ATV

Author: K.B.

  • Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit rrit çmimet e energjisë, nafta arrin nivelin më të lartë në gjashtë javë

    Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit rrit çmimet e energjisë, nafta arrin nivelin më të lartë në gjashtë javë

    Ndërprerja e qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë sjellë rritje të çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

    Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka arritur në 94.7 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në gati gjashtë javë. Rritja e fundit ishte rreth 4%, ndërsa çmimi është rreth 22 dollarë më i lartë se para nisjes së konfliktit.

    Tregjet po reagojnë ndaj pasigurisë për furnizimet, pasi Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, po përballet me kufizime për shkak të përshkallëzimit të tensioneve dhe sulmeve në rajon.

    Edhe çmimet e gazit në Mbretërinë e Bashkuar kanë shënuar rritje të fortë, duke arritur një nivel rekord tremujor. Përveç kufizimeve në furnizim, rritja është ndikuar edhe nga kërkesa e lartë për energji në Evropë, për shkak të temperaturave të larta dhe përdorimit më të madh të sistemeve të ftohjes.

    Analistët paralajmërojnë se vazhdimi i tensioneve në Lindjen e Mesme mund të mbajë nën presion çmimet e energjisë në javët e ardhshme.

  • A po i pret zhvillimet në LDK për të rinisur bisedimet? Kurti iu shmanget gazetarëve

    A po i pret zhvillimet në LDK për të rinisur bisedimet? Kurti iu shmanget gazetarëve

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti përsëri ka shmangur pyetjet e mediave rreth diskutimeve për çështjen e presidentit.

    Kurti është pyetur nëse zhvillimet e brendshme në LDK, përfshirë thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, janë pjesë e pritjes së tij përpara se të nisë diskutimet politike për formimin e institucioneve, por nuk ka dhënë përgjigje.

    LDK-ja ditëve të fundit është përfshirë në një proces të brendshëm pas kërkesës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm për largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku./KP/

  • Ramadani reagon ndaj Haxhiut: Pse nuk e caktove sot seancën e Kuvendit?

    Ramadani reagon ndaj Haxhiut: Pse nuk e caktove sot seancën e Kuvendit?

    Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar pas deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila bëri të ditur se të premten do ta caktojë datën e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Përmes një reagimi publik, Ramadani ka kritikuar vonesën në caktimin e seancës, duke ngritur pyetje lidhur me arsyet e pritjes deri të premten.

    Ai, po ashtu, ka akuzuar Haxhiun për rritje të jashtëligjshme të pagesave të tenderëve, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të merret me këtë çështje.

    “Kjo pushtetarja që rriti jashtëligjshëm pagesën e tenderave për 326% (alo… Prokuroria a jeni këndej?!) paska thënë që të premten e cakton datën e seancës së Kuvendit. Pse s’e caktove sot? Çka paska të premten ndryshe nga sot? Çfarë skenari po përgatisni?”, ka shkruar Ramadani.

  • Noti nuk është për të gjithë: Këto gjendje shëndetësore mund ta kthejnë në rrezik

    Noti nuk është për të gjithë: Këto gjendje shëndetësore mund ta kthejnë në rrezik

    Nga problemet me zemrën dhe epilepsia deri te diabeti e infeksionet – ja kur duhet këshilla e mjekut dhe cilat shenja ju detyrojnë të dilni menjëherë nga uji

    Pak aktivitete fizike e angazhojnë pothuajse të gjithë trupin dhe, njëkohësisht, i kursejnë nyjat si noti. Ai përmirëson funksionin e zemrës dhe të mushkërive, forcon muskujt, rrit lëvizshmërinë dhe shpesh u rekomandohet personave me mbipeshë ose me dhimbje të nyjave.

    Megjithatë, kjo nuk do të thotë se noti është plotësisht pa rrezik për të gjithë. Në disa gjendje shëndetësore, hyrja në ujë kërkon kujdes të shtuar, ndërsa ndonjëherë edhe një kontroll paraprak te mjeku.

    Personat me sëmundje serioze të zemrës nuk duhet të hyjnë në ujë pa këshillën e kardiologut

    Noti është aktivitet aerobik, por qëndrimi në ujë e ndryshon mënyrën se si funksionon qarkullimi i gjakut. Presioni i ujit e rrit sasinë e gjakut që kthehet drejt zemrës, gjë që mund ta ngarkojë më shumë muskulin e saj.

