ATV

Author: K.B.

  • Rusia pranon të ndalojë rekrutimin e kenianëve për luftën kundër Kievit

    Rusia pranon të ndalojë rekrutimin e kenianëve për luftën kundër Kievit

    Rusia ka rënë dakord të ndalojë rekrutimin e qytetarëve kenianë për të luftuar me ushtrinë e saj në Ukrainë. Kështu ka deklaruar këtë të hënë, ministri i jashtëm i Kenias Musalia Mudavadi, pas bisedimeve me homologun e tij rus në Moskë.

    Më shumë se 1 mijë e 780 qytetarë nga 36 vende afrikane besohet se po luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Ukrainës në shkurt.

    Shërbimet e inteligjencës së Kenias vlerësojnë se mbi 1 mijë kenianë janë dërguar për të luftuar, sipas një raporti të parë nga Agence France-Presse (AFP).

    “Tani kemi rënë dakord që kenianët nuk do të rekrutohen,” tha ministri Mudavadi, duke folur para gazetarëve përkrah ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, citon The Guardian.

    Që nga dërgimi i trupave në Ukrainë në vitin 2022, Rusia është akuzuar shpesh herë se ka rekrutuar njerëz nga kombësi të ndryshme për të luftuar përkrah ushtrisë së saj.

    Lavrov tha se qytetarët kenianë kishin nënshkruar vullnetarisht kontrata për të luftuar me ushtrinë ruse. Por disa prej tyre, si atleti Evans Kibet, pretendojnë se u mashtruan. Kibet, i kapur nga Ukraina dhe i mbajtur si rob lufte, i tha AFP-së në një intervistë nga vendi ku mbahej se ishte mashtruar për të nënshkruar një kontratë ushtarake pasi kishte shkuar në Rusi për një aktivitet sportiv.

    Kryeministri britanik Keir Starmer, që pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për bisedime të martën, paralajmëroi se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit nuk duhet të kthehet në “fitim për Putinin”.

    Rusia ka përfituar rreth 6 miliardë euro nga shitja e karburanteve fosile që prej nisjes së konfliktit. Zelenskyy do të vizitojë Madridin të mërkurën për takime me kryeministrin Pedro Sánchez.

    Rusia ka marrë kontrollin e 12 vendbanimeve në Ukrainë në dy javët e para të marsit si pjesë e avancimeve përgjatë vijës së frontit në lindje dhe jug të Ukrainës, sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve, që citojnë gjeneralin e lartë Valery Gerasimov. Ai tha se forcat ruse po “lëvizin në mënyrë aktive drejt Slovianskut,” një qytet i fortifikuar në rajonin lindor të Donetskut, i konsideruar prej kohësh një nga objektivat kryesore të Moskës.

    Ndërkohë, një cisternë gazi ruse e dëmtuar, “Arctic Metagaz”, po endet pa ekuipazh prej gati dy javësh me 700 ton karburant në bord. Rusia tha se anija, pjesë e “flotës hije” të sanksionuar nga SHBA-të dhe BE-ja, u sulmua nga dronë detarë ukrainas.

  • Shakaja e ndarjes së çmimeve Oscar që bëri më shumë bujë

    Shakaja e ndarjes së çmimeve Oscar që bëri më shumë bujë

    Prezantuesi i ndarjes së çmimeve Oscar të këtij viti, komediani Conan O’Brien, shkaktoi shumë vëmendje në Hollywood pas një shakaje në të cilën ai preku indirekt rastin e Jeffrey Epstein dhe Princit Andrew.

    Gjatë ceremonisë së çmimeve Oscar 2026 , O’Brien në një moment komentoi faktin se nuk ka aktorë britanikë midis të nominuarve këtë vit.”Për herë të parë që nga viti 2011, asnjë aktor britanik nuk është nominuar”, tha prezantuesi, përpara se të shtonte: “Por të paktën po arrestojnë pedofilët atje”.

    Edhe pse ai nuk përmendi drejtpërdrejt asnjë emër, publiku e lidhi menjëherë shakanë me skandalin që rrethonte Epstein dhe lidhjet e tij me një numër njerëzish të fuqishëm, si dhe me Princin Andrew të Britanisë.

    Një heshtje e pakëndshme mbretëroi fillimisht në sallën e Teatrit Dolby në Los Angeles, ndërsa shumë të ftuar dukeshin të habitur, dhe më pas pasuan duartrokitjet.

    Gjatë mbrëmjes, O’Brien bëri shaka edhe për aktorë dhe kandidatë të shumtë – përfshirë Timothee Chalamet – por ishte kjo shaka që shkaktoi më shumë reagime dhe ngriti më shumë pluhur në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se në fillim të vitit u publikuan miliona dokumente që lidheshin me rastin e Jeffrey Epstein, një abuzues seksual i dënuar, të cilat zbuluan lidhjet e tij me figura të shumta botërore, përfshirë, ndër të tjera, Bill Gates dhe Donald Trump.

