ATV

Author: K.B.

  • “16 shtatori, datë historike”, Behrami: Mundet me ndërru gjithçka

    “16 shtatori, datë historike”, Behrami: Mundet me ndërru gjithçka

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, e ka cilësuar 16 shtatorin si një datë historike për Kosovën, duke thënë se verdikti që pritet të shpallet atë ditë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen e vendit.

    Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Behrami tha se kjo datë mund të ndryshojë jo vetëm të tashmen dhe të ardhmen, por edhe mënyrën se si kuptohet e kaluara e Kosovës.

    “Unë mendoj që këto ditë është vetëm një datë e rëndësishme për Kosovën, nuk është 9 shtatori, nuk është ndoshta edhe i 12-ti, edhe pse është shumë i rëndësishëm, është 16 shtatori. Sepse për herë të parë në historinë e Kosovës e kemi një ditë, një datë, që mund ta ndryshojë jo vetëm të tashmen, të sotmen, jo vetëm edhe të ardhmen, por mund ta ridefinojë edhe të kaluarën tonë. Pra është një datë që mund t’i ridefinojë të gjitha kohërat dhe historinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Behrami.

    Tutje, ai u shpreh se në këtë datë “mundet me ndërru gjithçka për të mirë e për të keq”, kurse sipas tij, “debatet se kush e merr një votë më shumë, debatet se kush i ka fajet më shumë, debatet se a po e çojmë vendin në zgjedhje me 27 dhjetor a me 20 dhjetor, debatet se cila parti ka faj më shumë e më pak, janë debate fataliste”.

    Behrami ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të jetë i konstituar para kësaj date, duke theksuar se institucionet duhet të jenë të gatshme për çdo skenar pas vendimit në Hagë.

    Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që më 16 shtator të jenë në Kuvend dhe ta presin aty vendimin.

  • Zbulohet murali i krerëve të UÇK-së: Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve

    Zbulohet murali i krerëve të UÇK-së: Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve

    Është përfunduar sot në Prishtinë murali kushtuar kujtesës së luftës, sakrificës dhe lirisë, i realizuar me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit. Me rastin e përfundimit të muralit, Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe drejtori i Kulturës, Isah Mustafa, së bashku me artisten OrangeGirl, e cila e ka realizuar veprën, vizituan hapësirën ku tashmë murali bëhet pjesë e peizazhit urban dhe kujtesës publike të kryeqytetit.

    Murali paraqet katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë dhe ndërton një rrëfim vizual mbi luftën, mungesën, burgimin dhe lirinë, si pjesë e një historie që vazhdon të ketë peshë në kujtesën kolektive të Kosovës.

    “Ky mural tashmë bëhet pjesë e hapësirës publike dhe kujtesës së Prishtinës. Është një kujtesë për rrugën tonë drejt lirisë, për sakrificën dhe për njerëzit që ishin pjesë e asaj rruge. Prishtina kujton dhe Prishtina pret kthimin e çlirimtarëve”, tha Musmurati.

    Portretet e realizuara në të kuqe simbolizojnë luftën, sakrificën, revoltën dhe tensionin emocional.

    Siluetat e ushtarëve në pjesën e poshtme të portreteve përfaqësojnë identitetin e luftëtarit dhe kontributin e tyre për liri. Pozicionimi i tyre në vendin ku zakonisht do të ishte kravata simbolizon kalimin nga luftëtari te figura publike dhe shtetformuese, duke ndërlidhur kontributin e tyre në luftën për liri me angazhimin e mëvonshëm në ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.

    Teli në sfond simbolizon kufizimin, ndarjen dhe izolimin, ndërsa zogjtë që fluturojnë mbi të përfaqësojnë lirinë dhe daljen përtej barrierave fizike.

    Murali është realizuar nga artistja OrangeGirl, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Kryeqytetit.
    Prishtina kujton. Prishtina pret. Kosova pret kthimin e çlirimtarëve.

  • Edita Tahiri kritikon liderët politikë: Abdixhiku po e lufton demokracinë në LDK, Kurti i ka bërë të vetët dervisha

    Edita Tahiri kritikon liderët politikë: Abdixhiku po e lufton demokracinë në LDK, Kurti i ka bërë të vetët dervisha

    Ish-ministrja, Edita Tahiri, ka kritikuar liderët politikë në vend. Ajo ka thënë se nuk e kupton pse iu është shtuar doza e autokracisë.

