ATV

Author: K.B.

  • Hasi në një mjet të pashpërthyer në Drenoc të Malishevës, njësitet e FSK-së e shpërthejnë në mënyrë të sigurt

    Hasi në një mjet të pashpërthyer në Drenoc të Malishevës, njësitet e FSK-së e shpërthejnë në mënyrë të sigurt

    Një person ka raportuar se derisa ishte duke punuar në një mur të vjetër ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 10.04.2026 në fshatin Drenoc të Malishevës.

    Tutje bëhet e ditur se njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim.

    “Fsh. Drenoc, Malishevë 14.04.2026 – 09:30. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ishte duke punuar në një muri të vjetër, ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për deminim, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë shpërthimin e mjetit në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt”, thuhet në raport.

  • Hoti: Projektligji për çmimet tavan i papërmirësueshëm, do të dëmtojë tregun dhe konsumatorin

    Hoti: Projektligji për çmimet tavan i papërmirësueshëm, do të dëmtojë tregun dhe konsumatorin

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar ashpër projektligjin për çmimet tavan, duke thënë se ai është i papërmirësueshëm përmes amendamenteve dhe se në formën aktuale do të sjellë çrregullime në treg.

    Ai thekson se pas analizës së projektligjit, nuk ka hapësirë për përmirësime që do ta bënin atë funksional në kushtet e tregut të lirë.

    “PROJEKTLIGJI PËR ÇMIMET TAVAN ËSHTË I PAPËRMIRËSUESHËM PËRMES AMENDAMENTEVE. Projektligji për çmimet tavan, i cili kaloi në lexim të parë me procedura të shkurtuara, është i papërmirësueshëm. Sot, me shumë kujdes e analizuam këtë projektligj për të parë nëse mund të propozohen amendamente për të evituar çrregullimet në treg që pritet të sjellë ky projektligj nëse hyn në fuqi në formatin aktual të propozuar nga Qeveria”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, masat e propozuara nuk e arrijnë qëllimin për mbrojtjen e konsumatorit.

    “Vlerësimi i përgjithshëm është se asnjë amendament nuk mund ta sjellë këtë projektligj në linjë me kërkesat dhe parimet për funksionimin e tregut të lirë në kohë të krizave dhe inflacionit, sikurse që po kalojmë tani. Masat e parapara në këtë projektligj nuk do ta mbrojnë konsumatorin. Ato masa do ta dëmtojnë biznesin dhe nuk sigurojnë arritjen e qëllimit për të cilin ndërmerren”, ka deklaruar ai.

    Hoti ka kritikuar edhe mungesën e debatit publik për këtë çështje.

    “Nuk e kuptoj përse nuk organizohen debate publike me oda ekonomike dhe me organizata të tjera për të marrë vlerësimet e tyre. Nuk e kuptoj përse Qeveria nuk e sqaron publikisht si do të arrihet qëllimi i këtij ligji, që është mbrojtja e konsumatorit, përmes masave të parapara në këtë projektligj”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, ndërhyrjet në krizë ekonomike duhet të bëhen si në anën e kërkesës ashtu edhe në atë të ofertës.

    “Logjika ekonomike në situata të tilla kërkon që ndërhyrjet të jenë në të dy anët e tregut, në anën e kërkesës dhe të ofertës. Në anën e kërkesës duhet ndërmerren masa për të ruajtur grupet më të ndjeshme të qytetarëve, si: punëtorët që marrin pagën minimale, pensionistët, studentët, familjen në asistencë sociale dhe grupe të tjera të ngjashme”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka shtuar se mbështetja sociale duhet të jetë e përshtatur me kohëzgjatjen e krizës.

    “Mbështetja e këtyre grupeve nga buxheti i shtetit mund të jetë e njëhershme nëse kriza është e përkohshme dhe nëse çmimet stabilizohen shpejt. Nëse kriza vazhdon, atëherë mbështetja duhet të jetë e përhershme duke i indeksuar të ardhurat e këtyre grupeve për normën e inflacionit të produkteve të konsumit elementar”, ka theksuar ai.

    Duke folur për anën e ofertës, Hoti ka propozuar ulje të ngarkesave tatimore.

    “Në anën e ofertës duhet të intervenohet në uljen e kostos për bizneset për ofrimin e mallrave në treg. Në këtë aspekt, masë e menjëhershme është ulja e ngarkesave tatimore, siç janë TVSH dhe akciza. Duke qenë se të hyrat buxhetore rriten në kohë inflacioni për shkak të TVSH-së më të lartë që mbledh shteti, është e natyrshme që ulja e normës së TVSH të ketë efekt minimal ose zero në të hyrat buxhetore”, ka deklaruar Hoti.

