ATV

Author: K.B.

  • Mbrojtja e Thaçit dy orë kohë për fjalën finale në aktakuzën e dytë, Specialja me detaje për datat 10, 11 e 14 shtator

    Mbrojtja e Thaçit dy orë kohë për fjalën finale në aktakuzën e dytë, Specialja me detaje për datat 10, 11 e 14 shtator

    Gjykata Speciale tashmë ka bërë publike detajet që lidhen me rastin e dytë në të cilën akuzohet Hashim Thaçi dhe të tjerë, për ndërhyrje në drejtësi.

    Mbrojtja e Hashim Thaçit do t’i ketë dy orë kohë për fjalën përfundimtare, derisa Prokuroria Speciale do t’i ketë tri orë.

    Smakaj, Kilaj, Kuçi e Fazliu do t’i kenë nga dy orë e më pak.

    Derisa sa i përket të drejtës për përgjigje, Prokuroria Speciale do t’i ketë 1 orë kohë, mbrojtja e Thaçit do t’i ketë 30 minuta, dhe mbrojtjet e të tjerëve nga 15 minuta secili.

    Palët njoftohen se seancat dëgjimore më 10, 11 dhe 14 shtator 2026 do të fillojnë në orën 9:30 të mëngjesit dhe mund të vazhdojnë deri në orën 17:15. Gjyqtari i Vetëm Gjykues mund t’u bëjë pyetje Palëve në çdo kohë”, thuhet në njoftimin e Speciales.

  • Nga zyrtarët e lartë tek “Ujqit e Natës”: Kush e përcolli Mlladiqin?

    Nga zyrtarët e lartë tek “Ujqit e Natës”: Kush e përcolli Mlladiqin?

    Disa nga zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, djali i presidentit të Serbisë dhe krerët e Kishës Ortodokse Serbe u mblodhën më 7 shtator në Beograd, ku Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, u varros me nderime shtetërore dhe ushtarake.

    Kreu i Kishës Ortodokse Serbe mbajti shërbesën mortore, ndërsa në varrim mori pjesë edhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.

    Analiza e pamjeve dhe fotografive të disponueshme publikisht tregon se në mesin e të pranishmëve kishte edhe pjesëtarë të organizatave të shumta të veteranëve dhe të djathta, përfshirë individë të dënuar për krime lufte dhe për përhapje të urrejtjes fetare dhe kombëtare.

    Kodi Penal i Serbisë parasheh dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim për miratimin publik, mohimin ose minimizimin e ndjeshëm të gjenocidit dhe krimeve të luftës, por kjo dispozitë vlen për krimet e përcaktuara me vendime të gjykatave në Serbi ose të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa Mlladiq u dënua nga Tribunali i Hagës.

    Pamjet e kolonës së njerëzve që, së bashku me krerë shtetërorë dhe kishtarë, përcollën arkivolin e të dënuarit për krime lufte, nxitën reagime të shumta nga rajoni, Brukseli dhe Uashingtoni.

    Ata paralajmëruan se, në këtë mënyrë, fyhen viktimat, minohet pajtimi dhe dëmtohet rruga evropiane e Serbisë.

    Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi se pothuajse i gjithë personeli diplomatik do të tërhiqet nga Ambasada e këtij vendi në Serbi, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të të dënuarit për krime lufte.

    Ministrat i bënë nderime të dënuarit për krime lufte
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët se nuk do të marrë pjesë në varrim, për shkak të një takimi të paralajmëruar më parë me presidentin e Uzbekistanit.

    Djali i tij, Danillo Vuçiq, shkoi në kishë i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurimit, disa prej të cilëve mbanin bluza me portretin e Ratko Mlladiqit.

    Sipas fotografive të publikuara në media, në varrim morën pjesë edhe djemtë e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe të të dënuarit nga Tribunali i Hagës, Vojisllav Sheshel.

    Në varrim u shfaqën gjashtë ministra, përkatësisht një e pesta e përbërjes aktuale të Qeverisë së Serbisë.

    Para dhe brenda kishës, gjatë varrimit të Mlladiqit, u panë ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviq, dhe ministri për Investime Publike, Darko Gllishiq.

    Në varrim ishte edhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq, i njohur për qëndrimet proruse dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet politike dhe të biznesit me Moskën.

    Aty ishte edhe Aleksandar Vulin, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Senatit të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Ai është nën sanksione të SHBA-së për përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe për dyshime për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar, trafikim të narkotikëve dhe keqpërdorim të funksionit publik.

