ATV

Author: K.B.

  • ​Dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës

    ​Dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës

    Sot mbushen dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.

    Marrëveshja është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.

    Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës, e cila u nënshkrua më 27 tetor 2015 dhe ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja hyri në fuqi me 1 prill 20216.

    MSA sjell dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

    Sa i përket pjesës politike, Kosova merr përsipër që të zbatojë një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që vendi ynë të përmbushë kriteret e anëtarësimit.

    Nga pikëpamja ekonomike, MSA përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE-së dhe Kosovës.

    Ndër të tjera, MSA-ja ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës që do të çojë drejt përforcimit të një ekonomie funksionale të tregut, e cila do të jetë në gjendje të përballet me presionin konkurrues të tregut të BE-së.

    Qeveria e Kosovës i ka paraparë të gjitha këto veprime përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ky program është dokumenti kryesor nacional i politikave për aderim në BE dhe qëllimi parësor i programit është përmbushja e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje.

  • Rrahje mes dy burrave në Prishtina – njëri përfundon në spital, tjetri arrestohet

    Rrahje mes dy burrave në Prishtina – njëri përfundon në spital, tjetri arrestohet

    Dy burra raportohet se janë rrahur ndërmjet vete në rrugën “Enver Zymberi” në Prishtinë gjatë ditës së martë.

    Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje

    “Është raportuar se dy meshkuj janë rrahur mes vete, ku si pasojë viktima ka pësuar lëndime dhe ka marrë tretman mjekësor. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Çfarë i bën të qeshurat bebes në bark? Shkenca zbulon ndikimin që shumë nëna nuk e dinë

    Çfarë i bën të qeshurat bebes në bark? Shkenca zbulon ndikimin që shumë nëna nuk e dinë

    Humori dhe gjendja emocionale e nënës gjatë shtatzënisë ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e bebes. Të qeshurat jo vetëm e qetësojnë nënën, por krijojnë edhe një mjedis më të shëndetshëm për foshnjën

    Edhe pse mund të duket e pabesueshme, gjendja emocionale e nënës ka ndikim të drejtpërdrejtë te fëmija ende i palindur. Studimet shkencore tregojnë se bebja në bark ndien dhe reagon ndaj emocioneve të nënës, përfshirë edhe të qeshurat.

    Kur një grua shtatzënë qesh, muskujt e barkut relaksohen dhe tensionohen njëkohësisht, diafragma vibron dhe rrahjet e zemrës përshpejtohen. Trupi përjeton një valë energjie pozitive, ndërsa bebja ndien lëvizje ritmike, të ngjashme me një luhatje të lehtë.

    Sipas faqes “Family Today”, të qeshurat janë si “kërcimi në një trampolinë”, një lëvizje e sigurt dhe e këndshme që stimulon beben dhe qetëson sistemin nervor të nënës, transmeton Telegrafi.

    Dr. Kamila Hofmen, eksperte e psikologjisë prenatale, thekson se gjendja pozitive emocionale e nënës gjatë shtatzënisë kontribuon në zhvillimin e shëndetshëm të sistemit nervor të bebes. Hulumtimet e saj tregojnë se nënat që përjetojnë më shumë gëzim dhe më pak ankth lindin fëmijë me:

    ▪ nivel më të ulët stresi,
    ▪ rregullim më të mirë emocional,
    ▪ rezistencë më të madhe ndaj sfidave të jetës.

    Në anën tjetër, stresi kronik gjatë shtatzënisë mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor të fëmijës, të rrisë rrezikun për depresion në adoleshencë dhe të ndikojë në formimin e temperamentit.

    Variabiliteti i rrahjeve të zemrës (HRV) mat fleksibilitetin e zemrës në reagimin ndaj stresit. Te gratë shtatzëna nën stres, rrahjet janë më të shpejta dhe më të ngurta, ndërsa një nënë e qetë dhe e lumtur ka ritëm më fleksibil, që ndihmon përballimin më të mirë të stresit. Këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt edhe te bebja.

    Gjatë ekzaminimeve me ultrazë, studiuesit kanë vërejtur se HRV i nënës përmirësohet sapo ajo e sheh beben në ekran. Kur nëna është e qetë dhe e kënaqur, edhe bebja qetësohet.

