ATV

Author: K.B.

  • FIFA trefishon çmimin e biletave më të mira për finalen e Kupës së Botës

    FIFA trefishon çmimin e biletave më të mira për finalen e Kupës së Botës

    FIFA ka rritur çmimin e biletave më të shtrenjta për finalen e Kupës së Botës 2026, e planifikuar të luhet më 19 korrik në stadiumin MetLife në East Rutherford, kështu që tani ato kushtojnë 32,970 dollarë.

    Në faqen e shitjeve të FIFA-s, këto vende janë shënuar si kategoria e parë e vendeve të përparme. Më parë, çmimi maksimal për të njëjtën kategori ishte 10,990 dollarë, dhe ky opsion ishte i disponueshëm vetëm të enjten në mbrëmje për përdoruesit e karrigeve me rrota dhe biletat e aksesueshme.

    Çmimet e larta pasuan fundin e turneut. Biletat për gjysmëfinalet e 14 korrikut në stadiumin AT&T në Arlington kushtuan 11,130 dollarë, 4,330 dollarë, 3,710 dollarë dhe 2,705 dollarë, ndërsa biletat për gjysmëfinalen e dytë një ditë më vonë në stadiumin Mercedes-Benz në Atlanta kushtuan 10,635 dollarë, 3,545 dollarë dhe 2,725 dollarë.

    Ndeshjet e ekipit kombëtar të SHBA-së në fazën e grupeve ishin gjithashtu të shtrenjta.

    Për ndeshjen kundër Paraguait më 12 qershor në stadiumin SoFi në Inglewood, çmimet ishin 2,735 dollarë, 1,940 dollarë dhe 1,120 dollarë, për ndeshjen kundër Australisë më 19 qershor në Seattle ishin 2,715 dollarë dhe për ndeshjen kundër Turqisë më 25 qershor në Ingleëood plotë 2,970 dollarë, 1,345 dollarë, 990 dollarë dhe 840 dollarë.

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e mbrojti një politikë të tillë në konferencën globale të Institutit Milken në Beverly Hills.

    “Duhet ta shohim tregun. Jemi në një treg ku argëtimi është më i zhvilluari në botë, kështu që duhet të zbatojmë çmimet e tregut. Nëse biletat do të shiten me një çmim shumë të ulët, ato do të rishiten me një çmim shumë më të lartë”, ka thënë Infantino.

    Në platformën e rishitjes së FIFA-s, biletat për finalen e së enjtes ofroheshin për çmime midis 8,970 dhe 11,499,998.85 dollarë. FIFA nuk përcakton çmimet e kërkuara në platformë, por merr një tarifë prej 15 për qind nga blerësi dhe 15 për qind të tjera nga shitësi.

  • VV-ja garon në zgjedhje në koalicion me GUXO, Alternativën dhe PSHDK-në

    VV-ja garon në zgjedhje në koalicion me GUXO, Alternativën dhe PSHDK-në

    Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë së bashku me Guxo, Alternativën e PSHDK-në.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë Guxo para pak minutave.

    Sipas Guxo-së, ky nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim politik i vendosur për të qeverisur me përgjegjësi.

    Njoftimi i plotë:

    Sot u vulos vazhdimi i një rruge të përbashkët politike: Partia GUXO, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia ALTERNATIVA dhe Partia Shqiptare Demokristiane nënshkruan Marrëveshjen e Koalicionit, si angazhim i qartë përpara qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Ky nuk është një bashkim i përkohshëm, por një qëndrim politik i vendosur për të qeverisur me përgjegjësi, për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për ta vendosur qytetarin e Republikës në qendër të çdo vendimi.

    Ne hyjmë në këtë marrëveshje me bindjen se shteti forcohet vetëm përmes drejtësisë që vepron, institucioneve që funksionojnë dhe një qeverisjeje që nuk i shmanget llogaridhënies. Lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare nuk janë premtime, por detyrime që burojnë nga besimi i qytetarëve.

