ATV

Author: K.B.

  • Tesla rrit prodhimin në Berlin – 1000 punësime të reja dhe zgjerim i Model Y

    Tesla rrit prodhimin në Berlin – 1000 punësime të reja dhe zgjerim i Model Y

    Menaxheri i fabrikës së Tesla në Berlin, Andre Thierig, ka bërë të ditur përmes platformës X një seri zhvillimesh të rëndësishme që lidhen me prodhimin dhe punësimin në këtë qendër industriale.

    Sipas tij, kompania ka vendosur të rrisë prodhimin e Model Y me 20 për qind duke filluar nga korriku i vitit 2026. Kjo rritje vjen si përgjigje ndaj kërkesës së shtuar në treg dhe performancës së mirë të fabrikës.

    Për të përballuar këtë zgjerim, Tesla planifikon të punësojë rreth 1000 punëtorë të rinj duke nisur nga muaji maj, ndërsa 500 punonjës të përkohshëm do të kalojnë në kontrata të përhershme, duke forcuar stabilitetin e fuqisë punëtore.

    Thierig theksoi gjithashtu se ky vendim vjen pas një tremujori të parë rekord në vitin 2026, gjatë të cilit në fabrikën e Tesla në Berlin janë prodhuar mbi 61 mijë automjete Model Y, duke e konsideruar këtë si një nga periudhat më të suksesshme të uzinës.

    Në deklaratën e tij, ai e përshkroi “Giga Berlin” si një qendër të fuqishme prodhimi që po luan rol kyç në strategjinë globale të kompanisë për automjetet elektrike.

    Këto zhvillime vijnë në një periudhë kur kompania ka qenë në vëmendje të madhe publike për shkak të deklaratave dhe qëndrimeve të bashkëthemeluesit dhe drejtorit ekzekutiv Elon Musk, si dhe pas një periudhe me luhatje të shitjeve në disa tregje.

    Megjithatë, sipas të dhënave të fundit, duket se Tesla ka arritur të stabilizojë situatën dhe të rikthejë rritjen, veçanërisht në segmentin e saj më të rëndësishëm – Model Y, i cili prodhohet kryesisht në fabrikën e Berlinit dhe konsiderohet një nga modelet më të shitura të kompanisë në nivel global.

  • Von der Leyen: Lufta në Iran po i kushton BE-së 500 milionë euro energji në ditë

    Von der Leyen: Lufta në Iran po i kushton BE-së 500 milionë euro energji në ditë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paralajmëruar për kostot e rënda ekonomike që konflikti në Iran po i shkakton Bashkimit Evropian, duke theksuar se pasojat mund të ndihen për muaj apo edhe vite.

    Duke folur në seancën plenare të Parlamenti Evropian në Strasburg, ajo deklaroi se vetëm në 60 ditët e para të konfliktit, shpenzimet e BE-së për importet e lëndëve djegëse fosile janë rritur me mbi 27 miliardë euro.

    “Po humbasim pothuajse 500 milionë euro në ditë”, u shpreh von der Leyen, duke e cilësuar situatën si krizën e dytë të madhe energjetike brenda katër viteve të fundit.

    Sipas saj, zhvillimet e fundit tregojnë qartë se BE nuk mund të mbështetet më kaq shumë tek energjia e importuar. Ajo theksoi se rruga përpara është ulja e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe rritja e prodhimit vendas të energjisë së pastër dhe të përballueshme, përfshirë burimet e rinovueshme dhe energjinë bërthamore.

    “Kjo është kriza e dytë e madhe energjetike në një periudhë të shkurtër prej katër vitesh. Mësimi duhet të jetë i qartë për të gjithë. Në një botë të trazuar si e jona, thjesht nuk mund të mbështetemi tepër në energjinë e importuar.

    Rruga përpara është e qartë: duhet ta zvogëlojmë varësinë tonë të tepërt nga lëndët djegëse fosile të importuara dhe të rrisim prodhimin tonë vendas të energjisë së pastër dhe të përballueshme, nga burimet e rinovueshme te ato bërthamore, duke respektuar plotësisht neutralitetin teknologjik”, tha Von der Leyen.

    Von der Leyen shtoi gjithashtu se ekziston një “realitet i ashpër”, pasi ndikimet e konfliktit në Lindjen e Mesme do të kenë efekt afatgjatë në ekonominë dhe sigurinë energjetike të BE-së.

    “Ekziston një realitet i ashpër me të cilin të gjithë duhet të përballemi: pasojat e konfliktit në Iran mund të ndihen për muaj ose edhe vite që do të vijnë. Qëllimi ynë i përbashkët është tani të shohim një fund të qëndrueshëm të luftës. Kjo përfshin rivendosjen e lirisë së plotë dhe të përhershme të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pa taksa”, u shpreh më tej Von der Leyen.

    Ajo nënvizoi se qëllimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar mbetet arritja e një paqeje të qëndrueshme, duke përfshirë garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushtica e Hormuzit dhe adresimin e çështjeve që lidhen me programin bërthamor dhe raketor të Iranit.