    Sipas Tahirit, Lumir Abdixhiku po e lufton demokracinë brenda në LDK derisa Albin Kurti i ka shndërruar në “dervisha” të vetët në Lëvizjen Vetëvendosje.

    Ajo ka përmendur edhe Edi Ramën, duke thënë se askush në PS s’guxon të flasë ndërkohë që protestat po vazhdojnë.

    “Cfare po ju ndodh lidereve politik shqiptar me kaq shume doze autokratike – shihni Abixhikun po lufton demokracine e brendshme; shihni Kurtin i ka shnderruar ne dervisha te vetet; shihni Edi Ramen, ata te PS-se as ciu nuk go goxojne me ba, nderkohe qe anija e protestuesve po lekunde gjithe vendin..”, ka shkruar ajo.

  • Një ditë pas dënimit, Gjesti shfaqet i qetë nga plazhi

    Një ditë pas dënimit, Gjesti shfaqet i qetë nga plazhi

    Një ditë pas vendimit të gjykatës, Gjesti ka ndarë me ndjekësit një moment relaksi nga plazhi.

    Këngëtari ka publikuar në InstaStory një fotografi ku shihet i shtrirë pranë detit, ndërsa mbi të ka vendosur vetëm fjalën “Calm”.

    Postimi vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë, pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

    Gjesti u dënua për akuzat për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

    Deri tani, ai nuk ka bërë ndonjë reagim të drejtpërdrejtë për vendimin, ndërsa përmes postimit të fundit ka zgjedhur të ndajë një pamje nga pushimet.

  • Kumbaro publikon rezultatet e PISA 2025, ja ku renditet Shqipëria

    Kumbaro publikon rezultatet e PISA 2025, ja ku renditet Shqipëria

    Shqipëria ka shënuar përmirësime të ndjeshme në testin PISA 2025, si në raport me rezultatet e vitit 2022, ashtu edhe krahasuar me vendet e rajonit.

    Rezultatet janë publikuar sot në konferencën e Ministrave të Arsimit në Bratislavë, ndërsa ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri publike rezultatet për Shqipërinë.

    “Nga Bratislava ku është mbledhur ministeriali i vendeve të OECD për të publikuar rezultatet e testit të fundit PISA 2025, kam kënaqësinë të ndaj një lajm të mirë, ku Shqipëria në të tre testet që bëhen nga PISA – leximi, shkencat dhe matematika, ka rritje të konsiderueshme. Në testin e matematikës Shqipëria është rritur me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë dhe në lexim me 50 pikë”, tha ministrja e Arsimit.

    Sipas Kumbaros, Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon në shkencë, duke lënë pas Serbinë, Greqinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në matematikë, Shqipëria kryeson klasifikimin së bashku me Malin e Zi.

    “Kemi rritje krahasuar jo vetëm me vitin 2022, por edhe në rajon, ku Shqipëria është në rezultatet më të larta. Konkretisht në matematikë dhe shkencë Shqipëria ka nivelin më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këta tregues pasqyrojnë progresin që Shqipëria ka bërë në një fushë siç është arsimi dhe nuk është thjesht krenari historike, por sidomos ambicie dhe qëllim për të ecur përpara. Nuk është e rëndësishme se cilit vend ia kemi kaluar, por të kuptojmë se si PISA na ndihmon të rrisim performancën e mësuesve tanë dhe se si nxënësit të rrisin aftësitë e tyre”, vijoi ministrja.

    Gjatë këtij eventi, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, do të jetë pjesë e paneleve dhe diskutimeve mbi çështje të tjera, përfshirë analizën e performancës, përqendrimin dhe rolin e Inteligjencës Artificiale në arsim.

  • Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

    Hykmete Bajrami ia kthen Abdixhikut pa e kursyer: Humbës i trefshishtë i zgjedhjeve, je i fundit që mund të flasësh për parime

    Deputetja e zgjedhur e LDK’së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, i cili sot përmes një statusi në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se po shihet hapur se ambiciet e kundërshtarëve të tij janë për pushtet të brendshëm në parti dhe jo për parime.

    Bajrami e ka quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë.

    Ajo i është përgjigjur direkt Abdixhikut duke i thënë se është njeriu i fundit që mund të flas për parime, ambicie, shtet e pushtet.

    Deputetja Bajrami ia ka numëruar Abdixhikut humbjet e zgjedhjeve dhe ia ka rikujtuar zotimet e tij për largim nga kreu i partisë.

