ATV

Author: K.B.

  • Ardian Gjini largohet nga kreu i AAK-së në Gjakovë, Flamur Fetahaj zgjidhet kryetar i ri

    Ardian Gjini largohet nga kreu i AAK-së në Gjakovë, Flamur Fetahaj zgjidhet kryetar i ri

    Flamur Fetahaj është zgjedhur kryetar i degës së AAK-së në Gjakovë, komunë që qeveriset nga kjo parti politike.

    Për këtë ka njoftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili uroi Fetajn, dhe përgëzoi Ardian Gjinin për punën e deritashme.

    Gjini syno të marrë drejtimin e AAK-së, pasi themeluesi i saj Ramush Haradinaj kishte treguar se nuk do të garojë më në krye të partisë.

    “Gjakova e dijes, kulturës dhe atdhedashurisë, për shumë mandate ia besoi Aleancës udhëheqjen me komunën. Nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini, një prej më të vlerësuarve në qeverisje lokale, Gjakova ka fituar dinjitetin e një qyteti që zhvillohet me punë, me përkushtim dhe me rezultate konkrete. Investimet e shumta, projektet transformuese dhe qasja e drejtë ndaj çdo qytetari e kanë kthyer këtë qytet në një model të mirëqeverisjes lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo mbështetje e fuqishme dhe vendosmëria për të vazhduar rrugën e zhvillimit u konfirmuan edhe sot, në Kuvendin Zgjedhor të X-të të Degës, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese”.

    “Përgëzoj për zgjedhjen si kryetar i Degës, Flamur Fetahajn, aktualisht nënkryetar i komunës, një kuadër i dëshmuar dhe i përkushtuar, i cili shquhet për angazhimin dhe shërbimin e tij ndaj qytetarëve të Gjakovës. Mirënjohje ndaj kryetarit të deritanishëm të Degës, Ardian Gjini dhe strukturave që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar që Aleanca të jetë forca e parë politike në Gjakovë. Kryetarit të sapozgjedhur, Flamur Fetahaj, si dhe të gjitha strukturave të reja të zgjedhura nga ky Kuvend, ju uroj mbarëvajtje dhe suksese në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të marra”, ka thënë Haradinaj.

  • Beteja e Koshares dhe rënia e Sali Çekajt, Rama: Momente të mëdha të kthesës sonë historike

    Beteja e Koshares dhe rënia e Sali Çekajt, Rama: Momente të mëdha të kthesës sonë historike

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka kujtuar Betejën e Koshares dhe rënien e heroit të Kombit, Sali Çekajn.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se këto dy ngjarje janë një nga momentet më të mëdha të kthesës historike.

    Rama, tutje thekson se Beteja e Koshares shënoi jo vetëm një fitore ushtarake, por, sipas tij, një pikë kthese në artikulimin politik të së drejtës së Kosovës për liri dhe sovranitet.

    “Rënia e Sali Çekaj dhe sakrifica e bashkëluftëtarëve të tij i dhanë legjitimitet të pakthyeshëm kauzës sonë në arenën ndërkombëtare. Ky moment historik mbetet themel mbi të cilin ndërtohet përgjegjësia jonë politike sot: forcimi i shtetit, konsolidimi i demokracisë dhe mbrojtja e lirisë si vlerë e panegociueshme”.

  • Izraeli publikon hartën e territorit të Libanit jugor që pretendon se e ka nën kontroll

    Izraeli publikon hartën e territorit të Libanit jugor që pretendon se e ka nën kontroll

    Ushtria izraelite publikoi për herë të parë një hartë të vijës së saj të re të vendosjes brenda Libanit të dielën, duke vënë nën kontrollin e saj dhjetëra fshatra libanezë kryesisht të braktisura, disa ditë pasi hyri në fuqi një armëpushim me Hezbollahun, raporton Reuters.

    Nuk pati komente të menjëhershme nga zyrtarët libanezë ose nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani.

    Izraeli dhe Libani ranë dakord të enjten për një armëpushim të mbështetur nga SHBA-të në luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut.