    Në fund, ai ka kritikuar Qeverinë për mungesë të masave alternative dhe ka përmendur edhe praktika evropiane.

    “Prandaj, mungesa e masave të tilla nga ana e Qeverisë së Kosovës është e pakuptueshme se kujt i shërben. Disa nga këto masa janë ndërmarrë nga vendet evropiane. Shembulli më i fundit ishte Gjermania”, ka shkruar ai.

  • Fundi i strehës së sigurt? Magyar paralajmëron ekstradimin e Gruevskit në RMV

    Fundi i strehës së sigurt? Magyar paralajmëron ekstradimin e Gruevskit në RMV

    Herën tjetër kur të dërgojnë një kërkesë për ekstradimin e Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të dënuar të Maqedonisë së Veriut, autoritetet në Shkup mund të marrin një përgjigje pozitive nga Hungaria.

    Ndryshimi i pushtetit në vendin ku Gruevski u arratis në vitin 2018, mund të mundësojë që ai, më në fund, ta vuajë dënimin dyvjeçar.

    Këtë e konfirmoi edhe kryeministri i ardhshëm hungarez, Peter Magyar, i cili tha se Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelët ndërkombëtarë.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ekstradimin e mundshëm të dy politikanëve polakë, Zbigniew Ziobro dhe Marcin Romanowski, Magyar tha se “në Hungari nuk duhet të blejnë mobilie nga IKEA, sepse nuk do të qëndrojnë gjatë”.

    “Kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për zotin Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu shkelës i ligjit”, tha Magyar në një konferencë për gazetarë.

    Ai shtoi se, në frymën e bashkëpunimit evropian, pret edhe nga vendet e tjera evropiane që t’i ekstradojnë kriminelët hungarezë nëse ata arratisen në territoret e tyre.

    Se si dhe kur Qeveria e re hungareze do ta rregullojë këtë çështje, partia e Magyarit, Tisza, nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë.

    Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Magyar e rrëzoi nga pushteti Viktor Orbanin, i cili qeverisi Hungarinë për 16 vjet.

    Orban, si kryeministër i Hungarisë, ishte në shënjestër të kritikave të ashpra nga Brukseli për minimin e demokracisë dhe kundërshtimin e mbështetjes për Ukrainën, pas pushtimit rus.

    Për shkak të shqetësimeve për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit, BE-ja bllokoi miliarda euro nga fondet e destinuara për Hungarinë.

    Gjatë qeverisjes së Orbanit, strehë në këtë vend gjeti edhe Gruevski.

    Ish-kryeministri maqedonas, në nëntor të vitit 2018, në vend që të fillonte vuajtjen e dënimit, u arratis nga Maqedonia e Veriut me një automjet diplomatik hungarez.

    Disa ditë më vonë, ai mori azil politik në Hungari.

    Autoritetet hungareze e arsyetuan këtë vendim me “ndjekjen e mundshme politike dhe gjendjen e keqe në burgjet maqedonase”.

    Një vit më pas, një gjykatë hungareze refuzoi kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e tij, duke thënë se “nuk ishin përmbushur kushtet për ekstradim në Maqedoninë e Veriut”.

    Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikon të paraqesë kërkesë të re për ekstradimin e Gruevskit.

    “Nëse vjen, do të arrestohet”
    Nëse Gruevski hyn në Maqedoninë e Veriut, ai do të arrestohet, tha kryeministri aktual i këtij vendi, Hristijan Mickoski.

    Ai shtoi se rasti i Gruevskit është në dorën e Qeverisë hungareze.

    “Nuk kam pritje, por nëse Nikolla Gruevski paraqitet në Maqedoni [të Veriut], ai ka një vendim të formës së prerë dhe, menjëherë pas hyrjes në vend, organet e rendit do ta ndalojnë dhe do ta dërgojnë për vuajtjen e dënimit me burg, në përputhje me vendimin përfundimtar”, tha Mickoski, njëherësh kryetar aktual i VMRO-DPMNE-së, ish-partisë së Gruevskit.

    Ai theksoi se nuk ka asnjë pritje nëse dhe kur Gruevski do të kthehet në Maqedoninë e Veriut.

