ATV

Author: K.B.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ZRRE dhe Vetëvendosje nuk ishin prezent

    Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ZRRE dhe Vetëvendosje nuk ishin prezent

    Komisioni për Ekonomi nuk ka mbajtur mbledhjen e paralajmëruar për sot në të cilën është parapararë të raportojë Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja.

    Kjo pasi që as përfaqësues të ZRRE-së, e po ashtu as anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishin prezentë.

  • Policia po heton vdekjen e një gruaje në Fushë Kosovë

    Policia po heton vdekjen e një gruaje në Fushë Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton vdekjen e një gruaje në Fushë Kosovë.

    Siç thuhet në raportin 24-orësh, lidhur me rastin mjeku i emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës pasditen e djeshme.

    “Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • 19 vjet nga shqyrtimi i planit të Ahtisarit në OKB

    19 vjet nga shqyrtimi i planit të Ahtisarit në OKB

    Para 19 vitesh filloi shqyrtimi i planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pas dyerve të mbyllura më 3 prill 2007, ishte dëgjuar i dërguari special për Kosovën, Marti Ahtisari duke shpalosur planin që pritet t’i jap Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur.

    Ishte planifikuar që edhe Fatmir Sejdiu të merrte fjalën por pas protestave të Serbisë dhe Rusisë u vendos që ai të mos flas dhe fjalimin e tij ta lexoj PSSP-ja Joachim Ruecker.

    Kryeministri nacionalist i Serbisë, Vosjlav Kostunica, kundërshtoi planin dhe kërkoi negociata dhe kryenegociatorë të ri. Shtete perëndimore si SHBA, Britania e Madhe, Franca po përkrahin planin e Ahtisaarit. Sipas Ahtissarit dhe ekipit të tij synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës është të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështeteshe dhe e stabilizuar. Ai përfshin masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive the anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare. Për më tepër, Marrëveshja përshkruan masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synojnë të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar. Një element i rëndësishëm i Marrëveshjes është manadati që i jepet një prezence ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikqyrur zbatimin e Marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente Kosovare në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Kosovën. Dispozitat e Marrëveshjes do të kenë përparësi mbi të gjitha dispozitat e tjera ligjore në Kosovë.

    Pjesët kryesore të marrëveshjes:

    Kosova do të jetë një shoqëri shumë-etnike, që e qeveris veten në mënyrë demokratike dhe me respekt të plotë për rendin ligjor, nivelin më të lartë të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të pranuara nga bota ndërkombëtare, dhe që nxit ekzistencën paqësore dhe të lulëzuar të gjithë banorëve të saj.

    Kosova do të ketë të drejtë të diskutojë dhe të miratojë marrëveshje ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar anëtarësi në organizata ndërkombëtare.

    Mbrojtja dhe përkrahja e të drejtave të anëtarëve të bashkësive është një element qendror i Marrëveshjes. Marrëveshja përcakton aspektet kyçe që do të mbrohen, duke përfshirë kulturën, gjuhën, edukimin dhe simbolet. Ajo gjithashtu përshkruan mekanizma specifike të përfaqësimit të anëtarëve të bashkësive jo-Shqiptare të Kosovës në institucionet publike kryesore për të ruajtur dhe përkrahur pjesëmarrjen e tyre efektive dhe aktive në jetën publike. Për të mbrojtur të drejtat e bashkësive Kosovare jo-Shqiptare në procesin legjislativ, Marrëveshja gjithashtu lejon që disa ligje të caktuara mund të hyjnë në fuqi vetëm nëse një shumicë e anëtarëve Kosovarë jo-Shqiptare të Asamblesë Kosovare janë dakord me miratimin e tyre.

    Elementet e Marrëveshjes për mbrojtjen dhe nxitjen e trashëgimisë fetare e kulturore do të sigurojnë ekzistenceën a papenguar e të patrazuar të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Kosovë. Më shumë se dyzet vende kyçe fetare e kulturore do të rrethohen nga Zona Mbrojtëse për të parandaluar zhvillime apo ndërtime të dëmshme tregtare dhe industriale, dhe për të ruajtur dinjitetin kulturor të këtyre vendeve. Marrëveshja gjithashtu garanton sigurinë fizike të përforcuar për vende të zgjedhura dhe te rrezikuara nga çfarëdo incidenti/sulmi ne pronën e KOS-it ne Kosove. KOS the organizata e saj e brendshme do të njihen haptazi nga autoritetet Kosovare dhe do t’i njihet e drejta a paprekshmërisë së pronës, liria nga taksimi dhe privilegje doganore, sikurse te cdo organizatës fetare ne bote.

