ATV

Author: K.B.

  • Irani sulmon veriun e Izraelit, rreth 60 të lënduar

    Irani sulmon veriun e Izraelit, rreth 60 të lënduar

    Goditjet iraniane shkaktuan pothuajse 60 të lënduar në veri të Izraelit.

    Pesëdhjetë e tetë persona u lënduan gjatë një sulmi raketor natën e kaluar në veri të Izraelit, sipas shërbimeve emergjente të vendit.

    Fotografitë tregojnë banorë dhe ekipe shpëtimi duke inspektuar dëmet e shkaktuara nga goditjet, shkruan skynews.

    Të gjithë të lënduarit kanë pësuar dëmtime të lehta, përveç një personi që ndodhet në gjendje të rëndë; 57 të tjerë u lënduan kryesisht nga thërrimet e xhamit.

    Irani ka kryer sulmet ndaj Izraelit si hakmarrje për goditjet amerikano-izraelite në territorin e tij.

    Ndryshe, SHBA-ja ka paralajmëruar sulme edhe më të fuqishme gjatë ditëve të ardhshme ndaj regjimit iranian.

  • Rritja e çmimit të karburanteve rrit dhe çmimet e biletave të avionëve

    Rritja e çmimit të karburanteve rrit dhe çmimet e biletave të avionëve

    Lufta në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të karburantit për aviacionin kanë çuar në një rritje të konsiderueshme të çmimeve të biletave të avionëve, që arrin deri në 15% mesatarisht.

    Kompanitë ajrore po përballen me një rritje drastike të kostos së karburantit, që përbën një pjesë të madhe të shpenzimeve të tyre operacionale, duke e çuar këtë kosto në 45-50% të shpenzimeve totale.

    Për më tepër, çmimi i karburantit për aviacion është rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 85-90 dollarë për fuçi në 150-200 dollarë për fuçi, ndonëse çmimi i naftës Brent ka qëndruar në rreth 120 dollarë. Në disa rajone, sidomos në Evropë, çmimi i karburantit është rritur deri në 1.600 dollarë për ton, një rritje e ndjeshme nga 830 dollarë që ishte para fillimit të konfliktit.

    Strategjia e disa kompanive

    Për të frenuar ndikimin e këtyre rritjeve të çmimeve, shumë kompani ajrore kanë blerë më herët sasi të konsiderueshme të karburantit për periudhën e parë të vitit, duke siguruar çmime më të ulëta.

    Për shembull, Virgin Australia ka blerë 85% të karburantit që do t’i nevojitej, ndërsa Ryanair dhe Lufthansa kanë siguruar rreth 75% të kërkesës për karburant. Megjithatë, disa kompani si Scandinavian Airlines (SAS) nuk kanë përdorur këtë strategji dhe tashmë po përballen me shtesa të mëdha në çmimin e biletave.

    Rritje e çmimeve të biletave

    Në Azi dhe Oqeani, kompanitë po aplikojnë shtesa të konsiderueshme për karburantin. Për shembull, Air New Zealand ka rritur tarifat e biletave të brendshme me 6 dollarë, dhe ato të udhëtimeve ndërkombëtare me deri në 54 dollarë për udhëtime interkontinentale. Po ashtu, Cathay Pacific ka dyfishuar shtesën e karburantit, duke rritur koston e biletave ndërkontinentale me 76 dollarë.

    Në përpjekje për të frenuar humbjet, disa kompani kanë anuluar fluturime. Për shembull, Air New Zealand ka anuluar 1.100 fluturime, duke prekur rreth 44,000 pasagjerë. Sipas një analize të Corriere, disa kompani, sidomos në Azi, mund të shohin rritje të çmimeve deri në 55% për fluturimet ndërkontinentale, siç është rasti me Hong Kong Airlines.

    Parashikimi për të ardhmen

    Kompanitë ajrore janë të shqetësuara për ndikimin e çmimeve të karburantit dhe po përpiqen të balancojnë tarifat e biletave për të shmangur humbje të mëdha të të ardhurave dhe për të ruajtur kërkesën për udhëtime. Megjithatë, një rritje e çmimeve të mëtejshme mund të çojë në një ulje të kërkesës për bileta dhe në humbje të mëdha financiare për shumë kompani ajrore.