    “Ne, si Qeveri, kemi përpara një vendim përfundimtar, sipas të cilit personi për të cilin po flasim, duhet të vuajë dënim me burg”, u shpreh Mickoski.

    “Organizata kriminale VMRO ka mbetur pa aleatin e saj të vetëm në BE”, shkroi në platformën X lideri i opozitës nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe.

    “Nuk do të ketë më fshehje të Gruevskit në Budapest, as marrëveshje biznesi. Kryeministri i ri i Hungarisë, zoti Peter Magyar, ka paralajmëruar reforma të thella në media, për shkak të ndikimit të madh që kishte Orban mbi to. Regjimet autokratike po bien”, shtoi ai.

    Nga partia Tisza e Magyarit thanë se Qeveria e ardhshme hungareze do t’i japë përparësi rikthimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, anëtarësimit në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian dhe vendosjes së një funksionimi të ri më transparent të shtetit.

    Orban dhe Gruevski

    Nikolla Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe lider i VMRO-DPMNE-së, parti e cila, pas shtatë vjetësh në opozitë, u rikthye në pushtet në zgjedhjet e vitit 2024.

    Me kryeministrin në largim të Hungarisë, Viktor Orban, ai kishte një miqësi të gjatë politike, dhe Orban ishte shpesh i pranishëm në fushatat zgjedhore të VMRO-DPMNE-së.

    Dy partitë e djathta, si parti simotra, ishin pjesë e Partisë Popullore Evropiane (EPP).

    Megjithatë, partia e Orbanit u largua nga EPP-ja në mars të vitit 2021, pak para se të përjashtohej, pas kritikave të gjata nga BE-ja për minimin e lirive demokratike, mediave, organizatave joqeveritare dhe sundimit të ligjit.

    Si parti simotër, Fidesz e ka mbështetur rregullisht VMRO-DPMNE-në.

    Në kohën kur Gruevski ishte kryeministër, Orban u nderua me një çmim shtetëror nga Maqedonia e Veriut – Urdhrin “8 Shtatori”.

    Si rrodhi rasti Gruevski?

    Në maj të vitit 2018, Gruevski u dënua me dy vjet burg në rastin “Tenk”, për shkak të parregullsive në prokurimin e një automjeti të blinduar Mercedes, me vlerë 600.000 euro.

    Për blerjen e automjetit luksoz u mësua në vitin 2015, kur opozita e atëhershme publikoi një bisedë të përgjuar, në të cilën Gruevski i kërkonte ministres së Brendshme, Gordana Jankulloska, që MPB-ja të blejë një Mercedes që ai më pas ta përdorte, por pa dijeninë e publikut.

    Atëkohë, Gruevski ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

    Përveç këtij rasti, ndaj tij u zhvilluan edhe disa procese të tjera gjyqësore.

    Në shtator të vitit 2020, ai u dënua në mungesë me një vit e gjysmë burg për dhunë ndaj kundërshtarëve politikë.

    Në prill të vitit 2022, për rastin “Parcelat në Vodno”, u dënua në shkallë të parë me shtatë vjet burg për pastrim parash, përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pasurisë.

    Po në të njëjtin muaj, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e vendosi atë në listën e sanksioneve për korrupsion. Në listë u përfshi edhe kompania e tij në Hungari, I.C.I.C. KFT./REL/

  • Lufta me Iranin i ka kushtuar Izraelit 11.5 miliardë dollarë deri tani

    Lufta me Iranin i ka kushtuar Izraelit 11.5 miliardë dollarë deri tani

    Lufta e Izraelit me Iranin i ka kushtuar deri tani shtetit hebre rreth 11.5 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të publikuar nga Ministria izraelite e Financave.

    Sipas raportimit, kostoja totale e konfliktit arrin në 35 miliardë shekelë, ndërsa autoritetet financiare izraelite vlerësojnë se buxheti aktual mund ta përballojë këtë barrë nëse përshkallëzimi nuk zgjerohet më tej.

    Megjithatë, sipas Haaretz, Ministria e Mbrojtjes kundërshton këtë përllogaritje, duke argumentuar se vetëm fushata kundër Iranit ka kushtuar rreth 39 miliardë shekelë, pa përfshirë operacionet në Liban dhe kostot afatgjata të rikuperimit.

    Zyrtarët e mbrojtjes pritet të kërkojnë rreth 9 miliardë dollarë shtesë, për të mbuluar operacionet ushtarake dhe rindërtimin pas konfliktit.

