ATV

Author: K.B.

  • “Qesharake dhe jonjerëzore”, Azemi thotë se vendimi prej 100 eurosh ndaj punëtorëve privatë është diskriminues

    “Qesharake dhe jonjerëzore”, Azemi thotë se vendimi prej 100 eurosh ndaj punëtorëve privatë është diskriminues

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e nga 100 eurove për studentët, pensionistët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos “Inflacioni 2.0”.

    Në një konferencë për media, Azemi tha se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se dallimi në mbështetje financiare është i madh dhe i padrejtë.

    “Sot këtë konferencë për shtyp e kemi sjellur lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pakon e Inflacionit 2.0. Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, deklaroi Azemi.

    Ai tha se derisa punëtorët e sektorit publik kanë përfituar paga të 13-ta në vlerë prej rreth 65 milionë eurosh, sektori privat sipas tij do të përfitojë vetëm rreth 20 milionë euro në total.

    “Punëtorët e sektorit publik morën rreth 65 milionë euro, përderisa për punëtorët e sektorit privat, në bazë të një llogaritmi që unë e kam bërë, diku do t’i kushtojë kjo pako rreth 20 milionë euro. Punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, tha ai.

    Sipas Azemit, diskriminimi thellohet edhe më shumë me kriteret e vendosura për përfitim.

    “Në një farë forme degradimi tjetër është që na e kanë bërë, sepse punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse tek punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, u shpreh Azemi.

    Ai akuzoi Qeverinë se vendimi është marrë për arsye elektorale dhe jo për mbështetje reale të punëtorëve.

    “Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve. Unë kam menduar që minimumi çka do të bëhej do të ishte së paku ndarja e një gjysmë page për punëtorët e sektorit privat, por të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jo njerëzore”, deklaroi ai.

    Azemi tha se shumica e punëtorëve privatë mund të mbesin jashtë kësaj skeme për shkak të mungesës së kontratave dhe problemeve me kontributet pensionale.

    “Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim qesharak, sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njohuri se si t’i mbushin aplikacionet dhe unë mendoj që edhe këtu është bërë një dredhi”, tha ai.

    Në fund, ai theksoi se sektori privat vazhdon të mbetet më i dëmtuari në vend.

    “Kur e rrumbullaksojmë të gjithë këtë, 300 mijë punëtorë të sektorit privat të Kosovës po marrin 20 milionë euro, përderisa tek punëtorët e sektorit publik, 85 mijë kanë marrë 65 milionë euro”, përfundoi Azemi./EO/

  • Supremja ia hedh poshtë ankesën e Listës Serbe se 10 kandidatët e partisë së Rashiqit s’i përkasin komunitetit serb

    Supremja ia hedh poshtë ankesën e Listës Serbe se 10 kandidatët e partisë së Rashiqit s’i përkasin komunitetit serb

    Refuzohet ankesa e “Listës Serbe”, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së

    Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e saj të paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me certifikimin e dhjetë kandidatëve të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që e udhëheq Nenad Rashiq, për zgjedhjet e 7 qershorit.

    “Kundër vendimit të PZAP-së, subjekti politik “Lista Serbe” ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Ankuesi ka propozuar anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri. Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se ankesa është e pabazuar”, njoftoi gjykata.

    Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb.

    Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve.

    Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.

    Gjykata Supreme gjithashtu vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve.

  • “Ti prej Prishtine po do me ruajt tokën tem”, protestuesit përplasen me Fitore Pacollin – Pamje

    “Ti prej Prishtine po do me ruajt tokën tem”, protestuesit përplasen me Fitore Pacollin – Pamje

    Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, doli para protestuesve të cilët e nisën protestën para kësaj Ministrie në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.

    “Ti prej Prishtine po do me ruajt tokën tem…marre duhet me të ardhë, nuk munesh me ma rujt token teme ma fort se unë”, tha njëri nga ta.

    Disa prej tyre folën nën tensione me të duke i kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit e më pastaj të ulen e të bisedojnë.

    Protesta po organizohet organizohet nën moton “Rugova nuk hesht – Rugova kërkon drejtësi!”.

  • Në Shqipëri temperaturat pritet të shkojnë deri në 33 gradë në fundjavë e javën e ardhshme

    Në Shqipëri temperaturat pritet të shkojnë deri në 33 gradë në fundjavë e javën e ardhshme

    Masat ajrore me origjinë nga Afrika e Veriut, të cilat po furnizohen me lagështi nga Deti Mesdhe, kanë sjellë kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme në territorin e Shqipërisë.

    Sinoptikanja Elida Maloçali në Top Channel tregoi se si do të jetë moti edhe në javën e ardhshme.

    Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë fundjavës vendi do të jetë me mot të ndryshueshëm, ku alternohen kthjellime dhe vranësira. Në orët e mesditës, vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu dhe rrebeshe kryesisht në zonat malore, ndërsa vija bregdetare mbetet kryesisht pa reshje.

    Era do të fryjë me shpejtësi nga 7 deri në 14 m/s, duke sjellë kushte lokale të ndryshueshme në disa zona.

    Sa i përket temperaturave, vendi ndodhet në kushte tipike subtropikale, me vlera që pritet të arrijnë deri në 33-34°C gjatë fundjavës.

    Edhe gjatë javës së ardhshme, moti do të mbetet i ngjashëm, me kthjellime në pjesën më të madhe të territorit dhe reshje të izoluara në relievet malore. Temperaturat pritet të rriten më tej, duke arritur deri në 34-35°C, ndërsa era do të jetë më e lehtë, rreth 5 m/s./TCh/

  • Belgjika nis hetime për “Sarajevo Safarin”, dyshohet se edhe belgët vrisnin civilë

    Belgjika nis hetime për “Sarajevo Safarin”, dyshohet se edhe belgët vrisnin civilë

    Belgjika ka nisur hetime lidhur me të ashtuquajturin “Sarajevo Safari”, pas dyshimeve se edhe shtetas belgë mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990.

    Dyshimet lidhen me pretendimet se të huaj të pasur paguanin shuma të mëdha parash për t’u lejuar nga forcat serbe të Bosnjës të qëllonin civilë nga pozicionet snajperiste përreth Sarajevës. Rasti u bë i njohur ndërkombëtarisht pas dokumentarit “Sarajevo Safari”, të regjisorit slloven Miran Zupaniq.

    Deputetja belge Leila Agic ka kërkuar nga Prokuroria Federale e Belgjikës të hetojë nëse shtetas belgë kanë marrë pjesë në këto krime të dyshuara lufte. Deri tani nuk janë bërë publike emra apo procedura konkrete penale ndaj personave të dyshuar.

    Sipas dëshmive të paraqitura në dokumentar dhe hetimeve të mediave italiane, pjesëmarrësit dyshohet se paguanin deri në 100 mijë euro për të marrë pjesë në këto “safari njerëzore”, ndërsa thuhet se ekzistonin edhe tarifa të ndryshme për objektivat civile.

    Hetime për rastin tashmë kanë nisur edhe në Itali dhe Austri. Autoritetet austriake konfirmuan se po hetojnë dy persona për pjesëmarrje të mundshme në të ashtuquajturat “ture snajperësh” gjatë luftës në Bosnje.

    Rrethimi i Sarajevës, që zgjati nga viti 1992 deri më 1996, konsiderohet një nga rrethimet më të gjata në historinë moderne të luftërave dhe mori jetën e mijëra civilëve.

  • Ishte me motër dhe për një moment iu largua në drejtim të panjohur – Policia jep detaje për dy raste të zhdukjes

    Ishte me motër dhe për një moment iu largua në drejtim të panjohur – Policia jep detaje për dy raste të zhdukjes

    Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me dy raste të zhdukjes, ku njëri rast ka ndodhur në Obiliq dhe tjetri rast në Prishtinë.

    Në rastin në Obiliq, Policia njofton se një grua ka raportuar se kishte qenë së bashku me motrën e saj, e cila për një moment ishte larguar në drejtim të panjohur.

    “Obiliq 20.05.2026 – 11:45. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se kishte qenë së bashku me motrën e saj, e cili për një moment ishte larguar në drejtim të panjohur dhe nuk kishte mundur ta gjejë më”, thuhet në raport.

    Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet.

    Ndërkaq, rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë.

    “Prishtinë 21.05.2026 – 11:37. Ankuesja ka raportuar se me të dashurin e saj ishte parë për herë të fundit me datën dhe kohën e cekur dhe prej asaj kohe më nuk din për vendndodhjen e tij”, thuhet në raport.

    Sipas ankueses viktima vuan nga një sëmundje e depresionit dhe ankthit.

    Ndërkaq, më 22.05.2026 ora 03:30 në stacion policor është paraqitë ankuesja me viktimën.

    Për rastin është njoftuar prokurori.

  • DnV reagon ndaj vendimit të Kurtit për ndarje të 100 eurove: Rast klasik i keqpërdorimit të resurseve publike në kohë zgjedhjesh

    DnV reagon ndaj vendimit të Kurtit për ndarje të 100 eurove: Rast klasik i keqpërdorimit të resurseve publike në kohë zgjedhjesh

    Organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme të qytetarëve pak kohë para zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si shkelje ligjore dhe keqpërdorim të resurseve publike në periudhë zgjedhore.

