ATV

Author: K.B.

  • Mblidhen dy komisione parlamentare, në fokus projektligjet buxhetore

    Mblidhen dy komisione parlamentare, në fokus projektligjet buxhetore

    Dy komisione të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot mbledhjet e radhës.

    Në orën 11:00, Komisioni për Integrime Evropiane do të mblidhet, ku në rend dite është shqyrtimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin pranveror.

    Po në të njëjtën kohë do të mblidhet edhe Komisioni për Buxhet. Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit do të shqyrtojnë disa projektligje që lidhen me çështje financiare dhe buxhetore.

  • 17 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s

    17 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s

    Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

    Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

    Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

    Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

    Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë.

    Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është shoqëruar me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

    Gjithashtu, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014.

    Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në vendin tonë. Shqipëria i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë.

  • Mot i ftohtë e me reshje sot

    Mot i ftohtë e me reshje sot

    Prilli në Kosovë fillon i ftohtë dhe me shumë vranësira e reshje të lokalizuara.

    Pasdite pritet që reshjet e shiut të përfshijnë gati tërë Kosovën e në viset malore priten reshje bore.

    Temperaturat pritet të lëvizin nga 1 minimalja deri në 10 ajo maksimale.

  • Ambasadori britanik: Bravo Kosova, herës tjetër do të shkoni një hap tutje – shihemi në Botërorin 2030

    Ambasadori britanik: Bravo Kosova, herës tjetër do të shkoni një hap tutje – shihemi në Botërorin 2030

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka dhënë fjalë të mira për paraqitjen e Kosovës ndaj Turqisë.

    Ai uroi Turqinë, por tha se arritja e Kosovës deri në këtë pikë për pak vite, është e jashtëzakonshme.

    “Bravo Kosova për një performancë të mrekullueshme dhe një arritje të pabesueshme në këtë kampanjë të Kupës së Botës. Ka shumë për të qenë krenarë. Herës tjetër do të shkoni edhe një hap më tej”.

    “Shihemi në Botërorin 2030”, potencoi Hargreaves.

  • Abdixhiku: Ishim aq afër shqipe! Kemi me ja dalë një ditë – krenar me djemtë tanë

    Abdixhiku: Ishim aq afër shqipe! Kemi me ja dalë një ditë – krenar me djemtë tanë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar djemtë e Kombëtares së Kosovës, të cilët u mposhtën nga Turqia në finalen e play-offit për Botëror.

    “Faleminderit që na bëtë të besojmë sërish. Që për disa çaste na dhatë ëndrrat më të bukura që mund t’i ketë një vend e secili njeri. Faleminderit që na bashkuat si rrallëherë, përtej çdo dallimi, nën një ndjenjë të vetme; krenarinë për vendin tonë”.

    “Faleminderit për dinjitetin që i dhatë kësaj fanelle, për emocionet që s’shuhen dhe për shpresën që mbetet tutje. Ishim aq afër shqipe! Kemi me ja dalë një ditë. Krenar me djemtë tanë”, u shpreh Abdixhiku.

  • Hamza: Kokën lart djema, krenar pafundësisht me ju

    Hamza: Kokën lart djema, krenar pafundësisht me ju

    Kosova u mposht sonte nga Turqia me rezultat 0:1 në finalen e playoff-it për kualifikim në Kampionatin Botëror.

    Me këtë rast ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza.

    “Kokën lart djema”, shkroi Hamza në Facebook.

    “Krenar pafundësisht me ju. Për shpirtin luftarak, përkushtimin dhe vetëmohimin që treguat për ta ngritur lart emrin e Kosovës. Ky nuk është fundi, por fillimi i rrugës së madhe që po ndërtoni. Kjo nuk është humbje, por një mësim që do t’ju bëjë më të fortë për sfidat që vijnë. Sonte nuk festuam rezultatin, por pamë shpirtin e një kombëtareje që nuk dorëzohet kurrë. Kosova ju do shumë dhe është me ju në çdo hap. Gjithmonë”, shtoi kreu i PDK-së.

  • FFK: Nuk ia dolëm, por gjithmonë krenar me djemtë tanë

    FFK: Nuk ia dolëm, por gjithmonë krenar me djemtë tanë

    Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me reagim pas fitores së Turqisë, e cila e mposhti Kosovën me rezultat 1:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    FFK ka thënë se ndonëse Kosova nuk ia doli të kualifikohej në Botëror, krenaria për dardanët vazhdon.