    Të gjithë shenjat tregojnë se industria e aviacionit do të vazhdojë të përballet me sfida të mëdha në muajt në vazhdim, dhe pasagjerët mund të përballen me çmime më të larta dhe më pak mundësi për të udhëtuar, për shkak të rritjes së kostove të karburantit.

  • Me dyer të mbyllura, nis seanca ndaj Gjestit

    Me dyer të mbyllura, nis seanca ndaj Gjestit

    Ka nisur seanca dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik “Gjesti”.

    Seanca që ka nisur pak më parë po mbahet e mbyllur, transmeton Klankosova.tv.

    Ai u ndalua të mërkurën nën dyshimin për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “kanosje” dhe “dëmtim i pasurisë”.

    Gjesti del sot para gjykatës

     

  • Prishtina nis hartimin e Strategjisë për Hapësirat e Gjelbra në kryeqytet

    Prishtina nis hartimin e Strategjisë për Hapësirat e Gjelbra në kryeqytet

    Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike në Komunën e Prishtinës, në bashkëpunim me përfaqësues nga drejtoritë e tjera komunale, ka zhvilluar një takim pune në zyrat e UNDP Kosovo, ku ka nisur punëtoria për hartimin e Strategjisë për Hapësirat e Gjelbra në kryeqytet.

    Sipas njoftimit, gjatë takimit është diskutuar për transformimin e gjelbër urban në lagjet e qytetit gjatë viteve në vijim, duke u bazuar në planet urbane dhe në mundësitë për zgjerimin e hapësirave të gjelbra.

    “Gjatë takimit u diskutua për transformimin e gjelbër urban në çdo lagje në vitet në vijim, duke u bazuar në planet urbane dhe në mundësitë për të shtuar korridore të gjelbra dhe xhepa urbanë, që do të rrisin cilësinë e jetës dhe do të forcojnë lidhjen e qytetarëve me natyrën”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu bëhet e ditur se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e projekteve të reja në fushën e hapësirave të gjelbra.

    “Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një vizioni të përbashkët për implementimin e ndërhyrjeve të ardhshme, me qëllim ndërtimin e një qyteti më të gjelbër, më inovativ dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët”, thuhet më tej në njoftim.

  • Dardan Vuniqi zgjidhet zv/kryesues i KGJK-së

    Dardan Vuniqi zgjidhet zv/kryesues i KGJK-së

    Në mbledhjen e jashtëzakonshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës është zgjedhur zëvendëskryesuesi i këtij institucioni.

    Këtë post e zuri Dardan Vuniqi.

    Ai do ta mbajë këtë post nga sot, 13 mars, deri në përfundimin e mandatit si anëtar i KGJK-së.

  • Çka përfshinin 4 amendamentet e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli

    Çka përfshinin 4 amendamentet e Osmanit për zgjedhjen e presidentit nga populli

    Gjithsej 4 amendamente i dërgoi presidentja Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës më 5 mars për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së presidentit aktual e të cilat nuk u votuan në mungesë të kuorumit.

    Amendamentet përfshinin ndryshimet që presidenti të mos zgjidhej më nga Kuvendi i Kosovës, por drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.

    Gjithashtu në amendamente parashihej që mandati i Presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa Presidenti i ri të zgjedhet dhe të bëjë betimin.

    Gjithashtu në amendamentet që i ka siguruar KOHA parashihej që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Amendamenti 1 i dorëzuar nga Osmani parashihte ndryshimin e nenit 65 të Kushtetutës, Kompetencat e Kuvendit.

    Propozohej të ndyshonte paragrafi 7 i këtij neni.

    “Neni aktual 65.7 është si vijon: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës (7) zgjedh dhe mund të shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës në pajtim me këtë Kushtetutë’; Sipas amendamentit të propozuar, neni 65.7 ndryshohet si vijon: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës: (7) dorëzon në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 91 të Kushtetutës’”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga Osmani.

