ATV

Author: K.B.

  • Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje për ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel

    Kuvendi i Shqipërisë mban një minutë heshtje për ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel

    Senaca plenare e ditës se sotme nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliott Engel.

    “Eliot Engel ishte mik i madh i shqiptarëve dhe mbështetës i fortë i çështjes sonë kombëtare. I paharruar qoftë kujtimi i tij”, tha kryeparlamentari, Niko Peleshi.

  • Vdekjet në vendet e punës, Jashari: Qëllimi i inspektimit është rritja e sigurisë

    Vdekjet në vendet e punës, Jashari: Qëllimi i inspektimit është rritja e sigurisë

    Inspektorati Qendror i Punës sot ka dalë në terren për të inspektuar bizneset në tri komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj, lidhur me sigurinë e punëtorëve.

    Kjo për shkak të numrit të lartë të tyre që kanë humbur jetën në vendet e punës.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit Qendror, Kastriot Jashari, deklaroi para mediave se qëllimi i këtij inspektimi është rritja e sigurisë për të gjithë qytetarët.

    “Bizneset, subjektet afariste për ne janë partnerë, por partneriteti ka edhe obligime dhe respektim të normave ligjore. Në kuadër të kësaj ne po përpiqemi t’i ndryshojmë disa praktika në mënyrë që të dihet qartë respektimi i kushteve të sigurisë së punës për të gjithë qytetarët”, deklaroi Jashari.

    Muajve të fundit ka statistika shqetësuese të vdekjes në vendet e punës.

    Në 4 muaj, 8 persona humbën jetën.

    E rasti i fundit ishte dje në qytetin e Shtimës.

  • Këshilltari ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit kërcënon të fundosë anijet amerikane

    Këshilltari ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit kërcënon të fundosë anijet amerikane

    Këshilltari ushtarak i udhëheqësit suprem të Iranit paralajmëroi se Teherani do të fundosë anijet amerikane në ngushticën e Hormuzit nëse SHBA vendos të “patrullojë” këtë rrugë të ngushtë ujore, raporton “The Guardian“.

    Mohsen Rezaei, ish-komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), i cili u emërua këshilltar ushtarak nga Mojtaba Khamenei muajin e kaluar, gjithashtu kërcënoi se do të marrë peng ushtarët amerikanë nëse ata zbarkojnë në tokë dhe do të “kërkojë një miliard dollarë për secilin të kapur”.

    “Trump dëshiron të bëhet polic i ngushticës së Hormuzit, por ne në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqemi nga dhjetë kushtet tona në negociatat e shkurtra për një bllokadë detare”, ka deklaruar Rezaei.

    Sipas tij, zgjatja e armëpushimit nuk është në favorin e Iranit.

    “Zgjatja e armëpushimit nuk është aspak në favorin tonë; ky është mendimi im personal. Presionet duhet të intensifikohen. Hedhëset tona tani janë të drejtuar drejt anijeve dhe ne do t’i fundosim të gjitha. Një armëpushim do të ketë kuptim vetëm kur të gjitha marrëveshjet dhe të drejtat tona të jenë përmbushur dhe një deklaratë të jetë dorëzuar në këshillin e sigurisë [të Iranit].”, ka shtuar ai.

    Bllokada e SHBA-së ndaj anijeve që përdorin portet iraniane në Gjirin Persik hyri në fuqi të hënën në mbrëmje si kundërpërgjigje ndaj mbylljes pothuajse të plotë të ngushticës së Hormuzit nga Irani që nga fillimi i luftës.

    Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se ndaloi 10 anije të largoheshin nga portet iraniane gjatë 48 orëve të para të bllokadës, por të dhënat e gjurmimit të anijeve treguan se të paktën tre anije që u nisën nga portet iraniane kaluan ngushticën e Hormuzit, megjithëse disa mjete lundruese më vonë u kthyen mbrapsht.

  • Momenti që nuk u pa në televizor: Dy yjet e Realit u fjalosën ashpër me njëri-tjetrin gjatë ndeshjes me Bayernin

    Momenti që nuk u pa në televizor: Dy yjet e Realit u fjalosën ashpër me njëri-tjetrin gjatë ndeshjes me Bayernin

    Pas fitores 4-3 (6-4 në total) të Bayern Munich ndaj Real Madridit, që solli eliminimin e “Los Blancos” nga Liga e Kampionëve në fazën çerekfinale, kanë dalë pamje të papublikuara më parë që tregojnë një përplasje mes dy lojtarëve të skuadrës madrilene dhe situata nuk duket aspak e mirë.

    Të mërkurën, Reali udhëtoi drejt “Allianz Arena” me një disavantazh prej një goli, por rezultati i përgjithshëm u barazua shumë shpejt nga Arda Guler, i cili përfitoi nga një gabim në pasim i Manuel Neuer që në minutën e parë.

    Në një ndeshje jashtëzakonisht të luftuar, Aleksandar Pavlovic shënoi me kokë për të barazuar rezultatin e ndeshjes dhe për të kaluar Bayernin në avantazh në total vetëm pesë minuta më vonë. Më pas, një goditje dënimi perfekte nga Guler e çoi rezultatin në 2-1 (3-3 në total) për Realin rreth minutës së 30-të.

    Por kapiteni i Anglisë, Harry Kane, realizoi golin e tij të 50-të të sezonit në minutën e 38-të, duke rikthyer sërish Bayernin në kontroll të përballjes.

    Në minutën e 42-të, Vinicius Junior asistoi për Kylian Mbappe, i cili shënoi nga afër për të barazuar shifrat në total 4-4 para pushimit.

    Kur ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, ish-lojtari i Liverpoolit, Luis Diaz, realizoi një goditje të fuqishme me të djathtën në minutën e 89-të, duke i dhënë Bayernit avantazhin 5-4 në total.

    Ky gol erdhi vetëm pak minuta pasi Eduardo Camavinga u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Realin me 10 lojtarë në fushë.

    Megjithatë, pas ndeshjes kanë dalë edhe pamje që sugjerojnë një përçarje brenda skuadrës së Real Madridit. Një video e publikuar online tregon Jude Bellingham dhe Vinicius Jr duke bërë gjeste të ashpra ndaj njëri-tjetrit.

    Sipas mediumit spanjoll MARCA, braziliani është drejtuar anglezit me fjalët: “Çfarë do? Mbylle gojën”, si reagim ndaj ankesave të këtij të fundit.

    Sipas të dhënave të UEFA-s, Vinicius nuk arriti të kompletojë asnjë pasim drejt Bellingham gjatë ndeshjes, ndërsa ish-lojtari i Dortmundit arriti ta gjejë sulmuesin katër herë me pasime.

  • Kapën në Nashec të Prizrenit duke peshkuar ilegalisht, tre persona shoqërohen në polici

    Kapën në Nashec të Prizrenit duke peshkuar ilegalisht, tre persona shoqërohen në polici

    Një rast i peshkimit ilegal është parandaluar dje, në Nashec të Prizrenit.

    Sipas Federatës së Peshkatarëve, tek ura e Nashecit, tre persona kanë ushtruar peshkim në mënyrë të paligjshme me rrjeta krahu.

    “Pas vërejtjes nga ana jonë, personat janë larguar në drejtim të Nashecit deri në Lukinjë përmes ujit, me një lundër me motor. Pas hetimeve të zhvilluara, Policia e Kosovës ka arritur t’i identifikojë personat dhe t’i shoqërojë në stacion policor së bashku me lundrën me motor”, thuhet në njoftimin e federatës.

    Tutje bëhet e ditur se rasti është hapur ndaj personave për peshkim të kundërligjshëm, si dhe për tre thika që janë gjetur në barkë, deri lundra është konfiskuar deri në vendimin e gjykatës.

  • Zbardhen detajet, dyshohet se një i mitur i vuri flakën mbeturinave të marketit – Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

    Zbardhen detajet, dyshohet se një i mitur i vuri flakën mbeturinave të marketit – Çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

    Detaje të reja kanë dalë nga zjarri që përfshiu një pallat pranë QSUT, ku për pasojë u dëmtuan 71 apartamente.

    Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se policia ka siguruar kamerat e sigurisë të bizneseve përreth marketit ku dyshohet se nisi zjarri.

    Sipas pamjeve, rreth orës 16:30 të së martës, një fëmijë shihet duke luajtur në pjesën e pasme të marketit, në katin e parë të pallatit. Pranë fasadës ndodheshin kartona të grumbulluar. Nuk dallohet qartë momenti i ndezjes së zjarrit, por i mituri qëndron për disa sekonda pranë tyre. Menjëherë pasi largohet, në zonë nis të dalë tym. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke u aktivizuar fillimisht në ambientet e marketit dhe më pas duke përfshirë të gjithë fasadën e pallatit, çka solli dëme të mëdha materiale dhe panik tek banorët.