    Të gjithë refugjatët dhe personat e shpërngulur brenda Kosovës do të kenë të drejtë të kthehen dhe të marrin sërish pasuritë dhe pronat e tyre personale. Marrëveshja gjithashtu u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë plotësisht me Komisionin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur.

    Një Forcë Kosovare Sigurimi (FKS) e re dhe shume-etnike to të krijohet brenda një viti. Do të ketë një maksimum prej 2,500 anëtarësh aktivë dhe 800 rezervistë. Marrëveshja kërkon që Korpusi i Mbrojtjes së Kosovës (KMK) që ekziston sot do të shpërndahet brenda një viti.

    Duke pranuar faktin që përmbushja e përgjegjësive të Kosovës sipas Marrëveshjes kërkon një diapazon të gjerë aktivitetesh komplekse dhe të vështira, Marrëveshja përcakton një prani ndërkombëtare në të ardhmen për të mbikqyrur dhe përkrahur përpjekjet e duhura të autoriteteve Kosovare. Kjo prani përfshin tre komponentë kryesorë:

    Një Përfaqësues Ndërkombëtar Civil (PNC), gjithashtu i njohur si Përfaqësuesi i Posaçëm i BE, do të emërohet nga një Grup Drejtues Ndërkombëtar (GDN), i cili përfshin aktorët kryesore ndërkombëtare. PCN do të ketë autoritetin më të lartë mbikqyrës mbi zbatimin e Marrëveshjes. Për dallim nga PSSP-ja, ky përfaqësues do te ketë autoritetin të i zëvendësoj te gjithë ata përfaqësues institucional te cilit, sipas komunitetit ndërkombëtar, vepron kundër pakos se Ahtisarit dhe implementimit te legjislacionit qe del nga ky.

    Sapo Marrëveshja të hyjë në fuqi, do të ketë një periudhë tranzicioni prej 120 ditësh, gjatë së cilës mandati eksistues i UNMIK-ut do të mbesë i pandryshuar. Megjithatë, për të siguruar mbikëqyrjen e menjëhershme të zbatimit të Marrëveshjes nga Kosova, PNC do të ketë autoritet për të monitoruar këtë zbatim dhe për të bërë rekomandime tek UNMIK për veprime që duhen marrë për të siguruar respektimin e Marrëveshjes.

    Gjatë periudhës së tranzicionit, Asambleja Kosovare, në konsultime me PNC, do të ketë përgjegjësinë të aprovojë një Kushtetutë dhe legjislacionin e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes. Kushtetuta dhe legjislacioni i ri do të hyjnë në fuqi menjëherë pas përfundimit të periudhës së tranzicionit.

    Brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes, zgjedhje të përgjithshme dhe lokale duhet të mbahen.

  • Paralajmëron Ibrahimi: Komunat drejt falimentimit, vetëm për tre muaj iu morën 31.6 milionë euro

    Paralajmëron Ibrahimi: Komunat drejt falimentimit, vetëm për tre muaj iu morën 31.6 milionë euro

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se vetëm gjatë muajit janar 2026, komunave të Kosovës u janë marrë mbi 31.6 milionë euro nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, një goditje që ,sipas tij, e drejtpërdrejtë ndaj financave lokale dhe funksionimit normal të pushtetit lokal.

    “Kjo nuk është më çështje teknike por është krizë financiare e shkaktuar nga mungesa e veprimit të Qeverisë. Shifrat janë alarmante dhe tregojnë qartë përmasat e këtij kolapsi. Prizreni mbi 12.3 milionë euro, Ferizaj mbi 7.3 milionë euro, Rahoveci mbi 2.8 milionë euro, Vushtrria mbi 2 milionë euro edhe komuna si Prishtina, Deçani, Vitia, Gjakova po goditen rëndë”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.

    Pra, rrjedhimisht, siç thotë ai, dy komunat e para përbëjnë mbi 60% të totalit, që thotë ai, një tregues i qartë i një sistemi të pabalancuar dhe të padrejtë.

    “Ky trend nuk është i rastësishëm por është rezultat i drejtpërdrejtë ikontratave kolektive të nënshkruara pa mbulim financiar,vendimeve qendrore pa analizë të ndikimit në komuna, dhe mungesës totale të ndërhyrjes nga Qeveria për të ndalur këtë hemorragji financiare”, deklaroi ai.