    I pranishëm ishte edhe Marko Kriçak, shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, i njohur në publik për polemikat lidhur me përdorimin e forcës së tepruar ndaj protestuesve antiqeveritarë në Serbi.

    Në varrim mori pjesë edhe deputeti Millosh Jovanoviq, kryetar i DSS-së së Re, parti e opozitës nacional-konservatore, përkatësisht të djathtë, në Parlamentin e Serbisë.

    Drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Jasmina Llazoviq, vlerëson se gjithçka që ndodhi gjatë varrimit, është tregues i qartë se pas tij qëndron shteti, ndonëse mediat proqeveritare promovuan narrativin se përfaqësuesit e lartë të pushtetit ishin të pranishëm si qytetarë dhe se varrimi ishte “popullor”.

    “Vuçiqit i duhet kjo, në mënyrë që në sytë e zyrtarëve perëndimorë të mos shihet si dikush që organizoi një varrim shtetëror për një njeri të dënuar për krimet më të tmerrshme në territorin e ish-Jugosllavisë”, thotë Llazoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Krerët politikë të Republikës Sërpska në varrim
    Në varrimin e Mlladiqit morën pjesë edhe krerët politikë të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Mes të tjerëve, në Beograd udhëtuan anëtarja e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, lideri i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, Millorad Dodik, presidenti i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, kryeministri i këtij entiteti, Savo Miniq, dhe kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq.

    Nga Mali i Zi, të pranishëm ishin përfaqësues të partive proserbe – Partisë Popullore Demokratike të Millan Knezheviqit dhe Malit të Zi të Lirë të Vlladislav Dajkoviqit.

    Kisha Ortodokse Serbe dhe të dënuarit nga Haga
    Në varrim, krahas krerëve politikë, u mblodhën edhe përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

    Shërbesën mortore e mbajti patriarku Porfirije, së bashku me peshkopë të tjerë.

    Gjatë ceremonisë pranë arkivolit, i cili ishte mbuluar me flamujt e Serbisë dhe të Republikës Sërpska, Porfirije tha se emri i të dënuarit nga Tribunali i Hagës “do të mbetet thellë i gdhendur në kujtesën dhe lutjet e pjesës më të madhe të popullit serb dhe ortodoks”.

    Një ditë para varrimit, në profilet e grupeve të djathta në Telegram u shpërnda edhe një thirrje për vullnetarë që të ndihmonin klerin në organizimin e ceremonisë, përkatësisht në shpërndarjen e qirinjve për të pranishmit.

    “Kisha Ortodokse Serbe, që nga vitet ‘90, ka qëndruar krah për krah me njerëzit që kanë planifikuar dhe kryer krime lufte, kështu që kjo është vetëm vazhdimësi e asaj politike zyrtare”, thotë Llazoviq.

    Ajo shton se në këshillin organizativ për varrimin e Mlladiqit ishte Svetozar Andriq, deri vonë anëtar i Këshillit të Qytetit të Beogradit, ndaj të cilit Fondi për të Drejtën Humanitare, në vitin 2018, ngriti kallëzim penal në Prokurorinë për Krime Lufte, për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, konkretisht në lidhje me kampin Sushica në Vllasenicë.

    Në varrim mori pjesë edhe Vesellin Shlivançanin, i dënuar nga Tribunali i Hagës, i cili vuajti një dënim prej dhjetë vjetësh burgim për krimet në Ovçara, në Kroaci.

    Nga “Beretat e Kuqe” tek “Ujqit e Natës”
    Rol të rëndësishëm në varrim kishin edhe veteranët e Ushtrisë së Republikës Sërpska, si dhe përfaqësues të organizatave të shumta të veteranëve nga Serbia, të cilët ndërroheshin pranë arkivolit.

    Në fotografitë e publikuara shihet se mes tyre kishte veteranë të Njësive të Posaçme të Policisë, pjesëtarë të shoqatës “Heronjtë e Koshares”, si dhe veteranë të “Beretave të Kuqe” – organizatë që mbledh ish-pjesëtarë të njësisë speciale tashmë të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror.

    Pjesëtarë të saj kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

    Sipas një hulumtimi të mëhershëm të Radios Evropa e Lirë, të gjitha këto organizata i financojnë aktivitetet e tyre përmes donacioneve nga autoritetet lokale ose qendrore.

