ATV

Author: K.B.

  • Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

    Miratohet projektligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës të mbajtur sot (e premte), 3 prill 2026, ka miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Miratimi i projektligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” shënon një hap të rëndësishëm për Kosovën në drejtim të zhvillimit sportiv dhe afirmimit ndërkombëtar. Institucionet e vendit e kanë cilësuar këtë nismë si një projekt me rëndësi të veçantë publike dhe kombëtare, që pritet të ndikojë në ekonomi, infrastrukturë dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rëndësinë e këtij projektligji, duke theksuar bazën e tij dhe standardet që synon të garantojë.

    “Ky projektligj i bazuar në marrëveshjen e arritur për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Republikën e Kosovës “Prishtina” 2030 është projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar. Ai garanton që organizimi i kësaj ngjarje madhore të bëhet me përgjegjësi të plotë institucionale me standarde të larta transparence integriteti dhe menaxhimi efikas të fondeve publike. Përmes këtij investimi strategjik ne jo vetëm që forcojmë infrastrukturën sportive dhe zhvillimin ekonomik por e vendosim Kosovën në hartën ndërkombëtare si vend që organizon ngjarje të mëdha me dinjitet dhe profesionalizëm. Ky është një investim në rinin tonë në sportin tonë dhe në imazhin ndërkombëtar të shtetit. Kjo është një dëshmi e besimit në potencialin tonë dhe vizionit për një Kosovë që konkurron dhe përfaqësohet denjësisht në skenën ndërkombëtare”, tha Kurti.

    Nga ana tjetër, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka dhënë detaje mbi aspektin financiar dhe organizativ të projektit, duke sqaruar burimet dhe strukturën e financimit.

    “Përmes këtij ligji qeveria do të miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare në shumën prej të paktën 253 milionë euro. Ky projekt ligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komunitetit Olimpik të Kosovës të komunës së Prishtinës si dhe komunave të tjera të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të lejohen mekanizma adekuat për organizimin e ngjarjeve sportive duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, tha Gashani.

    Projektligji i miratuar përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe komunat përkatëse, duke krijuar një kornizë të plotë ligjore për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore. Pas votimit në Kuvend, hapet rruga për nisjen e përgatitjeve konkrete për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat synojnë ta vendosin Kosovën në mesin e organizatorëve të rëndësishëm të ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

  • “Bllokada” për Presidentin, Kusari-Lila ia ngarkon opozitës: Po e ngushtojnë hapësirën për konsensus

    “Bllokada” për Presidentin, Kusari-Lila ia ngarkon opozitës: Po e ngushtojnë hapësirën për konsensus

    Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, në konferencën e sotme pas mbledhjes së Qeverisë bëri deklarata të ngjashme si të kryeministrit Albin Kurti dje në foltoren e Kuvendit, i cili akuzoi partitë opozitare se po punojnë për zgjedhje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.

    Edhe Kusari-Lila tha se opozita po e ngushton hapësirën për konsensus, ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka propozuar dy anëtarë të saj të partisë për President, tha se po i radhitin lart prioritetet e qytetarëve.

    “Kostoja oportune e shkuarjes në zgjedhje versus mos-shkuarjes në zgjedhje është e lartë dhe në kurriz të qytetarëve të Republikës. Sot kur kemi një seancë të jashtëzakonshme në raport me ngritjen e çmimeve dhe kërkesat e vazhdueshme për lehtësira që do të mund të lënë zbrazëtira në buxhetin e Kosovës, me vetëdije të plotë po angazhohen ose po punohet që të krijohet edhe një vakum tjetër në raport me procesin zgjedhor. Ajo çfarë pamë dje për prioritet e qytetarëve nuk përkonte me atë çka thuhej dhe me sjelljet që i patën disa përfaqësues të partive opozitare. Prej largimit nga salla të subjektit më të madh opozitar tek qasja dhe komunikimi i një drejtuesit të një subjekti tjetër opozitar tek mosvotimi i katër marrëveshjeve tjera ndërkombëtare disi nuk po e lënë përshtypjen e hapësirës dhe diskursit për bashkëpunim”.

    “E kuptojmë dhe jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë e Grupit më të madh Parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti, por në rast të cenimit të këtij raporti në atë formë dhe mënyrë, hapësira për të pasë një konsensus të përbashkët po ngushtohet. Por, jo në kurriz të forcave politike, së pari të qytetarëve. Ne po mundohemi që t’i ngrisim më lart prioritet dhe për çfarë qytetarët kërkojnë nga ne të veprojmë, në këtë rast janë projektligjet dhe vendimet”.

  • Kina kundërshton rezolutën e OKB-së për Hormuzin

    Kina kundërshton rezolutën e OKB-së për Hormuzin

    Këshilli i Sigurimit të OKB do të votojë një rezolutë të propozuar nga Bahreini për mbrojtjen e rrugës së përdorur në ngushticën e Hormuzit nga anijet transportuese.

    Sipas Reuters, lajmi është bërë i ditur sot (e premte), megjithatë Kina me të drejtë vetoje, e bëri të qartë se kundërshtona fuqishëm autorizimin të përdorimit të forces në atë pjesë.

