ATV

Author: K.B.

  • Orkestra “Amadeus” rrëmben në Spanje çmimin “Grand Prix”

    Orkestra “Amadeus” rrëmben në Spanje çmimin “Grand Prix”

    Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” u vlerësua me çmimin kryesor “Grand Prix” dhe u rendit e para, në Festivalin Ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026 në Spanjë.

    Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, orkestra e të rinjve nga Kosova u përball me dhjetëra orkestra të tjera. Artistët e rinj përfaqësuan Kosovën duke dëshmuan talent, përkushtim dhe pasion të rrallë për muzikën.

    “Ky sukses nuk është vetëm një çmim, është dëshmi e punës së palodhshme, sakrificës dhe ëndrrave të mëdha që jetojnë tek i gjithë ekipi”, shkruhet në faqen e Orkestrës “Amadeus”.

    Orkestra vazhdon të krenojë Kosovën me talentet e saj të rinj. Një muaj më parë, me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës, artistët e rinj performuan në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë, ku sollën një program të larmishëm me vepra si “Gramophone Waltz”, pjesë nga Beethoven, “Palladio”, ritmet e njohura të “Can-Can” si dhe tinguj shqiptarë si “Malësorja”. Koncerti titullohej “Brezi i lirisë” dhe në programin pati pjesë nga Beethoven, Haydn, Jenkins, Texidor, Offenbach, Hopkins, Doga, Antonido etj.

  • Qeveria miraton projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm

    Qeveria miraton projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm, duke e cilësuar atë si një ndër zotimet kryesore të ekzekutivit.

    Sipas saj, ky projektligj synon të krijojë mekanizma konkretë për sigurimin e banimit për qytetarët në nevojë, përmes programeve të strukturuara dhe kritereve të qarta për përfitim.

    “Sapo miratuam në Qeveri projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm, një nga zotimet tona kryesore për të garantuar banim të dinjitetshëm për qytetarët tanë”, ka shkruar Pacolli.

    Ajo ka bërë të ditur se projektligji parasheh krijimin e programeve të banimit, duke përcaktuar rregullat dhe procedurat për zbatimin dhe shpërndarjen e banesave, si dhe kriteret për përfitimin e tyre nga familjet dhe individët në nevojë.

    “Projektligji parasheh krijimin e programeve të banimit, përmes përcaktimit të rregullave dhe procedurave për zbatimin dhe shpërndarjen e banesave, si dhe përcaktimin e kritereve të përfitimit për familjet dhe individët në nevojë”, ka theksuar ajo.

    Ministrja Pacolli ka shtuar se miratimi i këtij projektligji përbën përmbushje të një premtimi institucional në mbështetje të kategorive të ndryshme sociale, me theks të veçantë te çiftet e reja.

    “Me realizimin e këtij projekti po e përmbushim edhe një zotim tonin në mbështetje për çiftet e reja dhe familjet në nevojë në vendin tonë”, ka deklaruar Pacolli.

  • Shtohen linjat e autobusëve Aeroport – Prishtinë për shkak të ndeshjes Kosovë – Turqi

    Shtohen linjat e autobusëve Aeroport – Prishtinë për shkak të ndeshjes Kosovë – Turqi

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar për shtimin e frekuencës së qarkullimit në linjën 1A Aeroport – Prishtinë, në prag të zhvillimit të ndeshjes Kosovë – Turqi.

    Sipas njoftimit, kjo masë është ndërmarrë në bashkëpunim me Trafikun Urban, për shkak të rritjes së kërkesës për transport gjatë datave 31 mars dhe 1 prill.

    Gjatë këtyre dy ditëve, autobusët në këtë linjë do të qarkullojnë çdo një orë, duke filluar nga ora 06:00 deri në orën 24:00.

    Nisjet do të realizohen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, në të dy drejtimet.

    Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se kjo rritje e frekuencës synon të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe të udhëtarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ndeshjes.

  • Nis seanca në Apel në rastin e Dibran Hoxhës

    Nis seanca në Apel në rastin e Dibran Hoxhës

    Në Gjykatën e Apelit ka filluar seanca në rastin e Dibran Hoxhës (“Kobra”) për shqyrtimin e vendimit të shkallës së parë, me të cilin është dënuar me 24 vjet burgim për vrasje të rëndë.

    Rasti i vrasjes kishte ndodhur në vitin 2023.

    “Kobra” në seancë ka kërkuar që dëshmitar të jetë polici doganor i Shqipërisë.

  • Trump: Irani do lejojë 20 anije cisternash nafte të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

    Trump: Irani do lejojë 20 anije cisternash nafte të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani ka rënë dakord të lejojë kalimin e 20 anijeve cisternë të naftës nëpër Ngushtica e Hormuzit, duke e cilësuar këtë si një “dhuratë” në kuadër të negociatave mes palëve. Sipas deklaratave të tij për median ndërkombëtare, fillimisht Irani kishte lejuar një numër më të vogël anijesh, por më pas e rriti në 20, të cilat pritet të kalojnë duke nisur nga e hëna dhe në ditët në vijim.

