ATV

Author: K.B.

  • AAK përkrahë protestën e studentëve në Shkup për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

    AAK përkrahë protestën e studentëve në Shkup për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur përkrahje për protestën e thirrur nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë realizimin e së drejtës për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

    Në reagim, kjo parti thekson se kjo është një kërkesë e drejtë dhe legjitime, pasi përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar me Kushtetutë dhe me ligj, por që sipas studentëve ende nuk po zbatohet në praktikë.

    Aleanca ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut të veprojnë pa vonesë, duke respektuar parimin e barazisë dhe të drejtat e shqiptarëve, të garantuara edhe me Kushtetutë.

  • Rriten investimet nga Kosova në Shqipëri

    Rriten investimet nga Kosova në Shqipëri

    Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Investimet e ndërmarrjeve nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit të fundit, duke e pozicionuar Kosovën si një nga investitorët kryesorë të huaj në vend, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

    Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transmeton albinfo.ch.

    Ndërkohë, stoku i investimeve nga Kosova është rritur ndjeshëm, duke arritur rreth 550 milionë euro në fund të kësaj periudhe, në rritje me mbi 40% në terma vjetorë.

    Rritja e kapitalit kosovar në tregun shqiptar lidhet kryesisht me blerje strategjike të ndërmarrjeve vendase, që kanë forcuar praninë e bizneseve nga Kosova në sektorë kyç të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e modës dhe atë të shërbimeve ushqimore, etj çka tregon një prirje të qartë drejt diversifikimit të investimeve.

    Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kjo rritje reflekton jo vetëm interesin në rritje të bizneseve kosovare për tregun shqiptar, por edhe forcimin e integrimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe besimin në potencialin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

  • Shefi i ushtrisë së Ukrainës: Kemi rimarr kontrollin e zonave në vijën e frontit në lindje dhe juglindje

    Shefi i ushtrisë së Ukrainës: Kemi rimarr kontrollin e zonave në vijën e frontit në lindje dhe juglindje

    Ukraina ka rimarrë 480 km² territor në lindje dhe juglindje që nga fundi i janarit, ka thënë shefi i ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, duke shtuar se Rusia po vazhdon ofensivën pranverore.

    Sipas tij, janë rikthyer nën kontroll 8 vendbanime në Dnipropetrovsk dhe 4 në Zaporizhzhia. Ai paralajmëroi se trupat ruse po rigrupohen dhe synojnë të zgjerojnë territorin, përfshirë krijimin e një “zone tampon”.

    Ndërkohë, forcat ukrainase po mbajnë linjat mbrojtëse, ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se situata në front është më e mira që nga mesi i vitit të kaluar, raporton Reuters.

  • Edhe aeroplanët më të mirë amerikanë përballen me rreziqe: Mësimet nga incidenti i F-15 në Iran

    Edhe aeroplanët më të mirë amerikanë përballen me rreziqe: Mësimet nga incidenti i F-15 në Iran

    Incidenti me aeroplanin luftarak amerikan F-15 në Iran është duke i rritur shqetësimet për rreziqet me të cilat përballen pajisjet amerikane kur operojnë në hapësira të mbrojtura rëndë, dhe nxjerrin në pah këtë realitet: që edhe aeroplanët më të suksesshëm në botë nuk janë imunë në ambiente të kontestuara.

    Për dekada, F-15 ka qenë simbol i superioritetit ajror amerikan. Nëpër konflikte të ndryshme, ky aeroplan i ka kryer mbi 100 vrasje në terrene ajër-ajër dhe nuk ka humbur kurrë në një dyluftim ajër-ajër.

    Ky rekord qëndron ende. Mirëpo zhvillimet e fundit, bashkë me disa humbje të nxitura nga mbrojtjet tokësore, janë duke shtuar kontekst të ri për historinë e gjatë të këtij lloj aeroplani në zona konflikti.

    Në mars, tre aeroplanë amerikanë F-15E ishte raportuar të jenë rrëzuar në një incident që përfshinte aeroplanë luftarakë të Kuvajtit – vend aleat i Shteteve të Bashkuara – në fazat e para të Operacionit Tërbimi Epik, që po vazhdon ende në Iran.

    Ky episod, që është ende duke u hetuar, nuk ka rezultuar me viktima, meqë të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit kanë arritur të largohen në mënyrë të sigurt.

    Megjithatë, ky ishte një incident i rrallë për forcën ajrore amerikane dhe pritet të analizohet prej afër.

    Përtej këtyre incidenteve, një numër i vogël i aeroplanëve F-15 kanë humbur në zona luftarake – kryesisht për shkak të sistemeve mbrojtëse tokësore, dhe jo për shkak të aeroplanëve të armiqve.

    Gjatë operacioneve në Irak në vitet ’90 dhe 2000, disa aeroplanë F-15 janë rrëzuar nga sistemet ajrore tokë-ajër, duke vënë në pah një cenueshmëri që vazhdon të jenë relevante edhe sot.

    Investimet në “teknologji të avancuar”

    “Shtetet e Bashkuara kanë investuar në teknologji të avancuar – sulme elektronike dhe komunikime hapësinore – që i ndihmojnë të jetë në avantazh me forcat tjera ajrore”, ka thënë gjenerali i pensionuar i Forcës Ajrore amerikane, Houston R. Cantwell, tani hulumtues i lartë në Institutin për Studime Hapësinore, Mitchell, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Kjo, e kombinuar me planifikim të kujdesshëm dhe inteligjencë precize kundër armikut, i ka minimizuar humbjet e aeroplanit luftarak”, ka thënë ai.

    Ky investim e ka zvogëluar dukshëm rrezikun me kalimin e kohës. Aeroplani i fundit luftarak që është raportuar të jetë rrëzuar ka qenë ai i llojit A-10 në luftën e Irakut më 2003.

    Prej atëherë, avancimet në teknologji – sidomos në atë të radarëve – e kanë përmirësuar shkallën e mbijetesës.

    Megjithatë, Cantwell ka thënë se edhe këto përparësi kanë limite – sidomos kur aeroplanët janë mbi territorin e një shteti sikurse Irani.

    “Shtetet sikurse Irani kanë sisteme shumë të avancuara për mbrojtje ajrore”, ka thënë ai.

    “Ky sistem është degraduar në muajin e fundit, mirëpo kjo nuk nënkupton se është shkatërruar 100 për qind”.

    Irani i ka disa raketa që drejtohen me ndihmë të radarëve dhe rrezeve infra të kuqe, si dhe ka artileri kundërajrore. Edhe vetë madhësia që e ka i komplikon përpjekjet për neutralizim të kërcënimeve.

    “Irani është shtet i madh. Shtetet e Bashkuara nuk mund të shpresojnë se do ta eliminojnë çdo kërcënim ajror bazuar në madhësinë e tij”, ka thënë Cantwell. “Për aq kohë sa të ketë misione luftarake mbi Iran, do të ketë kërcënime për pajisjet ajrore”.

    Madje edhe aeroplanët e avancuar sikurse F-15 varen nga kundërmasat mbrojtëse për të rritur shansin për mbijetesë.

    “As këto sisteme nuk janë 100 për qind efektive”, ka thënë ai.

    Adaptimi ndaj kërcënimeve në rritje

    Rreziqet që janë vënë në pah përmes incidentit me aeroplanin F-15 i reflektojnë ndryshimet të cilat i kanë bërë armiqtë e SHBA-së teksa janë përgatitur për luftë.

    “Do ta them se preferencat e Shteteve të Bashkuara [dhe Izraelit] për luftime prej qiellit dhe shmangie të dislokimit të trupave tokësore, ka mundësi që i kanë rritur kapacitetet e amiqve potencialë për konflikt me SHBA-në”, ka thënë koloneli i pensionuar amerikan, Amos Fox, hulumtues në Iniciativën për Siguri të së Ardhmes e Universitetit të Arizonas, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Ata e kuptojnë se si SHBA-ja dëshiron të luftojë – me forcë ajrore me sulme me rreze të gjatë – dhe kështu investojnë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

    Fox e ka përmendur edhe rritjen e bashkëpunimit mes rivalëve amerikanë dhe rritjen e teknologjisë ushtarake.

    “Siç e kemi parë në Ukrainë dhe tani në Iran, armiqtë tanë na shohin si vend armik dhe punojnë bashkë që të na shohin duke dështuar”, ka thënë ai.

    “Përhapja e informacionet për sistemet e armëve dhe sistemet mbrojtëse nuk duhet të shërbejë si befasi për askënd – pasi mund të jemi duke parë vetëm majën e asjbergut”.

    Mësimet nga konfliktet e së kaluarës

    Historikisht, në fushatat ajrore amerikane janë regjistruar humbje të konsiderueshme për arsye të ndryshme. Në Luftën e Gjirit më 1991, forcat e koalicionit patën humbur dhjetëra aeroplanë.