    Sipas Ministrisë së Financave, nga shuma totale e përllogaritur:

    -22 miliardë shekelë lidhen me shpenzime të drejtpërdrejta ushtarake;

    -12 miliardë shekelë me kompensimin e bizneseve dhe familjeve;

    -dhe 1 miliard shekelë me shpenzime civile shtesë.

    Raporti nënvizon gjithashtu se në kosto janë përfshirë edhe aktivitetet e ushtrisë izraelite në Liban, përfshirë mobilizimin e deri në 120 mijë rezervistëve.

  • Abdixhiku nuk i lë në kryesi Imri Ahmetin, Arben Gashin, Driton Selmanajn, Xhafer Tahirin…- Kush tjetër mbeti jashtë kryesisë së re të LDK’së

    Abdixhiku nuk i lë në kryesi Imri Ahmetin, Arben Gashin, Driton Selmanajn, Xhafer Tahirin…- Kush tjetër mbeti jashtë kryesisë së re të LDK’së

    Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës, njoftoi se lideri i saj, Lumir Abdixhiku, ka emëruar kryesinë e re të kësaj partie. Kryesia e tanishme ka 34 anëtarë. E njëjta, siç njoftoi LDK’ja, do të plotësohet me anëtarë nga përfaqësuesit e degëve të mëdha.

    Lista e re e LDK’së ka lënë jashtë shumë figura të vjetra të kësaj partie. Janë plot 14 anëtarë të LDK’së që s’kanë gjetur vendin në listën e re të kësaj partie, përderisa ata ishin pjesë e së vjetrës. Emra si Arben Gashi, Besa Gaxherri, Driton Selmanaj, Besnik Osmani e Imri Ahmeti, e Muhamet Hamiti, kanë mbetur jashtë listës së re të LDK’së.

    Emrat ngaLista evjetër që s’u bënë pjesë e listës së re.

    ‘‘Arben Gashi; Besa Gaxherri; Besnik Osmani; Driton Selmanaj; Elmire Nikçi Rexha; Florian Dushi; Imri Ahmeti; Lirije Kajtazi ; Mirjeta Kalludra; Muhamet Hamiti; Rrezarta Krasniqi; Visar Berisha; Vlora Dumoshi; Xhafer Tahiri’’.

    Lista e re e Abdixhikut, përveç largimeve, ka përfshirë edhe emra të rinj që më herët s’kanë qenë pjesë e kryesisë. Emra si Ukë Rugova, Fadil Hadergjonaj, Ermal Sadiku, e Festim Kabashi, janë përfshirë në kryesi.

    Emrat e rinj të kryesisë së LDK’së

    ‘‘Arbër Ismajli; Arjeta Salihu Abazi; Ermal Sadiku; Fadil Hadergjonaj; Festim Kabashi; Sokol Havolli; Ukë Rugova’’.

  • Kurti i rezervuar për presidentin: Jemi në konsultime me opozitën

    Kurti i rezervuar për presidentin: Jemi në konsultime me opozitën

    Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në horizont nuk po shihet që do të ketë ndonjë dakordim mes partive politike për këtë çështje.

    Kryeministri Albin Kurti është pyetur sot nga mediat nëse do të ketë ndonjë takim këtë javë për këtë çështje, mirëpo përgjigja e tij ishte e shkurtër.

    “Jemi në konsultime me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti.

    Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka dalë me një aktgjykim, ku ka caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë

    Prokurori special Naim Abazi ka përmbyllur fjalën përfundimtare duke kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, të cilët sot ndodhen para gjykatës.

    Ai theksoi se të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, duhet të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen me dënimin maksimal të paraparë me ligj, jo më pak se burgim të përjetshëm.

    Prokurori Abazi tha se vetëm një dënim i tillë reflekton peshën e krimit të kryer.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

  • Rama: Pallati që u dogj në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, s’mund t’i lëmë vetë njerëzit që u dëmtuan

    Rama: Pallati që u dogj në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, s’mund t’i lëmë vetë njerëzit që u dëmtuan

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarrin që ra pasditen e së martës në një pallat pranë spitalit “Nënë Tereza”.

    Me anë të një postimi në platformën “X”, Rama shkruan se pallati në kompleksin “Arlis”, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi.

    Ai gjithashtu falënderoi zjarrëfikësit dhe forcat e rendit për punën e tyre heroike.

    “Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithsesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falënderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara”, shkruan Rama.

