ATV

Author: K.B.

  • Të akuzuarit për vrasjen e Muhamet Likës deklarohen të pafajshëm, prokurori thotë se provat dëshmojnë të kundërtën

    Të akuzuarit për vrasjen e Muhamet Likës deklarohen të pafajshëm, prokurori thotë se provat dëshmojnë të kundërtën

    Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ashtu si në seancën fillestare, janë deklaruar sërish të pafajshëm, raporton Ekonomia Online.

    Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, prokurori Ismet Rrahmani, tha se provat materiale dhe video-incizimet e siguruara dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

    Sipas prokurorit, megjithëse 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

    “Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

    Ai theksoi se nga analiza e video-incizimeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast dhe se, sipas Prokurorisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit.

  • Dhunë brenda familjes në Istog: Dy gra rrahin një burrë

    Dhunë brenda familjes në Istog: Dy gra rrahin një burrë

    Një person ka pësuar lëndime trupore pas një sulmi fizik në Istog, ku të dyshuara janë dy gra.

    Rasti ka ndodhur më 22 korrik, rreth orës 21:35, kur dy të dyshuara femra, shtetase të Kosovës, dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull, duke i shkaktuar lëndime.

    Sipas raportit të policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e pësuara.

    Njëra nga të dyshuarat, pas intervistimit nga Policia, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa e dyshuara tjetër pritet të intervistohet gjatë ditës së nesërme.

    “Istog, 22.07.2026 – 21:35. Është raportuar se dy të dyshuarat femra kosovare kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njëra nga të dyshuarat pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt ndërsa tjetra pritet të intervistohet nesër”.

  • AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike: Po cenohen kompetencat e komunave

    AKK kundërshton Projektligjin për Pronën Publike: Po cenohen kompetencat e komunave

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësim lidhur me Projektligjin për Pronën Publike, duke vlerësuar se ky projektligj paraqet tendencë për centralizim të kompetencave dhe cenim të autonomisë së komunave.

    Sipas AKK-së, dispozitat e propozuara kufizojnë të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre, e cila, sipas këtij institucioni, është një prej shtyllave kryesore të vetëqeverisjes lokale.

    “Projektligji për Pronën Publike paraqet një tendencë shqetësuese të centralizimit të kompetencave dhe cenon një nga shtyllat themelore të vetëqeverisjes lokale, atë të drejtën e komunave për të poseduar, administruar dhe menaxhuar pronën e tyre”, thuhet në reagimin e AKK-së.

    AKK ka vlerësuar se projektligji është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht me nenin 14, i cili përcakton të drejtën e komunave për të poseduar dhe menaxhuar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme.

    “Ky projektligj nuk është në frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, e cila garanton autonominë lokale dhe mbrojtjen e kompetencave të komunave”, thuhet në reagim.

    Sipas Asociacionit, përmes këtij projektligji komunave mund t’u kufizohen kompetencat në administrimin e pronës komunale, ndërsa niveli qendror do të ketë kontroll më të madh mbi asetet që shërbejnë për zhvillimin lokal.

    AKK ka theksuar se prona komunale nuk është vetëm një aset administrativ, por bazë për zhvillimin ekonomik dhe realizimin e projekteve me interes publik.

    “Prona komunale është baza e zhvillimit ekonomik lokal. Përmes saj komunat planifikojnë zhvillimin urban, krijojnë zona ekonomike, tërheqin investime, ndërtojnë shkolla, çerdhe, qendra shëndetësore, rrugë, objekte sportive e kulturore dhe realizojnë projekte të tjera me interes publik”, ka deklaruar AKK.

    Në reagim, Asociacioni ka ngritur shqetësime edhe për vendimet e mëhershme të nivelit qendror, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar pasoja financiare për komunat.

    “Komunat nuk mund të përballen njëkohësisht me barrë gjithnjë e më të madhe financiare nga vendimet e nivelit qendror dhe, në anën tjetër, t’u kufizohen kompetencat që u garantohen me ligj”, thuhet në reagim.