    Sipas postimeve në rrjetet sociale, të pranishëm ishin edhe anëtarë të organizatave të djathta “Aksioni Serb” dhe “Patrulla Popullore”, të cilat janë anëtare të Ligës Ndërkombëtare të Sovranizmit – Paladins (ISL Paladins), një rrjet ndërkombëtar i së djathtës ekstreme, i themeluar në Rusi në vitin 2025, me pjesëmarrjen e aktorëve të afërt me Kremlinin.

    Në hyrje të kishës u panë edhe pjesëtarë të klubit rus të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, i cili është nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe mbështetjes për pushtimin e Ukrainës.

    Në varrim u panë, gjithashtu, Misha Vaciq, lider i organizatës së ekstremit të djathtë “E djathta serbe”, dhe Goran Davidoviq Firer, udhëheqës i organizatës së ndaluar neonaziste “Makineria Kombëtare” dhe një nga themeluesit e Partisë së re ultradjathtiste të Nacionalistëve Serbë.

    Davidoviq ishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim për nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore dhe fetare, pasi, së bashku me një grup neonazistësh, kishte ndërhyrë në një tribunë antifashiste në Novi Sad, më 2005.

    Për çfarë u dënua Ratko Mlladiq?
    Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

    Në vitin 2021, Mlladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë – zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) – në verën e vitit 1995.

    Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.

    Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.

    Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.

    Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje e Hercegovinës gjatë vitit 1992 – Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë./REL/

  • Situata me zjarret në Shqipëri, 11 vatra aktive, mbi 1000 forca në terren për shuarjen e flakëve

    Situata me zjarret në Shqipëri, 11 vatra aktive, mbi 1000 forca në terren për shuarjen e flakëve

    Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24-orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 24 janë deklaruar të fikura.

    Në operacione janë angazhuar 614 forca vendore/lokale, 355 efektivë të FA, 70 automjete zjarrfikëse vendore, si dhe mjete të FA; janë zhvilluar 4 operacione me helikopterë dhe 1 me avion Air Tractor.

    Qarku Tiranë: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADM-së, 74 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 1 autoambulancë, si dhe 1 avion Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Kryezi të Kavajës dhe Malin e Bërzhitës janë nën mbikëqyrje.

    Qarku Dibër: Vijojnë aktive katër vatra: në Vajkal të Bulqizës, në Lundre–Madhesh të Matit, në Qafën e Helmes në Fushë-Bulqizë dhe në Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh janë angazhuar 33 forca vendore, të mbështetura nga 37 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 autoambulancë, ndërsa ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Për vatrat aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

    Qarku Lezhë: Mbeten aktive vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Lezhës. Situata më intensive paraqitet në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë angazhuar 63 forca vendore e vullnetare dhe 132 efektivë të FA, me 7 mjete, 3 automjete zjarrfikëse dhe 2 autoambulanca; ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Rreziku për banesat është shmangur.

    Qarku Elbasan: Vijon aktive vatra në Gurëshpatë, njësia administrative Polis, Librazhd, ku po operojnë forcat e MZSH Librazhd. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në malin e Qukësit, Prrenjas, mbahet nën mbikëqyrje.

    Qarku Shkodër: Mbeten aktive tre vatra kryesore: në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, në Bardhaj–Myselim, Shkodër, dhe në malin e Tërbunit, Pukë. Në Bardhaj–Myselim janë angazhuar strukturat vendore dhe 58 efektivë të FA me mjete zjarrfikëse e autoambulancë, ndërsa ka operuar edhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Në Tërbun operojnë 46 forca vendore e policore dhe 42 efektivë të FA me 6 mjete dhe autoambulancë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat. Vatrat në Iballë dhe Bërdicë janë nën mbikëqyrje.

    Qarku Vlorë: Vatra në Bolenë, Horë-Vranisht, Himarë, është nën mbikëqyrje nga forcat e MZSH Himarë. Vatra e riaktivizuar në Kropisht, Selenicë, është deklaruar e fikur.

    Qarku Fier: Vatrat në Peshtan, Fier, dhe Çërrilë, Mallakastër, janë nën mbikëqyrje nga forcat zjarrfikëse, përkatësisht në sipërfaqe me ullishta dhe në pyll me pisha, lis e shkurre.

    Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

    Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

  • Faton Peci zgjedhet kryetar i Guxo, Donika Gërvalla largohet nga udhëheqja

    Faton Peci zgjedhet kryetar i Guxo, Donika Gërvalla largohet nga udhëheqja

    Partia Guxo ka mbajtur Kuvendin e II-të të Rregullt Zgjedhor, në katërvjetorin e themelimit të saj, ku janë zgjedhur organet e reja drejtuese për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

    Në krye të partisë është zgjedhur Faton Peci, i cili mori shumicën absolute të votave të delegatëve.

    Kandidatura e Pecit është propozuar nga bashkëkryetarja e deritanishme, Donika Gërvalla, e cila gjatë kuvendit ka njoftuar se do të largohet nga udhëheqja e përbashkët e partisë për t’u fokusuar në përgjegjësitë e saj institucionale dhe në proceset e reformës në drejtësi.

    “Përgjegjësia që kam si Ministre e Drejtësisë kërkon përkushtimin tim maksimal. Siç e dini, para nesh kemi një punë të jashtëzakonshme dhe beteja që nuk mund të zhvillohen përgjysmë”, është shprehur Gërvalla.

    Ajo ka theksuar se reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor kërkojnë angazhim të plotë.

    “Reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit ligjor dhe shumë procese të tjera vendimtare për Republikën e Kosovës kërkojnë çdo ditë energjinë, kohën dhe angazhimin tim të plotë”, ka deklaruar Gërvalla.

    Pas zgjedhjes në krye të Guxos, Peci ka falënderuar delegatët për besimin e dhënë, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Gërvallës në themelimin dhe fuqizimin e partisë.

    Peci ka shprehur vendosmërinë për vazhdimin e rrugëtimit politik të Guxos dhe partneritetit qeverisës, duke përmendur si prioritete fuqizimin e shtetit, forcimin e sigurisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

    Gjatë kuvendit është miratuar edhe Deklarata Politike e Partisë Guxo, përmes së cilës kjo parti ka riafirmuar përkushtimin për një partneritet politik në shërbim të Kosovës si shtet sovran.

    Guxo ka kritikuar gjithashtu bllokadën institucionale, duke vlerësuar se ajo i ka shkaktuar dëm vendit në planin e brendshëm dhe në pozicionimin ndërkombëtar.

    “Partia Guxo vlerëson se bllokada dyvjeçare në krijimin e institucioneve i ka shkaktuar dëm të madh vendit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në pozicionimin e tij ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën politike.

    Partia ka bërë thirrje për respektimin e frymës kushtetuese dhe krijimin e institucioneve funksionale, duke theksuar nevojën për kompromis, pjesëmarrje dhe përgjegjësi institucionale.

    Në Kuvendin e II-të të Rregullt Zgjedhor është zgjedhur edhe Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Guxo, duke përmbyllur procesin zgjedhor të strukturave të saj për mandatin e ardhshëm.

  • “Nostradamusi i Kinës” paralajmëron për vitin 2027: Nga lufta në Iran te trazirat e mëdha në SHBA

    “Nostradamusi i Kinës” paralajmëron për vitin 2027: Nga lufta në Iran te trazirat e mëdha në SHBA

    Një komentator politik kinezo-kanadez, i cili nga mbështetësit e tij është pagëzuar si “Nostradamusi i Kinës”, ka bërë një seri parashikimesh të zymta për vitin 2027, duke përfshirë përshkallëzimin e luftës në Iran, rikthimin e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak në SHBA, krizë ekonomike dhe trazira të mëdha të brendshme.

    Jiang Xueqin, pedagog dhe komentator politik, ka fituar vëmendje pasi disa prej parashikimeve të tij të mëparshme janë interpretuar nga ndjekësit si të sakta, përfshirë fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe përfshirjen më të madhe të SHBA-së dhe Izraelit në konfliktin me Iranin gjatë mandatit të tij të dytë.

    Tani ai pretendon se zhvillimet e ardhshme mund të çojnë në një krizë shumë më të thellë në Shtetet e Bashkuara.

    Parashikimi i parë: përshkallëzim i luftës në Iran

    Në një podcast me Jack Neel, Jiang tha se beson se konflikti mes SHBA-së dhe Iranit nuk do të qetësohet, por do të përshkallëzohet.

    Sipas tij, një skenar i mundshëm është një ndërhyrje tokësore amerikane në Iran, e cila mund ta lidhë SHBA-në me një konflikt shumëvjeçar në Lindjen e Mesme.