    Vetë leximi për ndikimin e stresit gjatë shtatzënisë mund të rrisë shqetësimin te gratë. Prandaj është e rëndësishme që ato të mos fajësojnë veten për momentet e tensionit. Stresi është pjesë normale e jetës, ndërsa çelësi qëndron te reagimi i vetëdijshëm dhe përfshirja e aktiviteteve që i qetësojnë.

  • Ilaçi për diabet që përdoret prej dekadash ka një efekt të papritur edhe në tru

    Ilaçi për diabet që përdoret prej dekadash ka një efekt të papritur edhe në tru

    Studimi i ri zbulon një mekanizëm të ri që mund të ndryshojë trajtimin dhe të hapë rrugë për terapi të reja

    Metformina është prej më shumë se gjashtë dekadash një nga ilaçet më të përshkruara për trajtimin e diabetit të tipit 2. Edhe pse përdoret çdo ditë nga miliona njerëz në mbarë botën, mënyra e saktë e veprimit të saj nuk ka qenë plotësisht e qartë deri së fundmi.

    Një studim i ri i vitit 2025, i realizuar në Baylor College of Medicine në SHBA, sjell një zbulim të rëndësishëm: përveç ndikimit në mëlçi dhe metabolizëm, metformina vepron drejtpërdrejt edhe në tru.

    Deri tani besohej se metformina ul nivelin e sheqerit në gjak kryesisht duke reduktuar prodhimin e glukozës në mëlçi, si dhe duke ndikuar në funksionin e zorrëve.

    Por kërkimet e reja e vendosin trurin në qendër të kontrollit të metabolizmit.

    “Ne kemi studiuar nëse dhe si truri kontribuon në efektin antidiabetik të metforminës”, shpjegon patofiziologu Makoto Fukuda.

    Roli kyç i një zone të trurit
    Studiuesit u fokusuan në një pjesë të trurit të quajtur hipotalamusi ventromedial, një zonë e rëndësishme për rregullimin e metabolizmit.

    Aty u identifikua proteina Rap1, e cila luan rol në kontrollin e glukozës. Eksperimentet në minj treguan se metformina arrin në këtë zonë dhe “fik” këtë proteinë.

    Kur u përdorën modele pa këtë proteinë, metformina nuk pati më efekt – një dëshmi e fortë se mekanizmi i saj përfshin drejtpërdrejt trurin.

    Aktivizimi i neuroneve specifike
    Studimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e neuroneve të quajtura SF1, të cilat aktivizohen kur metformina arrin në tru.

    Ky zbulim hap rrugën për terapi më të sakta në të ardhmen, që mund të synojnë drejtpërdrejt këto mekanizma nervorë për të kontrolluar diabetin.

    Më shumë se një ilaç për sheqerin
    Metformina njihet si një ilaç efektiv dhe i përballueshëm që ndihmon trupin të përdorë më mirë insulinën dhe të ulë prodhimin e glukozës.

    Por tani bëhet e qartë se veprimi i saj është shumë më kompleks. “Ky zbulim ndryshon mënyrën si e kuptojmë metforminën, ajo nuk vepron vetëm në mëlçi dhe zorrë, por edhe në tru”, thekson Fukuda.

    Interesant është fakti se truri reagon edhe ndaj përqendrimeve shumë më të ulëta të ilaçit sesa organet e tjera.

    Ndikimi në plakje dhe jetëgjatësi
    Metformina po studiohet gjithnjë e më shumë edhe si një ilaç që mund të ngadalësojë proceset e plakjes.

    Studime të ndryshme sugjerojnë se ajo:

    – redukton dëmtimin e ADN-së,
    – aktivizon gjene të lidhura me jetëgjatësinë,
    – mund të mbrojë funksionin e trurit me kalimin e moshës.

    Madje, një studim i vitit 2025 me mbi 400 gra në postmenopauzë tregoi se ato që përdornin metforminë kishin rreth 30% më pak rrezik për të vdekur para moshës 90 vjeç, krahasuar me gratë që përdornin ilaçe të tjera për diabetin.

    Potencial i madh, por edhe kujdes
    Edhe pse konsiderohet i sigurt, metformina mund të shkaktojë efekte anësore, sidomos probleme tretëse si të përziera, diarre dhe parehati në stomak.

    Tek personat me probleme në veshka mund të shfaqen edhe komplikime më serioze, ndaj përdorimi duhet gjithmonë të bëhet nën mbikëqyrje mjekësore.

    Ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime tek njerëzit për të konfirmuar plotësisht këto gjetje.