    Trump theksoi gjithashtu se ky vendim ishte miratuar nga Mohammad Bagher Ghalibaf, duke e paraqitur si një sinjal pozitiv për ecurinë e bisedimeve mes dy vendeve. Megjithatë, retorika nga pala iraniane mbetet e ashpër. Ghalibaf paralajmëroi se forcat iraniane janë të gatshme të përballen me çdo ndërhyrje tokësore amerikane, duke akuzuar SHBA-në për përgatitje të fshehta ushtarake.

    Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, me naftën Brent që ka kaluar mbi 115 dollarë për fuçi, ndërsa konflikti ka hyrë në javën e pestë.

    Situata është përkeqësuar edhe nga përfshirja e rebelëve Huthi në Jemen, të cilët kanë ndërmarrë sulme me raketa ndaj Izraelit, duke rritur frikën për ndërprerje të furnizimit global me energji.

    Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës, mbetet nën tension të lartë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e furnizimit global me energji. Pavarësisht sinjaleve për lehtësim të pjesshëm, situata mbetet e paqëndrueshme. Trump deklaroi se një nga opsionet e tij kryesore është “marrja e naftës” iraniane, duke e krahasuar me ndërhyrje të mëparshme amerikane në vende të tjera prodhuese. Në të njëjtën kohë, raportimet flasin për sulme të vazhdueshme në rajon dhe për rrezik të shtuar për infrastrukturën energjetike, çka mund të çojë në një krizë edhe më të thellë globale. Autoritetet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve, ndërsa tregjet dhe vendet importuese të energjisë mbeten në alarm për zhvillimet e ardhshme.

  • Sa karburant është më mirë të keni në rezervuarin e veturës?

    Sa karburant është më mirë të keni në rezervuarin e veturës?

    Shumë pronarë veturash veprojnë njësoj: vozitin deri sa të ndizet llamba e rezervës, dhe vetëm atëherë mbushin karburantin.

    Të gjithë taktizojmë, dhe do të taktizojmë edhe më shumë me rritjen e çmimeve të karburantit.

    Të gjithë shtyjmë pagesën, por në fund do të duhet të mbushim rezervuarin. Niveli më praktik i karburantit rrallë është “gati bosh”, por as “plot deri në majë dhe pak më shumë”, shkruan Shoqata Amerikane e Automjeteve (AAA).

    Disa ekspertë rekomandojnë që të mos lini nivelin e karburantit të bjerë nën një të katërtën e rezervuarit para se ta mbushni sërish, ndërsa gjysma e rezervuarit është më e mençur gjatë dimrit, për udhëtime të gjata ose nëse dini që mund të bllokoheni në radhë.

    Nëse ngecni në trafik, duhet të rindërtoni rrugën ose të gjeni një stacion të hapur, sepse një rezervuar pothuajse bosh bëhet shpejt burim stresi.

    Çfarë nëse stacioni i karburantit ka problem teknik ose ndonjë problem tjetër logjistik?! Prandaj, kur niveli i karburantit bjerë në një të katërtën, kërkoni një stacion për ta mbushur. Për qetësinë tuaj.

    Shumë njerëz bëjnë edhe një gabim tjetër të zakonshëm: vazhdojnë të mbushin karburantin edhe pasi arma e karburantit klikon. Kjo duhet shmangur. Mbushja duhet të ndalet te klikimi i parë, sepse ai paralajmëron për mbushje të tepruar. Një rezervuar i mbushur tepër mund të shkaktojë derdhje dhe probleme, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta.

  • Kurti: Ekspozita për krimet në Kosovë të korrigjohet dhe të rikthehet e vërteta e plotë në qershor

    Kurti: Ekspozita për krimet në Kosovë të korrigjohet dhe të rikthehet e vërteta e plotë në qershor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ekspozitën për masakrat e luftës në Kosovë, duke theksuar nevojën që ajo të korrigjohet dhe të rikthehet në një formë më të saktë dhe gjithëpërfshirëse.

    Ai bëri të ditur se ekspozita tashmë është larguar nga sheshi, ndërsa shtoi se, megjithëse përfshin disa raste të rëndësishme, ajo ka pasur mangësi dhe gabime në përmbajtje që duhet patjetër të përmirësohen.

    Kurti theksoi se dokumentimi dhe prezantimi i saktë i krimeve të luftës është thelbësor, jo vetëm për opinionin ndërkombëtar, por edhe për vetë shoqërinë kosovare, veçanërisht për gjeneratat e reja që nuk e kanë përjetuar luftën.

    Sipas tij, një pjesë e madhe e popullsisë ose kanë qenë fëmijë gjatë luftës, ose kanë lindur pas saj, prandaj është e domosdoshme që e vërteta historike të ruhet dhe të prezantohet në mënyrë të drejtë.