    “Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK.

    Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente:

    Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi.

    Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar.

    Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër.

    Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.”, ka shkruar Bajrami.

    “Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet.

    Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka shkruar tutje Bajrami.

  • Konakoviqi dëbon nga Bosnja dy diplomatë serbë: U jep 48 orë të largohen

    Konakoviqi dëbon nga Bosnja dy diplomatë serbë: U jep 48 orë të largohen

    Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar të martën se ka shpallur persona të padëshiruar dy zyrtarë të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, duke u dhënë atyre 48 orë kohë për të lënë territorin e Bosnjë-Hercegovinës.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të dytën brenda dy ditësh, Konakoviq tha se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren për shpalljen e personave të padëshiruar.

    Bëhet fjalë për Milan Dulanoviqin, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviqin, këshilltar të përfaqësuesit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) në këtë ambasadë.

    “Këta dy persona kanë afat prej 48 orësh për ta lënë Bosnjë-Hercegovinën”, deklaroi Konakoviq, duke shtuar se kartat e tyre diplomatike do të anulohen.

    “Janë dëbuar nga Bosnjë-Hercegovina në përputhje me kompetencat që kemi dhe u bëjmë thirrje që t’i respektojnë rreptësisht rregullat e shtetit tonë”, tha ai.

    Konakoviq njoftoi gjithashtu se po shqyrton mundësinë e rishikimit të numrit të diplomatëve dhe stafit në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë.

    Ai tha se një nga çështjet që ka ndikuar në qëndrimin e autoriteteve boshnjake është edhe fotografia me mbishkrimin “Pravac Potočari”, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Serbi.

    “Është më mirë që njerëzit tanë të mos ndalen në një Beograd të tillë, në një Serbi të tillë dhe te një Vuçiq i tillë. Po e zvogëlojmë numrin e njerëzve tanë në ambasadë atje”, deklaroi Konakoviq.

    Ministri boshnjak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është organizatori i asaj që, sipas tij, ka ndodhur ditëve të fundit në Serbi, përfshirë edhe mesazhet kontroverse të shfaqura gjatë ndeshjes mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit.

    Duke folur për reagimin e Bashkimit Evropian, Konakoviq tha se e vlerëson faktin që BE-ja e ka korrigjuar deklaratën e saj të parë, por konsideron se deklarata e dytë ende nuk është mjaftueshëm e qartë.

    Në fund, Konakoviq njoftoi se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr pëlqimin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

    “Deklarata duhej të nënshkruhej në Mal të Zi më 1 tetor. Ne e kemi tërhequr pëlqimin. Deklarata të tilla nuk do t’i nënshkruajmë përderisa kemi një Serbi të tillë të viteve ’90, të cilën po e shohim këto ditë”, tha Konakoviq.

  • “Liria ka Emër” mobilizohet për marshin e 12 shtatorit, organizojnë transport nga e gjithë Kosova

    “Liria ka Emër” mobilizohet për marshin e 12 shtatorit, organizojnë transport nga e gjithë Kosova

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” kanë mbajtur të martën konferencë për media lidhur me organizimin e marshit të 12 shtatorit, duke njoftuar se do të organizohet transport nga qytete dhe komuna të ndryshme të Kosovës, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të marrin pjesë në marsh pa pengesa për shkak të largësisë, raporton Ekonomia Online.

    Marshi i 12 shtatorit i kushtohet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa vendimi në rastin e tyre pritet të shpallet më 16 shtator.

    Përfaqësuesi i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka thënë se në ditët e fundit është vërejtur një mobilizim i jashtëzakonshëm i qytetarëve, duke theksuar se gatishmëria për pjesëmarrje në marshim po vjen nga vullneti i qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës.

    “Gjatë ditëve të fundit kemi parë diçka që shkon përtej çdo organizimi. Kemi parë një gatishmëri të jashtëzakonshme të qytetarëve. Orët e pritjes brenda dhe jashtë Kosovës janë shndërruar në vend takimi e bashkimi. Kemi parë njerëz që kanë ardhur jo sepse dikush u ka kërkuar, por sepse e kanë ndjerë se duhet të jenë aty. Kemi parë qytetarë të moshave të ndryshme, familje, të rinj e të reja dhe bashkatdhetarë tanë që kanë shprehur vullnetin për të qenë pjesë e kësaj thirrjeje”, ka deklaruar Tasholli.

