ATV

Author: K.B.

  • Inspektorati i Tregut konfiskon produkte jashtë standardeve, përfshirë mbi 900 lodra për fëmijë

    Inspektorati i Tregut konfiskon produkte jashtë standardeve, përfshirë mbi 900 lodra për fëmijë

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se me fillimin e stinës së pranverës, ka intensifikuar aktivitetet e mbikëqyrjes së tregut me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që qarkullojnë në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

    Sipas njoftimit zyrtar, fokusi i kësaj mbikëqyrjeje të shtuar ka qenë veçanërisht tek produktet e makinerisë, pajisjet personale mbrojtëse, lodrat për fëmijë, si dhe produkte të tjera të cilat, për nga natyra e përdorimit, paraqesin rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve.

    Si rezultat i inspektimeve të realizuara në terren, inspektorët e tregut të IQMT-së kanë identifikuar dhe larguar nga tregu një numër produktesh të pasigurta për përdorim.

    Këto produkte janë sekuestruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të mos prezantimit të dokumentacionit teknik përkatës dhe tejkalimit të skadimit të afatit.

    Produktet e sekuestruara janë si në vijim:

    -Makinë shpimi (trapan) – 13 copë;

    -Gërryese këndore – 5 copë;

    -Disqe për prerjen e hekurit dhe betonit – 426 copë;

    -Jelek sinjalizues – 251 copë;

    -Helmeta (kapela pune) – 114 copë;

    -Maska saldimi – 176 copë;

    -Ngjyra dhe llaqe – 11 copë;

    -Lodra për fëmijë – 931 copë.

    “IQMT mbetet e përkushtuar në garantimin e një tregu të sigurt dhe në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke u bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë standardet dhe kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve”.

  • Gruda i ashpër me Kurtin: Për keqardhje – me 51% po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, për inate personale

    Gruda i ashpër me Kurtin: Për keqardhje – me 51% po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, për inate personale

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar ashpër kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të tij sot për çështjen e presidentit.

    Gruda thotë se po të mos donte zgjedhje Kurti, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte sipas tij, as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë.

    “Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje.”

    Tashmë teksa afati po skadon, deputeti shprehet se deklaratat e tij më s’kanë peshë, sepse tash flasin veprimet e tij, që i quan destruktive.

    “Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.”

    Madje, sipas Grudës, është për keqardhje se si Kurti po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja për inate personale.

    “Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!”

  • Mediumi serb: BE do të ngrijë 1.5 miliard euro fonde të destinuara për Serbinë

    Mediumi serb: BE do të ngrijë 1.5 miliard euro fonde të destinuara për Serbinë

    BE-ja do të ngrijë paratë e destinuara për Serbinë, sepse vendi po bën hapa prapa në reformat pro-evropiane, mëson mediumi serb N1.

    Sipas mediumit në fjalë, kjo do të njoftohet zyrtarisht nga Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, në takimin e sotëm të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

    Kështu, Serbia mbetet pa 1.5 miliardë euro nga i ashtuquajturi “Plan i Rritjes” për shkak të reformave të diskutueshme gjyqësore.

    Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret pasi Komisioni i Venedikut të shpallë mendimin e tij mbi të ashtuquajturat “Ligjet e Mrdiqit”.

    Kos tashmë ka vlerësuar se me miratimin dhe zbatimin e këtyre ligjeve, Serbia po bën hapa prapa në rrugën e BE-së dhe ka kërkuar që zbatimi i tyre të pezullohet ligjërisht.

    Për më tepër, thekson mediumi serb, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me mundësinë e privimit nga më shumë se 700 milionë euro.

    Siç mëson N1, i gjithë Ballkani humbet mundësinë për të marrë ato para, nëse nuk arrin të përmbushë detyrat e reformës deri më 30 qershor.

    Këto janë reforma që duhej të zbatoheshin deri në fund të qershorit të vitit të kaluar, por ky afat është shtyrë ndërkohë, shton mediumi serb.

