxitohet me gjykim publik.

  • Komuna e Mitrovicës njofton për pastrimin e disa rrugëve, kërkohet largimi i automjeteve gjatë natës

    Komuna e Mitrovicës njofton për pastrimin e disa rrugëve, kërkohet largimi i automjeteve gjatë natës

    Komuna e Mitrovicës ka njoftuar qytetarët se gjatë ditëve në vijim do të realizohet pastrimi dhe larja e disa rrugëve të qytetit, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për largimin e automjeteve të parkuara në këto zona gjatë kohës së zhvillimit të punimeve.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike, pastrimi dhe larja e rrugëve do të zhvillohet gjatë orëve të natës, duke filluar nga ora 23:00 deri në përfundim të punimeve.

    Më 15 mars 2026, nga ora 23:00, pastrimi do të realizohet në rrugët “Mbretëresha Teutë”, “Ali Zeneli”, “Lah Nimani” dhe “Afrim Zhitia”.

    Ndërkaq më 16 mars 2026, në të njëjtin orar, do të pastrohen Bulevardi “Shemsi Ahmeti”, rruga “Brigada 141” dhe rruga “Hasan Prishtina”.

    Sipas komunës, më 17 mars 2026 pastrimi do të vazhdojë në rrugët “Agim Ramadani – Katana”, “Fan Noli” dhe “Bislim Bajgora”.

    Ndërsa më 18 mars 2026, nga ora 23:00, punimet do të zhvillohen në rrugët “Ahmet Selaci”, “Martirë të Kombit”, “Xhafer Deva” dhe “Pajazit Boletini”.

    Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin e tyre për largimin e automjeteve nga këto rrugë gjatë orarit të paraparë, në mënyrë që procesi i pastrimit dhe larjes së rrugëve të realizohet pa pengesa.

  • Dubai më nuk është i sigurt – Mbetjet e raketës iraniane godasin Qendrën Financiare

    Dubai më nuk është i sigurt – Mbetjet e raketës iraniane godasin Qendrën Financiare

    Një ndërtesë në Qendrën Financiare Ndërkombëtare të Dubait u dëmtua nga copëza mbetjesh pas një interceptimi të suksesshëm të një sulmi të raportuar iranian, sipas konfirmimeve nga zyra e medias e emiratit.

    Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e rajonit dhe ka shkaktuar pasiguri tek investitorët dhe kompanitë që operojnë në këtë qendër të njohur biznesi.

    Situata e përkeqësuar e sigurisë ka tronditur reputacionin e Dubait si një destinacion i sigurt për bizneset dhe investimet në Lindjen e Mesme. Qendra Financiare Ndërkombëtare e Dubait, e cila është një prej qendrave më të rëndësishme ekonomike dhe financiare në rajon, është zakonisht e njohur për stabilitetin dhe infrastrukturën e avancuar, por incidenti i fundit ka ngjallur frikë për sigurinë e ndërtesave dhe stafit.

    Për shkak të këtyre shqetësimeve, disa nga bankat më të mëdha ndërkombëtare që operojnë në shtetet e Gjirit vendosën të mbyllin degët e tyre përkohësisht dhe të evakuojnë stafin nga ndërtesat e tyre. Ky hap tregon seriozitetin e situatës dhe ndikimin që ngjarjet e sigurisë mund të kenë mbi aktivitetin ekonomik dhe financiar në rajon.

    Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit kishte paralajmëruar më parë për sulme ndaj bankave në rajon, pas një raporti për një goditje ndaj një ndërtese të lidhur me një nga bankat publike më të mëdha të vendit. Kjo situatë ka shtuar tensionet ndërmjet aktorëve rajonalë dhe ka ngritur pyetje mbi stabilitetin e investimeve dhe sigurinë e institucioneve financiare në Lindjen e Mesme.

    Ekspertët e sigurisë dhe ekonomisë paralajmërojnë se ngjarje të tilla mund të kenë pasoja afatgjata mbi besimin e investitorëve dhe operimin normal të bankave dhe kompanive ndërkombëtare në rajon, duke shtuar presion mbi qeveritë për të forcuar masat e sigurisë dhe për të ruajtur reputacionin e qyteteve si Dubai si qendra të sigurta të biznesit.

  • Mbi 1800 gjoba në një javë në rajonin e Gjilanit, policia shton kontrollet në trafik

    Mbi 1800 gjoba në një javë në rajonin e Gjilanit, policia shton kontrollet në trafik

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një jave në rajonin e Gjilanit janë shqiptuar 1 mijë e 827 gjoba për shkelje të rregullave në trafik.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore gjatë periudhës 6 deri më 12 mars 2026 kanë realizuar aktivitete të shumta në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.