  • “Fshati fantazmë” ku të gjithë u detyruan të largoheshin 80 vjet më parë

    “Fshati fantazmë” ku të gjithë u detyruan të largoheshin 80 vjet më parë

    Një fshat i braktisur në Dorset qëndron si një vend unik në Britani.

    Ngjarjet tragjike i detyruan banorët të braktisnin shtëpitë e tyre të dashura shumë dekada më parë.

    I fshehur në Bregun Jurasik mahnitës të Dorsetit, një vizitë në fshatin Tyneham të jep ndjesinë e një udhëtimi në kohë.

    Vizitorët mund të shohin nga afër fshatin që banorët u detyruan ta braktisnin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Ishte viti 1943 kur vendbanimi i lulëzuar i Tyneham pa botën e tyre të përmbysej përgjithmonë. Britania ishte thellë në Luftën e Dytë Botërore kur ushtria mori në kontroll fshatin për operacione stërvitore.

    Kjo do të thoshte se vendasve iu dha vetëm një muaj paralajmërim për të evakuuar pronat e tyre ku familje të panumërta kishin banuar për shekuj me radhë.

    Qeveria mori fshatin dhe territorin përreth tij për të krijuar një strukturë stërvitore për forcat aleate, për shkak të afërsisë së tij me poligonin e qitjes Lulworth.

    Banorët ishin të bindur se po sakrifikonin pronat e tyre për të mirën e kombit dhe prisnin të ktheheshin pasi të mbaronte lufta.

    Megjithatë, tragjikisht, fshatarët nuk mundën kurrë të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Tyneham, pasi edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fshati dhe zona përreth mbetën një vend stërvitjeje për ushtrime ushtarake.

    Sot fshati, i ruajtur ende në kohë pas më shumë se 80 vjetësh, shërben si një atraksion turistik.

    Ai mirëpret mysafirë në periudha të caktuara gjatë vitit.

  • Ambasada amerikane në Irak sërish në shënjestër, raportohet për sulm me dronë e raketa

    Ambasada amerikane në Irak sërish në shënjestër, raportohet për sulm me dronë e raketa

    Dronë dhe raketa janë lëshuar drejt ambasadës së SHBA-së në Bagdad, kryeqyteti i Irakut, në sulmin e dytë të tillë gjatë kësaj lufte.

    Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rihapur hapësirën e tyre ajrore pasi kërcënimet me raketa dhe dronë nga Irani i detyruan ta mbyllnin përkohësisht.

    Milicia pro-iraniane në Irak publikoi pothuajse dy minuta pamje në Telegram që tregojnë një dron duke fluturuar ulët brenda kompleksit të ambasadës së SHBA-së në Bagdad.

    Droni shihet duke lëvizur mes ndërtesave në kompleksin shumë të fortifikuar dhe duke kaluar vetëm disa metra pranë një flamuri të madh amerikan gjatë ditës. Nuk duket se ka goditur ndonjë objekt brenda kompleksit.

    Videoja mban datën 16 mars, por CNN raporton nuk mundi të verifikojë saktësisht se kur është regjistruar. Në fillim të marsit, ambasada urdhëroi të gjithë stafin jothelbësor të largohej për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

    Publikimi i pamjeve erdhi disa orë pasi hoteli Al-Rasheed, i cili ndodhet brenda “Green Zone” ku ndodhet edhe ambasada, u godit pas një sulmi me dron gjatë natës.

    Ambasada e SHBA-së ka qenë në shënjestër të disa sulmeve ditët e fundit, ajo u godit nga dy dronë të shtunën dhe mbrojtja ajrore u aktivizua për të rrëzuar projektile hyrëse të hënën.

    Disa grupe milicie pro-iraniane që veprojnë në Irak kanë marrë përgjegjësinë për sulme të ndryshme ndaj objektivave amerikane atje që nga fillimi i luftës me Iranin.

    Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon t’u bëjë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht aleatëve të NATO-s, që të ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës.

    Por kancelari gjerman Friedrich Merz thotë se kjo luftë “nuk është çështje për NATO-n”, ndërsa aleanca deklaron se “aleatët tashmë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar më shumë siguri në Mesdhe”.

    Liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se një ofensivë e madhe tokësore izraelite në Liban do të kishte “pasoja shkatërruese humanitare”.

  • Vdes aktori i “Back to the Future”, Matt Clark

    Vdes aktori i “Back to the Future”, Matt Clark

    Ka vdekur Matt Clark, aktori i njohur për rolin e tij në “Back to the Future: Part III” si dhe në sitcom-in televiziv “Grace Under Fire”.