    Ai ka folur edhe për aksionin e zhvilluar para EULEX-it, si dhe për ndezjen e zjarreve në zona të ndryshme të Kosovës, duke i cilësuar këto si shenja të kujtesës dhe solidaritetit.

    “Zjarret e ndezura nëpër zona e kanë bartur një mesazh nga një cep i vendit në tjetrin. Kujtesa jonë është e gjallë dhe solidariteti ynë nuk është shuar. Ndërsa aksioni i sotëm para EULEX-it ishte vazhdimësi e kërkesës tonë për drejtësi. Por ajo që na jep më së shumti forcë sot është reagimi i qytetarëve. Po e ndjejmë mobilizimin kudo. Në çdo fshat brenda Kosovës, në çdo shtet dhe në diasporë njerëzit po organizohen, po telefonojnë, po pyesin dhe po kërkojnë të dinë se si mund të jenë pjesë e marshit”, ka thënë ai.

    Sipas Tashollit, pjesëmarrja në marshin e 12 shtatorit pritet të jetë masive, duke e cilësuar atë si një bashkim të qytetarëve rreth kujtesës, solidaritetit dhe kërkesës për drejtësi.

    “Dhe pikërisht kjo gatishmëri na bën të besojmë se në ditën e marshit nuk do të jemi thjesht shumë njerëz në një vend, do të jemi njerëz të bashkuar nga kujtesa, solidariteti dhe kërkesa për drejtësi. Do të jetë marshi më masiv ndonjëherë që ka pa Kosova”, është shprehur Tasholli.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit së bashku me familjet, miqtë dhe bashkatdhetarët.

    “Prandaj, sot thirrja jonë shkon për secilin: ejani dhe bëhuni pjesë e marshit, ejani me familjet tuaja, me miqtë dhe me bashkatdhetarët tuaj. Le të jetë pjesëmarrja jonë masive, paqësore dhe dinjitoze!”, ka përfunduar ai.

    Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se, për shkak të interesimit të madh në terren, është paraparë organizimi i transportit nga të gjitha pjesët e Kosovës për qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në marsh.

    “Interesimi që po e shohim në terren na ka obliguar që organizimit t’i përgjigjemi me të njëjtën energji dhe përkushtim. Besoj e keni parë, ne veç po rrugëtojmë paralelisht, Ismaili diku, unë diku tjetër”, ka deklaruar Hoxha.

    Ajo ka theksuar se transporti i organizuar synon që largësia të mos paraqesë pengesë për qytetarët që duan të marrin pjesë në marshin e 12 shtatorit.

    “Për këtë arsye kemi menduar, si edhe herët e kaluara, të ketë transport të organizuar nga e gjithë Kosova, në mënyrë që largësia të mos jetë pengesë për askënd që ka dëshirë të jetë pjesë e të marshojë më 12 shtator për lirinë e çlirimtarëve”, ka thënë Hoxha.

    Sipas saj, nisjet do të organizohen nga qytete dhe komuna të ndryshme të Kosovës, ndërsa detajet për pikat e nisjes, oraret dhe transportin do të bëhen publike përmes njoftimeve zyrtare.

    “Nga qytetet dhe komunat anë e mbanë Kosovës do të organizohen nisje drejt marshit. Do t’i kemi agjendat, pikat e nisjes, oraret, detajet e transportit që do të jenë publike me kohë përmes njoftimeve tona zyrtare edhe në platformën ‘Liria ka Emër’, por edhe në mediat e ndryshme”, ka bërë të ditur ajo.

    Hoxha ka përcjellë edhe një thirrje për qytetarët, duke theksuar se qëllimi i organizimit është bashkimi i njerëzve nga e gjithë Kosova në një mesazh të përbashkët.

    “Mesazhi ynë është i thjeshtë: kudo që jeni, bëhuni gati, ejani, si përherë, me familje, me kolegë, me gjyshër e gjyshe e me fëmijë. Sepse këtë herë nuk po organizohet vetëm një udhëtim drejt një vendi, po organizohet një bashkim njerëzish nga e gjithë Kosova në një zë të përbashkët dhe të vetëm: Liri për çlirimtarët!”, ka deklaruar Hoxha.

    Në konferencë është bërë e ditur edhe një aktivitet tjetër në kuadër të këtij organizimi. Hoxha ka njoftuar se të martën në mbrëmje, në orën 19:00, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, në Pallatin e Rinisë, do të hapet ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës”, e fotografit Visar Kryeziu.