    Në amendamentin 2 Osmani ka propozuar që të rastet kur shpërndahet Kuvendi të përcaktuara në nenin 82 të fshihet pika e fundit që është “Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”.

    Në amendamenti 3 Osmani ka propozuar që neni 86, Zgjedhja e Presidentit, të fshihet dhe të zëvendësohet me një nen të ri 86.

    “Sipas amendamentit të propozuar, neni i ri 86 ka tekstin si vijon:

    ‘1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.

    2. Zgjedhjet Presidenciale shpallen nga Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës.

    3. Nëse kandidati për President merr shumicën absolute (më shumë se 50%) të votave të vlefshme në rrethin e parë, atëherë zgjedhet President i Republikës së Kosovës. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave në rrethin e parë, mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave në rrethin e parë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve mbahet jo më vonë se 30 ditë nga rrethi i parë. Kandidati, i cili merr shumicën e votave në rrethin e dytë të zgjedhjeve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës’”, thuhet në kërkesën e Osmanit.

    Presidentja në amendamentin 4 ka propozuar të shtohet një nen i ri, ai 163, Shpallja e Zgjedhjeve të para Presidenciale me këtë përmbajtje:

    “Pavarësisht dispozitave të era të kësaj Kushtetute: (1) Mandati i Presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa Presidenti i ri të zgjedhet dhe të bëjë betimin. (2) Presidentët që kanë shërbyer para hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve, kanë të drejtë të zgjedhen dhe rizgjedhen edhe një herë si President i Republikës së Kosovës”.

    Osmani në konferencën për media të mbajtur më 6 mars, një ditë pasi që Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë pasuesin e saj dhe nuk i miratoi amendamentet kushtetuese ka thënë se miratimi i tyre nuk është lidhur me mandatin e saj derisa ka shtuar se ndryshimet do të mund të aplikoheshin vetëm për zgjedhjen e presidentit pas pesë vjetësh.

    “Këto amendamente nuk do kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do duhej të zgjidhej deri mbrëmë. Arsyeja është e thjeshtë vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit aktual. Do të thotë se edhe nëse do miratoheshin mbrëmë ato nuk do të ndryshoni asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim”, është shprehur Osmani.

    Amendamentet kushtetuese, të cilat presidentja Osmani ia ka përcjellë Kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit të shtetit me votë të drejtpërdrejtë nga populli nuk kanë arritur të miratohen më 5 mars në mungesë të kuorumit.

    Për çdo ndryshim kushtetues kërkohet miratimi nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë. Në këtë seancë, në sallë kanë qenë 93 deputetë, ndërkaq kanë munguar të nëntë ligjvënësit e partisë serbe, Lista Serbe.

  • Komiteti i Rajoneve i BE-së ia hoqi Kosovës fusnotën, ministri Konjufca e mirëpret vendimin

    Komiteti i Rajoneve i BE-së ia hoqi Kosovës fusnotën, ministri Konjufca e mirëpret vendimin

    Ditë më parë u bë e ditur se Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian për të harmonizuar terminologjinë e përdorur për Kosovën me atë të Parlamentit Evropian, ka hequr asteriskun dhe shënimin në fund të faqes.

    E lidhur me këtë ka shkruar sot në rrjetin social X zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

    “Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të Rajoneve për të ndërprerë përdorimin e ‘Kosovo*’ dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës.

    Falënderime të veçanta për Gillian Coughlan, Kryetare e Grupit të Punës për Kosovën në Komitetin e Rajoneve të Bashkimit Evropian dhe Raportuese për Zgjerimin, për mbështetjen e saj parimore dhe angazhimin e vazhdueshëm për Kosovën”, shkruan Konjufca.

  • Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Arian Gashi zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës

    Prokurori Arian Gashi është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Gashi u zgjodh kryesues me katër vota pro.

    “Me katër vota për, z.Arian Gashi, zgjidhet Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, u konstatua në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK’së.

