ATV

Author: K.B.

  • Gjini thotë se s’ka vend për Limajn në AAK: Ka përfundu lista

    Gjini thotë se s’ka vend për Limajn në AAK: Ka përfundu lista

    Bartësi i listës së AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Ardian Gjini, ka deklaruar se procesi i përpilimit të listave zgjedhore në parti ka përfunduar dhe është miratuar nga Këshilli votues.

    I ftuar në emisionin “Politiko”, Gjini u përgjigj edhe për mundësinë e bashkëpunimit me kreun e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

    “Janë kry listat, kanë përfundu, Këshilli votues e ka votu listën”, tha Gjini, duke lënë të kuptohet se strukturat e brendshme tashmë kanë finalizuar listën e kandidatëve.

  • Zgjedhjet e 7 qershorit – Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

    Zgjedhjet e 7 qershorit – Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

    Subjektet politike kanë veç edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për subjektet politike do të përfundojë të martën në mesnatë.

    “Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,279.

    Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

  • Mot i ndryshueshëm sot, priten edhe erëra të forta

    Mot i ndryshueshëm sot, priten edhe erëra të forta

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell dhe vranësira të cilat do të sjellin rrebeshe afatshkurtra shiu me vetëtima dhe bubullimë.

    Rrebeshet do të jenë në zona të izoluara, ndërsa herë pas here parashihen erëra të fuqishme nga jugperëndimi.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 10 minimalet deri në 24 gradë Celsius ajo maksimale.

  • OVL e UÇK-së thërret për bashkim: Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh

    OVL e UÇK-së thërret për bashkim: Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh

    Organizata e Vetëranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje për bashkim, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Përmes një komunikate për media, kjo organizatë e dal nga lufta, ka thënë se përgjegjësia kombëtare duhet të mbizotrojë mbi llogaritjet personale.

    Aty thuhet se kur bashkimi ishte e vetmja armë që kishte vlerë, bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës qëndruan bashkë për lirinë dhe Atdheun.

    “Sot, më shumë se kurrë, na duhet ai bashkim dhe ajo energji që dikur e bënë të mundur të pamundurën. Në prag të një procesi shumë të rëndësishëm zgjedhor, u drejtohemi qytetarëve që gjithmonë i qëndruan besnikë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e veçanërisht bashkëluftëtarëve: mbani radhët. Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh. Ata që dikur e mbrojtën vendin me pushkë, sot duhet të garantojnë që gjaku i dëshmorëve të mos harrohet dhe që zëri i luftëtarit të mos shuhet. Përgjegjësia kombëtare duhet të mbizotërojë mbi llogaritjet personale. Shtetin e ngritur mbi sakrifica e mbrojnë vetëm ata që e ndërtuan. Lavdi dëshmorëve. Nderim për ata që nuk u zmbrapsën kurrë”, thuhet në komunikatë.

  • Vjosa Osmani prezanton Brikena Muharremin si pjesë të ekipit të saj

    Vjosa Osmani prezanton Brikena Muharremin si pjesë të ekipit të saj

    Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e juristes shqiptare Brikena Muharremi, duke e cilësuar atë si shembull suksesi dhe përkushtimi ndaj Kosovës.

    Osmani ka theksuar se rrugëtimi i Muharremit, nga shkollat e mbyllura shqipe në Mitrovicë deri te sistemi i drejtësisë në Britaninë e Madhe, dëshmon se suksesi ndërkombëtar mund të arrihet pa u shkëputur nga rrënjët dhe komuniteti shqiptar.

    Sipas Osmanit, Brikena Muharremi u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe dhe për më shumë se dy dekada ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke përfaqësuar edhe institucione britanike në procese të rëndësishme juridike.

    Njoftimi i plotë i Osmanit:

    Nga bankat e mbyllura të shkollave shqipe në Mitrovicë, deri te sallat e drejtësisë në Britaninë e Madhe, Brikena Muharremi është dëshmi se si mund të arrihen majat më të larta pa harruar kurrë rrënjët e veta.

    Brikena Muharremi i përket atij brezi që, me punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, arritën të ndërtojnë emër në sistemet më konkurruese ndërkombëtare, pa e humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën dhe komunitetin shqiptar.

    Si nxënëse e shkëlqyer në Kosovë, ajo u detyrua të largohej nga vendi pas mbylljes së shkollave shqipe nga regjimi serb. Në Britani vazhdoi studimet për drejtësi, ku u diplomua me rezultate të larta dhe u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe.

    Për më shumë se dy dekada, Brikena ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke punuar në një prej sistemeve juridike më të avancuara në botë dhe duke përfaqësuar edhe institucione shtetërore britanike në procese komplekse e të profilit të lartë.

    Angazhimi i saj ka shkuar përtej suksesit profesional individual. Si themeluese dhe kryetare e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë dhe si anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, ajo ka qenë zë i fuqishëm i mërgatës sonë.