    Sipas DnV-së, shpërndarja e këtyre mjeteve financiare ndikon drejtpërdrejt në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për subjektin politik në pushtet.

    Organizata thekson se legjislacioni zgjedhor ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve, përfshirë buxhetin e shtetit, infrastrukturën dhe administratën publike gjatë fushatës zgjedhore.

  • Hamiti: Kurti dhe VV-ja po e bëjnë rrush e kumbulla buxhetin për pushtet të vetin

    Hamiti: Kurti dhe VV-ja po e bëjnë rrush e kumbulla buxhetin për pushtet të vetin

    Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen nga 100 euro për disa kategori të shoqërisë.

    Ai ka bërë me dije se Albin Kurti dhe VV-ja po e bëjnë rrush e kumbulla buxhetin për pushtet të vetin.

    Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se pushteti aktual nuk bën buxhet zhvillimi sepse nuk dinë ta zhvillojë Kosovën.

    “Po e bëjnë rrush e kumbulla buxhetin për pushtet të vetin. Për pushtet të vetin e bëjnë edhe korrupsionin masiv qeveritar. Mijëra tenderë njëburimorë për këtë hesap i japin. Kurti me VV-në e tij të majtë nuk bëjnë buxhet zhvillimi sepse as dinë as duan ta zhvillojnë Kosovën, siç u pa në këto 5-6 vitet e tyre në pushtet. Kosova e varfër është baza e pushtetit të tyre. I varfërojnë dhe i indoktrinojnë njerëzit për t’i nënshtruar dhe sunduar. Në prag të zgjedhjeve – për ta ruajtur pushtetin e vet – u japin lëmoshë. Kjo është teknologjia e tyre e pushtetit”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Qytetarët tanë le t’i marrin paratë që prej buxhetit të shtetit Qeveria e Vetëvendosjes po ua jep me synimin që ta marrë në këmbim votën e tyre. Mirëpo, për mirëqenien e vet afatgjatë, për të mirën e shtetit të vet, qytetarët duhet t’ua refuzojnë votën përbuzësve të Kosovës që e duan pushtetin por jo shtetin. Do t’u kujtohet qytetarëve sigurisht që Vetëvendosja e Kurtit është i vetmi formacion politik shqiptar që nuk e ka festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008”, ka shkruara ai.

  • Haradinaj mbështet banorët e Rugovës, kritikon ndalimin e transportit të materialeve në Bjeshkët e Nemuna

    Haradinaj mbështet banorët e Rugovës, kritikon ndalimin e transportit të materialeve në Bjeshkët e Nemuna

    Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka mbështetur banorët e Rugovës, duke kundërshtuar ndalimin e transportit të materialit ndërtimor në Bjeshkët e Nemuna.

    Përmes një postimi në Facebook, ai tha se vendimi dëmton jetën e banorëve dhe pengon zhvillimin e tyre.

    “Qëndroj në mbështetje të plotë të kërkesave të drejta të banorëve të Rugovës, të cilët me të drejtë po kundërshtojnë vendimin absurd për ndalimin e transportit të materialit ndërtimor në Bjeshkët e Nemuna. Nuk mund të mbrohet natyra duke dënuar njerëzit që jetojnë aty brez pas brezi, duke ua pamundësuar ndërtimin e shtëpive, zhvillimin e bizneseve familjare dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

    Rugova nuk është një zonë e zbrazët në hartë. Është një trevë e gjallë, me 13 fshatra, me familje punëtore që jetojnë çdo ditë me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe kërkojnë vetëm mundësinë për të zhvilluar pronën dhe jetën e tyre”.

  • “Ke ardhur për të provokuar masën”, Fitore Pacolli del para protestuesve në Ministri

    “Ke ardhur për të provokuar masën”, Fitore Pacolli del para protestuesve në Ministri

    Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, doli para protestuesve të cilët e nisën protestën para kësaj Ministrie në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për pezullimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.

    Por, prania e saj nuk u mirëprit nga disa protestues, të cilët i thanë asaj se doli aty për të provokuar masën.

    Disa të tjerë u dëgjuan t’i thoshin Pacollit: “Hiqe vendimin e kërko falje”.

    Aktualisht, në prani të mediave, Pacolli është duke folur me protestuesit.

    Disa prej tyre folën nën tensione me të duke i kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit e më pastaj të ulen e të bisedojnë.

    Protesta po organizohet organizohet nën moton “Rugova nuk hesht – Rugova kërkon drejtësi!”.