    Ai u zotua se detyrën do ta ushtroj me paanshmëri dhe transparencë.

    Gashi menjëherë pas zgjedhjes dha dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komisionit për çështje normative, e cila iu miratua pa asnjë votë kundër dhe abstenim.

    Mandati i Gashit fillon sot dhe zgjat deri në përfundim të mandatit si anëtar i KPK’së. Gashi ishte betuar si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës në janar të vitit 2023.

    Në garë për pozitën e kryesuesit ishte edhe prokurori special, Milot Krasniqi.

  • Xhiroi rastësisht momentin e sulmit iranian me dron, britaniku arrestohet në Dubai – pritet të dënohet rëndë

    Xhiroi rastësisht momentin e sulmit iranian me dron, britaniku arrestohet në Dubai – pritet të dënohet rëndë

    Një burrë nga Mbretëria e Bashkuar është në listën e 20 personave që në Emiratet e Bashkuara Arabe janë akuzuar sipas ligjeve për krimin kibernetik për shkak të regjistrimit dhe publikimit të materialeve që lidhen me sulmet iraniane ndaj vendit.

    The Guardian raporton se bëhet fjalë për një turist që po vizitonte Dubain, i cili është akuzuar sipas një ligji që ndalon shpërndarjen e materialeve që mund të rrezikojnë sigurinë publike.

    Rasti është theksuar nga organizata Detained in Dubai, e cila ofron ndihmë juridike për individët në Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton bbc.

    Edhe pse kufizimet për regjistrimin e sulmeve gjatë konflikteve nuk janë të pazakonta në botë, rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të reputacionit të Emirateve si një magnet për influencues, jeta e të cilëve varet nga regjistrimi dhe publikimi i vazhdueshëm. Pavarësisht ligjit, pamjet e sulmeve të fundit iraniane janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.

    Radha Stirling, drejtoreshë e organizatës Detained in Dubai, tha se burri i paidentifikuar nga Londra është akuzuar së bashku me edhe 20 persona të tjerë pasi policia në telefonin e tij gjeti një video të një sulmi raketor iranian në Dubai, edhe pse ai thuhet se e kishte fshirë menjëherë videon kur iu kërkua ta bënte këtë.

    Sipas përmbledhjes zyrtare të rastit, të akuzuarit dyshohet se kanë përdorur një rrjet informacioni ose mjet IT për të transmetuar, publikuar, ripublikuar ose shpërndarë lajme të rreme, thashetheme apo propagandë provokuese që mund të ndikojë në opinionin publik ose të dëmtojë sigurinë publike.

    “Akuzat tingëllojnë jashtëzakonisht të paqarta, por serioze në letër. Në realitet, vepra e pretenduar mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa shpërndarja ose komentimi i një videoje që tashmë qarkullon në internet”, tha Stirling në një deklaratë.

    Sipas ligjeve të Emirateve për krimin kibernetik, personi që publikon fillimisht përmbajtjen mund të akuzohet, por gjithashtu edhe kushdo që e ripërpunon, e ripublikon ose e komenton atë.

    Një video e vetme mund të çojë shpejt në ndjekje penale ndaj dhjetëra personave. Dënimet në raste të tilla mund të jenë deri në dy vjet burg, një gjobë nga rreth 4600 deri në 47 mijë euro, ose të dyja.

    Përveç kësaj, shtetasit e huaj mund të dëbohen nga vendi pas shpalljes së vendimit.

  • Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 2007, të gjithë të akuzuarit lirohen nga akuza

    Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 2007, të gjithë të akuzuarit lirohen nga akuza

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”, ngjarje që kishte ndodhur më 24 shtator 2007 dhe ku kishin humbur jetën dy persona.

    Me vendimin e gjykatës, nga akuzat janë liruar Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi, Mehmet Mehmeti dhe Afet Dalloshi. Trupi gjykues ka vendosur që shpenzimet e procedurës penale të bien mbi gjykatën.

    Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Të akuzuarit Hasani dhe Qerimi janë gjykuar dhe dënuar në një proces tjetër gjyqësor.

    Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

    Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

    Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Afet Dalloshin, Arbresh Dalipin dhe Mehmet Mehmetin.

    Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007, Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin (të dy këta të dënuar tashmë për të njëjtën vepër penale) dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M., dhe P.S,.

    Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhesë në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

    Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.

    Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.

    Në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe gjithashtu në bashkëkryeje me tani të dënuarit për të njëjtën vepër penale, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive tjera të ulëta dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, ndërmorën veprim të menjëhershëm për të privuar nga jeta Xh.S., V.Z., L.N., G.S., E.N., N.H., F.B., L.K., Sh.S., M.K dhe T.K., duke vendosur dhe shpërthyer mjetin plaës në lokalin “Sekiraqa”, duke u shkaktuar lëndime të rënda personave të lartpërmendur.

    Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në shkelje të neneve 20, 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, do të thoshte se të dyshuarit kishin për qëllim të vrisnin dhe kjo ndodhi pasi u vranë dy persona, si dhe tentuan të vrisnin 11 të tjerët.

    Pika e tretë e aktakuzës, ngarkon të akuzuarit Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti se në bashkëkryerje me tani të dënuarit për këtë vepër Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, shkaktuan rrezik të përgjithshëm të jetës njerëzore, duke shpërthyer një mjet plasës të improvizuar, të vendosur në katin përdhesë të një ndërtese në bulevardin “Bill Klinton” në Prishtinë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave, u shkaktoi lëndime të rënda trupore 11 të tjerëve, si dhe shkaktoi dëme të mëdha pasurore në pronën dhe pasurinë e disa aktivitetve tregtare në Prishtinë.

    Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” me shkelje të neneve 23 dhe 291, par.1 dhe 5 të Kodit Penal të Kosovës.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU, ekzekutuan një plan dhe u takuan në Fermën e Deleve në Racaj një ditë para ditës kritike (23 shtator 2007), nga aty thuhet se dy persona u dëguan për të marrë mjetin plasës, minë kundër-tank dhe dy armë.

    Aktakuza thotë se plani ishte të hidhet në erë lokali “Sekiraqa”. Pasi ishin kthyer, thuhet se i akuzuari Dalipi dhe dy të akuzuarit Mehmeti ishin udhëzuar çfarë të bënin, kurse Dalloshi thuhet se i la policët të ekzekutonin planin e tyre dhe i kishin pritur në një lokal në Kaçanik. Të dy veturat e Policisë, thuhet se ishin siguruar nga të akuzuarit Suma dhe Sadiku, e targat ia fshehu i akuzuari Bejtullah.

    Në aktakuzë thuhet se pas kësaj, anëtarët e grupit nisen me vetura për Prishtinë për ta ekzekutuar planin. Bomba ishte vendosur në lokal rreth orës 2:10 mëngjesin e 24 shtatorit 2007, ku si pasojë u vranë dy persona dhe u lënduan 11 të tjerë.

    Historia procedurale:

    Në aktakuzë thuhet se të pandehurit ishin hetuar në vitin 2007 pasi dyshoheshin se ishin përfshirë në shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”. Nga deklaratat e dëshmitarëve në vendngjarje më 2007, thuhet se ishte e qartë se në rast ishin përfshirë tetë policë në dy automjete të Policisë.

    Në përfundim të hetimeve, u ngrit aktakuzë ndaj Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe N.C., për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë. Kurse, Luan Qerkini, Bejtullah Mehmeti, Fadil Sadiku e Bekim Suma, nuk u akuzuan ngase nuk kishte prova të mjaftueshme.

    Aktakuza e parë u ngrit më 12 gusht 2008, aktgjykimi u shpall më 22 shtator 2009, ku Hasani dhe Qerimi u dënuan me 25 vjet burgim, kurse N.C., u lirua nga akuzat. Vendimi u bë i prerë më 25 maj 2012.

    Hetimi dhe aktakuza thuhet se ka nisur nga dëshmitë dhe provat e reja që kanë dalë në dritë nga vendimi lidhur me aktakuzën e parë. /BetimipërDrejtësi