ATV

Author: K.B.

  • Në Kroaci zbulohet pllaka përkujtimore për 10 viktimat nga Kosova të aksidentit tragjik të vitit 2021

    Në Kroaci zbulohet pllaka përkujtimore për 10 viktimat nga Kosova të aksidentit tragjik të vitit 2021

    Nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci, në qytetin e Sllavonski Brod është zbuluar një pllakë përkujtimore në nderim të dhjetë viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor më 25 korrik në vitin 2021.

    Siç bën të ditur Ambasada, në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Përfaqësuesi Special i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Genc Metaj, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marušić, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Sllavonski Brodit, Martina Martic Puaca, familjarë të viktimave, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Kroacisë, si dhe qytetarë të shumtë.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, tha se vendosja e pllakës përkujtimore nuk është vetëm një akt simbolik, por një shprehje e përgjegjësisë morale për të ruajtur kujtesën e viktimave dhe për të treguar se dhimbja e familjeve të tyre mbetet një dhimbje e përbashkët.

    Në përmbyllje të ceremonisë, prefekti i Qarkut Brod-Posavinë, Danijel Marushic, u shprehu solidaritet familjeve të viktimave, duke theksuar se asnjë fjalë nuk mund ta zbusë dhimbjen e tyre, por se ato nuk janë vetëm në këtë pikëllim.

    Ai tha se pllaka do të mbetet një simbol i përhershëm i kujtimit për viktimat dhe një thirrje që tragjedi të tilla të mos përsëriten.

  • Musmurati nis iniciativën për renovimin e këndeve të lojërave në Prishtinë

    Musmurati nis iniciativën për renovimin e këndeve të lojërave në Prishtinë

    Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka bërë të ditur nisjen e një iniciative për renovimin e këndeve të lojërave në lagje të ndryshme të kryeqytetit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë lodrat e dëmtuara.

    Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Musmurati tha se, si shumë prindër të Prishtinës, edhe ajo kalon kohë me djalin e saj, Tomorin, në parqet e qytetit, ku ka vërejtur se një numër i madh i lodrave janë të dëmtuara dhe kanë nevojë për riparim.

    “Prindër të dashur të Prishtinës, e kemi marrë një iniciativë me i renovu këndet e lojërave nëpër lagje të ndryshme. Sikur shumë prindër të Prishtinës, edhe unë mundohem çdo ditë me Tomorin në parqe të ndryshme të qytetit. Kudo që po shkojmë bashkë me djalin, po e shohim që ka lojëra të prishura që kanë nevojë për riparim”, u shpreh ajo.

    Ajo u bëri thirrje qytetarëve që, nëse hasin në lodra të dëmtuara, të dërgojnë një email në adresën [email protected], duke bashkëngjitur një fotografi, lokacionin e këndit të lojërave dhe një përshkrim të shkurtër të dëmtimit.

    Musmurati tha se ajo dhe djali i saj e kanë nisur këtë iniciativë duke raportuar një lodër të dëmtuar në lagjen Ulpiana, ndërsa ftoi qytetarët që ta vazhdojnë aksionin edhe në lagjet e tjera.

    “Unë e Tomori po e fillojmë me një foto nga kjo lojë e prishur në Ulpianë, e ju vazhdojeni nëpër lagjet e tjera. Për një fëmijë, një lodër e dëmtuar është një lojë e munguar. E për mua, si nënë e si nënkryetare, është një përgjegjësi”, deklaroi ajo.

  • Burg për komentin kërcënues ndaj Hysni Gucatit, Gjykata jep vendimin

    Burg për komentin kërcënues ndaj Hysni Gucatit, Gjykata jep vendimin

    Gjykata Themelore në Drenas ka dënuar me burgim prej 4 muajve Eqrem Avdullahut nga Rahoveci, i cili akuzohet për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

    Në seancën përfundimtare, gjyqtari tha se i akuzuari dënohet edhe me shumën prej 70 euro, derisa palet mund të ankohen për vendimin.

    Sipas Prokurorisë, Avdullahu kishte kërcënuar përmes rrjetit social Facebook kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

    Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, i pandehuri Eqrem Avdullahu, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin, duke i shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.

    Në aktakuzë thuhet se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte postuar një fotografi e Hysni Gucatit me mbishkrimin “Prokuroria heton Hysni Gucatin – mori rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”.

    Sipas Prokurorisë, më pas i pandehuri, përmes profilit të tij personal në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.

    4 muaj burgim, shumën prej 50 euro, 20 euro

  • Ambasada britanike kërkon riintegrimin e serbëve në sistemin e drejtësisë: Të forcohet besimi i qytetarëve

    Ambasada britanike kërkon riintegrimin e serbëve në sistemin e drejtësisë: Të forcohet besimi i qytetarëve

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë dhe ka bërë thirrje për riintegrimin e serbëve në këtë sistem.

    Reagimi i ambasadës vjen pas vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë.