    “Nuk ia dolëm, por gjithmonë KRENAR ME DJEMTË TANË 🇽🇰”, ka shkruar Federata.

  • Presidenti i Turqisë, Recep Erdogan reagon pas fitores së kombëtares turke ndaj Kosovës: I puth të gjithë në ballë

    Presidenti i Turqisë, Recep Erdogan reagon pas fitores së kombëtares turke ndaj Kosovës: I puth të gjithë në ballë

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar pas fitores së kombëtares së Turqisë ndaj kombëtares së Kosovës.

    Turqia fitoi 1-0 në “Fadil Vokrri”, dhe kësisoj arriti të kualifikohet në Botërorin e 2026-ës.

    Pas kësaj fitoreje të kombëtares turke, nuk ka munguar as reagimi i të parit të shtetit turk.

    Ai i përgëzoi lojtarët turq për paraqitjen e tyre.

    “E përgëzoj me gjithë zemër Kombëtaren tonë A, Djemtë Tanë, për sigurimin e një vendi në finalet e Kupës së Botës duke mposhtur Kosovën në finalen e “play-off”-it për Botërorin 2026. I uroj suksese Kombëtares sonë, e cila do ta valëvitë flamurin tonë me gjysmëhënë dhe yll në skenën më të madhe të futbollit pas 24 vitesh, fillimisht në ndeshjet e fazës së grupeve kundër Australisë, Paraguajit dhe SHBA-së, e më pas, me dëshirën e Zotit, edhe në ndeshjet që shpresojmë do ta çojnë deri në finale. Kemi besim të plotë se Djemtë Tanë, si gjithmonë, do ta çojnë fanellën me gjysmëhënë dhe yll nga fitorja në fitore dhe do ta mbushin kombin tonë me krenari. I puth të gjithë sportistët tanë në ballë”, ka shkruar ai në platformën “X”.

  • Franca mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët ushtarak amerikanë që fluturojnë drejt Iranit

    Franca mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët ushtarak amerikanë që fluturojnë drejt Iranit

    Franca ndalon aeroplanët amerikanë në operacionet kundër Iranit, Trump kritikon Parisin.

    Parisi ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për fluturimet ushtarake amerikane të transportit, duke ndaluar pjesëmarrjen e avionëve amerikanë në operacionet kundër Iranit.

    Më herët, edhe Spanja kishte marrë një masë të ngjashme, duke mbyllur hapësirën ajrore për SHBA-në.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Francës, duke e cilësuar atë “shumë të padobishme” në përpjekjet për të eliminuar “Kasapin e Iranit”.

    Ky zhvillim vjen në një kohë të tensionuar në rajon, ndërsa përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit mbeten të ndjeshme dhe komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër situatën.

    Ndryshe, vendimi mund të ndikojë në koordinimin e operacioneve ushtarake amerikane dhe të shtojë tensionet diplomatike mes Uashingtonit dhe Parisit.

  • Ishte e bukur për aq sa zgjati, Kosovës i shuhet ëndrra për Botëror

    Ishte e bukur për aq sa zgjati, Kosovës i shuhet ëndrra për Botëror

    Kombëtarja e Kosovës është mposhtur në ndeshjen finale të “play-offit” të Botërorit 2026, duke shuar ëndrrën për SHBA, Kanada e Meksikë.

    “Dardanët” u mposhtën 1-0 në shtëpi nga Turqia, me një gol të shënuar në pjesën e dytë.

    Ishte Kerem Akturkoglu që shënoi për 1-0, në minutën e 53-të.

    Goli erdhi pas një depërtimi nga ana e Kenan Yildizit, nga pasimi i të cilit u krijua goli.

    Kosova pati rastet e saja gjatë tërë ndeshjes, mirëpo nuk arriti të shënojë gol.

    Fisnik Asllani dy herë e testoi portierin turk, Ugurcan Cakir, mirëpo nuk e mposhti.

    Me këtë humbje, Kosova nuk arrin të kualifikohet në Botëror, me Turqinë që do të luajë verës në këtë turne.

    Në shtator, Kosova i nis ndeshjet e Ligës së Kombeve.