    AKK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos procedojë me miratimin e këtij projektligji pa një dialog të mirëfilltë me komunat dhe pa harmonizimin e tij me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.

    “Autonomia lokale nuk është privilegj i komunave, por është garanci kushtetuese për qytetarët. Mbrojtja e pronës komunale është mbrojtje e decentralizimit, e zhvillimit ekonomik lokal dhe e një shteti demokratik ku kompetencat respektohen në çdo nivel të qeverisjes”, përfundon reagimi i AKK-së.

  • Sindikata e Policisë ngushëllon familjen Hajdari për vdekjen e policit: Qoftë i përhershëm kujtimi për të

    Sindikata e Policisë ngushëllon familjen Hajdari për vdekjen e policit: Qoftë i përhershëm kujtimi për të

    Vdekja e zyrtarit policor të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Shaban Hajdari, ka tronditur familjen, kolegët dhe komunitetin policor.

    Hajdari është gjetur pa shenja jete në varrezat e fshatit Morinë të Kukësit. Sipas dyshimeve fillestare, ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri

    Pas kësaj ngjarjeje, Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, duke vlerësuar kontributin e tij në shërbim të Policisë së Kosovës. Në telegramin e ngushëllimit, Sindikata ka shprehur dhimbjen për humbjen e zyrtarit policor dhe është solidarizuar me familjarët, kolegët dhe të afërmit e tij.

    “Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Shaban Hajdari. Shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë për familjen, kolegët dhe të afërmit e të ndjerit, duke u uruar forcë dhe kurajë për ta përballuar këtë humbje”.

    Në fund të mesazhit, Sindikata ka nderuar kujtimin e Hajdarit me fjalët: “Qoftë i përhershëm kujtimi për të.”

  • Dy shtetase të Somalisë kapen pasi hynë ilegalisht në Kosovë, dyshohet se u kontrabanduan

    Dy shtetase të Somalisë kapen pasi hynë ilegalisht në Kosovë, dyshohet se u kontrabanduan

    Dy shtetase të Somalisë janë hasur nga Policia e Kosovës në afërsi të pikës së vjetër kufitare Kosovë–Shqipëri, pak para mesnatës ndërmjet të mërkurës e të enjtes, pasi dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Gjatë intervistimit, dy gratë kanë deklaruar se e kanë kaluar kufirin nga Shqipëria në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Sipas dyshimeve fillestare, ato janë kontrabanduar nga persona të tjerë deri në afërsi të kufirit.

    Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

  • FIFA reagon ashpër pas akuzave për kurdisje të ndeshjeve në Botëror, del me deklaratë zyrtare

    FIFA reagon ashpër pas akuzave për kurdisje të ndeshjeve në Botëror, del me deklaratë zyrtare

    FIFA ka reaguar me një deklaratë të fortë pas pretendimeve për kurdisje të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026.

    Botërori i parë me 48 kombëtare përfshiu gjithsej 104 ndeshje, ndërsa Spanja u shpall kampione e botës për herë të dytë në histori, pasi mposhti Argjentinën në finalen e zhvilluar në stadiumin ‘MetLife’.

    Gjatë turneut nuk munguan polemikat për gjykimin. Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi nga FIFA përjashtimin e gjyqtarëve që drejtuan humbjen 3-2 të Egjiptit ndaj Argjentinës, duke pretenduar se ishin bërë gabime të rënda.

    Federata egjiptiane kërkoi largimin e arbitrit dhe të gjithë ekipit të gjyqtarëve nga Botërori pas hetimit të gabimeve të tyre.

    Edhe përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, shkaktoi debat me një gjest kontrovers në vijën anësore dhe akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit.

    “Ata duan që Messi të qëndrojë në turne”, deklaroi ai pas ndeshjes.

    Shefi i gjyqtarëve në FIFA, Pierluigi Collina, i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “akuza të pabazuara” dhe duke mbrojtur integritetin e gjyqtarëve.