    “Mendoj se kjo luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vetëm do të përshkallëzohet. Nuk shoh një rrugëdalje të lehtë”, tha ai.

    Jiang spekuloi se një angazhim i tillë ushtarak mund të zgjasë shumë më tepër sesa pritet.

    Megjithatë, këto janë parashikime të tij personale dhe jo vlerësime zyrtare nga institucionet amerikane apo nga ekspertë të sigurisë.

    Parashikimi i dytë: rikthimi i rekrutimit të detyrueshëm

    Nëse SHBA do të përfshihej në një luftë të madhe tokësore, Jiang pretendon se qeveria amerikane mund të vendoste rikthimin e rekrutimit të detyrueshëm.

    Ai parashikon se deri në vitin 2027 mund të ekzistojë tashmë një kornizë ligjore dhe institucionale për një draft kombëtar.

    Kjo, sipas tij, do të nënkuptonte që të rinjtë amerikanë, përfshirë meshkujt nga mosha 18-vjeçare, mund të thirreshin për shërbim ushtarak.

    Edhe ky pretendim mbetet spekulativ dhe aktualisht nuk përbën një politikë të konfirmuar.

    Parashikimi i tretë: forcim i ICE dhe Gardës Kombëtare

    Jiang parashikon gjithashtu një forcim të madh të agjencisë amerikane të emigracionit, ICE, si dhe një prani më të madhe të Gardës Kombëtare në qytetet kryesore.

    Sipas tij, këto struktura mund të përdoren për të menaxhuar trazira të mundshme sociale dhe ekonomike.

    “ICE do të bëhet shumë më i fuqishëm nga sa mendojnë njerëzit”, pretendoi ai.

    Ai shtoi se një prani e shtuar e Gardës Kombëtare në qytete të mëdha mund të lidhet, sipas skenarit të tij, me përgatitje për një krizë të gjerë ekonomike dhe sociale.

    Parashikimi i katërt: krizë ekonomike globale

    Një tjetër skenar i Jiang lidhet me Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit.

    Sipas tij, mbyllje të përsëritura ose ndërprerje serioze të transportit në këtë zonë mund të shkaktojnë rritje të mëdha të çmimeve të energjisë dhe të destabilizojnë ekonominë botërore.

    Ai argumenton se ekonomia globale mbështetet shumë te energjia relativisht e lirë dhe transporti i shpejtë përmes kësaj rruge strategjike.

    Jiang paralajmëron se çmimet e naftës, gazit dhe plehrave kimike mund të rriten ndjeshëm në rast të një konflikti të zgjatur, me pasoja zinxhir edhe për çmimet e ushqimeve.

    “Nëse Amerika e humb këtë luftë, kjo mund të nënkuptojë kolaps të ekonomisë amerikane”, pretendoi ai.

    Ky është një skenar ekstrem dhe jo një parashikim ekonomik i pranuar gjerësisht.

    Parashikimi i pestë: trazira që mund të ngjajnë me “luftë civile”

    Parashikimi më dramatik i Jiang lidhet me mundësinë e një konflikti të brendshëm në SHBA.

    Ai nuk pretendon se dy ushtri të organizuara do të luftojnë njëra-tjetrën në territorin amerikan.

    Në vend të kësaj, ai parashikon protesta masive, trazira, përleshje të nivelit të ulët dhe kryengritje lokale në qytete të ndryshme.

    Sipas tij, këto zhvillime mund të nxiten nga një kombinim i krizës ekonomike, polarizimit politik dhe rritjes së pranisë së ICE dhe Gardës Kombëtare.

    “Allë përbërësit për një konflikt civil mund të jenë tashmë duke u formuar: pakënaqësi kombëtare, protesta, trazira dhe kryengritje”, tha ai.

    Megjithatë, përdorimi i termit “luftë civile” është interpretimi i vetë Jiang dhe nuk mbështetet në prova se një konflikt i tillë është i pashmangshëm.

    Si i ndërton Jiang parashikimet?

    Jiang thotë se nuk mbështetet te astrologjia apo te aftësi mbinatyrore.

    Në vend të kësaj, ai përdor tri metoda kryesore.

    Së pari, i trajton shtetet dhe liderët si lojtarë pokeri dhe përpiqet të kuptojë se çfarë konsiderojnë ata si “fitore”.