    Për këtë arsye, personat me anginë pektorale të paqëndrueshme, infarkt të pësuar së fundmi, insuficiencë kardiake të dekompensuar ose çrregullime serioze të ritmit të zemrës nuk duhet ta fillojnë notin pa një vlerësim paraprak nga kardiologu.

    Nga ana tjetër, te shumë persona me sëmundje kardiovaskulare të kontrolluara mirë, noti është pikërisht një nga aktivitetet e rekomanduara në kuadër të rehabilitimit kardiologjik.

    Uji i ftohtë mund ta tronditë organizmin

    Hyrja e menjëhershme në ujë të ftohtë shkakton ngushtimin e enëve të gjakut, përshpejton rrahjet e zemrës dhe mund të çojë në rritje të menjëhershme të tensionit arterial.

    Te personat e shëndetshëm, organizmi zakonisht përshtatet shpejt. Megjithatë, te personat me sëmundje koronare, hipertension të pakontrolluar ose çrregullime të caktuara të ritmit të zemrës, ky reagim mund ta rrisë rrezikun e komplikimeve.

    Prandaj, ekspertët këshillojnë që në ujë të ftohtë të hyhet gradualisht dhe jo duke u hedhur menjëherë.

    Astma nuk është arsye për të hequr dorë nga noti

    Prej kohësh noti konsiderohet një nga sportet më të përshtatshme për personat me astmë, sepse ajri i ngrohtë dhe i lagësht përreth pishinës i irriton më pak rrugët e frymëmarrjes sesa ajri i ftohtë dhe i thatë.

    Megjithatë, te disa persona, klori në ujin e pishinës mund të shkaktojë irritim të rrugëve të frymëmarrjes ose përkeqësim të simptomave.

    Nëse pas notit shfaqen rregullisht kollë, shtrëngim në gjoks ose vështirësi në frymëmarrje, duhet të konsultoheni me një pulmonolog.

    Kur noti nuk është ide e mirë për shkak të infeksionit

    Nëse keni temperaturë, të vjella, diarre ose një infeksion akut viral, noti duhet shtyrë derisa të shëroheni.

    Personat që kanë plagë të hapura ose infeksione serioze të lëkurës duhet gjithashtu t’i shmangin pishinat dhe ujërat natyrore, për shkak të rrezikut të përkeqësimit të infeksionit ose përhapjes së mikroorganizmave.

    Në rast të inflamacionit të veshit të jashtëm ose dhimbjes së theksuar në vesh, mjeku mund të këshillojë shmangien e përkohshme të notit derisa inflamacioni të shërohet.

    Epilepsia nuk është ndalim absolut, por kërkon kujdes të veçantë

    Shumica e personave që e kanë epilepsinë të kontrolluar mirë mund të notojnë, por asnjëherë vetëm.

    Reflektimi dhe vezullimi i dritës mbi sipërfaqen e ujit mund të jenë shkaktarë të krizës epileptike te disa persona. Udhëzimet ndërkombëtare rekomandojnë që pranë personit të jetë gjithmonë dikush që është në dijeni të diagnozës dhe di si të reagojë në rast të një krize.

    Diabeti dhe noti

    Noti është zgjedhje shumë e mirë për personat me diabet, sepse e përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe ndihmon në kontrollin më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak.

    Megjithatë, aktiviteti fizik mund të shkaktojë hipoglikemi, veçanërisht te personat që përdorin insulinë ose medikamente të caktuara kundër diabetit.

    Prandaj, rekomandohet matja e glukozës para dhe pas aktivitetit, si dhe mbajtja pranë e një burimi karbohidratesh me veprim të shpejtë.

    Shtatzënia nuk është pengesë

    Në një shtatzëni që zhvillohet normalisht, noti konsiderohet një nga aktivitetet fizike më të sigurta. Uji e lehtëson ngarkesën mbi shtyllën kurrizore, e zvogëlon ënjtjen e këmbëve dhe e bën lëvizjen më të lehtë.

    Megjithatë, gratë shtatzëna që kanë komplikime, si kontraksione të parakohshme, gjakderdhje ose gjendje të tjera me rrezik të lartë, duhet t’u përmbahen këshillave të gjinekologut.

    Po dhimbjet e shpinës dhe të nyjave?