    Megjithatë, zbulimet e reja hapin një perspektivë të re: në të ardhmen, metformina mund të ketë rol jo vetëm në trajtimin e diabetit, por edhe në mbrojtjen e trurit dhe ngadalësimin e plakjes.

  • Kjo është shenja e parë që ju duhen dritare të reja: Kostot e fshehura po rriten pa e kuptuar

    Kjo është shenja e parë që ju duhen dritare të reja: Kostot e fshehura po rriten pa e kuptuar

    Mjegullimi dhe lagështia në xhama nuk janë gjithmonë normale – ato mund të tregojnë probleme serioze me izolimin dhe shpenzime më të larta energjie

    Në pamje të parë duket e padëmshme, disa pika uji në xham, një pamje pak e mjegulluar përmes dritares apo ndjesia se “diçka nuk është si më parë”. Shumica e njerëzve këtë e lidhin me motin apo stinën. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë: pikërisht ky detaj i vogël mund të jetë sinjali i parë dhe më i rëndësishëm se është koha për të ndërruar dritaret.

    Kondensimi në dritare, apo siç quhet shpesh “djersitja e xhamit”, ndodh kur ajri i ngrohtë dhe i lagësht brenda hapësirës bie në kontakt me sipërfaqen e ftohtë të xhamit. Në atë moment, avulli i ujit shndërrohet në pika uji.

    Në disa raste kjo është normale, veçanërisht gjatë dimrit ose në ambiente me lagështi të lartë si banja dhe kuzhina. Megjithatë, ajo që pak njerëz e dinë është se vendi dhe shpeshtësia e kondensimit tregojnë gjendjen reale të dritareve tuaja.

    Sinjali i parë: mjegullimi mes xhamave
    Nëse vëreni se kondensimi nuk shfaqet vetëm nga jashtë apo nga brenda, por edhe mes shtresave të xhamit, kjo është shenjë e qartë e një problemi më serioz.

    Kjo do të thotë se vulat izoluese janë dëmtuar dhe dritarja ka humbur funksionin kryesor – termoizolimin. Në këto raste, gazi izolues ndërmjet xhamave del jashtë, ndërsa lagështia hyn brenda, duke bërë që dritarja praktikisht të mos funksionojë më siç duhet.

    Me fjalë të tjera, nuk është më vetëm problem estetik, por defekt funksional.

    Kur kondensimi bëhet alarm
    Ekspertët theksojnë disa situata kur kondensimi nuk është më normal, por sinjal për reagim:

    kur shfaqet çdo ditë dhe në sasi të mëdha
    kur qëndron gjatë në xham dhe rrjedh poshtë kornizës
    kur paraqitet mes shtresave të xhamit
    kur shoqërohet me myk rreth dritares
    Në këto raste, problemi shpesh nuk lidhet vetëm me ajrosjen, por me izolimin e dobët ose me dritare të vjetruara.

    Kosto e fshehur që nuk e vini re
    Dritaret e amortizuara nuk ndikojnë vetëm në pamjen e shtëpisë. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në konsumimin e energjisë. Kur izolimi dobësohet, ajri i ngrohtë del jashtë dhe ai i ftohtë hyn brenda, duke bërë që sistemi i ngrohjes të punojë më shumë se sa duhet.

    Rezultati? Fatura më të larta, rehati më e ulët dhe në plan afatgjatë, shpenzime më të mëdha.

    Pse shumica reagojnë vonë
    Arsyeja është e thjeshtë: kondensimi shpesh keqinterpretohet.

    Shumë njerëz mendojnë se bëhet fjalë për një fenomen të përkohshëm apo “normal në dimër”. Edhe pse në disa raste kjo është e vërtetë, kondensimi i shpeshtë dhe i pazakontë pothuajse gjithmonë tregon një problem më të thellë me dritaret.

    Nëse dritaret tuaja mjegullohen gjithnjë e më shpesh, sidomos nga brenda apo mes xhamave – mos e injoroni.

    Sepse pikërisht ky sinjal “i padëmshëm” mund të jetë treguesi i parë se dritaret nuk po e mbrojnë më shtëpinë tuaj siç duhet. Dhe kur një dritare humb funksionin e saj, nuk është më çështje estetike, por cilësie jetese në hapësirën ku jetoni.