    Nëse kjo vazhdon, sipas Ibrahimit, investimet kapitale do të ndalen, shërbimet bazike do të rrezikohen, subvencionet për qytetarët do të zhduken, dhe komunat do të hyjnë në një kolaps të plotë financiar.

    “Komunat nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e vendimeve të marra në nivel qendror. Kjo është e papranueshme. Në emër të komunave të Kosovës, kërkojmë: ndërhyrje urgjente të Qeverisë, zgjidhje të menjëhershme për mbulimin e obligimeve nga niveli qendror, dhe ndaljen e kësaj praktike që po e shkatërron financiarisht pushtetin local”, tha Ibrahimi.

  • Ekstradohet nga Franca për në Kosovë, i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

    Ekstradohet nga Franca për në Kosovë, i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datë 02.04.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Franca për në Kosovë.

    I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL it me letër rreshtim ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre Franceze.

    I dyshuari pas ekstradimit, i është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Pejës për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

    Policia e Kosovës do të vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

  • Sukses i jashtëzakonshëm: Togerja e FSK-së nderohet me medalje prestigjioze në SHBA

    Sukses i jashtëzakonshëm: Togerja e FSK-së nderohet me medalje prestigjioze në SHBA

    Togerja e FSK-së, Ermona Meshi është diplomuar me sukses në Adjutant General School të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, duke u vlerësuar me medaljen prestigjioze “United States Diplomatic Medal” si studente ndërkombëtare e dalluar.

    Ky sukses merr një vlerë të veçantë, pasi Ermona është mbesa e dëshmorëve Afrim dhe Bashkim Meshi, dy vëllezër që ranë heroikisht për lirinë e atdheut.

  • 75 milionë për publikun, zero për privatët: Paga e 13-të ngjall reagime të shumta në Kosovë

    75 milionë për publikun, zero për privatët: Paga e 13-të ngjall reagime të shumta në Kosovë

    Qeveria e Kosovës ka vendosur ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik, një masë që prek rreth 85 mijë të punësuar dhe kap vlerën e afërsisht 75 milionë eurove. Ky vendim po konsiderohet diskriminues nga përfaqësues të sektorit privat.

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues të sektorit privat, sindikata dhe ekspertë ekonomikë, të cilët e konsiderojnë këtë masë të njëanshme dhe përjashtuese për pjesën tjetër të ekonomisë.

    Qeveria ka vendosur që rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik të përfitojnë nga paga e 13-të, një vendim që i kushton buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro. Kjo ndërhyrje, përveç kostos së lartë financiare, po shihet si diskriminuese ndaj punëtorëve të sektorit privat, të cilët thonë se po lihen jashtë mbështetjes në një kohë të vështirë ekonomike.

    Reagime të forta kanë ardhur edhe nga përfaqësuesit e punëtorëve të sektorit privat. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka ngritur shqetësimin për trajtimin e pabarabartë.

    “Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”.

    Pakënaqësi ka shprehur edhe Sindikata e Re e KEK-ut, e cila ka reaguar për përjashtimin e punëtorëve të kësaj korporate dhe disa ndërmarrjeve të tjera nga ky vendim.

    “Edhe ne jemi Kosovë! Ne jemi ata që çdo ditë punojmë pa u ndalur, në kushte të rënda, mes rrezikut dhe sakrificës, për të mbajtur dritën ndezur në çdo shtëpi të këtij vendi. Ne nuk jemi thjesht punëtorë – ne jemi shtylla që e mban Kosovën funksionale. Ne kemi familje. Kemi fëmijë në shkolla. Kemi prindër të sëmurë. Kemi halle dhe sfida si çdo qytetar tjetër. Por, pavarësisht gjithçkaje, ne nuk ndalemi kurrë. Punëtorët e KEK-ut janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit, duke gjeneruar miliona euro çdo vit.”, thuhet në reagimin e tyre.

    Nga ana tjetër, Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe përçarës për shoqërinë. Sipas këtij organizimi, përfitimi selektiv cenon parimet e barazisë dhe konkurrencës së ndershme.

    AKB ka theksuar se sektori privat është bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik dhe kontribuuesi më i madh në buxhetin e shtetit, ndërsa po injorohet nga politikat mbështetëse. Sipas tyre, paga e 13-të për sektorin publik nuk përfaqëson meritë, por një shpërblim selektiv dhe politik.

