ATV

Author: K.B.

  • Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, duhet të mbetet betejë e tij me votuesit e tij

    Haziri: Beteja e Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, duhet të mbetet betejë e tij me votuesit e tij

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, pas kërkesës për mocion ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke bërë thirrje për unitet dhe shmangie të përçarjeve.

    Haziri tha se çështja mes Abdixhikut dhe nënshkruesve të mocionit duhet të mbetet një proces i brendshëm i partisë.

    “Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij”, shkroi Haziri.

    Ai kritikoi ata që, sipas tij, po e shfrytëzojnë situatën për pozicionime personale politike, duke theksuar se debatet publike nuk i shërbejnë të ardhmes së LDK-së.

    “Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së”, tha ai.

  • Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje

    Kapet në veri i kërkuari me të kaluar kriminale, dyshohet edhe për vrasje

    Një 25 vjeçar me inicialet M.P, është arrestuar të hënën në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar për dëmtimin e dy automjeteve me gurë, ndërsa ndaj tij ishte aktiv edhe një urdhërarrest nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

    Sipas Policisë, ai figuron gjithashtu si i dyshuar në 10 raste të tjera penale, përfshirë një rast të vrasjes, nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, sulm ndaj personit zyrtar dhe posedim të paautorizuar të armëve.

    “Me datë 20.07.2026, Policia në Veri ka arrestuar personin e dyshuar me inicialet M.P. (2001), i cili dyshohet se më 10.07.2026 ishte i përfshirë në dy raste të iniciuara në Stacionin Policor Mitrovicë Veri për veprën penale ‘Dëmtim apo asgjësim i pronës’. Bazuar në hetimet e zhvilluara, i njëjti dyshohet se ka dëmtuar dy automjete duke i goditur me gurë”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.

    Organet e rendit bëjnë të ditur se i dyshuari kishte arritur t’i shmangej arrestimit më 14 korrik, por pas lokalizimit të tij në Mitrovicën e Veriut u arrestua, ndonëse tentoi sërish të ikte.

    “Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar sërish t’i shmanget arrestimit, por zyrtarët policorë kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë”, njofton Policia.

    Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, M.P. ka pranuar se i kishte dëmtuar automjetet.

    Policia ka bërë të ditur se ndaj tij ishte në fuqi edhe një urdhërarrest i lëshuar nga gjykata për veprën penale “Kanosje”.

    “Po ashtu, në sistemin policor ai figuron si i dyshuar edhe në 10 raste të tjera penale, përfshirë veprat: ‘Vrasje’, ‘Nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, të cilat janë në procedurë pranë organeve të drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, si dhe në sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

  • Wizz Air hap bazën operative në Prishtinë, investon rreth 100 milionë dollarë

    Wizz Air hap bazën operative në Prishtinë, investon rreth 100 milionë dollarë

    Kompania ajrore Wizz Air do ta hapë nga nëntori i këtij viti bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke e bërë Kosovën një nga qendrat e saj të operimit në rajon. Me vendosjen e një avioni Airbus A321neo, investimi pritet të rrisë lidhjet ajrore të vendit, të zgjerojë mundësitë e udhëtimit dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe shtimit të kapaciteteve të fluturimeve.

    Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi vendimin e Wizz Air si dëshmi të besimit të investitorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

    Në kontekstin rajonal viteve të fundit, Kurti tha se aeroporti i Prishtinës është rritur me dinamikë të lartë.

    Numri i udhëtarëve ka shënuar 4.6 milionë udhëtarë.

    Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën në Prishtinë është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend i besueshëm për investime.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi i kompanisë ajrore Wizz Air për ta vendosur bazën e saj operative në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është një dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend i besueshëm për investime dhe me potencial për t’u integruar në rrjetet evropiane të transportit.

    Këto komente Kurti i bëri në ceremoninë e hapjes së bazës operative të Wizz Air në Aeroportin e Prishtinës, ku u bë e ditur se kompania do të vendosë një avion Airbus A321neo dhe do të hapë 40 vende të reja pune.

    “Vendimi i Wizz Air për ta vendosur bazën e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është dëshmi se Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend i besueshëm për investime, me perspektivë të qartë zhvillimi dhe me potencial të madh për t’u integruar edhe më shumë në rrjetet evropiane të transportit, të tregtisë dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve”, tha Kurti.

    Ai e cilësoi bazën e re dhe avionin me kapacitet prej 239 ulësesh si një investim të rëndësishëm për vendin.

    “Kjo bazë e re dhe avioni me kapacitet prej 239 ulësesh janë investim i rëndësishëm dhe tregues se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për industrinë ndërkombëtare të aviacionit”, u shpreh ai.