    “Kos do të paralajmërojë për këtë mundësi në takimin e sotëm të AFET-it, në mënyrë që vendet të kuptojnë se koha po mbaron”, shkruan ky medium.

  • Momenti kur Toka fshihet pas Hënës, video e rrallë e filmuar nga telefoni i astronautit të NASA-s

    Momenti kur Toka fshihet pas Hënës, video e rrallë e filmuar nga telefoni i astronautit të NASA-s

    Gjatë misionit të tyre 10-ditor në anën e paparë më parë të Hënës, ekuipazhi i Artemis II arriti diçka që asnjë njeri nuk e kishte bërë në 54 vjet. Ekuipazhi theu rekordin për udhëtimin më të gjatë të bërë nga njeriu rreth Hënës dhe kthim.

    Gjatë fluturimit shtatëorësh pranë Hënës, ekuipazhi dëshmoi disa momente që është e vështirë të përshkruhen me fjalë, duke përfshirë një eklips total diellor dhe një “Perëndim të Tokës”, siç e quajtën ata – ekuivalenti i një perëndimi dielli nga hapësira.

    Komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka publikuar një nga videot më mbresëlënëse të këtij misioni. Astronauti 50-vjeçar ka filmuar Tokën duke u zhdukur gradualisht pas Hënës duke përdorur iPhone 17 Pro Max, pajisje që iu dha secilit anëtar të ekuipazhit.

    Wiseman e përshkroi përvojën si një “mundësi që ndodh vetëm një herë në jetë” dhe shkroi në Twitter: “Si të shikoja perëndimin e diellit në plazh nga pika më e largët e universit, nuk munda t’i rezistoja bërjes së një videoje me telefonin tim. Mund të dëgjoni shkrehësin e Nikon ndërsa Christina Koch vazhdon të shkrepë dhe të kapë këto foto të jashtëzakonshme të Tokës përmes lentes së saj 400 mm. Victor Glover ishte në dritaren 3 duke parë me Jeremy Hansen pranë tij.”

    Në një koment në postim, komandanti i Artemis II shtoi gjithashtu: “Mezi mund ta shihja Hënën përmes dritares së portit të ankorimit, por iPhone ishte madhësia perfekte për të kapur pamjen. Kjo pamje është e papërpunuar, e pamodifikuar dhe me zmadhim 8x, që është mjaft e krahasueshme me syrin e njeriut. Shijojeni.”

    Misioni Artemis II u nis më 1 prill 2026 për një udhëtim dhjetëditor drejt Hënës dhe kthim. Më 6 prill, ekuipazhi përfundoi një fluturim 7-orësh rreth Hënës, përpara se të kthehej në Tokë më 10 prill, një moment që u ndoq në internet nga miliona njerëz në të gjithë botën.

  • Tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë në Japoni

    Tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë në Japoni

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi zonën detare pranë prefekturës Iwate në Japoni, duke shkaktuar menjëherë lëshimin e një paralajmërimi për cunami për pjesën më të madhe të bregdetit verilindor të vendit.

    Transmetuesi publik japonez NHK ka publikuar një hartë të zonave për të cilat autoritetet kanë lëshuar paralajmërime.

    Sipas lajmeve të NHK, njerëzve u është thënë të evakuohen menjëherë dhe një cunami është parë tashmë duke u drejtuar drejt bregdetit.

  • Asambleja Parlamentare në KiE, sot debatohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

    Asambleja Parlamentare në KiE, sot debatohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

    Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përfaqësuar nga Ardian Gola dhe Emilija Rexhepi, po merr pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po mbahet nga sot deri më 24 prill në Strasburg.

    Gjatë qëndrimit në Strasburg, ata do të marrin pjesë në punimet e sesioneve, mbledhjet e komiteteve dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të APKE-së.