    Personave me osteoartrit ose dhimbje në shtyllën kurrizore, noti shpesh mund t’u ndihmojë, sepse uji e zvogëlon ngarkesën mbi nyjat.

    Megjithatë, jo të gjitha stilet e notit janë njësoj të përshtatshme. Për shembull, noti në stilin bretkosë, me kokën vazhdimisht mbi ujë, mund ta rrisë ngarkesën në pjesën e qafës.

    Për personat me dhimbje të qafës mund të jenë më të përshtatshme noti në shpinë ose stili kraul, me kusht që teknika të jetë e drejtë.

    Kur duhet të dilni menjëherë nga uji?

    Pavarësisht moshës dhe gjendjes shëndetësore, noti duhet të ndërpritet menjëherë nëse shfaqen:

    dhimbje ose presion në gjoks;
    vështirësi e papritur në frymëmarrje;
    marramendje ose ndjesi se do të humbni vetëdijen;
    rrahje të papritura, shumë të shpejta ose të çrregullta të zemrës;
    dobësi e theksuar ose konfuzion.
    Këto janë simptoma që kërkojnë vlerësim urgjent mjekësor.

    Noti mbetet një nga aktivitetet më të mira – duke respektuar disa rregulla

    Për shumicën e njerëzve, noti është një nga aktivitetet fizike më të sigurta dhe më të dobishme. Ai e forcon zemrën, mushkëritë dhe muskujt, e përmirëson kondicionin dhe i lehtëson nyjat.

    Megjithatë, sikurse çdo aktivitet tjetër fizik, ekzistojnë gjendje shëndetësore në të cilat intensiteti duhet përshtatur ose nevojitet konsultim paraprak me mjekun.

    Prandaj, më e rëndësishmja është që noti të përshtatet me gjendjen shëndetësore, moshën dhe përgatitjen fizike. Vetëm kështu ai sjell përfitimin më të madh, me rrezikun më të vogël.

  • Mënyra e duhur për të pastruar dhe dezinfektuar lavamanin e kuzhinës

    Mënyra e duhur për të pastruar dhe dezinfektuar lavamanin e kuzhinës

    Lavamani i kuzhinës është një nga sipërfaqet që përdoret më së shumti gjatë ditës, ndaj grumbullon lehtësisht baktere, myk dhe mikrobe të ndryshme. Për këtë arsye, përveç pastrimit të përditshëm, rekomandohet që herë pas here t’i bëhet edhe një dezinfektim i plotë.

    Pastrimi i zakonshëm me sfungjer dhe detergjent për enë ndihmon në largimin e papastërtive, por nuk eliminon plotësisht bakteret. Për një dezinfektim më të thellë mund të përdoret solucion zbardhues, i cili është efektiv kundër baktereve, viruseve dhe mykut.

    Para përdorimit të zbardhuesit, lavamani duhet të lahet mirë me ujë dhe sapun, pasi ky produkt shërben si dezinfektues dhe jo si pastrues.

    Përgatitni tretësirën duke përzier një lugë gjelle zbardhues me tre litra ujë të ftohtë. Uji i nxehtë nuk rekomandohet, pasi dobëson përbërësit aktivë të zbardhuesit dhe ul efektivitetin e tij.

    Është shumë e rëndësishme që zbardhuesi të mos përzihet me produkte të tjera pastrimi, si uthulla apo alkooli, pasi kombinimi i tyre mund të krijojë gaze toksike të rrezikshme për shëndetin.

    Pasi ta keni larë lavamanin, mbusheni me tretësirën e zbardhuesit dhe lëreni të veprojë për rreth pesë minuta. Gjatë kësaj kohe përdorni doreza mbrojtëse dhe me një sfungjer pastroni pjesët që nuk mbulohen nga uji.

    Në fund, lëreni tretësirën të kullojë, fërkojeni edhe një herë lavamanin dhe lëreni të thahet natyrshëm.

    Kur sipërfaqja të jetë tharë plotësisht, mund ta fshini me një leckë të lagur në një tretësirë me ujë dhe uthull molle. Ky hap ndihmon që lavamani të marrë një shkëlqim të bukur dhe të duket edhe më i pastër.