    Kurti tha se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve, duke iu afruar shifrës prej pesë milionë pasagjerësh.

    “Numri i udhëtarëve ka shënuar vazhdimisht rekorde të reja. Është 4.6 milionë, po i afrohemi ngadalë, por sigurt edhe shifrës prej pesë milionë pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, deklaroi ai.

    Sipas Kurtit, krahas rritjes së numrit të udhëtarëve, synim duhet të mbetet edhe ofrimi i biletave me çmime më të përballueshme.

    “Ne jemi të interesuar që numri i udhëtarëve, i cili po rritet, të shoqërohet edhe me bileta sa më të lira, në mënyrë që qarkullimi të jetë sa më i përballueshëm. Kjo është shenjë se qytetarët tanë udhëtojnë më shumë, mërgata po e viziton më shpesh vendlindjen, por edhe se numri i turistëve po shtohet”, tha ai.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Wizz Air, Andras Szabo, bëri të ditur se baza e re do të nisë operimin në nëntor të vitit 2026 dhe se investimi kap vlerën e rreth 100 milionë dollarëve.

    “Do të vendosim këtu një avion Airbus A321neo, gjë që do të krijojë 40 vende të reja pune për qytetarët e Kosovës. Ky është një investim me vlerë rreth 100 milionë dollarë”, tha Szabo.

    Ai njoftoi gjithashtu për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve nga Prishtina, me linja të reja drejt Bruksel Charleroi dhe Karlsruhe/Baden-Baden, si dhe me rritje të frekuencës së fluturimeve drejt Bazelit dhe Dortmundit.

    Edhe drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Süreyya Gökhan Açıkgöz, e cilësoi hapjen e bazës së Wizz Air si një moment të rëndësishëm për aviacionin dhe ekonominë e Kosovës.

    “Ky është shumë më tepër sesa ardhja e një avioni të ri. Është një shprehje e qartë e besimit në Kosovë, në qytetarët tanë, në tregun tonë dhe në mundësitë që na presin në të ardhmen”, tha ai.

    Sipas tij, hapja e bazës së Wizz Air do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve ajrore, zhvillimin e turizmit, tregtisë, investimeve dhe ekonomisë së vendit.

  • Pas renovimit, nis punën shërbimi i vaksinimit në QMF në “Bregun e Diellit” në Prishtinë

    Pas renovimit, nis punën shërbimi i vaksinimit në QMF në “Bregun e Diellit” në Prishtinë

    Shërbimi i vaksinimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) 6 në “Bregun e Diellit”, në Prishtinë ka rifilluar punën pas renovimit të hapësirave, të cilat tashmë ofrojnë kushte më moderne, më funksionale dhe qasje më të lehtë për qytetarët.

    Shërbimi i vaksinimit është zhvendosur në katin përdhes të objektit, duke ua lehtësuar qasjen veçanërisht prindërve që sjellin fëmijët me karroca.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se investimi në këtë qendër është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në kryeqytet.

    “Pas renovimit, shërbimi i vaksinimit në QMF 6 – Bregu i Diellit ka nisur punën në hapësira moderne dhe më funksionale. Ky shërbim tashmë është në katin përdhes, për t’ua lehtësuar qasjen prindërve që sjellin fëmijët me karroca”, ka thënë Rama.

    Ai ka theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën shëndetësore, duke pasur parasysh numrin e madh të qytetarëve që marrin shërbime në këtë qendër.

    “Vetëm në këtë qendër administrohen rreth 17 mijë vaksina. Përmirësimi i infrastrukturës është një investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka shkruar Rama.

    Me hapësirat e reja, QMF 6 synon të ofrojë kushte më të mira për profesionistët shëndetësorë dhe shërbime më të qasshme e më cilësore për qytetarët e Prishtinës.

  • Paralajmërimet për stuhi, IKSHPK jep rekomandime për qytetarët

    Paralajmërimet për stuhi, IKSHPK jep rekomandime për qytetarët

    Pasi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), për sot ka paralajmëruar stuhi lokale me bubullima, me rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, edhe Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dal me disa rekomandon për qytetarët.

    Sipas IKSHPK-së për të mbrojtur veten dhe familjen tuaj gjatë stuhive me rrufe qytetarët duhet të hyjnë menjëherë në një ndërtesë tëmbyllur ose në një automjet, të shmangni qëndrimin në fusha të hapura, të mos qëndroni nën pemë, pranë shtyllave elektrike, etj.