    Takimi i Këshillit të Sigurisë dhe votimi i rezolutën pritet të zhvillohet mëngjesin e së shtunës, dhe jo të premten siç ishte planifikuar fillimisht.

    Bahreini, kryesuesi aktual i Këshillit të Sigurisë, finalizoi draft rezolutën e cila do të autorizojë “të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse’’ në kalimin detar.

  • Valon Aliu dënohet me 24 vjet burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Erona Coklit

    Valon Aliu dënohet me 24 vjet burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Erona Coklit

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Valon Aliu, i dyshuar për vrasjen e rëndë të ish-bashkëshortes së tij, Erona Coklin.

    Aliu në total është dënuar me 24 vjet burgim.

    Rasti kishte ndodhur më 12 prill 2024.

    Sipas aktakuzës, Aliu, 36 vjeç, vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, Eronën, brenda zyrës së punëtores sociale gjatë një takimi që po zhvillohej në ambientet e institucioneve sociale.

    Gjatë incidentit, viktima ishte e shoqëruar nga vëllai 15-vjeçar dhe punëtorja sociale. Sipas deklarimeve të të dyshuarit, gjatë një fjalosjeje me ish-bashkëshorten, ai nxori armën nga brezi dhe qëlloi në drejtim të saj dhe të vëllait të saj. Si pasojë, Aliu vrau ish-bashkëshorten dhe plagosi rëndë djalin 15-vjeçar.

  • Rasti i njehsorëve elektrikë, Prokuroria autorizon policinë të nisë hetimet dhe grumbullimin e provave

    Rasti i njehsorëve elektrikë, Prokuroria autorizon policinë të nisë hetimet dhe grumbullimin e provave

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehsorët elektrikë të KEDS-it, duke thënë se ekziston dyshimi se këta njehsorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

    Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, tha Prokuroria.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se “mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”.

  • Magnezi apo zinku: Cili suplement do t’ju ndihmojë të flini më mirë?

    Magnezi apo zinku: Cili suplement do t’ju ndihmojë të flini më mirë?

    Magnezi dhe zinku janë suplemente të njohura që mund të përmirësojnë cilësinë e gjumit. Nëse keni probleme me rënien në gjumë, magnezi mund të jetë një zgjedhje më e mirë, ndërsa zinku mund të jetë më i dobishëm nëse nuk ndiheni të pushuar pas gjumit. Ato janë më efektive nëse ka mungesë të njërit prej këtyre mineraleve në trup, dhe në varësi të llojit të problemit të gjumit, njëri prej tyre mund të jetë më i dobishëm se tjetri, shkruan Health.com.

    Si ndihmon magnezi me gjumin

    Magnezi është një mineral që është thelbësor për shumë procese trupore, përfshirë gjumin. Efekti i tij në përmirësimin e gjumit manifestohet në disa mënyra. Së pari, ai rregullon prodhimin dhe çlirimin e hormoneve dhe neurotransmetuesve të lidhur me stresin dhe gjumin, siç janë melatonina dhe acidi gama-aminobutirik (GABA). Ai gjithashtu nxit relaksimin e të gjithë trupit duke qetësuar sistemin nervor dhe duke zvogëluar stresin dhe ankthin. Së fundmi, ai relakson muskujt, gjë që kontribuon më tej në pushimin fizik.

    Hulumtimet kanë treguar se magnezi mund të përmirësojë gjumin në disa mënyra – duke ju ndihmuar të flini më gjatë, duke rënë në gjumë më shpejt dhe duke përmirësuar në përgjithësi cilësinë e gjumit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit me nivele të ulëta të magnezit. Megjithatë, studimet sugjerojnë se magnezi mund të mos jetë i dobishëm për të gjithë, veçanërisht për ata me nivele normale të këtij minerali në trupin e tyre, shkruan Index.hr, transmeton Klankosova.tv.

    Si ndikon zinku në gjumë

    Zinku është një mineral tjetër që luan një rol në rregullimin e gjumit. Ai ndihmon në krijimin dhe rregullimin e hormoneve të gjumit dhe humorit, serotoninës dhe melatoninës.

    Studimet kanë zbuluar se njerëzit që marrin suplemente zinku ose hanë ushqime të pasura me zink bien në gjumë më shpejt, ndihen më të pushuar pas një gjumi të thellë dhe vënë re një përmirësim të përgjithshëm në cilësinë e gjumit. Njerëzit me nivele normale ose të larta të zinkut kanë më shumë gjasa të raportojnë gjumë të mirë dhe të flenë 7 deri në 9 orë çdo natë.

    Nga ana tjetër, disa studime kanë treguar se suplementet e zinkut nuk përmirësojnë cilësinë e gjumit. Nevojiten më shumë studime për të kuptuar dozën dhe rolin ideal të zinkut në gjumë.

  • Irani sulmon centralin e energjisë dhe të ujit në Kuvajt

    Irani sulmon centralin e energjisë dhe të ujit në Kuvajt

    Ministria e Energjisë Elektrike dhe Ujit në Kuvajt njofton se një central energjie dhe desalinimi uji është sulmuar nga Irani, duke shkaktuar “dëme materiale” në disa komponentë kyç.