    Gjatë kësaj periudhe janë hetuar edhe 13 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 18 aksidente me persona të lënduar.

    Po ashtu, policia ka shqiptuar 72 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 32 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, si dhe 31 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta.

    Sipas policisë, ndaj 36 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.

    Autoritetet policore bëjnë të ditur se në kuadër të planifikimeve operative të ROADPOL janë duke u zhvilluar kontrolle të shtuara në rrugë, me fokus të veçantë në përdorimin e rripit të sigurisë.

    Policia rikujton se në automjetet për udhëtarë dhe mjetet transportuese, shoferi dhe të gjithë personat që ndodhen në automjet janë të obliguar të përdorin rripin e sigurisë.

    Sipas legjislacionit në fuqi, për mos vendosjen e rripit të sigurisë gjatë lëvizjes parashihet gjobë prej 150 euro.

  • Arrestohet kosovari në Morinë, tentoi të trafikonte armë në Shqipëri

    Arrestohet kosovari në Morinë, tentoi të trafikonte armë në Shqipëri

    Një 38-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare në Morinë, nën dyshimin se tentoi të trafikonte në Shqipëri një armë zjarri.

    Sipas Policisë së Shqipërisë, i dyshuari tentoi të trafikonte edhe një veturë të tipit “BMW” të vjedhur në Gjermani.

    Gjatë operacionit u arrestua edhe një 34-vjeçar, po ashtu banues në Prishtinë.

    Në ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.

  • “Mbi 170 milionë euro”, MrBeast flet për shumat gjigante që ka ndarë me fansat

    “Mbi 170 milionë euro”, MrBeast flet për shumat gjigante që ka ndarë me fansat

    Jimmy Donaldson, i njohur në mbarë botën si MrBeast, ka reaguar ndaj një vlerësimi që thotë se ai ka shpërndarë rreth 170 milionë euro përmes videove të tij në YouTube.

    Sipas tij, shuma reale mund të jetë edhe më e madhe, pasi nuk e ka bërë kurrë një llogaritje të saktë të atyre që ka dhuruar.

    Në fillimet e karrierës, MrBeast fitonte vëmendje duke u dhuruar miqve makina dhe shuma të mëdha parash.

    Me kalimin e viteve, sfidat dhe projektet e tij janë bërë shumë më të mëdha.

    Sot bashkëpunon me krijues të tjerë të njohur dhe ka lançuar edhe spektaklin ‘Beast Games’ në platformën Amazon Prime Video, ku pjesëmarrësit konkurrojnë për çmime të mëdha financiare.

    Përveç kësaj, MrBeast ka organizuar edhe sfida të tjera të mëdha, si një garë me 50 ‘streamerë’ të njohur, ku ata patën mundësinë të fitonin rreth 918 mijë euro për fansat e tyre.

    Po ashtu, realizoi edhe një enigmë me çmim prej 918 mijë eurosh gjatë eventit sportiv ‘Super Bowl’.

    Një pjesë e madhe e parave shpërndahet edhe përmes kanalit të tij bamirës ‘Beast Philanthropy’, i cili ndihmon njerëz në nevojë në mbarë botën.

    Ndërkohë, kompania e tij ‘Beast Industries’ ka krijuar edhe një fond të veçantë, të njohur si “Jimmy’s Fund”, që përdoret për ide dhe projekte bamirësie.

    Për këtë arsye, është e vështirë të përcaktohet shuma e saktë që ka dhuruar në total.

  • Moment emocionues në Bernabeu: Talenti i Real Madridit përqafon babanë në tribunë pas debutimit në Ligën e Kampionëve

    Moment emocionues në Bernabeu: Talenti i Real Madridit përqafon babanë në tribunë pas debutimit në Ligën e Kampionëve

    Një skenë prekëse pas ndeshjes së Real Madridit ndaj Manchester Cityt në kuadër të fazës së 1/8-tës të luajtur në Santiago Bernabeu është bërë virale në rrjetet sociale.

    Një moment tejet emocionues është kapur nga kamerat pas fitores së madhe 3-0 të Real Madridit ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve, duke prekur zemrat e tifozëve në gjithë botën.

    Talenti i ri i Real Madridit, Manuel Angel, përjetoi një nga momentet më të mëdha të jetës së tij sportive: debutimin në Ligë e Kampionëve në stadiumin legjendar Santiago Bernabeu. Por, ajo që e bëri këtë natë edhe më të veçantë ishte ajo që ndodhi menjëherë pas ndeshjes.

    Pas përfundimit të takimit, lojtari i ri iu drejtua tribunave ku e priste babai i tij. Të dy u përqafuan mes emocionesh të mëdha, në një skenë që u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u cilësua nga shumë tifozë si një nga momentet më të bukura të natës.