    Ndërkohë, FIFA bëri të ditur se Grupi i Punës për Integritetin, ku morën pjesë ekspertë nga FIFA, FBI, INTERPOL, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Këshilli i Evropës, Shoqata Ndërkombëtare për Integritetin në Bastore dhe institucione të tjera, nuk gjeti asnjë provë për manipulim të ndeshjeve.

    Sipas FIFA-s, gjatë gjithë turneut u monitoruan në kohë reale tregjet e basteve dhe ngjarjet në fushë, ndërsa analizat nuk zbuluan asnjë model të dyshimtë bastesh apo ndonjë shenjë të kurdisjes së ndeshjeve.

    “Bazuar në informacionin e mbledhur dhe analizuar gjatë gjithë garës, Grupi i Punës nuk identifikoi asnjë aktivitet të dyshimtë në bastore dhe asnjë tregues për manipulim të ndonjë ndeshjeje”, thuhej në deklaratën zyrtare të FIFA-s.

    FIFA shtoi se të gjitha raportet mbi bastet dhe informacionet e mbledhura gjatë turneut u analizuan dhe u shkëmbyen mes institucioneve pjesëmarrëse sipas procedurave operative.

    Menaxheri i Lartë për Integritet në FIFA, Liam Rich, deklaroi se ky bashkëpunim krijoi një kornizë të fortë për shkëmbimin e informacionit dhe vlerësimin e çdo rreziku të mundshëm, duke shtuar se i njëjti model do të përdoret edhe në turnetë e ardhshëm, përfshirë Kupën e Botës për Femra vitin e ardhshëm.

  • Kongresi amerikan miraton buxhetin rekord të mbrojtjes prej 1.15 trilionë dollarësh

    Kongresi amerikan miraton buxhetin rekord të mbrojtjes prej 1.15 trilionë dollarësh

    Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj të madh për mbrojtjen me vlerë prej 1.15 trilionë dollarësh, pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm nga demokratët.

    Debati rreth këtij ligji u ndikua ndjeshëm nga tensionet dhe konflikti ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i cili ka qenë një nga çështjet kryesore të politikës së jashtme amerikane.

    Demokratët kanë kritikuar ashpër presidentin Donald Trump për vendimin për t’iu bashkuar sulmeve të Izraelit ndaj Iranit pa kërkuar më parë autorizimin e Kongresit.

    Ata kanë argumentuar se veprime të tilla ushtarake kërkojnë mbikëqyrje dhe miratim nga përfaqësuesit e zgjedhur. Përveç kësaj, shumë demokratë kanë kundërshtuar disa pjesë të projektligjit që parashikojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

    Projektligji përfshin gjithashtu rreth 60 miliardë dollarë fonde shtesë për shpenzime ushtarake. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve pritet të përdoret për të përballuar shpenzimet që lidhen me konfliktin dhe për të mbështetur operacionet e sigurisë dhe mbrojtjes.

    Mbështetësit e ligjit argumentojnë se këto fonde janë të nevojshme për të garantuar sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për të mbështetur aleatët e saj, ndërsa kundërshtarët shqetësohen për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe për mungesën e kontrollit të mjaftueshëm nga Kongresi.

    Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, projektligji tani kalon në Senat, ku pritet të zhvillohen diskutime dhe debate të mëtejshme për përmbajtjen dhe ndikimin e tij politik e financiar.

  • ​Edhe 67 oficerë diplomojnë në akademinë ushtarake të Shqipërisë, 10 nga ta kosovarë

    ​Edhe 67 oficerë diplomojnë në akademinë ushtarake të Shqipërisë, 10 nga ta kosovarë

    Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

    Në një njoftim për media thuhet se kursi përgatitor për oficer, kishte nisur pas marrëveshjes së arritur mes dy ushtrive shqiptare, në tetor të vitit 2025.