  • Kayak Fest 2026 rikthehet në Batllavë me tri ditë aventurë, sport dhe muzikë

    Kayak Fest 2026 rikthehet në Batllavë me tri ditë aventurë, sport dhe muzikë

    Batllava do të jetë sërish mikpritëse e një prej ngjarjeve më të veçanta të verës në Kosovë. Më 14, 15 dhe 16 gusht 2026, Kayak Fest 2026 rikthehet me një program të pasur që ndërthur sportin, aventurën, muzikën dhe argëtimin, duke pritur pjesëmarrës dhe vizitorë nga e gjithë Kosova dhe rajoni.

    Edicioni i sivjetshëm sjell një gamë të gjerë aktivitetesh për të gjitha grupmoshat, me fokus në promovimin e sporteve ujore, turizmit aktiv dhe bukurive natyrore të Liqenit të Batllavës.

    Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është “Dardan Race”, një garë sfiduese me pengesa, e frymëzuar nga koncepti i njohur i Spartan Race. Gara do t’u ofrojë pjesëmarrësve një përvojë plot adrenalinë, duke testuar forcën fizike, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë përmes një sërë sfidash.

    Në kuadër të festivalit do të zhvillohen edhe garat me kayak, ku sportistë dhe entuziastë të këtij sporti do të konkurrojnë në disiplinat përkatëse, duke promovuar sportin, rekreacionin dhe lidhjen me natyrën.

    Mbrëmjet e festivalit do të shoqërohen me një program të pasur artistik. Në skenën e Kayak Fest 2026 do të performojë grupi PINT, i njohur për atmosferën energjike dhe repertorin e tij. Publiku do të argëtohet gjithashtu nga performanca e NRG Band, një nga grupet më të dashura të skenës muzikore shqiptare, si dhe nga interpretimi i këngëtares Nita Latifi, e cila do të sjellë hitet e saj në një atmosferë festive buzë liqenit.

    Për ta përmbyllur festivalin në mënyrën më spektakolare, nata e fundit do të kulmojë me performancën e një super DJ-i, identiteti i të cilit do të mbetet surprizë deri në momentin e zbulimit. Organizatorët premtojnë një finale madhështore me energji, ritëm dhe atmosferë që do ta bëjë edicionin e sivjetshëm të paharrueshëm.

    Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, sportdashësit dhe adhuruesit e muzikës që të bëhen pjesë e kësaj fundjave të paharrueshme dhe të përjetojnë emocionet që sjell Kayak Fest 2026.

    Shënoni datat: 14, 15 dhe 16 gusht 2026 – Batllavë. Aventura fillon këtu, ndërsa surprizat ju presin deri në natën e fundit!

  • Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore

    Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore

    Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.

    Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i kanë shprehur ngushëllime familjes, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve ndër vite të akademik Emin Rizës, për humbjen e madhe njerëzore dhe shkencore.

    Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër. Me një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, akademik Riza ka dhënë një kontribut të spikatur në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale shqiptare.

    Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Qyteti–Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi trashëgiminë ndërtimore të Gjirokastrës, banesat karakteristike dhe vlerat e saj si qytet-muze, si edhe “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), monografi e botuar nga Akademia e Shkencave, e cila trajton tipologjinë e banesave popullore shqiptare me qoshk dhe vlerat e tyre arkitektonike.

    Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si edhe i 134 artikujve shkencorë të botuar në revista të specializuara, ndër to “Studia Albanica”, “Arkitektura popullore shqiptare” dhe “Monumentet”, ku trajtoi tipologjitë e banesave popullore, strukturat ndërtimore dhe trashëgiminë e qyteteve historike.

    Ai ishte gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, duke nxitur botimin e studimeve mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, çka kontribuoi në përfshirjen e këtyre qyteteve në Listën e Trashëgimisë Botërore.

    Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit, duke lënë një trashëgimi të vyer për studiuesit e rinj dhe për kujtesën kulturore të Shqipërisë.

    Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, akademik Emin Riza u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit. /a2cnn

  • Aksidenti në Komoran, çka thuhet në raportin 24-orësh të policisë?

    Aksidenti në Komoran, çka thuhet në raportin 24-orësh të policisë?

    Policia e Kosovës njoftoi në raportin 24-orësh të mërkurën për ngjarjen tragjike, ku 24-vjeçarja Rea Raka vdiq në një aksident trafiku në Komoran.

    Raporti konstaton për një të vdekur dhe tre të lënduar në vetaksidentin me automjet, i cili ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të së martës.

    “Si pasojë e aksidentit, një femër kosovare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare të cilat kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.