    Sipas TMZ, Clark vdiq në shtëpinë e tij në Austin, Teksas të dielën në mëngjes nga komplikacionet pas një operacioni në shpinë.

    Clark u shfaq në disa filma perëndimor në ekranet e mëdha dhe të vogla së bashku me aktorë si Clint Eastwood dhe John Wayne… dhe u shfaq në klasikun kult të viteve ’80 “The Adventures of Buckaroo Banzai Across the 8th Dimension”.

  • Filmi “KPop Demon Hunters” bën histori në Oscars

    Filmi “KPop Demon Hunters” bën histori në Oscars

    Filmi i animuar “KPop Demon Hunters” ka shënuar një moment historik në ceremoninë e Oscars, duke fituar çmimin për Filmin më të Mirë të Animuar dhe për Këngën më të Mirë Origjinale me këngën “Golden”.

    Prodhimi, që ndërthur estetikën e K-pop-it me elemente të kulturës koreane, është bërë një fenomen global dhe një nga filmat më të shikuar në Netflix. Suksesi i tij është parë si një ngritje e fuqishme e kulturës koreane në industrinë botërore të filmit.

    Fitorja e këngës “Golden” shënon gjithashtu herën e parë që një këngë K-pop fiton një Oscar, duke e kthyer filmin në një nga momentet më të përfolura të ceremonisë së këtij viti.

    Në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare, ky sukses është përshkruar si një moment i rrallë kulturor që bashkon kinemanë, muzikën dhe pop-kulturën globale në një histori të vetme suksesi.

  • Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe Zariq

    Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe Zariq

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të martë për të dytën ditë me radhë është anuluar seanca ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq. Seanca e planifikuar për sot u anulua për arsye shendetësore të të akuzuarit Pantiq.

    Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Donikë Shala-Avdyli konfirmuan se nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz, janë njoftuar se gjendja shëndetësore e të akuzuari Pantiq vazhdon të jetë e njëjtë, për këtë arsye ai nuk mund të jetë prezent në gjykim as sot, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Edhe seanca e 16 marsit 2026 është anuluar për të njëjtat arsye.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

    Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

    Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

  • iPhone zbulon 163 emoji të rinj

    iPhone zbulon 163 emoji të rinj

    Nëse përdorni një iPhone, opsionet për emoji sapo janë rritur ndjeshëm.

    Apple ka publikuar versionin e katërt beta për zhvilluesit për iOS 26.4, i cili përfshin qasje në 163 emoji të rinj.

    Ndërsa 150 janë sekuenca të tonit të lëkurës për personazhet ekzistues, 13 prej tyre janë koncepte krejtësisht të reja.

  • A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin?

    A është ngrënia e mëngjesit vonë e rrezikshme për shëndetin?

    Të gjithë e kemi dëgjuar shprehjen se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Tani, një studim i ri sugjeron se edhe koha specifike e ngrënies së mëngjesit dhe vakteve të tjera mund të jetë shumë e rëndësishme, veçanërisht ndërsa plakeni.

    Një studim dhjetëvjeçar nga studiuesit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit dhe Universitetin e Mançesterit ndoqi gati 3,000 të rritur të moshës 42 deri në 94 vjeç për një mesatare prej 22 vjetësh. Ekipi gjurmoi kohën e vakteve të pjesëmarrësve, faktorët e stilit të jetës, të dhënat gjenetike dhe rezultatet shëndetësore për të parë se si ndryshonin oraret e të ngrënit me moshën, si dhe çfarë nënkuptonin këto ndryshime për shëndetin afatgjatë.

    Ajo që ata zbuluan është se, ndërsa pjesëmarrësit plakeshin, ata kishin tendencë të hanin vaktet e tyre më vonë gjatë ditës. Afati kohor në të cilin të gjitha vaktet konsumoheshin çdo ditë gjithashtu u ngushtua. Por ndoshta rezultati më i rëndësishëm i studimit ishte zbulimi se ngrënia e mëngjesit më vonë lidhej me një rrezik më të lartë vdekjeje.

    Pjesëmarrësit në grupin që hëngrën herët kishin një shkallë mbijetese 10-vjeçare prej gati 90%, krahasuar me afërsisht 87% për ata që hëngrën vonë. Për më tepër, çdo orë shtesë vonesë në mëngjes shoqërohej me një rrezik vdekshmërie prej 8-11% më të lartë, varësisht nga modeli statistikor, edhe pasi të merren parasysh faktorë si mosha, seksi dhe stili i jetesës.