    Përmes punës së saj, Brikena ka kontribuar në fuqizimin e profesionistëve shqiptarë, promovimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e mundësive për gjeneratat e reja.

    E dekoruar me titullin “Ambasadore e Kombit” nga Republika e Shqipërisë, ajo përfaqëson shembullin e një profesionisteje që suksesin e ka kthyer në shërbim për komunitetin dhe kombin.

    E dashur Brikena, me padurim pres të bëjmë së bashku punë të mira në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve tanë.

  • Tri shenjat e horoskopit që konsiderohen më të fortat mendërisht

    Tri shenjat e horoskopit që konsiderohen më të fortat mendërisht

    Sipas astrologëve, këto shenja nuk e tregojnë lehtë dhimbjen, por pikërisht në heshtje e gjejnë forcën për t’u ngritur edhe pas goditjeve më të rënda të jetës

    Forca mendore nuk shihet në fjalë të mëdha dhe reagime dramatike, por në mënyrën se si dikush ngrihet pas rënies. Ndërsa disa njerëz dorëzohen sapo përballen me një pengesë, ka edhe nga ata që edhe goditjet më të rënda të jetës i kthejnë në mësime dhe shtysë për një fillim të ri.

    Astrologët pohojnë se mes shenjave të horoskopit dallohen veçanërisht tri, të cilat kanë qëndrueshmëri të jashtëzakonshme psikike, vetëkontroll dhe aftësi për të mbetur të qeta edhe kur bota u shembet para syve.

    Forca e tyre nuk buron nga ftohtësia, por nga përvoja, disiplina dhe besimi i thellë në vete.

    Forca mendore është më e rëndësishme se talenti

    Talenti mund t’i hapë dyert e suksesit, por vetëm qëndrueshmëria mendore mundëson që njeriu të kalojë përmes tyre. Njerëzit e fortë psikikisht nuk lejojnë që emocionet t’i thyejnë plotësisht, edhe kur kalojnë periudhat më të vështira.

    Pikërisht për këtë arsye, shumëkush beson se disa shenja të horoskopit janë pothuajse të pathyeshme kur bëhet fjalë për forcën e brendshme.

    Qëndrueshmëria mendore e Bricjapit: luftëtari i heshtur që nuk dorëzohet kurrë

    Bricjapi konsiderohet një nga shenjat më të disiplinuara dhe më të qëndrueshme të Zodiakut. Kur i vendos vetes një qëllim, pothuajse asgjë nuk mund ta ndalë.

    Forca e tij më e madhe qëndron te durimi dhe aftësia për të menduar në plan afatgjatë. Ndërsa të tjerët dorëzohen pas dështimit të parë, Bricjapi vazhdon përpara, hap pas hapi, pa pasur nevojë t’i shpjegojë askujt se çfarë po kalon.

    Ajo që shumë njerëz nuk e vërejnë është se Bricjapët rrallë i shfaqin emocionet para të tjerëve. Trishtimin, zhgënjimin dhe stresin zakonisht i përpunojnë vetëm, larg syve të publikut. Prandaj shpesh duken të ftohtë, edhe pse pas asaj maske fshihet një betejë e madhe e brendshme.

    Sekreti i tyre qëndron në faktin se humbjet nuk i shohin kurrë si fund, por si mësim.

    Akrepi: shenja që gjithmonë ngrihet nga hiri

    Nëse ka një shenjë që i përballon më së miri stuhitë emocionale, ajo është Akrepi. Forca e tij psikike buron nga aftësia për t’u përballur me dhimbjen, në vend që të ikë prej saj.

    Ndërsa shumë njerëz përpiqen t’i harrojnë problemet, Akrepët i analizojnë, kalojnë përmes tyre dhe dalin më të fortë e më të mençur.

    Qëndrueshmëria e tyre emocionale shpesh e mahnit rrethin, sepse edhe kur kalojnë momentet më të rënda, arrijnë të mbeten të përmbajtur. Rrallë kërkojnë keqardhje dhe pothuajse kurrë nuk u lejojnë të tjerëve të shohin sa janë lënduar.

    Simboli i feniksit e përshkruan në mënyrë të përkryer natyrën e tyre: sado herë të bien, gjithmonë arrijnë të ngrihen.

    Luani: forca e fshehur pas buzëqeshjes

    Në shikim të parë duket sikur Luani ka lindur vetëm për vëmendje, shkëlqim dhe skena të mëdha jetësore, por pas këtij vetëbesimi fshihet një psikikë jashtëzakonisht e fortë.

    Luanët refuzojnë ta shohin veten si viktima. Edhe kur kalojnë një periudhë të vështirë, përpiqen ta ruajnë dinjitetin, buzëqeshjen dhe besimin se në fund gjithçka do të bëhet mirë.