    Sipas raportit 24-orësh policor, “trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ne Prishtinë për Obduksion”.

    Tre të lënduarit u dërguan të martën për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare.

    Mes tyre, edhe një vajzë 18-vjeçare, e cila iu nënshtrua një operimi urgjent në Qendrën Emergjente dhe pastaj u transferua për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Intensive.

    Shaqir Uka, shef i Intensivës, tha të martën për Ekonomia Online se gjendja e 18-vjeçares është “relativisht stabile”.

    “Pas kryerjes së ekzaminimeve dhe intervenimit, nga Qendra Emergjente është sjellë për trajtim në Mjekimin Intevsiv Qendror, për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Si pasojë e aksidentit ajo ka marrë lëndime bukur serioze në anën e majtë të ekstremitetit të lartë dhe të poshtëm si dhe në regjionin e barkut”.

    “Gjendja e saj mund të them se është relativisht stabile. Ajo aktualisht po mbahet e fjetur me barëra dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve. Për detaje tjera do t’ju njoftojmë me kohë”, deklaroi Uka.

  • Vendimi i Haxhiut për prokurorët serbë, Ambasada e SHBA: Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e serbëve, Qeveria të sigurojë barazi

    Vendimi i Haxhiut për prokurorët serbë, Ambasada e SHBA: Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e serbëve, Qeveria të sigurojë barazi

    U.d e Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar largimin përfundimtar nga puna të 20 prokurorëve serbë të cilët ishin larguar nga vendet e tyre të punës në vitin 2022. Lidhur me këtë çështje, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës e garanton përfaqësimim e serbëve në institucionet e vendit.

    Ambasada tutje në përgjigje thotë se presin nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që serbët të kenë mundësi të barabarta dhe që të kenë mundësi të marrin plotësishtë pjesë në jetën politike dhe qytetare.

    “Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve të Kosovës në institucionet e vendit. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për këtë”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës për Gazetën Express.

    Lidhur me këtë dje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian duke shprehur shqetësim për vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe të U.d Presidentes Haxhiu.

  • Foshnja në Gjermani vdiq nga uria, burgim të përjetshëm për prindërit

    Foshnja në Gjermani vdiq nga uria, burgim të përjetshëm për prindërit

    Gjykata Rajonale e Itzehoes në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm prindërit e një foshnje katërmuajshe, pasi i shpalli fajtorë për vrasje përmes mosveprimit dhe keqtrajtim të rëndë të një fëmije nën përkujdesje.

    Sipas vendimit të gjykatës, çifti kishte neglizhuar për një kohë të gjatë vajzën e tyre Ashley, duke mos i siguruar ushqimin dhe lëngjet e nevojshme. Si pasojë e kequshqyerjes së rëndë, foshnja humbi jetën nga uria.

    Kryetari i trupit gjykues, Johann Lohmann, e përshkroi rastin si një ngjarje “që të lë pa fjalë”, duke theksuar se provat treguan një neglizhencë ekstreme nga ana e të dy prindërve.

    Sipas gjetjeve të gjykatës, Ashley, e lindur në maj të vitit 2025, në momentin e vdekjes peshonte vetëm rreth një kilogram. Autopsia konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte uria, si pasojë e kequshqyerjes së rëndë.

    Prokuroria kishte argumentuar se prindërit nuk i kishin dhënë vajzës ushqimin dhe lëngjet e nevojshme, duke e pranuar rrezikun që kjo mund të çonte në pasoja fatale.

    Më 26 shtator 2025, prindërit kishin thirrur shërbimet emergjente në banesën e tyre në Brunsbüttel, por për foshnjën ishte tepër vonë. Mjeku i urgjencës vetëm kishte konstatuar vdekjen e saj.

    Një ditë më pas, çifti, i cili në atë kohë ishte 24 vjeç, u arrestua dhe qëndroi në paraburgim deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Gjatë gjykimit, prindërit u mbrojtën duke thënë se ishin ndier të mbingarkuar nga kujdesi për fëmijët. Babai deklaroi se nuk mbante mend shumë nga periudha para vdekjes së vajzës, ndërsa përmendi probleme psikologjike dhe mungesë mbështetjeje.

    Nëna tha se kishte vërejtur humbjen e madhe në peshë të foshnjës rreth dy javë para vdekjes, por vizitat e planifikuara te mjeku nuk ishin realizuar. Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë version të ngjarjes.