    Debutimi në një ndeshje kaq të madhe është ëndrra e çdo futbollisti të ri, e aq më tepër kur ndodh me fanellën e Real Madridit dhe përballë një kundërshtari të fortë si City.

    Për Miguel Angel, kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një hap i madh në karrierë, por edhe një moment familjar që do ta kujtojë gjithë jetën.

    Videoja e këtij momenti është bërë virale në rrjetet sociale, duke marrë mijëra reagime nga tifozët që e kanë cilësuar skenën si “thelb i futbollit” – një kombinim i ëndrrës, sakrificës dhe krenarisë familjare.

  • Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, partitë politike me qëndrime të ndryshme

    Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, partitë politike me qëndrime të ndryshme

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

    Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

    Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka deklaruar se aktualisht po pritet vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të sqaruar situatën e krijuar rreth dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës.

    ‘’Jemi në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese për të sqaruar situatën rreth dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit’’, tha Haliti

    Sipas Halitit, Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe pret që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë në këtë çështje n mënyrë që të procedohet me zgjedhjen e presidentit të vendit.

    ‘’Lëvizja Vetëvendosje është angazhuar maksimalisht për të shmangur zgjedhjet, presim që gjykata kushtetuese të na japë të drejtë që të vazhdojmë me procedurat për zgjedhjen e presidentit ose presidentes’’, tha Haliti.

    Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, në një prononcim për Front Online ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar se situata aktuale është krijuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

    ‘’ Tani gjithë këtë situatë e kanë krijuar Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, ne dorë tani e ka gjykata Kushtetuese ‘’, tha Haliti.

    Sipas Halitit tashmë vendimi për zhvillimet e mëtejme është në dorën e Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërsa të gjitha palët janë të obliguara ta respektojnë vendimin që do të marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Haliti ka thënë se, nëse Kushtetuesja vendos ta miratojë dekretin e presidentes, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje.

    ‘’Në dorë tani e ka vendimin Gjykata Kushtetuese .Ne te gjithë jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e saj sepse varësisht nga vendimi nëse ajo vendos t’ia miratojë dekretin Osmanit do të shkojmë në zgjedhje’’, tha deputeti Haliti

    Haliti ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se presidentja, sipas tij, ka marrë vendim për t’ua marrë mandatin 120 deputetëve të zgjedhur nga populli, ndonëse, sipas Halitit , një vendim i tillë mund të merret vetëm nga parlamenti me votat e deputetëve.

    ‘’Ajo që për mua është shqetësuese është se presidentja ka mandat edhe një muaj dhe ka marrë vendim t’ua marrë mandatin e të zgjedhurve të popullit 120 deputetëve, atë që mundet vetëm parlamenti ta bëjë me votat e deputetëve’’, tha Haliti

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në një prononcim për Front Online ka deklaruar se për partinë e saj parësore mbetet respektimi i Kushtetutës në situatën aktuale politike në Kosovë.

    Sipas saj, duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani dhe afatin e 31 marsit që lidhet me masën mbrojtëse, pasi sipas saj nuk mund të ketë hapa të mëtejmë pa qartësi ligjore.

    ‘’Për LDK-në, parësore është respektimi i Kushtetutës. Duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes dhe afatin e 31 marsit (për masën mbrojtëse), sepse nuk mund të ecet përpara pa qartësi ligjore’’, tha Ymeri për FrontOnline.

    Ymeri ka thënë gjithashtu se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme edhe për zgjedhje, nëse vendoset që vendi të shkojë sërish në proces zgjedhor dhe se partia mbetet e mobilizuar sa herë që kërkohet një gjë e tillë.

    ‘’LDK është e gatshme. Nëse vendoset që duhet të shkohet sërish në kutitë e votimit, ne jemi këtu dhe të mobilizuar sa herë që kërkohet’’, tha Ymeri.

    Deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se situata aktuale u bë publike në momentin kur, sipas saj, kryeministri Albin Kurti nuk kishte interes që të zgjidhej një president që konsiderohej si kandidat konsensual.

    ‘’U bë publike ngjarjet në momentin që Kurti nuk kishte interes të zgjidhte një president që mendohej se kishte konsensual’’, tha Kadrijaj

    Kadrijaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme për zgjedhje dhe se fillimisht partia kishte qenë duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme partiake, por ato janë pezulluar për shkak të situatës së krijuar politike në vend.

    ‘’Dihet se nëse nuk zgjidhet presidenti ne shkojmë në zgjedhje. Ne si AAK jemi të gatshëm për zgjedhje në fakt ishim duke u përgatitur për zgjedhjet e brendshme nga partia mirëpo i kemi pezulluar për shkak të kësaj situate’’, tha Kadrijaj.