    “Dhe sot, si pjesë e këtij rrugëtimi për t’u kthyer prapa në kujtesë, i shtohet edhe një dëshmi e fuqishme përmes fotografive. Në orën 19:00, në Pallatin e Rinisë, në Galerinë e Arteve të Prishtinës, bashkë Galeria dhe platforma ‘Liria ka Emër’ shpalosin ekspozitën ‘Ditari i një fotografi të luftës’ të fotografit Visar Kryeziu. Përmes këtyre fotografive do të rikthehemi tek pamjet dhe dëshmitë e një kohe që nuk guxojmë ta harrojmë, tek sakrifica, qëndresa dhe çmimi i lartë i lirisë sonë”, ka thënë Hoxha.

  • Arrin në Deçan furnizimi me ditarë nëpër shkolla

    Arrin në Deçan furnizimi me ditarë nëpër shkolla

    Drejtori i Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, ka njoftuar se Drejtoria e Arsimit ka pranuar furnizimin me ditarët shkollorë, një javë pas fillimit të vitit të ri shkollor.

    Hulaj ka bërë të ditur se shpërndarja e ditarëve nëpër shkolla ka nisur menjëherë, ndërsa paralelisht po bëhet edhe furnizimi i shkollave me materiale shpenzuese.

    Sipas tij, shkollat gjatë ditës po pajisen kryesisht me letër të bardhë dhe materiale të tjera të nevojshme për punën administrative dhe pedagogjike.

  • “I vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”, fjala e fundit e Thaçit në Hagë më 18 shkurt

    “I vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”, fjala e fundit e Thaçit në Hagë më 18 shkurt

    Hashim Thaçi, njeriu që e shpalli Pavarësinë e Kosovës para 18 vjetëve, për 8 ditë do ta mësojë fatin e tij.

    Kosova pret që çekani i Hagës të japë vetëm një verdikt: Lirinë!

    Atë që e kërkoi edhe vetë ish-presidenti në fjalën e tij të fundit në Gjykatën Speciale, më 18 shkurt 2026, raporton Klankosova.tv

    “I vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë.”

    Në fjalimin përmbyllës para trupit gjykues, Thaçi tha se është plotësisht i pafajshëm, se akuzat nuk qëndrojnë dhe ekziston vetëm një e vërtetë që ai e quajti të përjetshme.

    “Më lejoni ta përsëris një të vërtetë të përjetshme: I vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike, ishte Sllobodan Millosheviqi dhe regjimi i tij.”

    Për kthimin e tij në Kosovë, në kohën kur populli përballej me shfarosje, Thaçi tha se ishte krenar dhe e tha me plot gojë.

    “Bëra atë që do ta bënte secili prej jush, nëse vendi juaj do të ishte në rrezik. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.”

    Për pretendimet e Prokurroisë se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit të Kosovës, Thaçi ishte fort i ashpër, por edhe i qartë në fjalët që u dëgjuan në sallën e gjyqit dhe bënë jehonë.

    “Fakti që disa prej nesh jemi gjallë sot, është krejtësisht rastësi, ose fat. Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet. U ktheva në atdhe duke rrezikuar jetën time për liri dhe paqe.

    Pyetja që shtrohet është: marrja e kontrollit nga kush? E vërteta është se i tërë kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Millosheviqit. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet; ata shtypeshin nga pushteti. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja.”

    Në mbrojtjen e fuqishme të luftës, Thaçi tha se UÇK nuk ishte ushtri e një shteti, por organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor.

    “Fakti që UÇK-ja nuk ishte e organizuar, ashtu siç pretendon Prokuroria se ishte, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës. Nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike, e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike dhe diplomatike. Suksesi më i madh për popullin e Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë me Perëndimin. Ata na ndihmuan, pikërisht sepse e dinin se kush ishim dhe çfarë qëllime kishim”

    Më poshtë, gjeni fjalën e plotë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në deklarimet përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, 18 shkurt 2026:

    I nderuar Kryetar i Trupit Gjykues, z. Smith,

    Të nderuar gjyqtarë,

    Dje, në Kosovë, u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, duke ndjerë rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë, shpallëm Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Dëshiroj që nga këtu t’ua përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve të Kosovës për këtë festë madhështore.