    Ky koalicion përfaqëson stabilitet, drejtim dhe qartësi politike: një Republikë më të fortë brenda dhe më të sigurt jashtë, me orientim të palëkundur euroatlantik dhe me partneritete strategjike të konsoliduara.

    Partia GUXO qëndron në këtë bashkim me përgjegjësi të plotë, për të garantuar se politika nuk mbetet fjalë, por kthehet në veprim që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë, nafta pak më lirë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë, nafta pak më lirë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet e naftës që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

    Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.67 euro për litër, dy centë më lirë se dje, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.52 euro për litër, një cent më shtrenjtë se dje.

    Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.81 euro për litër.

  • Falsifikim me dokumente në Prishtinë, policia sekuestron kompjuterë, laptop dhe vetura

    Falsifikim me dokumente në Prishtinë, policia sekuestron kompjuterë, laptop dhe vetura

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve për falsifikim të dokumenteve, janë identifikuar dhe arrestuar edhe tre të dyshuar meshkuj kosovarë.

    Sipas raportit policor, gjatë aksionit janë kontrolluar tri lokacione të ndryshme, ku autoritetet kanë sekuestruar prova materiale që lidhen me veprën penale. Ndër gjërat e sekuestruara janë dy vetura, një orë dore, pesë telefona mobilë, katër USB, një hard-disk (HDD), një laptop, një shtëpizë kompjuterike si dhe dokumentacione të ndryshme.

    Me vendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

    “Prishtinë 03.11.2025 – NN. Lidhur me rastin janë identifikuar dhe arrestuar edhe tre te dyshuar meshkuj kosovarë, dhe janë kontrolluar tri lokacione të ndryshme ku si prova janë sekuestruar; dy vetura, një orë dore, pesë telefona mobil, katër USB, një HDD, një llap-top, një shtëpizë kompjuterike dhe dokumentacione që lidhen me veprën në fjalë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”.

  • 68 aksidente trafiku e mbi 2 mijë gjoba trafiku brenda 24-të orëve

    68 aksidente trafiku e mbi 2 mijë gjoba trafiku brenda 24-të orëve

    Gjatë 24-të orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 68 aksidente trafiku ku prej tyre 23 me të lëndur dhe 45 me dëme materiale.

    Po ashtu gjatë këtij intervali kohor janë shqiptuar 2485 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    18 persona janë arrestuar, 11 janë dërguar në mbatje dhe 2 në vuatje të dënimit.

  • Veliu për rikthimin e Osmanit në LDK: I shërbeu kundërshtarit kryesor për pesë vite, kthesë tepër e madhe

    Veliu për rikthimin e Osmanit në LDK: I shërbeu kundërshtarit kryesor për pesë vite, kthesë tepër e madhe

    Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka komentuar rikthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në LDK, duke e cilësuar atë si “kthesë shumë të madhe”.

    Veliu tha se pas pesë vitesh shërbim politik ndaj kundërshtarit kryesor të LDK-së, kthimi i Osmanit ngre pikëpyetje mbi motivet e saj politike.

    “Kthesë e madhe, tepër e madhe. Nuk e di, t’i shërbesh kundërshtarit kryesor politik të LDK-së për pesë vite e të kthehesh në këtë mënyrë, nuk e di a është qëllimi me ndihmu LDK-në apo është punë puro personale, por është një kthesë e madhe”, deklaroi Veliu në Kanal 10.

    Duke folur për zgjedhjet e 7 qershorit, Veliu u shpreh se nuk planifikon të ketë ndonjë angazhim politik, pasi sipas tij nuk pati reagim gjatë zgjedhjeve të kaluara.

  • “Kërko falje ose shihemi në gjykatë” – Agim Bahtiri i përgjigjet ashpër Jehona Lushakut për akuzat se ishte i dehur

    “Kërko falje ose shihemi në gjykatë” – Agim Bahtiri i përgjigjet ashpër Jehona Lushakut për akuzat se ishte i dehur

    Një deklaratë e ish-deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka nxitur një reagim të ashpër nga ish-deputeti i VV-së, Agim Bahtiri.