    Ambasada britanike ka rikujtuar se Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015 e kishte mirëpritur si një hap të rëndësishëm, pasi ajo kishte integruar strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të vendit.

    “Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kuadrin ligjor të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm për serbët e Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës.

    Sipas Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 ishin një hap prapa dhe dëmtuan interesat e qytetarëve.

    “Ne i konsideruam dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, që dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

    Ambasada ka theksuar se integrimi i të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit.

    “Ne e kemi mirëpritur reagimin e kahershëm të organeve përkatëse profesionale, të cilat e kanë njohur rëndësinë e ruajtjes së besimit të të gjitha komuniteteve në Kosovë ndaj sistemit të drejtësisë, dhe për këtë arsye jemi të shqetësuar nga zhvillimet e kësaj jave”, ka deklaruar ambasada.

    “Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë shumetnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.

  • Faza e re e kërkimeve për 78 vjeçarin, sot kryhet analiza e terrenit

    Faza e re e kërkimeve për 78 vjeçarin, sot kryhet analiza e terrenit

    Sot do të vazhdojnë kërkimet për 78 vjeçarin Xhafer Raqi, i cili vuan nga demenca.

    I moshuari është shpallur i zhdukur nga fillimi i korrikut.

    Detaje për Klankosova.tv ka dhënë Mentor Maloku, kryetar i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

    “Sot do të nisim kërkimet, në grupe pak më të vogla. Do të bëjmë një analizë fillimisht, do t’i analizojmë rrugët se kah ka mundur të shkojë ai, duke filluar nga vendi ku janë gjetur së fundmi gjurmët e tij. Derisa ditëve në vazhdim, do të kryejmë një kërkim më masiv dhe më të thellë”, deklaroi Maloku për Klankosova.

    Javë më parë, në Butovc ishte gjetur një sandale e cila dyshohet se i përket 78 vjeçarit.

    Ndryshe, kërkimet po rifillojnë me kërkesë të Policisë.

    Derisa familja, i lut për ndihmë të gjithë qytetarët për gjetjen e të moshuarit që vuan nga demenca (harresa).

    Ndërsa, krejt ata që kanë informacione për 78 vjeçarin le të lajmërohet në këtë numër telefoni:

    +383 44 737 900

  • Rrënimi i shtëpisë në Rrugën A, ndalohet vëllai i pronarit

    Rrënimi i shtëpisë në Rrugën A, ndalohet vëllai i pronarit

    Shtëpia e familjes Maxhuni në Rrugën A, e cila dyshohet se ishte ndërtuar në pronë komunale, tashmë është rrënuar.

    Rrënimin e ka kryer Inspektorati Komunal të enjten.

    Në vendin e ngjarjes, në lagjen Veternik, vëllai i pronarit të shtëpisë është ndaluar nga Policia e Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Ekonomia Online.

    Ai është shoqëruar në stacion pasi ka tentuar t’i afrohej vendit të ngjarjes, por është ndaluar nga zyrtarët policorë.

    Vëllai i Fatmir Maxhunit, pronarit të shtëpisë, akuzoi zyrtarët komunalë për rrënim të paligkshëm pa një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Kur zyrtarizohet euroja në Shqipëri – Plani pas anëtarësimit, zbardhen kërkesat për Bankën e Shqipërisë

    Kur zyrtarizohet euroja në Shqipëri – Plani pas anëtarësimit, zbardhen kërkesat për Bankën e Shqipërisë

    Euroja do të bëhet monedha zyrtare e vendit tonë pasi Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. Një gjë e tillë përcaktohet edhe në projektligjin e ri “Banka e Shqipërisë”.

    Jo vetëm që euroja do të jetë monedha me të cilën qytetarët do të blejnë shërbimet, kreditë dhe do të mbajnë depozitat, por gjithashtu në këtë ligj përcaktohen edhe rregullat që duhet të ndjekë Banka e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bankës Qendrore Evropiane.

    Është kapitulli XV i këtij ligji që tregon se është Banka e Shqipërisë ajo që do të kujdeset për hedhjen e euros në treg. Bankës së Shqipërisë i ngarkohet hedhja në qarkullim dhe tërheqja e kartëmonedhave dhe monedhave euro, si dhe përshtatja e dizajnit të monedhave sipas rregullave përkatëse të Bashkimit Evropian.

    Euroja si monedhë zyrtare do të ndryshojë edhe rregullat se si mbahet rezerva valutore.

    “Një element i rëndësishëm i kapitullit është rregullimi i marrëdhënieve financiare dhe operacionale me Eurosistemin, përfshirë transferimin dhe administrimin e rezervave valutore drejt Bankës Qendrore Evropiane, si dhe menaxhimin e pjesës së mbetur të rezervave.”