    Të nderuar gjyqtarë,

    Për gati tri vjet, në këtë sallë gjyqi, ju i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e Mbrojtjes. Ju i keni parë faktet. Ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë! Unë jam plotësisht i pafajshëm. Por, e kam thënë dhe e them sërish, me bindje të plotë: Unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

    Të nderuar gjyqtarë,

    Në kohën e masakrave në Qirez, Likoshan dhe Prekaz, në fillim të vitit 1998, unë isha student në Universitetin e Cyrihut. Unë nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë. Po bëja plane si t’i përgatisja provimet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi. Plane për një tjetër gjenocid, kësaj radhe në Kosovë.

    Si shumë qytetarë të tjerë, edhe unë, më herët u detyrova ta lëshoja Kosovën. Sepse, regjimi i Millosheviqit po më ndiqte. Ai më kishte dënuar në mungesë, me akuzën se i kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese. Më vonë, i njëjti regjim, do t’i dënojë në mungesë edhe Presidentin Clinton, Sekretaren Albright, Kryeministrin Blair, Kancelarin Schroder, Presidentin Chirac, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Solana, dhe të tjerë.

    Duke i parë masakrat ndaj popullit tim, unë, si edhe shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të kthehem në Kosovë. Ky ishte vendim krejtësisht personal i imi. Sepse, nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do ta bënte secili prej jush, nëse vendi juaj do të ishte në rrezik. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.

    Të nderuar gjyqtarë,

    Prokuroria pretendon se qëllimi ishte marrja dhe ushtrimi i kontrollit të Kosovës. Kjo jo vetëm që është plotësisht e pavërtetë, tejet absurde, por është edhe thellësisht ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshëm të vrarë dhe të masakruar. Është ofendim për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilët punova ngushtë.

    Më lejoni ta përsëris një të vërtetë të përjetshme: I vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike, ishte Sllobodan Millosheviqi dhe regjimi i tij.

    Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë.

    Veçanërisht, kur, gjatës luftës, unë nuk e dija nëse do të isha gjallë prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt a do ta shihja më familjen time. Gruan time. Ose, ta mbaja sërish në duar djalin tim të porsalindur. E lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovën e pushtuar plotësisht.

    Fakti që disa prej nesh jemi gjallë sot, është krejtësisht rastësi, ose fat.

    Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet. U ktheva në atdhe duke rrezikuar jetën time për liri dhe paqe.

    Pyetja që shtrohet është: marrja e kontrollit nga kush? E vërteta është se i tërë kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Millosheviqit.

    Shqiptarët nuk ushtronin pushtet; ata shtypeshin nga pushteti. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja.

    Unë nuk kisha iluzione. Shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO. Gjatë gjithë kohës, fokusi im i vetëm ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim, unë udhëtova në shumë kryeqytete për t’i bindur për kauzën tonë të drejtë: në Bruksel, Londër, Berlin, Paris, Bernë, Oslo, Vjenë, e në vende të tjera. Kudo që isha, isha në kontakt me zyrtarë të administratës amerikane.

    Millosheviqi e kishte filluar luftën, ndërsa ne kosovarët po vetëmbroheshim. Por, luftën mund ta përfundonte vetëm NATO. Dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte.

    Kjo Prokurori më thuri shumë lavde, e më ndau shumë tituj e grada. Por, e vërteta është krejt tjetër. Nuk isha unë që transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Unë iu bashkova asaj në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi arsyeja pse UÇK po masivizohej. Arsyeja ishte Millosheviqi.

    Siç ka thënë Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright në atë kohë: “Millosheviqi, me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës, është rekrutuesi më i madh i UÇK-së”.

    UÇK nuk ishte ushtri e një shteti. Ajo ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Fakti që UÇK-ja nuk ishte e organizuar, ashtu siç pretendon Prokuroria se ishte, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës. Nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike, e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike dhe diplomatike. Suksesi më i madh për popullin e Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë me Perëndimin. Ata na ndihmuan, pikërisht sepse e dinin se kush ishim dhe çfarë qëllime kishim.

    Unë, me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë, nuk do ta rrezikoja këtë aleancë me asgjë në botë. Sepse, ashtu do ta rrezikoja vetë lirinë e Kosovës. Do ta rrezikoja ekzistencën tonë kolektive. Qëllimi ynë ishte paqja, nuk ishte lufta.

