ATV

Author: K.B.

  • Dogana zbulon deklarim të pasaktë të mallrave në Prizren, diferenca 29 mijë euro

    Dogana zbulon deklarim të pasaktë të mallrave në Prizren, diferenca 29 mijë euro

    Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në Prizren, ku gjatë kontrollit u konstatuan mospërputhje në emërtim dhe vlerë të mallit.

    Sipas autoriteteve, diferenca në vlerën e mallrave arrin rreth 29 mijë euro, duke përbërë kundërvajtje doganore sipas Kodit Doganor.

    Zbulohet deklarimi i pasaktë i mallrave dhe shmangie të taksave

    Prizren, 16 Prill 2026 — Gjatë kontrollit të një dërgese të paraqitur për inspektim në emër të një subjekti, zyrtarët e ekzaminimit pranë ZBD Prizren kryen harmonizimin e dokumentacionit dhe më pas ekzaminimin fizik të mallrave.

    Kontrolli përfshiu verifikimin e origjinës, sasisë, përshkrimit dhe karakteristikave të tjera të dërgesës.

    Gjatë ekzaminimit u konstatuan pabarazi dhe deklarim i pasaktë në emërtimin e mallrave, çka rezultoi në dallim të vlerës së mallrave në shumën rreth 29,000 €.

    Në bazë të këtyre gjetjeve, veprimet përbëjnë kundërvajtje doganore sipas Nenit 244 (pika 1.2) të Kodit Doganor Nr. 08/L‑247 — paraqitje e deklaratës me të dhëna të pasakta ose jo të plota dhe përshkrim të pamjaftueshëm të mallrave.

    Dogana e Kosovës vijon procedurat ligjore përkatëse dhe bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen dhe ndëshkimin e shkeljeve, me qëllim mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të konkurrencës së drejtë në treg.

  • Taulant Qenaj emërohet Këshilltar për Media i Kryeministrit Kurti

    Taulant Qenaj emërohet Këshilltar për Media i Kryeministrit Kurti

    Gazetari Taulant Qenaj është emëruar këshilltar politik për media i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Qenaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

    “Me kënaqësi ju njoftoj se kam filluar një kapitull të ri profesional. Jam emëruar Këshilltar Politik për Media i Kryeministrit. Mirënjohës kryeministrit, Albin Kurti për këtë mundësi dhe i motivuar për të dhënë më të mirën”, ka shkruar ai.

  • Policia kërkon bashkëpunim me qytetarë, kërkon identifikimin e një gruaje

    Policia kërkon bashkëpunim me qytetarë, kërkon identifikimin e një gruaje

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin me qytetarët për identifikimin e një gruaje në Mitrovicë për veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.

    Tutje në postim thuhet qytetarët në ofrimin e informatave do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi dhe video-sekuencë.

    “Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi dhe video-sekuencë. Personi i dyshuar kërkohet për veprën penale ‘shpërdorim i pasurisë së huaj’ e ndodhur me datën 31.01.2026 në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicën e Jugut”, thuhet në postim.

    Për çdo informatë që mund të ndihmojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose 080019999 përmes e-mailit: [email protected].

  • S’ka marrëveshje për presidentin, takimi Kurti – Abdixhiku pa rezultat

    S’ka marrëveshje për presidentin, takimi Kurti – Abdixhiku pa rezultat

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja e ka mbyllur çështjen e diskutimit me Albin Kurtin.

    Kjo pasi ai tha se nuk mund të flasim për një President të Vetëvendosjes.

    “Nga ky moment LDK e konsideron të përmbyllur këtë çështje”, tha ai.

    “U përpoqëm të gjejmë zgjidhje për presidentin, nuk kam hapur diskutime tjera as për ekzekutiv, në momentin që do zgjidhnim çështjen e Presidentit, do të trajtonim çështje tjera”.

    “Unë besoj që me kaq në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. E lë të hapur për partitë e tjera, kemi bërë përpjekje për 53 ditë”.

    “U dakorduam që të mos takohemi më”, tha Abdixhiku.

  • Rikthimi i Osmanit në LDK, Abdixhiku: Ky është qëllimi im, do punoj për këtë deri në ditën e fundit

    Rikthimi i Osmanit në LDK, Abdixhiku: Ky është qëllimi im, do punoj për këtë deri në ditën e fundit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar rreth mundësisë për rikthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në partinë ku ai udhëheq.

    Ai tha se përafrimi i Osmanit me LDK-në do të ishte lajmi mirë për Kosovën, ndërsa theksoi se për ky është qëllimi i tij dhe siç tha, për këtë do të punojë deri në ditën e fundit.

    “Përafrimi do të ishte një lajm i mirë për Kosovën dhe për LDK-në, edhe është qëllimi i imi dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”, u shpreh Abdixhiku.

    Ndërsa sa i përket kushteve për rikthimin e Osmanit në LDK, i pari i kësaj partie tha se “bashkimi nuk kërkon kushte, kërkon afrim e koordinim”.

    Kujtojmë se Abdixhiku sot u takua me kryeministrin Albin Kurti lidhur me çështjen e presidentit, takim ky që rezultoi pa rezultat pozitiv.

  • “Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet VV-së”, Abdixhiku zbulon detaje nga takimi

    “Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet VV-së”, Abdixhiku zbulon detaje nga takimi

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke bërë të ditur se ky i fundit ka kërkuar që pozita e presidentit t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje.

    “U përpoqa, provova, nuk arrita fatkeqësisht. Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet VV-së. Unë refuzova të flasim për çdo gjë tjetër pa u trajtuar çështja e presidentit”, tha Abdixhiku.

  • Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

    Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh me rëndësi në fusha të ndryshme, nga ekonomia dhe tregtia, te siguria dhe integrimet evropiane.

