ATV

Author: K.B.

  • Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Haxhiu për seancën konstituive: Do të mbahet në javën e parë të gushtit

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive do të mbahet në javën e parë të muajit gusht.

    Gjatë deklarimit të saj, Haxhiu dha edhe një premtim se së shpejti do të bëhet publike data dhe ora e mbajtjes së seancës.

    “Do të ketë seancë në javën e parë të gushtit. Ju premtoj që javën e ardhshme do të tregojmë datën dhe orën”, deklaroi Haxhiu.

    Më herët, Presidenca kishte njoftuar se Haxhiu ka vendosur që ta caktojë seancën konstituive afër fundit të afatit ligjor, i cili përfundon më 7 gusht.

    Sipas Presidencës, ky vendim është marrë me qëllim që t’u lihet kohë partive politike për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

  • Selmanaj: Albin Kurti brenda 48 orëve vuri nën kontroll Prokurorinë, Kuvendin dhe AKP-në

    Selmanaj: Albin Kurti brenda 48 orëve vuri nën kontroll Prokurorinë, Kuvendin dhe AKP-në

    Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se brenda vetëm dy ditësh, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.

    Selmanaj ka renditur edhe disa vendime që janë marrë.

    Zejnullah Gashi u dekretua Kryeprokuror, një veprim që kritikohet si vendosje e sistemit prokurorial nën ndikimin e pushtetit.

    Feride Podvorica u emërua ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit, duke u cilësuar si zgjerim i kontrollit mbi administratën parlamentare.

    Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, u rendit kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv.

    Postimi i tij i plotë:

    Vetëm brenda dy ditësh, Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.

    Brenda 48 orëve:

    – Sistemi prokurorial u vu nën ndikimin e pushtetit, me dekretimin e Zejnullah Gashit si Kryeprokuror.

    – Administrata e Kuvendit u vendos nën kontroll, përmes emërimit të Feride Podvoricës si ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit.

    – Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), si kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv u rendit Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Kur këto zhvillime shihen së bashku, na forcojnë bindjen për tendencën e vazhdueshme për përqendrimin e ndikimit politik mbi çdo institucion shtetëror. E megjithatë, opozita vazhdon të heshtë.

    Në demokraci, heshtja përballë përqendrimit të pushtetit nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në miratim të heshtur.

    Nëse opozita nuk ngre zërin sot, nesër mund të jetë tepër vonë. Demokracia mbrohet me reagim, me përgjegjësi dhe me veprim, e asesi me heshtje.

  • Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Familja e kosovarit të burgosur në Serbi kërkon dokumente se Osman Selmani ishte refugjat gjatë luftës

    Shtetasi kosovar, Osman Selmani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Mutivodë kishte qenë duke u kthyer nga Medvegja në Prishtinë.

    Familjarë dhe miq të Osmanit kanë bërë apel për ndihmë teksa potencojnë se akuzat ndaj Selmanit për krime lufte janë të pabazuara pasi ‘gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, ai ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar’.

    “Sipas të gjitha informacioneve që disponojmë, gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, Osman Selmani ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar”, shkruhet në apel.

    Kujtojmë se Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi ai u arrestua më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës.

  • FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës

    FIFA cakton gjyqtarët për finalen e Kupës së Botës

    Slloveni Slavko Vinçiç do të ndajë drejtësinë në duelin e finales së madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, ndërsa ekipi i arbitrave kompletohet nga dy ndihmës sllovenë dhe dy zyrtarë nga Jordania.

    FIFA ka zyrtarizuar ekipin e gjyqtarëve që do të drejtojë finalen e madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila zhvillohet më 19 korrik në “New York New Jersey Stadium” i njohur edhe si “MetLife Stadium”.

    Besimi i është dhënë gjyqtarit slloven Slavko Vinçiç, një prej emrave më të njohur të arbitrimit evropian, i cili do të ketë përgjegjësinë për të drejtuar sfidën që do të vendosë kampionin e ri të botës.

    Vinçiç do të ndihmohet nga bashkëkombësit e tij Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic në rolin e gjyqtarëve anësorë. Ndërkohë, arbitri i katërt do të jetë Adham Makhadmeh nga Jordania, ndërsa Mohammad Alkalaf, po ashtu nga Jordania, është caktuar si gjyqtar ndihmës rezervë.

    Përballja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë kulmi i Kupës së Botës 2026, me dy nga kombëtaret më të forta të turneut që do të luftojnë për trofeun më prestigjioz në futbollin botëror.