    Ky i fundit e ka paralajmëruar zyrtaren e LDK-së me padi për shpifje, pas pretendimeve të saj se ai kishte qenë në gjendje të dehur natën kur po negociohej për votat e Presidentit.

    Lushaku-Sadriu, në një paraqitje televizive, e cilësoi sjelljen e Bahtirit të asaj nate si “teatër” dhe “joserioze”, duke shtuar se ai ishte “gjysmë i pirë” kur u kërkonte nënshkrimet.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Agim Bahtiri i është përgjigjur me tone të ashpra, duke i dhënë Lushakut dy mundësi: kërkim falje ose përballje ligjore.

    “Shpifja jote se unë paskam qenë ‘gjysmë i dehur’ atë natë kur kam ardhur t’i kërkoj nënshkrimet, është e ulët dhe e turpshme, dhe për të duhet të kërkosh falje publike! Të akuzosh dikë pa asnjë fakt vetëm sepse nuk arrin ta fshehësh dështimin politik të LDK-së, tregon nivelin ku keni rënë,” shkroi Bahtiri.

    Bahtiri insiston se prania e tij në Kuvend atë natë ishte për të gjetur zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa ka akuzuar LDK-në për kalkulime nëpër korridore.

    “Në mungesë votash dhe përgjegjësie, zgjodhët shpifjen dhe teatrin mediatik. Mjaft më me përralla e gënjeshtra, se populli ua ka treguar vendin me votë. Zonja Lushaku i ka dy rrugë, ose kërkon falje për shpifjen se kam qenë ‘gjysmë i dehur’ ose shihemi në gjykatë!” tha ai.

  • Shqipëria ndër vendet me më shumë gra në pozita drejtuese, Kosova në fund të renditjes europiane

    Shqipëria ndër vendet me më shumë gra në pozita drejtuese, Kosova në fund të renditjes europiane

    Shqipëria udhëheq rajonin për sa i përket përfaqësimit të grave në pozicione drejtuese, sipas të dhënave nga Eurofound (Fondacioni Europian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe të Punës).

    Në Shqipëri rreth 33% e punonjësve raportojnë se kanë një grua si eprore, një shifër kjo që i përafrohet mesatares së vendeve të Bashkimit Europian dhe tejkalon ndjeshëm fqinjët e tjerë ballkanikë.

    Ky nivel i drejtimit nga gratë tregon një pjekuri më të lartë të tregut të punës në drejtim të diversitetit gjinor, duke lënë pas modele më konservatore që dominonin në vitet e para të tranzicionit.

    Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, kanë një prezencë më të ulët të grave në krye të bizneseve 28% dhe 32%. Edhe pse këto vende shfaqin një përpjekje për integrimin e grave në vendimmarrje, dominimi i burrave mbetet i lartë, me rreth 65-70% të pozicioneve menaxheriale të zëna prej tyre. Barrierat tradicionale janë ende prezente, por kanë filluar të lëshojnë rrugë përballë trendëve të reja të lidershipit.

    Në fund të renditjes rajonale mbeten Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilat shënojnë nivelet më të ulëta të grave që drejtojnë bizneset në të gjithë kontinentin europian.

    Në Bosnjë, shifra e eprorëve burra i kalon 75%, ndërsa në Kosovë ky dominim arrin kulmin me mbi 80%, duke e lënë përfaqësimin e grave në nivele minimale, rreth 15-18%. Këto të dhëna konfirmojnë një hendek të thellë gjinor në këto dy tregje pune, ku figura e “shefit” mbetet pothuajse ekskluzivisht mashkullore.

    Mesatarja e Bashkimit Europian (EU) për sa i përket eprorëve burra luhatet rreth 64%, çka do të thotë se rreth një e treta e punonjësve në BE kanë një grua si shefe. Në rajon, Shqipëria dhe Serbia janë vendet e vetme që arrijnë të qëndrojnë shumë pranë ose brenda kësaj mesatareje, duke treguar një nivel konvergjence me praktikat europiane të lidershipit të drejtimit në ndërmarrje.