  • Rrëzohet një ndërtim pa leje në Butovc të Prishtinës, Përparim Rama publikon pamje

    Rrëzohet një ndërtim pa leje në Butovc të Prishtinës, Përparim Rama publikon pamje

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar pamje nga rrëzini i një ndërtimi pa leje në fshatin Butovc.

    “Rrënimi i ndërtimit pa leje në Butovc”, shkroi ai mbi një video të publikuar në Facebook.

    Të dielën Rama paralajmëroi rrënimet e të gjitha ndërtimeve pa leje.

    “Të gjitha ndërtimet pa leje do të rrënohen. ❌ Ju keni mundësinë që, brenda afatit paralajmërues të dhënë nga Inspeksioni i Komunës, t’i demoloni vetë këto ndërtime dhe të tërhiqni materialet tuaja, si rasti këtu 👇 Shfrytëzojeni këtë mundësi për të shmangur pasoja të mëtejshme dhe për të kontribuar në një qytet më të rregullt dhe më të sigurt për të gjithë 🤝”, shkroi ai në një postim në Facebook.

  • Vuçiq me Dodikun e oficerë ushtarakë: Gjendja e sigurisë më e ndërlikuar për shkak të aleancës Prishtinë-Tiranë-Zabreg, të armatosemi

    Vuçiq me Dodikun e oficerë ushtarakë: Gjendja e sigurisë më e ndërlikuar për shkak të aleancës Prishtinë-Tiranë-Zabreg, të armatosemi

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq foli për gjendje “më të ndërlikuar” të sigurisë për shkak të, siç thotë, “aleancës” Prishtinë-Tiranë-Zagreb, pas një takimi me zyrtarë të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, oficerë ushtarakë e udhëheqës të Republika Srpska-s në Bosnjë, përfshirë Millorad Dodikun.

    Ai ka njoftuar një paketë të gjerë masash për modernizimin dhe robotizimin e ushtrisë serbe, duke përfshirë formimin e njësive me platforma të robotizuara dhe divizioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë, ndërsa ka publikuar disa fotografi nga takimi në kazermën “Banjica”.

    “Si komandant suprem i Ushtrisë së Serbisë, kam propozuar sot hartimin dhe miratimin e strategjisë së robotizimit, formimin e një njësie të rangut të batalionit të pajisur me platforma të robotizuara, kryerjen e përgatitjeve organizative për formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve sulmues me rreze të gjatë dhe municionit shëtitës, stërvitjen e njësive speciale zbulimore për përcaktimin e koordinatave të objektivave për drejtimin e zjarrit të artilerisë dhe aviacionit, si dhe pajisjen dhe aftësimin e mëtejshëm për përdorimin e dronëve në njësitë e tjera”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “U kam kërkuar oficerëve që në këtë periudhë revolucionare ndryshimesh në ushtrinë tonë, me entuziazëm të madh dhe përkushtim edhe më të madh, të marrin pjesë në digjitalizimin dhe robotizimin e ushtrisë sonë, si dhe në përdorimin e raketave më të fuqishme dhe më moderne”, shtoi Vuçiq.

    Theksi kryesor i deklarimit të tij ishte te përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajon, sipas tij. Vuçiq tha se gjendja është më e ndërlikuar se në fillim të vitit, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me atë që e quajti “aktivitetet e aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.

    “Gjendja e sigurisë është disi më e ndërlikuar sesa në janar, kur iu drejtuam, para së gjithash për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Përcaktimi ynë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin nuk ka ndryshuar, dhe këtë mund ta ruajmë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fortë dhe të fuqishëm”, shkroi ai.

    Në ditët në vijim, Vuçiq paralajmëroi nënshkrimin e kontratave “shumë të rëndësishme për furnizimin me mjete armatimi dhe pajisje ushtarake”.

    “Na presin vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, në mënyrë që të bëjmë porosi të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën e ardhshme do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka për të cilën kemi folur sot. Do të vazhdojmë të zhvillohemi më tej në të gjitha aspektet. Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me interoperabilitetin më të theksuar dhe me kapacitetet më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë se kaq”, tha ai.

    Vuçiq tha se së bashku me Dodikun dhe udhëheqjen në RS po i shqyrtojnë “rreziqet e mundshme për sigurinë e vendit”. Ai tha se po e shqyrtojnë edhe “gjendjen e fuqisë sonë ushtarake, mbrojtjen dhe kapacitetet që planifikojmë t’i blejmë për t’i përmirësuar më tej këto aftësi”.