    Aleanca ka kërkuar nga Qeveria që të ndryshojë qasje, duke përfshirë në mbështetje edhe sektorin privat dhe kategoritë sociale, në të kundërtën duke paralajmëruar pasoja në klimën e biznesit dhe besimin ndaj institucioneve.

    Edhe eksperti ekonomik Safet Gërxhaliu e ka cilësuar situatën si të rënduar në disa dimensione, duke theksuar se vendi po përballet me sfida ekonomike, sociale dhe politike njëkohësisht.

    “Qytetarët e Kosovës në tërësi kanë nevojë për mbështetje, sidomos në kohë krize dhe inflacioni. Nuk duhet të ketë ndarje të pjesshme apo segmentim të mbështetjes. Pagesa e 13-të vetëm për administratën dhe anashkalimi i sektorit privat nuk përfaqëson drejtësi sociale”.

    Ai ka shtuar se sektori publik financohet drejtpërdrejt nga kontributet e sektorit privat, dhe përjashtimi i këtij të fundit nga mbështetja krijon pabarazi të theksuar.

    Reagim ka pasur edhe nga kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skender Krasniqi, i cili ka rikujtuar rolin kyç të sektorit privat në sigurimin e të hyrave buxhetore.

    “Sektori privat është shtylla kryesore e sigurimit të buxhetit të shtetit dhe shumica e të hyrave vijnë nga ky sektor. Ne e përshëndesim vendimin e Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, por mendojmë se Qeveria do të duhej t’i përkrahë edhe bizneset, në mënyrë që edhe ato të kenë mundësi të njëjta”.

    Kurse, Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ka theksuar se një qasje më e drejtë do të ishte përfshirja e të gjithë punonjësve me paga më të ulëta, pa dallim sektori. Sipas tij, të dhënat tregojnë një hendek të dukshëm mes sektorëve.

    “Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike tek ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë qeveria veçse ka vendosur të zbatoj një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshi punonjës të sektorit privat dhe atij publik”.

    Ndërkohë, përfaqësues të sektorit privat kanë paralajmëruar edhe veprime konkrete, përfshirë mbajtjen e një konference të enjten para objektit të Qeverisë së Kosovës.

    Kritika ndaj këtij vendimi ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili e ka cilësuar si diskriminues përjashtimin e disa kategorive nga përfitimi.

    “Një padrejtësi tjetër qëndron në faktin se ata që kanë punuar vitin e kaluar në sektorin publik, por nuk vazhdojnë të punojnë më, janë të përjashtuar nga kjo pagë, ndonëse ajo jepet për punën e bërë gjatë vitit të kaluar. A mendoni se kjo është një politikë diskriminuese ndaj sektorit privat dhe atyre që nuk punojnë më?”.

    Nga ana e Qeverisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar mënyrën e zbatimit të kësaj mase, duke theksuar se pagesa do të jetë proporcionale për ata që nuk kanë punuar gjatë gjithë vitit.

    “Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë”.

    Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria është në përgatitje të një pakete kundër inflacionit, e cila pritet të përfshijë edhe masa mbështetëse për sektorin privat.

    Paga e 13-të për sektorin publik ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe tashmë është përfshirë në buxhetin e vitit 2026. /Monitor

  • Pakënaqësi për pagën e 13-të, punonjësit e ndërmarrjeve publike paralajmërojnë protesta e greva

    Pakënaqësi për pagën e 13-të, punonjësit e ndërmarrjeve publike paralajmërojnë protesta e greva

    Protesta e greva kanë paralajmëruar punonjës të ndërmarrjeve publike që nuk kanë përfituar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik.

    Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka thënë të enjten se vendimin e konsiderojnë standard të dyfishtë.

    “Jemi mbi 4000 punëtorë të KEK-ut që Qeveria nuk i ka ndarë pagat e 13-ta edhe pse jemi tatimpaguesit më të mëdhenj në Kosovë”.