    Salla operative eshtë njoftuar për ngjarjen në orën 16:50. /Tch/

  • Vdekja e punëtorit në Shtime, prangoset një person

    Vdekja e punëtorit në Shtime, prangoset një person

    48-vjeçari, Isuf Bislimi është punëtori i cili vdiq tragjikisht të mërkurën në vendin e tij të punës në Shtime.

    Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ishte dërguar në emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor pasi që i njëjti dyshohet se derisa ka qenë duke punuar në një kompani, kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e tij. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Lidhur me rastin një person mashkull kosovar, me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

    Vdiq në vendin e punës, Komuna e Shtimes telegram ngushëllimi për familjen e Isuf Bislimit

  • Këngëtarja amerikane përfundon në spital pas pickimit nga merimanga helmuese në Meksikë

    Këngëtarja amerikane përfundon në spital pas pickimit nga merimanga helmuese në Meksikë

    Këngëtarja amerikane, Taylor Momsen, ka përfunduar në spital pasi u pickua nga një merimangë helmuese gjatë turneut të saj në Meksikë.

    Momsen ndodhet aktualisht në turne me grupin e saj The Pretty Reckless, i cili po performon si grup mbështetës për legjendarët AC/DC.

    Ngjarja ndodhi gjatë qëndrimit të saj në Meksikë, ndërsa vetë këngëtarja tregoi në rrjetet sociale se ishte detyruar të kërkonte ndihmë mjekësore pas pickimit.

    Ajo publikoi në Instagram foto të këmbës së dëmtuar dhe bëri të ditur se, pavarësisht dhimbjeve dhe qëndrimit në spital, kishte planifikuar të vazhdonte me koncertet.

    Një ditë më vonë konfirmoi se kishte kaluar natën në spital, ku mori trajtimin e nevojshëm nga mjekët.

    Sipas saj, pickimi i merimangës shkaktoi një reagim të fortë në organizëm, duke e detyruar të merrte një injeksion para një performance në Mexico City.

    Megjithatë, ajo arriti të ngjitet në skenë dhe të vazhdojë turneun pavarësisht gjendjes shëndetësore.

    Kjo nuk është hera e parë që Momsen përballet me incidente të pazakonta.

    Më herët, gjatë një koncerti në Spanjë, ajo u pickua nga një lakuriq nate, çka tërhoqi vëmendje të madhe mediatike.

  • Roboti ndjek një tufë derrash të egër në Poloni, video bëhet virale

    Roboti ndjek një tufë derrash të egër në Poloni, video bëhet virale

    Robotët humanoidë mund të mos jenë ende gati për t’u marrë me punët tona të përditshme, por ata padyshim po bëjnë shumë përshtypje.

    Qoftë duke shfaqur lëvizje tërheqëse të arteve marciale apo duke luajtur në fushë tenisi, robotët humanoidë po bëjnë përparim të vazhdueshëm.

    Tani, një rast i ri përdorimi i tyre ka impresionuar rrjetet sociale pasi një robot i personalizuar Unitree G1 u pa duke vrapuar në rrugët e Varshavës, Poloni, duke ndjekur një tufë derrash të egër, sipas një raporti në New York Post.

    Në klip, roboti vrapon nëpër bari ndërsa derrat e egër largohen me vrap.

  • KRU Mitrovica paralajmëron shkyçje nga rrjeti për konsumatorët që nuk kanë përmbushur obligimet

    KRU Mitrovica paralajmëron shkyçje nga rrjeti për konsumatorët që nuk kanë përmbushur obligimet

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka paralajmëruar masa ndaj konsumatorëve që nuk u janë përmbajtur afateve të përcaktuara për përmbushjen e obligimeve të tyre.

    Sipas njoftimit, të gjithë konsumatorët që janë njoftuar paraprakisht përmes procesverbaleve nga kontrolla dhe nuk kanë vepruar brenda afateve, do të përfshihen në procesin e shkyçjes nga rrjeti i ujit.

    “Të gjithë konsumatorët që janë njoftuar paraprakisht përmes procesverbaleve nga Kontrolla, dhe deri më tani nuk i janë përmbajtur afateve të përcaktuara, do të përfshihen në procesin e shkyçjes nga rrjeti i ujit, pa dallim”, thuhet në njoftim.

    Nga kjo kompani u bëhet thirrje qytetarëve që të veprojnë me kohë për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me ujë.

    “Veproni në kohë për të shmangur ndërprerjen e shërbimit”, theksohet më tej në njoftim.

    KRU “Mitrovica” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.