    Më pas përpiqet të parashikojë lëvizjen e radhës duke u nisur nga ky objektiv.

    Së dyti, ai krahason situatat aktuale me kriza historike, duke kërkuar modele të ngjashme, si perandori që janë futur në luftëra të gjata dhe të kushtueshme.

    Së treti, vëzhgon bindjet ideologjike dhe fetare të grupeve me ndikim dhe supozon se këto bindje mund të ndikojnë në vendimmarrjen politike.

    Këto metoda janë forma interpretimi dhe analize politike, jo mjete që mund ta parashikojnë të ardhmen me siguri.

    Pretendime edhe për Trumpin

    Jiang pretendon se Donald Trump e sheh veten si një figurë me mision për të “shpëtuar Amerikën”.

    Sipas tij, objektivi kryesor i Trumpit nuk do të ishte domosdoshmërisht fitorja ushtarake në Iran, por ruajtja e pushtetit politik.

    Ai madje spekulon se Trump mund të synojë një mandat të tretë presidencial në vitin 2028.

    Ky është interpretim i Jiang dhe jo një fakt i konfirmuar mbi qëllimet e presidentit.

    Nga “globalistët” te “nacionalistët”

    Duke parë edhe më tej, Jiang pretendon se deri në vitin 2030 përplasjet politike mund të intensifikohen jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë.

    Ai e përshkruan këtë si një konflikt më të gjerë mes forcave që i quan “globaliste” dhe “nacionaliste”.

    Edhe këtu bëhet fjalë për një skenar politik të tij dhe jo për një zhvillim të paracaktuar.

    Parashikime, jo profeci

    Pavarësisht nofkës “Nostradamusi i Kinës”, Jiang nuk pretendon se posedon aftësi profetike.

    Analizat e tij bazohen në interpretime të ngjarjeve aktuale, analogji historike dhe supozime mbi mënyrën se si mund të veprojnë liderët dhe shtetet.

    Për këtë arsye, parashikimet për luftë civile, rekrutim të detyrueshëm apo kolaps ekonomik duhet të trajtohen si skenarë spekulativë dhe jo si ngjarje që pritet domosdoshmërisht të ndodhin.

    Historia politike dhe ushtarake është e mbushur me parashikime dramatike që nuk janë realizuar, ndërsa zhvillimet reale varen nga një numër i madh faktorësh që mund të ndryshojnë brenda një kohe shumë të shkurtër.

  • KFOR dhe Islanda zgjasin bashkëpunimin për hapësirën ajrore të Kosovës deri në vitin 2028

    KFOR dhe Islanda zgjasin bashkëpunimin për hapësirën ajrore të Kosovës deri në vitin 2028

    Përfaqësuesit e misionit të Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR) dhe Islanda nënshkruan një Marrëveshje Zgjatjeje në Reykjavik, duke vazhduar bashkëpunimin e tyre për hapësirën ajrore mbi Kosovë deri më 31 dhjetor 2028.

    Marrëveshja e Zgjatjes siguron vazhdimin e partneritetit ndërmjet KFOR-it dhe Qeverisë së Islandës, e cila vepron përmes Autoritetit Islandez të Transportit (ICETRA), me synimin për të lehtësuar hapjen e linjave të reja komerciale në hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovë.

    Marrëveshja bazohet në bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet KFOR-it dhe Islandës dhe kontribuon në përpjekjet e vazhdueshme për të garantuar përdorimin e sigurt dhe efikas të hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • Ky truk i thjeshtë do ta përshpejtojë ndjeshëm shkrirjen e frigoriferit tuaj

    Ky truk i thjeshtë do ta përshpejtojë ndjeshëm shkrirjen e frigoriferit tuaj

    Nëse ka shumë akull në frigoriferin tuaj, shkrirja është e pashmangshme. Por nuk ka nevojë të prisni gjatë pa nevojë. Një truk i thjeshtë mund ta përshpejtojë procesin.

    Së pari, hiqni të gjitha ushqimet, shkëputeni ngrirësin nga priza dhe hapni derën. Vendosni peshqirë ose lecka të tjera thithëse përpara pajisjes, pasi do të formohet shumë ujë gjatë shkrirjes.

    Pastaj vendosni një enë të qëndrueshme me ujë të nxehtë brenda. Nxehtësia dhe avulli do të ndihmojnë në zbutjen e akullit të grumbulluar, kështu që akulli do të fillojë të ndahet nga muret më shpejt.