    Përzgjedhja e ekipit të gjyqtarëve nga FIFA synon të garantojë një finale të drejtuar nga një staf me përvojë në ndeshjet më të rëndësishme ndërkombëtare.

  • “Kapet” edhe administrata e Kuvendit, Haxhiu e bën u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm shoqen e saj

    “Kapet” edhe administrata e Kuvendit, Haxhiu e bën u.d. të Sekretarit të Përgjithshëm shoqen e saj

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka vendosur njeriun e saj në krye të administratës së Kuvendit.

    Me anë të një vendimi, të cilin e ka nënshkruar dje, ajo e ka emëruar Feride Podvoricën ushtruese të detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit të Kosovës.

    Podvorica njihet se person shumë i afërt me Haxhiun.

    Paraprakisht, ajo kishte punuar për kohë të gjatë me Albulena Haxhiun në Ministria e Drejtësisë.

    Derisa ky dikaster drejtohej nga Albulena Haxhiu, Podvorica në këtë ministri kishte ushtruar pozita të rëndësishme.

    Fillimisht kishte ushtruar detyrën e zëvendësdrejtoreshës dhe më pas të ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Departamentit Ligjor.

  • Gara shpejtësie në Prishtinë, Policia gjobit dy shoferë me nga 500 euro dhe mbesin pa leje për një vit

    Gara shpejtësie në Prishtinë, Policia gjobit dy shoferë me nga 500 euro dhe mbesin pa leje për një vit

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë masa ndaj dy drejtuesve të automjeteve, të cilët janë kapur duke zhvilluar gara shpejtësie në rrugët e Prishtinës.

    Pas identifikimit të kundërvajtësve, policia thotë se ka shqiptuar ndaj secilit prej tyre gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit të mjetit motorik për 12 muaj, si dhe 5 pikë negative.

    “Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëv”, thotë PK.

  • Përvëlohet Shqipëria, temperaturat arrijnë deri në 42 gradë Celsius

    Përvëlohet Shqipëria, temperaturat arrijnë deri në 42 gradë Celsius

    Shqipëria do të përjetojë sot një nga ditët më të nxehta të kësaj vere, me temperatura që në disa zona pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius.

    Sipas meteorologes së A2 CNN, Tanja Porja, mëngjesi ka nisur me temperatura më të larta se një ditë më parë, me një rritje prej rreth dy gradësh.

    “Në zonat malore temperaturat e mëngjesit variojnë nga 20 deri në 22 gradë, ndërsa në gjysmën perëndimore të vendit ato janë dukshëm më të larta. Berati e ka nisur ditën me 29-30 gradë, një vlerë shumë e lartë për orët e para të mëngjesit”, ka deklaruar Porja.

    Gjatë mesditës pritet shtim i vranësirave fillimisht në veri dhe verilindje, të cilat më pas do të shtrihen edhe në zonat qendrore e juglindore, por pa ndikuar ndjeshëm në uljen e temperaturave.

    “Temperaturat maksimale do të regjistrohen në pjesën veriore dhe qendrore të vendit. Shkodra pritet të kalojë 39 gradët, Kopliku do të shkojë mbi 41 gradë, ndërsa Lezha, Durrësi dhe Velipoja do të arrijnë rreth 39 gradë”, tha meteorologia.

  • Vdes në moshën 92-vjeçare nëna e Kris Jenner

    Vdes në moshën 92-vjeçare nëna e Kris Jenner

    Mary Jo “MJ” Shannon, nëna e sipërmarrëses dhe yllit televiziv Kris Jenner, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare.

    Lajmin e trishtë e bëri të ditur vetë Kris Jenner përmes një postimi në Instagram, ku i dha lamtumirën nënës në emër të gjithë familjes.

    “U përshëndetëm me mamanë time të mrekullueshme, MJ. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë sa shumë do të thoshte ajo për mua dhe sa e madhe është dhimbja e largimit të saj”, shkroi Jenner.

    Ajo e përshkroi të ëmën si shtyllën e familjes, duke theksuar se prej saj mësoi vlerat më të rëndësishme të jetës: dashurinë pa kushte për familjen, mirësinë, mbështetjen për njerëzit e dashur dhe rëndësinë e çdo momenti të kaluar së bashku.

    Në vijim, Kris Jenner vlerësoi ndikimin e madh që nëna e saj pati te të gjithë anëtarët e familjes.

    “Ajo na mësoi se familja vjen gjithmonë e para. Na tregoi si të duam pa kushte dhe të gjejmë gëzim në gjërat e vogla. Prej saj mësova si të përballem me sfidat e jetës, të qëndroj e fortë dhe të mos humbas kurrë besimin”, u shpreh Jenner.