    Pse oraret e vakteve mund të ndryshojnë

    Studiuesit vunë re se arsyet pse pjesëmarrësit hanin mëngjes më vonë ndonjëherë lidheshin me problemet shëndetësore. Të moshuarit me lodhje, depresion, ankth dhe sëmundje të shumta kronike kishin më shumë gjasa të hanin më vonë. Vështirësitë në përgatitjen e ushqimit dhe cilësia e dobët e gjumit gjithashtu ndikuan në vonesa, ashtu si edhe predispozita gjenetike për të qëndruar zgjuar deri vonë.

    Meqenëse studimi ishte vëzhgues, kjo mund të ketë shumë rëndësi. Është plotësisht e mundur që rritja e shkallës së vdekshmërisë tek ata që hanë vonë të jetë e lidhur me problemet themelore shëndetësore ose gjenetike me të cilat ata përballen, dhe të cilat gjithashtu i kanë bërë ata të vonojnë vaktet e tyre. Me fjalë të tjera, megjithëse ekziston një korrelacion midis vonesave të vakteve dhe një rreziku më të lartë të vdekshmërisë, ky studim nuk vërteton se vetë vonesa është fajtorja.

    Vlen gjithashtu të përmendet se studimi u përqendrua kryesisht te të rriturit e bardhë britanikë dhe u mbështet në oraret e vetë-raportuara të vakteve.

    A duhet të ha mëngjes herët?

    Megjithatë, e gjithë kjo sugjeron që mbajtja e vakteve të qëndrueshme – veçanërisht fillimi i ditës me mëngjes më herët – mund të jetë një tregues i një shëndeti më të mirë në përgjithësi tek të rriturit e moshuar. Ndryshimet në kohën e vakteve jo vetëm që mund të pasqyrojnë problemet themelore shëndetësore, por gjithashtu mund të ndikojnë në ritmet cirkadiane, të cilat ndihmojnë në rregullimin e gjërave të tilla si gjumi dhe metabolizmi.

    Edhe pse nevojiten më shumë kërkime, mbajtja e një rutine të qëndrueshme të mëngjesit mund të jetë një hap i thjeshtë drejt mbështetjes së plakjes më të shëndetshme.

  • Horoskopi për sot – disa shenja me më shumë fat

    Horoskopi për sot – disa shenja me më shumë fat

    Dashi
    Sot mund të ndihesh më i motivuar për të marrë iniciativa të reja. Kujdes me vendimet impulsive, sidomos në çështjet financiare. Një bisedë e sinqertë me një person të afërt mund të të japë qartësi.

    Demi
    Është një ditë e mirë për të rregulluar çështje praktike dhe për të vendosur rend në jetën tënde. Në marrëdhënie, trego më shumë fleksibilitet. Dikush mund të të surprizojë pozitivisht.

    Binjakët
    Komunikimi është pika jote e fortë sot. Shfrytëzoje për të zgjidhur keqkuptime apo për të avancuar në punë. Mos e shpërqendro energjinë në shumë drejtime njëkohësisht.

    Gaforrja
    Ndjeshmëria jote është më e theksuar se zakonisht. Merr kohë për veten dhe mos u përfshi në drama që nuk të përkasin. Financat kërkojnë pak më shumë vëmendje.

    Luani
    Sot mund të jesh në qendër të vëmendjes. Përdore këtë në favorin tënd, por shmang arrogancën. Në dashuri, një gjest i vogël mund të ketë ndikim të madh.

    Virgjëresha
    Fokusi te detajet të ndihmon të përfundosh detyra të rëndësishme. Kujdes me kritikën ndaj të tjerëve – jo gjithmonë është e nevojshme. Shëndeti kërkon balancë.

    Peshorja
    Marrëdhëniet janë në qendër të ditës. Mund të lindin mundësi të reja bashkëpunimi. Dëgjo intuitën dhe mos u përpiq të kënaqësh të gjithë.

    Akrepi
    Një ditë e mirë për të marrë kontrollin e situatave që kanë mbetur pezull. Energjia jote është e fortë, por përdore me mençuri. Në dashuri, shmang xhelozinë.

    Shigjetari
    Dëshira për aventurë është e lartë. Nëse nuk mund të udhëtosh, kërko përvoja të reja në rutinën e përditshme. Një ide e re mund të kthehet në diçka fitimprurëse.

    Bricjapi
    Përgjegjësitë mund të duken më të rënda sot, por me organizim do t’ia dalësh. Në familje, kërkohet më shumë durim. Mos neglizho pushimin.

    Ujori
    Mendimet e tua janë të qarta dhe kreative. Është moment i mirë për të ndarë ide dhe për të nisur projekte të reja. Një njohje e re mund të rezultojë interesante.

    Peshqit
    Intuita jote është shumë e fortë sot. Besoji ndjenjave të tua, sidomos në vendime personale. Kujdes me shpenzimet e panevojshme dhe mbaj fokusin te prioritetet.