    Siç këshillohet nga revista britanike Ideal Home, mund ta zëvendësoni ujin e nxehtë sipas nevojës kur ftohet. Është e rëndësishme të mos derdhni ujë të nxehtë direkt mbi depozitat e akullit.

    Truku është i thjeshtë, por mos prisni që një shtresë e trashë akulli të zhduket brenda pak minutash. Uji i nxehtë ka për qëllim kryesisht të përshpejtojë procesin dhe të zbutë akullin në mënyrë që të jetë më i lehtë për t’u hequr më vonë.

    Shkrirja shpesh prodhon më shumë ujë nga sa prisni, kështu që është mirë të keni shumë peshqirë dhe, nëse është e mundur, një enë të cekët për të mbledhur ujin.

    Ndërkohë, ruajeni ushqimin në një qese frigoriferike ose në një vend tjetër të përshtatshëm të freskët.

  • Rrobat prej liri rrudhen sapo i vishni? Ky truk e zgjidh problemin pa hekur

    Rrobat prej liri rrudhen sapo i vishni? Ky truk e zgjidh problemin pa hekur

    Rrobat prej liri rrudhen shpejt? Zbuloni si t’i hiqni rrudhat pa hekur dhe pa dërrasë hekurosjeje, vetëm me një truk të thjeshtë me ujë

    Liri është një nga materialet pa të cilat është e vështirë të imagjinohet vera. Është i ajrosshëm, i lehtë, i këndshëm në lëkurë dhe ka një pamje elegante pa u dukur i tepruar. Megjithatë, ka një veçori që shumë njerëzve u shkakton shqetësim – rrudhet pothuajse sapo e vishni.

    Këmishat, fustanet dhe pantallonat prej liri, pas vetëm disa orësh në dollap ose në valixhe, shpesh duken sikur kanë nevojë urgjente për hekurosje. Megjithatë, ndoshta nuk keni fare nevojë ta ndizni hekurin.

    Ekziston një truk i thjeshtë për të hequr rrudhat nga rrobat prej liri pa hekur dhe pa dërrasë hekurosjeje, madje nuk ju nevojitet as avulluesi. Gjithçka që ju duhet është ujë dhe një shishe e zakonshme me spërkatës, ndërsa i gjithë procesi zgjat vetëm disa minuta.

    Si t’i hiqni rrudhat nga rrobat prej liri pa hekur?

    Truku është shumë i thjeshtë dhe veçanërisht praktik kur jeni në udhëtim dhe nuk keni hekur pranë.

    Ju nevojiten:

    Vishni rrobën prej liri.
    Hidhni ujë të zakonshëm në një shishe me spërkatës.
    Spërkatni lehtë pjesët e rrudhura të pëlhurës.
    Lëreni rrobën të thahet natyrshëm ndërsa e mbani veshur.
    Ndërsa pëlhura thahet, rrudhat bëhen më pak të dukshme dhe rroba duket dukshëm më e rregullt.

    Këtë truk e përdori edhe influencuesja e modës Jean Wang gjatë një udhëtimi në Japoni. Mënyra e saj tërhoqi vëmendjen në rrjetet sociale. Në vend që të kërkonte hekur ose avullues, ajo e spërkati lehtë rrobën me ujë ndërsa e kishte veshur dhe më pas vazhdoi të përgatitej.

    Pikërisht kjo e bën metodën veçanërisht praktike në hotel, gjatë pushimeve ose kudo tjetër ku nuk keni mundësi të hekurosni në mënyrën tradicionale.

    Pse uji ndihmon në drejtimin e pëlhurës së lirit?

    Parimi është shumë i thjeshtë. Kur fijet e lirit lagen, ato çlirohen dhe relaksohen. Ndërsa pëlhura thahet, rrudhat bëhen më pak të dukshme dhe rroba fiton një pamje më të rregullt.

    Nuk është e nevojshme ta lagni rrobën shumë. Mjaftojnë disa spërkatje të lehta në pjesët ku rrudhat janë më të theksuara.

    Nëse nuk keni shishe me spërkatës, mund t’i lagni duart me ujë dhe t’i kaloni butësisht mbi pjesët e rrudhura të pëlhurës.

    Truku nuk vlen vetëm për lirin

    Sipas përvojave të përdoruesve që kanë komentuar këtë mënyrë të heqjes së rrudhave, metoda mund të jetë e dobishme edhe për materiale të tjera.

    Uji përdoret për zbutjen e shpejtë të rrudhave edhe te pambuku, viskoza dhe disa pëlhura të tjera. Megjithatë, para se ta provoni këtë truk në një veshje, është mirë të kontrolloni etiketën dhe udhëzimet e prodhuesit për mirëmbajtjen.

    Truk ideal për udhëtime

    Kjo mënyrë e heqjes së rrudhave është veçanërisht praktike kur paketoni rrobat në valixhe. Rrobat prej liri mund të rrudhen brenda vetëm disa orësh në bagazh, ndërsa në hotel nuk është gjithmonë i disponueshëm një hekur.

    Në vend të një pajisjeje të veçantë, mjafton një shishe e vogël me spërkatës, të cilën mund ta mbani në çantën e tualetit ose në bagazh.

    Një tjetër avantazh është se nuk keni nevojë të ndani kohë për hekurosje. Mund ta spërkatni lehtë rrobën, ta lini të thahet dhe ndërkohë të vazhdoni të përgatiteni.

    Sigurisht, uji nuk do t’i heqë plotësisht rrudhat e thella dhe të forta në çdo rast. Për rrobat prej liri shumë të rrudhura, hekuri ose avulluesi mbeten zgjidhje më efikase. Por kur dëshironi ta freskoni shpejt një rrobë dhe t’i jepni një pamje më të rregullt, ky truk i thjeshtë ia vlen të provohet.

  • Jashari: Rezultatet e Kosovës në PISA janë alarmante, Ministria duhet të veprojë

    Jashari: Rezultatet e Kosovës në PISA janë alarmante, Ministria duhet të veprojë

    eputetja e PDK-së, Sala Jashari ka reaguar për rezultatet e nxënësve të Kosovës në testin ndërkombëtar PISA, duke i cilësuar alarmante të dhënat për rënien e performancës në arsim.

    Jashari ka thënë se është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës të vazhdojnë të përkeqësohen, ndërsa arsimi, sipas saj, ende nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur.

    “Është e papranueshme që rezultatet e nxënësve të Kosovës në PISA të vazhdojnë të bien, ndërsa arsimi ende pret të trajtohet me seriozitetin që meriton”, ka shkruar Jashari.

    Ajo ka krahasuar rezultatet me vitin 2015, duke theksuar rritjen e përqindjes së nxënësve që mbeten nën nivelin bazë të aftësive.

    “Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve që mbeten nën nivelin bazë të aftësive është rritur me 7 pikë përqindjeje në matematikë, 7 në lexim dhe 11 në shkencë”, ka deklaruar ajo.

    Sipas Jasharit, këto shifra janë shqetësuese pasi pas tyre qëndrojnë nxënës që, pavarësisht viteve të kaluara në shkollë, nuk po marrin përgatitjen e nevojshme për jetën.

    “Këto shifra janë alarmante, sepse pas tyre janë fëmijë që po kalojnë vite në shkollë pa marrë përgatitjen që u duhet për jetën”, ka shkruar deputetja.

    Jashari ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e gjendjes në arsim.

    “Ministria duhet të dalë me masa konkrete, afate dhe përgjegjësi të qarta”, ka theksuar ajo, duke kërkuar bashkëpunim me komunat, mësimdhënësit dhe prindërit.

    Deputetja ka thënë se rënia e rezultateve nuk duhet të pranohet si një realitet me të cilin shoqëria duhet të mësohet.

    Në fund, ajo ka paralajmëruar për pasojat që mund të ketë neglizhimi i problemeve në arsim.

    “Çdo vit i humbur në arsim ua ngushton mundësitë një brezi të tërë. Fëmijët tanë meritojnë veprim tani”, ka përfunduar Jashari.

  • Hapet hapësira e re për inovacion dhe startup-e në Pallatin e Rinisë në Prishtinë

    Hapet hapësira e re për inovacion dhe startup-e në Pallatin e Rinisë në Prishtinë

    Kryeqyteti, në bashkëpunim me ICK-në, ka hapur hapësirën e re të inovacionit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

    Sipas Komunës, kjo hapësirë synon të shërbejë si pikëtakim për të rinjtë, startup-et dhe idetë kreative, me fokus në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    Komuna e Prishtinës e ka cilësuar hapjen e kësaj hapësire si një hap të ri në mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë në kryeqytet.