    “Kadetët e FSK-së diplomuan dje në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia u zhvillua në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Sipas njoftimit, kjo arritje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit ushtarak dhe zhvillimit profesional të udhëheqësve të rinj.

    “Oficerët e diplomuar kanë përfunduar me sukses programin akademik dhe ushtarak, duke fituar njohuri të avancuara në fushën e udhëheqjes, planifikimit operacional, vendimmarrjes dhe menaxhimit ushtarak në përputhje me standardet e NATO-s.”, thuhet në njoftim.

  • Bujaka dhe Mimoza Ahmeti publikojnë projektin e ri muzikor “Lule Mimoza”

    Bujaka dhe Mimoza Ahmeti publikojnë projektin e ri muzikor “Lule Mimoza”

    Dy ish-konkurrentet e Ferma VIP 3, Bujaka dhe Mimoza Ahmeti, kanë bashkuar forcat për një projekt të ri muzikor me titull “Lule Mimoza”.

    Kënga e re vjen si një bashkëpunim mes dy artisteve, të cilat kanë punuar së bashku edhe për tekstin e saj.

    Projekti është realizuar nga Nasty Music dhe Alandy, ndërsa beat-i është krijuar nga Lucky FLP dhe Alandy.

    Videoklipi i këngës u realizua nga Spotlight Media, duke i dhënë projektit një pamje moderne dhe energjike.

    Bujaka dhe Mimoza, të njohur për publikun nga pjesëmarrja e tyre në Ferma VIP, tashmë po sjellin një tjetër surprizë për fansat e tyre përmes muzikës.

    “Lule Mimoza” është publikuar në platformat muzikore dhe pritet të marrë vëmendjen e publikut.

    Moza vlen të ceket se u shpall edhe fituese duke marrë plot 129 mijë euro.

  • Raporti i D+: Procedurat e prokurimit prej 22.5 milionë eurosh u shoqëruan me shkelje dhe zvarritje

    Raporti i D+: Procedurat e prokurimit prej 22.5 milionë eurosh u shoqëruan me shkelje dhe zvarritje

    Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin me titull “Kostoja e procedurave të papërfunduara: rivlerësime të përsëritura dhe mungesa e kontratave”, i cili analizon ligjshmërinë, efikasitetin dhe transparencën e pesë procedurave të prokurimit publik me vlerë të përgjithshme prej 22.5 milionë euro.

    Sipas D+, raporti bazohet në monitorimin e procedurave të zhvilluara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh).

    Në raport thuhet se janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe praktikash problematike që kanë ndikuar në zvarritjen e procedurave, anulimin e tyre ose moslidhjen e kontratave.

    Sipas D+, gjetjet përfshijnë “emërimin e parregullt të anëtarëve të komisioneve të vlerësimit, paraqitjen e arsyeve të reja për eliminimin e operatorëve ekonomikë vetëm në fazën e rishqyrtimit, rekomandimin për dhënie të kontratës operatorëve me çmime jo normalisht të ulëta pa një vlerësim të plotë dhe të dokumentuar, si dhe shkurtimin e pajustifikuar të afateve ligjore për dorëzimin e ofertave.”

    Raporti evidenton gjithashtu se disa procedura kanë mbetur të bllokuara për më shumë se dy vjet, pavarësisht vendimeve të përsëritura të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), duke shkaktuar vonesa në realizimin e kontratave dhe duke dëmtuar efikasitetin e shpenzimit të parasë publike.

    Bazuar në gjetjet e monitorimit, D+ rekomandon që autoritetet kontraktuese të sigurojnë emërimin e ligjshëm të komisioneve të vlerësimit, të respektojnë parimin e sigurisë juridike gjatë shqyrtimit të kërkesave për rishqyrtim, të bëjnë vlerësim të rregullt të ofertave me çmim jo normalisht të ulët, të garantojnë proporcionalitet dhe transparencë në procedurat e prokurimit, si dhe t’i përfundojnë procedurat brenda afateve ligjore duke zbatuar në mënyrë efektive vendimet e OShP-së.

    Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.