  • Alarm në Austri- Gjendet helm për minjtë në kavanozin me ushqim për fëmijë HiPP, tërhiqet nga marketet

    Alarm në Austri- Gjendet helm për minjtë në kavanozin me ushqim për fëmijë HiPP, tërhiqet nga marketet

    Alarm për sigurinë ushqimore në Austri, pasi në një kavanoz me ushqim për foshnje është zbuluar helm për minjtë.

    Policia bëri të ditur se substanca toksike u identifikua në një produkt me karota dhe patate të kompanisë HiPP, i raportuar fillimisht nga një klient. Pas analizave laboratorike, mostra rezultoi pozitive për helm, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin publik.

    Ngjarja ka çuar në tërheqjen urgjente të produktit nga disa markete, ku rreth 1,500 subjekte në Austri janë prekur nga masa parandaluese.

    Autoritetet në rajonin e Burgenland bëjnë të ditur se kavanozët kishin kapakë të dëmtuar, mungesë të vulës së sigurisë apo erë të pazakontë. Ndërkohë, hetimet janë shtrirë edhe jashtë vendit, pasi mostra të ngjashme në Republika Çeke dhe Sllovakia kanë treguar gjithashtu praninë e substancave toksike.

    Sipas kompanisë HiPP, ekziston dyshimi për ndërhyrje të jashtme kriminale në zinxhirin e shpërndarjes, duke theksuar se konsumimi i produktit mund të jetë kërcënues për jetën.

    Ndërkohë, qytetarët këshillohen të mos konsumojnë produktet e blera dhe t’i kthejnë ato në dyqane për rimbursim.

    Ngjarja ka rikthyer vëmendjen tek siguria ushqimore në Evropë, ndërsa priten zhvillime të tjera nga hetimet në vijim. /Top Channel

  • Tragjedia e shqiptares që shokoi Greqinë, sekretet e fshehura në “dhomën 10”

    Tragjedia e shqiptares që shokoi Greqinë, sekretet e fshehura në “dhomën 10”

    Autoritetet greke po përpiqen të bashkojnë pjesët e enigmës për të formuar pamjen e natës fatale të së hënës së Pashkëve në Argostoli, kur 19-vjeçarja me origjinë shqiptare, Mirto, humbi jetën.

    19-vjeçarja, për vdekjen e së cilës tre persona janë lënë në paraburgim, dyshohet se ka përdorur dy herë kokainë, gjë që vërtetohet nga testet toksikologjike.

    Por a mund të ishte shpëtuar Mirto nëse tre “shokët” e saj nuk do ta kishin lënë vetëm dhe të pafuqishme në trotuarin e sheshit qendror të Argostolit?

    28 minutat në të cilat autoritetet janë përqendruar duket se zbulojnë saktësisht se çfarë ndodhi në “dhomën 10” të hotelit. Këto janë minutat dramatike kur Mirto humbet ndjenjat.

    Në orën 4:02 të mëngjesit, dëshmitari 66-vjeçar thotë se 19-vjeçarja ishte mirë në video-telefonatën që patën.

    Në orën 4:20, 18 minuta më vonë, 26-vjeçari trokiti në derën e mikut të tij në dhomën tjetër për ndihmë.

    Mirto humbi ndjenjat brenda atyre minutave dhe askush nuk e specifikon kohën e saktë.

    Kaluan edhe 11 minuta të tjera dhe në orën 4:31, kamerat regjistruan 26-vjeçarin duke mbajtur në krahë Mirton e pavetëdijshme.

    Mirto mbërriti në spitalin e Argostolit pa ndjenja dhe, megjithëse stafi mjekësor ndoqi protokollin dhe e intubuan, ishte tepër vonë.

    Presidenti i Unionit të Oficerëve të Policisë të Atikës Verilindore, George Kalliakmanis, bëri një zbulim të bujshëm në lidhje me vdekjen e 19-vjeçares.

    Fillimisht, ai theksoi, duke folur për STAR, se pika e fundit që bie mbi drogën ishte vdekja e vazjës së re, pasi problemi në ishull ka qenë serioz prej disa vitesh.

    Më pas ai zbuloi se një rol qendror në këtë rast luan burri 66-vjeçar i cili i dërgoi 220 euro Mirtos menjëherë pas një video-telefonate që u zhvillua midis burrit të moshuar dhe vajzës së re.