  • Çmime të çmendura biletash: Spanja dhe Argjentina luajnë finalen më të shtrenjtë në historinë e sportit

    Çmime të çmendura biletash: Spanja dhe Argjentina luajnë finalen më të shtrenjtë në historinë e sportit

    Ethet para finales së Kupës së Botës midis Spanjës dhe Argjentinës kanë arritur në pikën e vlimit, dhe bashkë me të edhe çmimet e biletave, të cilat po thyejnë të gjitha rekordet e mëparshme sportive.

    Sipas informacionit të dhënë nga gazeta me reputacion RMC Sport, dueli i ardhshëm do të bëhet zyrtarisht finalja më e shtrenjtë në historinë e sportit. Dëshira e tifozëve për të parë drejtpërdrejt betejën historike për fronin planetar ka krijuar një kërkesë të paparë, dhe shifrat që qarkullojnë në publik janë fjalë për fjalë të çmendura.

    Për një tifoz mesatar, të shkosh në stadiumin MetLife do të mbetet thjesht një ëndërr, duke pasur parasysh që çmimet e biletave janë rritur ndjeshëm.

    Çmimi mesatar i biletave në treg aktualisht arrin në një shifër të pabesueshme prej 9,717 eurosh. Edhe nëse zgjidhni opsionin më të lirë, i cili përfshin vendet më të këqija në stadium dhe nuk përfshin ndonjë zbritje speciale, do t’ju duhet të shpenzoni deri në 3,496 euro.

    Megjithatë, rekorde absolute po thyhen në platformat e rishitjes së biletave, ku janë regjistruar disa bileta, çmimi i të cilave arrin një shifër marramendëse prej 1,748,000 eurosh.

    Sikur të mos mjaftonin çmimet astronomike, organizatorët e finales së madhe përballen edhe me rrethana të paparashikuara natyrore.

    Konkretisht, pikërisht tre ditë para ndeshjes finale në stadiumin MetLife, Nju Jorku është mbuluar plotësisht nga tymi i dendur që vjen nga zjarret pyjore në Kanada. Kjo situatë krijon dramë shtesë dhe shqetësim të madh në lidhje me kushtet e ndeshjes, si dhe praninë e tifozëve në hapësirën e hapur.

    Megjithatë, as problemet mjedisore, dhe as me sa duket çmimet e biletave prej miliona dollarësh, nuk do ta pengojnë spektaklin.

    Përplasja e titanëve midis Argjentinës dhe Spanjës garanton historinë e futbollit, dhe të pasurit me fat që do të jenë në tribuna do të paguajnë çmimin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në botën e sportit.

  • Aftermovie i Sunny Hill 2025, çfarë kishte ndodhur vitin e kaluar në festivalin më të madh në vend

    Aftermovie i Sunny Hill 2025, çfarë kishte ndodhur vitin e kaluar në festivalin më të madh në vend

    Nga performancat spektakolare të yjeve botërorë deri te mijëra adhurues që kënduan e vallëzuan nën ritmet e muzikës, Sunny Hill Festival 2025 mbetet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Kosovë.

    Këto momente janë rikthyer përmes “Aftermovie 2025”, i cili përmbledh atmosferën unike që mbizotëroi gjatë tri netëve të festivalit në Prishtinë.

    Pamjet sjellin energjinë e skenës kryesore, emocionet e publikut dhe performancat që bënë bashkë artistë ndërkombëtarë dhe emra të njohur të skenës shqiptare.

    Mes momenteve më të spikatura të edicionit ishte rikthimi i Dua Lipës në festivalin që ajo e themeloi, performanca e Shawn Mendes në Kosovë për herë të parë, si dhe setet elektrizuese të Peggy Gou e Anyma.

    Videoja përmbledh jo vetëm koncertet dhe spektaklin vizual të skenave gjigante, por edhe emocionet e mijëra pjesëmarrësve që e kthyen festivalin në një festë të madhe muzike dhe kulture.

    Dritat, fishekzjarrët, duartrokitjet dhe atmosfera e krijuar në çdo cep të hapësirës së festivalit janë pjesë e kujtimeve që mbeten të gjalla edhe pas përfundimit të tij.

    Me artistë të kalibrit botëror dhe me një pjesëmarrje masive nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, Sunny Hill 2025 konfirmoi edhe një herë statusin e tij si festivali më i madh muzikor në vend dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon.