ATV

Author: K.B.

  • AARC mbështet studentët në Maqedoninë e Veriut: Mohimi i gjuhës shqipe, turp dhe fyerje për demokracinë!

    AARC mbështet studentët në Maqedoninë e Veriut: Mohimi i gjuhës shqipe, turp dhe fyerje për demokracinë!

    Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shpreh mbështetjen e tij të plotë dhe të palëkundur për studentët e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë paqësisht për të drejtën e tyre themelore për t’i nënshtruar Provimit të Jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare shqipe.

    “Është thellësisht shqetësuese – dhe sinqerisht e papranueshme – që në vitin 2026, studentët detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar atë që nuk është një privilegj, por një e drejtë e garantuar qartë sipas kornizës kushtetuese dhe ligjore të shtetit.

    E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat zyrtare bazohet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, të ndryshuar pas Marrëveshjes së Ohrit, si dhe në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Këto instrumente ligjore pohojnë në mënyrë eksplicite barazinë e gjuhëve të folura nga të paktën 20% e popullsisë, përfshirë shqipen, në institucionet dhe proceset publike. Mohimi i mundësisë për të dhënë Provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe jo vetëm që është në kundërshtim me këto dispozita – por është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj tyre.

    Kjo çështje u zgjidh një gjeneratë më parë përmes Marrëveshjes së Ohrit, një gur themeli i stabilitetit që i ka mundësuar Maqedonisë së Veriut të evoluojë në një shtet më gjithëpërfshirës, demokratik dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Progresi i vendit – kohezioni i tij i brendshëm, trajektorja e tij euroatlantike dhe përafrimi me standardet evropiane – është ndërtuar mbi parimin e barazisë mes qytetarëve të tij. Minimi i këtyre parimeve tani është sa dritëshkurtër, aq edhe i rrezikshëm”, thekson AARC.

    Kjo organizatë e njohur lobiste ka përcjell një mesazh shqetësues edhe në adresë të politikës shqiptar në RMV.

    “Gjithashtu, duhet të shprehim zhgënjimin tonë të thellë me përfaqësuesit politikë shqiptarë që kanë mbetur absentë, pasivë ose joefektivë për këtë çështje. Detyra e tyre nuk është simbolike – është mbrojtja aktive e të drejtave të votuesve që ata përfaqësojnë. Mbi një çështje aq të qartë, aq themelore dhe aq të bazuar fort në ligj, nuk ka asnjë arsyetim për heshtje apo mosveprim. Ky dështim nuk është thjesht politik; është një braktisje e përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë, ne paralajmërojmë të gjitha palët kundër politizimit të kësaj çështjeje. Të drejtat themelore nuk janë monedhë këmbimi, e as nuk duhet t’u nënshtrohen manovrave partiake. Kjo është një çështje e ligjit, barazisë dhe dinjitetit bazë njerëzor – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Për studentët: kauza juaj është e drejtë. Zëri juaj po dëgjohet. Dhe ju nuk jeni vetëm. AARC qëndron me ju”, thekson AARC.(INA)

  • Mustafa: Kurti nuk po do zgjidhje për president me LDK-në

    Mustafa: Kurti nuk po do zgjidhje për president me LDK-në

    Deputeti Besian Mustafa ka reaguar pas takimit të kreut të LDK-së, Lumir Abidixhikut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas Mutafës, shefi i qeverisë nuk dëshiron të gjejë zgjidhje për president bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    “Albini sapo përsëriti “80-81 vota për President nuk është caku ynë”. Pra, NUK po don me gjetë zgjidhje për president bashkë me LDK-në”, shkruan deputeti.

    Mustafa përfundoi postimin duke shkruar: “Veç mos thuani pastaj LDK po na çon në zgjedhje”.

    Ndryshe, takimi Kurti-Abdixhiku përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.

  • Arrestohen dy gra në Morinë, tentuan të fusin ilegalisht shtatë emigrantë në Kosovë

    Arrestohen dy gra në Morinë, tentuan të fusin ilegalisht shtatë emigrantë në Kosovë

    Policia kufitare e Shqipërisë në Kukës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Mënyra”, duke arrestuar dy gra të përfshira në transport të paligjshëm të emigrantëve drejt Kosovës.

    31-vjeçarja F. B. u kap në flagrancë në fshatin Morinë, duke transportuar me automjetin e saj shtatë emigrantë të paligjshëm, ndërsa 22-vjeçarja XH. C. shoqëronte automjetin dhe kontrollonte rrugën për të shmangur kontrollet policore.Finalizohet operacioni policor i koduar “Mënyra”.

    “Transportonte me automjet 7 emigrantë për kalim të paligjshëm kufiri, vihet në pranga 31-vjeçarja, ka njoftuar Policia e Shtetit shqiptar përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook.

    Arrestohet edhe drejtuesja e automjetit shoqërues, që kontrollonte rrugën për shmangien e shërbimeve policore. Sekuestrohen 2 automjete, një sasi euro dhe një sasi parash. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një mënyrë të re të tentativave për transportimin e emigrantëve të paligjshëm, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mënyra”.

    Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetaset: F. B., 31 vjeçe, dhe XH. C., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.

    Shtetasja F. B. u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë kufitare, në fshatin Morinë, duke transportuar me automjetin e saj 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve do t’u ndihmonte të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit. Ndërsa shtetasja XH. C., me automjetin e saj, e shoqëronte dhe kontrollonte rrugën për të shmangur kontrollet e policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet, një sasi eurosh dhe një sasi parash të tjera. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Hamza i përgjigjet Kurtit për takim: Konkretizojeni iniciativën në letër, e shqyrtojmë në organet e partisë

    Hamza i përgjigjet Kurtit për takim: Konkretizojeni iniciativën në letër, e shqyrtojmë në organet e partisë

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me ftesat e Kryeministrit Albin Kurti për takime me partitë politike në funksion të zgjedhjes së presidentit të ri.

    Nga Zyra e Informimit e PDK-së bëjnë të ditur se kryetari Bedri Hamza i është përgjigjur kryeministrit, duke kërkuar që iniciativa të formalizohet përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të trajtohet me seriozitet institucional.

    “Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të PDK-së.

    PDK thekson se çdo zhvillim i mëtejmë lidhur me këtë çështje do të trajtohet në përputhje me procedurat e brendshme partiake, duke lënë të hapur mundësinë për një qëndrim zyrtar pas shqyrtimit në organet drejtuese.

  • Kopenhaga shpallet qyteti më i lumtur në botë

    Kopenhaga shpallet qyteti më i lumtur në botë

    Edhe këtë vit, Kopenhaga është qyteti më i lumtur në botë. Sipas Indeksit të qytetit të lumtur, i hartuar nga institucioni britanik për Cilësinë e Jetës, Kopenhaga përfaqëson më së miri ekuilibrin mes ekonomisë, mjedisit, inovacionin, përfshirjen sociale, lëvizshmërinë, arsimin dhe aksesin në kulturë, shëndet dhe mirëqenie.

    Qytetet që arrijnë të përfaqësojnë më së miri këtë ekuilibër, duke u bërë modele të vërteta si kryeqyteti danez, arrijnë të kombinojnë në mënyrë harmonike historinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë, duke promovuar njëkohësisht rritjen kulturore të banorëve të tyre, nivelin e lartë arsimor, fuqizimin e biznesit dhe të ardhura mesatare të larta, duke ruajtur ekuilibrin midis punës dhe jetës private.

    “Indeksi nuk është krijuar për të shpallur një ‘qytet më të mirë’ në botë,” theksojnë organizatorët. “Ai identifikon realitetet urbane që dinë të bashkojnë administrim të mirë, qëndrueshmëri dhe cilësi jetese, duke ofruar një vizion më të balancuar të zhvillimit urban.”

    Përveç kryeqytetit danez, medaljet e arta u takojnë 50 qyteteve të para që ruajnë standarde të larta dhe të qëndrueshme në gjashtë dimensionet e Indeksit: qytetarët, qeverisja, mjedisi, ekonomia, shëndeti dhe lëvizshmëria.

    Në 10-shen kryesore ndodhen nga dy qytete të Danimarkës, Suedisë dhe Zvicrës. Përveç Tokios që zë vendin e pestë, ky grup dominohet nga Helsinki, Gjeneva dhe Uppsala në Suedi, pastaj Trondheim në Norvegji, kryeqyteti zviceran Bern, Malmo, Mynihu, Aarhus (Danimarkë) dhe Zyrihu në vendin e 11-të.

    Edicioni i këtij viti përfshin gjithashtu një gjest simbolik solidariteti. Ndërsa renditja formale mbulon 250 qytete, vendi i 251-të i është caktuar Kievit pa pikëzim apo krahasim, si shenjë respekti për përpjekjet e autoriteteve të qytetit ukrainas në rrethana jashtëzakonisht të vështira.

  • Kurti i çon ftesë edhe PDK-së për takim rreth çështjes së presidentit

    Kurti i çon ftesë edhe PDK-së për takim rreth çështjes së presidentit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur takim me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

    Ndërkohë, Tëvë1 mëson se ftesë për takim KM i ka dërguar edhe PDK-së, por sipas informacioneve nga kjo parti presin të mbajnë Këshillin Drejtues para çfarëdo vendimi në këtë drejtim.

    Vetëm deri më 28 prill, partitë politike kanë kohë për të zgjedhur presidentin e ri. Ky afat është caktuar nga Gjykata Kushtetuese, në një veprim të kundërt, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.

    Pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit tashmë e ka Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

  • Nis protesta e studentëve në Shkup, kërkohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip

    Nis protesta e studentëve në Shkup, kërkohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip

    Në Shkup ka nisur protesta e studentëve, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

    Sipas mediave shqiptare, protesta ka nisur në hyrje të Urës së Gurit dhe do të vazhdojë deri para Ministrisë së Drejtësisë.

    Studentët kanë vendosur pankarta në qendër të Shkupit, me mbishkrime për të drejtat e tyre.

    “Ligji në letër, diskriminim në praktikë”, shkruhet në një njërën prej pankartave, teksa një numër i madh kanë marrë pjesë.

    Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse shqipja ka ligjërisht status zyrtar.

    Argumenti i studentëve është se kjo situatë krijon një pengesë për ta dhe shumë pabarazi, pasi kufizon mundësitë e tyre profesionale dhe ndikon drejtpërdrejtë në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit fqinj.

    Kërkesat e tyre janë që provimi të zhvillohet plotësisht në shqip, me procedura të barabarta për të gjithë kandidatët dhe zbatim real të të drejtave gjuhësore të garantuara me ligj.

  • Arrestohet dhe ndalohet polici në Pejë, dyshohet se rrahu gruan e tij

    Arrestohet dhe ndalohet polici në Pejë, dyshohet se rrahu gruan e tij

    Inspektorati Policor i Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.

    Sipas njoftimit zyrtar, IPK-ja ka pranuar mbrëmjen e kaluar informacione se një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij në Pejë.

    “Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke intervistuar viktimën. Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, rasti është konsultuar me prokurorin kompetent, i cili ka vendosur masën e ndalimit për 48 orë ndaj zyrtarit policor të dyshuar. Në kuadër të procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga detyra”, shkruan në njoftim.

    IPK ka bërë të ditur se hetuesit, në koordinim të plotë me Prokurorinë, do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast.

  • Teherani thotë se plani amerikan me 15 pika është i pazakontë dhe paarsyeshëm

    Teherani thotë se plani amerikan me 15 pika është i pazakontë dhe paarsyeshëm

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se Teherani i ka finalizuar kërkesat e tij mes propozimeve të fundit për t’i dhënë fund luftës – por do t’i bëjë publike vetëm kur të jetë e përshtatshme.

    Zëdhënësi Esmail Baghaei theksoi se Irani nuk do t’i nënshtrohet presionit, raportoi agjencia e lajmeve IRNA.

    “Disa ditë më parë, ata paraqitën propozime përmes ndërmjetësve, dhe plani amerikan me 15 pika u përcoll përmes Pakistanit dhe disa vendeve të tjera mike,” tha ai.

    Ai shtoi se “propozime të tilla janë njëkohësisht jashtëzakonisht ambicioze, të pazakonta dhe të paarsyeshme.”

    Baghaei theksoi se Irani ka kuadrin e vet. “Bazuar në interesat tona dhe në vlerësimet tona, ne kemi hartuar një grup kërkesash që i kemi pasur dhe i kemi ende,” shtoi ai.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme hodhi poshtë idenë se angazhimi me ndërmjetësit është shenjë dobësie.

    “Fakti që Republika Islamike e Iranit i paraqet pikëpamjet e saj shumë shpejt dhe me guxim në përgjigje të një plani nuk duhet të konsiderohet si shenjë dorëzimi ndaj armikut.”

    “Që nga momenti kur kjo çështje u ngrit, ne kemi formuluar përgjigjet tona. Kurdo që të jetë e nevojshme, do t’ju informojmë qartë.”

  • Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, kryediplomati shqiptar: Kërkesa është e drejtë, të adresohet me seriozitet institucional

    Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup, kryediplomati shqiptar: Kërkesa është e drejtë, të adresohet me seriozitet institucional

    Studentët shqiptarë do të protestojnë sot në Shkup. Ata ankohen se përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar për ta me Kushtetutë dhe ligj në Maqedoninë e Veriut.

    Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se protesta dhe kërkesa e studentëve është “e drejtë dhe legjitime”.

    “E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në #gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës #amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga #Kushtetuta e #Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e #Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme”, shkroi ai në X.

    Hoxha tha se “kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për #politizim”. Kjo çështje, ai tha se “duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore”.

    “#Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. #Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, shkroi ai.