    Në mesin e vendimeve kryesore është miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra), e cila synon liberalizimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve dhe përmirësimin e qasjes në treg për investime.

    Po ashtu, Qeveria ka miratuar disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020, si dhe një sërë protokollesh shtesë në kuadër të CEFTA-s që lidhen me tregtinë në shërbime, lehtësimin e tregtisë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

    Në fushën e reformës së administratës publike, është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive.

    Ndër projektligjet e tjera të miratuara janë edhe ai për inovacion dhe ndërmarrësi, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave.

    Qeveria ka marrë edhe vendime në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, duke shpallur Organizatën e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste në territorin e Kosovës.

    Gjithashtu, është miratuar vendimi për themelimin e trupave institucionale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në kuadër të vendimeve financiare, Qeveria ka ndarë mbi 20 mijë euro për kontributin vjetor në Qendrën Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë, si dhe 100 mijë euro për organizimin e ngjarjes ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026” në Gjermani.

    Ndër vendimet e tjera, është emëruar Shaban Neziri si kryesues i Bordit të Drejtorëve të “Telekomit të Kosovës”, si dhe janë miratuar kërkesat për dhënien me qira të hapësirave në Terminalin Doganor në Han të Elezit për veprimtari gastronomike.

    Po ashtu, është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes së grantit për zhvillimin e sektorit të energjisë, si dhe koncept-dokumenti për kontrollin e tregtisë me mallra strategjike.

    Në fushën rajonale dhe ndërkombëtare, është miratuar edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

  • Kurti: Aplikimi i Kosovës për BE mbetet i pashqyrtuar prej 40 muajsh, themelohet Komiteti Ekzekutiv për integrim

    Kurti: Aplikimi i Kosovës për BE mbetet i pashqyrtuar prej 40 muajsh, themelohet Komiteti Ekzekutiv për integrim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli edhe pas 40 muajsh.

    Ai e cilësoi këtë vonesë si një çështje që kërkon vëmendje, duke theksuar se Kosova, sipas tij, përmbush standarde të rëndësishme si demokraci funksionale, rritje ekonomike dhe përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

    Në këtë kontekst, Kurti tha se Qeveria ka themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në BE, me qëllim të rritjes së koordinimit ndërinstitucional dhe përshpejtimit të procesit integrues. Ai bëri të ditur gjithashtu se kryenegociatori është autorizuar të krijojë task forca të specializuara, duke nisur me atë për sigurimin e statusit të vendit kandidat.

    Postimi i plotë:

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022.

    Me 15 prill të këtij viti u bënë 40 muaj që aplikimi ynë mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli.

    Kosova është demokracia më e avancuar e rajonit, me mesataren më të lartë të rritjes ekonomike dhe e rreshtuar plotësisht me vlerat dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

    Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike që shoqëria jonë e ka bërë dhe qeveria e ka prioritet.

    Sot, me qëllim të dinamizmit të procesit dhe për të siguruar koordinim ndërinstitucional në këtë çështje prioritare, kemi themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Kryenegociatorin me Bashkimin Evropian e autorizuam që të krijojë Task Forcë specifike, duke filluar sot me Task Forcën për Statusin e Vendit Kandidat.

    BE-ja duhet të zgjerohet duke u reformuar njëkohësisht.

    Të marrë vendime në politikën e jashtme duke ruajtur unitetin brendshëm. Këto janë të mundura dhe Kosova është gati të kontribuojë.

    Procesi i zgjerimit sjell reforma, avancim të demokracisë e mirëqenie ekonomike. Anëtarësimi bëhet për reforma, për demokraci, për zhvillim dhe për të kontribuar në projektin më të madh të përbashkët të paqes dhe prosperitetit.

  • Haxhiu pret Palatovën, pranon raportet e BE-së për zgjedhjet 2025 dhe premton adresimin e rekomandimeve

    Haxhiu pret Palatovën, pranon raportet e BE-së për zgjedhjet 2025 dhe premton adresimin e rekomandimeve

    U. D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, nga e cila ka pranuar raportin e Misionit të Ekspertëve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si dhe raportin vlerësues për zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor të po atij viti.

    Gjatë takimit u tha se këto procese zgjedhore dëshmojnë pjekurinë demokratike të Kosovës, ndërsa Haxhiu theksoi se gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura në raport do të shqyrtohen me kujdes dhe do të adresohen me përgjegjësi.

    “Sot prita në takim Shefen në Detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova. Gjatë takimit, ajo dorëzoi raportin e Misionit të Ekspertëve të Bashkimit Evropian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si dhe raportin lidhur me misionin vlerësues për zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor 2025”.

    “U pajtuam që këto procese zgjedhore ishin dëshmi e pjekurisë demokratike të Kosovës. E sigurova znj. Eva Palatova se gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura në raportet vlerësuese do të shqyrtohen me kujdes dhe do të adresohen me përgjegjësi, në funksion të forcimit të mëtejmë të proceseve zgjedhore në Kosovë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj standardeve demokratike, sundimit të ligjit dhe rrugës së saj evropiane”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Kurti arrin në Kuvend për takim me Abdixhikun

    Kurti arrin në Kuvend për takim me Abdixhikun

    Kryeministri Albin Kurti, ka arritur në Kuvend për t’u takuar me kreun e LDK-së Lumir Abidixhikun.

    Temë kryesore e këtij takimi do të jetë zgjedhja e Presidentit.

    “Njëherë flasim dhe diskutojmë në takim, pastaj diskutojmë për rezultatet”, tha Kurti para takimit.

    Ky është takimi i katërt mes tyre për këtë çështje, pasi dy liderët u takuan edhe më parë por pa rezultat.

    Ndërkohë, Kosova ka hyrë në 8- ditëshin e fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa 28 prilli është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.