    Vendet si Suedia me rreth 50% eprorë burra dhe 48% gra apo Finlanda, përfaqësojnë barazinë më të madhe gjinore në Europë.

    Disa vende të rajonit tonë performojnë më mirë se disa anëtarë të vjetër të BE-së. Për shembull, Shqipëria dhe Serbia kanë një përqindje më të lartë të grave në pozicione drejtuese se sa Greqia, ku eprorët burra zënë rreth 72% apo Malta 73%./Monitor

  • Biznesmeni vritet me plumb në kokë, zbardhet dinamika e krimit në Sarandë

    Biznesmeni vritet me plumb në kokë, zbardhet dinamika e krimit në Sarandë

    Policia ka dhënë detaje lidhur me vrasjen në Sarandë, ekzekutua ku u vra Rexhep Ismaili, pronar i një karburanti dhe kryetar i shoqatës “Çamëria” dega Sarandë.

    Bëri të ditur se deri te vrasja ka ardhur pas një konflikti për motive të dobta që nisi në lokalin e karburantit në pronësi të viktimës.

    Sherri ka nisur me sende të forta, dhe më pas Lulëzim Tabaku dyshohet se ka vrarë me armë zjarri 66-vjeçarin Ismaili, raporton A2Cnn.

    Dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është identifikuar ende pasi nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital.

    Ndërkaq, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe të plagosurin.

    “Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë”.

    “Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar. Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur”, thuhet në njoftime policisë./A2Cnn

  • Përfundon afati për deklarim në KQZ: 22 parti konfirmuan pjesëmarrjen

    Përfundon afati për deklarim në KQZ: 22 parti konfirmuan pjesëmarrjen

    Në mesnatë ka përfunduar afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për ta njoftuar KQZ-në lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.

    Sipas të dhënave të fundit të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbrëmë deri në orën 21:30, u pranuan njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, njoftime për mospjesëmarrje nga 8 parti politike, si dhe dy njoftime për formim të koalicioneve, të përbëra nga pesë parti politike.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, partitë politike që deri mbrëmë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë:

    Partia Socialdemokrate

    Kosovaki Nevi Romani Partia

    Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve

    Za Slobodu Pravdu i Opstanak

    Srpska Lista

    Yenilikçi Türk Hareket Partisi

    Lidhja Demokratike e Kosovës

    Fjala

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës

    Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK

    Socialdemokratska Unija

    Jedinstvena Goranska Partija

    Kosova Demokratik Türk Partisi

    Nova Demokratska Stranka

    Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës

    Kosovski Savez

    Partia Balliste

    Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale

    Partia Liberale Egjiptiane

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

    Stranka Demokratske Akcije

    Partia Demokratike e Kosovës.

    Ndërkohë, partitë politike që kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë:

    Partia Demokratike e Unitetit

    Balli Kombëtar i Kosovës

    Lëvizja Qytetare Vatra

    Bashkimi për Ndryshim Anamorava

    Partia e Drejtësisë

    Srpski Narodni Pokret

    Partia Reforma Demokratike

    Aleanca Kosova e Re.

    Sa i përket koalicioneve, deri tani KQZ ka pranuar njoftimin për formimin e dy koalicioneve:

    Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);

    Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar).

    Në mesin e partive të mëdha politike që ende nuk kanë njoftuar zyrtarisht pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 21:30 të mbrëmshme është edhe Lëvizja Vetëvendosje.

    KQZ ka sqaruar se njoftimi për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhje dhe deklarimi i koalicioneve është proces i ndarë nga aplikimi për certifikim të subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.

    Afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike – përfshirë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur – ka nisur më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Ndërkaq, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë ka filluar më 2 maj dhe do të zgjasë deri më 12 maj 2026.