    Ai vlerësoi se një ekspozitë e tillë ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit, pasi ndihmon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në ndërgjegjësimin për çmimin e lartë të lirisë, duke theksuar se shumica e viktimave të luftës në Kosovë kanë qenë civilë.

    “Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë jo vetëm për të kaluarën tonë. Ndërkaq, është e rëndësishme edhe për aspektin ndërkombëtar, sepse ne dëshirojmë që bota me të cilën kemi ndërveprim të dendur të mos harroj asnjëherë se çmimi i lirisë dhe i pavarësisë ishte shumë i lartë dhe në veçanti në popullsinë civile, sepse shumica dërrmuese e të vrarëve në Kosovë janë popullsi civile”, deklaroi ai.

    Kryeministri u shpreh se një ekspozitë e rishikuar dhe e bazuar në fakte duhet të rikthehet sa më shpejt, duke sugjeruar muajin qershor, në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, si një moment të përshtatshëm.

    “Një ekspozitë e saktë e drejtë dhe e plotë mbi të gjitha e vërtetë për krimet e kryera të Serbisë në Kosovë, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje, një datë optimale do të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës”, deklaroi ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

    Ai shtoi gjithashtu se një nismë e tillë nuk duhet të kufizohet vetëm në Prishtinë, por të shtrihet në të gjitha komunat e vendit, në mënyrë që të jetë sa më e qasshme për qytetarët.

  • Çështja e presidentit, Kurti i gatshëm të ftojë në takim liderët opozitarë

    Çështja e presidentit, Kurti i gatshëm të ftojë në takim liderët opozitarë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e presidentit është tejet e rëndësishme, dhe e njëjta duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh institucional dhe politik.

    Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ai bëri të ditur se posa të zhvillojë konsultimet e brendshme, do të nisë dërgimin e ftesave për takim me kryetarët e partive opozitë.

    “Kjo është çështje tejet e rëndësishme, zgjedhja e presidentit duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë institucional dhe politik. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse nuk gaboj, kemi kohë deri më 28 prill, që do të thotë se i kemi 30 ditë, pra jo 3, por 30. Megjithatë, do të përpiqemi që sa më shpejt të kryejmë sa më shumë. Për këtë më nevojiten konsultimet e brendshme, dhe dihet se pas tyre menjëherë do të dërgojmë ftesa për takim me kryetarët e partive opozitare”, deklaroi shefi i qeverisë.

    Ndër të tjera, Kurti theksoi se kjo çështje duhet trajtuar me urgjencë, por nuk duhet “të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë”.

    “Sa i përket rëndësisë, kjo duhet trajtuar me urgjencë. Nuk duhet të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që arrijmë. Në këtë kuptim, çështja është më e rëndësishme dhe urgjente, por Kushtetuesja na ka dhënë një periudhë kohe që na lejon jo vetëm të veprojmë shpejt, por edhe të shmangim gabimet në mënyrën se si arrijmë aty ku duhet”, përfundoi kryeministri.

  • LDK mban konferencë për “skandalin e njehsorëve elektrikë” para ZRRE-së

    LDK mban konferencë për “skandalin e njehsorëve elektrikë” para ZRRE-së

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 15:00, do të mbajë konferencë për media para objektit të Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Sipas njoftimit, në këtë konferencë do të flasë Visar Azemi, i cili pritet të trajtojë sërish çështjen e ashtuquajtur “skandal i njehsorëve elektrikë”.

    LDK ka ftuar përfaqësuesit e mediave që të marrin pjesë dhe ta përcjellin nga afër këtë konferencë për media.

  • “Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë”, Vedat Muriqi beson në fitoren e Kosovës ndaj Turqisë

    “Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë”, Vedat Muriqi beson në fitoren e Kosovës ndaj Turqisë

    Qendërsulmuesi Vedat Muriqi thotë se beson se Kosova do të triumfojë në përballjen ndaj Turqisë.

    Ylli nga Kosova në konferencë për media dha lëvdata për ekipin e Turqisë, por shpreson se “Dardanët” do të kenë sukses.

    “Kam kënaqësinë që jam kapiten në këtë sfidë të rëndësishme, pra jemi në finale. Jam i qetë, kemi atmosferë jashtëzakonisht të shkëlqyer në kombëtare dhe shpresojmë shumë në sukses”.

    “Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më mirë se Turqia”.

    I pyetur se nëse ka ardhur koha të shënojë në ndeshjen vendimtare pasi “nuk e ka gjetur golin që disa ndeshjes”, Muriqi nënvizoi se suksesi i ekipit është prioritet.

    “Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi t’u fol për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola”.

    “Pas Pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj nëse në fitore e pastaj të festojmë në shesh”, shtoi ai.

    Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën nga ora 20:45.