  • Përzgjedhësi i Turqisë: Kosova na vuri në telashe, ata kanë një ekip mjaft cilësor

    Përzgjedhësi i Turqisë: Kosova na vuri në telashe, ata kanë një ekip mjaft cilësor

    Përzgjedhësi i kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka folur me tone respekti për kombëtaren e Kosovës pas finales së playoff-it për Kupën e Botës, duke vlerësuar lart paraqitjen e “Dardanëve”.

    Pas një fitoreje të ngushtë të Turqisë në një ndeshje tejet të luftuar, trajneri italian pranoi se skuadra e tij u përball me shumë vështirësi përballë Kosovës, e cila sipas tij tregoi cilësi dhe organizim të lartë në fushë.

    “Kosova na vuri në shumë telashe. Ne ishim të përgatitur për këtë sepse Kosova ka një ekip shumë cilësor, por është për të ardhur keq që vetëm një ekip mund të kualifikohet për Kupën e Botës”, u shpreh Montella pas ndeshjes.

    Ai theksoi se përballja ishte një provë e vërtetë për Turqinë, duke shtuar se Kosova dëshmoi se është një skuadër në ngritje dhe me potencial për të ardhmen.

    Sipas Montellës, niveli i lojës së treguar nga Kosova konfirmon se ajo mund të rivalizojë çdo ekip në skenën ndërkombëtare.

    Megjithatë, në fund ishte Turqia ajo që siguroi kualifikimin, duke lënë Kosovën jashtë një ëndrre historike.

    Pavarësisht eliminimit, paraqitja e ekipit kosovar mori vlerësime të shumta, jo vetëm nga tifozët, por edhe nga kundërshtarët.

  • “Rezultati nuk e zbeh krenarinë për ta”, reagimi i Dafina Zeqirit pas humbjes së Kosovës ndaj Turqisë

    “Rezultati nuk e zbeh krenarinë për ta”, reagimi i Dafina Zeqirit pas humbjes së Kosovës ndaj Turqisë

    Kombëtarja e Kosovës pësoi një humbje 1-0 në shtëpi nga Turqia në finalen e playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës.

    Ata humbën kështu një mundësi historike për të siguruar pjesëmarrjen në turneun më të madh futbollistik.

    “Dardanët” zhvilluan një ndeshje dinjitoze, duke dominuar në pjesë të mëdha dhe me një organizim të mirë në fushë.

    Reagimet pas përfundimit të kësaj ndeshjeje nuk munguan nga figura të famshme në rrjete sociale.

    Këngëtarja Dafina Zeqiri shprehu mbështetjen e saj për Kombëtaren pas ndeshjes që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    “Rezultati nuk e ul krenarinë. Djem, lojë e mrekullueshme”, ka shkruar artistja.

    Mesazhi i saj nënvizon respektin dhe krenarinë për paraqitjen e ekipit, pavarësisht humbjes.

  • Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Shqipëria, faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

    Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Shqipëria, faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

    Presidenti i Shqiperisë, Bajram Begaj, përkujtoi sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e saj në aleancën Euroatlantike.

    Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.

    Në këtë kontekst, Presidenti Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.

    Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.

    “Sot, 17 vjet Shqipëria në NATO, një moment historik për sigurinë, sovranitetin dhe orientimin tonë Euroatlantik.

    Si aleancë e vlerave demokratike, NATO është garant i paqes, sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapesiren Euroatlantike. Shqipëria është një aleate e denjë, kontribuese aktive në misionet dhe operacionet e saj.

    Krenarë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave tona të Armatosura!
    Mbetemi të bashkuar për paqen, stabilitetin dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë”, shkruhet në postimin e Begajt.

  • Japonia vendos raketat e saj më të fundit kundër anijeve, Tokio krijon perimetër mbrojtës prej 1,000 km

    Japonia vendos raketat e saj më të fundit kundër anijeve, Tokio krijon perimetër mbrojtës prej 1,000 km

    Zyrtarët thanë të martën se raketa e parë me rreze të gjatë veprimi e Japonisë u vendos në një kamp ushtarak jugperëndimor, ndërsa vendi përpiqet të forcojë aftësitë e saj ofensive.

    Raketat e përmirësuara tokë-anije Tipi-12, të zhvilluara dhe të prodhuara nga Mitsubishi Heavy Industries e Japonisë, u bënë funksionale në kampin Kengun në prefekturën Kumamoto.

    “Ndërsa Japonia përballet me mjedisin më të rëndë dhe kompleks të sigurisë në epokën e pasluftës, është një aftësi jashtëzakonisht e rëndësishme për të forcuar frenimin dhe reagimin e Japonisë”, u tha gazetarëve Ministri i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi.