  • Në Ditën Botërore të Vallëzimit, Baleti i Kosovës sjell premierën “Bletë”

    Në Ditën Botërore të Vallëzimit, Baleti i Kosovës sjell premierën “Bletë”

    Baleti Kombëtar i Kosovës sonte prezanton premierën e parë për vitin 2026.

    E titulluar “Bletë” kjo shfaqje vjen në Ditën Botërore të Vallëzimit, në një mbrëmje me dy shfaqje: “We will never give up on love” me koreografi nga Erion Kruja, dhe “Bletë” me koreografi nga Clebio Oliveira me asistente Lela Di Costanzo.

    Ngjarja mbahen në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00, ndërsa repriza e parë jepet nesër.

  • Kirurgët në QKUK bëjnë mrekulli: Hiqet plumbi nga mushkëria 28 vjeçarit

    Kirurgët në QKUK bëjnë mrekulli: Hiqet plumbi nga mushkëria 28 vjeçarit

    Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale është realizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në kuadër të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku një pacient 28-vjeçar është trajtuar me sukses pas një dëmtimi të rëndë që kishte pësuar muaj më parë.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një pacient mashkull, i cili prej rreth 10 muajsh mbante një plumb të mbetur në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë.

    “Falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, trupi i huaj është larguar përmes një ndërhyrjeje moderne dhe minimale invazive. Operacioni është kryer duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal, e cila mundëson ndërhyrje pa hapje të madhe kirurgjikale, duke reduktuar rrezikun e komplikimeve dhe duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e rikuperimit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Sipas mjekëve, ndërhyrja ka rezultuar plotësisht e suksesshme, duke ruajtur funksionin e mushkërisë dhe duke shmangur çdo ndërlikim të mundshëm.

    “Aktualisht, pacienti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon rikuperimin pas operacionit”, thuhet tutje në njoftim.

    Ky rast konsiderohet një tjetër dëshmi e avancimit të shërbimeve shëndetësore në vend dhe e përkushtimit të stafit mjekësor për të aplikuar teknikat më moderne në trajtimin e pacientëve.

  • OEK kërkon veprime urgjente për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit

    OEK kërkon veprime urgjente për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, në një kohë kur rajoni po hyn në një fazë të rëndësishme të transformimit energjetik.

    Sipas OEK-ut, zhvillimet e fundit në rajon – përfshirë marrëveshjen ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhje me terminalin LNG në Krk, si dhe marrëveshjen e re në Shqipëri për gazin e lëngshëm natyror, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dëshmojnë qartë se Ballkani Perëndimor po ripozicionohet në hartën energjetike të Evropës.

    Në këtë kontekst, kjo odë vlerëson se mungesa e Kosovës në këto iniciativa paraqet rrezik serioz për sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.

    “Kosova nuk ka luksin të mbetet anash, ndërsa rajoni po ndërton infrastrukturën e së ardhmes energjetike me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfshirja në këto projekte është jetike për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve strategjike,” ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    OEK thekson se përfshirja e Kosovës në këto projekte duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar transparencë dhe procese të hapura konkurruese.

    Oda Ekonomike e Kosovës njëherësh iu bën thirrje institucioneve vendore që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë një rol aktiv në këtë moment kyç për të ardhmen energjetike të rajonit.

  • KRU “Mitrovica” paralajmëron shkyçje për borxhe mbi 50 euro ose vonesa mbi 15 ditë

    KRU “Mitrovica” paralajmëron shkyçje për borxhe mbi 50 euro ose vonesa mbi 15 ditë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se konsumatorët që kanë borxhe mbi 50 euro, apo që janë në vonesë më shumë se 15 ditë nga data e pranimit të faturës, janë përfshirë në listën për shkyçje nga shërbimi.

    “Të gjithë konsumatorët me borxh mbi 50€ ose që janë me 15 ditë vonesë nga dita e pranimit të faturës janë përfshirë në listën për shkyçje”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.

    Nga kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndërprerjen e shërbimit dhe tarifat shtesë, duke kryer pagesat me kohë ose duke riprogramuar obligimet sa më parë.

    “Shmangni ndërprerjen e shërbimit dhe tarifat shtesë duke kryer pagesat në kohë ose duke riprogramuar obligimet tuaja sa më parë”, thuhet më tej.

    KRU “Mitrovica” ka apeluar që pagesat të mos shtyhen, duke u kërkuar konsumatorëve të veprojnë sa më shpejt.

  • Vedati ironizon me situatën politike në vend, publikon një fotografi me ‘Gjylën’ nga një skeç i vitit 2016: Presidentet e ardhshme

    Vedati ironizon me situatën politike në vend, publikon një fotografi me ‘Gjylën’ nga një skeç i vitit 2016: Presidentet e ardhshme

    Aktori i njohur shqiptar, Vedat Bajrami, ka marrë vëmendje me një postim të publikuar së fundmi në rrjete sociale.

    Ai ka ironizuar me situatën politike, më konkretisht dështimin për zgjedhjen e presidentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

    I njëjti ndau një imazh të përbashkët me aktorin Osman Azemi, të realizuar vite më parë.