    Kur bota demokratike vendosi ta thërrasë Konferencën e Paqes në Rambouillet, ne iu përgjigjëm pozitivisht ftesës së tyre. UÇK ishte një nga tri grupet e përfaqësuara nga Kosova. Megjithëkëtë, gjatë gjithë procesit, ne punuam si delegacion i Kosovës. Pranuam marrëveshjen e paqes, edhe pse ajo nuk i plotësonte të gjitha kërkesat tona legjitime. Kosova zgjodhi paqen dhe demokracinë. Serbia zgjodhi luftën dhe gjenocidin.

    Dhe për ta ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare, ashtu siç na e kishin kërkuar ata, të tri grupet, LDK, UÇK dhe LBD, u pajtuam që të formonim një qeveri të përbashkët. Deri në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike. Ishte marrëveshje për t’i bashkuar forcat për një qëllim të përbashkët: lirinë e Kosovës.

    Si mundet dikush të pretendojë se qëllimi ishte marrja e kontrollit, kur ne pranuam që bashkësia ndërkombëtare ta kishte fjalën kryesore në Kosovë?

    Pastaj, që UÇK-ja t’ia dorëzonte armët NATO-s.

    Pas kapitullimit të Millosheviqit, Kosova u fut nën administrimin e OKB-së. UNMIK-u sqaroi se i gjithë pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor ishte në duar të tyre. Këto ishin rrethana të reja. Më pas, unë punova me UNMIK-un, dhe me partitë e tjera politike, për të ndihmuar për zbatimin e mandatit të tyre në të mirë të popullit të Kosovës. Punova në struktura të përbashkëta me UNMIK-un. Gjatë kësaj kohe, i vetmi pushtet që kisha ishte pushteti i zërit tim.

    Dhe, të nderuar gjyqtarë, siç e keni parë gjatë procesit gjyqësor, unë e përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri tolerante dhe shumetnike në Kosovë. Unë u bëra thirrje serbëve lokalë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe ta ndërtojnë një jetë të re së bashku me ne. Edhe ata dhe pakicat tjera, sikurse ne, ishin viktima të Millosheviqit. Nuk ishte aspak e lehtë ta bëja këtë, pas tërë asaj që kishte ndodhur.

    Por, ishte gjëja e duhur.

    Në Kosovë, po hapeshin varre gjithandej, për mijëra viktima. Mijëra të zhdukur nuk gjendeshin. Mijëra pengje shqiptare ishin marrë me vete në Serbi. Dhimbja ishte e thellë dhe kolektive. Ajo që po bëja mund të kishte pasoja fizike dhe kosto elektorale për mua. Por, Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal.

    Pas hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe largimit të forcave serbe, qytetarët e Kosovës nuk po luftonin. Ata po festonin. Lirinë e shumëpritur.

    Gjatë nëntë vjetëve para pavarësisë, ne ishim qytetarë të OKB-së në vendin tonë. Gjatë kësaj kohe, unë i bëra thirrje popullatës të kishte durim, të ishin tolerantë, të ishin të bashkuar dhe të kishin besim te partnerët tanë ndërkombëtarë.

    Pavarësia ishte fryt i aleancës tonë me botën demokratike.

    Pas pavarësisë, punova me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, për normalizimin e raporteve me Serbinë

    Të nderuar gjyqtarë,

    Ajo me të cilën u përballëm nuk ishte vetëm periudha e luftës. Ishte një shekull shtypje dhe aparteid. Traumat kolektive shkaktuan edhe ndjenjën e fortë të zemërimit dhe hakmarrjes, gjatë dhe pas luftës.

    Presidenti Clinton erdhi në Kosovë dhe na tha: “Ne e fituam luftën, ndërsa ju duhet ta fitoni paqen”. Unë e mora këtë mesazh seriozisht. E përdora zërin tim për të bërë thirrje për paqe dhe unitet.

    Gjatë pjesës më të madhe pas luftës, deri në shpalljen e pavarësisë, unë isha jashtë pushtetit. Por, gjatë tërë kohës, unë respektova normat demokratike dhe rezultatet e zgjedhjeve. Dhe kurdo që partia ime ishte si fituese në pushtet, me fitore elektorale, ishte gjithmonë në koalicion me LDK-në dhe partitë e tjera politike joshqiptare. Së bashku e bëmë shtetin e Kosovës realitet.

    Por, propaganda ruse dhe serbe nuk do të na e falnin lehtë. Pasi dështuan ta delegjitimojnë pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, këtu në Hagë, ata ia mësynë Këshillit të Evropës. Ringjallën pretendimet e tmerrshme për trafikim organesh. Pretendime që ishin hetuar më parë nga Tribunali për ish Jugosllavinë, UNMIK-u dhe EULEX-i. Dhe ishin hedhur poshtë si të pabaza.