    Sipas një deklarate të publikuar në X, ekipet teknike dhe emergjente kanë nisur menjëherë punën për të “mbajtur efikasitetin operativ” të sistemit.

    “Siguria dhe stabiliteti i sistemit të energjisë dhe ujit është prioritet kryesor,” theksohet në deklaratë, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për të parandaluar ndërprerje të furnizimit me energji dhe ujë të pijshëm.

    Ky incident vjen në një kohë tensioni rajonal dhe rrit shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës kritike në Lindjen e Mesme.

  • Abdixhiku nis takimet për “përbashkimin e madh”, takohet me qytetarët në Viti

    Abdixhiku nis takimet për “përbashkimin e madh”, takohet me qytetarët në Viti

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku sot gjatë ditës ka zhvilluar një vizitë në komunën e Vitisë.

    Abdixhiku në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se përbrashkimi i madh rreth LDK-së kërkon rikthim të baza.

    “Përbashkimi i madh rreth LDK-së kërkon rikthim te baza. Te njerëzit tanë. Te ata që nuk kërkojnë asgjë për vete, përveç unitetit dhe ringritjes sonë”.

    “Prandaj, kam nisur ciklin e takimeve në bazë. Qëndrova në Viti”, shkroi Abdixhiku.

    Ai tha se ka folur dhe ka marrë mesazhe të qarta nga mbështetësit e partisë.

    “Shqetësimet, pritjet dhe kërkesa për bashkim janë të njëjta kudo; dhe janë më të forta se kurrë. Dhe ky bashkim do të ndodhë. Jo vetëm si dëshirë, por si vullnet i njerëzve tanë. Si nevojë e kohës. Si rruga jonë përpara”, u shpreh kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

  • Michael Jackson “fiton” ende miliona dollarë edhe pas vdekjes

    Michael Jackson “fiton” ende miliona dollarë edhe pas vdekjes

    Michael Jackson vazhdon të mbetet një nga figurat më fitimprurëse të industrisë së muzikës, edhe më shumë se një dekadë pas ndarjes së tij nga jeta në vitin 2009. Trashëgimia e tij jo vetëm që nuk është zbehur, por përkundrazi, vijon të gjenerojë shifra marramendëse në tregun global të argëtimit.

    Sipas të dhënave më të fundit, pasuria e tij ka sjellë mbi 3.5 miliardë dollarë të ardhura që nga vdekja. Vetëm gjatë vitit 2025, ai është renditur sërish si personazhi i famshëm i ndjerë me të ardhurat më të larta, duke gjeneruar rreth 105 milionë dollarë.

    Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga dëgjimet masive në platformat e streaming, ku këngët e tij vazhdojnë të dëgjohen nga miliona fansa në mbarë botën. Albumet dhe hitet ikonike të artistit mbeten të pranishme në listat më të dëgjuara, duke dëshmuar ndikimin e tij të pandryshueshëm në muzikë.

    Po ashtu, rëndësi të madhe ka edhe zotërimi i katalogut muzikor, i cili konsiderohet ndër më të vlefshmit në histori. Projekte si “MJ: The Musical” kanë rikthyer në vëmendje jetën dhe karrierën e tij, duke tërhequr interes të madh nga publiku dhe duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme.

    Edhe pse kanë kaluar vite nga largimi i tij, “Mbreti i Pop-it” vijon të dominojë industrinë dhe të mbetet një ikonë e padiskutueshme globale.

  • Kryeziu: Ndërhyrja nga ministrat në fjalën e deputetëve është devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve

    Kryeziu: Ndërhyrja nga ministrat në fjalën e deputetëve është devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve

    Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kyreziu ka thënë se fjala e lirë e deputetëve duhet të mbetet kusht themelor për një demokraci funksionale.

    Duke iu referuar ndërhyrjes së ministres Gërvalla në fjalën e deputetit Haradinaj, Kryeziu ka thënë se këto veprime bien ndesh me rregulloren dhe standardet parlamentare.

    Sipas Kryeziut, ndërhyrja gjatë fjalimit është cenim i drejtpërdrejtë i të drejtës së deputetit për të folur dhe devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve.

    “Kuvendi nuk është pazar ku kushdo ndërhyn, pengon apo etiketon deputetin gjatë fjalës — aq më pak ata që nuk janë deputetë. E drejta e fjalës së deputetit është e garantuar dhe çdo ndërhyrje e ministrave është e kufizuar, procedurale dhe e lidhur drejtpërdrejt me çështjen në diskutim. Ndërhyrjet jashtë këtyre normave, si rasti i Donika Gërvallës ndaj deputetit Ramush Haradinaj, bien ndesh me rregulloren dhe standardet parlamentare. Është cenim i drejtpërdrejtë i të drejtës së deputetit për të folur dhe devijim nga parimi i ndarjes së pushteteve. Kuvendi zgjedh dhe mbikëqyr qeverinë, jo e kundërta. Ruajtja dhe garantimi i fjalës së deputetit mbetet kusht themelor për një parlament me demokraci funksionale”, thuhet në reagimin e tij në Facebook.