    Megjithatë, ajo që është tronditëse është se “kishte një plan për ta futur vajzën në prostitucion”, një plan që nuk u zbatua për shkak të fundit tragjik të Mirtos.

    Së fundmi, Kalliakmanis theksoi se në këtë rast është edhe një grua e dytë e re, një 18-vjeçare, e cila ndodhej në dhomën 11, pranë dhomës së Mirtos.

    Sekreti i braktisjes së Mirtos nga tre të akuzuarit fshihet në Peloponez.

    Faza e parë e çështjes së vdekjes së Mirtos nga Kefalonia u përfundua me paraburgimin e të tre të pandehurve, por edhe me funeralin e vajzës 19-vjeçare po në të njëjtën ditë që ata u gjykuan, gjë që e zhyti ishullin, por edhe të gjithë shoqërinë, në zi.

    Tani, autoritetet po përpiqen të bashkojnë pjesët e enigmës dhe të arrijnë një zgjidhje të plotë për çështjen.

    Kjo do të ndodhë kur të sqarohet se çfarë po bënin të rinjtë në dhomën që kishin marrë me qira, çfarë roli luajti secili prej tyre individualisht dhe së bashku, dhe nëse janë të përfshirë të tjerë, përveç tre të paraburgosurve.

    Sipas mediave greke, një figurë kyçe në këtë rast, është edhe ish-i dashuri i viktimës.

    Sipas të njëjtave informacione, ai kishte deklaruar se kishte vënë re që Mirto po futej në një “rrugë jo të mirë”, dhe ishte përpjekur që ta shkëpuste.

    Ish-i dashuri i Mirtos, sipas të njëjtave informacione, dyshohet se i ka kërcënuar dy të rinjtë që të ndërprisnin kontaktet me 19-vjeçaren.

    Kërcënimet dhe paralajmërimet mund të kenë luajtur një rol në faktin që dy të rinjtë vendosën të mbulonin gjurmët dhe të përpiqeshin të shmangnin çdo përfshirje në vdekjen e vajzës.

    Nga frika e kërcënimeve, ata e braktisën atë në shesh, dhe pjesa tjetër është histori dhe po shqyrtohet me kujdes nga autoritetet.

    66-vjeçari nga Preveza, i cili dyshohet se i transferoi shumën prej 220 eurosh Mirtos natën fatale, të cilin as nuk e njihte, është vënë edhe nën mikroskopin e oficerëve të sigurisë, një fakt që e ndërlikon edhe më tej çështjen./Top Channel

  • Tragjedi në ShBA, tetë fëmijë të vrarë

    Tragjedi në ShBA, tetë fëmijë të vrarë

    Tetë fëmijë janë vrarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ngjarja tragjike ndodhi pas të shtënave masive që pati sot në Shreveport të Louisianës.

    Siç shkruan NBC News, zyrtarët policorë të Departamentit të Shreveportit iu përgjigjën thirrjes së bllokut 300 të West 79th Street menjëherë pas orës 6 të mëngjesit (sipas orës lokale) pas raportimeve për një shqetësim familjar.

    Zëdhënësi i policisë Christopher Bordelon e përshkroi skenën e krimit si “të gjerë”, që përfshin dy shtëpi në zonë dhe një të tretë në “Harris Street”, aty pranë.

    Dhjetë persona u qëlluan, ku tetë prej tyre mbetën të vrarë. Viktimat janë të moshës nga 1 deri në 14 vjeç, bëri të ditur Bordelon në një konferencë për shtyp. Ai tha se të shtënat ndodhën të shtunën në mbrëmje.

    “Personi përgjegjës, sapo u largua nga vendi i ngjarjes, kreu një grabitje makine këtu, shumë afër qoshes së West 79th dhe Lynnwood, në të cilën kohë, zyrtarët e patrullës së policisë së Shreveport e ndoqën automjetin”, tha Bordelon.

    Zyrtarët policorë qëlluan dhe vranë të dyshuarin gjatë ndjekjes, shtoi tutje Bordelon.

  • Çështja e Presidentit, Sadiku për VV-në: Këta janë manipulantë fantastikë

    Çështja e Presidentit, Sadiku për VV-në: Këta janë manipulantë fantastikë

    Nesër me fillim nga ora 11:00 kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministër i Kosovës Albin Kurti, do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhikun, për të diskutuar lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

    Për këtë temë në emisonin Info Magazine në Klan Kosova ka folur deputeti i LDK-së Ermal Sadiku.