    Ky projektligj i hap rrugën integrimit të Bankës së Shqipërisë në sistemin monetar evropian. /tch

  • Pas humbjes nga Spanja, argjentinasit kërkojnë përsëritjen e finales së Botërorit

    Pas humbjes nga Spanja, argjentinasit kërkojnë përsëritjen e finales së Botërorit

    Humbja 1-0 e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në vendin amerikano-jugor, ku një pjesë e tifozëve kanë nisur një fushatë për përsëritjen e ndeshjes.

    Sipas gazetës spanjolle El Mundo, në platformat digjitale është iniciuar një peticion që i bën thirrje FIFA-s të rishikojë finalen e zhvilluar të dielën në Nju Jork. Deri më tani, peticioni ka mbledhur mbi 61.500 nënshkrime.

    Nisma është ndërmarrë nga tifozja argjentinase Gisela Sanchez, e cila e publikoi peticionin në platformën Change.org, duke vënë në dyshim ndarjen e drejtësisë të sllovenit Slavko Vinçiç.

    Sipas autores së peticionit, disa vendime të arbitrit ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e finales dhe duhet të rishikohen nga FIFA. Megjithatë, ajo nuk ka paraqitur prova konkrete që mbështesin pretendimet e saj.

    Pavarësisht numrit të madh të nënshkrimeve, ekspertët theksojnë se kjo fushatë nuk ka asnjë bazë ligjore që mund ta detyrojë FIFA-n të ndryshojë rezultatin ose të urdhërojë përsëritjen e finales.

    Sipas rregulloreve të futbollit, një ndeshje zyrtare mund të përsëritet vetëm në rrethana krejtësisht të jashtëzakonshme dhe vetëm pas një vendimi të organeve kompetente të FIFA-s.

    Kjo nuk është hera e parë që gjatë Kupës së Botës 2026 ngrihet një peticion i tillë. Më herët, edhe tifozët francezë mblodhën mbi 82 mijë nënshkrime, duke kërkuar përsëritjen e gjysmëfinales ndaj Spanjës për shkak të një episodi kontrovers që parapriu penalltinë e fituar nga Lamine Yamal.

    Spanja u shpall kampione e botës pasi mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 pas vazhdimeve, falë golit të Ferran Torresit.

    Megjithëse zhgënjimi ishte i madh, mijëra tifozë argjentinas dolën në rrugë pas finales për të përshëndetur kombëtaren e tyre dhe për ta falënderuar për rrugëtimin deri në finale dhe për luftën e zhvilluar në përpjekje për ta mbrojtur titullin e fituar katër vite më parë.

  • Filmi “Dua” i Blerta Bashollit do të ketë premierën rajonale në ‘Sarajevo Film Festival’

    Filmi “Dua” i Blerta Bashollit do të ketë premierën rajonale në ‘Sarajevo Film Festival’

    Filmi me metrazh të gjatë “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të prezantohet për herë të parë në rajon në kuadër të Sarajevo Film Festival, ku është përzgjedhur në garën kryesore ‘Main Competition’.

    Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila ka njoftuar se ky është një tjetër sukses në rrugëtimin ndërkombëtar të filmit, pas premierës së tij botërore në seksionin prestigjioz La Semaine de la Critique të Festivalit të Filmit në Kanë.

    Filmi i Bashollit vazhdon kështu të marrë vëmendje në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të kinematografisë.

    Njoftimi i plotë nga Qendra Kinematografike e Kosovës:

    “Jemi të lumtur të ndajmë lajmin se filmi me metrazh të gjatë “DUA”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, do të ketë premierën rajonale në garën kryesore (Main Competition) të Sarajevo Film Festival.

    Pas premierës së tij botërore në La Semaine de la Critique në Festivalin e Filmit në Kanë, “DUA” vazhdon rrugëtimin e tij festivalor me përzgjedhjen në garën kryesore të një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore.

    Një dramë coming-of-age, e vendosur në Kosovën e viteve ’90 dhe e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores, filmi ndjek historinë e një adoleshenteje introverte në kërkim të identitetit në një periudhë të ndërlikuar politike.

    Producentë të filmit janë Valon Bajgora dhe Yll Uka (Ikonë Studio, Kosovë), ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).

    Filmi është mbështetur nga Centre National du Cinema et de l’Image Animée (CNC), Office Fédéral de la Culture, ARTE Cinema, Eurimages, SRF – Schweizer Radio und Fernsehen, Cineforom dhe Qendra Kinematografike e Kosovës”.

  • U dërgua në burg bashkë me foshnjën, Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçares

    U dërgua në burg bashkë me foshnjën, Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçares

    Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçares që u dërgua në burg me foshnjën, Dorina Sejdini, raporton Top Channel.

    Vendimi u dha nga Edvan Veçani, ndërsa në lidhje me rastin pati reagime të menjëhershme si nga Presidenti i vendit Bajram Begaj, ashtu dhe nga avokati i Popullit.

    34-vjeçarja u arrestua në Aeroportin e Rinasit menjëherë pas mbërritjes nga Gjermania, për të ekzekutuar një dënim me 2 muaj burg të dhënë në mungesë për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit.