ATV

Author: K.B.

  • “Bëjeni tani”, Trump mbështet ndryshimin e emrit të ICE në NICE

    “Bëjeni tani”, Trump mbështet ndryshimin e emrit të ICE në NICE

    Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi një ndryshim të mundshëm të emrit të një agjencie kyçe federale.

    Vetëm një ditë pasi i mbijetoi një tjetër atentati , Trump ndau një postim nga një mbështetës i tij, i cili i kërkonte atij të ndryshonte emrin e Zyrës së Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së.

    “Dua që Trump ta ndryshojë nga ICE në NICE, kështu që mediat duhet të thonë agjentë të NICE gjithë ditën, çdo ditë”, shkroi përdoruesi i X, alyssamariie11.

    Trump më pas e ripostoi mesazhin e përdoruesit të X në Truth Social.

    Ndryshe, versione të këtij propozimi kanë qarkulluar si meme midis mbështetësve të presidentit për disa kohë tani, veçanërisht pasi ai u përball me kritika për taktikat agresive të përdorura nga oficerët e ICE në goditjet kundër imigracionit.

    Kjo ka çuar në protesta kundër ICE dhe agjencive të tjera federale.

    Gjatë protestave në Minneapolis në fillim të këtij viti, agjentët federalë qëlluan dhe vranë dy qytetarë amerikanë: Renee Good dhe Alex Pretti.

  • PDK: Zbardhja e fatit të të zhdukurve – detyrim moral, kombëtar dhe institucional

    PDK: Zbardhja e fatit të të zhdukurve – detyrim moral, kombëtar dhe institucional

    Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur, në nderim të mijëra qytetarëve të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Në postimin e PDK-së, thuhet se kërkesa për të vërtetën dhe për zbardhjen e të fatit të mbi 1600 personave të zhdukur mbetet detyrim moral, kombëtar dhe institucional.

    “Kërkesa për të vërtetën, për drejtësi dhe për zbardhjen e të fatit të mbi 1600 personave të zhdukur mbetet detyrim moral, kombëtar dhe institucional. Kosova nuk harron!”, thuhet në komunikatën për media.

  • Mulhaxha-Kollçaku: Nuk kemi ende asnjë nënshkrim për kandidatët për president

    Mulhaxha-Kollçaku: Nuk kemi ende asnjë nënshkrim për kandidatët për president

    Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputete e VV-së, ka deklaruar se nuk kanë ende asnjë nënshkrim për kandidatë për president.

    Ndër të tjera, ajo shtoi se është e pabesueshme se si opozita nuk ka emër të propozuar për shefin e vendit.

    “Zgjedhjet e reja janë totalisht të panevojshme, të kushtueshme, ne tashmë e kemi një fitues, të rikonfirmuar në dy palë zgjedhje, dhe me të vërtetë presim reflektim nga opozita, me një kërkesë gjeneroze, por tek e fundit ne jemi një demokraci parlamentare, çka na mbetet është të gjejmë një figurë unifikuese”, u shpreh ajo.

    “Jam e bindur se gjithë këto subjekte, që gjithë këto vite janë thirrur se janë institucionalistë, akademikë, dhe të mos gjendet një emër, jashta strukturave politike, dhe të mos vinë me atë emër në Parlament, është e pabesueshme”, tha kandidatja për presidente nga VV.

  • Si manipuloi BIA serbe raporte të OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviq – publikohen mesazhet

    Si manipuloi BIA serbe raporte të OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviq – publikohen mesazhet

    Dokumente dhe komunikime mes spiunëve serbë vazhdojnë të shfaqin ndikimin informativ kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, ku përfshihen elementë të BIA-s serbe dhe raportime që lidhen me OSBE-në.

    Sipas këtyre materialeve të siguruara nga Dukagjini, agjenti i BIA-s, Aleksandar Vllajiq (tashmë i dënuar nga drejtësia kosovare), dyshohet se ka komunikuar me ish-zyrtaren e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, duke i dhënë udhëzime të drejtpërdrejta për mënyrën e hartimit të raporteve dhe ndërtimit të narrativave lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.

    Në përmbajtjen e mesazheve përshkruhen orientime të detajuara se si duhet të strukturohet “historia”, duke paraqitur aksionet e Policisë së Kosovës dhe përdorimin e njësive speciale në veri si veprime të koordinuara politikisht dhe të perceptuara negativisht nga faktori ndërkombëtar.

    Në një bisedë të publikuar mes Gjukanoviq dhe Vllajiq, ajo përshkruan takime dhe koordinime që lidhen me përgatitjen e një raporti për Kosovën brenda OSBE-së.

    Në këtë komunikim, ajo përmend se kishte zhvilluar takime me atëbotë shefin e misionit të OSBE-së, Michael Davenport, i cili sipas saj, ishte duke e përgatitur një raport gjithëpërfshirës për Kosovën.

    Sipas përmbajtjes së mesazhit, ky raport do të përfshinte të gjitha ‘sulmet’ e pretenduara ndaj serbëve nga Policia dhe do të paraqitej në Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë përpara 57 shteteve anëtare.

    Po ashtu, gjithmonë sipas bisedës, Davenport kërkonte të konsultohej edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, para se ta paraqiste raportin në Vjenë.

    Po ashtu, në komunikimin mes spiunëve serbë sugjerohet që të theksohet se ambasada amerikane në Prishtinë nuk është e kënaqur me sjelljen e kryeministrit Albin Kurti, ndonëse vazhdon ta mbështesë atë në luftën kundër korrupsionit.

    “Nuk është e kënaqur me sjelljen e Kurtit”, është udhëzimi në një mesazh.

    Për më tepër, përmenden edhe organizata joqeveritare, “biseda të mbyllura” dhe rrjete informimi nga veriu, të cilat sipas këtyre udhëzimeve duhet të shfrytëzohen për ndërtimin e narrativave të caktuara.

    Një element tjetër i ndjeshëm i komunikimit lidhet me pretendimet për përfshirjen e shtetasve britanikë, të cilët sipas mesazheve zhvillojnë takime intensive në veri dhe hartojnë raporte të inteligjencës që më pas shërbejnë si bazë për operacione policore. Në të njëjtin kontekst përmenden edhe struktura të inteligjencës brenda KFOR, përfshirë kontingjente sllovene dhe zvicerane. /RTVD/

  • Tre të lënduar në Podujevë, dyshohet se shpërtheu bombola e gazit

    Tre të lënduar në Podujevë, dyshohet se shpërtheu bombola e gazit

    Tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar tretman mjekësor në Urgjencën e Podujevës pasi dyshohet se shpërtheu bombola e gazit në një lokal në Podujevë.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se rasti ka ndodhur në rrugën “4 Dëshmorët” në Podujevë.

    “Sot rreth orës 08:30, në një lokal në rrugën ‘4 Dëshmorët’ në Podujevë, ka ndodhur një shpërthim. Zyrtarët policorë janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet që shpërthimi ka ardhur nga një bombolë gazi, ku tre persona kanë pësuar lëndime. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në urgjencën e qytetit”, tha Ahmeti.

    Ahmeti shtoi se Policia është në vendngjarje dhe po merret me trajtimin e rrethanave të ngjarjes.

  • Irani propozon hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa përfshirë programin bërthamor

    Irani propozon hapjen e Ngushticës së Hormuzit pa përfshirë programin bërthamor

    Irani ka paraqitur një propozim për të hequr kufizimet në Ngushticën e Hormuzit pa e trajtuar programin e tij bërthamor, sipas dy zyrtarëve rajonalë të cituar nga mediat ndërkombëtare.

    Sipas tyre, propozimi është diskutuar në bisedime të mbyllura dhe është transmetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Pakistanit.

    Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i Iranit ka zhvilluar një vizitë në Rusi, ku ka deklaruar se takimi shërben për konsultime lidhur me luftën me Izraelin dhe SHBA-në.

    Sipas burimeve siç raporton The Guardian, Irani kërkon gjithashtu që SHBA të heqë bllokadën ndaj vendit si pjesë e marrëveshjes së propozuar.

    Megjithatë, ky plan nuk pritet të mbështetet nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se çdo marrëveshje duhet të përfshijë edhe ndalimin e programit bërthamor iranian, si dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

    Trump ka thënë më herët se SHBA ka “të gjitha kartat” dhe se Irani mund të kontaktojë Uashingtonin nëse dëshiron bisedime.

  • Afati drejt fundit, Tahiri: Situata tregon papërgjegjësi – Kosova është në prag të zgjedhjeve

    Afati drejt fundit, Tahiri: Situata tregon papërgjegjësi – Kosova është në prag të zgjedhjeve

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka komentuar situatën aktuale sa i përket çështjes së presidentit.

    Para seancës, deputeti tha se situata vërteton se Kosova është në prag të zgjedhjeve, dhe sipas tij, kjo është papërgjegjësi e shumicës parlamentare.

    “Ajo që është shumë shqetësuese dhe brengë e secilit qytetarë është tema kryesore, zgjidhja dhe zgjedhja e presidentit. Jemi në ditën e fundit, po na përsëritet situata e para disa muajve kur vijmë në ditën e fundit dhe ende nuk e dimë kush janë kandidatët unifikues të cilët potencialisht mund t’i marrin 80 votat në Kuvend, kjo situatë na tregon papërgjegjësinë e shumicës parlamentare”, deklaroi Tahiri.

    “Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe na tregon për një eksperiment të vazhdueshëm”.

  • Shefja në detyrë e BE-së solidarizohet me familjet e të pagjeturve

    Shefja në detyrë e BE-së solidarizohet me familjet e të pagjeturve

    Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, u solidarizua sot me familjet, të dashurit e të cilave mbeten të zhdukur që nga lufta.

    Përmes një postimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, theksohet se drejtësia tranzicionale do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të sqaruar fatin e 1 mijë e 581 personave të zhdukur, dhe shton se do të ndihmojë në sjelljen e një ndjenje paqeje për familjet e tyre.

    “Drejtësia tranzicionale = e drejta për të ditur të vërtetën!”, thuhet në njoftim.

  • Masakra e Mejës: 96-vjeçarja qëndron pranë varrit të djalit të saj të vetëm

    Masakra e Mejës: 96-vjeçarja qëndron pranë varrit të djalit të saj të vetëm

    Në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës është përkujtuar masakra e Mejës, ku një nga pjesëmarrëset e homazheve ishte edhe një nënë 96-vjeçare.

    Vase Tahiraj, u pa teksa qëndronte para varrit të djalit të saj të vetëm, Halil Miftar Tahiraj, një nga viktimat e kësaj masakre.

    Në këtë përkujtim morën pjesë edhe qytetarë të shumtë, si dhe përfaqësues e krerë institucionalë, të cilët bënë homazhe në nder të viktimave të masakrës së Mejës.

  • Kurti: I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të zhdukurit

    Kurti: I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të zhdukurit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe pranë Monumentit dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke kërkuar angazhim më të madh ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre.

    Kurti tha se edhe pas më shumë se dy dekadash, mbi një mijë persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, ndërsa institucionet e vendit janë të angazhuara maksimalisht për zbardhjen e fatit të tyre.

    “Bëjmë nderime për gjithë të zhdukurit edhe 1565 i kemi ende të pagjetur, komisioni qeveritar për Personat e Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e vendit tonë bëjnë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e më të dashurve tanë, të cilët u rrëmbyen të gjallë e të vdekur nga forcat armike të Serbisë së Millosheviqit. Duhet të kujtojmë që i fundit që u varros djali i vogël 9 vjeçar. Sinan Dauti nga Prekazi…Ne i bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar dhe të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë meqenëse ata e mbajnë përgjegjësinë dhe ata e dinë të vërtetën. Janë edhe 11 varreza masive përveç atyre 5 që tashmë janë zbuluar e për të cilët Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar nga vetë ata publikisht se janë 16 masive gjithsej e vetëm në njërën prej tyre që është zbuluar në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur atje, ndërkaq gjithsej deri më tani janë rreh 1 mijë shqiptarë që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se përgjegjësia për zbardhjen e së vërtetës qëndron te Serbia, ndërsa kërkoi presion më të madh nga faktori ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

    “Atje ku është përgjegjësia atje është edhe e vërteta mirëpo ne nuk kemi juridiksion mbi Serbinë, faktori ndërkombëtarë evropian dhe amerikan duhet t’i bëjnë më shumë trysni Serbisë ashtu që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësit të dalin para gjyqit. Edhe në Kosovë tash e kemi mundësinë për vite me radhë që të dënohen pasi të gjykohen në mungesë kriminelët e shumtë të luftës qofshin urdhër -dhënës apo ekzekutor dhe për këtë prokuroria speciale e ka përkrahjen e plotë të qeverisë së Republikës gjithashtu edhe sistemi në përgjithësi. Janë duke punuar më shumë e më shpejt se përpara por unë besoj që duhet të punojnë edhe më shumë edhe më shpejt seç po bëhet meqenëse dëshmitarët po plaken shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja përpara drejtësisë e kriminelëve serb të luftës”, tha ai.