    Ai u shpreh se nuk ka ndonjë pritje për këtë takim, dhe sipas tij, në VV janë manipulantë fantastikë

    “Këta janë manipulantë fantastikë, krejt tjetër çka flasin dhe në fund krejt tjetër çka veprojnë. Këta flasin për një emër të përgjithshëm, a partiak dhe në fund e qesin në vota Glauk Konjufcën. Nuk mundem t’i marrë seriozisht politikanët që tjetër çka flasin dhe tjetër çka veprojnë dhe kështu kanë qenë gjithë jetën e tyre”, u shpreh deputeti i LDK-së në Klan Kosova.

    “Përbesë nuk po mundem t’i komentojë, po ndihem keq kur po i dëgjoj se çka po thonë e pastaj se çka po bëjnë”, theksoi Sadiku.

    Për zgjedhjen e shefit/es së shtetit ka kohë deri më 28 prill.

    Ky është afati kushtetues, kur Kosova duhet ta ketë të zgjedhur Presidentin, për të shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme.

  • Dalin pamjet, si nisi zjarri te ndërtesa në Tiranë që dogji 30 banesa

    Dalin pamjet, si nisi zjarri te ndërtesa në Tiranë që dogji 30 banesa

    Janë publikuar pamjet nga momenti i shpërthimit të zjarrit që “përpiu” gjysmën e pallatit 12-katësh në Tiranë, pak ditë më parë.

    Sipas videos, flakët kanë nisur nga mbeturinat e një marketi të vendosur në përdhes të pallatit, duke u përhapur me shpejtësi.

    Si pasojë e zjarrit të madh i cili shpërtheu të martën e kaluar, 30 banesa u shkrumbuan ndërsa dhjetëra familje mbetën pa strehë, ka njoftuar

  • Nga Forumi i Antalyas, Osmani falënderon Katarin për mbështetjen ndaj Kosovës

    Nga Forumi i Antalyas, Osmani falënderon Katarin për mbështetjen ndaj Kosovës

    Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalyas ka takuar liderë ndërkombëtarë që kanë mbështetur Kosovën.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se në kuadër të forumit ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme ndaj vendit dhe qytetarëve të tij.

    “Gjatë këtij viti në Forumin Diplomatik të Antalias, ishte kënaqësi të falendëroja liderët që kanë mbështetur vendin tonë dhe kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës. Me këtë rast, shpreha mirënjohjen ndaj Emirit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, si dhe ndaj Kryeministrit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani”, shkroi Osmani.

  • Arrestohen tre persona për grabitje në Ferizaj, konfiskohet një armë automatike

    Arrestohen tre persona për grabitje në Ferizaj, konfiskohet një armë automatike

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Ferizaj, pasi dyshohen për grabitje.

    Prangosja e tyre ka ndodhur mesditen e sotme në fshatin Slivovë të kësaj komune.

    Sipas policisë, fillimisht ishte arrestuar i dyshuari i parë, pas raportimit për grabitjen në një lokal në këtë fshat.

    “Me datë 19.04.2026, rreth orës 12:00, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një telefonatë nga një qytetar, i cili ka raportuar se në marketin e tij, në fshatin Slivovë të Ferizajt, kishte ndodhur një grabitje. Sipas ankuesit, një person mashkull, rreth 30 vjeç, i veshur me rroba të zeza, me syze dhe me shall të vendosur mbi fytyrë deri mbi hundë, kishte hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e një arme të gjatë kishte marrë paratë nga arka, për t’u larguar më pas në këmbë në drejtim të varrezave të fshatit.”, thuhet në njoftim.

    Aty thuhet se njësitet reaguese dhe ato të hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas rreth gjysmë ore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, duke konfiskuar edhe një armë automatike.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë. Rreth orës 12:50 është konfiskuar një armë e gjatë automatike e tipit AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale.”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë rast: R.H. 38 vjeç dhe V.S. 28 vjeç.

    “Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit për krime të rënda, i cili ka autorizuar hetuesit policorë për vazhdimin e hetimeve dhe intervistimin e të dyshuarve. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.”, përfundon njoftimi.