    Forca e tyre mendore buron nga krenaria e madhe dhe besimi në aftësitë e veta. Ata nuk ia lejojnë vetes të qëndrojnë gjatë të thyer, sepse zëri i brendshëm i shtyn vazhdimisht përpara.

    Shumë njerëz nuk e dinë se Luanët e tregojnë brishtësinë e tyre vetëm para njerëzve më të afërt. Para pjesës tjetër të botës, pothuajse gjithmonë duken të fortë dhe të qëndrueshëm.

    Çfarë i lidh këto tri shenja?

    Bricjapi, Akrepi dhe Luani kanë një veçori të përbashkët: nuk lejojnë që jeta t’i thyejë përgjithmonë.

    Forca e tyre mendore nuk buron nga një jetë e përsosur, por nga aftësia për të mbijetuar edhe atëherë kur është më së vështiri. Ata nuk kërkojnë miratimin e rrethit, nuk luten për mirëkuptim dhe rrallë tregojnë sa shumë i dhemb diçka.

    Pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz i konsiderojnë ndër më të fortët psikikisht në Zodiak.

  • Mësimdhënësja nga Ferizaj i gjen mbi dymijë euro dhe i dorëzon në polici

    Mësimdhënësja nga Ferizaj i gjen mbi dymijë euro dhe i dorëzon në polici

    Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka njoftuar se një qytetare e ka gjetur një protofol me para dhe të njëjtën e ka dorëzuar në organet e rendit.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 16:55, me ç’rast qytetarja me inicialet A. Mehmeti, 43-vjeçare, mësimdhënëse nga Ferizaj, ka treguar një shembull të lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare. Ajo ka gjetur një portofol me një shumë të caktuar parash në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” në Ferizaj.

    Menjëherë pas gjetjes, ajo i ka dorëzuar portofolin me paratë në stacionin policor në Ferizaj.

    “Meqenëse pronari i portofolit ende nuk ishte identifikuar, hetuesit e stacionit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes për verifikimin e kamerave të sigurisë në atë zonë. Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetarja me inicialet L.K. (22-vjeçare) nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit. Pas verifikimeve të kryera nga ana e policisë, pronares së ligjshme i janë kthyer portofoli dhe paratë; 2030.85 euro”, thuhet në njoftim.

  • Ramiz Lladrovci kritikon PDK-në për vendimin kundër kthimit të Fatmir Limajt

    Ramiz Lladrovci kritikon PDK-në për vendimin kundër kthimit të Fatmir Limajt

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar vendimin e PDK’së për të mos e kthyer në parti Fatmir Limajn.

    Kryesia e kësaj partie vendosi sot kundër përfshirjes së Limajt dhe partisë së tij në listën e PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Lladrovci ka thënë se kështu “u ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së”.

    “Kreatorët e kësaj fryme, nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së. Për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në Listë, janë ata që nuk patën guxim të ballafaqohen me pozitën dhe qytetarin ndër vite. Anëtarësia e gjerë, simpatizantët dhe qytetarët, do të jenë në përkrahje të PDK-së, të heronjve tanë të luftës e paqes dhe të Bedri Hamzës!”, ka shkruar Lladrovci.

  • Ardian Gjini bartës i listës së AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ardian Gjini bartës i listës së AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ardian Gjini do të jetë bartës i listës së Aleancës për Ardhmëri të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Vendimi është marrë të hënën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së AAK-së.

    “Në këtë takim, Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar me shumicë votash Ardian Gjinin, bartës së listës si dhe listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo listë reflekton unitetin e Aleancës, duke gërshetuar përvojën politike me prurjet e reja profesionale, me synimin e vetëm: shërbimin ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

    Aty thuhet se AAK-ja hyn në këtë proces zgjedhor me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe integrimet euro-atlantike.

    “AAK është gati për garën zgjedhore dhe mbetet e përkushtuar që përmes listës së saj fituese, t’u ofrojë qytetarëve alternativën më të qëndrueshme për qeverisjen e vendit”, thuhet në njoftim.

  • Bekë Berisha: Besoj që do t’i marrim 8-9 deputetë

    Bekë Berisha: Besoj që do t’i marrim 8-9 deputetë

    Ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në “DPT te Fidani” në Klan Kosova tha se beson se do të arrijnë t’i kenë 8 deri 9 deputet në Kuvendin e Kosovës.

    “ Ne veç me i mobilizu ata që kanë dalë herën e parë (për zgjedhjet e kaluara), jemi diku 7-8 deputet. Mirëpo pasiqë po na thonë që nuk e kalojmë pragun, unë besoj që do të shkojmë diku 8-9 deputet me plan dhe punën që e kemi bo” ka thënë Berisha.

    Ai gjithashtu tha se beson sinqerisht se do të dalin më mirë së zgjedhjet e tjera.