    “Presidentet e ardhshme”, ka shkruar ai krahas kësaj fotografie.

    Fotografia e tyre është marrë nga skeçi “Zojat në Interaktiv”, të bërë para 10 viteve.

    Ata tashmë janë ndarë dhe kanë vazhduar secili me projektet e angazhimet e tyre.

    Duhet theksuar që Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të përmbyllet brenda afateve kushtetuese.

  • Kim Jong-un lavdëroi ushtarët koreano-veriorë që kryen vetëvrasje për të mos u kapur rob në Ukrainë

    Kim Jong-un lavdëroi ushtarët koreano-veriorë që kryen vetëvrasje për të mos u kapur rob në Ukrainë

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, lavdëroi ushtarët që, duke luftuar krah forcave ruse në rajonin e Kurskut, kryen vetëvrasje për të mos rënë në robërinë ukrainase.

    Kim e tha këtë në ceremoninë e përfundimit të një memoriali kushtuar ushtarëve të vrarë koreano-veriorë, duke iu drejtuar zyrtarëve rusë dhe familjeve të të rënëve.

    Sipas një transkripti të publikuar të hënën nga agjencia shtetërore KCNA, ai foli për herë të parë publikisht për faktin se disa ushtarë kishin zgjedhur vetëshkatërrimin ose forma të tjera vetëvrasjeje në vend të kapjes, shkruan BBC.

    “Nuk janë vetëm heronj ata që pa hezitim zgjodhën rrugën e vetëshkatërrimit dhe vetëvrasjes për të mbrojtur nderin e madh, por edhe ata që ranë duke sulmuar në vijat e para të betejës. Edhe ata që u përpëlitën nga zhgënjimi sepse nuk arritën të përmbushin detyrën e tyre ushtarake, në vend që të duronin agoninë e trupave të copëtuar nga plumbat dhe granatat, gjithashtu mund të quhen luftëtarë besnikë të partisë dhe patriotë”, tha lideri koreano-verior.

    Sipas vlerësimeve, Koreja e Veriut ka dërguar rreth 14 mijë ushtarë për të luftuar krah forcave ruse në rajonin e Kurskut. Zyrtarë nga Koreja e Jugut, Ukraina dhe Perëndimi thonë se ata kanë pësuar humbje të mëdha, me më shumë se 6.000 ushtarë koreano-veriorë të vrarë në luftime.

    Raportet e inteligjencës dhe dëshmitë e dezertorëve më herët kishin treguar se ushtarët koreano-veriorë vendosnin të vetëhidhnin veten në erë ose të kryenin forma të tjera vetëvrasjeje për të shmangur kapjen. Në këmbim të dërgimit të ushtarëve dhe municioneve, Pheniani, sipas vlerësimeve të shërbimit të inteligjencës së Koresë së Jugut, ka marrë ndihmë ekonomike dhe teknologji ushtarake nga Rusia.

  • 2 vjet burgim e 15 mijë euro gjobë për serbin që sulmoi KFOR-in në veri

    2 vjet burgim e 15 mijë euro gjobë për serbin që sulmoi KFOR-in në veri

    2 vjet burgim edhe 15 mijë euro gjobë.

    Ky është dënimi i shqiptuar për Sllobodan Radenkoviq, i cili u shpall sot fajtor për sulmin ndaj KFOR-it në veri në maj të 2023-tës.

    Veprat për të cilat Radenkoviq ngarkohet janë “Sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër pene dhe huliganizëm”.

    Vendimi u kumtua nga gjykatësja Medie Bytyqi.

    Me këtë rast i akuzuari e ka pranuar fajësinë për aktin.

  • Detaje nga vrasja në Lezhë, gjenden veshjet e përdorura nga autorët

    Detaje nga vrasja në Lezhë, gjenden veshjet e përdorura nga autorët

    Policia në Shqipëri ka bërë me dije se po vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim për vrasjen e çiftit Mujeci, ngjarje e ndodhur më 26 prill në fshatin Balldren. Sipas hetimeve policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë automjetin tip “Volkswagen Polo”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për të qëlluar me armë zjarri ndaj viktimave.

    Automjeti është gjetur në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., ku ishte fshehur dhe mbuluar me bar për të humbur gjurmët. Gjatë kontrollit brenda në mjet, grupi hetimor ka sekuestruar dy gëzhoja model 56, ndërsa nga këqyrja rezultoi se mjeti kishte dëmtime të dukshme, përfshirë xhamin e pasmë dhe pjesë anësore të thyer.

    Në të njëjtin ambient është gjetur edhe një automjet tjetër identik, në pronësi të B. K., si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së krimit. Hetimet kanë zbuluar se shtetasi Florin Mhillaj kishte marrë automjetin me qira në Rinas, i kishte hequr targat dhe, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, e kishte përdorur për t’i zënë pritë çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, raporton Euro News.

    Pas krimit, automjeti është fshehur në banesën e B. K., duke u kamufluar për të shmangur zbulimin. Në vijim, Policia ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin B. K., i dyshuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç, për armëmbajtje pa leje.