    Më poshtë i keni rekomandimet nga IKSHPK:

  • Një shqiptar shpëton biznesmenin serb pas incidentit në fluturimin Selanik-Memmingen, çifti rrëfehen për “The Guardian”

    Një shqiptar shpëton biznesmenin serb pas incidentit në fluturimin Selanik-Memmingen, çifti rrëfehen për “The Guardian”

    Një pasagjer shqiptar është kthyer në heroin e një ngjarjeje që mund të kishte përfunduar në tragjedi, pasi ndihmoi në shpëtimin e një burri që për pak u thith jashtë një avioni të Ryanair gjatë një fluturimi nga Selaniku drejt Memmingenit të Gjermanisë.

    Njëmbëdhjetë ditë pas incidentit, 61-vjeçari Ljubisha Karovic rrëfeu për The Guardian momentet e tmerrit që përjetoi kur dritarja pranë sediljes së tij u shkatërrua pas humbjes së presionit në kabinë.

    “Shpërthimi është ajo që mbaj mend. Është zhurma para kaosit, zhurma që e dëgjoj sa herë mbyll sytë për të fjetur,” tha ai.

    Karovic ndodhej në ulësen pranë dritares kur u tërhoq jashtë avionit deri në pjesën e kraharorit dhe humbi ndjenjat. Ai mbijetoi falë rripit të sigurimit dhe reagimit të menjëhershëm të pasagjerëve.

    Gruaja e tij, Svetlana Grkovic, tregoi se një pasagjer shqiptar luajti një rol vendimtar në shpëtimin e bashkëshortit.

    “Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Ai bëri gjithçka për ta tërhequr brenda dhe më pas u përpoq të mbyllte dritaren. Fillimisht me një çantë, që u thith jashtë, pastaj me një valixhe, e cila funksionoi. Do t’i jemi përjetësisht mirënjohës.”

    Sipas saj, bashkëshorti i saj kishte mbetur “gjysmë brenda e gjysmë jashtë avionit” për rreth dy minuta, ndërsa ajo shpreson ta takojë një ditë shqiptarin për ta falënderuar personalisht.

    Karovic pësoi dëmtime në kokë, qafë dhe krah, por thotë se ndihet me fat që është gjallë.

    “Jam me fat. Ende më dhemb koka dhe qafa, por jam gjallë. Ndoshta më shpëtoi rripi i sigurimit. Ndoshta ishte fati. Besoj në Zot dhe e falënderoj çdo ditë.”/Euronews.al/

  • Policia e Kosovës del me deklaratë zyrtare për vdekjen e zyrtarit policor në Morinë

    Policia e Kosovës del me deklaratë zyrtare për vdekjen e zyrtarit policor në Morinë

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se zyrtari policor i gjetur sot pa shenja jete në fshatin Morinë të Kukësit ishte pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren.
    Sipas deklaratës zyrtare, më 22 korrik 2026, Policia e Kosovës është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet SH.H., 35 vjeç, banues në Prizren.

    “Sot, më datë 22.07.2026, Policia e Kosovës është njoftuar nga Policia e Republikës së Shqipërisë se rreth orës 08:25, në varrezat e fshatit Morinë, është gjetur pa shenja jete shtetasi me inicialet SH.H., 35 vjeç, banues në Prizren. Pas pranimit të informatës, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës. Është konfirmuar se viktima ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren. Sipas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka kryer vetëvrasje me armë zjarri (pistoletë), e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga autoritetet kompetente”.

    Pas marrjes së njoftimit, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është bërë identifikimi i viktimës. Më pas është konfirmuar se ai ishte zyrtar policor në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.

    Sipas veprimeve paraprake hetimore të ndërmarra nga Policia e Republikës së Shqipërisë, dyshohet se 35-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e vetëvrasjes me armë zjarri (pistoletë). Arma është sekuestruar nga autoritetet kompetente në cilësinë e provës materiale.

  • AME me apel urgjent për kujdes dhe gatishmëri të shtuar për shkak të motit

    AME me apel urgjent për kujdes dhe gatishmëri të shtuar për shkak të motit

    Agjencia për Menaxhimin e Emergjent (AME), mbështetur në paralajmërimin e hershëm të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), ka njoftuar se sot priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.

    AME tregon edhe për rreziqet kryesore dhe ndikimet e mundshme nga ky mot që pritet të mbretërojë sot.

    “Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje intensive; Dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht nga breshëri dhe erërat e forta; Rritje e rrezikut për ndezjen e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike; Pengesa në sistemet e telekomunikacionit; Dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike; dhe, Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët”, tha AME në njoftimin për media.

    Agjencia për Menaxhimin e Emergjent ka lëshuar edhe disa udhëzime sigurie për qytetarët.

    “Qëndroni në ambiente të sigurta gjatë stuhisë dhe shmangni lëvizjet e panevojshme; Mos u strehoni nën pemë të larta apo pranë objekteve metalike dhe shtyllave elektrike; Kujdes në komunikacion: Përshtatni shpejtësinë dhe shmangni rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji; Siguroni pronën: Largoni ose siguroni pajisjet dhe sendet në ballkone e oborre që mund të dëmtohen nga era apo breshëri. Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë reaguese në të gjithë territorin e vendit”, shkroi AME.

    Për çdo rast emergjent, AME këshillon që të kontaktoni pa pagesë në Qendrën Operative Emergjente 112, Policinë e Kosovës 192, Zjarrfikësit 193 dhe Ndihmën e Shpejtë 194.

  • Kur muzika bëri bashkë babë e bijë, performanca kulminante në edicionin e kaluar në Sunny Hill Festival

    Kur muzika bëri bashkë babë e bijë, performanca kulminante në edicionin e kaluar në Sunny Hill Festival

    Një nga momentet më të veçanta të edicionit të kaluar të Sunny Hill Festival ishte performanca e përbashkët e artistes shqiptare me famë botërore Dua Lipa me babanë e saj, Dukagjin Lipa.

    Si pjesë e turneut të saj “Radical Optimism”, Dua Lipa kishte krijuar një traditë gjatë performancave të saj ‘live’, duke ftuar mysafirë të veçantë në skenë për të interpretuar së bashku një këngë. Në festivalin Sunny Hill, ajo ftoi babanë e saj në skenë, duke krijuar një moment shumë të veçantë që emocionoi dhjetëra mijëra fansa të pranishëm.

    Dukagjin Lipa, i njohur edhe për kontributin e tij muzikor me grupin “Oda”, u ngjit në skenë dhe ndau momentin me vajzën e tij, në një paraqitje që u prit me duartrokitje të forta nga publiku.

    Dyshja interpretuan këngën e njohur “Era”, një këngë ikonike për publikun shqiptar nga grupi Gjurmët. Performanca u prit shumë mirë dhe u cilësua si një moment nostalgjik, që solli bashkë emocione dhe kujtime për publikun.

    Interpretimi u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ku u vlerësua veçanërisht paraqitja e Dukagjin Lipës dhe energjia e tij në skenë. Videoja e performancës mori gjithashtu shumë reagime pozitive edhe në YouTube.

    Edhe pse performanca ka ndodhur pothuajse një vit më parë, ajo vazhdon të mbetet një nga momentet kulmore të edicionit të kaluar të Sunny Hill Festival, duke theksuar lidhjen e fortë familjare dhe muzikore mes Duas dhe babait të saj.

  • “Shelf clouds”, lloji i veçantë i reve që u paraqiten dje përgjatë stuhisë me shi e breshër në Kosovë

    “Shelf clouds”, lloji i veçantë i reve që u paraqiten dje përgjatë stuhisë me shi e breshër në Kosovë

    Rajone të ndryshme të Kosovës të hënën dhe të martën janë përfshirë nga erëra të forta, reshje shiu dhe breshëri. Në disa fshatra të rajonit të Dukagjinit janë dëmtuar në masë të madhe të mbjellat si pasojë e breshrit, derisa në pjesë të tjera të Kosova janë shkaktuar dëmtime të ndryshme përfshirë shtëpi, xhamia e infrastruktura e përçuesve të rrymës elektrike.

    Në faqen “Meteo Ballkan” e cila publikon parashikime dhe të dhëna që lidhen me motin, janë publikuar edhe disa fotografi të një lloji të veçantë reve që janë shfaqur gjatë ditës së martë në Kosovë.

    Bëhet fjalë për “Shelf clouds”. Këto re formohen kur ajri i ftohtë dhe i dendur shtyhet me forcë nga era drejt një mase ajri më të ngrohtë. Ky depërtim i ajrit të ftohtë ndodh shpesh gjatë rrymave zbritëse të një stuhie (që njihet si doëndraft), kur ajri i ftohtë zbret me shpejtësi drejt tokës dhe më pas shpërndahet në sipërfaqe, duke krijuar një front të erërave të fuqishme.

    “Shelf clouds” të krijuara nga stuhitë shoqërohen gjithmonë nga një valë ajri të thatë dhe të ftohtë që paraprin renë. Sipas“weatherzone.com.au”, zakonisht, fillimisht mbërrin era e fortë dhe ajri i ftohtë, ndërsa reshjet e shiut vijnë pasi “Shelf cloud” ka kaluar mbi një rajon.

    Edhe pse vetë “Shelf clouds” zakonisht nuk shkaktojnë mot ekstrem, ato që lidhen me stuhi të fuqishme ose me vija stuhish (squall lines) mund të shoqërohen me erëra të forta lineare që shkaktojnë dëme. Këto stuhi mund të sjellin gjithashtu reshje të dendura shiu dhe breshër të madh.