    “Koalicioni i ka humbur gati 100 aeroplanë në ‘Stuhinë e Shkretëtirës’ mirëpo fushata ka pasur objektiva krejt të ndryshëm në krahasim me ‘Tërbimin Epik’”, ka thënë Cantwell.

    Prej atëherë, strategjia amerikane është fokusuar në neutralizim të mbrojtjes ajrore të armikut qysh në fillim të konfliktit.

    Teknologjia dhe e ardhmja e luftimeve

    Për t’i ulur rreziqet për pilotët, SHBA-ja është duke i avancuar secilën herë e më shumë sistemet pa pilot sikurse MQ-9 Reaper dhe RQ-170 Sentinel.

    “Avancimi i aseteve pa pilot sikurse MQ-9 dhe RQ-170 mundëson sulme pa rrezikuar njerëz”, ka thënë Cantwell.

    “Pajisjet MQ-9 kanë qenë shumë efikase në kërkim të shënjestrave mobile dhe shkatërrimin e tyre pa rrezikuar ekipe thellë në Iran”.

    Konceptet e gjeneratës së ardhshme, duke përfshirë aeroplanët luftarakë bashkëpunues (CCA), synojnë ta çojnë më tej këtë qasje duke i çiftëzuar sistemet pa pilot me avionë me ekuipazh.

    Rekord, por me paralajmërime

    Për pilotët që do të jenë në linjat e armikut, rreziqet janë të konsiderueshme.

    “Shmangia dhe shëndeti janë parësore”, ka vlerësuar Cantwell.

    “Duhet të bëjnë përpjekje teksa sigurohen që po kujdesen për shëndetin e tyre – për ushqim, ujë dhe strehim. Duhet të ikin derisa të gjejnë një vend të përshtatshëm ku mund të shkojnë t’i marrin”.

    Operacionet për shpëtim janë bërë më komplekse me avancim të mbrojtjes ajrore.

    “Këto misione e kërkojnë një kombinim të kapaciteteve ajrore”, ka thënë ai.

    “Helikopteri e bart ekipin e shpëtimit, mirëpo ai kërkon edhe mbështetje nga anijet, mbulim ajror dhe inteligjencë”.

    Rekordi ajër-ajër i aeroplanëve F-15 vazhdon të mos jetë i prekur. Mirëpo historia e tij dhe incidentet e fundit e shpërfaqin një realitet me më shumë nuanca: dominimi në ajër nuk e eliminon rrezikun nga toka, gabimet njerëzore dhe avancimin e taktikave të armiqve.

    Siç ka thënë edhe Cantwell, për aq kohë sa aeroplanët operojnë në territor shumë të mbrojtur “kërcënimet do të jenë evidente”. /REL

  • Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës

    Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës

    Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë që do të protestojnë sot në Shkup për mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një sinjal të rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe respektimin e të drejtave themelore.

    Në reagimin e saj, Spiropali thekson se kërkesa për të drejta që janë të garantuara në Kushtetutë dhe në ligj, por që ngrihen në formë proteste, tregon qartë se ekziston një hendek mes parimit dhe zbatimit në praktikë. Sipas saj, të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në dokumente zyrtare, por duhet të reflektohen në jetën e përditshme të qytetarëve.

    “Gjuha shqipe nuk mund të jetë objekt diskutimi apo kompromisi institucional, por përbën një të drejtë themelore që duhet të respektohet. Në këtë kontekst, protesta e studentëve shihet jo vetëm si një reagim, por si një thirrje për të forcuar standardet demokratike dhe për të garantuar barazi reale”, tha ish-kryediplomatja shqiptare.

    Ajo shtoi se një shtet që mbron dhe garanton përdorimin e gjuhës, kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e barazisë dhe ndërtimin e besimit mes qytetarëve.

    Tutje, ajo shpreh mbështetje për studentët, duke theksuar se ata po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin dhe parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.

    Në përfundim, ish-ministrja e Jashtme shqiptare, e konsideron këtë situatë si një provë të rëndësishme për funksionimin real të shtetit dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike, veçanërisht në kontekstin e aspiratave të përbashkëta europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

  • Mustafa: Maqedonia e Veriut ku nafta kushton 1,55 euro, ka ulur akcizën për 7 centë dhe TVSh nga 18% në 10%

    Mustafa: Maqedonia e Veriut ku nafta kushton 1,55 euro, ka ulur akcizën për 7 centë dhe TVSh nga 18% në 10%

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, është shprehur i shqetësuar me çmimin e lartë të naftës në Kosovë, ku aktualisht një litër kushton 1.86.

    Mustafa ka marrë shembull Maqedoninë e Veriut, duke thënë se aty ku “nafta kushton 1.55 euro, dje ka ulur akcizën për 7 cent ndërsa para dy jave ka ulur TVSh nga 18% në 10%”.

    Ai shprehet se “Qeveria e Kosovës nuk e ka ulur as akcizën as TVSh, anipse çmimi është 1.85+”.

    Tutje Mustafa ka shkruar; “mos lsho pe Albin! Sa ma të larta çmimet qaq ma shumë po të votojnë”.

    Postimi i plotë:

  • Gati 6 mijë shoferë gjobiten për përdorim të telefonit në Kosovë

    Gati 6 mijë shoferë gjobiten për përdorim të telefonit në Kosovë

    Gjatë tre muajve të parë të vitit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 5,878 gjoba ndaj shoferëve që përdornin telefonin gjatë drejtimit të automjetit.

    Sipas ligjit, shkelësit ndëshkohen me 200 euro gjobë, pikë negative ose ndalim të drejtës së drejtimit për tre muaj.

    Autoritetet paralajmërojnë se përdorimi i telefonit mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve dhe do të vazhdojnë kontrollet për rritjen e sigurisë rrugore.

  • Emri i saj u përmend në dosjet Epstein, reagon modelja Gigi Hadid

    Emri i saj u përmend në dosjet Epstein, reagon modelja Gigi Hadid

    Modelja e njohur Gigi Hadid ka reaguar pas publikimit të dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ku emri i saj dhe i motrës së saj, Bella Hadid, përmenden në disa emaile të vitit 2015 që lidhen me Jeffrey Epstein.

    Në një përgjigje ndaj një komenti në Instagram, Hadid e cilësoi Epstein si një “person të neveritshëm”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të. Ajo u shpreh se është “e tmerrshme” të lexosh komente për veten nga dikush që nuk e ke takuar kurrë, veçanërisht në një kontekst të tillë.

    Modelja sqaroi gjithashtu se fillimisht kishte zgjedhur të mos reagonte për të mos errësuar dëshmitë e viktimave të vërteta, ndërsa theksoi se karriera e saj në modë është ndërtuar vetëm mbi punën e saj.

    Sipas saj, ajo nënshkroi kontratën e parë me një agjenci në vitin 2012 dhe ka punuar vazhdimisht që atëherë. “Përmendja e emrit tim në këto dosje është shqetësuese dhe dua të jem e qartë. Nuk kam pasur kurrë të bëj me këtë person”, deklaroi Hadid.

    Ndërkohë, dokumentet zbulojnë një shkëmbim emailesh ku Jeffrey Epstein diskutonte për karrierën e motrave Hadid në modelim. Në bisedën e datës 3 dhjetor 2015, një person i panjohur e pyet Epstein se si ato u bënë modele të suksesshme, ndërsa ai mohon se suksesi i tyre lidhej me ndikimin e familjes.

    Rasti ka rikthyer në vëmendje lidhjet dhe komentet e Epstein për figura publike, duke ngritur sërish debat mbi ndikimin dhe përmasat e rrjetit të tij.

  • Sali Berisha paraqitet sërish në SPAK, zbaton masën ‘detyrim paraqitje’

    Sali Berisha paraqitet sërish në SPAK, zbaton masën ‘detyrim paraqitje’

    Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme.

    Kryedemokarti ka zbatuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

    Sipas mediave në Shqipëri, në momentin e mbërritjes, Berisha u prit nga mbështetësit e tij.

  • Gjenerali i lartë rus vdes pas rrëzimit të aeroplanit në Krime

    Gjenerali i lartë rus vdes pas rrëzimit të aeroplanit në Krime

    Një komandant i lartë i forcave ajrore ruse është konfirmuar i vdekur pas rrëzimit të një avioni transportues ushtarak në Krimenë e kontrolluar nga Rusia javën e kaluar.

    Oficeri, Alexander Otroshchenko, i cili komandonte njësinë e Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Ajrore të Ushtrisë së 45-të të Flotës Veriore, ishte midis afërsisht 30 personave të vrarë në aksident, thanë zyrtarët, cituar Reuters.

    Aeroplani, një aeroplan transporti ushtarak An-26, u rrëzua pasi thuhet se u përplas me një shkëmb më 31 mars. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më parë se shkaku paraprak i aksidentit ishte një mosfunksionim teknik.