    “Konsideroj se këta ose janë shumë të padijshëm ose shumë diskriminues sepse është standard i dyfishtë për punëtorët e KEK-ut dhe punëtorët tjerë të ndërmarrjeve publike…. Tani ne nëse për një beneficion jemi sektor publik, e për një tjetër nuk jemi, është joreale nga Qeveria e Kosovës. Tek e fundit kemi menaxhmentin, kemi bordin që do të vendosë në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike sepse jemi kompani fitimprurëse dhe vetëfinancuese për pagat tona, por ky standardi i dyfishtë na ka penguar shumë dhe në rast se vazhdojnë kështu që të mos na dëgjojnë për kërkesat tona, për përfitimin e pagës së 13-të edhe për ndërmarrjet publike, atëherë ne duhet të organizohemi me një protestë madhështore, por pse jo edhe grevë në rast se nuk realizohen këto kërkesa”, ka thënë ai.

    Llumnica ka thënë se i janë drejtuar me letër edhe Avokatit të Popullit e edhe Ministrisë së Financave, por s’kanë marrë përgjigje.

    Ankesë të ngjashme ka pasur edhe Ibrahim Jonuzi, kryesindikalist i “Trepçës”. Ai ka thënë se luksin e kanë marrë politikanët dhe janë anashkaluar profesionet e tjera.

    “Kjo ka qenë një goditje shumë e madhe te minatorët, të cilët vazhdimisht kanë pyetur cilat kanë qenë arsyet pse nuk janë ndarë. Kemi pritur që të mos të ndahemi as ne, pasi që Qeveria është aksionari kryesor në ndërmarrjen ‘Trepça’”, ka thënë ai në “Interaktiv” të enjten.

    KOHA ka raportuar të enjten se pagën e 13-të e kanë përfituar edhe deputetët e legjislaturës së kaluar, që u ka përfunduar mandati para vitit të ri, e që marrin shtesë transitore. Për ta nuk është respektuar vendimi i Qeverisë, në të cilin si një prej kritereve është vënë edhe domosdoshmëria që punonjësit publikë për të përfituar pagën e 13-të duhet të jenë në listë të pagave për muajin mars, gjë që ish-deputetët nuk janë. E ky kriter është respektuar për shumë qytetarë, që kanë punuar gjatë vitit 2025, por kanë dalë në pension në fillim të vitit. Ata nuk kanë marrë pagë të 13-të.

    “Paga e trembëdhjetë (13) e plotë u takon të gjithë të punësuarve me pagë primare, sipas listës së pagave të muajit mars 2026, të cilët janë të punësuar me orar të plotë dhe që kanë qenë të punësuar gjatë tërë dymbëdhjetë (12) muajve të fundit në një organizatë buxhetore”, thuhet në pikën 3 të vendimit të Qeverisë për këtë çështje.

    Në fillim të javës në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë në përgatitje të një pakoje kundër inflacionit, që do t’iu vihet në ndihmë edhe punëtorëve të sektorit privat.

    Vendimi i Qeverisë për ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik do t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro.

    Vendimi i Qeverisë për këtë masë është kritikuar edhe nga shoqëria civile dhe sindikatat. Në Institutin GAP kanë thënë se Qeveria duhej t’u jepte mbështetje pa përjashtim atyre që kanë paga më të ulëta.

    Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ditë më parë ka thënë se një ndërhyrje më adekuate do të ishte zbatimi i një mase të tillë për të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Sipas tij, studimet e fundit në Kosovë tregojnë se punëtorët në sektorin publik paguhen rreth 31 për qind më shumë për orë pune sesa ata të sektorit privat.

    “Në vijimësi ka pasur kritika që administrata publike te ne është e mbingarkuar me numër të punonjësve, problem i cili nuk është trajtuar fare as nga Qeveria Kurti. Andaj, edhe problemi me inflacion muajve të fundit, del se i ndikon shumë më shumë punonjësit e sektorit privat. Një ndërhyrje shumë më adekuate sesa kjo, meqë Qeveria veçse ka vendosur të zbatojë një masë të tillë, do të ishte që të ndihmoheshin të gjithë punonjësit në ekonomi me paga më të ulëta. Përfshirë punonjës të sektorit privat dhe atij publik”, ka thënë Hasaj më 30 mars.

    E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, pati thënë se në këtë vendim duhet të përfshihen edhe punëtorët e sektorit privat, si mbushës të arkës së shtetit.

    “Ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”, ka thënë Azemi më 30 mars.

    Kritika ndaj Qeverisë kanë bërë edhe parti e deputetë të opozitës, duke e quajtur vendimin për ndarje të pagës së 13-të vetëm për sektorin publik, diskriminues. /Koha

  • Spahiu: Kurti është duke e ‘luajtur lojën’ e minutës së fundit për çështjen e presidentit

    Spahiu: Kurti është duke e ‘luajtur lojën’ e minutës së fundit për çështjen e presidentit

    Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po rrjedh, asnjë iniciativë nga Kurti për konsensus politik.