    Bëhet e ditur se sot, në kuadër të sesionit, pritet të zhvillohet edhe debati për raportin mbi vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    “Ky raport është përgatitur nga delegacioni vëzhgues i APKE-së, i cili ka zhvilluar dy misione vëzhguese, një gjatë ditës së zgjedhjeve, më 28 dhjetor 2025 dhe një mision pas zgjedhor, të realizuar të premten e javës së kaluar, me 17 prill 2026”, thuhet në njoftim.

    Në këtë debat, krahas folësve të tjerë, pritet që edhe nënkryetari Gola t’u drejtohet anëtarëve të asamblesë, duke paraqitur vlerësimet për procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.

  • Kërkesa e PDK-së për ftesë zyrtare, Kusari-Lila: Nëse është e nevojshme ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim

    Kërkesa e PDK-së për ftesë zyrtare, Kusari-Lila: Nëse është e nevojshme ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka folur edhe për kërkesën e PDK-së, e cila ka kërkuar letër zyrtare për takim, sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.

    “Unë uroj që të ketë një qasje pozitive, megjithatë deri më tani kemi parë përpjekje të vazhdueshme vetëm nga njëra anë për të bërë zgjidhjen për emrin e presidentit apo presidentes. Po e ritheksoj që deri më tani ka pasur vetëm iniciativë apo nisë apo ftesë nga kryeministri Kurti, ndërsa Partia Demokratike me aq sa kemi dëgjuar të gjithë bashkë përmes opinionit publik është se pret një ofertë me shkrim”, tha ajo.

    Ministrja theksoi se, nëse është e nevojshme, ftesa mund të formalizohet edhe me shkrim, por sipas saj, thelbësore mbetet diskutimi për parimet dhe emrat konkretë, raporton Ekonomia Online.

    “Nëse ftesa duhet shkuar me shkrim, ndoshta edhe mund të bëhet, përkundër se duhet prapë të ulet e të diskutohet mbi parimin e zgjedhjes dhe emra konkretë të cilët edhe Partia Demokratike e Kosovës mund t’i propozojë për president të vendit. Për shkak se tashmë jemi në etapën finale që duhet të zgjidhet titullari i institucionit më të lartë në vend para se të ndodhë ajo që nuk e duam, që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ajo.

  • Kina dënon ndalimin me forcë të një anijeje iraniane nga ShBA-ja

    Kina dënon ndalimin me forcë të një anijeje iraniane nga ShBA-ja

    Kina ka shprehur shqetësim për ndalimin me forcë të një anijeje transportuese me flamur iranian nga Shtetet e Bashkuara dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit me përgjegjësi, raportoi Reuters.

    “Situata në Ngushticën e Hormuzit është e ndjeshme dhe e ndërlikuar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.

    Ai theksoi se palët duhet të shmangin çdo përshkallëzim dhe të krijojnë kushtet e nevojshme që lëvizja normale e anijeve në këtë zonë të rifillojë.

    Më herët, SHBA njoftoi se ka qëlluar dhe ka ndaluar një anije iraniane që po përpiqej të kalonte bllokadën ndaj porteve iraniane. Nga ana tjetër, ushtria e Iranit tha se anija po vinte nga Kina dhe paralajmëroi hakmarrje, duke e quajtur veprimin e SHBA-së “pirateri të armatosur”.

  • Zelanda e Re shpall gjendje të jashtëzakonshme në Wellington për shkak të përmbytjeve

    Zelanda e Re shpall gjendje të jashtëzakonshme në Wellington për shkak të përmbytjeve

    Zelanda e Re ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin e saj, Wellington, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet e menjëhershme përmbytën Ishullin Verior të vendit.

    Pamjet në internet tregojnë automjete të zhytura, pemë të shkulura dhe shtëpi të goditura nga rrëshqitjet e dheut. Wellington mori një rekord prej 77 mm (3 inç) shiu në më pak se një orë të hënën, tha kryebashkiaku Andrew Little.

