ATV

Author: K.B.

  • Marta Kos sot në Kosovë, pritet nga Kurti e Haxhiu

    Marta Kos sot në Kosovë, pritet nga Kurti e Haxhiu

    Sefte”, të paktën si komisionere për zgjerim do t`ia bëjë sot.

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Marta Kos, më 15 maj pritet të realizojë një vizitë për herë të parë në Kosovë, që kur mori detyrën nga 1 dhjetori i 2024-ës.

    Ajo fillimisht do të zhvillojë takim me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    Takimi do të mbahet nga ora 10:00.

    Kurse, pas rreth gjysmë ore, ajo do të pritet edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas njoftimit, takimi do të zhvillohet nga ora 10:30.

    Pas takimi të dy së bashkë do të mbajnë një konferecë për media.

  • A duhet partitë ta paraqesin nga një emër për president para zgjedhjeve të qershorit?

    A duhet partitë ta paraqesin nga një emër për president para zgjedhjeve të qershorit?

    Moszgjedhja e kreut të ri të shtetit në Kosovë shtoi paqëndrueshmërinë institucionale në vend këtë vit, duke nxitur zgjedhje të reja parlamentare pas një viti të humbur më 2025.

    Dhe, ky jostabilitet mund të thellohet në mungesë të kandidatëve të qartë për postin e presidentit, dhe të pagatishmërisë së partive politike për të bërë lëshime.

    Pavarësisht se nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, a do të mundë të lehtësohej emërimi i një presidenti të ri nëse partitë paraqesin nga një kandidat para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit?

    Cilat parti kanë paraqitur kandidat për president?
    Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë ka bërë të ditur se bartësja e listës së saj zgjedhore, Vjosa Osmani, në kuadër të një bashkëpunimi parazgjedhor, do të jetë kandidate e saj për presidente.

    Osmani kërkon një mandat të dytë në krye të shtetit, pas dështimit për t’u rikandiduar në prill.

    Partitë e tjera të mëdha, si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet dhe partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk kanë paraqitur kandidatë.

    Derisa partitë nuk janë të obliguara ta paraqesin ndonjë kandidat për president para zgjedhjeve, ato do të duhej të zotoheshin së paku për karakteristikat e profilit të kandidatit për president, apo për parimet të cilat do t’i udhëhiqnin në arritjen e një konsensusi politik, thotë Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike në Kosovë.

    “Duhet t’i sqarojnë saktë rrethanat në të cilat ata do të ishin dakord për një president, dhe cilat karakteristika duhet t’i ketë ai president, në mënyrë që të shmangen sërish zgjedhjet. Në bazë të këtij zotimi pastaj mund të kërkohet llogaridhënie prej tyre pas zgjedhjeve”, shprehet Maliqi për Radon Evropa e Lirë (REL).

    Në praktikë, kjo do të nënkuptonte më shumë transparencë politike para zgjedhjeve dhe më pak improvizim pas tyre.

    Pse LDK po, e partitë e tjera jo?
    As partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e as PDK-ja nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it nëse do ta bëjnë të ditur ndonjë kandidat të tyrin për presidentin e ardhshëm të Kosovës.

    Maliqi beson se LDK-ja e paraqiti kandidatin për shkak të “rrethanave specifike” të ish-presidentes Osmani, ndërsa partitë e tjera nuk po e bëjnë sepse s’e kanë kandidatin e qartë, e as s’e ndiejnë ngutësinë për ta bërë tani.

    “Mendoj se LDK-ja e ka bërë, me gjasë, nga bindja se narracioni i viktimizimit të saj nga ana e Kurtit mund të ngjallë emocione te një lloj votuesi, i cili në dhjetor ka votuar për LVV-në për shkak të binomit Kurti-Osmani, dhe jo vetëm për Kurtin”, shpjegon Maliqi.

    Edhe sikur të kishte kandidatura tani, sipas Maliqit, ato do të mundë të dukeshin “artificiale”.

    Ai argumenton se veçanërisht kur bëhet fjalë për presidentin – në mos edhe për pozita të tjera – do të ketë nevojë për lëshime mes partive.

    Sepse zgjedhja e presidentit në Kosovë rrallëherë është proces që zgjidhet nga rezultati elektoral – ajo zakonisht kërkon marrëveshje politike, kompromis dhe lëshime ndërmjet partive.

    Pikërisht këtu qëndron problemi kryesor: partitë po hyjnë në zgjedhje pa asnjë marrëveshje minimale për postin që mund ta përcaktojë stabilitetin institucional të vendit për vitet e ardhshme.

    Një proces që kërkon kompromis
    Kosova ka vuajtur nga mungesa e kompromiseve mes partive në vitet e fundit dhe zgjedhja e presidentit në këtë kohë duket detyrë jo edhe aq e lehtë.