    Kanë kaluar më shumë se një javë nga vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila u ka dhënë deputetëve 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

    Sipas këtij vendimi, nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton IndeksOnline.

    Pavarësisht presionit të afatit kushtetues, kryetari i Lëvizja Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka ndërmarrë ende hapa konkretë për të zhvilluar takime me liderët e partive opozitare në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për emrin e presidentit.

    Në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, janë shprehur të gatshme për dialog dhe për gjetjen e një kandidati konsensual.

    Megjithatë, sipas tyre, deri më tani ka munguar një ftesë zyrtare nga partia në pushtet për të nisur këto diskutime.

    Profesori i Universitetit të Prishtinës, Nexhmedin Spahiu vlerëson se Albin Kurti po e pret minutën e fundit për të lëvizur në rastin e presidentit.

    Sipas tij, në këtë mënyrë Kurti po synon të përfitojë nga presioni i minutës së fundit.

    “Kurti është duke e luajtur lojën e minutës së fundit, pra janë lëvizje politike dhe ai po e bën atë’, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.

    Ndërkohë, mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, pritet të përfundojë brenda dy ditësh.. Nëse deri më 4 prill nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi rrezikon të hyjë në një fazë tranzitore, ku detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit do ta marrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    Nga afati prej 34 ditësh tashmë kanë mbetur edhe 25 ditë, duke e rritur presionin mbi spektrin politik për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.

    Zgjedhja e presidentit kërkon votat e të paktën dy të tretave të deputetëve në raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash, një proces që e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërpartiak.

    Nëse nuk arrihet konsensus brenda afatit kushtetues, atëherë sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Kush do të jetë shkaktari i konflikteve të reja, sipas Erdoganit?

    Kush do të jetë shkaktari i konflikteve të reja, sipas Erdoganit?

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se uji mund të bëhet shkak i konflikteve globale, ashtu siç ka qenë nafta në të kaluarën. Në këtë kontekst, ai ka rikujtuar rëndësinë e menaxhimit të kujdesshëm të burimeve ujore në Turqi.

    Sipas tij, në një shekull ku konkurrenca për pushtet po intensifikohet në të gjitha fushat, burimi më strategjik dhe më i vlefshëm në prodhim dhe energji është pikërisht uji. Këtë e theksoi gjatë inaugurimit të 563 objekteve të ndërtuara nga Drejtoria Shtetërore për Burimet Ujore të Turqisë (DSI).

    “Lufta që në shekullin e kaluar zhvillohej për naftën dhe lëndët e tjera djegëse fosile, në të ardhmen do të zhvillohet për ujin. Duke parë konfliktet e nxehta përreth nesh, këto shenja tashmë janë të dukshme”, u shpreh Erdogan, raporton gazeta Hurriyet.

    Ai rikujtoi se uji po rrezikohet si pasojë e ndryshimeve klimatike, rritjes së popullsisë, urbanizimit të shpejtë dhe industrializimit. Sipas tij, mesatarja vjetore globale e reshjeve arrin në 990 milimetra (990 litra për metër katror), ndërsa në Turqi kjo mesatare është 574 milimetra (574 litra për metër katror).

    “Kjo tregon se jemi të detyruar të mbrojmë, të përdorim në mënyrë racionale dhe të menaxhojmë ujin tonë para se të arrijmë në pikën e shterimit”, theksoi ai.

    Erdogan u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të kenë një qasje të përgjegjshme ndaj ujit.

    Lideri turk theksoi gjithashtu se kërkesa globale për ujë të pastër është në rritje, ndërsa burimet po pakësohen për shkak të konsumit të tepruar dhe ndotjes.

    “Aktualisht, 2.2 miliardë njerëz në botë nuk kanë qasje të sigurt në ujë të pijshëm. Sipas Raportit Botëror për Ujin, vlerësohet se deri në vitin 2050, gjashtë miliardë njerëz nuk do të kenë qasje në sasi të mjaftueshme të ujit të pastër. Për më tepër, kriza klimatike po kërcënon pikërisht ujin – burimin tonë të jetës”, tha Erdogan.

    Në fund, ai theksoi se Turqia përballet me disa nga kërcënimet më të mëdha të ndryshimeve klimatike, përfshirë zjarret pyjore dhe përmbytjet.