    Autoritetet lokale i këshilluan banorët të ruheshin, me parashikime shiu për ditën e gjysmë të ardhshme. Disa fluturime në Aeroportin e Wellingtonit janë anuluar dhe disa shkolla kanë mbyllur kampuset e tyre.

    Më shumë se një duzinë personash janë evakuuar, ndërsa një burrë 60-vjeçar në periferinë Karori është raportuar i zhdukur. Deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë.

    Kjo seri përmbytjesh të menjëhershme vjen më pak se një javë pasi Cikloni Vaianu përfshiu Ishullin e Veriut fundjavën e kaluar.

    Hulumtimet gjatë viteve kanë treguar se ndryshimet klimatike i kanë bërë ngjarjet ekstreme të motit, përfshirë përmbytjet, më të zakonshme dhe më intensive në të gjithë botën.

    Zyra e menaxhimit të emergjencave për rajonin e Wellingtonit u ka këshilluar banorëve të ndërpresin ose vonojnë të gjitha udhëtimet jo thelbësore, dhe ata që banojnë në zona të ulëta ose të prirura ndaj përmbytjeve të marrin në konsideratë zhvendosjen tek miqtë dhe familjet e tyre për të paktën 24 orët e ardhshme.

    Misioni i Qytetit të Wellingtonit është ngritur për ata që kanë nevojë për strehim, shtoi zyra.

  • BE dhe Qeveria e Kosovës ndajnë 40 bursa Master për shërbyesit civilë

    BE dhe Qeveria e Kosovës ndajnë 40 bursa Master për shërbyesit civilë

    Bashkimi Evropian në Kosovë, Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi zbatues i përbërë nga Universiteti Aristotel i Selanikut dhe Institut National du Service Public, njoftojnë me krenari për përzgjedhjen e suksesshme të përfituesve të Raundit XVI të programit të bursave pasuniversitare të BE-së për qytetarët e Kosovës – Young Cell Scheme.

    Për të shënuar këtë arritje, të hënën, më 20 prill, në orën 17:00, në Ndërtesën e Qeverisë (Salla P38), Sheshi “Nënë Tereza”, Prishtinë, do të mbahet një Event i Mirëseardhjes.

    Në këtë event do të marrin pjesë përfaqësues nga Bashkimi Evropian në Kosovë, Qeveria e Kosovës, partnerët zbatues dhe përfituesit e bursave të këtij viti. Ky aktivitet do të shërbejë si një mundësi për të prezantuar parimet kryesore të programit dhe për të paraqitur zyrtarisht përfituesit e rinj të bursave.

    Mediat janë të ftuara të përcjellin këtë aktivitet. Ju lutemi të arrini jo më vonë se ora 16:45 për të mundësuar kohë për vendosjen e pajisjeve.

    Përmbledhje e Programit Young Cell Scheme

    Young Cell Scheme, programi i përbashkët i BE-së dhe Kosovës për bursa pasuniversitare për qytetarët e Kosovës, vazhdon të mbështesë mundësitë e arsimit të lartë për profesionistët e rinj, duke nxitur ekselencën akademike dhe duke forcuar kapacitetin udhëheqës të Kosovës në të ardhmen përmes arsimit të financuar nga BE-ja.

    Përfituesit do të kenë mundësinë të ndjekin programe Masteri të financuara plotësisht në universitete në shtetet anëtare të BE-së në fusha të ndryshme, përfshirë integrimin evropian dhe planifikimin e politikave, drejtësinë, ekonominë, digjitalizimin, inxhinierinë dhe fusha të tjera akademike. Pas përfundimit të studimeve, të gjithë përfituesit do të punojnë në shërbimin civil të Kosovës për tre vjet. Duke u angazhuar në shërbimin civil, programi ndihmon që njohuritë e fituara të përdoren në mënyrë efektive në Kosovë.