    “Kjo tregon vendosmërinë dhe aftësinë e fortë të Japonisë për të mbrojtur veten”, shtoi ai.

    Raketa e përmirësuar Tipi-12 ka një rreze veprimi prej rreth 1,000 kilometrash, një zgjatim i konsiderueshëm nga rreze veprimi prej 200 kilometrash e raketës origjinale që do t’i lejonte asaj të arrinte Kinën kontinentale.

    Vendosja e raketës me rreze të gjatë veprimi i jep Japonisë një aftësi “qëndrimi”, që do të thotë se mund të godasë bazat e raketave armike nga larg, duke shënuar një ndërprerje nga politika vetëmbrojtëse që vendi ndoqi prej kohësh nën kushtetutën e saj pacifiste.

    Banorët që kundërshtojnë vendosjen pranë zonës së banimit organizuan protesta jashtë kampit Kengun, duke thënë se kjo do të përshkallëzonte tensionin dhe do të rriste rreziqet që zona të mund të vihej në shënjestër nga armiq të mundshëm.

    Gjithashtu të martën, një automjet hipersonik rrëshqitës, një sistem i ri armësh i projektuar për mbrojtjen e ishullit, u vendos në kampin Fuji në prefekturën Shizuoka, në perëndim të Tokios.

    Vendosja shtesë e raketave dhe HGV-ve të përmirësuara të Tipit 12 në vende të tjera në Japoni, duke përfshirë Hokkaidon në veri dhe Miyazaki në jug, është planifikuar deri në mars 2028.

    Japonia gjithashtu planifikon të vendosë raketa Tomahawk të prodhuara në SHBA, me rreze veprimi 1,600 kilometra në shkatërruesin japonez JS Chokai më vonë këtë vit dhe përfundimisht në shtatë shkatërrues të tjerë.

    Japonia e konsideron Kinën kërcënimin e saj kryesor për sigurinë rajonale dhe ka fortifikuar ishujt jugperëndimorë të vendit pranë Detit të Kinës Lindore vitet e fundit.

    Kabineti i kryeministres Sanae Takaichi në dhjetor miratoi një plan rekord buxhetor për mbrojtjen që tejkalon 9 trilionë jen (58 miliardë dollarë) për vitin fiskal, që fillon në prill dhe synon të forcojë aftësinë e saj kundërsulmuese dhe mbrojtjen bregdetare me raketa dhe arsenale pa pilot.

    Qershorin e kaluar, Japonia vuri re dy transportues avionësh kinezë që operonin pothuajse njëkohësisht pranë ishujve të largët japonezë në Paqësor për herë të parë, duke shkaktuar shqetësimin e Tokios në lidhje me aktivitetin ushtarak të Pekinit që shtrihej shumë përtej kufijve të saj.

    Ministri i mbrojtjes javën e kaluar njoftoi krijimin e një zyre të re të dedikuar për studimin e aktivitetit të Kinës në Paqësor.

    Tensionet janë përshkallëzuar më tej që nga deklarata e Takaichi në nëntor se çdo veprim ushtarak kinez kundër Tajvanit mund të jetë bazë për një përgjigje ushtarake japoneze.

  • Britania dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme

    Britania dërgon trupa shtesë në Lindjen e Mesme

    Mbretëria e Bashkuara ka vendosur të dërgojë trupa dhe pajisje shtesë ushtarake në lindjen e mesme, në mbështetje të aleatëve dhe për forcimin e mbrojtjes ajrore në rajon.

    Sipas raportimit të BBC, ky vendim vjen në një kohë të përshkallëzimit të tensioneve me Iranin dhe rritjes së rrezikut për sigurinë në rajon.

    Ministri britanik i Mbrojtjes ka bërë të ditur se forcat e reja do të ndihmojnë në instalimin dhe operimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, si dhe në trajnimin e trupave lokale.

    Ky zhvillim konsiderohet pjesë e një përforcimi më të gjerë të pranisë ushtarake perëndimore në Lindjen e Mesme, ndërkohë që tensionet mbeten të larta dhe shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm vazhdojnë.

    Mediat angleze bëjnë të ditur se rreth 1,000 trupa pritet të dislokohen në vende të ndryshme të Gjirit, me qëllim mbështetjen e operacioneve mbrojtëse dhe garantimin e sigurisë së hapësirës ajrore.