    Sapo u publikua raporti i Dick Marty-t, si Kryeministër i Kosovës, mblodha përfaqësuesit kryesorë ndërkombëtarë, ambasadat e QUINT-it dhe udhëheqjen e EULEX-it. Kërkova edhe një tjetër hetim të pavarur. Ata premtuan se do ta heqin renë e zezë mbi Kosovën. E vërteta është që propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dick Marty-n. Ai ra viktimë e fushatës së tyre. Ata e ushqyen me informacione të rreme dhe, në fund, tentuan edhe ta vrisnin për të na fajësuar neve. Qëllimi ishte i qartë: të diskreditohej projekti më i suksesshëm politik dhe ushtarak i aleancës perëndimore në dekadat e fundit.

    Kur votuam në Parlament për themelimin e kësaj Gjykate, ne besuam se ajo do t’i trajtonte akuzat në raportin e Dick Marty-t. Dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Në praktikë, as njëra, as tjetra, nuk ndodhi.

    Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë pse e mbështeta themelimin e kësaj Gjykate. Kritikët thonë se kjo Gjykatë synon kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe idenë e pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë kur e votuam. Por, uroj sinqerisht që koha ta dëshmojë që unë kisha të drejtë, e kritikët e kishin gabim.

    Kjo Prokurori, në vend se t’ia heqë renë e zezë Kosovës, kërkon t’ia zërë diellin me një stuhi të zezë: të ashtuquajturën “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

    Shumë nga akuzat që i kam dëgjuar nga kjo Prokurori në këtë sallë, i kam dëgjuar edhe gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë.

    Është vërtetë e dhimbshme që kjo Prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së, në këtë Gjykatë. Të atyre dhe njerëzve të tyre që ishin tërë kohën bashkë me ne. Që ishin sytë dhe veshët e Perëndimit nga Kosova.

    Për më keq, kjo Prokurori pretendon se unë i paskam vënë ata në lajthitje gjatë kohës së luftës. Si duket, kjo Prokurori sërish më mbiçmon më tepër se që e meritoj.

    Në anën tjetër, lartëson deri në qiell dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Kështu, ajo e injoroi edhe vetë të vërtetën.

    Të nderuar gjyqtarë,

    Përkushtimi im për drejtësinë dhe viktimat ishte i vazhdueshëm.

    Në Rambouillet, unë mbështeta kërkesën që Tribunali për ish Jugosllavinë t’i hetojë krimet e supozuara nga të gjitha palët.

    Ndërsa, që nga përfundimi i luftës, të gjitha kompetencat për hetimin e krimeve të luftës ishin në duar të ndërkombëtarëve, Tribunalit për ish Jugosllavinë, UNMIK-ut dhe EULEX-it. Unë e mbështeta punën e tyre. Asnjë i akuzuar në Kosovë për krime lufte nuk është arratisur. Dhe, madje, asnjë xham nuk është thyer për t’i kundërshtuar proceset ligjore gjatë 25 vjetëve të pasluftës.

    Edhe pas shpalljes së pavarësisë, kur unë isha Kryeministër i Kosovës, u pajtova që hetimet e pavarura për krime lufte të mbesin në duart e EULEX-it.

    Si President i Kosovës, angazhova ekspertë eminentë ndërkombëtarë dhe vendorë, të të gjitha komuniteteve, për ta krijuar një forum të drejtësisë tranzicionale për viktimat: Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.

    Por, e vërteta është se drejtësia për viktimat nuk mund të ndërtohet duke ndjekur të pafajshmit. Pajtimi nuk mund të ndodhë me ndjekje selektive dhe një-etnike.

    Të nderuar gjyqtarë,

    Gjatë gjithë jetës sime, unë isha përkrah popullit, në mbrojtje të lirisë, jetës dhe dinjitetit. Gjithmonë duke u udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë.

    Sot, në përfundim të këtij procesi, e kam vetëm një lutje për ju: që vendimi juaj të udhëhiqet nga Kushtetuta e Kosovës, ligji, provat dhe drejtësia. Dhe provat e paraqitura e bëjnë shumë të qartë se akuzat nuk qëndrojnë! Prandaj, i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë.

    Ju faleminderit!