    Vendi e humbi tërë vitin 2025 si pasojë e mosthemelimit të Kuvendit fillimisht, e pastaj të Qeverisë, në mungesë të konsensuseve – dhe zgjedhjet po mbahen sërish brenda një kohe të shkurtër, për shkak të mospajtimeve për presidentin, pa asnjë garanci se çfarë do të ndodhë tutje.

    LVV-ja, në pushtet që nga viti 2021, shihet sërish favorite për t’i fituar zgjedhjet, por ajo nuk parashihet t’i marrë vetë 80 vende në Kuvendin me 120 sosh.

    Që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm, nevojitet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve në Kuvend.

    Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës po i mungon një debat i mirëfilltë politik ndërmjet pozitës dhe opozitës për tema strategjike shtetërore, përfshirë edhe çështjen e presidentit.

    “Në këtë aspekt, zgjedhja e presidentit në Kosovë duhet të shihet si proces që kërkon komunikim politik, kompromis demokratik, dhe transparencë ndaj publikut, e jo si çështje që adresohet përmes listave të dëshirave apo imponimit”, thekson Miftaraj.

    Për të gjitha krizat institucionale brenda një viti e gjysmë, partia në pushtet dhe ato në opozitë e kanë fajësuar njëra-tjetrën.

    Në fund, presidenti i ardhshëm mund të mos përcaktohet nga emrat që partitë shpallin para zgjedhjeve, por nga gatishmëria e tyre për kompromis kur të përballen me realitetin parlamentar pas 7 qershorit.

    Deri në zgjedhjen e presidentit, funksionin do të vazhdojë ta ushtrojë Albulena Haxhiu, detyra gjashtëmujore e së cilës zgjat më së largu deri në tetor.

  • I përfshirë në disa vepra penale, plagosja në Prishtinë e 25 vjeçarit që sapo ishte liruar nga burgu – Çka dihet deri më tani

    I përfshirë në disa vepra penale, plagosja në Prishtinë e 25 vjeçarit që sapo ishte liruar nga burgu – Çka dihet deri më tani

    Një person është plagosur mbrëmë në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë.

    Sipas njoftimit nga Policia, informatat për të shtëna në këtë rrugë i kanë marrë rreth orës 21:40.

    Pas daljes në vendin e ngjarjes, Policia thotë se një person është plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 21:40 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Enis Pllana, zëdhënës i Policisë në rajonin e Prishtinës.

    I plagosuri është emër i njohur për organet e rendit.

    Harbin Vitija, i njohur me nofkën “Plaku i Bregut”, ka mbetur i plagosur të enjten mbrëma në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, pak kohë pasi ishte liruar nga burgu.

    Siç raportoi Reporteri rasti ka ndodhur vetëm rreth 100 metra larg vendit ku në vitin 2024 ai kishte qëlluar me kallashnikov në drejtim të disa personave, pas një mosmarrëveshjeje paraprake.

    Vitija, 25 vjeç, është përfshirë në disa raste penale ndër vite. Sipas të dhënave, ai nga viti 2016 është përballur me akuza të ndryshme që lidhen me botën e krimit.

    “Vrasje në tentativë”, “lëndim i rëndë trupor”, “posedim i paautorizuar i narkotikëve”, “mbajtje pa leje e armës” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” janë disa nga veprat për të cilat është dyshuar apo dënuar më herët.

    Në një rast, për veprën penale “vrasje në tentativë”, atij i ishte shqiptuar edhe dënim me burgim dhe gjobë, ndërsa rasti më vonë kishte shkuar në rigjykim. Ai ishte arrestuar sërish me urdhër të gjykatës në vitin 2022 për vuajtje të dënimit të mëparshëm.

    Ndër rastet e përmendura në dosjet e tij është edhe incidenti i korrikut 2016 në festivalin “Beer Fest” në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë, ku dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri, duke shkaktuar panik dhe lëndime tek qytetarët.

    Po ashtu, në qershor të vitit 2020, ai ishte përfshirë në një rast tjetër të dhunshëm në një lokal në Prishtinë, ku pas një mosmarrëveshjeje dyshohet se kishte sulmuar një person me mjet të mprehtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Në vitin 2024, Vitija ishte sërish i përfshirë në një rast të vrasjes në tentativë, ku dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një grupi personash.

    Autoritetet e drejtësisë e kanë konsideruar atë si recidivist, gjë që ishte konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Në vitin 2025 teksa po vuante dënimin në burgun e Dubravës, ai ishte therur me thikë nga një i burgosur tjetër.

  • Kryesisht diell sot, maksimalja deri në 24 gradë

    Kryesisht diell sot, maksimalja deri në 24 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta lokale. Do të ketë sërish lokalisht erëra të fuqishme nga jugperëndimi, ndërsa orëve të pasdites parashihen rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë vetëm në disa zona të izoluara.

    Shumica e territorit do të mbetet pa reshje.

    Temperaturat parashihet të lëvizin nga 6 minimalja deri në 24 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Një i plagosur nga të shtënat me armë në Prishtinë

    Një i plagosur nga të shtënat me armë në Prishtinë

    Një person është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë.

    Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë së kryeqytetit, Enis Pllana i cili tha se i plagosuri është dëeguar për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 21:40 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur”.

    “Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, thuhet në konfirmim.

  • Arrestohen dy persona për sulmin ndaj Mehanit, Sami Lushtaku nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

    Arrestohen dy persona për sulmin ndaj Mehanit, Sami Lushtaku nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim lidhur me një incident të raportuar që përfshin sulm ndaj zëvendësministrit Mehani.

    Sipas Prokurorisë, lidhur me këtë rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa dy persona janë ndaluar në lidhje me ngjarjen.

    Prokuroria ka bërë të ditur se prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë gjithë ditës në vendin e ngjarjes në Skenderaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku janë mbledhur prova relevante për zbardhjen e rastit.

    “Lidhur me rastin e sotëm në Skenderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona me iniciale H.M. dhe B.Z., prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skenderaj, ku së bashku me policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin,” thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se janë intervistuar viktimat dhe disa dëshmitarë të rastit.

    “Janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M. dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L. dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’,” thuhet më tej.

    Ndërkohë, dy persona të tjerë të dyshuar, me iniciale S.L. dhe K.H., ende nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.

  • “Qeveria tentoi të vendosë pengesa për Bordin e Paqes”, Osmani: Qesharake, e paprecedentë

    “Qeveria tentoi të vendosë pengesa për Bordin e Paqes”, Osmani: Qesharake, e paprecedentë

    Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti, lidhur me pjesëmarrjen e saj në konferencën për Bordin e Paqes.

    Këto deklarata, Osmani i ka bërë në Rubikon të Klan Kosovës, e cila së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë bërë paraqitjen e tyre të parë pas bashkimit të tyre për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Osmani ka thënë se ka qenë qesharake dhe e paparë në historinë e Kosovës, pengesa që i është bërë asaj lidhur me marrëveshjen për Bordin e Paqes, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

    “Aty ka pasur tendenca për pengesa për marrëveshjen për Bordin e Paqes. Ka pasur një tendencë të paprecentë, të natyrës që donin në Kuvend ta ndryshonin tekstin e marrëveshjes e cila lëre që është në kundërshtim të plotë me të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare dhe është e paprecendetë që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Është qesharake, është padituri e përmasave që unë nuk e kam parë, e as lexuar asnjëherë askund.”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka thënë se lidhur me këtë marrëveshje ka ftuar në takim Kurtin.

    “Përkundër faktit që unë e kam ftuar në takime Kurtin që të bisedojmë për një gjë të tillë. Unë jam informuar nga grupi parlamentar i GUXO-s dhe ata kanë thënë se ai ka thënë se ka qenë i gabim madh që Vjosa Osmani është ulur në atë tryezë me Donald Trump. Sepse sipas tyre qenka dashur që ne mos të dukemi aty dhe që të jemi komplet jashtë radarit të SHBA-së.”, ka thënë tutje kandidatja për president.

    Ajo ka thënë se kjo administratë e SHBA-së është më pro Kosovës që vendi ka pasur të paktën që nga viti 2008 e tutje.

  • Kos dhe Kurti mbajnë konferencë të përbashkët nesër në Prishtinë

    Kos dhe Kurti mbajnë konferencë të përbashkët nesër në Prishtinë

    Komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, do të qëndrojë në Kosovë të premten. Zyra e Kurtit njofton për takimin Kurti-Kos, të premtën (nesër), në orën 10:30.

    Pas takimit, në orën 10:45 do të ketë konferencë të përbashkët për media.

    Njoftimi i plotë i ZKM-së:

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

    Mediat mund të marrin pamje në oborrin e Qeverisë dhe ato duhet të jenë të pranishme më së largu deri në orën 10:30, si dhe mund ta përcjellin konferencën e përbashkët për media.

    Pas takimit do të ketë konferencë të përbashkët për media.

    KOHA: 10:45

    VENDI: Ndërtesa e Qeverisë

  • Kurti shkon edhe me një emërim – Bedrija Ejupagić zëvendësministri më i ri

    Kurti shkon edhe me një emërim – Bedrija Ejupagić zëvendësministri më i ri

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar Bedrija Ejupagić në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

    Në njoftimin e ZKM-së theksohet se “Kryeministri në detyrë Kurti e uroi z. Ejupagić për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”.

  • Hoxha dorën e mbështjellur me fashë, Ramush Haradinaj e ngacmon pak: A gruaja a kojshia…

    Hoxha dorën e mbështjellur me fashë, Ramush Haradinaj e ngacmon pak: A gruaja a kojshia…

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), gjatë aktiviteteve të sotme ka takuar edhe një hoxhë.

    Imami që takoi Haradinaj kishte dorën e mbështjellur me fashë.

    Haradinaj me humor i drejtua a “gruaja a kojshia”, ndërkohë që përgjigja e hoxhës ishte “një taksirat”.